Kosova
Shtypi gjerman mbi Kosovën: “Problematiku quhet Vuçiq”
Duket se kërkimet për sfondin e shkallëzimit të rrezikshëm të situatës në veri të Kosovës vazhdojnë, ndërkohë zhvillimet e fundit në rajon janë vendosur në fokus të mediave gjermane, përcjell albinfo.ch.
Gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” analizon gjakderdhjen në veri të Kosovës, në një analizë të Michael Martens me titull “Vuçiq hedh poshtë pjesëmarrjen e Serbisë në trazira”. “Versioni i Vuçiqit, që shteti serb nuk ka të bëjë asgjë me trazirat bie ndesh me faktin që autorët ishin të armatosur rëndë dhe të mirorganizuar. Ata kishin madje edhe një automjet të blinduar. Tek këto nuk kanë qasje civilët në Kosovë, në një kohë që në veri vija e strukturave kriminale dhe shtetërore është shumë e lëvizshme. Që kjo po i bëhet gjithnjë e më e qartë edhe botës jashtë, duket në prononcimin e të ngarkuarit të BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, që bëri të ditur në platformën X se BE e dënon “sulmin e neveritshëm kundër efektivëve të policisë ashpërsisht”.
Kurse gazeta “taz” nën titullin “Problematiku quhet Vuçiq”, boton një koment të Erich Rathfelder për shkallëzimin e situatës në Kosovë, në të cilin theksohet se “Serbia edhe një herë e ashpërson gjendjen në Ballkan, në Kosovë. “Njeriu problematik i vërtetë quhet Aleksandar Vuçiq dhe është presidenti serb. Ai ndjek pa mëshirë qëllimet e veta, pa gatishmëri për kompromis. Për të do të thotë dobësi pranimi i kompromisit. Ai nuk do të kuptojë se po dështon strategjia e tij, të arrijë të ketë Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë, por të mos e njohë Kosovën.[…] Vuçiq di të ushtrojë durim dhe i shikon diplomatët e Europës si idiotë të vlefshëm, që mund t’i mbajë varur deri sa të jetë e vendosur lufta e Ukrainës. Fiton Rusia, fiton edhe ai në Kosovë”.
“Nuk kemi vetëm një krizë politike, por edhe një krizë sigurie”
Më tej “taz” ka publikuar edhe një intervistë të martën mbi zhvillimet në Kosovë me politologun Vedran Džihić nga Instituti për Politikën Ndërkombëtare në Vjenë, i cili kërkon që Perëndimi të ndalë politikën e durimit kundrejt Serbisë. “Një shkëndijë dhe kontrolli humb”, thekson Vedran Džihić, duke iu referuar tensioneve të larta mes Kosovës e Serbisë, që janë më të lartat në 20 vjetët e fundit. “Do të jetë e nevojshme edhe një rritje e prezencës së trupave të KFOR-it. Ne nuk kemi vetëm një krizë politike, por edhe një krizë sigurie. Kufijtë duhet të forcohen dhe të mbikëqyren më intensivisht grupet kriminale”.
Edhe gazeta zvicernane “Neue Zürcher Zeitung” u kushton vëmendje zhvillimeve në Kosovë. “Brukseli dhe kryeqytetet e tjera duhet t’ia bëjnë shumë shpejt të qartë Beogradit dhe Prishtinës se çfarë duhet të bëjnë. Në të vërtetë, ata e dinë. Sepse për pikat themelore për përmirësimin e marrëdhënieve kanë rënë dakord të dyja palët dy herë […] Brukseli dhe BE duhet me të gjitha mjetet diplomatike dhe ato të presionit financiar të bëjnë që palët t’i zbatojnë premtimet e marra. Kosova ndërkohë është nën sanksione. Nëse Beogradi nuk e ndryshon qëndrimin e tij, ka ardhur kohë për masa ndëshkuese edhe kundër Serbisë. Shumë e dhimbshme do të ishte shfuqizimi i liberalizimit të vizave (në rast të Kosovës, mosheqja e tyre).
BE nuk ka vetëm shkopin në dorë, por edhe karotën: Ndihma e shpejtë për projekte infrastrukturore dhe një konferencë donatorësh janë shpërblime që u duhen të dyja palëve. Tani kërkohet ritëm. BE ka humbur shumë kohë në Ballkan. Nuk ka më shumë kohë pas ndryshimit të situatës strategjike. Para neoimperializmit rus dhe sfidës së Kinës, BE ka trumbetuar se do të mësojë gjuhën e pushtetit. Tani BE duhet ta shqiptojë atë.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Gjermani
LAPSH Bavari organizon seminar për mësuesit shqiptarë, në fokus cilësia e mësimit në diasporë Trajnimi në Dachau mblodhi mësues, përfaqësues institucionesh dhe ekspertë të arsimit, me synim forcimin e mësimdhënies... -
Gjermani
Artistja kosovare Albe Hamiti përfaqëson Kosovën në bienalen prestigjioze Manifesta 16 në Gjermani -
Itali
Studentja nga Kosova fiton vendin e parë në një garë prestigjioze të modës në Itali -
Gjermani
Talenti shqiptar në Gjermani që firmosi kontratë me Adidas -
Artisti shqiptar nga Kanadaja, Zeqirija Rexhepi, hap ekspozitë në Berat
Jeta në Zvicër
-
Stuhia “paralizon” Aeroportin e Cyrihut, anulohen 70 fluturime Moti i keq shkaktoi devijime, anulime dhe vonesa të shumta, ndërsa dhjetëra pasagjerë mbetën të bllokuar... -
Një tjetër valë stuhish godet Zvicrën, autoritetet paralajmërojnë për përmbytje dhe breshër -
Stuhi të fuqishme godasin Zvicrën: Rrugë të përmbytura, fluturime të anuluara dhe qindra ndërhyrje të zjarrfikësve -
Një stuhi e fortë goditi Cyrihun dhe pjesë të tjera të Zvicrës -
Zvicra regjistron qershorin e tretë më të nxehtë











