Musa Kamenica: Lozana ka nevojë për politika sociale të forta dhe gjithëpërfshirëse

I zgjedhur Kryetar i Këshillit Komunal të Lozanës në korrik të vitit 2025, Musa Kamenica përfaqëson një nga figurat më të spikatura të komunitetit shqiptar në jetën politike zvicerane. Në këtë intervistë për albinfo.ch, ai flet për domethënien personale dhe politike të këtij funksioni, për raportin e diasporës shqiptare me partitë politike në Zvicër, sfidat e qytetit të Lozanës si dhe prioritetet e tij për legjislaturën e ardhshme.Aktualisht Kryetar i Këshillit Komunal, Musa Kamenica kandidon sërish për Këshilltar Komunal në zgjedhjet komunale të Lozanës që mbahen në muajin mars 2026.

albinfo.ch: Kamenica, ju drejtoni Këshillin Komunal të Lozanës. Çfarë përfaqëson ky funksion për ju personalisht dhe çfarë mesazhi përcjell kjo, sipas jush, për komunitetin shqiptar në Zvicër?

Musa Kamenica: Që nga muaji korrik i vitit 2025, jam zgjedhur Kryetar i Këshillit Komunal të qytetit të Lozanës dhe kam privilegjin të drejtoj jetën politike të këtij qyteti. Ky rol i qytetarit të parë të Lozanës, ndonëse ka një dimension simbolik, përfaqëson po ashtu një përgjegjësi të madhe politike, pasi ndikon drejtpërdrejt në dinamizimin dhe mbarëvajtjen e proceseve parlamentare në qytet.

Duke pasur parasysh se gjatë presidencës sime përkon edhe një vit elektoral, tensionet mes grupeve politike janë më të theksuara krahasuar me vitet e kaluara. Për këtë arsye, kërkohet më shumë kohë për negociim dhe angazhim, në mënyrë që jeta parlamentare në qytetin e Lozanës të zhvillohet sa më mirë dhe në frymë bashkëpunimi.

Mirëpo, për mua personalisht, si një person që kam ardhur në Zvicër në vitet ’90, si i rritur, drejtimi i një institucioni kaq të rëndësishëm, sikurse është parlamenti i qytetit, përbën një krenari dhe privilegj të veçantë. Shpresoj që kjo të shërbejë si frymëzim për gjeneratat e tashme dhe të ardhshme të komunitetit tonë shqiptar në Zvicër. Pavarësisht origjinës sonë, me punë, përkushtim dhe sakrificë, mund të arrihet çdo synim në fushën që dëshirojmë.

albinfo.ch: Ju jeni një figurë e Partisë Socialiste. Megjithatë, vërehet një tendencë e qartë: një pjesë e rëndësishme e diasporës shqiptare, e lidhur me vlerat tradicionale familjare ose që janë bërë sipërmarrës, votojnë tashmë me dëshirë për të djathtën (PLR, UDC). Si e analizoni këtë shpërputhje mes të zgjedhurve (shpesh në të majtë) dhe elektoratit (shpesh në të djathtë)?

Musa Kamenica: Nëse bazohemi në pjesëmarrjen e komunitetit shqiptar në politikën zvicerane gjatë dhjetë viteve të fundit, mund të vlerësojmë se një pjesë e madhe e tyre janë angazhuar në partitë e majta, posaçërisht në Partinë Socialiste të Zvicrës. Kjo pjesëmarrje ka qenë dhe vazhdon të jetë e natyrshme, duke marrë parasysh se kjo parti ka qenë pranë shqetësimeve të bashkëkombësve tanë, si në raport me situatën në Kosovë që nga vitet ’90, ashtu edhe në çështjet sociale dhe të integrimit në Zvicër.

Angazhimi për lehtësimin e procedurave të lejeqëndrimit, mbështetja përmes sindikatave në çështje që lidhen me kontratat e punës, qasja e hapur dhe integruese ndaj popullatës së huaj, si dhe pozicioni mbështetës për pavarësinë e Kosovës nga Këshilltarja Federale, zonja Micheline Calmy-Rey, janë disa nga faktorët që bënë që komuniteti të identifikohej dhe të aderon­te më lehtë në vlerat e kësaj partie.

Në vitet e fundit vërehet një aderim gradual i një pjese të komunitetit shqiptar në partitë e djathta, si Partia Liberale Radikale (PLR/FDP) apo Unioni Demokratik i Qendrës (UDC/SVP). Nga këndvështrimi im, ky është një zhvillim që duhet vlerësuar pozitivisht, sepse dëshmon një maturim dhe emancipim të komunitetit shqiptar në jetën politike të Zvicrës.

Sa i përket shpërputhjes mes të zgjedhurve, të cilët janë më të shumtë në krahun e majtë, posaçërisht te Partia Socialiste e Zvicrës, dhe një pjese të elektoratit që anon drejt së djathtës, kjo tregon më së miri faktin se partitë e majta kanë qenë historikisht më të hapura ndaj përfshirjes së qytetarëve me origjinë të huaj në strukturat dhe listat e tyre zgjedhore. Fakti që në Zvicër kemi përfaqësues me prejardhje nga komuniteti shqiptar në pozita ekzekutive dhe legjislative, nga niveli federal deri te ai komunal, e përforcon këtë realitet. Në anën tjetër, te partitë e djathta vërehet një qasje më e rezervuar sa i përket përfshirjes së figurave me prejardhje migrante në nivelet përfaqësuese.

Cilat argumente sillni për të treguar se propozimet socialiste mbeten të vlefshme edhe për këta qytetarë?

Musa Kamenica: Në një kohë kur pabarazia ekonomike dhe sociale është në rritje, çmimet e jetesës po shtrenjtohen ditë pas dite dhe kriza e banimit është gjithnjë e më e theksuar, është e domosdoshme të vazhdohet me politika publike që ofrojnë zgjidhje konkrete për çështjen e banimit dhe mbështetje sociale për kategoritë në nevojë, si dhe që promovojnë një shoqëri gjithëpërfshirëse. Vetëm përmes këtyre politikave mund të forcojmë kohezionin social dhe të ndërtojmë një shoqëri më të barabartë.

Si e vlerësoni vitin tuaj presidencial? A ka ndonjë moment të veçantë apo ndonjë vendim të Këshillit që ju ka lënë mbresa dhe për të cilin ndiheni krenar?

Musa Kamenica: Tashmë kanë kaluar tetë muaj që nga zgjedhja ime në postin e Kryetarit të Këshillit Komunal dhe, ndonëse mandati im nuk ka përfunduar ende, nga këndvështrimi im mund të them se ky ka qenë një vit me një intensitet të jashtëzakonshëm të punimeve parlamentare. Përveç këtij angazhimi direkt në jetën politike, një ndër angazhimet e mia kryesore është gjithashtu përfaqësimi i qytetit në aktivitete të ndryshme shoqërore dhe institucionale.

Deri më tash kam përfaqësuar qytetin tonë dhe kam marrë fjalën në afër 100 aktivitete të ndryshme të organizuara nga shoqata dhe institucione të nivelit komunal, kantonal dhe federal. Sa i përket ndonjë momenti të veçantë gjatë gjithë rrugëtimit tim deri më tash, do të thosha se çdo seancë e parlamentit apo çdo aktivitet ka specifikën e vet të veçantë. Megjithatë, do të veçoja seancat e Këshillit ku, gjatë dy ditëve, objekt diskutimi ishte votimi i buxhetit prej 2.2 miliardë frangash për qytetin tonë.

