Belinda Iberhysaj, zëri shqiptar që shkëlqeu në Belgjikë

Belinda Iberhysajt nga Deçani i iu deshën vetëm shtatë sekonda të këndoj në “The Voice Belgium” për të bërë për vete të gjithë anëtarët e  jurisë të cilët prekën butonin dhe kthyen karriget për të parë talenten shqiptare.

Më këngën “Ho Hey” që e kishte përzgjedhur, ajo ka shkëlqyer me performancën e saj saqë ka bërë që publiku të qante duke e përjetuar këngën, por edhe sytë e saj në fund të mbushen më lot.

Të gjithë trajnerët e rrethuan dhe e përkrahën fuqishëm. Në fund pas shumë debateve mes trajnerëve se kush do ta merrte, ajo ka zgjedhur këngëtaren e njohur amerikane që jeton në Belgjikë, Beverly Jo Scott.

Për këtë performancë të shkëlqyeshme në “The Voice” në Belgjikë mbështetje i ka dhënë edhe kryetari i komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj. Në një postim të tij në “Facebook”, kryetari Selmanaj e ka përgëzuar Belindën duke i dëshiruar suksese në rrugëtimin e saj.

 

https://www.youtube.com/watch?v=2f0fgJaikKA&feature=youtu.be

Flaka Goranci prezantoi perlat e muzikës shqiptare në Cyrih

  • albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • Foto: Albinfo

  • albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

Pas promovimeve të suksesshme në Austri, Shqipëri dhe Kosovë, radhën e kishte pikërisht qyteti i Zürichut, ku mezosopranoja kosovare kishte zgjedhur për të promovuar CD-në e parë internacionale me këngë shqiptare të albumit “Albanian Flowers”, i cili është realizuar në Vjenë nga kompania e njohur austriake “Gramola Company”.

Përkundër paralajmërimeve që bashkë me të të ishte i tërë ansambli “Dielli”, Flaka ishte e shoqëruar vetëm nga pianisti i ansamblit, Menan Berveniku, mungesë kjo që nuk ia humbi madhështinë këtij koncerti.

Më një publik të zgjedhur, por fatkeqësisht jo të shumtë në numër, në Sallën e Bardhë të Volkshaus në Zürich, Flaka shpalosi perlat e muzikës shqiptare të aranzhuara nga Kushtrim Gashi.

Duke interpretuar këngë nga vise të ndryshme të Shqipërisë apo edhe Kosovës, apo siç u shpreh edhe artistja, duke udhëtuar në vise të ndryshme, bënë që publiku në sallë të mos i kursejë duartrokitjet për atë që po dëgjonte.

E lindur dhe e rritur në Gjakovë, e duke qenë se kishte parë edhe tmerret e luftës gjatë vitit 1998-1999, këto ngjarje pa dyshim se ishin pjesë e albumit “Albanian Flowers”.

Me këngën “Ma fal atë buzëqeshje”, e që mezosopranoja Goranci e këndoi pa përcjellje, apo, siç tha ajo, bëri një Lamento-vajtim, e përkujtoi këngëtarin e ndjerë gjakovar të kësaj kënge të njohur, Esat Bicurri, i cili ishte viktimë e kësaj lufte.

Meqë kompania “Gramola”, e cila ka bërë prodhimin e CD-së, është një kompani mjaft prestigjioze në Austri, ka bërë që albumi i Flakës të jetë online në faqet më të njohura ndërkombëtare, si ato Amazon, ITunes, Spotify, Naxos etj.

Flaka me këtë rast ka theksuar se është shumë e kënaqur me kërkesat që ka për këtë album, sidomos nga publiku joshqiptar. Qëllimi ka qenë që të nxisim kureshtjen e publikut të huaj ndaj muzikës shqiptare.

Ansambli “Dielli” përbëhen nga 4 anëtarë: Flaka Goranci-mezosoprane, Menan Bërveniku – piano, Adela Frasineanu – violinë dhe Edison Pashko – violinçelë.

Po kush është Flaka Goranci?

E lindur në Kosovë, që në moshën 7-vjeçare fillon mësimet për piano në Gjakovë. Më 2004 fillon studimet në Akademinë shqiptare të Muzikës në Tiranë, ku mësoi për këndimin në klasën e Prof. Suzana Frashërit. Ndër përvojat e saj më të mira ishte ajo kur më 2008, si student ajo debuton në Operan shtetërore shqiptare me rolin e Rosina-s në “Berberin nga Sevilla”.

