Ky është Ilir Morina, djaloshi që ka vizituar 201 shtete të botës  

I lindur dhe rritur në Gjermani, Ilir Morina një ditë vendosi që ëndrrën e tij për ta parë botën ta bënte realitet. E gjithë kjo, falë inspirimit që mori nga të dy prindërit qëkur ishte fëmijë. I rritur me tregime rreth kulturave të ndryshme, Iliri mendonte se si një ditë do t`i vizitonte të gjitha shtetet e botës…

Albinfo.ch: Ilir, a na flisni pak për veten. Cilat kanë qenë angazhimet tuaja para se të nisnit rrugëtimin nëpër botë?

I.Morina: Jam i lindur dhe rritur në Gjermani, me origjinë nga Kosova. Me profesion jam ekonomist i diplomuar, ushtar, fotograf, dhe biznesmen. Menjëherë pas përfundimit të studimeve, në vitin 2004 isha fillimisht i angazhuar si ushtar i KFOR-it Gjerman me dy misione në një periudhë kohore prej 3 vite e gjysmë. Pata fatin që gjatë kësaj kohe të shërbeja edhe në vendin tim, në Kosovën e pasluftës. Isha në qytetin e Prizrenit, në disa divizione, mirëpo kryesisht të shërbimit sekret dhe inteligjent të NATO-s.

Pas këtij angazhimi, u ktheva prapë në Evropë, u zhvendosa në Austri ku fillova të punoj si udhëheqës i kompanive të sigurimit për një periudhë kohore prej 18 muajsh. Pasi mësova më mirë këtë profesion u zgjerova pastaj edhe në Zvicër ku personalisht ofroja mbrojtje për klientë privat në ngjarje shumë të rëndësishme. Nga viti 2010 deri në 2011 vura themelet e kompanisë në Hamburg së bashku me një shok si partner biznesi dhe pas arritjes së një suksesi të madh, vendosa që t’i shes përqindjet e mia në kompani dhe të filloj diçka të re në jetë.

Në vitin 2017 themelova organizatën humanitare Children’s Care Initiative në Damask, Siri gjatë qëndrimit prej 3 muaj e gjysmë atje. Kjo organizatë u themelua si përgjigje e nevojave të ndihmës së fëmijëve në vende të luftës si Siri, por pastaj u zgjerua edhe në Afganistan dhe në disa shtete në Afrikë. Ndërsa, si angazhim profesional gjithashtu udhëheq kompaninë e udhëtimeve MorinasWorld Travel&Tours me seli në disa vende te botës e cila është e pa konkurrencë në gamën e zgjedhjes së destinacioneve sepse nuk ka asnjë destinacion që nuk e ofrojmë për të vizituar.

Tani jetoj në Prishtinë në mes të ekspeditave të mia ndërsa angazhimet e mia tani vazhdojnë të ndërlidhen me pasionin tim për udhëtimet.

Albinfo.ch: Si lindi pasioni për të udhëtuar?

I.Morina: Nëna ime, Gonxhe Qaushi Morina, ishte këngëtare e muzikës folklorike gjatë viteve `70 dhe qysh në moshën 20 vjeçare ajo pati rastin të udhëtonte për të dhënë koncerte me muzikë shqiptare në shumë vende të botës. Ajo udhëtoi në më shumë se 20 shtete të botës, së bashku me SHKA “Hajdar Dushi”.

Në anën tjetër, babai im Rafet Morina kishte një pasion të jashtëzakonshëm për histori dhe gjeografi. Unë u rrita pranë tij duke dëgjuar vazhdimisht histori për situatën në Ballkan dhe për guximin e tij që të shpërngulet për një jetë më të mirë në Gjermani. Kështu vazhdova edhe vet pastaj interesin duke lexuar vazhdimisht libra për udhëtime.

Albinfo.ch: Ilir, a na tregoni sa shtete i keni vizituar dhe sa kohë u është dashur ta realizoni qëllimin tuaj? 