Këto ishin seanca që kërkonin menaxhim me përpikëri të lartë. Një gabim i vogël do të mund të sillte si pasojë moskalimin e buxhetit, përgjegjësi që në fund do t’i faturohej kryetarit të Këshillit. Menaxhimi i këtij procesi ishte një moment i veçantë dhe, në përfundim, mënyra e drejtimit të këtyre seancave u përkrah nga grupet politike në parlament.

albinfo.ch: Lozana po përballet me sfida të mëdha (kriza e strehimit, kostoja e jetesës). Si kandidat për rizgjedhje, cili do të jetë prioriteti juaj absolut për legjislaturën e ardhshme?

Musa Kamenica: Sikurse e përmenda më lart, qyteti i Lozanës, por edhe qytete të tjera në Zvicër, po përballen me një krizë të apartamenteve të banimit dhe me koston e lartë të jetesës. Unë, si kandidat në këto zgjedhje, por edhe partia ime, si prioritet do të kemi arritjen, në pesë vitet e ardhshme të legjislaturës, të kuotës prej 30% të banesave në territorin e Lozanës me çmim të volitshëm për të gjitha kategoritë e popullsisë.

Një prioritet tjetër do të jetë gjithashtu ndërhyrja e pushtetit lokal përmes politikave publike në rritjen e fuqisë blerëse për qytetarët tanë. Shembull konkret do të jetë ulja e ndjeshme e çmimit të transportit publik në qytet. Objektivi është që çdo qytetar të udhëtojë me transport publik me vetëm 1.00 frangë në ditë. Ky vendim, përveçse kontribuon në rritjen e fuqisë blerëse të qytetarëve, kontribuon njëkohësisht në ndërtimin e një ambienti ekologjik dhe të shëndetshëm.

albinfo.ch: Abstenimi mbetet një sfidë. Si President i legjislativit, si planifikoni t’i bindni qytetarët me shtetësi të dyfishtë, të cilët ndihen larg politikës lokale, që t’u drejtohen kutive të votimit në mars?

Musa Kamenica: Për fat të keq, abstenimi mbetet një sfidë në të gjitha zgjedhjet që mbahen në Zvicër. Për mua, si President i legjislativit të këtij qyteti, një nga objektivat kryesorë, përveç atyre që lidhen me jetën politike të qytetit, ka qenë dhe është afrimi i qytetarëve me njohuritë mbi funksionimin e politikës komunale.

Që prej zgjedhjes sime Kryetar, çdo të shtunë nga ora 10:00 deri në 12:00, qytetarë të ndryshëm, shoqata dhe përfaqësues institucionesh kanë mundësinë të vizitojnë ndërtesën e parlamentit dhe të njihen nga afër me historinë dhe funksionimin e politikës në qytet, duke vizituar edhe sallat ku merren vendimet politike. Interesi për këto vizita është shumë i madh dhe besoj se ato do të kontribuojnë në një pjesëmarrje më të lartë në zgjedhjet e 8 marsit 2026.

Po ashtu, kam marrë pjesë në tri mbrëmje të organizuara nga Byroja e Lozanës për imigrantë, ku komunitete të ndryshme të huaja u informuan mbi procedurat e votimit në Zvicër, dhe veçanërisht në komunën tonë.

 

Lexoni po ashtu

Zgjedhjet e 8 marsit në Lozanë: «Më shumë pragmatizëm dhe më pak ideologji»

Lexoni po ashtu:

Zgjedhjet në Ecublens: Naser Iseni dhe Lorik Hyseni – Kur përvoja takohet me energjinë e re

Nxënësit shqiptarë kremtojnë 18-vjetorin e Pavarësisë në Schwäbisch Gmünd

Me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosova, në Schwäbisch Gmünd u organizua një aktivitet festiv nga shkollat shqipe “Ardhmëria” dhe “Naim Frashëri” në Schorndorf, shkruan albinfo.ch.

Në ngjarje mori pjesë edhe diplomatja Shpresa Rama Iseni, e cila përgëzoi organizatorët dhe nxënësit për përkushtimin e tyre dhe nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe dhe trashëgimisë kulturore, sidomos për brezat që rriten jashtë atdheut.

Nxënësit dhuruan këngë dhe recitime plot emocion, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe krenare, ndërsa mësueset Egzona Mustafa dhe Shkurte Krasniqi u vlerësuan për organizimin e shkëlqyer të festës.

Në përmbyllje u bë thirrje që prindërit të vazhdojnë të mbështesin mësimin plotësues të gjuhës shqipe, duke regjistruar fëmijët e tyre në këto shkolla, për të ruajtur dhe forcuar identitetin kombëtar brez pas brezi./Albinfo.ch.

Koloneli Wojcik: Tërheqja e papritur e trupave amerikane do të shkaktonte pasiguri në Kosovë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten shtylla kryesore e stabilitetit në Kosovë, dhe çdo ndryshim i papritur në pozicionimin e trupave amerikane në vend mund të krijojë pasiguri dhe të rrisë hapësirën për ndikime të jashtme. Kështu ka paralajmëruar koloneli amerikan në pension Ray Wojcik, ish-udhëheqës i Zyrës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes në Ambasadën amerikane në Prishtinë, përcjell albinfo.ch.

Debati mbi këtë çështje u hap këtë javë, pasi gazeta amerikane Politico raportoi, duke cituar katër diplomatë të NATO-s, se SHBA-ja po kërkon nga aleanca që të reduktojë angazhimin e saj jashtë vendit, përfshirë edhe misionin paqeruajtës në Kosovë, KFOR.

Sipas të njëjtit burim, një tërheqje ose zvogëlim i papritur i forcave amerikane do të mund të ndikonte negativisht në situatën e sigurisë në rajon, duke krijuar vakum strategjik dhe duke rritur rrezikun e ndikimeve destabilizuese.

Aktualisht, në kuadër të misionit të KFOR-it shërbejnë rreth 590 trupa amerikane, të cilat luajnë rol kyç në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.

Zgjedhjet e 8 marsit në Lozanë: «Më shumë pragmatizëm dhe më pak ideologji»

Më 8 mars, Lozana do të përjetojë një moment kyç politik me zgjedhjet komunale. Në një qytet historikisht të ankoruar në të majtë, Partia Liberale-Radikale (PLR) shfaq ambicie të qarta: të forcojë ndjeshëm praninë e saj në Bashki dhe në Këshillin Komunal, me qëllimin për të fituar dy ose tre vende.

Në prag të këtij votimi vendimtar, platforma Albinfo.ch u ka dhënë fjalën dy kandidateve të reja që mishërojnë këtë rilindje liberale-radikale: Mathilde Maillard dhe Marlène Bérard. Të angazhuara, të vendosura dhe bartëse të një vizioni dinamik për kryeqytetin e Vaudit, ato mbrojnë një politikë të bazuar në përgjegjësinë financiare, mbështetjen për ekonominë vendase, sigurinë dhe cilësinë e jetës.

