“Das verlorene Königreich Dardania” romani që rikthen Dardaninë në kujtesë

Romani historik “Das verlorene Königreich Dardania” i autorit Bashkim Berisha sjell në qendër një kapitull të rëndësishëm të historisë ilire, duke e kthyer Dardaninë nga një emër i kronikave të lashta në një rrëfim të gjallë për lexuesin modern.

I shkruar në gjermanisht për publikun gjermanishtfolës, romani e trajton historinë e Dardanisë jo vetëm si një fragment të së kaluarës, por si një pjesë të identitetit që vazhdon të ketë jehonë edhe sot. Përmes një narrative që mbështetet në burime historike dhe në një rrëfim me intensitet emocional, autori ndërton një histori ku ndërthuren fati i individit dhe trashëgimia e një populli.

Në qendër të rrëfimit qëndron Dardania, një nga mbretëritë më të rëndësishme të botës ilire. Pjesa e parë e romanit ndalet te figura e mbretit Bardhyl, i njohur në histori për qëndresën ndaj Maqedonisë dhe për përpjekjet për bashkimin e fiseve ilire. Nën udhëheqjen e tij, Dardania shndërrohet në një fuqi të rëndësishme politike dhe ushtarake në rajon.

Pas rënies së Bardhylit, rrëfimi kalon te djali i tij, Pleurati, i njohur në histori edhe si Kleitos. I ri në moshë dhe i vendosur të ruajë trashëgiminë e të atit, ai përballet me një mbretëri të brishtë dhe me sfida të shumta. Përveç përballjes me armiq të jashtëm, ai duhet të përballet edhe me pasiguri të brendshme, humbje dhe sakrifica personale që shoqërojnë përgjegjësinë e pushtetit.

Romani nuk kufizohet vetëm te përshkrimi i betejave dhe konflikteve politike. Në faqet e tij shpaloset një botë më e gjerë kulturore, ku vend të veçantë zënë besa, dashuria e ndaluar, ritualet, këngët dhe lidhja e fortë me tokën. Përmes këtyre elementeve, Dardania paraqitet si një hapësirë historike dhe shpirtërore që tejkalon kohën dhe rrethanat.

Për lexuesin shqiptar, veçanërisht për brezat e rinj që rriten në diasporë, romani sjell edhe një mesazh të qartë: historia nuk është vetëm kujtesë e së kaluarës, por një burim vetëdijeje dhe identiteti. Përmes këtij rrëfimi, autori fton lexuesin të rikthejë vëmendjen te rrënjët dhe te historia që ka formësuar një popull.

Bashkim Berisha jeton dhe punon në Mannheim të Gjermanisë si menaxher produkti. I larguar nga vendlindja në moshën 18-vjeçare, ai ka ruajtur lidhje të forta me historinë dhe kulturën shqiptare, të cilat gjejnë shprehje edhe në këtë vepër të parë letrare.

Romani “Das verlorene Königreich Dardania” shënon fillimin e një serie letrare që synon të rikthejë historinë e Dardanisë në vëmendjen e lexuesit modern dhe të ndërtojë një urë mes së kaluarës dhe brezave të rinj.

Libri është botuar dhe është i disponueshëm për blerje në platformën Amazon në formatet hardcover, Taschenbuch dhe e-Book.

Linku: Das verlorene Königreich Dardania: Ein historischer Roman über Ehre, Verrat und das Erbe eines Volkes. : Berisha, Bashkim: Amazon.de: Books

 

Përfundon takimi i Osmanit me krerët e partive politike

Ka përfunduar takimi i  presidentes, Vjosa Osmani me krerët  e partive politike për diskutimin e datës së zgjedhjeve të reja pas vendimit që ka marrë për shpërndarje të Kuvendit të Kosovës.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas takimit me presidenten ka dhënë tri data të mundshme për zgjedhjet.

“Janë opsion datat prej 5-12-19 prill, mund të ketë edhe datë tjetër”, ka thënë ai para mediave.