I.Morina: Në verën e vitit 2011, ndërsa jetoja dhe punoja për disa vite në Austri dhe Zvicër, vendosa të lë gjithçka dhe të udhëtoj nëpër botë. Kështu që shita biznesin tim dhe mora biletën me një drejtim, për në Azi. Synimi im ishte të përfundoja në një periudhë 10-vjeçare vizitën e gjithsej 201 vendeve. Megjithatë, kriza botërore e Covid-19 bllokoi botën dhe e bëri shumë të vështirë udhëtimin për një kohë të gjatë. Gjithsesi edhe në këto rrethana unë fillova dalëngadalë të udhëtoj sërish qysh në qershor të vitit 2020, me destinacionet që ishin ende të hapura për të udhëtuar. Sot, me krenari mund të them se misioni nuk u zgjat më shumë se sa kisha planifikuar dhe u bënë gjithsej 11 vjet e gjysmë për të shënuar si mision i përfunduar i vizitave të 201 shteteve në botë.

Albinfo.ch: Sigurisht që për të udhëtuar botën duhet një strategji. Cilat përgatitje i keni bërë zakonisht dhe cilat mjete transporti i keni përdorur për të arritur në pikat tuaja? 

I.Morina: Planifikimi dhe përgatitjet për udhëtimet dallojnë varësisht nga destinacioni. Mirëpo, udhëtimi për mua fillon qysh nga faza e eksplorimit online për gjetjen e biletave dhe planit ditor se çfarë dua të shoh. Gjithsesi, disa pjesë burokratike si sigurimi i vizave edhe pse posedoj pasaportë gjermane janë jo shumë të këndshme, mirëpo me një planifikim të duhur me kohë përpara, ndonjëherë me muaj, edhe këto vështirësi tejkalohen lehtësisht. Për më tepër, tani që kam prekur çdo kënd të botës, kam krijuar burime të reja me njohjen e personave të ndryshëm në çdo vend që dua të shkoj prapë, të cilët më ndihmojnë jashtëzakonisht shumë.

Në këtë pikëpamje të logjistikës, planifikimit, organizimit, vizave mund të them që më së shumti kam hasur në vështirësi në Pacifik dhe në Afrikën Perëndimore.

Kam përdorur të gjitha llojet e transporteve: aeroplan, tren dhe anije. Por, edhe transport rrugor me makina të ndryshme, vetura, autobus, biçikletë, minikombi, etj. në vendet ku ende nuk është i zhvilluar transporti hekurudhor. Ndonjëherë kam udhëtuar edhe me autostop ose vetëm duke ecur me kilometra.

Albinfo.ch: Dihet se në udhëtime shpenzohet shumë. Si e keni menaxhuar financiarisht rrugëtimin në 201 shtete?

I.Morina: Shumë punë, kursime, dhe risqe të ndryshme në investime janë tri nga elementet bazë të qasjes time financiare. Fillimisht, misionet e para ushtarake si ushtar i KFOR-it më sollën të ardhura të mira. Nga periudha e qëndrimit dhe angazhimit tim në Austri dhe Zvicër arrita të kursej që të investoj në patundshmëri, si dhe sigurisht shitja e biznesit në vitin 2011. Përgjatë 4,222 ditëve të mia të udhëtimeve unë kisha 5 apartamente me qira të cilat më siguronin të ardhura bazike për çdo muaj, dhe të gjitha mund t`i koordinoja nga distanca.

Një lehtësim kohë pas kohe ishte edhe “couch surfing” i cili është një shërbim shkëmbimi mikpritjeje me anë të të cilit përdoruesit mund të kërkojnë strehim në shtëpi ose të ndërveprojnë me njerëz të tjerë që janë të interesuar për udhëtime. Kjo më mundësoi që të takoj familje të mrekullueshme në botë, të cilat më mirëpritën dhe lejuan që të flija në shtëpitë e tyre pa pagesë.

Albinfo.ch: Gjatë eksperiencës suaj në 11 vite rrugëtim, sigurisht keni hasur në sfida të ndryshme. Mund të ndash ndonjërën prej tyre me ne?

I.Morina: Nga pamjet e fotografive të mia në mediat e mia sociale, në shumicën e rasteve, gjithçka duket e mrekullueshme, por ka shumë herë që jam përballur me situata afër vdekjes dhe përvoja të tjera shumë sfiduese. Këtu janë disa që do të doja të ndaja sot.

