Koronavirusi: çast pas çasti

Izraeli, në prag të zbulimit të vaksinës kundër koronavirusit?

Një proces i gjatë i provave para-klinike mbi kafshët do të ishte faza tjetër, e ndjekur nga provat klinike. Por urgjenca globale mund të përshpejtojë këtë proces në mënyrë që të vaksinohen sa më shumë njerëz të rrezikuar nga virusi

Shkencëtarët në Institutin e Izraelit për Kërkime Biologjike pritet të njoftojnë në ditët në vijim se kanë përfunduar zhvillimin e një vaksine për koronavirusin e ri COVID-19, shkruan gazeta izraelite Haretz.

Sipas burimeve mjekësore, shkencëtarët e institutit në fjalë kohët e fundit kanë pasur një përparim të rëndësishëm në të kuptuarit e mekanizmit biologjik dhe cilësive të virusit, përfshirë këtu dhe aftësinë më të mirë diagnostikuese, prodhimin e antitrupave për ata persona që tashmë kanë virusin dhe, zhvillimin e një vaksine.

Mirëpo procesi i zhvillimit të vaksinës kërkon një seri testesh dhe eksperimentesh që mund të zgjasin shumë muaj para se vaksinimi të konsiderohet efektiv ose i sigurt për t’u përdorur, transmeton albinfo.ch.

Pyetjes në lidhje me zhvillimin, Ministria e Mbrojtjes i është përgjigjur se: “Nuk ka pasur asnjë përparim në përpjekjet e institutit biologjik për të gjetur një vaksinë për koronavirusin ose për të zhvilluar komplete testimi. Puna e institutit është realizuar sipas një plani të rregullt të punës dhe do të marrë kohë. Nëse dhe kur do të ketë diçka për të raportuar, ajo do të bëhet në mënyrë të rregullt.

Instituti biologjik është një agjenci e njohur botërore për kërkim dhe zhvillim, i cili mbështetet te studiuesit dhe shkencëtarët me përvojë dhe njohuri të thella shkencore si dhe me infrastrukturë cilësore. Janë më shumë se 50 shkencëtarë me përvojë që punojnë në institutin për hulumtimin dhe zhvillimin e një bari kundër virusit”.

Instituti për Kërkime Biologjike, i cili ndodhet në qytetin qendror të Izraelit Nes Tziona, është krijuar në vitin 1952 si pjesë e Korpusit Shkencor të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, dhe më vonë është shndërruar në një organizatë civile, përcjell albinfo.ch. Teknikisht është nën mbikëqyrjen e Zyrës së Kryeministrit, por është në komunikim të ngushtë me Ministrinë e Mbrojtjes.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyhu kishte urdhëruar që më 1 shkurt institutin që t’i kushtojë burime të veta zhvillimit të një vaksine kundër COVID-19.

Normalisht, një proces i gjatë i provave para-klinike mbi kafshët do të ishte faza tjetër, e ndjekur nga provat klinike. Kjo periudhë mundëson një karakterizim të plotë të efekteve anësore dhe një kuptim më të mirë se si preken popullatat e ndryshme.

Megjithatë, urgjenca globale rreth pandemisë së koronavirusit mund të përshpejtojë këtë proces në mënyrë që të vaksinohen sa më shumë njerëz që janë më të rrezikuar nga virusi.

Zhvillimi i një vaksine efektive do t’i jepte fund krizës globale të shkaktuar nga virusi;

Sipas një raporti të Ynet, tri javë më parë, pesë dërgesa të mostrave të virusit kanë arritur në Izrael nga Japonia, Italia dhe vende tjera. Ato janë sjellë në Institutin për Kërkime Biologjike nga një korrier i posaçëm i siguruar nga Ministria e Mbrojtjes.  Mostrat ishin ngrirë në -80 gradë Celsius. Sipas burimeve të Ministrisë së shëndetësisë dhe asaj të mbrojtjes, që nga momenti i mbërritjes së mostrave, është bërë punë intensive, përfshirë edhe angazhimin e ekspertëve kryesorë, për të zhvilluar vaksinën.

Ekspertët në Izrael dhe jashtë tij vlerësojnë se kohëzgjatja e nevojshme për të zhvilluar një vaksinë shkon nga disa muaj deri në një vit e gjysmë. Ekipe të shumta kërkimore në të gjithë botën po marrin pjesë në garën për të zhvilluar një vaksinë. Shumë prej tyre në këtë pikë janë duke u përqendruar në mënyrën se si prezantohet virusi tek kafshët. Ndërsa pengesa më e madhe është mënyra se si pëson metamorfozë virusi kur lëviz nga kafshët te qeniet njerëzore.

Menjëherë pas shpërthimit të virusit, në janar, Kina kishte publikuar ​​sekuencën gjenetike të virusit në bazë të të dhënave të hapura shkencore, në mënyrë që institutet kërkimore dhe kompanitë tregtare të përpiqen për të zhvilluar vaksina, pa pasur nevojë të marrin mostra.

Rreth një muaj e gjysmë pasi qe botuar sekuenca gjenetike, kompania e bioteknologjisë Moderna, Inc., me qendër në Boston, Massachussets, pati bërë të ditur se kishte përfunduar zhvillimin e një vaksine të mundshme të koronavirusit. Menjëherë pas kësaj vaksina qe dërguar në SH.B.A. Instituti Kombëtar i Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, i cili do të përfshijë deri në 25 pjesëmarrës, specialistë shëndetësor, do të fillojë me prova klinike në prill dhe do të përfundojë në verë. Edhe vaksinës izraelite do t`i duhet të kalojë një proces të ngjashëm ose edhe më të rreptë përpara se të miratohet për përdorim.