Qytetarët me shtetësi të dyfishtë franko-zvicerane nuk do të mund t’i shmangen më shërbimit ushtarak në Zvicër

Një marrëveshje disa-dekadëshe mes Bernës dhe Parisit, e cila u jepte shtetasve me shtetësi të dyfishtë zvicerane e franceze mundësinë të shmangnin shërbimin ushtarak në Zvicër, është drejt ndryshimit, përcjell albinfo.ch.

Këshilli Kombëtar ka ndjekur Këshillin e Shteteve në vendimin për të rishikuar këtë marrëveshje, e cila u lejonte mesatarisht rreth 730 shtetasve me shtetësi të dyfishtë çdo vit t’i shmangnin detyrimet ushtarake në Zvicër, duke marrë pjesë vetëm në një ditë informuese në Francë.

Madje deputetët shkuan edhe më tej: ata votuan që rregulli i ri të zbatohet për të gjithë të rinjtë zviceranë me shtetësi të dyfishtë nga çdo vend me të cilin Zvicra ka marrëveshje të ngjashme.

Valë e re shkurtime punësimi në Zvicër

Grupi i sigurimeve Helvetia Baloise ka njoftuar se do të eliminojë nga 1,400 deri në 1,800 vende pune në Zvicër gjatë tre viteve të ardhshme, pas bashkimit të realizuar këtë muaj, në të cilin Helvetia bleu kompaninë Baloise, përcjell albinfo.ch.

Njoftimi i së mërkurës vjen vetëm pak ditë pasi një tjetër gjigant zviceran, UBS, paralajmëroi se do të shkurtojë 3,000 vende pune në Zvicër, pjesë e integrimit të ish-konkurrentit Credit Suisse, të blerë në vitin 2023.

Shkurtimet e paralajmëruara nga Helvetia Baloise pritet të rrisin më tej numrin e vendeve të humbura të punës në Zvicër në vitin 2026 dhe më pas.

Austria drejt ndalimit të shamisë për vajzat nën 14 vjeç

Ndalimi i mbajtjes së shamisë së kokës nga vajzat nën 14 vjeç në shkollat austriake ka kaluar fazën paraprake të votimit. Në Komisionin e Arsimit të parlamentit austriak, shumica e partive qeverisëse – OVP konservatore, Socialdemokratët dhe NEOS liberale – votuan pro propozimit. Edhe FPO e krahut të djathtë mbështeti nismën, ndërsa të vetmit që votuan kundër ishin të Gjelbrit.

Me këtë shumicë, pritet që ndalimi të miratohet edhe në seancën e sotme të parlamentit.

Përpjekja e dështuar e vitit 2020

Ky nuk është tentimi i parë i Austrisë për të ndaluar shamitë në shkolla. Në vitin 2020, koalicioni i atëhershëm OVP–FPO miratoi një ligj të ngjashëm, i cili u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Sipas gjykatës, ligji shkelte parimin e trajtimit të barabartë dhe lirinë fetare, pasi i drejtohej në mënyrë të veçantë besimit islam.

Qeveria e atëhershme u kritikua se nuk kishte siguruar arsyetime të forta ligjore për ndalimin. Ndërkohë, Ministri aktual i Arsimit, Christoph Wiederkehr, është shprehur se drafti i ri ka adresuar të gjitha shqetësimet kushtetuese dhe beson se këtë herë ligji do të kalojë pa probleme.

Debati dhe shqetësimet

Fatma Akay-Turker, kryetare e Shoqatës së Grave Myslimane në Austri, e cila vetë nuk mban më shami dhe kundërshton detyrimin për mbajtjen e saj, paralajmëron se ndalimi mund të jetë i rëndë për shumë vajza të reja. Sipas saj, presioni i familjes mbetet i madh dhe vajzat mund të gjenden “mes dy zjarreve” – midis kërkesave të shtetit dhe pritshmërive të komunitetit të tyre.

Shkollat pritet të zbatojnë rregullin me rigorozitet. Në rast të shkeljeve, fillimisht parashikohet një takim me prindërit. Por nëse ata vazhdojnë t’i dërgojnë vajzat me shami në shkollë, mund të përballen me gjoba që variojnë nga 150 deri në 800 euro, ose me dënim alternativ me burgim deri në dy javë.

/DW

Barometri RCC: Këto janë janë brengat më të mëdha të qytetarëve të Ballkanit

Sot në Bruksel është bërë publikimi i Barometrit i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) për Ballkanin Perëndimor, përcjell albinfo.ch.

Në këtë barometër janë prezantuar disa nga problemet më të mëdha, me të cilat përballen qytetarët e këtij rajoni.

Kryesori del të jetë kostoja e jetesës/rritja e çmimeve, ku 66 për qind e tyre kanë deklaruar se ky është problemi.

Lidhur me këtë, Amer Kepatnoviq, nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (Regional Cooperation Council) thotë se ‘Ballkan Barometer’ është rruga e dëgjimit të njerëzve të rajonit.

“Ajo që do shihni sot në disa segmente duhet të jetë brengosëse për të gjithë”, tha ai.

Po ashtu, si problem është paraqitur edhe situata ekonomike me 44 për qind, korrupsioni me 35 për qind, jostabiliteti politik me 29 për qind.

Po ashtu në mesin e problemeve qytetarët i kanë deklaruar edhe papunësinë me 25 për qind dhe ikjen e trurit (brain drain) me 22 për qind.

“Forbes” shpall Ursula von der Leyen gruan më të fuqishme për vitin 2025

Në listën e 100 grave më të fuqishme në vitin 2025 nga revista amerikane Forbes, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është në vendin e parë, përcjell albinfo.ch.

Në shpjegimin e bordit editorial thuhet se ajo është gruaja e parë në atë pozicion, e cila është përgjegjëse për legjislacionin që prek më shumë se 450 milionë evropianë.

Në vendin e dytë në listë është presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, në të tretin është Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, e cila është edhe gruaja e parë në atë pozicion.