Edhe pse Siria bën pjesë në top 5 vendet me të cilat u ndjeva më i lidhur, jeta ime gjatë vizitës sime atje në vitin 2017 ishte me shumë sfida. Unë qëndrova atje më shumë se 3 muaj duke jetuar në lagjen hebreje në Damask. Bombardimet e përditshme dhe të shtënat në sfond ishin një gjë e vazhdueshme. Edhe sot e kësaj dite nuk mund t’i harroj trupat e pajetë që u vranë me elektroshok dhe më vonë u hodhën në tokë si ushqim për qentë e uritur. Ose edhe më keq fëmijët e vegjël që u sulmuan nga dronët fantazmë DJI të modifikuar nga ISIS dhe Al Nusra për të hedhur bomba në qytete si Deir Ezzor dhe Al Mayadin. Megjithatë, pavarësisht rrethanave, lëviza me kujdes dhe arrita të vizitoj vende dhe qytete që janë të paarritshëm për shumicën e njerëzve në botë.

Albinfo.ch: Ilir, nga gjithë ato vende që keni parë, a ka ndonjë shtet për të cilin keni thënë se “këtu do mund të jetoja“? 

I.Morina: Qysh nga fillimi i këtij misioni unë ia vura qëllim vetes vetëm eksplorimin e botës dhe që kurdoherë që do të përfundoj atë do të kthehem në shtëpi, aty ku janë më të dashurit e mi.

Shumica e vendeve të bukura që i shohim në mediat sociale kanë edhe anët e tyre negative. Si p.sh. mungesa e sigurisë, praktikimi strikt i religjioneve etj.

Por, për t`ju përgjigjur pyetjes mund të vlerësoj top tri shtete varësisht nëse je njeri familjar: Zvicër, Kosovë ose Shqipëri dhe nëse je beqar: Siri, Kosovë dhe Indonezi.

Albinfo.ch: Në fotografitë tuaja shpesh shohim flamurin e Kosovës dhe të Shqipërisë. Cila është arsyeja?

I.Morina: Unë deri në kocka jam shqiptar edhe pse jam i lindur dhe rritur në Gjermani. I jam falënderues shtetit gjerman për çdo gjë që më ka ofruar në edukim, shëndetësi, kulturë dhe benefite të tjera. Mirëpo, unë jam rritur në një familje shqiptare dhe me prindër të cilët na kanë edukuar me gjuhën shqipe, tradita dhe kulturë shqiptare. Prandaj, unë qysh nga viti 2018 tani jetoj në Kosovë, për të plotësuar edhe njërën nga ëndrrat e babit tim i cili u largua në mërgim me shpresë që një ditë fëmijët e tij të kthehen dhe të kontribuojnë për vendin e tyre me njohuritë e fituara në Gjermani. Edhe pse tani qe 15 vite ne kemi flamurin e Kosovës si shtet i pavarur, unë e përdor çdo herë në prapavijë të fotografive të mia në vizita në botë edhe flamurin e Shqipërisë sepse ashtu ndihem sepse jam rritur me atë simbol dhe dua t`i promovoj dy shtetet si një. Gjatë rrugëtimit tim unë në çdo bisedë dhe takim me njerëz të rinj shërbej si zë i fuqishëm për të promovuar të mirat dhe bukuritë që ka si Kosova ashtu dhe Shqipëria.

Albinfo.ch: Ilir, udhëtimin rreth botës e keni përfunduar. Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

I.Morina: Tani që kam përfunduar botën po e shijoj këtë kohë shumë, sepse gjatë rrugëtimit unë vazhdimisht i kam pasur sytë në target dhe tani që kjo kohë erdhi jam me të vërtetë i lumtur dhe krenar që ia dola t’i tejkaloj të gjitha barrierat. Objektivat e radhës janë poli jugor dhe verior. Gjithashtu mali Everest është një nga ëndrrat e mia të fëmijërisë. Bonus shtesë për të përfunduar botën për herë të dytë, pasi kam tashmë 172 vende që i kam vizituar sërish për herë të dytë.

Por mbi të gjitha, planet kryesore aktuale janë fokusi im i pakusht me kompaninë time të udhëtimeve Morinasworld Travel & Tours dhe organizatën time Children’s Care Initiative CCI. Janë disa projekte të tjera që janë tani në planifikim, por nuk mund të flas më shumë për momentin.

Nuk  mund të harroj pa përmendur se ky pasion për udhëtimet është i vështirë për t’i dhënë fund, edhe pse ia arrita qëllimit. Prandaj, kam gjetur kompaninë time të udhëtimit MorinasWorld Travel & Tours për t’ju ndihmuar të zbuloni botën dhe të krijoni kujtime të qëndrueshme. Sidomos, për qytetarët e Kosovës dhe më gjerë, të cilët tash e sa vite kanë destinacione të kufizuara udhëtimi për të eksploruar. 