Në një kontekst politik ku çdo vend ka rëndësi, PLR synon të kapitalizojë mbi një vullnet për ndryshim të dukshëm tek një pjesë e elektoratit të Lozanës. 8 marsi mund të shënojë kështu një pikë kthese për ekuilibrin politik të qytetit. Një zgjedhje për t’u ndjekur nga afër — dhe zëra të rinj për t’u zbuluar në intervistën ekskluzive të realizuar nga Albinfo.ch.

Rrugëtimi i kandidateve të PLR-së për Bashkinë e Lozanës

 

Mathilde Maillard: E lindur në Lozanë, jam rritur në një fshat afër qytetit tonë. Shkollimin dhe studimet i kam kryer në Lozanë dhe kam marrë titullin avokate në qershor 2022. Paralelisht me studimet e drejtësisë, jam angazhuar në PLR Lozanë, fillimisht si Sekretare e Përgjithshme, pastaj si Presidente që nga viti 2022. E zgjedhur në Këshillin Komunal në 2021, kam pasur për zemër të angazhohem për tema të rëndësishme për qytetin tonë dhe banorët e tij si siguria dhe pastërtia në qendër, veçanërisht në sheshin Riponne, qasshmëria e qendrës së qytetit apo politika e strehimit.

Marlène Bérard:Kam lindur në Lozanë ku jam rritur dhe kam kryer gjithë shkollimin. Pasi mora licencën në drejtësi dhe një post-gradë në të drejtën e biznesit, punova për dhjetë vjet në kompani të ndryshme. Paralelisht, kam punuar shumë brenda PLR-së ku kam marrë presidencën e partisë dhe atë të grupit. Kam qenë pjesë e Këshillit Komunal midis 2006 dhe 2012. U largova nga Këshilli për t’iu përkushtuar fëmijëve të mi që sot janë 15 dhe 13 vjeç. Në vitin 2018, mora titullin avokate dhe në 2021 u riktheva në politikë duke pasur fatin të zgjidhem në Këshillin Komunal. Sot jam kandidate për Bashkinë.

albinfo.ch: PLR lanson një biletë që synon rikthimin me një përzierje të përvojës ekzistuese dhe rinovimit femëror. Përtej sloganeve, cila është alternativa konkrete që propozoni përballë shumicës aktuale rozë-të gjelbër, veçanërisht për çështjen kritike të strehimit dhe lëvizshmërisë?

Mathilde Maillard Lozana është një qytet mundësish, por sot po bëhet një qytet kufizimesh. Shumë pak banesa, shumë bllokime administrative, qira që shpërthejnë, një lëvizshmëri që dekurajon familjet dhe sipërmarrësit. Alternativa jonë është e thjeshtë: të vendosim pragmatizëm aty ku ka shumë ideologji.

Për strehimin, ne duam të përshpejtojmë projektet duke modernizuar planet e rregullimit dhe duke futur kuota të arsyeshme të banesave publike (15%), pa përjashtuar klasën e mesme apo të pavarurit. Lozana duhet të lejojë ata që punojnë këtu të jetojnë gjithashtu këtu. Për lëvizshmërinë, duam një qytet që merr përsipër rolin e tij si kryeqytet ekonomik: plotësimi i transportit publik, ruajtja e vendparkimeve, realizimi i metrosë M3 sa më shpejt.

Shumë familje nga diaspora shqiptare kanë investuar, kanë punuar fort, kanë blerë ose zhvilluar një aktivitet këtu. Ato kanë nevojë për një qytet të qëndrueshëm, të arritshëm dhe të parashikueshëm. Kjo është pikërisht ajo që ne propozojmë.

albinfo.ch: Si avokate dhe e zgjedhur, jeni shpesh në ballë për çështjet e sigurisë dhe hapësirës publike. Lozana përballet me sfida të rëndësishme (shitja e drogës në rrugë, ndjenja e pasigurisë). Cila është strategjia juaj për të pajtuar vendosmërinë dhe parandalimin, për të garantuar një qytet të qetë për të gjithë?

Marlène Bérard: Siguria është kushti i lirisë. Pa siguri, nuk ka as tregti, as jetë lagjeje, as të ardhme për familjet. Për trafikun e drogës, qëndrimi ynë është i qartë: tolerancë zero. Shitja e drogës nuk e ka vendin as në hapësirën publike, as në transport. Duhet të forcojmë efektivët e policisë dhe praninë e tyre të dukshme në qendër të qytetit.

Por vendosmëria nuk kundërshton parandalimin. Personat e varur duhet të shoqërohen drejt një daljeje të qëndrueshme nga varësia, me një ndjekje të qartë dhe të koordinuar midis policisë, punonjësve socialë dhe strukturave të specializuara. Ajo që ne refuzojmë është braktisja. Braktisja e lagjeve, braktisja e tregtarëve, braktisja e familjeve. Shumë sipërmarrës nga diaspora investojnë në restorante, tregti, shërbime. Ata kanë të drejtë për një mjedis të sigurt dhe të respektuar. Kjo është çështje drejtësie.

Të krijojmë ura me sipërmarrësit

albinfo.ch: Paradoksi Politik: Duke vëzhguar listat zgjedhore, vërehet një fakt i rëndësishëm: formacionet e majta paraqesin shumë kandidatë nga diaspora shqiptare, ndërsa PLR ka vetëm një në listat e saj në Lozanë. A nuk është kjo e çuditshme, madje kontradiktore, duke ditur se komuniteti shqiptar është i rëndësishëm në Lozanë dhe në Kanton dhe numëron shumë sipërmarrës që ndajnë vlerat liberale (punë, liri sipërmarrjeje)?

Mathilde Maillard & Marlène Bérard: Ne respektojmë të gjitha trajektoret politike. Por në PLR, ne nuk rekrutojmë sipas origjinës, ne rekrutojmë sipas vlerave. Gjatë kësaj legjislature, kemi pasur fatin të mbështetemi tek angazhimi i Klesta Krasniqit, restauratore dhe këshilltare komunale shumë aktive. Këtë vit, kemi fatin të kemi me vete Arsim Ferizin.

Angazhimi politik kërkon kohë dhe disponueshmëri të madhe. Por, siç e përmendni, shumë anëtarë të komunitetit shqiptar janë sipërmarrës, të pavarur, drejtues biznesesh – dhe pra jashtëzakonisht të kërkuar. Ne duam pikërisht të krijojmë më mirë ura midis këtyre sipërmarrësve dhe politikës vendore.

albinfo.ch: Si e shpjegoni këtë vështirësi të PLR-së për të tërhequr apo për t’u dhënë dukshmëri këtyre profileve nga diaspora shqiptare? Është mungesë hapjeje e partisë apo keqkuptim mbi vlerat?

Mathilde Maillard & Marlène Bérard:PLR është historikisht partia e lirisë së sipërmarrjes, e përgjegjësisë individuale dhe e meritës: vlera thellësisht të ndara nga shumë familje nga diaspora shqiptare. Ndoshta ndonjëherë nuk i kemi shpjeguar mjaftueshëm pozicionet tona, dhe ju falënderojmë që na jepni mundësinë ta bëjmë sot.

