Literaturë

Librat e vitit 2021, që ju ndihmojnë në fushën e biznesit

Kësaj radhe po ua sugjerojmë disa libra që u vijnë në ndihmë sipërmarrësve për të tejkaluar vështirësitë, për të arritur rezultate maksimale dhe rrjedhimisht për të jetuar në harmoni

Sfidat e tregut, konkurrenca, avancimi i teknologjive bëjnë që liderët dhe menaxherët të lexojnë më shumë në mënyrë që të mësojnë se si t’i menaxhojnë ato.

“Pengesa është rrugëdalja”, Rayn Holiday

Kreativiteti është një prej gjërave që na veçon. Ai nuk është një gjë e lindur, siç është menduar rëndom deri më tani, por atë mund ta nxjerrim brenda vetes përmes teknikash dhe mënyrash të reja. Ne mund ta gjenerojmë kreativitetin brenda nesh, përmes një shtegtimi dhe kërkimi të pareshtur. Këtë gjë na mëson Ryan me librin e tij.

“Loja e pafundme”, Simon Sinek

Jeta është një lojë e pafundme. Ndërsa, futbolli është një lojë e fundme, që ka një rezultat dhe një fitues dhe një humbës. Na ndodh që mund të humbasim; të goditemi rëndë nga një situatë; – ashtu siç edhe po përballemi me pandeminë, por ky është një moment dhe nuk është vetë jeta jonë. E nesërmja sjell gjëra të tjera, të cilat mund të jenë, ose, pse jo, do të jenë më të mira. Këtë lojë na e mëson edhe Simon Sinek në këtë libër, të cilin ne e kemi rekomanduar për të qenë pjesë e leximeve për biznesin gjatë vitit 2021.

“21 ligjet e padiskutueshme të lidershipit” John C. Maxwell

Drejtuesit dhe menaxherët e biznesit ndodhen përballë sprovave të vështira, prandaj sot është më e vështirë për të qenë lider sesa në ditë me ujëra të qeta. John Maxwell është ndër mjeshtrit më të shquar të studimit të lidershipit. Ai ka një përvojë më se 30-vjeçare në këtë fushë. Mësimet e tij kanë ndryshuar fatin e shumë individëve apo korporatave.

Në këtë libër vijnë këshilla jete përmes vëzhgimeve që autori ka bërë tek drejtues të fushave të ndryshme si biznesi, politika, sporti, lufta, ku roli i liderit mbetet përherë kyç.

“Zgjoni gjigantin e brendshëm” Anthony Robbins

Një nga gjërat më të rëndësishme në një biznes është të gjesh njerëz të motivuar. Vetëmotivimi është gjysma e arsyes për të pasur punonjës të aftë dhe biznese të suksesshme. Për këtë arsye, ne kemi përzgjedhur Anthony Robbins si një prej mjeshtërve më të shquar të disiplinës së zhvillimit personal. Pas librit “Pushtet i pakufishëm”, Robbins e ka përmirësuar formulën e tij për të ndihmuar secilin prej nesh që të çlirojmë “gjigantin” brenda nesh dhe të shpalosim potencialin tonë të plotë. Megjithëse ka shumë vite që ka dalë ky libër, sërish mbetet ndër botimet më me ndikim në fushën e zhvillimit personal.

“Të shesësh gjithçka” Brad Stone

Kur miliona biznese në gjithë botën u groposen gjatë pandemisë, Amazon doli më “i përbindshëm” se kurrë, duke arritur rekorde historike. Falë situatave që krijoi pandemia, kompania e Jeff Bezos arriti në nivelin e triliarda dollarëve. Shumëkush ka ç’të mësojë në këtë biografi të dyfishtë të vetë Bezos dhe të Amazonit. Këtu ka të dhëna jo vetëm për mënyrën sesi funksionon e-commerce, por edhe sesi sfidohen problemet, si sillesh me konkurrentët apo si ndërton një kompani ku klienti është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër./Albinfo.ch