Hapet Shkolla Shqipe “7 Marsi” në Calcinato, Brescia

Në një ambient të sjellë në dispozicion nga sipërmarrësit Eduart Cekrezi dhe Dashamir Cekrezi, rifilloi aktiviteti mësimor i Shkollës Shqipe “7 Marsi” në Calcinato, Brescia. Ky projekt, i mbështetur nga Shoqata Alba dhe Centro Culturale ODA, ka si qëllim ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës dhe identitetit shqiptar mes të rinjve të komunitetit, transmeton albinfo.ch.

Ceremonia e hapjes nisi me regjistrimin e 24 nxënësve, një shifër që reflekton besimin e prindërve dhe angazhimin e stafit mësimor për të ofruar mësim profesional dhe me përkushtim. Mësueset Landa Gjoni dhe Xhuliana Bardhi u vlerësuan për punën e tyre të palodhur, ndërsa zonja Luljeta Cobanaj siguroi tekstet mësimore në kohë rekord, të sjella nga Ardit Aliaj.

Një kontribut të veçantë pati edhe aktivisti Petrit Aliaj, i cili ndoqi dhe organizoi çdo hap të projektit, duke garantuar realizimin e tij të suksesshëm. Ceremoninë nderoi me praninë e saj edhe prof. Anila Berberi, Presidente e Lidhjes së Shkollave Shqipe në Itali, e cila udhëtoi nga Parma për të përshëndetur nisjen e këtij viti akademik.

Ky projekt synon të forcojë lidhjen e brezave të rinj me kulturën dhe gjuhën shqiptare, duke ofruar një mjedis të pasur edukativ dhe kulturor në zemër të komunitetit shqiptar në Itali./Albinfo.ch

Arbër Bullakaj, nga 27 prilli, deputet në Parlamentin Federal të Zvicrës

Arbër Bullakaj, njëri ndër politikanët me rrënjë shqiptare më të pranishëm dhe gjithsesi më të suksesshëm në skenën politike zvicerane, nga 27 prilli do të jetë deputet në Parlamentin e Zvicrës. Kjo nuk është një ngjarje e papritur por kurorëzim i një angazhimi të gjatë në kohë dhe konsistent në përmbajtje, shkruan albinfo.ch. Bullakaj është në politikën zvicerane, fillimisht në atë lokale, në Wil të Kantonit St.Gallen prej të paktën 15 vitesh.

Me këtë arritje ai bëhet shqiptari i dytë, pas Islam Alijajt, që fiton një vend në organin më të lartë legjislativ të Zvicrës. Të dytë vijnë nga Prtia Socialdemokrate (SP).

Por, njëherë për arritjen e tij më të fundit, zgjedhjen në Parlamentin Nacional të Zvicrës.

Bullakaj, në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura në vitin 2023 ishte radhitur në vendin e parë në listën e pritjes, që i mundësonte zgjedhjen në rast të tërheqjes së ndonjë deputeti të zgjedhur. Po këtë vend e kishte fituar ai edhe në zgjedhjet e vitit 2019, që të dyja këto suksese të mëdha për një politikan me “sfond migracioni”.

Platforma mediale albinfo.ch ka mbuluar prej vitesh rrugën e sukseseve të Arber Bullakajt, duke parë tek ai një politikan të profilizuar dhe me kapacitet për të qenë pjesë e instancave të nivelit nacional, në Zvicër.

Tani, deputetja e deritashme federale nga PS, Claudia Friedli po tërhiqet nga parlamenti, pas 33 vitesh angazhimi në politikë dhe vendin e saj e merr Arberi, i cili ishte i pari në listën pritëse. Ai do të bëhet pjesë e Parlamentit (Nationalrat) më 27 prill 2026.

Në vazhdim, pjesë nga postimi i Arbër Bullakajt, ku ai bën publik lajmin për vendin e tij si deputet.