Motoja: më pak burokraci dhe më shumë mbështetje për ekonominë

albinfo.ch: Lozana është një qytet diversiteti. Përtej politikës, si synon PLR të mbështesë specifikisht tregtarët dhe sipërmarrësit me origjinë nga migracioni, që shpesh janë motorë thelbësorë të ekonomisë së lagjeve?

Mathilde Maillard & Marlène Bérard: Komuniteti shqiptar në Lozanë numëron shumë restauratorë, artizanë, sipërmarrës, të pavarur. Ata krijojnë vende pune, paguajnë taksat e tyre, investojnë në lagje. Prioriteti ynë është i qartë: më pak burokraci, më shumë parashikueshmëri. Kjo do të thotë veçanërisht: thjeshtim i procedurave administrative, mbështetje financiare për bizneset e ndikuara nga punimet dhe garantimi i një fiskaliteti të qëndrueshëm.

Pjesëmarrja e emigrantëve: «Përtej informimit, duhet të japësh dëshirë»

albinfo.ch: Është fakt, shumë persona me origjinë nga migracioni që kanë të drejtë vote nuk e ushtrojnë atë. Sipas jush, pse nuk ndihen të përfshirë? A është dështim i partive politike për t’iu drejtuar atyre? Si planifikoni, konkretisht, t’u jepni dëshirën për të marrë pjesë në vendimet që ndikojnë në përditshmërinë e tyre?

Mathilde Maillard & Marlène Bérard: Shumë të huaj të natyralizuar ose të vendosur nuk e dinë se mund të votojnë në nivel komunal. Është një problem informimi, jo indiference. Ne kemi marrë pjesë në seminare me Zyrën e integrimit të Lozanës për të shpjeguar konkretisht si votohet.

Por përtej informimit, duhet të japësh dëshirë. Të japësh dëshirë nënkupton të flasësh për temat e vërteta: fiskaliteti, siguria, strehimi, lëvizshmëria. Kur qytetarët shohin se politika prek drejtpërdrejt jetën e tyre të përditshme – biznesin e tyre, familjen e tyre, lagjen e tyre – ata mobilizohen.

Lexoni po ashtu:

Zgjedhjet në Ecublens: Naser Iseni dhe Lorik Hyseni – Kur përvoja takohet me energjinë e re

Lexoni po ashtu:

Zgjedhjet 2026 në Ecublens: Vështrime të kryqëzuara mbi të ardhmen e komunës

 

 

 

Kosova feston 18-vjetorin e Pavarësisë në Frankfurt

Nën organizimin e Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Frankfurt, Kosova shënoi 18-vjetorin e Pavarësisë së saj me një mbrëmje solemne, plot krenari dhe emocione, shkruan albinfo.ch.

Festën e nderoi me pjesëmarrjen e saj Zëvendësministrja për Çështje Evropiane në Qeverinë e Shtetit Hessen, Karin Müller, e cila vlerësoi arritjet e Kosovës në këto 18 vite shtetësie dhe nënvizoi mbështetjen e Hessenit në procesin e integrimit europian. Në mbrëmje morën pjesë gjithashtu përfaqësues të jetës politike dhe kulturore, trupit diplomatik dhe konsullor, institucioneve gjermane, bizneseve dhe diasporës shqiptare.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Konsulli i Përgjithshëm Gezim Gashi theksoi se Kosova është një histori suksesi, e ndërtuar me përkushtim dhe sakrificë, dhe po ecën drejt fuqizimit të shtetësisë, zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe reformave që e afrojnë vendin më pranë Bashkimit Evropian.

Atmosferën e mbrëmjes e pasuruan edhe interpretimet muzikore, ku pianistja Adelina Hashani solli emocione të veçanta me këngë dhe motive kombëtare shqiptare, duke i dhënë ngjyrë dhe shpirt përvjetorit të Pavarësisë.

Ngjarja dëshmoi edhe një herë lidhjen e ngushtë mes Kosovës dhe miqve të saj ndërkombëtarë, si dhe rolin e diasporës në forcimin e identitetit dhe kulturës shqiptare jashtë vendit./Albinfo.ch

Numri i viktimave nga ortekët në Austri shkon në pesë

Autoritetet lokale në Austri kanë konfirmuar se numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e ortekëve është rritur në pesë. Një nga të plagosurit ka ndërruar jetë në spital, si pasojë e plagëve të rënda të marra, transmeton albinfo.at.

Policia njoftoi se dy persona u rrëmbyen nga një ortek në qendrën e njohur të skive St. Anton am Arlberg, në rajonin e Tirol, dhe u gjetën më pas pa shenja jete. Në të njëjtën zonë u shpëtuan edhe tre persona të tjerë të plagosur, njëri prej të cilëve ndërroi jetë më vonë në spital, duke e çuar numrin total të viktimave në pesë. Autoritetet nuk kanë bërë të ditur moshat apo kombësitë e viktimave.

Një tjetër incident fatal ndodhi në Klösterle, në shtetin e Vorarlberg, ku një shtetas zviceran 39-vjeçar humbi jetën gjatë snowboardimit së bashku me një shtetas gjerman 47-vjeçar. Viktima u rrëmbye nga orteku për rreth 250 metra dhe u varros nën dëborë, ndërsa shoqëruesi i tij shpëtoi pa lëndime.

Më herët, një shtetas gjerman 42-vjeçar humbi jetën nga një ortek në Nauders, po ashtu në Tirol. Ai po bënte ski jashtë pistave të shënuara bashkë me djalin e tij 16-vjeçar, i cili u shpëtua me lëndime të rënda.

Autoritetet kanë paralajmëruar se ortekët ndodhën në disa zona të Alpet Austriake, në kushte rreziku të lartë të shkaktuara nga moti i përkeqësuar, dhe u kanë bërë thirrje sportistëve dimërorë të tregojnë kujdes maksimal./Albinfo.at

Shfaqje e filmit kosovar “CIRKU FLUTURUES” në Firenze për Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali organizon një ngjarje kulturore në Firenze, ku do të shfaqet filmi kosovar “CIRKU FLUTURUES” (The Flying Circus). Ngjarja do të mbahet në UCI Cinemas Firenze, më 21 shkurt nga ora 19:00, shkruan albinfo.ch.

Filmi, i regjisorit dhe skenaristit Fatos Berisha, është një komedi e zezë e frymëzuar nga ngjarje të vërteta. Ai tregon historinë e katër aktorëve nga Prishtina që përpiqen të kalojnë kufirin drejt Shqipërisë, në kërkim të mundësive artistike dhe për t’u takuar me idhullin e tyre, Michael Palin. Në kastin e filmit janë aktorë si Velibor Topic, May-Linda Kosumovic, Tristan Halilaj, Bislim Muçaj, Fisnik Ademi, Refet Abazi dhe të tjerë.

Ky aktivitet jo vetëm që promovon kinemanë kosovare, por edhe forcon lidhjen kulturore mes diasporës shqiptare dhe atdheut, duke krijuar një mundësi për komunitetin të festojë së bashku krijimtarinë dhe identitetin kombëtar.

Të gjithë të interesuarit ftohen të marrin pjesë dhe të konfirmojnë praninë në adresën: [email protected].