Pas diplomimit më 2008, ajo bëhet fituese e bursës nga “Buchmann-Mehta School of Music” në Tel Aviv, Izrael, për të vazhduar studimet e Masterit te Prof. Tamar Rachum. Në Izrael Flaka ka pasur disa paraqitje mjaft të shkëlqyera. Ndër të tjera, ajo ka punuar edhe me dirigjentë të njohur, si Nicolaus Harnoncourt, Manfred Mayrhofer, Vittorio Parisi, Ze’ev Dorman, Yishai Steckler, Zhani Ciko, Leonardo Quadrini, Xu Yi-An, Aleksander Lekovski-Lekaj, Rafet Rudi, Desar Sulejmani.

Pos tjerash Flaka ka performuar në shumë recitale dhe koncerte në shtete të shumta, si: Itali, Gjermani, Austri, Zvicër, Izrael, Britani të Madhe, Maqedoni, Mal të Zi, Shqipëri dhe Kosovë.

 

Flaka Goranci më 6 dhjetor promovon në Cyrih “Albanian Flowers”

Pas promovimeve të suksesshme në Austri, Shqipëri dhe Kosovë, mezzosoprania shqiptare, Flaka Goranci, bashkë me ansamblin “Dielli” udhëton nga Vjena për në Cyrih për të promovuar CD-në e parë internacionale me këngë shqiptare të albumit “Albanian Flowers”, i cili është realizuar në Vjenë nga kompania e njohur austriake “Gramola Company”. Në një intervistë për albinfo.ch, Goranci tregon për suksesin e albumit dhe për përgatitjen e promovimit që do të mbahet më 6 dhjetor në Volkshaus “Weisser Saal” në Cyrih.

“Albanian Flowers” pati një rrugëtim të shkëlqyeshëm të promovimit, duke u nisur nga Vjena, për t’u promovuar pastaj në trevat shqiptare, si në Tiranë, Prishtinë dhe Gjakovë. Sa je e kënaqur me promovimin e deritashëm?

Të gjitha këto janë qytete të cilat kanë mundësuar realizimin e kësaj CD-je me mbështetjen e tyre institucionale, si: Ministria e Jashtme e Austrisë, Ambasada e Austrisë në Kosovë, Ministritë e Kulturës në Kosovë dhe Shqipëri, Ministria e Diasporës, Komunat e Prishtinës dhe Gjakovës, e të tjera.
Jam më se e kënaqur me secilin promovim! Është kënaqësi kur një punë e gjatë vlerësohet dhe çmohet pikërisht për vlerat që sjell!

Më 6 dhjetor do të keni edhe promovimin në Zvicër, i cili do të jetë edhe i fundit i këtij turni tuaj. Si po ecën organizimi rreth këtij promovimi dhe çfarë prisni nga kjo mbrëmje?

Presim publik artdashës, publik i cili është i etur për muzikë të bukur shqiptare! Po ashtu presim të kemi edhe publikun e huaj, si atë zviceran e kombësi të tjera, të cilët do të kenë rastin të marrin më të mirën nga muzika jonë shqiptare, duke i kuptuar vlerat e vërteta të kulturës sonë.

albinfo.ch: Muzika komerciale është ajo që po publikohet dhe po i jepet hapësire me shumë në media dhe në koncerte. Ju sa e kishit të vështirë për të mbushur sallat në promovimet tuaja?

Flaka Goranci: Muzika komerciale te ne nuk mban koncerte, është thjesht muzikë që luhet nëpër lokale! Problem për të mbushur sallat nuk është për muzikën klasike, duke ditur që nuk kemi salla të mëdha po ashtu! E vërteta është që publiku shpesh herë arrin të imponojë programet e mediave tona, duke dashur të theksoj që mediat tona nuk duhen harruar që kemi po ashtu audiencë mjaft të madhe, e cila është e etur për muzikë të mirë!

albinfo.ch:Albumi i juaj tashmë është në shitje edhe nëpër faqet e njohura muzikore nëpër botë. Sa janë kërkesat e të huajve për të pasur albumin tuaj?

