Kosova

Edhe një sportisti të Kosovës i ndalohen simbolet shtetërore në gara ndërkombëtare

Pas boksieres Donjeta Sadiku që nuk udhëtoi për në kampionatin në New Delhi për shkak që iu mohuan simbolet shtetërore, tash edhe kajakueses Blandine Xhemajli i mohohet kjo e drejtë në garën ndërkombëtare në Spanjë.

“Federata për Kajakim e Kosovës bën me dije se Federata për Kajakim e Spanjës nuk do ta lejojë kajakuesen tonë, Blandine Xhemajli, të përfaqësohet me simbolet shtetërore të Kosovës në garën ndërkombëtare të kajakimit, që do të mbahet në fund të këtij muaji në Spanjë”, thuhet në reagimin e Komitetit Olimpik të Kosovës.

Ata e cilësojnë veprimin tërësisht politik. “Një gjest i tillë, kryekëput politik, është  diskriminues dhe asesi i pranueshëm për ne, për çka do të marrim masat e nevojshme në institucionet përkatëse ndërkombëtare”, vazhdon tutje reagimi, përcjell albinfo.ch.