Shfaqja e filmit është një mundësi për të njohur më afër artin dhe historitë kosovare, duke shënuar kështu në mënyrë kreative Ditën e Pavarësisë së Kosovës./Albinfo.ch

Ujë i pijshëm i kontaminuar në Thurgau

Autoritetet lokale në Thurgau kanë konfirmuar ndotjen e ujit të pijshëm në komunën Stettfurt, duke detyruar shpalljen e një ndalese për përdorimin e ujit nga rrjeti publik. Pas analizave të detajuara, kufizimet janë lehtësuar pjesërisht për disa zona të fshatit, ndërsa për pjesën më të madhe të tij ndalesa mbetet ende në fuqi, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të komunës, ndotja e ujit ka shkaktuar probleme shëndetësore te disa banorë, përfshirë probleme gastrointestinale, të vjella dhe të përziera, ndërsa raste janë raportuar edhe te fëmijët. Si masë mbrojtëse, autoritetet ndaluan përdorimin e ujit të rubinetit për konsum të drejtpërdrejtë.

Masat lehtësohen pjesërisht

Në bashkëpunim me laboratorin kantonal dhe specialistë të fushës, komuna ka analizuar mostrat e ujit. Bazuar në rezultatet e këtyre analizave, ndalesa e përdorimit të ujit është hequr për zonën e lartë (Hochzone) të furnizimit me ujë, njoftojnë autoritetet lokale.

Megjithatë, para se uji të përdoret për herë të parë, banorëve u kërkohet të shpëlajnë rrjetin e brendshëm të shtëpive, për të garantuar sigurinë e konsumit. Për zonat e tjera të Stettfurtit, ndalesa vazhdon të mbetet në fuqi, megjithëse uji mund të konsumohet vetëm pas zierjes.

Autoritetet komunale dhe kantonale kanë bërë të ditur se situata po monitorohet vazhdimisht dhe se publiku do të informohet në kohë reale për çdo zhvillim të ri, derisa të garantohet plotësisht siguria e ujit të pijshëm.

Shkolla Shqipe “Pjetër Budi” feston 17 Shkurtin në Liverpool

Me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Shkolla Shqipe “Pjetër Budi” në Liverpool organizoi një koncert festiv me nxënës, prindër dhe anëtarë të komunitetit shqiptar, transmeton albinfo.ch.

Përmes këngëve, recitimeve dhe valleve tradicionale, fëmijët përkujtuan 17 Shkurtin si një nga datat më të rëndësishme për Kosovën, duke përcjellë mesazhe lirie, uniteti dhe krenarie kombëtare. Atmosfera festive dëshmoi se edhe në diasporë, identiteti dhe dashuria për atdheun mbeten të forta.

Shkolla “Pjetër Budi” vazhdon të jetë një vatër e rëndësishme e ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare në Liverpool, falë angazhimit të stafit, prindërve dhe komunitetit./Albinfo.ch

Zvicra mbyll vitin 2025 me suficit prej 300 milionë frangash

Zvicra ka regjistruar një performancë financiare më të mirë se sa ishte parashikuar për vitin 2025. Pavarësisht projeksioneve fillestare për një deficit prej rreth 800 milionë frangash, qeveria zvicerane ka mbyllur vitin me një suficit prej 300 milionë frangash, njoftoi të mërkurën Këshilli Federal, përcjell albinfo.ch.

Sipas autoriteteve, ky rezultat pozitiv është kryesisht pasojë e të hyrave shtesë të kontribuara nga Gjeneva në arkën federale, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e bilancit buxhetor.

Megjithatë, pavarësisht suficitit të regjistruar, Këshilli Federal paralajmëroi se situata financiare mbetet e ndjeshme. Autoritetet theksuan se plani i kursimeve për vitet 2027–2029 do të mbetet në fuqi, duke e konsideruar atë të domosdoshëm për stabilitetin afatmesëm të financave publike.

“S pa këto masa, deficitet pritet të arrijnë nga 2 deri në 4 miliardë franga që nga viti 2027”, thuhet në deklaratën zyrtare të Këshillit Federal.

Qeveria zvicerane ka theksuar se disiplinimi fiskal mbetet prioritet strategjik, në një kohë kur presionet mbi buxhetin publik po rriten si pasojë e shpenzimeve strukturore, sfidave ekonomike dhe angazhimeve afatgjata financiare. /Albinfo.ch

18-vjetori i Pavarësisë së Kosovës shënohet me pritje zyrtare në Düsseldorf

Me ftesë të Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Düsseldorf, në Düsseldorf u organizua një pritje zyrtare për të shënuar 18-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, shkruan  albinfo.ch.

Në këtë ngjarje, e shoqëruar me program muzikor, morën pjesë përfaqësues të landit North Rhine-Westphalia, përfshirë Sekretarin e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare, Christian Wiermer, si dhe përfaqësues të Parlamentit të landit, anëtarë të Korpusit Konsullor, përfaqësues institucionesh, komunitetit të biznesit, shoqërisë civile dhe shumë bashkatdhetarë nga diaspora e Kosovës në Nordrhein-Westfalen.

Ngjarja pasqyroi miqësinë e ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, duke theksuar rolin e rëndësishëm të diasporës në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve. Atmosfera e mbrëmjes u karakterizua nga fryma e bashkëpunimit, respektit dhe afërsisë mes komuniteteve.

Përmes kësaj pritjeje u përcollën urimet për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë, ndërsa u shpreh mirënjohje e thellë për të gjithë ata që sakrifikuan jetën për lirinë e vendit. Lavdi e përjetshme të rënëve për liri./Albinfo.ch

Zvicër: Një i vdekur pas ortekut në zonën e skijimit Savognin

Një aksident tragjik nga orteku ka ndodhur pasditen e së martës në afërsi të Parsonz, në zonën e skijimit Savognin, ku dy sportistë të sporteve dimërore janë zënë nga një masë dëbore, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të autoriteteve, orteku i ka mbuluar të dy personat, ndërsa njëri prej tyre ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ende në fushën e ortekut. Rrethanat e sakta të aksidentit janë duke u hetuar.

Në operacionin e ndërhyrjes dhe të shpëtimit kanë marrë pjesë shërbimet emergjente, ndërsa rasti po trajtohet nga Kantonspolizei Graubünden.

Autoritetet kanë përsëritur thirrjen për kujdes maksimal gjatë aktiviteteve në terrene malore, sidomos në kushte me rrezik të shtuar nga ortekët, duke u bërë apel sportistëve që të respektojnë paralajmërimet zyrtare dhe rekomandimet e sigurisë.

Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal në kantonin e Graubünden, ndërsa hetimet për shkaqet e aksidentit vazhdojnë. /Albinfo.ch

Pagat minimale në Gjenevë dhe Neuchâtel mund të mbeten

Pagat minimale në kantonet Gjenevë dhe Neuchâtel, të cilat u kërcënuan nga një konflikt me ligjet federale, u është dhënë një shtyrje.

Ligji thotë se marrëveshjet kombëtare të negociatave kolektive duhet të kenë përparësi ndaj minimumeve kantonale, edhe nëse janë më të ulëta, transmeton albinfo.ch.

Por një komision i dhomës së lartë të parlamentit po rekomandon që ligjet për pagat minimale që janë tashmë në fuqi duhet të mbeten.