Flaka Goranci:Meqë kompania “Gramola” është një kompani mjaft prestigjioze në Austri, kemi arritur edhe albumin ta kemi online në faqet më të njohura internacionale, si ato Amazon, ITunes, Spotify, Naxos etj. Jam shumë e kënaqur me kërkesat që ka për këtë album, sidomos nga publiku joshqiptar. Qëllimi ka qenë që të nxisim kureshtjen e publikut të huaj ndaj muzikës shqiptare. Them që ia kemi arritur dhe po e arrijmë qëllimin.

albinfo.ch:Si profesioniste e muzikës, cili është mendimi juaj rreth kultivimit të muzikës në trevat shqiptare dhe në diasporë?

Flaka Goranci:Fatkeqësia është që kemi një numër të madh të popullsisë, e cila pëlqen ose po edukohet me llojin e muzikës, e cila i servohet shoqërisë sonë viteve të fundit. Mendoj që duke e ngritur vetëdijesimin e shoqërisë tonë do të arrijmë të zvogëlojmë dukshëm kërkesat për këtë lloj niveli muzikor që flet shumë për një popull.

albinfo.ch:Ju keni angazhime edhe ne Austri, aty ku jetoni dhe veproni. Cilat do të jenë angazhimet tuaja përveç promovimit të albumit?

Flaka Goranci:Unë jam prezent në Austri gjatë gjithë kohës në koncertet e ndryshme dhe shfaqjet operistike, e po ashtu jo vetëm në Austri, por edhe në shtetet e tjera të Evropës.

Anita Latifi, me klip të ri dhe buzë të reja

Anita Latifi ishte pjesë e edicionit të 11-të të shou programit “DSDS”. Gjatë paraqitjeve të saj ajo tregoi se kishte talent për muzikë. Megjithatë, jo për shkak të zërit të saj, por më shumë për shkak të disa problemeve që kishte me kandidatët e tjerë, e sidomos për një video skandal që iu zbulua, asaj iu ndërpre ëndrra për të fituar atë garë muzikore.

Por, për dallim prej kandidatëve të tjerë të atij edicioni, këngëtarja shqiptare që jeton në Gjermani vazhdon të mbetet në skenën muzikore. Ajo ka mijëra fansa besnikë që përcjellin në rrjetet e saj sociale.

anita-latifi-single

Anita këto ditë është rikthyer fuqishëm në tregun muzikor gjerman. Sapo ka promovuar videoklipin e ri të këngës “Tanz mit mir” (Vallëzo më mua). Në këtë klip Latifi shfaqet me një stil të ri flokësh, por edhe me një zbukurim në buzët e saja.

Ndryshe nga shumë këngëtare që mohojnë ndërhyrjet në buzë, Anita e ka pranuar, madje ndjehet edhe shumë e lumtur për këtë veprim. “Thjesht, jam shumë e lumtur me formën e buzëve të mia. Nuk jam penduar për këtë vendim që kam marrë dhe ua kisha preferuar edhe të tjerëve”, shkruan revista gjermane bravo.de, përcjell albinfo.ch.

 

 

“Who`s Elektra” ose rrëfimi për rokerët shqiptarë të Zvicrës

Takimin e lëmë në një shtëpi jashtë qytetit të Lucernit, ku është vendosur një studio moderne për prodhimin e muzikës. Në ambientet rreth studios, krahas producentit, teknikëve dhe të tjerëve, është pothuaj e gjithë familja Berisha, me prejardhje nga komuna e Klinës. Bardheci, krijues letrar dhe e bija, Roza, studente, janë përfshirë nga ethet e pasionit të Bujar e Besart Berishës, themelues dhe pjesë e rok grupit “Who`s Electra”.

Në fillim të vitit që po e lëmë pas, në një konkurs të shpallur nga institucionet e Lucernit për rok grupet e reja, ndër dy më të mirët doli  “Who`s Elektra”. Si shpërblim, rok grupi që përbëhet nga dy shqiptarë dhe një zviceran, fitoi mundësinë për të incizuar në një studio profesionale. Kjo i solli vëllezërit Bujar e Besart Berisha dhe kolegun e tyre Julian Wettach në kontakt me producentin zviceran  të njohur në botë  Roli Mosiman (ka punuar me “The The”, “Faith No More” etj.). Ky do të ishte producenti që do të kujdesej për realizimin e albumit të planifikuar të grupit të ri.

Por këtu nuk fillon rrëfimi për lidhjen e Bujarit dhe të Besit me muzikën rok. Ata, bashkë me dy moshatarë zviceranë, patën themeluar afër 10 vite më parë, rok bendin “Manesh”. Pasues i të cilit është tash “Who`s Elektra”.