33 vjet në politikën parlamentare – në këshillin bashkiak, parlamentin kantonal dhe që nga viti 2013 në Këshillin (Parlamentin) Kombëtar. Një jetë plot arritje politike që e respektoj thellësisht. Faleminderit, Claudia! Unë do ta zë vendin e saj më 27 prill.

Duhet të ndalem për një moment.

Viti 2015. Po kandidoja për Këshillin Kombëtar për herë të parë. Numri 9 në listën e 12 kandidatëve. Njeri pothuaj i panjohur. Pa buxhet të madh. Pa mbiemër me traditë politike në politikën zvicerane. Dhe pastaj ndodh diçka e papritur.

Qindra njerëz – shumë prej tyre pa asnjë përvojë të mëparshme politike – ngrenë vullnetarisht postera në muret e shtëpive të tyre. Ata organizohen vetë. Ata i bindin fqinjët e tyre. Jo sepse i dërgon ndonjë parti. Por sepse nuk e shohin veten në Këshillin Kombëtar. Dhe sepse duan ta ndryshojnë këtë. Kjo nuk është një fushatë. Kjo është një lëvizje. Ajo që vijon është një udhëtim, i nxitur nga energjia që lind kur shumë njerëz bashkohen për të arritur diçka më të madhe se ajo që aktualisht duket e mundur.

Tri fushata zgjedhore. Në vitin 2015, një rezultat i jashtëzakonshëm – pavarësisht se isha i nënti në listë. Në vitin 2019, kandidati më i mirë i ri dhe alternativi i parë. E njëjta gjë edhe në vitin 2023, transmeton albinfo.ch.

Janë njëmbëdhjetë vjet që më kanë treguar se politika nuk është një sprint, por një dhjetëgarësh. Vetëm qëndrueshmëria nuk është e mjaftueshme. Duhet të mendoni strategjikisht, këmbëngulja, aftësia për t’i bërë ballë presionit – dhe nevojitet aftësia për t’u ngritur përsëri e përsëri.

Shoqata “Aktion Vierviertel” lindi nga kjo energji. Dhe iniciativa e demokracisë lindi nga kjo punë, me bindjen e thellë se katër të katërtat e përbëjnë  Zvicrën – dhe jo vetëm tri, kur një e katërta e popullsisë është e përjashtuar nga pjesëmarrja. Në këtë  rrugë nuk kam qenë kurrë i vetmuar…. Pastaj Bullakaj falënderon të gjithë ata që e kanë ndihmuar për arritjen e tij më të madhe politike.

Në vazhdim ai shprehet se në Këshillin Kombëtar, do të avokojë për të drejta të drejta qytetarie pa arbitraritet për të gjithë ata që e quajnë këtë vend shtëpi të tyren. Për një Zvicër që i formëson marrëdhëniet e saj me Evropën dhe botën në mënyrë të besueshme dhe me bindje. Për një shoqëri që jeton kundër diskriminimit jo si slogan, por si një parim thelbësor.

Për një Zvicër ku nuk ka rëndësi nga vjen, në çfarë beson apo kë do.

Vetëvendosje reagon pas shpërndarjes së Kuvendit

Këshilltari i kryeministrit dhe zyrtari i Lëvizja Vetëvendosje, Jeton Zulfaj, ka reaguar pas dekretit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit, përcjell albinfo.ch.

Përmes një postimi në Facebook, Zulfaj tha se Vetëvendosje ka respektuar plotësisht Kushtetutën gjatë gjithë procesit dhe ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për zhvillimin e procedurës së zgjedhjes së presidentit.

Ai theksoi se seanca për zgjedhjen e presidentit u ndërpre për shkak të mungesës së deputetëve në sallë, duke shtuar se procesi do të mund të vazhdojë sapo të sigurohet prezenca e tyre.

Sipas tij, gjatë këtij procesi partitë opozitare nuk kanë paraqitur kandidatë për të garuar për postin e presidentit të Kosovës.

