Shqipëria

Korabi, ‘zemra’ e maleve shqiptare që tërheq alpinistët

I cilësuar si zemra e maleve shqiptare, Korabi të magjeps me bukurinë që ka, shtigjet malore atraktive, pamjet madhështore, të rralla, rruga drejt ujëvarës dhe shtegu duke ndjekur Drinin e Zi.

Në majë të Korabit, atje ku lartësitë kapin qiellin dhe malet qasen me retë një grup prej 40 alpinistësh u ngjitën ditët e fundit për të shijuar kënaqësinë që të fal ky mal.

Alpinistët e moshave nga 20-45 vjeç, nën drejtimin e dy guidave profesioniste, Albert Nikolli dhe Edmond Kocli u ngjitën në majën e Korabit.

Edmond Kocli, tha për ATSH-në, përcjell albinfo.ch se “qëllimi jonë për organizimin e këtyre guidave është që të ngjiten sa më shumë njerëz në mal dhe jo të kapin majat”.

Ndërsa Ermal Hallaçi, alpinist profesionist shprehet se “nisja u bë nga Radomira, një fshat turistik i futur edhe në projektin “100 fshatrat”.

Sipas tij, udhëtimi vajtje ardhje shkoi 10 orë, pasi rruga ishte e mbushur me dëborë.

Një tjetër alpiniste, Xhulia shprehet e mahnitur nga bukuritë natyrore që ky mal ofron.

“Jemi në gjysmë të rrugës, prapa meje ndodhet mali i Korabit është një pamje e mrekullueshme. Nga mali i Korabit ka një pamje të mrekullueshme, deri tani nuk ka shumë dëborë dhe ecja është shumë e thjeshtë. Kam përshtypjen se çdo njeri që është marrë pak me aktivitet mund t’ia arrijë”, thekson Xhulia.

Grupit të alpinistëve shqiptarë i është bashkuar edhe Ashman Abdulov, shqiptare nga Maqedonia, por lindur e rritur në Kanada, e cila e vizitonte për herë të parë malin e Korabit.

“Unë sapo zbrita nga Mali i Korabit, është mali më i lartë në Shqipëri. Ne kemi qenë pjesë e aventurës shqiptare. Ishte një ditë e përkryer, por në të njëjtën kohë shumë sfiduese. Përjetuam dëborën, erën, pak diell dhe një mjedis të gjelbër. Unë them se ia vlente çdo çast dhe jam e gëzuar që munda ta realizoj”, thekson Abdulov.

Ajo shprehet se ishte një grup i mrekullueshëm me njerëz shumë të mirë në një mal shumë të bukur.

“Shqipëria është një vend malor, por unë ju them se ky mal i tejkaloi pritshmëritë e mia madje duke i krahasuar me malet kanadeze. Jam mirënjohëse që ia dola ta shoh Malin e Korabit. Jam mirënjohëse për të gjithë ata të cilët erdhën me ne. Më pëlqeu shumë qe udhëtova në Shqipëri”, thotë Abdulov.

Dibra, një nga destinacionet turistike më të bukura të Shqipërisë, vazhdon të joshë turistë vendas dhe kryesisht të huaj sidomos në pranverë. I gjithë ky segment përshfaqet nga një bukuri e pahasur, unike mes diversitetit të natyrës dhe thellësisë së peizazhit duke ofruar si në verë dhe në stinët e tjera të vitit mundësi për turizëm.

Korabi është një nga malet më të larta të Europës Juglindore, i cili shtrihet përgjatë kufirit të Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Vend i pasur me bukuri të rralla natyrore, me gurë, shkëmbinj dhe kullota, i cili vizitohet nga shoqata të shumta alpinistësh, të cilët arrijnë të ngjiten edhe deri në majën e saj, e cila ka lartësinë 2764 m.

Nga ana e Maqedonisë mund të udhëtohet deri në fshatrat e Rekës duke udhëtuar nga Dibra e e Madhe e Maqedonisë e deri në disa prej këtyre fshatrave siç janë: Nistrovë, Bibaj, Zhuzhnjë, Rimnicë, Grekaj, Tanushaj, Nivisht si dhe në pjesën tjetër të Strazimirit nga organizohen ngjitjet alpinistike çdo vit.

Vargmali i Korabit shtrihet mbi 40 kilometra në drejtimin veri-jug midis pjesës së poshtme të Drinit të Zi dhe saj kontribues Radika.

Mali Korab është shtëpi për ujëvara ku në luginën e sipërme të lumit, Përroi i Thellë Gjatë ujëvarat arrin një lartësi prej mbi 130 metra, e cila e bën atë më të lartën në Maqedoni.