Pasioni për muzikën e rokut, ç`është e vërteta, nuk është diç që haset shpesh në mesin e të rinjve shqiptarë në Zvicër. Veprojnë këtu shumë shoqata që kultivojnë folklorin, ka dy-tre grupe xhazi të përziera, nuk mungojnë as grupet që këndojnë rap, hiphop. Siç ka edhe shumë këngëtarë e grupe të muzikës tallava ose turbo folk. Por grup shqiptar roku në Zvicër? “Defintivisht” nuk ka, do të thoshin të rinjtë këndejpari. Me ndonjë përjashtim individësh, sigurisht, si puna e Bujarit dhe Besartit, që bëjnë rok bashkë me zviceranët.

“Bendin e kemi themeluar para rreth një viti e gjysmë. Pjesë e tij jemi, Besarti, që këndon, luan me kitarë, bën aranzhmanin, bën kompozimet, unë, që i bie bas kitarës dhe Julian Wettach është baterist dhe bën edhe ndonjë tekst”, tregon Bujari, duke nënvizuar se “motori” i bendit është Besi. Ai zbulon gjithashtu se tekstet e këngëve i shkruan, pothuaj të gjitha, Roza, motra e tij, duke e bërë kështu ngapak “biznes familjar” tërë grupin.

“Për këtë kohë kemi pasur disa koncerte – jo shumë, sepse jemi të fokusuar për të nxjerrë një album së pari. Ndërsa me çmimin që kemi fituar nga qyteti i Lucernit na është mundësuar puna 6 ditë punë në studio, (mixing, production, mastering) nën mbikëqyrjen e një producenti, shton Bujari.

Gjatë korrikut grupi ka marrë pjesë pjesë në festivalin e rokut në Prizren “Ngom fest”, gjë kjo që tregon edhe lidhjet e “Who`s Elektra” me rokun shqiptar që zhvillohet në Kosovë. Ndërsa në fund të shtatorit, përmes tyre ka qëndruar në Lucern, si mysafir nga Prishtina, grupi “The Glasses”. Ky grup, krahas gjashtë grupeve të rokut, nga Zvicra dhe jashtë saj, ka marrë pjesë në festivalin “4 Kultour”, në organizim të të cilit është anëtarja “e jashtme” e bendit, Roza. Ajo thotë për albinfo.ch se grupit në fjalë i  është bërë një pritje shumë e mirë nga publiku i këtushëm.

„Gjatë koncertit salla ishte përplot me shikues. Ritmet e shpejta në kitarë dhe zëri i këngëtarit Flamur Mahmutxhiku kanë lënë përshtypje shumë të mira te publiku“

Sigurisht, edhe për grupin vendës, „Who`s Elektra“ interesimi në këtë festival ka qenë i madh. „Publiku ka dëgjuar me vemendje këngët e reja, të cilat së shpejti do të editohen në një CD. Who`s Elektra njihet si një nga grupet më të mira në Lucern, që konsiderohet se ka një potencial internacional”, thotë Roza.

“Stili ynë është një përzierje e jehonave të viteve 60-70 me elemente e rokut modern”, thotë Bujari. Ai dhe Julian, duke folur për albinfo.ch, nuk pajtohen se roku është “specie në zhdukje” siç është thënë shpesh viteve të fundit.

Pyetjes se “A është koha jonë kohë e rokut”, Bujari i përgjigjet:  “Krejt varet nga bendi. Kur ai është i mirë, nuk ka rëndësi zhanri ose stili. Ndoshta vetë cilësia e bendit e sjell sërish “në modë” një stil që ishte menduar si i zhdukur.  Por unë kam përshtypjen se roku është duke ardhur pasi që koncertet me këtë muzikë sot janë bërë më të rëndësishme se që kanë qenë dikur. Ato grupe që ia dalin të paraqiten me sukses “live” kalojnë pragun”, flet Bujari me kompetencën e njeriut që e njeh rokun si kulturë dhe filozofi. Sidoqoftë, grupe që mund të mbijetojnë nga muzika e rokut, së paku në Zvicër, është shumë e vështirë të ketë, pranojnë bashkëbiseduesit. Ato shpesh, për të mbijetuar, e devijojnë stilin duke iu nënshtruar më shumë shijes së pop muzikës.