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, është në vendin e katërt, presidentja meksikane, Claudia Scheinbaum, është në vendin e pestë, dhe midis 10 më të mirëve janë drejtoresha ekzekutive e General Motors, Maria Barra, dhe drejtoresha ekzekutive e kompanisë teknologjike “Citi”, Jane Fraser.

Revista përfshin nënkryetaren ekzekutive dhe drejtoreshën financiare të Microsoft, Amy Hood, drejtoreshën e përgjithshme të FMN-së Kristalina Georgieva, presidenten dhe drejtoreshën kryesore operative të kompanisë SpaceX Gwynn Shotwell, këngëtaren pop Taylor Swift, ministren e financave dhe çështjeve të korporatave të Indisë, Nirmala Sitharaman midis 100 grave më të fuqishme.

Lista përfshin gjithashtu personalitetin e medias Oprah Winfrey, bashkëkryetaren e kompanisë Walt Disney, Dana Walden, ministren britanike të financave, Rachel Reeves, drejtoreshën ekzekutive të kompanisë kineze JD.com, Sandy Ran Su, presidenten e Bursës së New Yokut, Lynn Martin, drejtoreshën ekzekutive të Vodafone, Margherita Della Valle, drejtoreshën kryesore të përmbajtjes së platformës Netflix, Bela Baharia.

Drejtoresha ekzekutive e Fox News, Susan Scott, drejtoresha financiare e Deutsche Fox Group, Melanie Kreis, figura publike dhe sipërmarrësja Kim Kardashian, kryeministrja e Kongos, Judith Suminwa Tuluka, danezja Metta Frederiksen dhe ajo e Barbadosit, Mia Mottley, janë ndër 100 gratë më të fuqishme.

Në vendin e fundit në listë ishin heroinat e serialit të animuar të bashkëprodhuar nga Netflix dhe Sony Records “KPop Demon Hunters” që flet për grupin e vajzave K-Pop (HUNTR/X) dhe i cili u shikua më shumë se 325 milionë herë deri në dhjetor 2025 dhe u bë filmi më i njohur në Netflix ndonjëherë.

Lista, e cila publikohet për të 22-ën herë, u hartua bazuar në katër kritere kryesore – paratë, mediat, ndikimi dhe sfera e ndikimit. Kishte gra nga fushat e politikës, financave, medias, argëtimit, sipërmarrjes, dhe gjithashtu ka 17 gra që nuk ishin në listë më parë.

Ambasada gjermane: Moscertifikimi i kandidatëve të Listës Serbe dëmton imazhin e Kosovës

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, është deklaruar për moscertifikimin e kandidatëve për deputet të Listës Serbe, përcjell albinfo.ch.

Kjo ambasadë  thekson se moscertifikimi e dëmton imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe ka ndikim negativ në rrugën drejt integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Tutje, në reagim thuhet se zgjedhjet dhe përgatitjet teknike duhet të jenë të lira nga manovrimet politike të akterëve politikë.

“Siç e theksuam javën e kaluar, procesi zgjedhor dhe përgatitjet teknike për zgjedhjet duhet të jenë të lira nga manovrimet politike nga aktorët politikë. Sjellja penguese e disa anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilët refuzojnë të verifikojnë Listën Serbe dhe kandidatët e saj, ndikon negativisht në reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe në rrugën e saj drejt integrimit evropian”, kanë thënë për Kosovo-Online Ambasada gjermane.

Lugano po bëhet qendra zvicerane e bitcoin-it

Në qytetin jugor të Zvicrës, Lugano, përdorimi i bitcoin-it po hyn gradualisht në jetën e përditshme. Rreth 350 biznese, përfshirë dyqane, restorante dhe shërbime komunale, tashmë pranojnë pagesa me kriptomonedhë – një hap që po e shndërron qytetin në një prej zonave më miqësore ndaj kriptovalutave në Evropë, transmeton albinfo.ch.

Falë bashkëpunimit midis bashkisë dhe platformës Tether, koncepti i pagesave digjitale ka filluar të marrë formë konkrete. Për shembull, në degët e McDonald’s në qytet, klientët mund të paguajnë me bitcoin përmes telefonit, një praktikë ende e pazakonshme në shumicën e vendeve të botës.

Megjithatë, pavarësisht këtyre zhvillimeve, bitcoin nuk është bërë ende mënyra kryesore e pagesave. Pjesa dërrmuese e blerjeve vazhdon të kryhet në franga zvicerane, ndërsa sektorë të rëndësishëm si transporti publik, karburantet dhe pagesa e faturave nuk e kanë adoptuar kriptomonedhën.

Nisma e quajtur “Plani B”, e nisur nga autoritetet lokale, synon rritjen e edukimit financiar dhe përdorimit të kriptomonedhave, me qëllim që Lugano të pozicionohet si një qendër e rëndësishme evropiane për teknologjinë blockchain dhe bitcoin-in, raporton BBC.

Por jo të gjithë janë entuziastë. Disa banorë shprehin skepticizëm për rreziqet që mbartin kriptovalutat, ndërsa ekspertët paralajmërojnë për luhatshmërinë e madhe të tregut dhe mundësinë e humbjeve në rast falimentimi të platformave ku mbahen portofolët digjitalë.

Pavarësisht kritikave, autoritetet e Luganos theksojnë se do të vazhdojnë investimet drejt një ekonomie gjithnjë e më digjitale, duke e bërë qytetin një laborator inovacioni në fushën e financave moderne./Albinfo.ch.

Pse ka më pak aplikime nga diaspora për zgjedhjet e 28 dhjetorit?

Viti 2025 po shënon një situatë të pazakontë zgjedhore në Kosovë, pasi brenda të njëjtit vit po mbahen dy palë zgjedhje nacionale. Zgjedhjet e para u zhvilluan më 9 shkurt 2025, ndërsa ato të dytat do të mbahen më 28 dhjetor 2025, shkruan albinfo.ch.

 

Rënia e numrit të aplikimeve nga diaspora

Në zgjedhjet e shkurtit, diaspora kishte shënuar një rekord me 108 mijë aplikime të regjistruar për të votuar jashtë Kosovës.