Abdixhiku: Mbështes Osmanin për shpërndarjen e Kuvendit

Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka shprehur mbështetjen për vendimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të reja, përcjell albinfo.ch.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku tha se LDK e mirëpret dekretin e presidentes dhe vlerëson, sipas tij, përgjegjësinë dhe qartësinë kushtetuese të treguar në këtë vendim, në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit normal të institucioneve të vendit.

Ai theksoi se dështimi politik dhe tendencat për imponim nuk mund të prodhojnë debate artificiale apo zvarritje procedurale që do ta shndërronin Republikën në një vend pa norma dhe rregulla.

Abdixhiku bëri të ditur se LDK është e gatshme të marrë pjesë në konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe t’u drejtohet qytetarëve për një zgjidhje të re demokratike.

Megjithatë, ai theksoi se zgjedhjet nuk kanë qenë alternativa e preferuar e LDK-së, duke shtuar se ato ishin të panevojshme dhe mund të shmangeshin. Sipas tij, tentativat për kapje njëpartiake të institucioneve shtetërore pamundësuan arritjen e një kompromisi politik.

Në fund, Abdixhiku tha se tani vendimi i takon qytetarëve të Kosovës, duke theksuar se në një demokraci fjala e fundit i takon sovranit.

Presidentja Osmani: Këtu na sollën njerëz me qëllime të rrezikshme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar të premten shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, pasi deputetët dështuan të zgjedhin presidentin e ri brenda afatit kushtetues, përcjell albinfo.ch.

Në një konferencë për media, Osmani tha se dështimi i seancës së të enjtes në mbrëmje nuk ishte i rastësishëm, por sipas saj një veprim i kalkuluar politik. Ajo e cilësoi situatën si të evitueshme dhe kritikoi deputetët që nuk arritën të përmbushin detyrimin kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Sipas saj, Kushtetuta përcakton qartë se presidenti duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Duke qenë se mandati i saj përfundon më 4 prill, data 5 mars ishte afati i fundit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri.

Osmani theksoi se ky afat ka skaduar në mesnatën e së enjtes dhe se pas këtij momenti nuk ekziston më mundësi kushtetuese për zgjedhjen e presidentit nga ky Kuvend. Ajo shtoi se nenet 82 dhe 86 të Kushtetutës duhet të interpretohen së bashku dhe se një Kuvend që nuk arrin të zgjedhë presidentin përballet me mekanizmin kushtetues të shpërndarjes.

Presidentja bëri të ditur se gjatë ditës së sotme do të ftojë liderët e partive politike për konsultime lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve të reja parlamentare.

Procesi për zgjedhjen e presidentit dështoi në seancën e jashtëzakonshme të së enjtes për shkak të mungesës së kuorumit. Në sallë ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë të koalicionit qeverisës, ndërsa deputetët e opozitës munguan. Kandidatë për president ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas procedurës kushtetuese, për zgjedhjen e presidentit nevojiten të paktën 80 vota në dy raundet e para dhe 61 vota në raundin e tretë. Në mungesë të kuorumit, procesi nuk arriti të vazhdojë.

Osmani dekreton shpërbërjen e Kuvendit: Vendi shkon në zgjedhje

Presidentja e Kosova, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, duke i hapur rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të reja në vend, transmeton albinfo.ch.

Në një deklarim para mediave, Osmani tha se vendimi vjen pasi përfaqësuesit e popullit në Kuvend vendosën që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme

“Jam këtu para jush sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën që ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja. Kjo situatë ka qenë e evitueshme, është fatkeqësi e madhe që ata nuk zgjodhën interesin e Kosovës. Prandaj sot në përputhje me Kushtetutën e Kosovës kam nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe nëpërmjet këtij dekreti po kryej detyrimin kushtetues që është i përcaktuar qartë.”, ka thene Osmani.

Në Berlin përkujtohet Epopeja e UÇK-së me koncert festiv për mërgatën

Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin organizoi një koncert festiv për mërgatën shqiptare në Gjermani, ku në fokus ishte përkujtimi i Epopeja e UÇK-së, shkruan albinfo.ch.

