Kosova

Sveçla takon Drejtorin e Zyrës për Migrim në Bruksel, diskutojnë për vizat

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka takuar Drejtorin e Zyrës për Migrim nga Mbretëria e Belgjikës, Freddy Roosemont dhe ambasadorin e Belgjikës, Gregoire Cuvelier, me të cilët biseduan për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës që hyn në fuqi nga data 1 janar 2024.

“Roosemont përgëzoi qytetarët e Republikës së Kosovës që nga data 1 janar do të lëvizin pa viza drejt Belgjikës dhe shteteve të Bashkimit Evropian dhe theksoi që kjo do të jetë një mundësi e mirë për zhvillim ekonomik dhe thellim të lidhjeve mes shteteve dhe qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Tutje bëhet e ditur se Sveçla ka falënderuar Roosemont për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Belgjikës për Republikën e Kosovës dhe shprehu gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit edhe në fusha të tjera.

Ata diskutuan edhe për “sfidën e menaxhimit të migrimit të parregullt, me ç’rast ministri njoftoi delegacionin që institucionet e Republikës së Kosovës janë të angazhuara maksimalisht në luftimin e këtij fenomeni, duke përfshirë edhe rregullativën ligjore për menaxhimin me migrantë”.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka filluar tashmë fushatën njoftuese në të gjitha komunat dhe për të gjithë qytetarët mbi procedurat dhe kriteret e lëvizjes së lirë nga data 1 janar 2024, përcjell albinfo.ch.