Ndërsa për zgjedhjet e 28 dhjetorit, ky numër ka rënë në 77 mijë e 85 aplikime.

Kjo do të thotë se diaspora ka 30 mijë e 915 aplikime më pak sesa në zgjedhjet e shkurtit 2025.

 

Mirëpo cila është arsyeja e kësaj rënie?

Në pamje të parë, mund të interpretohet si rënie e interesimit të mërgatës për procesin zgjedhor. Por faktet tregojnë një tjetër realitet.

Çfarë duhet të dini është se KQZ-ja me fillim ka bërë të ditur se çdo mërgimtar që regjistrohet për të votuar jashtë vendit nuk i  lejohet të votojë fizikisht në Kosovë.

Ndërsa kush nuk regjistrohet për votim jashtë vendit, mund të votojë pa pengesë në vendvotimet brenda Kosovës.

Duke qenë se zgjedhjet e dhjetorit mbahen në kulmin e sezonit të pushimeve, shumë mërgimtarë e kanë planifikuar tashmë ardhjen e tyre në Kosovë për festat e fundvitit, një periudhë kur tradicionalisht vendi pret mijëra bashkatdhetarë nga Evropa, Amerika dhe vende të tjera, shkruan tutje albinfo.ch.

Për këtë arsye, një numër i madh i mërgimtarëve kanë zgjedhur të mos aplikojnë online, pasi do të jenë fizikisht në Kosovë dhe do të votojnë direkt në vendvotime.

Kjo shpjegon qartë pse ka rënie të aplikimeve, por jo domosdoshmërisht rënie të pjesëmarrjes së diasporës në procesin zgjedhor.

 

Nga cilat shtete vijnë më së shumti aplikimet?

Edhe në këtë proces të dhjetorit, numri më i madh i aplikimeve për votim nga diaspora vjen kryesisht nga Zvicra, Gjermania, Austria, SHBA-ja, Turqia, pasuar nga vendet si Italia, Franca, Belgjika e shtete të tjera europiane ku jeton komunitet i madh i shqiptarëve.

Rënia e aplikimeve nga 108 mijë në 77 mijë nuk është tregues i uljes së interesimit të diasporës për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Përkundrazi, ajo lidhet drejtpërdrejt me faktin se mijëra mërgimtarë pritet të jenë fizikisht në Kosovë gjatë festave të fundvitit dhe, si rrjedhojë, kanë zgjedhur të votojnë personalisht në vend.

Ky fenomen tregon një dimension tjetër të mobilizimit politik të diasporës, me pjesëmarrjen aktive përmes pranisë fizike, e cila mund të ndikojë dukshëm në rezultatin e zgjedhjeve./Albinfo.ch

Mbi 77 mijë votues nga diaspora janë regjistruar për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar certifikimin e listës votuese për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor 2025, shkruan albinfo.ch.

Sipas të dhënave të publikuara, numri i përgjithshëm i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në këtë proces është 2 milionë e 76 mijë e 290 votues.

Prej tyre:

 1 milion e 999 mijë e 205 janë votues që do të votojnë në vendvotime brenda Kosovës.

77 mijë e 85 janë qytetarë të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit.

Krahasuar me zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025, lista përfshin 7 mijë e 192 votues më shumë, duke shënuar një rritje të pjesëmarrjes së diasporës.

Procesi zgjedhor brenda Kosovës do të organizohet në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2.614 vendvotime. Nga to:

910 qendra me 2.557 vendvotime do të shërbejnë për votimin e rregullt.

38 qendra, një në secilën komunë, me gjithsej 57 vendvotime, do t’u shërbejnë qytetarëve për votimin me kusht./Albinfo.ch

LDK mban takim me mërgatën në Austri

Lidhja Demokratike e Kosovës po vazhdon serinë e takimeve me mërgatën. Pas tubimit të mbajtur në Gjermani, partia ka paralajmëruar një takim tjetër edhe në Austri, përcjell albinfo.ch.

Dega e LDK-së në Austri, së bashku me pesë nëndegët e saj, fton bashkatdhetarët në një tubim informues në Amstetten, ku do të prezantohet kandidati për deputet për zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit, Besart Berisha.

Në njoftimin e partisë bëhet e ditur se në takim do të jetë i pranishëm edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti, raporton albinfo.at.

Takimi mbahet të premten, më 12 dhjetor 2025, nga ora 19:00

Adresa: Marktplatz 4, 3364 Neuhofen an der Ybbs, Austri

LDK ka paralajmëruar një tubim tjetër më 13 dhjetor në Frankenthaler të Gjermanisë, ku pritet të marrë pjesë edhe kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku.

Shaqiri në prag të titullit “kampion bote” me Baselin

Xherdan Shaqiri ka mundësinë të bëhet “kampion bote” jozyrtar të enjten mbrëma me skuadrën e Baselit, në një përballje të rëndësishme ndaj Aston Villas, përcjell albinfo.ch.

Baseli do të ndeshet me klubin anglez të enjten nga ora 21:00, në kuadër të xhiros së gjashtë të Ligës së Evropës. Sipas mediumit zviceran “Blick”, një fitore e skuadrës zvicerane do t’i siguronte Baselit titullin simbolik të “kampionit të botës”.

Para sfidës, Shaqiri ka shprehur entuziazmin për përballjen me një ekip anglez:

“​Aston Villa ka treguar formë të mirë së fundmi. Mezi pres këtë ndeshje sepse kam mundësinë të luaj sërish kundër një ekipi anglez. Do të jetë një sfidë e vështirë, por ne jemi të fortë në shtëpi dhe mund të mposhtim çdo kundërshtar”, ka deklaruar ai.

Aktualisht, titulli jozyrtar mbahet nga Aston Villa, pasi Emiliano Buendía shënoi golin e fitores në minutën e 95-të në triumfin 2-1 ndaj Arsenalit fundjavën e kaluar. Megjithatë, kjo situatë mund të ndryshojë pas sfidës së së enjtes.