Mbrëmja u organizua në kuadër të shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe 28-vjetorit të Epopesë së Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke bashkuar bashkatdhetarë, miq të Kosovës dhe dashamirës të muzikës shqiptare në një atmosferë festive.

Përmes muzikës dhe interpretimit të këngëve patriotike u kujtuan sakrificat dhe rrugëtimi i popullit shqiptar drejt lirisë dhe shtetndërtimit. Në këtë mbrëmje performoi edhe grupi muzikor NRG Band, i cili kontribuoi në krijimin e një atmosfere të veçantë për të pranishmit.

Ambasada e Kosovës në Berlin falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe artistët për kontributin në këtë aktivitet përkujtimor kushtuar historisë dhe sakrificës për lirinë e vendit./Albinfo.ch

Abdixhiku: LDK s’ka qenë kurrë refuzuese ndaj Vjosa Osmanit

Pas përfundimit të seancës së mbrëmshme të Kuvendit të Kosovës, e cila dështoi për shkak të mungesës së kuorumit për zgjedhjen e presidentit, kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaroi se partia që ai drejton nuk ka qenë asnjëherë refuzuese ndaj presidentes në detyrë, Vjosa Osmani, shkruan albinfo.ch.

Abdixhiku theksoi se dera e LDK-së mbetet e hapur për Osmanin nëse ajo dëshiron t’i bashkohet kësaj partie politike. Ai u shpreh se qëndrimi i LDK-së ndaj saj nuk ka qenë asnjëherë përjashtues.

Këto deklarata vijnë në një moment kur vendi po përballet me një situatë të paqartë politike, pasi Kuvendi nuk arriti të sigurojë kuorumin e nevojshëm për të vazhduar procesin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës./Albinfo.ch

Sot pritet vendimi i presidentes Osmani për zgjedhje të reja

Kosova mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare, pasi Kuvendi nuk arriti të sigurojë kuorum për zgjedhjen e presidentit të ri.ë, shkruan albinfo.ch.

Pas dështimit të seancës për shkak të mungesës së deputetëve në sallë, pritet që presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, gjatë ditës së sotme të marrë vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Data 5 mars ishte afati i fundit për nisjen e procesit të votimit për zgjedhjen e presidentit. Me kalimin e këtij afati dhe duke qenë se sot është 6 mars, presidentja ka të drejtë kushtetuese të shpërndajë Kuvendin dhe ta çojë vendin në zgjedhje.

Seanca e fundit në Kuvend dështoi të vazhdojë pasi në sallë ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë, numër i pamjaftueshëm për të siguruar kuorumin e nevojshëm për zhvillimin e votimit për kreun e shtetit./Albinfo.ch

Kosova në prag të zgjedhjeve, vendi ende pa president të ri

Kuvendi i Kosovës ka dështuar mbrëmjen e kaluar të zhvillojë votimin për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, për shkak të mungesës së kuorumit në sallë. Në seancë ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë, numër i pamjaftueshëm për të vazhduar procedurën e votimit, shkruan albinfo.ch.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi se seanca është ndërprerë dhe do të vazhdojë në një moment tjetër, nëse plotësohen kushtet e nevojshme për zhvillimin e saj. Sipas saj, për të proceduar me votimin për president kërkohet prania e së paku dy të tretave të deputetëve, përkatësisht 80 deputetë.

“Disa herë gjatë seancës u bëra thirrje deputetëve që mungojnë të jenë të pranishëm në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, numri i nevojshëm nuk u arrit dhe rrjedhimisht nuk kemi kuorum për të vazhduar votimin”, deklaroi Haxhiu.

