BBC ka përfshirë një imazh të realizuar gjatë zjarreve masive që përfshinë Greqinë këtë verë në listën e 12 fotografive më të rëndësishme të vitit 2025. Fotografia, shkrepur nga Thanasis Stavrakis i agjencisë Reuters, tregon 33-vjeçarin shqiptar Oslien Muçobega teksa shpëton një dele nga flakët në zonën e Patrës, duke e transportuar mbi motor përmes tymit dhe zjarrt, transmeton albinfo.ch.
Ngjarja ndodhi gjatë gushtit, kur rajoni i Ahaisë u përfshi nga zjarre të mëdha, që detyruan banorët të largoheshin dhe rrezikuan jetën e njerëzve dhe kafshëve.
BBC ka vlerësuar fotografinë si një pamje me domethënie të veçantë, duke e krahasuar me ikonografinë e “Bariut të Mirë” në artin e krishterë, ku Krishti mban mbi supe një kafshë të brishtë. Sipas medias britanike, kjo lidhje simbolike e bën imazhin një nga momentet më të fuqishme dhe prekëse të vitit.