Hollësi rreth shteteve dhe territoreve që ka vizituar Iliri

Për kureshtarët e udhëtimeve, më poshtë janë disa informacione rreth vendeve dhe territoreve të mia që kam arritur t’i vizitoj. 

  • Shtetet e OKB-së: Prej 193/193, i kam përfunduar të gjitha. 
  • Shtetet e FIFA-s: Prej 211/211, i kam përfunduar të gjitha 
  • OKB+ Shtetet dhe territore: 243 nga 266 dhe TCC: 291 nga 330. 

Kam qëndruar 19 muaj pa u kthyer në Europë në Amerikën Jugore, 6 muaj ne Amerikën Qendrore, dhe 2 vite e 6 muaj në Azi. Kam vizituar 5 herë shtetet si Brazil, Argjentina, Bolivia, Kili, Venezuela, Kolumbia etj.  

 

Qielli është i vetmi limit për astronomen shqiptare

Talenti dhe gjeniu i njeriut mund të shprehet shpeshherë edhe përballë diçkaje të pazakontë, siç është fusha e astronomisë. Mjafton dëshira dhe vullneti për të arritur realizimin e ëndrrave, në destinacionin e duhur. E kush më mirë mund të na vërtetojë këtë se sa Pranvera Hyseni, astronome shqiptare, me ambicie të mëdha, shkruan albinfo.ch.

Ajo bëri shumë “zhurmë” në Kosovë për arritjet e saj dhe çmimet e fituara si astronome.

Ani pse e lindur dhe e rritur në Kosovë, me mundësi dhe mjete jo të mira për astronomi, nuk e ndaloi së realizuari ëndrrën e saj.

Që në moshë të re kishte tërheqje ndaj fushës së astronomisë, duke u “zhytur” thellë në gjithësi, se një ditë ka për t’u bërë një studiuse astronomike, shkruan tutje albinfo.ch.

Sheti i Kosovës nuk ka ofruar mundësi njohjeje me fushën e astronomisë dhe vazhdon ende të ketë mungesa mjetesh për këtë lëmi.

Pavarësisht kësaj, Pranvera, edhe pse në moshë të re, pasionin që kishte për astronomi, bëri që në janar të vitit 2015 të themelojë organizatën “Astronomy Outreach Kosova”, bashkë me disa profesorë dhe një numër të rinjsh të apasionuar pas astronomisë.

“Në fillimet tona, ne kemi startuar në mënyrë amatore, me disa teleskopë që kemi siguruar si donacion nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare. Përmes këtyre pajisjeve, jemi munduar të realizojmë aktivitete të ndryshme, edukative- shkencore në shkolla të ndryshme të Kosovës, duke u dhënë një mundësi që ata të mund të vrojtojnë trupat qjellorë, diçka të re që në shtetin e Kosovës nuk ka qenë më herët”, është shprehur Pranvera në një intervistë.

Duke punuar me vullnetin e mirë, ky grup i të rinjve realizoi organizatën joqeveritare “Astronomy Outreach Kosova” që për pak kohë arriti të bëhet e njohur ndërkombëtarisht edhe nga figurat e njohura shkencore, që tani janë duke gëzuar mbështetje maksimale në të gjitha format.

Teleskopët e parë në këtë organizatë erdhen nga Shtetet e Bashkuara dhe sigurimi i pajisjeve ka qenë shumë e rëndësishme për këtë organizatë, shkruan albinfo.ch.

Pranvera është themeluese dhe drejtoreshë e “Astronomy Outreach Kosova”, program me më shumë se 200 pjesëmarrës që punon për të ngjallur interesim për astronominë mes fëmijëve në gjithë Kosovën. Duhet theksuar se shoqata gjithashtu ka dhuruar një shumë të konsiderueshme për të mbështetur ndërtimin e observatorit të parë në Kosovë.

Vlen të cekët se kjo organizatë është programi më i lartë për shpërndarjen dhe popullarizimin e astronomisë në Kosovë.

Në vitin 2020 Pranvera filloi studimet në Shtetet e Bashkura të Amerikës, në Universitetin e Kalifornisë, në Santa Claus, studime Mastër, në Shkenca Planetare, për studimin e sistemit diellor dhe planetëve të tjerë.

