Lajme

Me veturat e vjetra nuk realizuan të hyra sa kishin planifikuar

Gjatë 2011-shit në Kosovë janë importuar 19 mijë e 811 vetura të përdorura dhe 1 mijë e 357 vetura të reja

Milionat e planifikuara nga Qeveria nuk kanë hyrë në arkën e buxhetit sipas planit të rritjes së të hyrave financiare nëpërmjet vendimit për importimin e veturave të vjetra deri në 13 vjet

Në kohën kur vendimi pritej të hynte në fuqi, zyrtarë të Qeverisë, duke i përfshirë edhe doganierët, patën deklaruar se nga lejimi i importimit të veturave të vjetra deri në 13 vjet, do të inkasohen afërsisht 20 milionë euro më shumë sesa të hyrat e arkëtuara gjatë vitit 2010.

Vendimi që hyri në fuqi më 1 korrik i solli Qeverisë vetëm gjysmën e të hyrave financiare të planifikuara. Janë dhjetë milionë euro më pak të arkëtuara nga i njëjti vendim, ani pse Qeveria pati planifikuar të realizonte dyfishin e kësaj vlere, shkruan Koha Ditore.

Gjatë 2011-shit në Kosovë janë importuar 19 mijë e 811 vetura të përdorura dhe 1mijë e 357 vetura të reja. Masa doganore, akciza në kufi dhe tatimi mbi vlerën e shtuar nga e njëjta sasi e veturave, Qeveria ka realizuar të hyra prej 41 milionë eurove.

Kryesisht janë të hyrat nga TVSH-ja dhe akciza në kufi e importimit të veturave të vjetra ato që kanë ngritur nivelin e të hyrave të përgjithshme të realizuara gjatë vitit 2011.

Sipas tabelave zyrtare të Doganave të Kosovës, vlera financiare e arkëtuar nga TVSH-ja në importimin e veturave të vjetra kalon mbi 15 milionë euro, derisa vlera e të hyrave nga akciza në veturat e vjetra gjatë vitit që lamë pas arriti në mbi 12 milionë euro.

Për veturat e vjetra në maksimumin e lejuar nga vendimi Qeveria obligon qytetarët të paguajnë akcizë prej 1 mijë e 100 eurove për copë, derisa në veturat e reja nuk aplikohet fare akcizë.

Sipas planit Qeveritar, të hyrat totale që pritej të realizoheshin nga vendimi për importimin e veturave 13 vjet të vjetra arrinin vlerën prej mbi 52 milionë eurove.

Gjatë 2010-shit,  janë importuar gjithsej 12 mijë e 465 vetura të përdorura dhe 1 mijë e 108 vetura të reja. Në po të njëjtit vit kur edhe vlente vendimi për ndalimin e importimit të veturave më të vjetra se 8 vjet që daton nga 2005-a, ishin arkëtuar gjithsej 30 milionë euro. /albinfo.ch&KD/