Bota

Korriku, më i nxehti në histori

Temperaturat e larta janë thyer në disa vende të mëdha evropiane

Muaji korrik 2019 ka qenë muaji më i nxehtë në botë i regjistruar ndonjëherë, njoftoi Agjencia Atmosferike Amerikane NOAA, duke konfirmuar matje të publikuara nga Bashkimi Evropian para disa ditësh.

“Pjesa më e madhe e planetit ka njohur një nxehtësi të paprecedentë në korrik, me temperaturat që arritën nivele rekord gjatë muajit më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë”, komentoi agjencia amerikane.

“Për shkak të nxehtësisë rekord është reduktuar edhe akulli në detet e Arktikut dhe të Antarktidës në nivelet më të ulëta historike”, theksoi NOAA, transmeton ATSH.

Gjatë muajit të kaluar janë regjistruar temperatura rekorde në Gjermani, Holandë, Belgjikë, Francë dhe në disa vende të tjera, përcjell albinfo.ch.

Por, temperaturat e larta janë ndier edhe në vende më të ftohta, duke bërë që të shkrihet akulli.