Para ndërprerjes së seancës, në Kuvend u prezantuan edhe kandidatët për president nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Ndërkohë, kryeparlamentarja kishte paralajmëruar një ditë më parë se me thirrjen e seancës për zgjedhjen e presidentit fillon të rrjedhë edhe afati kushtetues prej 60 ditësh për zgjedhjen e kreut të shtetit. Nëse brenda këtij afati nuk arrihet zgjedhja e presidentit, sipas nenit 82 të Kushtetutës, Kuvendi mund të shpërndahet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Në anën tjetër, sipas nenit 86 të Kushtetutës, presidenti duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Mandati i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, përfundon më 4 prill.

Osmani kishte shprehur më herët ambicien për një mandat të dytë, por nuk arriti të sigurojë 30 nënshkrimet e nevojshme për kandidim. Madje, për këtë çështje pati edhe përplasje publike mes Presidencës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Ndërkohë, presidentja ka dërguar në Kuvend edhe propozimet për ndryshime kushtetuese që do të mundësonin zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga qytetarët. Por për shkak të mungesës së kuorumit në seancë, edhe këto propozime nuk u shqyrtuan./Albinfo.ch 

Zvicra rishikon neutralitetin: A ndalohet fluturimi ushtarak amerikan dhe eksporti i armëve?

Pas sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, Këshilli Federal i Zvicrës po shqyrton nëse duhet të zbatojë ligjin e neutralitetit. Ky ligj mund të kufizojë fluturimet e avionëve ushtarakë amerikanë mbi Zvicër dhe të ndalojë eksportin e armëve drejt SHBA-së.

Departamenti Federal i Punëve të Jashtme (FDFA) nën drejtimin e Ignazio Cassis deklaron se ende nuk është e qartë nëse situata aktuale përmbush kushtet për zbatimin e ligjit.

Industria zvicerane e armëve paralajmëron se një kufizim i eksportit mund të dëmtojë reputacionin e vendit si partner i besueshëm dhe të humbasë klientë kryesorë, përfshirë SHBA-në.

Në parlament, debati mbi neutralitetin dhe ndalimin e fluturimeve vazhdon, ndërsa disa politikanë insistojnë se ligji duhet të zbatohet për shkak të luftës në zhvillim, ndërsa të tjerë kërkojnë vlerësim individual për çdo kërkesë.

Zhvillimi i fundit: Vetëvendosje i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

Partia Vetëvendosje ka depozituar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar nëse procedura për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës është në përputhje me Kushtetutën.

Përmes kësaj kërkese, partia ka kërkuar gjithashtu vendosjen e një mase të përkohshme që të pezullojë afatin kushtetues për zgjedhjen e Presidentit, deri sa të publikohet aktgjykimi i Gjykatës.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se ka informuar edhe Presidenten Vjosa Osmani-Sadriu lidhur me këtë hap.

Seanca për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës ndërpritet për shkak të mungesës së kuorumit

Seanca e jashtëzakonshme e thirrur për zgjedhjen e Presidentit është ndërprerë pasi nuk u arrit kuorumi i nevojshëm. Nga të paktën 2/3 e deputetëve të kërkuar, në sallë ishin vetëm 66, duke pamundësuar nisjen e procesit të votimit.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, bëri thirrje që deputetët që mungojnë të paraqiten dhe të përmbushin obligimet kushtetuese, transmeton albinfo.ch.

Ajo njoftoi gjithashtu se seanca do të vazhdojë kur të krijohen kushtet për zhvillimin e saj.

Ipeshkvijtë zviceranë ruajnë testet psikologjike për parandalimin e abuzimeve

Konferenca e Ipeshkvijve Zviceranë (CES) ka vendosur të vazhdojë kryerjen e vlerësimeve psikologjike për kandidatët pastoralë dhe të sigurojë financimin e tyre afatgjatë. Ky proces, i prezantuar në pranverë të vitit 2025, synon parandalimin e abuzimeve seksuale.

Testet përfshijnë katër faza: vlerësim psikologjik, intervistë kompetence, intervistë kliniko-forenzike dhe intervistë dioqezane. Gjatë fazës pilot u kryen 72 teste, duke identifikuar disa profile të papërshtatshme dhe duke ndërprerë bashkëpunimin me kandidatët përkatës.