Historia e këtij titulli të veçantë nis rreth 20 vjet më parë, kur një tifoz britanik krijoi platformën “Stevesfootballstats”, e cila ndjek ndeshjet që përcaktojnë kalimin e këtij “kurori” simbolik.

Sipas rregullit të këtij koncepti, çdo skuadër që e mposht kampionin aktual në një ndeshje zyrtare e fiton titullin. Ndërkohë, në nivel përfaqësuesesh, këtë titull formal aktualisht e mban Kosova.

Shqiptarja debuton në ekranin e madh me filmin britanik kriminal “A Gangster’s Life”

Aktorja dhe modelja 24-vjeçare, Rina Lipa, motra e yllit të muzikës Dua Lipa pritet të debutojë në ekranin e madh me filmin kriminal britanik “A Gangster’s Life”, përcjell albinfo.ch.

Rina do të interpretojë rolin e Scarlett, një personazh i ftohtë dhe i pamëshirshëm, e përfshirë në botën e errët të mafies londineze, të mbushur me dhunë, tradhti dhe përplasje të rrezikshme. Filmi do të ketë premierën në janar.

Projekti regjisohet nga Zak Fenning, i cili vjen me debutimin e tij si regjisor filmi artistik, ndërsa më herët është vlerësuar për punën e tij si kameraman. Filmi i bën homazh klasikëve të zhanrit gangster si “Lock, Stock and Two Smoking Barrels” dhe “The Gentlemen” të režisorit Guy Ritchie.

Në kastin e filmit janë përfshirë edhe Jonny Weldon (One Day), Tony Cook (Dune: Part Two), si dhe Tomi May, Christina Gkioka, Bradley Turner dhe Sasha Latoya.

Ngjarja sillet rreth dy mashtruesve, Ant dhe Dick, të cilët përballen me një mafioz të rrezikshëm londinez të quajtur Emery, dhe më pas përfshihen me ngurrim në botën e tij kriminale. Personazhi i Rina Lipës, Scarlett, është pjesë e skuadrës së Emery-t, që i përdor dy protagonistët si vegla në aktivitetet kriminale, derisa historia i çon ata drejt Greqisë.

Familja Lipa ka tashmë përvojë në kinematografi, Dua ka pasur role të vogla në filma si “Barbie” (2023) dhe “Argylle” të regjisorit Matthew Vaughn.

Premiera digjitale e “A Gangster’s Life” në Mbretërinë e Bashkuar pritet më 19 janar, nën shpërndarjen e Miracle Media.

Leandro Maksutaj debuton në Superligën e Zvicrës me Winterthur

Talent i Kombëtares së Kosovës U-19, Leandro Maksutaj ka bërë debutimin e tij me ekipin e parë të Winterthur-it në Superligën zvicerane, në ndeshjen ndaj Basel-it, përcjell albinfo.ch.

18-vjeçari u inkuadrua në fushë në minutën e 89-të, duke shënuar një hap të rëndësishëm në karrierën e tij dhe duke konfirmuar zhvillimin e tij si një ndër talentet më premtuese në futbollin zviceran.

Winterthur u mposht me rezultat 1-2 nga Basel-i, në një duel ku protagonisti kryesor ishte Xherdan Shaqiri, i cili realizoi golin hapës për skuadrën e tij. Shaqiri fitoi gjithashtu një penallti, por ekzekutimi i Philip Otele u ndal.

Bill Gates: Inteligjenca artificiale është një flluskë, por do të transformojë botën

Tregjet globale ranë në nëntor për shkak të shqetësimeve rreth një flluske të mundshme, dhe Bill Gates paralajmëron se disa kompani të inteligjencës artificiale mund të mos arrijnë vlerat e tyre aktuale.

Gates, bashkëthemelues i Microsoft dhe filantrop, tha gjatë Javës së Financave në Abu Dhabi se AI është njëkohësisht një “flluskë” dhe një “teknologji thelbësore që do të ndryshojë botën”. Ai shtoi se, megjithë vlerësimet e larta të disa kompanive, industria e AI-së është jashtëzakonisht konkurruese dhe jo të gjitha kompanitë do të jenë fituese.

“Një pjesë e kompanive që sot duken të mbivlerësuara, me kalimin e kohës nuk do të ruajnë vlerën e tyre,” shpjegoi Gates, duke theksuar se AI është një flluskë vetëm në kuptimin që disa vlerësime nuk do të mbijetojnë. Megjithatë, ai insistoi: “Është një teknologji me ndikim të thellë, që do ta transformojë botën.”

Shumë kompani të AI-së aktualisht kanë vlerësime mbi mesataren. Për shembull, raportet P/E të Palantir dhe Tesla janë mbi 200, krahasuar me mesataren e S&P 500 prej rreth 25. Rënia e tregjeve globale në nëntor lidhej pikërisht me frikën nga një shpërthim i mundshëm i kësaj flluske.

Megjithatë, Gates është optimist për ndikimin afatgjatë të AI-së: “Kjo teknologji do të ndryshojë jetën për mirë, duke përmirësuar shëndetësinë, arsimin dhe bujqësinë.”

Fondacioni Gates, së bashku me udhëheqës të tjerë ndërkombëtarë, sapo ka premtuar 1.9 miliardë dollarë për të luftuar poliomelitin dhe për të forcuar sistemet shëndetësore. Gates tha se vitin e ardhshëm do të jetë vendimtar për shëndetin global, falë përdorimit të mjeteve të AI-së, si mjekë virtualë që mbështesin dialektet lokale në Afrikë dhe këshilltarë bujqësorë për fermerët me parcela të vogla.

“Synimi ynë është të rrisim ndjeshëm produktivitetin e tyre, dhe kjo është e realizueshme,” përfundoi Gates.

 

Mirënjohje nga Austria: Medalja e Artë për rektorin e UBT-së, Edmond Hajrizi

Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, i ka dorëzuar sot Medaljen e Artë të Meritave të Republikës së Austrisë Profesor Edmond Hajrizit, themelues dhe rektor i Universitetit për Biznes dhe Teknologji (UBT). Çmimi i lartë shtetëror vjen si vlerësim për kontributin e tij shumëvjeçar në zhvillimin e arsimit të lartë dhe forcimin e marrëdhënieve akademike e ekonomike ndërmjet Austrisë dhe Kosovës.