Ajo është edhe një promovuese e shkëlqyer e Kosovës dhe po përfaqëson shqiptarët në mënyrën më të mirë me botën e saj të pasur në shumë konferenca shkencore, ndërkombëtare, duke përmendur Kosovën dhe duke siguruar donacione të shumta për astronomi.

Një asteroid merr emrin “Pranvera”

Një asteroid ose planet i vogël është emëruar me emrin e themelueses së “Astronomy Outreach of Kosovo”, Pranvera.

“Asteroidet janë një ndër trupat qiellorë që unë më së shumti merrem me ta dhe i fotografoj. Shpeshherë asteroidet emërohen sipas personave që i zbulojnë apo ata që japin një kontribut të caktuar në shkencë. Kjo ka qenë një nder jo vetëm për mua, por për gjithë Kosovën” sepse është votuar nga të gjithë astronomët”, shprehet ajo.

Në faqen e Unionit Ndërkombëtar të Astronautëve, Pranvera përshkruhet si një përfaqësuese entuziaste e Kosovës në Astronomi.

Përvoja në NASA

Pranvera, përveç tjerash, ka vizituar edhe Departamentin e shkencave në Cyrih të Zvicrës, madje pa nga afër shkëmbin hënor të sjellë nga NASA në Milano të Italisë, ku pati rastin të takojë dhe të bisedojë me shumë ekspertë të astronomisë, shkruan albinfo.ch.

Në atë kohë, me ftesë të Robert Rives, Pranvera Hyseni mbajti një fjalim para shumë astronautëve dhe shkencëtarëve të NASA-s në konventën shkencore Spacefest 2017 në Arizona.

Hyseni ka përfaqësuar Kosovën denjësisht në tubime dhe konferenca të shumta shkencore anembanë botës. Ajo ka vizituar qendrat e NASA-s, SpaceX dhe Northrop Grumman, qendra astronomike.

Për të ka qenë shumë interesante të shihet gjithë ajo teknologji amerikane në institutin NASA. Sipas saj, shteti amerikan e vlerëson shumë edukimin, jo vetëm të astronomisë, duke zotëruar të gjitha mundësitë, prandaj edhe ka filluar studimet pikërisht në këtë vend.

Fituese e çmimit “Michael D. Reynolds”

Në vitin pandemik, Pranvera nuk reshti së punuari. Për angazhimin e saj u nderua me çmimin “Michael D. Reynolds” nga Organizata Ndërkombëtare e Vëzhguesve Hënorë dhe Planetarë, shkruan tutje albinfo.ch.

Çmim ky, në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin e dhënë në popullarizimin e shkencës së Astronomisë.

Duhet theksuar se organizata në fjalë ka dhuruar një shumë të konsiderueshme financiare për të mbështetur ndërtimin e observatorit të parë në shtetin e Kosovës.

“Qielli është limiti për Pranvera Hysenin”

/Albinfo.ch

 

 

“Super gruaja” e përditshmërisë, Xhemile Fetaji-Uka

Të tjerëve do t’u duheshin dhjetë jetë për të arritur atë që arrin Xhemile Fetaji-Uka: ajo bashkon njerëzit. E palodhur, e informuar dhe mbi të gjitha: me zemër të ngrohtë. Sidomos në kohën e Covid-19 por jo vetëm, shkruan blick.ch në një portret të frymëzuar, kushtuar aktivistes së shquar me rrënjë nga Gostivari.

Përmes organizatës profesionale “Perspective Thurgau”, ajo ka informuar migrantët mbi Covid-19, masat mbrojtëse, bllokimin dhe rekomandimet e fundit federale, trasnmeton albinfo.ch. Të gjitha këto në shqip përmes Whatsapp dhe Zoom.

“Të gjithë qeshim në të njëjtën gjuhë, kjo është gjëja më e rëndësishme. Shkruaje këtë!”, thotë Xhemile Fetaji-Uka, e cila është nderuar më 1 gusht 2020 nga ish presidentja Simonetta Sommaruga në Rütli për punën e saj gjatë krizës Covid-19 si njëra nga “heroinat e përditshmërisë”.