Sekretariati i Përgjithshëm i CES mban një regjistër kombëtar të të gjithë individëve të testuar, që shërben për ipeshkvijtë kur kandidatët aplikojnë nga dioqezat ose komunitetet e tjera fetare.

Vetëvendosje nominoi Fatmire Mulhaxha Kollçakun për presidente

Lëvizja Vetëvendosje ka nominuar Fatmire Mulhaxha Kollçakun si kandidate për president të Kosovës, duke e vendosur atë si kundërkandidate ndaj Glauk Konjufcës për këtë post.

Sipas një letre të publikuar e cila është shkruar nga shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, dhe drejtuar Kryesisë së Kuvendit, LVV-ja ka siguruar nënshkrimet e nevojshme për nominimin e Mulhaxha Kollçakut.

Thirret seancë e jashtëzakonshme për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka thirrur një seancë të jashtëzakonshme plenare për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Seanca është caktuar të fillojë në ora 22:00, por deri tani ende nuk ka nisur.

Ajo që aktualisht përflitet por që ende nuk ështe konfitmuar ështe se Vetëvendosje pritet të dalë edhe me një emër si propozim për President. Kjo për faktin se për të nisur procedura e zgjedhjes së Presidentit duhet të jenë të paktën 2 kandidatë.

Deri më tani kandidatura e vetme zyrtare është propozimi i Glauk Konjufcës nga ana e Vetëvendosjes.

Studimi në Vaud: Shumë ushqim dhe plastikë përfundojnë në mbeturinat e zakonshme

Një studim i realizuar nga autoritetet e Vaud tregon se një pjesë e madhe e mbeturinave shtëpiake nuk ndahet siç duhet dhe përfundon në koshat e zakonshëm. Sipas analizës, rreth 19.5% e mbeturinave vjetore mund të riciklohen ose ripërdoren, në vend që të digjen.

Studimi u krye në fund të vitit 2024 në 23 komuna të kantonit, ku u analizuan manualisht më shumë se 2,300 qese mbeturinash. Rezultatet tregojnë se mbetjet organike, si ushqimi dhe mbetjet e kopshtit, përbëjnë pjesën më të madhe të mbeturinave me 28.8%, të ndjekura nga plastika (19.5%), letra (13.3%) dhe objekte të përbëra si këpucë apo stilolapsa (11.7%). Këto katër kategori përbëjnë rreth 73% të peshës së një qeseje mbeturinash.

Sipas të dhënave, çdo banor i Vaud hedh mesatarisht 35.7 kilogramë mbetje ushqimore në vit, prej të cilave 15.8 kilogramë janë ende të ngrënshme, çka tregon një nivel të konsiderueshëm të shpërdorimit të ushqimit. Po ashtu, çdo banor gjeneron rreth 21.2 kilogramë ambalazhe plastike në vit.

Autoritetet theksojnë se ka potencial të madh për përmirësim, sidomos në ndarjen e mbetjeve organike, plastikës dhe kartonit. Për këtë arsye, qeveria kantonale planifikon masa të reja për të forcuar riciklimin dhe për të mbështetur kalimin drejt ekonomisë qarkulluese, si pjesë e rishikimit të ligjit për menaxhimin e mbeturinave

Kosovë: Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit ndërpritet, deputetët paralajmërohen për seancë tjetër

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, ku pritej të votohej për ndryshimet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani për zgjedhjen e presidentit me votë direkte nga populli, u ndërpre.

Ndërprerja ndodhi pasi nuk u përmbushën kushtet për të vazhduar procedurat e votimit. Kryeparlamentarja i ftoi deputetët të qëndrojnë në ambientet e kuvendit, duke paralajmëruar se do të mbahet një seancë tjetër.