Prof. Edmond Hajrizi themeloi UBT-në në vitin 2001, me vetëm 29 studentë, ndërsa sot institucioni numëron mbi 15 mijë studentë në disa kampuse dhe konsiderohet si universiteti më i madh privat në vend. Që nga fillimi, UBT është ndërtuar mbi modele dhe standarde austriake të arsimit, duke ofruar programe ndërdisiplinore, të orientuara në praktikë dhe të bazuara në inovacion.

Në hapat e parë të zhvillimit të UBT-së, bashkëpunimi me profesorët dhe hulumtuesit e Universitetit Teknik të Vjenës (TU Wien) dhe institucionet e tjera austriake ka qenë thelbësor. Me kalimin e viteve, UBT është shndërruar në një urë të rëndësishme akademike mes dy vendeve, duke zgjeruar partneritetet me universitete, institute kërkimore dhe qendra ekselence në Austri. Mes aktiviteteve të përbashkëta veçohet edhe programi EUROTRIP, i cili u mundëson çdo vit studentëve të UBT-së vizita studimore në Austri.

Përtej dimensionit akademik, UBT ka kontribuar edhe në forcimin e lidhjeve ekonomike ndërmjet Austrisë dhe Kosovës, përmes bashkëpunimeve me Odën Ekonomike të Austrisë (WKÖ), organizatat për zhvillim ekonomik (WIFI) dhe institucione të tjera. Po ashtu, UBT ka organizuar vazhdimisht aktivitetin “Ditët e Austrisë”, ndërsa ka luajtur një rol kyç në promovimin e modelit austriak të arsimit profesional dual në Kosovë.

Prof. Hajrizi ka lidhje të thella akademike dhe profesionale me Austrinë. Pas përfundimit të doktoraturës në TU Wien, ai nisi karrierën në këtë vend duke punuar në kompani si Siemens dhe Austro-Tech në pozita menaxheriale të projekteve softuerike. Marrëdhëniet e tij akademike me TU Wien vazhdojnë edhe sot.

Si ndërmarrës dhe inovator, ai ka themeluar mbi 30 kompani e laboratorë në vende të ndryshme, si dhe parkun e parë të shkencës dhe teknologjisë në Kosovë. Hajrizi është fitues i çmimeve prestigjioze ndërkombëtare, anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve, dhe kontribuues aktiv në nisma që avancojnë arsimin, kërkimin, inovacionin dhe zhvillimin teknologjik.

Medalja e Artë e Meritave nga Republika e Austrisë përbën një vlerësim të rëndësishëm për kontributin e tij dhe një dëshmi të bashkëpunimit të qëndrueshëm mes dy vendeve.

Bujqësia në Kosovë, një potencial për t’u zhvilluar

A do t’i shohim ndonjë ditë dyqanet ushqimore në Zvicër apo Gjermani të ekspozojnë me krenari Produced in Kosovo? Kur do të nisë një shpërndarje në shkallë të gjerë e specialiteteve kosovare, të afta të rivalizojnë me ato që vijnë nga Kroacia apo Maqedonia? Pyetja mbetet ende e hapur, ndërsa disa do të përgjigjeshin me ironi: atë ditë kur vetë kosovarët do të njohin vlerën e prodhimit të tyre bujqësor dhe kur shteti më në fund do ta mbështesë këtë sektor po aq sa promovon degët e tjera të ekonomisë.

Suhareka, në jug të Kosovës, është një nga komunat kryesore bujqësore të vendit.

Edhe pse ekonomia kosovare po bëhet gjithnjë e më e njohur ndërkombëtarisht përmes sektorit të tretë që po zhvillohet me ritme të shpejta, themeli i saj historik dhe shoqëror mbetet thellësisht rural. Dhe bujqësia, ndonëse pak e mekanizuar, vazhdon të jetë një shtyllë ekonomike: në vitin 2022 ajo përfaqësonte 7.4 për qind të PBB-së dhe përfshinte 23 për qind të fuqisë punëtore. Sigurisht, madhësia mesatare e fermave, e vlerësuar nga FAO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi) ndërmjet 1.5 dhe 3.2 hektarë, pasqyron trashëgiminë e një modeli vetëfurnizues: gati 50 për qind e sipërfaqes së përgjithshme të tokës së punueshme, pak mbi 420 mijë hektarë (që përbëjnë rreth gjysmën e territorit të Kosovës), shfrytëzohet nga ferma që kanë më pak se 5 ha, dhe njëra në dy nuk i kalon 1 ha. Prania e përhapur e traktorëve të vegjël të kuq IMT, të vjetër por të pathyeshëm, të përsosur për këto sipërfaqe, është një dëshmi e qartë vizuale e kësaj.

Disa fermerë kanë arritur të investojnë në makineri bujqësore të përshtatura për sipërfaqe të mëdha, si këta dy traktorë në afërsi të Suharekës.

Megjithatë, brenda gjysmë shekulli, struktura bujqësore e vendit ka kaluar një zhvillim të jashtëzakonshëm, gjë që shihet nga projektet e shumta inovative që kanë marrë jetë, falë sipërmarrësve të vegjël të qëndrueshëm dhe punëtorë, të cilët besojnë në konceptet e tyre dhe arrijnë të bashkohen për të krijuar sinergji efektive si në tregun e brendshëm ashtu edhe në eksport. Disa shembuj të tillë do të paraqiten në pjesën e dytë të kësaj serie prej tre artikujsh kushtuar bujqësisë kosovare. Modele frymëzuese, që kanë ditur të shfrytëzojnë potencialin bujqësor të vendit,  një vend ku në disa rajone pothuajse çdo familje zotëron ende tokë të punueshme, po aq sa kanë ditur të shkojnë përtej tij. Dhe mbi të gjitha, ndërmarrje që arrijnë të kapërcejnë pengesat e shumta strukturore, madje edhe shoqërore, që ngadalësojnë zhvillimin e tyre. Duke i analizuar këto të fundit, kuptohet edhe më mirë merita e fermerëve që i përkushtohen profesionit të tyre dhe e shndërrojnë atë në një histori suksesi.

albinfo.ch 
albinfo.ch
albinfo.ch

Traktori i fortë IMT, një mbijetues i epokës jugosllave, i përshtatur në mënyrë të përkryer për sipërfaqet e vogla të shumicës së fermave në Kosovë.