Në vitin 2026, paga minimale orare do të arrijë në 24.59 CHF në Gjenevë dhe 21.35 CHF në Neuchâtel.

 

Përfundon me ndërhyrje të dhunshme protesta e opozitës në Shqipëri

Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli para selisë së PD-së për një deklaratë për mediat pas protestës së 20 shkurtit, e cila u zhvillua para Kryeministrisë dhe u përshkallëzua në fund për shkak të përdorimit të molotovëve dhe fishekzjarreve nga protestuesit, si dhe reagimit të forcave policore me gaz lotsjellës, ujë dhe bomba zhurmuese.

Berisha akuzoi se gaz lotsjellës është hedhur dhe edhe brenda oborrit të selisë së PD-së dhe iu drejtua kryeministrit Edi Rama me një paralajmërim se në rast se guxon të sulmojë sërish këtë seli, gjurmë nuk do të gjejë te selia e tij.

“Sot, përshkallëzimi i Edi Ramës kundër opozitës ka qenë i paprecedent. Persona me uniformë hodhën bomba tymuese dhe bombula gazi në territorin e Partisë Demokratike. Edi Rama ka ndërmarrë një akt të pashembullt, duke sulmuar selinë e partisë së PD-së, në shenjë hakmarrjeje ndaj kryengritësve paqësorë.

I jap fjalën e nderit se, në rast se guxon të sulmojë sërish këtë seli, gjurmë nuk do të gjejë te selia e tij. Për ne,është një mundim i madh të përmbajmë tensionet dhe sulmet e qytetarëve ndaj selive të krimit, por ata janë të gatshëm në çdo moment për të kundërvepruar ndaj veprimeve të tilla të paligjshme. Ne jemi paqësorë, por nuk tolerojmë sulmin ndaj selisë së Partisë Demokratike. Jemi të gatshëm, nga mëngjesi deri në mesnatë, të përgjigjemi ashtu siç e meriton çdo akt i tillë”, tha Berisha.

Në përmbyllje të fjalës së tij, kreu i Partia Demokratike e Shqipërisë, Sali Berisha, paralajmëroi organizimin e një tjetër proteste kombëtare, që sipas tij “do të jetë më e madhja”.

Ai falënderoi protestuesit, duke i cilësuar si guximtarë që, sipas tij, mposhtën “të keqen e madhe, regjimin e Edi Ramës”.

Nga ana tjetër Ministrja e Punëve të Brendshme e Shqipërisë, Albana Koçiu, ka reaguar ashpër ndaj akteve të dhunës të regjistruara gjatë protestës së Partisë Demokratike. Në një postim në rrjetet sociale, ajo e cilësoi tubimin si një “shfaqje të shëmtuar” dhe akuzoi opozitën se po përdor dhunën si mjet politik.

“Po e shohim përsëri. E njëjta skenografi e vjetër me tym e me flakë, që vjen nga bodrumet e një politike në agoni. Një tjetër ‘revolucion’ me pagesë, ku molotovi zëvendëson fjalën dhe maska fsheh turpin. Një kauzë e drejtë nuk ka nevojë për maska dhe as për molotovë,” shkroi Koçiu.

Ajo shtoi se dhuna nuk është opozitarizëm, por “sabotim kombëtar” që dëmton imazhin e Shqipërisë dhe sigurinë e qytetarëve:

“Të djegësh institucionet nuk është politikë, është vandalizëm. Të godasësh Policinë e Shtetit nuk është trimëri, është krim. Kjo nuk është një protestë kundër qeverisë, por kundër Shqipërisë që punon dhe respektohet në çdo tryezë ndërkombëtare,” theksoi ministrja.

 

Pozimi i kryeparlamentarit austriak me Elvana Shalën ngjall zemërimin serb

Presidenti i Këshillit Kombëtar Walter Rosenkranz (FPÖ) pozon në parlament me aktivisten kosovare Elvana Shala. Ajo mban një beretë me simbolin e UÇK-së, dhe po shkakton zemërim midis organizatës ombrellë të serbëve në Austri, shkruan media austriake, Profil.

Pasi bën një përshkrim të zgjeruar të qëndrimeve tashmë tradiconale proserbe të krerëve të partisë FPÖ (Strache etj.) gazeta kujton se kryeparlamentari që i takon po kësaj partie, duket i sheh gjërat më ndryshe, transmeton albinfo.at.

“Presidenti i Këshillit Kombëtar Walter Rosenkranz duket se ka një qëndrim më pak të rreptë. Tani, çështja e Kosovës po kërcënon të ndajë FPÖ-në dhe Serbinë, të paktën nga perspektiva e organizatës ombrellë pro-regjimit të serbëve në Austri. Arsyeja është një foto e Presidentit të Këshillit Kombëtar.

Të hënën, në një festë në Bursën e Vjenës me rastin e festës kombëtare serbe, Rosenkranz i quajti serbët që jetojnë në Austri “ura njerëzore” që forcojnë kohezionin midis dy vendeve.

Por të nesërmen, më 17 shkurt, data që shënon festën kombëtare të Kosovës, një foto u shfaq në internet që tregonte Rosenkranzin bshkë me aktivisten kosovare Elvana Shala. Ajo mbante në kokë një beretë me simbolin e UÇK-së, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shala kishte marrë pjesë në eventin hapës të Konferencës së Projektit Zero të këtij viti në parlament atë ditë. Ajo shërben gjithashtu si e Dërguara Speciale e Kosovës në Komitetin Ndërkombëtar të të Drejtave të Njeriut (IHRC). Shala i tha gazetës profile se mbante beretën me simbolin e UÇK-së në Ditën e Pavarësisë së Kosovës “si një shenjë respekti për vendin tim”.

Ajo tha gjithashtu se pati një “bisedë shumë të shkurtër” me Rosenkranz dhe i shpjegoi atij se ishte Dita e Pavarësisë së Kosovës. Pastaj ai “natyrshëm i përcolli urimet e tij të sinqerta popullit tim”.

Fotografia tregon Kryetarin e Këshillit Kombëtar krah për krah me aktivisten kosovare. Organizata ombrellë e serbëve në Austri reagoi me indinjatë, transmeton albinfo.at. Në një letër të hapur drejtuar Kryetarit të Këshillit Kombëtar, ata shprehën “tronditje të thellë” dhe një “kontradiktë me parimet dhe vlerat që priten nga Këshilli Kombëtar Austriak”.

Shoqata kërkoi një “deklaratë të qartë” dhe një distancim publik të Rosenkranzit nga UÇK-ja. “Duke pasur parasysh komunitetin serb në Austri – i cili numëron më shumë se 300,000 njerëz…”.

Pavarësisht kërkesave të përsëritura nga gazeta profili, Walter Rosenkranz nuk pranoi të komentojë.

Megjithatë, sipas informacionit të disponueshëm, thuhet se ai i është përgjigjur letrës së hapur nga organizata ombrellë e serbëve në Austri. Kryetari i saj, e konfirmoi këtë me kërkesë.

Të premten, organizata publikoi përgjigjen nga zyra e Rosenkranzit. Në të, ai mohon të ketë pasur një bisedë me Shalën. “Dita e Pavarësisë” “nuk u trajtua”, thuhet fjalë për fjalë. Megjithatë, letra shmang marrjen e një qëndrimi të qartë për Serbinë, përcjell albinfo.ch. Në letër flitet për “një vetëdije se çështjet që lidhen me Kosovën dhe Serbinë shpesh formohen nga përvojat historike, perspektivat e ndryshme mbi të drejtën ndërkombëtare dhe lidhjet emocionale”.

Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën, Elvana Shala, ka denoncuar përpjekjet e Misionit të Serbisë në OKB në Vjenë për të penguar përfaqësimin e Kosovës në ZeroConference, për shkak të beretës me simbolin e UÇK-së.

Nga ana e saj, zonja Shala në një postim në fb thotë: “Jemi në një konferencë të diplomacisë publike dhe të drejtave të njeriut dhe secili ka një simbol të shtetit të tij. Është e drejta ime të kem simbolet që identifikojnë shtetin tonë”, ka shkruar Shala në një postim në Facebook.

Ajo ka theksuar se përpjekjet e Serbisë për ta ndaluar nuk kanë rezultuar dhe nuk do të mund të ndalojnë zërin e Kosovës.

“Tentuan të më pengojnë, por nuk ia dolën dhe nuk do t’ia dalin të ndalojnë zërin tonë asnjëherë”, ka shtuar Shala.

 

 

Presidentja Osmani takohet me Rubion: Të bashkuar për paqe dhe siguri

“Me SHBA-të jemi të bashkuar në vendosmërinë për të mbrojtur paqen dhe për të garantuar një të ardhme më të sigurt për brezat e rinj”. Kështu ka theksuar presidentja Vjosa Osmani pas takimit që ka zhvilluar me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio.

“Në 18-vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, ishte nder i veçantë që sot u prita në Departamentin Amerikan të Shtetit nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio. Diskutuam mundësitë për forcimin e aleancës sonë, si dhe hapat konkretë në këtë drejtim që kanë rëndësi jetike për popullin tonë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Presidentka e Kosovës ka treguar se e ka falënderuar Rubion për përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes, për mbështetjen vendimtare amerikane për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe për prezencën ushtarake amerikane në Kosovë si prezencë kyçe për paqen e stabilitetin në rajon.

“Diskutuam për rëndësinë e madhe të anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe për hapjen e kapitujve të ri të bashkëpunimit në ekonomi e mbrojtje, si pjesë e partneritetit tonë strategjik. Krah për krah me Shtetet e Bashkuara, mbetemi të përkushtuar ndaj forcimit të paqes dhe sigurisë, adresimit të sfidave të përbashkëta globale dhe avancimit drejt integrimit euroatlantik të Kosovës”, ka nënvizuar Osmani.

Zvicër: Kushtetuta duhet të ndryshojë për të ndihmuar policinë

Në atë që mund të duket një situatë e çuditshme – është më e lehtë për një oficer policie në këtë vend të kërkojë në një bazë të dhënash kriminale të BE-së për të marrë informacion për dikë në Zvicër sesa të pyesë një kanton tjetër.

Problemi është ligjor – dhe ka nevojë për një ndryshim ligji.

Ndërsa kantonet po punojnë për një marrëveshje të përbashkët – Berna po shqyrton një ligj të ri federal.

Ministri i Drejtësisë, Beat Jans, po fillon një konsultim me qëllim modernizimin e komunikimit midis forcave kantonale.

Kjo do të thotë një ndryshim në kushtetutë – në mënyrë që populli të ketë fjalën e fundit.

Dallim i madh në kujdesin shëndetësor në secilën anë të kufirit

Një studim tregon se ka një ndryshim të madh në kujdesin shëndetësor midis Gjenevës dhe Vaud-it, si dhe Francës fqinje.

Sipas Observatorit Statistikor Ndërkufitar, ana zvicerane e rajonit përqendron tre të katërtat e mjekëve për më pak se gjysmën e popullsisë.

Në vitin 2025, Gjeneva numëron 120 mjekë për 10,000 banorë, krahasuar me vetëm 29 në Haute-Savoie dhe 18 në Ain, transmeton albinfo.ch.

Një pjesë e problemit është se profesionistët mjekësorë të trajnuar në Francë kanë tendencë të punësohen në Zvicër – ndoshta të tërhequr nga paga më të mira. Një e katërta e mjekëve në anën zvicerane janë kualifikuar në Francë.

Zvicër: Rezervimi i restoranteve pritet të bëhet me pagesë

Mosparaqitjet po bëhen një problem në rritje për industrinë e restoranteve në Cyrih.

Mike Gut, i cili drejton restorantin e njohur Razzia në Seefeld, thotë se deri në dhjetë përqind e klientëve me rezervime nuk paraqiten rregullisht – ndonjëherë shumë më tepër.

Në një mbrëmje të kohëve të fundit, një e treta e klientëve të rezervuar nuk u paraqitën, shumë prej tyre gjithashtu nuk u paraqitën për Ditën e Shën Valentinit të këtij viti.

Me 110 vende, Gut i ​​tha gazetës Blick se mungesa e klientëve mund të bëjë diferencën midis fitimit dhe barazimit të kostove, transmeton albinfo.ch.

Mbiprenotimi është i rrezikshëm, kështu që restoranti tani do të prezantojë një tarifë të përgjithshme prej 50 CHF për person për rezervimet online.

Mësuesit nga Zvicra, sërish në udhëtim studimor në Gjilan, Kosovë

Nga 3 deri në 7 Nëntor 2025, pesë mësues nga Zvicra vizituan kolegët e tyre në Gjilan, në lindje të Kosovës. Shkëmbimi u zhvillua në kuadër të projektit ndërkombëtar të lëvizshmërisë “Java e Studimit Zvicër-Kosovë për Mësuesit dhe Drejtorët e Shkollave”, transmeton albinfo.ch. Pas përfundimit me sukses të programit, regjistrimi për vitin 2026 është tani i hapur.

Në maj 2025, katër mësues dhe një drejtor shkolle nga Kosova vizituan shkollat ​​në Zug dhe kantone të tjera. Vizita e kthimit në Gjilan pasoi në nëntor. Pas një sesioni fillestar në universitetin partner “Kadri Zeka” (UKZ) me programe shkëmbimi që përfshinin pedagogë dhe studentë, java u përqendrua në vëzhgimin e kolegëve, shkruan zg.ch.

Mësuesit zviceranë kaluan secili gjysmë dite duke vëzhguar mësimet e kolegëve të tyre kosovarë. Në Gjilan, një gjysmë dite shkollë fillore është ekuivalente me një ditë të plotë shkollore, pasi mësonjtorja ndahet me një klasë tjetër në një sistem turni. Pavarësisht disa dallimeve të dukshme, shumë të përbashkëta dolën në pah në qasjen pedagogjike: një angazhim për të ofruar mbështetjen më të mirë të mundshme për të nxënit e fëmijëve dhe rolin e modeleve të besueshme në një botë komplekse, të ndërlidhur globalisht.

Shkëmbimi me pjesëmarrësit që kishin prejardhje migrimi të tyre ose të familjeve të tyre ishte veçanërisht pasurues. Shumëgjuhësia e tyre dhe përvojat transnacionale nxitën lidhjet dhe lejuan një perspektivë të nuancuar mbi çështjet e kulturës dhe përkatësisë, përcjell albinfo.ch.

