Koronavirusi: çast pas çasti

Kur do të përfundojë COVID-19: Efekti i vaksinës kundër virusit SARS-CoV-2

Dr. Fatime Imeri Berisha, eksperte e mikrobiologjisë nga Cyrihu, këtë artikull e ka shkruar ekskluzivisht për albinfo.ch.

Pandemia COVID-19

Pandemia shpallet nga OBSH-ja në bazë të kritereve të cilat janë aktualizuar vite më parë. Ajo që e dallon pandeminë e COVID-19 nga pandemitë tjera në të kaluarën, janë masat rigoroze (“lockdown”, karantina), të cilat i kanë ndërmarrë qeveritë e shumë shteteve.  Kjo, për faktin se në fillim ka pasur skenarë të frikshëm, të bazuar në të dhëna të pakta shkencore dhe statistikore, se virusi  përhapet shumë shpejtë dhe ka shkallë të lartë të komplikimeve dhe mortalitetit. Si pasojë,  spitalet nuk do të kishin mundur të përballonin fluksin e madh të pacientëve dhe numri i të vdekurve do të ishte shumë i lartë.  Në ndërkohë,  këto teori dhe prognoza pjesërisht janë korrigjuar.

Sipas OBSH-së, mortaliteti nga COVID-19 sillet nga 0.1% deri në 25% dhe dallon shumë nga shteti në shtet.

Fakt është, që shkalla e vdekshmërisë në shumicën e vendeve  është më e ulët krahasuar me prognozat në fillim të 2020, por është ende më e lartë se ajo e gripit sezonal.

Gjithashtu sot dihet, që mortaliteti  te njerëzit e moshuar (> 65 vjeç) është më i lartë dhe atë jo për shkak të moshës së tyre.  Arsyeja është se ata kanë më shpesh sëmundje kronike të cilat e shtojnë rrezikun për komplikime të gjendjes klinike  dhe që mund të përfundojnë me vdekje.

Kur do të zhduket COVID-19

Askush deri  më tash nuk ka mundur të japë deklaratë të bazuar dhe të saktë shkencore, nëse dhe kur do të largohet COVID-19.

Janë disa aspekte të rëndësishme , të cilat do të kontribojnë në këtë drejtim  dhe që me gjasë nuk do të realizohen të gjitha:

  • Mënyra më e shpejtë do të ishte një vaksinë efikase dhe vaksinimi i mbi 90% të njerëzve.

Lajmet  e fundit të këtyre ditëve janë shpresëdhënëse se vaksina do të jetë e gatshme vitin e ardhshëm. Ende duhet të presim për t`u testuar efikasiteti dhe efektet anësore të saj.

  • Terapia adekuate që do të zvogëlonte komplikimet dhe mortalitetin. Kjo do ta bënte COVID-19 një “sëmundje të zakonshme” si shumë sëmundje tjera, me të cilat njerëzimi jeton  me  qindra vite.
  • Imuniteti te ata që e kanë kaluar sëmundjen, mirëpo në bazë të të dhënave dhe publikimeve të deritashme ky nuk zgjat më shumë se tre muaj.
  • Zvogëlimi i virulencës apo agresivitetit të virusit për shkak të mutacioneve që do të pësonte dhe që tash për tash është shumë pak e besueshme.

Pra, në bazë të argumenteve dhe informative të deritashme, vaksina dhe terapia  efikase do të jenë mënyrat më të mira afatgjate për zhdukjen e virusit ose edhe vetëm për  uljen e shkallës së komplikimeve  dhe të nivelit të mortalitetit. Nëse testimet e vaksinës  përfundojnë së shpejti, ajo do të jetë në dispozicion vitin e ardhshëm.

Ndërkaq, derisa të fillojë aplikimi i vaksinës, duhet t`iu përmbahemi rregullave siç janë distanca fizike, vënia e maskës dhe higjiena e shtuar.

Për fund: njerëzimi ka përjetuar shumë pandemi dhe të gjitha i ka mbijetuar; në mes tjerash edhe pandeminë e gripit spanjoll (1918-1920) me 500 milionë të infektuar dhe 20-50 milionë të vdekur.

Edhe pandemia e COVID-19, e cila deri më sot ka shënuar përafërsisht 54 milionë të infektuar dhe 1.3 milionë të vdekur , do të kalojë!

Dr. Fatime Imeri Berisha është eksperte e mikrobiologjisë, pronare dhe drejtuse e disa qendrave laboratorike në Zvicër.