Sigurisht, do të ishte e padrejtë të thuhej se shteti i Kosovës i lë bujqit të arrangohen vetë. Bujqësia mbështetet realisht, si përmes një sistemi pagesash direkte të ngjashëm me atë të Zvicrës dhe vendeve të Bashkimit Evropian, ashtu edhe përmes subvencioneve të dhëna nga Ministria e Bujqësisë ose, në nivel rajonal, nga departamentet përkatëse të komunave. Por në praktikë, kjo mbështetje funksionon vetëm pjesërisht.

Fusha mes Suharekës dhe Mushtishtit (jug i Kosovës).

Së pari, sepse sistemi i pagesave direkte lidhet me sipërfaqen e deklaruar dhe për këtë arsye është i cenueshëm ndaj abuzimeve: për shkak të një farë paqartësie të krijuar nga copëtimi i skajshëm i fermave, shumë pronarë përfitojnë ndihma pa kultivuar asgjë në copën e tokës që posedojnë. Ministria e Bujqësisë, e vetëdijshme për problemin, po përpiqet të ndryshojë kriteret e dhënies së subvencioneve, duke u bazuar më shumë në shifrat reale të prodhimit sesa në sipërfaqen e regjistruar në kadastër. Një punë e gjatë, që kërkon hapa të ngadaltë por të qëndrueshëm.

Së dyti, edhe pse Ministria e Bujqësisë ka një buxhet subvencionesh prej 30 deri në 35 milionë euro në vit, pra më të madhin ndër ministritë, kërkesat e kalojnë shumëfish këtë shumë. Shefi i projektit dhe bashkëthemelues i BIOKS, një ndërmarrje shërbimi e specializuar në mbështetjen e bizneseve që kërkojnë të sigurojnë kredi dhe subvencione nga qeveria apo investitorët e huaj, Naim Kicaj është personi ideal për ta ditur këtë, aq më tepër kur më shumë se një e treta e klientëve të tij janë bujq. “Nga tetë kërkesa që arrijnë në ministri, vetëm njëra merr financim, tregon ky banor i Suharekës, një prej rajoneve kryesore bujqësore të Kosovës. Dhe ndërprerja e financimeve të USAID të vendosur nga administrata amerikane nuk do ta përmirësojë situatën.”

albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch

Ashtu si shumë ferma të tjera në Kosovë, edhe kjo fermë në afërsi të Suharekës bazohet në diversifikim. Mes dhjetëra arrave të mbjella së fundmi, pula të rritura në natyrë kullosin lirshëm.

Sigurisht, kur një sipërmarrës bujqësor arrin të sigurojë financimin për një projekt të caktuar, mbështetja nuk është e vogël, pasi shuma maksimale mund të variojë nga 100 mijë deri në 400 mijë euro për një projekt të madh në një sektor të caktuar, për shembull përpunimin e produkteve të mishit ose perimeve.

Por duhet arritur të kalohet përmes pengesave të shumta juridike dhe administrative për të përfituar nga fondet qeveritare. “Ndryshe nga pagesat direkte, subvencionet shtetërore nuk jepen automatikisht në bazë të sipërfaqes së punuar ose prodhimit,” shpjegon Naim Kicaj. “Patjetër duhet të plotësohet një nga tre kushtet e mëposhtme: të mund të dëshmohet pronësia e parcelës, të mund të dëshmohet se parcela i ka përkitur njërit prej të parëve në vijë të drejtë familjare, ose të ekzistojë një kontratë qiraje e nënshkruar te noteri. Mirëpo privatizimi i kooperativave shtetërore, të cilat ishin sistemi mbizotërues para luftës, ka bërë që 75 për qind e tokave bujqësore të Kosovës të mbeten pa pronar ligjor.” Kështu, shumë fermerë nuk kanë as mundësinë të kërkojnë një subvencion. Të vetëdijshme për problemin, autoritetet kanë krijuar një procedurë të certifikimit të pronësisë që kërkon praninë e dëshmitarëve, por kjo, ndonëse duket e thjeshtë, mund të bëhet shumë e ndërlikuar, sidomos kur trashëgimtarët jetojnë jashtë vendit. “Ky është një pengesë madhore për investimet në sektorin bujqësor,” thekson specialisti.

albinfo.ch

Rritja e pulave në afërsi të Suharekës.

Pasiguria juridike lidhur me pronësinë e tokës ka sjellë edhe një efekt anësor të dëmshëm që vërehet prej disa vitesh: tkurrjen e sipërfaqeve bujqësore në favor të parcelave të destinuara për industrinë. “Ekziston një planifikim hapësinor që përcakton se cilat parcela janë në zonë të mbrojtur, por shpesh shohim ndërtime të objekteve industriale në ato toka që teorikisht duhet të mbeten për bujqësi”, shprehet një burim në Departamentin e Pronave dhe Kadastrës në Suharekë. Ndërtimi i zonave industriale që respektojnë planin hapësinor do ta evitonte këtë problem, dhe kjo është ajo që po synon të bëjë Komuna.

Me pak fjalë, nuk është e lehtë të zhvillosh një projekt bujqësor në një kontekst të tillë. Aq më tepër që infrastruktura rurale mbetet shumë e mangët; shumë rrugë fshati dhe rrugë shërbimi për bujqësi janë në gjendje të keqe, madje të pakalueshme, dhe kërkesat për ndërhyrje hasin në buxhetet e kufizuara të komunave. Sa i përket ujitjes, ajo mbetet e pasigurt. Disa fshatra në zonat rurale presin prej dekadash të lidhen me një rrjet furnizimi me ujë dhe mund të mbështeten vetëm te pusët e ndërtuara nga banorët me shpenzimet e tyre, edhe pse shkurtësia e sezonit bujqësor e zbut për momentin ndikimin e thatësirave verore.