 

Leksione të ndryshme, raunde diskutimi, një shfaqje teatrale dhe një ekskursion në kryeqytet, Prishtinë, duke përfshirë një vizitë në “Muzeun e Fëmijëve të Luftës” të sapohapur (2025), e plotësuan programin.

Projekti i lëvizshmërisë do të vazhdojë në vitin 2026. Universiteti i Edukimit të Mësuesve i Zugut (PH Zug) do të vazhdojë projektin e shkëmbimit në Gjilan në bashkëpunim me Universitetin e Zugut. Qëllimi është të forcohen aftësitë e nxënësve të shkollës dhe prindërve të tyre në përballjen me diversitetin shoqëror, pabarazinë socioekonomike dhe përvojat jetësore transnacionale.

Agjencia kombëtare për shkëmbim dhe lëvizshmëri, Movetia, po sponsorizon këtë program zhvillimi profesional i cili përbëhet nga dy pjesët e mëposhtme:

18–22 maj 2026: Vizitë e deri në dhjetë mësuesve/drejtorëve të shkollave nga Kosova në Zvicër; 2–6 nëntor 2026: Vizitë kthimi e deri në dhjetë mësuesve/drejtorëve të shkollave nga Zvicra në Kosovë.

Regjistrimi është tani i hapur.

Detajet rreth projektit mund të gjenden në thirrjen për propozime. Mësuesit dhe drejtorët e shkollave të interesuar mund të regjistrohen për ciklin e projektit 2026 deri më 31 mars 2026, më së voni, duke përdorur formularin e regjistrimit online për udhëtimin studimor Zvicër-Kosovë.

https://forms.office.com/pages/responsepage.aspx?id=FeA5Vi3_tUWWACcot1y5dprMwlOAqQhApQYHsTaTUZFUQUtPOFNISlgwMTdOWjBDSVo1TzNIWUlMQS4u&route=shorturl

 

Imigracioni neto në Zvicër ra me 10.5% në vitin 2025

Zvicra pa më pak mbërritje të huaja në popullsinë e përhershme vitin e kaluar dhe një rritje të njerëzve që largoheshin nga vendi. Imigracioni neto ra me 10.5% në vitin 2025 krahasuar me vitin 2024.

Rreth 165,386 emigrantë hynë në Zvicër në vitin 2025, që është 5,221 më pak se një vit më parë.

Pothuajse tre të katërtat e emigrantëve ishin shtetas të Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA) ose shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (BE). Më shumë se gjysma e të sapoardhurve erdhën në Zvicër për të ndjekur punësim afatgjatë.

Sipas shifrave federale, 82,659 persona u larguan nga Zvicra, duke përfaqësuar një rritje prej 4.8% krahasuar me vitin e kaluar.

Kjo rezultoi në një rënie të imigracionit neto në popullsinë e përhershme të huaj rezidente në Zvicër në vitin 2025 me 8,717 persona në 74,675 krahasuar me vitin e kaluar.

Nga emigrantët, 25.5% erdhën në Zvicër përmes ribashkimit familjar. Kjo përfaqëson një rënie prej 0.6% krahasuar me vitin e kaluar, sipas qeverisë federale. Nga këta, 15.4% ishin anëtarë të familjes së një shtetasi zviceran.

“Edhe vitin e kaluar, pavarësisht rritjes së moderuar ekonomike, imigracioni i shtetasve të huaj plotësoi nevojat e punës së Zvicrës”, deklaroi qeveria federale, shkruan swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Në fund të vitit 2025, një total prej 1,613,486 shtetasish nga EFTA ose BE-ja banonin përgjithmonë në Zvicër. Italianët, me 350,958 persona, mbetën grupi më i madh i popullsisë së huaj në Zvicër, të ndjekur nga shtetasit gjermanë (338,584), portugezë (264,341) dhe francezë (181,501).

Komisioni Shtetëror shqyrton financimin e pensionit të 13-të AHV

Financimi i pensionit të 13-të AHV duhet të bazohet në një zgjidhje të përzier, pohon Komisioni i Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetit Publik i Këshillit të Shteteve. Ai dëshiron të kombinojë një rritje të kontributeve të punonjësve dhe TVSH-së, duke rishikuar normat.

Kostot shtesë për AHV vlerësohen në gati 4.2 miliardë franga në vitin 2026. Megjithatë, për të financuar këto shpenzime të reja, Këshilli Federal mbështetet vetëm në një rritje të TVSH-së prej 0.7 pikësh përqindjeje. Një vendim i pranuar shtatorin e kaluar nga Këshilli Kombëtar, kur Këshilli i Shteteve kishte vërtetuar financimin e përzier.

Për komisionin, një rritje e përkohshme e TVSH-së nuk ofron perspektiva afatgjata dhe do të shtynte nevojën për financim. Ai beson se vetëm një zgjidhje e përzier, e bazuar në një rritje të TVSH-së dhe kontributeve të punonjësve, do të garantonte financim të balancuar dhe solidar.

Normat e rishikuara poshtë

Megjithatë, rritjet e pritura mund të moderohen falë rezultateve të mira të fondit të kompensimit, shkruan RTS. AHV dhe AI ​​e mbyllën vitin 2025 me një rezultat pozitiv, me një kthim neto prej 6.34%, transmeton albinfo.ch.

Me 8 vota pro, 4 kundër dhe një abstenim, komisioni tani propozon rritjen e kontributeve të punonjësve me 0.3 pikë përqindjeje dhe të TVSH-së me 0.4 pikë përqindjeje. Dhoma e Kantoneve kishte miratuar përkatësisht 0.4 dhe 0.5 pikë përqindjeje.

Një pakicë propozon të ndiqet mendimi i Këshillit Kombëtar duke u mjaftuar me një rritje të TVSH-së, afati kohor i së cilës do të zgjaste deri në fund të vitit 2033 në vend të fundit të vitit 2030 fillimisht.

Lidhni dy rritjet

Përveç kësaj, rritja e kontributeve duhet të jetë në gjendje të hyjë në fuqi vetëm me kusht që rritja e TVSH-së të pranohet në votimin popullor. Në këtë pikë, komisioni u mblodh, me 12 vota pro, 0 kundër dhe 1 abstenim, me Këshillin Kombëtar.

Duke pasur parasysh evolucionin e situatës ekonomike, komisioni gjithashtu heq dorë nga ulja e njëkohshme e kontributeve të sigurimit të papunësisë.

Komisioni ende po propozon një kompromis mbi rezervat e fondit të pastrimit të AHV. Ai heq dorë nga vendimi i senatorëve që ky fond të mbulonte vetëm 80% të shpenzimeve vjetore, krahasuar me 100% që është sot. Megjithatë, komisioni mban vendimin e Këshillit të Shteteve në lidhje me futjen e një mekanizmi ndërhyrjeje.

Nëse fondi do të binte në mënyrë të qëndrueshme nën pragun kritik prej 100% të shpenzimeve, Këshilli Federal do të duhej të paraqiste shpejt masa stabilizimi në Parlament. Dhe nëse fondi do të binte nën 80%, një rritje shtesë e kontributeve të punonjësve, deri në 0.3 pikë përqindjeje, do të zbatohej automatikisht nga qeveria.