Kosova

Sveçla: Pjesë e tentimit për aneksim të veriut të Kosovës ishte Aleksandër Vuçiq

Në një konferencë për media të mbajtur në Mitrovicë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka paraqitur dëshmi të reja, se në sulmin e 24 shtatorit janë përfshirë strukturat e shtetit serb.

Sipas tij, pjesë e tentimit për aneksim të veriut të Kosovës ishte presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq dhe shefi i komandës së ushtrisë së Serbisë, Milan Misoloviq.

“Në këtë tentim aneksimi të veriut të Kosovës janë angazhuar drejtpërsëdrejti presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq dhe shefi i komandës së ushtrisë së Serbisë, Milan Misoloviq”.“Pamjet që do t’i publikojmë janë dëshmi e gjallë e angazhimit të strukturave ushtarake dhe shtetërore në këtë organizim. Dje dhe sot ne kemi gjetur sasi të tjera të armatimit në zonën ku vazhdon operacioni”, tha Sveçla.

Ndërsa drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, tha se në bazë të hetimeve, vërtetohet se grupi terrorist ka zhvilluar përgatitje të vazhdueshme.Madje sipas tij, përgatitjet për sulmin terrorist u bën katër ditë më parë.

“Me datë 20.09.2023 në bazë të pamjeve shihet se është bërë përgatitja për sulmin i cili do të ndodhte vetëm katër ditë më vonë ndaj Policisë së Kosovës dhe shtetit të Kosovës”, tha Hoxha.