Vreshta në afërsi të Suharekës.

Së fundi, faktorët shoqërorë po ashtu e ngadalësojnë zhvillimin e sektorit. Bujqësia shpesh perceptohet si një veprimtari me pak vlerë krahasuar me sektorin e patundshmërisë apo atë të shërbimeve. Gratë janë aktive në këtë fushë, madje ndonjëherë edhe në krye të fermave inovative, por ato duhet të luftojnë për t’u njohur plotësisht si sipërmarrëse të pavarura. Sa i përket sinergjive kolektive, të domosdoshme të paktën për të lehtësuar barrën financiare që blerja e makinerive të prodhimit ose përpunimit ia imponon familjeve bujqësore, ato fatkeqësisht pengohen nga një mosbesim i vjetër ndaj kooperativave bujqësore, të lidhura me epokën socialiste.

Mbarështimi i lopëve qumështore dhe shitja direkte e qumështit dhe djathit janë baza e fermës së Drita Kabashit në Sallagrazhdë, në Komunën e Suharekës.

Si pasojë, pavarësisht gjallërisë së disa iniciativave lokale (si ato që do t’i prezantojmë në pjesën tonë të ardhshme), vendi është larg vetë-mjaftueshmërisë ushqimore. Varësia nga importet,  veçanërisht përmes zinxhirëve të supermarketeve si VIVA Fresh, SPAR apo CONAD, të cilët kanë dominuar ndjeshëm mbi tregjet e fshatrave dhe dyqanet e vogla ushqimore, në një vend ku popullsia po përqendrohet gjithnjë e më shumë në qytete  paraqet një problem. Ajo ngre çështje të sigurisë ushqimore në afat të gjatë, por edhe të shëndetit publik, pasi lidhet me praninë e produkteve të përpunuara shpesh me cilësi të dobët dhe që vijnë nga sisteme agro-industriale shumë intensive të vendeve fqinje si Maqedonia e Veriut, Kroacia e të tjera. E megjithatë, Kosova i ka të gjitha mundësitë për të prodhuar mirë, për të ushqyer mir  dhe për të eksportuar mirë.

Blaise Guignard

Edhe një shtet tjetër tërhiqet nga Eurovisioni 2026 për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit

Islanda është bërë pjesë e një grupi vendesh që do të bojkotojnë Festivalin e Këngës Eurovision 2026, pas vendimit të Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU) për të lejuar Izraelin të marrë pjesë në këtë konkurs.

Sipas raportimeve të BBC, Islanda i është bashkuar Spanjës, Irlandës, Sllovenisë dhe Holandës në vendimin për të mos marrë pjesë në Eurovision, i cili këtë vit do të zhvillohet në Austri, transmeton albinfo.ch.

Transmetuesi kombëtar islandez, RUV, tha se pjesëmarrja e Izraelit ka shkaktuar ndarje mes anëtarëve të EBU-së dhe debat të gjerë tek publiku.

 

Rama: Evropa të mbajë premtimin, Shqipëria pjesë e saj deri më 2030

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030 është plotësisht i realizueshëm.

Në Tiranë po zhvillohet Forumi Ekonomik, ku Rama ishte prezent gjatë hapjes së edicionit të pestë së bashku me zyrtarë të tjerë.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se Shqipëria po transformohet në një korridor zhvillimi nga veriu në jug dhe se vendi është i gatshëm për investime cilësore dhe afatgjata.

“Shqipëria qëndron si një shtyllë stabiliteti dhe partner i besueshëm në një Evropë që po ripërcakton sigurinë dhe ekonominë. Ne kemi përparuar shpejt me kapitujt e negociatave me BE, kemi dyfishuar buxhetin dhe PBB-në, ndërkohë që deficiti është minimal. Turizmi po rritet, infrastruktura po modernizohet nga portet tek hekurudhat, dhe transformimi digjital po zhvillohet me ritme të shpejta,” tha Rama, duke cituar “TRT Balkan”

Kryeministri gjithashtu vuri në dukje se revolucioni digjital ka ndryshuar mënyrën e qeverisjes dhe funksionimin e biznesit.

“Evropa 2030 nuk është vetëm një shpresë, por destinacioni ynë. Negociatat janë aktive, kapitujt po ecin përpara dhe objektivi është realist, por me kusht që Evropa të mbajë premtimin. Anëtarësimi në 2030 është i mundshëm dhe ne nuk presim Evropën, por e ndërtojmë atë këtu,” shtoi ai.

Rama theksoi se zhvillimi i infrastrukturës moderne do ta bëjë Shqipërinë një nyje logjistike mes Ballkanit dhe Evropës.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, pjesë e forumit, nënvizoi rëndësinë e Shqipërisë për sigurinë dhe zhvillimin rajonal dhe kontributin e saj në integrimin kontinental. Ajo theksoi gjithashtu mbështetjen për dialogun Kosovë–Serbi dhe thellimin e bashkëpunimit në rajon.

Forumi ka fokus diskutimi mbi ndryshimet globale, zhvillimin ekonomik të Shqipërisë si qendër rajonale, rrugën drejt BE-së dhe sfidat për investimet. Organizator është Forumi Ekonomik i Delfit, ndërsa pjesëmarrës janë zyrtarë, biznesmenë dhe ekspertë ndërkombëtarë.

Shpërthim i madh nafte në veri të Gjermanisë pas një “incidenti” në një tubacion nafte

Një shpërthim i madh nafte ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në rajonin Brandenburg në veri-lindje të Gjermanisë, si pasojë e një “incidenti” në një tubacion nafte, njoftuan autoritetet rajonale.

“Ekipet e emergjencës janë në vendngjarje” për të zgjidhur situatën, e cila ka ndodhur “në nivelin e një valvule” të këtij tubacioni që i përket rafinerisë PCK, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mjedisit të Brandenburgut.

