Shqiptarët që ndajnë drejtësinë në Zvicër

Me Cyrihun nis rrjetëzimi i juristëve shqiptarë të Zvicrës

Ka nisur të premten në Cyrih projekti i Ministrisë së Diasporës për rrjetëzimin e juristëve shqiptarë, të cilët jetojnë dhe veprojnë në Zvicër

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

Takimi i parë për rrjetëzimin e juristëve shqiptarë është mbajtur në Qendrën Kulturore të Kosovës në Cyrih, në të cilin morën pjesë edhe dy konsujt e Kosovës, Sali Sefa dhe Islam Spahiu, ndërsa nga Kosova kishin ardhur zyrtarë të lartë nga Ministria e Diasporës, Mentor Borovci, drejtor i Departamentit Ligjor dhe Shyhrete Gosalci, zyrtare ligjore.

Si nikoqire e këtij takimi, u.d. i drejtoreshës së Qendrës Kulturore ka përshëndetur juristët e mbledhur, ndërsa konsulli kosovar në Cyrih, Sali Sefa, tha se rrjeti i juristëve në themelim do t’i duhet shumë edhe Konsullatës në Cyrih, për shkak të këkesave të shumta të qytetarëve të Kosovës për shërbime juridike.

“Konsullata e Kosovës do të ketë ku t’i orientojë qytetarët, do të ketë një adresë”, tha diplomati Sefa.

Mentor Borovci, drejtor i Departamentit Ligjor në Ministrinë e Diasporës, tha se objektivat e këtij projekti dalin nga Strategjia për Diasporën dhe Mërgata 2013-2018.

Ai në vazhdim ka prezantuar objektivat strategjike të Ministrisë së Diasporës, ndërsa ka thënë se krijimi i rrjetit të juristëve konsiderohet si projekt mjaft i rëndësishëm, ngase ky mekanizëm do të mund t’i ndihmojë misioneve diplomatike kosovare, po edhe institucioneve në Kosovë.

Për projektin e rrjetëzimit ka folur Shyhrete Gosalci. Ajo tha se qëllimi i këtij projekti konsiston në identifikimin e juristëve profesionistë në Zvicër.

Pastaj me këtë projekt mëtojnë vendosjen e mekanizmit të bashkëpunimit ndërmjet rrjeteve të juristëve në nivel të shteteve, ku ato tashmë janë themeluar.

Po ashtu Gosalci tha se me rrjetëzimin synojnë njohjen e sistemit juridik të shteteve përkatëse, ku jeton dhe vepron diaspora, me qëllim të lehtësimit të integrimit të tyre.

Trjetëzimi i juristëve është mirëpritur nga juristët shqiptarë në Cyrih, me të cilët u diskutua rreth fushave ku ata mund të kontribuojnë me fuqizimin dhe implementimin e këtij projekti.

Teuta Imeraj, juriste e specializuar për tatimet në një avokaturë në Cyrih, tha se mund të kontribuojë me përvojen e saj në këtë fushë, po edhe në fusha të tjera ku kanë nevojë bashkëqytetarët e saj në Zvicër, sidomos mbi tatimin e dyfishtë.

Hanife Zenuni punon në një avkoturë tjetër në Cyrih, ku është e specializuar mbi të drejtat e punëtorëve. Ajo ka përshëndetur këtë nismë të Ministrisë së Diaasporës dhe thotë se është në interes të tyre zgjerimi i rrjetit të juristëve shqiptarë.

Ndërsa Artan Sadiku, jurist nga Lucerni, tha se tashmë ka nisur me realizimin e nismës për të krijuar një shoqatë që do të bënte bashkë juristët shqiptarë në Zvicër, e që është konsideruar si lehtësim nga zyrtarët e Ministrisë së Diasporës.

Edhe Bekim Mustafa, jurist i të drejtës juridiko-sociale dhe emigracionit në Cyrih, thotë të jetë realizuar qëllimi i parë i projektit me takimin e parë të juristëve.

„Vërehet një tendencë që do të jetë e pëlqyer nga juristët. Nuk duhet të kemi ide megalamone, por me një racionalitet dhe gatishmëri duhet t’i qasemi kësaj nisme që të jetë e suksesshme”, tha juristi Mustafa.

Edhe juristët e tjerë të pranishëm shqiptarë kanë shprehur gatishmërinë e tyre që të kontribuojnë me përvojat e tyre në shtetin helevetik që të jenë pjesë e ketij rrjeti.

Pas diskutimeve të ndryshme u formua grupi prej 6 anëtarëve, të cilët do të përbëjnë Rrjetin e juristëve shqiptarë të Zvicrës nga Cyrihu.

Anëtarë të Rrjetit të juristëve shqiptarë në Cyrih u zgjodhën: Artan Sadiku, koordinator dhe anëtarë: Bekim Mustafi, Adriana Rama, Zef Gjeloshi, Selvije Buqaj-Shehi ..

Projekti ka për qëllim të implementohet në dy faza. Faza e parë është identifikimi i juristëve shqiptarë, ndërsa faza e dytë mbajtja e konferencave nëpër vende të ndryshme dhe njohja e sistemit ligjor, për lehtësimin e integrimit të mërgimtarëve.

Deri tash Ministria e Diasporës ka themeluar rrjete të juristëve shqiptarë edhe në Austri, Gjermani dhe Suedi.

Pas Cyrihut, të shtunën vazhdon rrjetëzimi i juristëve të diasporës në Bernë. Aktiviteti do të mbahet nga ora 15 në Ambasadën e Kosovës dhe pasnesër, e diel, në orën 17.00, në lokalet e Konsullatës së përgjithshme në Gjenevë.