Lajme

Gjermania po stërvit qen për zbulimin e COVID-19

Bundeswehri gjerman, në bashkëpunim me Universitetin e Mjekësisë Veterinare (TiHo) në Hanover, po zhvillojnë në kundër të një projekti teste me dhjetë qen. Qentë e përfshirë në eksperiment i takojnë shkollës së qenve të ushtrisë gjermane, e cila gjendet afër Ulmenit. Ata po stërvitin qentë për të identifikuar të infektuar me virusin korona.

Bundeswehri ka nisur një projekt, në të cilin janë përfshirë qen të racave pastor, spaniel dhe retriever. Ata njihen ndryshe si “qentë detektivë”, të cilët jo vetëm që mund të nuhasin dhe zbulojnë  nisur nga përbërja molekulare e aromave përkatëse lëndë eksplozive ose droga, por edhe të nuhasin lloje të ndryshme kanceri si dhe hipoglikeminë, pra rënien e sheqerit, në rastin e diabetikëve, shkruan DW, përcjell albinfo.ch.

Tani kjo aftësi e tyre po trajnohet për të zbuluar virusin korona.

Studiuesit kanë  arritur aktualisht një kuotë diagnostikimi prej rreth 80%, dhe projekti duket se do të jetë i suksesshëm. Rezultatet përfundimtare pritet të jenë në dispozicion për disa javë.

Deri tani qentë po ushtrohen duke nuhatur mostra pështyme njerëzish të infektuar. Gjithsesi viruset e këtyre mostrave janë trajtuar me kimikate dhe janë të padëmshëm. Pasi qentë ta kenë përfunduar këtë seri provash me sukses, ata do të  përballen me shkallën tjetër të vështirësisë për të parë a do të funksionojë nuhatja edhe në rastin e virusëve aktivë të koronës që gjendet në pështymën njerëzore?

“Këto teste duhet të zhvillohen në kushte krejtësisht të ndryshme, se në fund të fundit, duhet të jemi të sigurt se askush nuk do të infektohet me mostrat shumë infektive”, shpjegon Paula Jendrny.

Edhe në vendet e tjera, si SHBA, Finlandë  dhe Britaninë  e Madhe, qentë po trajnohen që të nuhasin infeksione me Sars-COV-2. Përveç mostrave të pështymës, ekzistojnë edhe teste me urinë dhe djersë, të cilat po tregojnë rezultate inkurajuese.