Për të është me rëndësi edhe kjo: “Që njerëzit të trajtojnë njëri-tjetrin me respekt, pavarësisht nga ngjyra e lëkurës, pavarësisht nga origjina, pavarësisht nëse janë online ose jashtë linje, pavarësisht nëse janë fetarë apo jo. Mbi të gjitha, edhe Adami dhe Eva ishin migrantë”, shprehet zonja Fetaji-Uka

Lidhje midis institucioneve dhe migrantëve

Fetaji-Uka ilustron atë që thotë ajo: Në bllokimin e parë, ajo ka organizuar të ashtuqajturat “Stammtische” (tryeza) virtuale, në kuadër  të shoqatës së grave “Femme- Tische” për gratë migrante në bashkëpunim me organizatën profesionale “Perspektive Thurgau”.

Pas punës së saj të zellshme si specialiste logjistike në Migros, ajo përdorte Whatsapp, Zoom dhe platforma të tjera për të siguruar informacione mbi Covid-19, masat mbrojtëse, bllokimin dhe rekomandimet e fundit federale dhe shumë informacione të tjera, në gjuhën shqipe, për çdo mbrëmje.

Këshillat se çfarë duhet bërë me fëmijët gjatë gjithë ditës kur shkollat ​​janë të mbyllura ishin po aq problematike sa edhe ato për shëndetin mendor. Po ashtu edhe kultivimi i marrëdhënieve kur të gjithë, për shkak të koronës, duhet të rrijnë, papritmas në shtëpi gjatë gjithë kohës.

Nëna e dy fëmijëve, një djali dhe një vajze adoleshente, jo vetëm që u bë një pikë kontakti e rëndësishme midis organeve zyrtare dhe migrantëve, por edhe një lidhje për pothuajse të gjitha fushat e jetës, një kujdestare shpirtërore dhe shpesh një mik, përcjell albinfo.ch. Kjo gjithashtu e ka ndihmuar shumë, thotë 40-vjeçarja.

Ajo ka mësuar shumë gjëra që nuk i dinte më parë dhe ka bërë shumë miq të rinj.

“Unë thjesht i dua njerëzit”, thotë ajo, dhe bashkëbisedimi me video me të konfirmon se ajo është me zemër të madhe, e interesuar për njerëzit dhe shumë e informuar, trasnmeton tutje albinfo.ch. Me të mund të flisni me orë të tëra për Zotin, botën dhe politikën.

Por Fetaji-Uka gjithashtu di shumë për botën. Ajo e di se çfarë do të thotë të jesh zviceran dhe e di po ashtu se çfarë do të thotë të jesh migrant.

E bija e prindërve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut është rritur në Steckborn TG. Ka përfunduar për profesionin e e logjistikës në Bernina dhe, me burrin e saj, ka krijuar dhe drejtuar një kompani paketimi në Maqedoni me mbi 200 të punësuar.

Dy lot

“Por në një moment thjesht u bë e pamundur politikisht të vazhdoje drejtimin e fabrikës” thotë ajo dhe pendohet: “Imagjinoni që fabrika jonë ka siguruar jetesën e 600 ose më shumë njerëzve” dhe i  pikon një lot nga syri kur e thotë këtë.

Ajo lëshon një lot të dytë kur tregon se si ishte ndier kur u nderua më 1 Gusht nga presidentja e atëhershme Simonetta Sommaruga.

Për shkak se Fetaji-Uka ka ende shumë për të thënë, tryeza virtuale Femmes nuk është e vetmja gjë që ajo ka bërë në kohën e saj të lirë që kur është kthyer në Zvicër para tetë vitesh. Ajo ka mbledhur donacione me shoqatën “Children Smile” (Buzëqeshja e Fëmijëve), të cilën ajo e ka bashkë-themeluar, dhe ka ndërtuar një shkollë në Siri dy vjet më parë.

Në SP Thurgau ajo ulet është në kryesi ndërsa ka humbur zgjedhjet për këshillin kantonal vetëm për dy vota. Ajo është gjithashtu në bordin e Forumit të Grave Kreuzlingen – dhe aktualisht është në procesin zgjedhor për përkujdesjen e  shkollave.

Po kështu ajo ka një llogari në Instagram me vajzën e saj në të cilën ndan receta dhe ide gatimi.