Rafineria, e cila është në pronësi të një filiale gjermane të gjigantit rus të naftës Rosneft, është nën kontrollin e qeverisë gjermane që nga shtatori i vitit 2022.

Incidenti ndodhi në tubacionin që lidh portin gjerman të Rostock-ut (në veri) pranë bregdetit të Detit Baltik me Schwedt-in, vendndodhjen e rafinerisë në kufi me Poloninë. Qeveria rajonale nuk ka dhënë ende informacione mbi shkakun apo përmasat e dëmit.

Shkaktuar nga punimet ndërtimore

Sipas një zëdhënësi të rafinerisë, i intervistuar nga AFP, “gjetjet fillestare” tregojnë se “incidenti është shkaktuar nga punimet përgatitore për një test sigurie të planifikuar për nesër, të enjten, në tubacion.”

“Ndërhyrja e qëllimshme nga jashtë mund të përjashtohet në këtë fazë,” shtoi ajo. Sipas mediave rajonale, nafta po rrjedh nga tubacioni në një lartësi prej të paktën dhjetë metrash.

Që nga janari i vitit 2023, pas embargos së vendosur në nivel evropian pas pushtimit të Ukrainës, rafineria ka ndaluar furnizimin me naftë ruse.

Aktualisht, rafineria operon me zgjidhje alternative ndaj naftës ruse, duke marrë dërgesa përmes portit të Rostock-ut dhe portit të Gdansk-ut në Poloni.

Statistika: Hajnat deportohen më shpesh nga Zvicra sesa dhunuesit e vrasësit

Statistikat e Sekretariatit Shtetëror për Migracionin (SEM) tregojnë se rreth 62% e të huajve të dënuar për vjedhje deportohen, ndërsa përdhunuesit dhe vrasësit deportohen më rrallë – përkatësisht nën 50% dhe 38%. Kjo ka shkaktuar shqetësim në opinionin publik, raporton blick transmeton albinfo.ch.

Ekspertja ligjore Antonia Straden shpjegon se këto shifra nuk tregojnë një trajtim më të butë ndaj krimeve të rënda. Arsyeja kryesore është se numri i rasteve për përdhunim dhe vrasje është shumë i vogël, ndërsa ekzekutimi i deportimit shpesh vonohet për arsye ligjore dhe praktike, si:

Mbrojtja ndërkombëtare ndaj deportimeve në vende me rrezik torturash ose përndjekjesh,

Pengesa nga shteti i origjinës (mungesa e dokumenteve ose refuzimi për rikthim),

Dënime të gjata me burg që pengojnë deportimin menjëherë.

Straden thekson: “Rasti individual është vendimtar.” Disa persona nuk mund të deportohen menjëherë pavarësisht nga urdhri i gjykatës, për shkak të lidhjeve familjare ose kontekstit të veçantë social.

Shifrat nuk tregojnë se Zvicra është më e butë me përdhunuesit apo vrasësit, por reflektojnë faktorë praktikë, ligjorë dhe numra të vegjël rastesh.

 

 

Pse Trump po e sulmon Evropën?

Presidenti amerikan Donald Trump dhe administrata e tij po kritikon Evropën dhe BE-në për “censurë”, imigracion masiv dhe burokraci të tepruar. Strategjia e re kombëtare e sigurisë së SHBA-së paralajmëron për “shkatërrim civilizacional” dhe kërkon që Evropa të marrë përgjegjësitë e veta për mbrojtjen deri në vitin 2027, transmeton albinfo.ch.

Ekspertët e diplomacisë, si ish-ambasadori zviceran Walter B. Gyger, thonë se disa kritika janë të bazuara, duke theksuar burokracinë e lartë të BE-së dhe varësinë e Evropës nga SHBA-ja. Politologu Stefan Fröhlich paralajmëron se Evropa duhet të bëjë më shumë për të ruajtur ndikimin e saj dhe për të mos mbetur pasive.

Ministri i Jashtëm zviceran Ignazio Cassis tha se mesazhi i Trump është që Europa, përfshirë Zvicrën, duhet të marrë fatin e vet në dorë dhe të forcojë mbrojtjen dhe pavarësinë e saj.

Analistët paralajmërojnë se tensionet midis SHBA-së dhe Evropës mund të nxisin debate për unitetin evropian dhe rolin e kontinentit në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Punimet në Gotthard do të shkaktojnë vonesa për trenat zviceranë në janar 2026

Për shkak të punimeve ndërtimore në Tunelin Bazë të Gotthardit, pasagjerët e trenave zviceranë duhet të përgatiten për kohë më të gjata udhëtimi në gjysmën e dytë të janarit 2026. Pothuajse të gjithë trenat do të udhëtojnë përmes rrugës malore.

Siç njoftoi Hekurudha Federale Zvicerane, punimet do të kryhen 24 orë në ditë në tunelin 57 kilometra nga 12 deri më 23 janar 2026. Pothuajse të gjithë trenat EC dhe IC do të ridrejtohen përmes rrugës panoramike të vjetër.

Për pasagjerët, kjo do të thotë se udhëtimi do të zgjasë rreth një orë më shumë. Përjashtime bëjnë lidhjet e hershme dhe të vona, si dhe trenat që udhëtojnë midis Gjermanisë dhe Italisë, të cilët do të përdorin tunelin bazë. Edhe trenat me mallra mund të përdorin tunelin bazë, por me kapacitet të reduktuar.

Hekurudha Zvicerane e justifikoi mbylljen e gjatë të tunelit me punime mirëmbajtjeje. Disa nga këto punime kryhen gjatë natës të fundjavave, por intervalet tetë-orëshe nuk janë të mjaftueshme për disa lloj punimesh.

Për punime më të mëdha, një e treta e tunelit mund të mbyllet vazhdimisht për disa ditë në intervale të paracaktuara.

Punimet e ardhshme përfshijnë rinovimin e radios së tunelit, e cila do të zëvendësohet në faza midis 2024 dhe 2027. Radioja e tunelit ka qenë në funksion që para hapjes së tunelit dhe ka arritur fundin e jetës së saj shërbyese.