Shqipëria

Shqipëri: Turizmi ‘mposhti’ pandeminë

Turizmi arriti të mposhtë efektin e pandemisë në vitin 2021 duke u afruar në shifra me vitin më të mirë historik që ishte 2019.

Tur-operatorët dhe njohës të sektorit vlerësojnë se kjo rritje lidhet me politikën e dyerve të hapura, ku për turistët nuk u vendos asnjë kufizim. Tek turizmi i organizuar, ajo që ra në sy ishte rritja e interesit të polakëve, bjellorusëve dhe ukrainasve, ndërkohë që italianët, gjermanët dhe francezët erdhën në mënyrë individuale, të pavarur.

Risia e sezonit ishte tregu nga Lindja e Mesme që shfaq potencial në rritje, por Shqipëria nuk ka ende gati shërbimet për këtë segment. Sezoni këtë vit vuajti nga probleme të mungesës së kapaciteteve akomoduese, kaosit të trafikut dhe menaxhimit të mbetjeve. Për vitin e ardhshëm janë mbyllur kontratat dhe pritet që të ketë ndër të tjera, rikthimin e nordikëve, shkruan monitor, transmeton Albinfo.ch.

Shqipëria mirëpriti deri në fund të shtatorit 4.9 milionë shtetas të huaj, ku peshën kryesore e kanë mbajtur muajt e verës. Krahasuar me vitin 2019, i cili është edhe viti më i mirë historik i turizmit, shifra e 9-mujorit 2021 është 10.7% më pak teksa për gushtin kjo diferencë ishte vetëm 1.3% duke treguar qartësisht rikuperim të turizmit në vitin e parë post-pandemik.

Tur-operatoët po shpresonin që më 2021 të kishim një vit më të mirë turistik, për shkak të ecurisë së vaksinimit, rënies së numrit të infektimeve, lehtësimit të kufizimeve, por ky vit ka rezultuar edhe më pozitiv sesa pritshmëritë. Rrahman Kasa, nga Unioni Turistik Shqiptar, shprehet se shumica e strukturave akomoduese në vijën bregdetare ishin të rezervuara gjatë tre muajve të verës.

Shqipëria u deklarua si një vend COVID-Free duke mos vënë kufizime për të gjithë ata që donin ta vizitonin. Zak Topuzi nga Shoqata e Hotelierëve gjykon se ky ka qenë një nga faktorët i cili ka ndikuar në bilancin pozitiv.

“Arsyeja kryesore që ka nxitur rritjen e numrit të turistëve të huaj, lidhet me faktin që Shqipëria aplikoi një politikë të dyerve të hapura ‘Covid Free’ gjatë vitit 2021 për të gjithë ata që donin ta vizitonin, ndërkohë që bota u mbyll dhe vendet e BE-së vendosën rregulla shtesë për hyrjen apo daljet në vendet e tyre, duke kaluar deri në masa ekstreme si karantinim të detyrueshëm në kthim”, shprehet Topuzi.

Turizmi patriotik mbizotëron sërish, Kosova mban 50% të hyrjeve

Turizmi u gjunjëzua në vitin 2020 nga pandemia me një rënie të dukshme të të ardhurave në sektor. Numri i turistëve pësoi tkurrje të dukshme, hotelet ulën çmimet dhe sytë u kthyen tek turizmi patriotik si shpresa e vetme e mbijetesës.

Dhe ashtu ndodhi, turizmi mbarëshqiptar dominoi ku shqiptarët e Kosovës, diaspora si dhe flukset nga Maqedonia e Veriut, përveç turizmit të brendshëm, mbajtën në këmbë sektorin. Në vitin 2021, mbështetja e turizmit patriotik ishte edhe më e madhe.

“Vendin e parë, pa dyshim, e zë turizmi patriotik me shqiptarët e Kosovës së pari dhe ata nga Maqedonia e Veriut së dyti. Duhet thënë që rajoni në tërësi ka shfaqur interes për Shqipërinë dhe në këtë grup bëjnë pjesë edhe serbët, numri i të cilëve ishte me një rritje të dukshme në raport me një vit më parë. Sigurisht dominon pjesa e atyre që vijnë të paorganizuar, me makinat e tyre, me autobusë apo avion, pa pasur agjenci që i koordinon”, pohon Rrahman Kasa nga Unioni Turistik Shqiptar.

Shifrat zyrtare të Institutit të Statistikave lidhur me lëvizjen e shtetasve deri në muajin gusht tregojnë se në periudhën 9-mujore hyrjet nga Kosova përbënë 49% të të gjithë fluksit turistik të vendit, nga 37% në vitin 2019.

Mbi 2.3 milionë shtetas nga Kosova vizituan Shqipërinë nga janari deri në fund të shtatorit 2021, me një rritje 18% në raport me vitin normal 2019. Kjo rritje ka kompensuar disi rënien nga vende të tjera, kryesisht nga BE që kishin vizituar vendin tonë më 2019.

Maqedonia e Veriut ishte vendi i dytë pas Kosovës me prurjet e larta turistike në Shqipëri. Gjatë 9-mujorit 2021, vendin e vizituan 468 mijë shtetas nga Maqedonia kryesisht shqiptarë të trojeve, por numri i tyre ishte me rënie në krahasim me vitin 2019 me rreth 27%.

“Lëvizjet më të mëdha u regjistruan në muajt korrik-gusht me rreth 61% e hyrjeve totale, duke përcaktuar si faktor kryesor turizmin e detit dhe rërës. Shifrat tregojnë se 65% e turistëve të ardhur në Shqipëri, i përkasin turizmit rajonal dhe atij patriotik. Peshën kryesore e ka mbajtur përsëri Kosova, me rreth 50% të numrit të turistëve”, nënvizon Zak Topuzi.