Heronjtë në filma shpesh kanë super fuqi. Nëse shikoni jetën e Fetaji-Ukës, edhe ajo duhet të ketë me të vërtetë një fuqi të tillë, përcjell albinfo.ch. Atë që ajo tashmë e ka arritur në moshën 40 vjeçare, të tjerët nuk mund ta arrijnë për dhjetë jetë të tyre. Vendi ka nevojë për më shumë Fetaji-Uka!”, përfundon gazeta

Mërgimtari nga Zvicra ndihmon familjet nga Podujeva

Diaspora shqiptare vazhdon të kontribuojë në formë të ndryshme në Kosovë. Ata vazhdojnë të ndihmojnë familjet që kanë nevojë siç ndodhi edhe së fundi.

Mursel Selmani nga fshati Metehi, i cili jeton dhe vepron në Zvicër, është donatori që ndihmoi mbi 40 familje të komunës së Podujevës, prej nga e ka edhe prejardhjen, shkruan ‘DritarjaOnline’.

Ai ka shprehur dëshirën që t’iu ndihmojë familjeve që kanë nevojë, derisa atë në përzgjedhjen e familjeve e ka ndihmuar Iniciativa Vullnetare “RB” në krye me Reshat Blakçorin, derisa prezent ka qenë edhe vet donatori, përcjell albinfo.ch.

Ai ka ndihmuar familjen me nevojë me ushqim dhe gjësende tjera. Mërgimtari nga Zvicra ka dhuruar 3000 kg miell dhe 20 pako me vaj.

Ndërkaq një familje me varfëri ekstreme në Çenogë të Pakashticës, përpos gjërave ushqimore, është ndihmuar edhe me të holla.

Albani ndihmon të pastrehët: “E kthej të mirën që na e ka bërë Gjermania ne”

Alban Ferati, një shqiptar 21 vjeçar me prejardhje nga Kosova, së bashku me të shoqen, Birgül është pronar i një kioske në qytetin Gelsenkirchen, shkruan derwesten.de. Javën e kaluar ai u ishte drejtuar përmes facebook-ut të gjithë bashkëqytetarëve me një lutje jo të zakonshme: “Ju lus të gjithë që, nëse shihni rrugës njerëz që nuk janë në gjendje të mirë, i sillni te unë, në kioskë. Pijet e ngrohta janë pa pagesë për të gjithë ata që kanë nevojë”, transmeton albinfo.ch

Dhe, ky apel kishte “ndezur”. Postimi i tij ishte shpërndarë më shumë se 1000 herë dhe ishte pëlqyer nga së paku 1400 përdorues të facebookut. Por, jo vetëm kaq. Shumë prej tyre nuk janë mjaftuar duke dhënë vetëm një “like”, rrëfen Albani në një video.

“Secili e ka provuar ndonjëherë që duke qenë jashtë në acar ka menduar të hysh brenda dhe të pish diçka të ngrohtë. Por të pastrehët nuk e kanë këtë mundësi”; thotë Albani.

Për Alban Feratin, të ndihmosh njerëzit në nevojë është diçka e nënkuptueshme. Prindërit e tij ishin strehuar në Gjermani duke ikur nga lufta në Kosovë, përcjell albinfo.ch Ata janë ndihmuar në fillimet e tyre në vendin e mikpritjes dhe ai e përcjell ndihmën tutje.

“Unë jam edukuar kështu. Të duash të ndihmosh atje ku mundesh, është thjesht diçka njerëzore”.

Mërgimtarja nga Zvicra shpërndan dhurata për fëmijët skamnorë në Gjilan

Suna Arifi, qytetare nga Gjilani, me qëndrim të përkohshëm në Zvicër, ka shprehur dëshirën që në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Rajoni i Gjilanit, të shpërndajë dhurata për fëmijët e familjeve me gjendje jo të mirë ekonomike.

n56

Siç raportojnë mediat lokale, së bashku me zyrtarët e njësisë për bashkëpunim me komunitetin kanë shpërndarë gjithsej 60 dhurata në 11 familje shqiptare, 4 familje rome dhe 1 familje boshnjake.

“Ky gjest i bashkëvendëses sonë ka treguar dëshirën e saj për t`i gëzuar fëmijët skamnorë në prag të festës së fundvitit dhe njëherësh ka treguar besimin që ka pasur në Policinë e Kosovës që së bashku t`i gëzojnë këta fëmijë”, ka thënë Shaban Azizi, përcjell albinfo.ch.