Ulje e lehtë e pezullimeve të patentave në Zvicër, përveç tek të rinjtë

Numri i pezullimeve të patentave të drejtimit në Zvicër shënoi një ulje të lehtë gjatë vitit 2025, sipas Zyrës Federale të Rrugëve (OFROU). Megjithatë, mes drejtuesve të rinj ky numër u rrit, kryesisht për shkak të shpejtësisë së tejkaluar, drejtimit nën ndikimin e alkoolit dhe mungesës së vëmendjes gjatë ngasjes.

Në total, vitin e kaluar u pezulluan 85,782 patenta, një rënie prej rreth 1% krahasuar me vitin paraprak. Ndërkohë, mes të rinjve, pezullimet dhe masat administrative si paralajmërimet dhe ndalesat për përdorim u rritën me rreth 10% (3,714 raste). Këtu përfshihen kryesisht paralajmërimet (+168) dhe pezullimet e patentës (+108).

Masat administrative pas shkeljeve serioze të shpejtësisë gjithashtu u shtuan në 2025, me 1,365 masa të shqiptuara ndaj 736 personave. Nga ana tjetër, numri i ndalesave për përdorimin e patentave të huaja u ul me 6%.

Sipas OFROU, trendi pozitiv vazhdoi edhe në numrin e drejtuesve të rinj: 82,652 persona morën patentë për kategori B, duke e çuar numrin total të patentave aktive në Zvicër në gati 6.4 milionë.

Zyra Federale e Rrugëve po ndjek me kujdes këto zhvillime dhe vazhdon të analizojë të dhënat si pjesë e punës së saj për sigurinë rrugore.

Trendi i rrezikshëm në rrjetet sociale: Testosteroni po promovohet masivisht te të rinjtë

Në rrjetet sociale po përhapet me shpejtësi një trend që inkurajon burrat, veçanërisht të rinjtë, të testojnë nivelin e testosteronit dhe të përdorin trajtime për ta rritur atë. Influencues të ndryshëm premtojnë se këto produkte mund të përmirësojnë mirëqenien, performancën sportive dhe jetën seksuale, por ekspertët paralajmërojnë për rreziqe serioze shëndetësore.

Sipas specialistëve, shumica e burrave nuk kanë nevojë për terapi zëvendësuese me testosteron. Megjithatë, rrjetet sociale janë të mbushura me mesazhe që nxisin përdorimin e tij, duke premtuar zgjidhje për lodhjen, nervozizmin, mungesën e përqendrimit dhe uljen e dëshirës seksuale.

Fenomeni fillimisht u shfaq në vendet anglishtfolëse dhe tani po përhapet edhe në Evropë. Në Mbretërinë e Bashkuar, shërbimet shëndetësore raportojnë një rritje prej rreth 13% të kërkesës për terapi zëvendësuese me testosteron vitet e fundit. Edhe në Zvicër, ndonëse mungojnë statistika të sakta, profesionistët e fitnesit thonë se trendi po bëhet gjithnjë e më i dukshëm.

Ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i pakontrolluar i testosteronit mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore, përfshirë tromboza, emboli pulmonare, dëmtime të kockave dhe probleme me fertilitetin. Dozat e larta për periudha të gjata mund të bëjnë që trupi të ndalojë prodhimin natyror të hormonit, duke e detyruar personin ta marrë atë gjatë gjithë jetës.

Një tjetër problem janë testet shtëpiake për testosteron që shiten online. Mjekët theksojnë se këto teste shpesh japin rezultate të paplota dhe nuk mund të zëvendësojnë analizat laboratorike dhe vlerësimin profesional.

Sipas specialistëve, terapia me testosteron duhet të përdoret vetëm për arsye mjekësore, zakonisht te personat me mungesë hormonale për shkak të sëmundjeve ose moshës. Në të kundërt, promovimi i tij në rrjetet sociale si mënyrë për të rritur performancën fizike apo për të “forcuar maskulinitetin” konsiderohet një trend i rrezikshëm për të rinjtë.