Kosova

Kosova dhe Serbia ftohen javën e ardhshme në Bruksel

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka komentuar kidnapimin e 3 policëve të Kosovës nga ana e Serbisë. Por kapjen e 3 policëve, ai e ka quajtur arrestim.

“E dini që ka ndodhur një incident rreth arrestimit të tre oficerëve policorë të Kosovës dhe ne jemi duke provuar ta vërtetojmë se çka saktësisht ka ndodhur. Jemi në kontakt të ngushtë me komandantin e KFOR-it dhe me të dyja palët për të marrë vesh se çka çoi në këtë arrestim”, tha ai.

Për këtë situatë të krijuar, Borrell ka ftuar palët në një takim javën e ardhshme në Bruksel, përcjell albinfo.ch.

“Duke parë situatën që po përkeqësohet çdo ditë, ne jemi në një gjendje të menaxhimit të krizave. Do t’i ftoj të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë, për një takim për menaxhim krize këtu në Bruksel javën e ardhshme”, deklaroi Borrell.