Ndërsa producenti dhe bateristi i famshëm, Roli Mossiman thotë se është përcaktuar për të qenë producent i grupit duke u nisur nga cilësia që ka parë aty. “Më ka pëlqyer muzika e tyre. Është rok i vërtetë dhe jo ndonjë mishmash zhanresh. Ka jehonë të rokut të viteve gjashtëdhjetë-shtatëdhjetë, blues, elektro të viteve 80 siç ka edhe prurje mnoderne. Por ajo që ka më shumë rëndësi për mua është se muzika e këtyre djelmoshave nuk është e kalkuluar, e ftohtë. Përkundrazi, ajo e ka emocionin brenda”, thotë Mosiman, duke i parashikuar bendit një të ardhme të ndritshme. Dhe, kjo e ardhme pritet të fillojë shumë shpejt. Editimi i CD-së së grupit është tashmë në prag.

 

Amiri ëndërron nga karroca e invalidit të bëhet një DJ i famshëm

Ëndrra ime më e madhe është që një ditë të “gërvisht pllakat”  si DJ Double A në Ultramusic Festival. Muzika elektronike është jeta ime. Pa të, unë nuk do të dija se mund të bëja gjë tjetër. Sepse, tek unë gjithçka ndodh në kokë.

Kam lindur 18 vite më parë me sëmundjen Duchenne-Muskeldystrophie. Kjo është një sëmundje te e cila muskujt dobësohen dhe me kohë humben. Pasi që edhe xhaxhai im vuante nga kjo sëmundje, mua më kanë testuar menjëherë pas lindjes. Kështu, ne e dinim që nga fillimi se për çka ishte fjala. Pastaj kur unë i mbusha 6 vjet dhe fillova të humbja aftësinë e të ecurit, për mua nuk ishte diçka shumë dramatike. Thjesht, çdo gjë ndodhte ngadalë dhe bëhej keq e më keq. Tashmë unë mund të lëviz lehtë vetëm nga dy gishta në të dy duart dhe fytyrën.

Kur mbërrina në pubertet, për herë të parë u vetëdijesova se unë jam i ndryshëm. Aty e kuptova përse kaq pak njerëz interesohen për mua. Një kohë të gjatë isha i pikëlluar dhe i zemëruar me fatin tim. Mirëpo unë me kohë kam mësuar të kërkoj ndihmë dhe të pranoj se jeta ime është kështu si është.

Nga viti i kaluar jetoj në Cyrih në Mathilde Escher Heim, kui po e ndjek profesionin për mediamatiker, një lloj dizajneri elektronik. Më pëlqen shumë dhe më përshtatet: që prej moshës 8 vjeçare unë merrem intensivisht me kompjuterë. Unë nuk mund ta paramendoj se si do të ishte jeta ime nëse do të isha detyruar të jetoja me këtë sëmundje në ndonjë kohë të mëhershme. Mbase, vetëm do të qëndroja ulur. Sot, me teknologjinë moderne unë mund të lëviz goxha i pavarur.

Falë mausit të kompjuterit dhe levës në karrocën time invalidore unë mund ta bëj muzikën time dhe mund edhe të dal vetë në lokale argëtimi. Aktualisht shkoj me shumë kënaqësi në klubin “Kaufleuten”. Njerëzit atje tashmë më njohin. Ata janë shumë korrektë me mua dhe më ndihmojnë, për shembull, kur dua të pi ndonjë lëng.

Sapo ta përfundoj shkollën do të përqendrohem i tëri vetëm në muzikë. Unë edhe tash komunikoj me shumë njerëz nga skena muzikore në vend dhe jashtë vendit dhe lexoj shumë blogje muzikore lidhur me këngët dhe zhvillimet e reja. Do të gëzohesha shumë sikur të kisha një dhomë vetëm për vete. Momentalisht unë e ndaj dhomën me një koleg timin shumë të mirë dhe natyrisht më duhet të kem kujdes (me muzikën). Por së shpejti unë do të mund të bëj muzikë gjatë gjithë kohës.

Duke bërë muzikë i jap shumë rëndësi që tingulli im të jetë vërtetë i paprovuar më parë. Ai duhet të rrjedhë, të tregojë një rrëfim që të bind.

Do të ishte vërtetë super që një ditë t`ia dal të marr pjesë në Ultramusic Festival! Njerëzit gjithmonë thonë se duhet të kërkoj ndihmë në fondacionin “Sternschnuppe”. Por unë nuk e di tamam. Më me dëshirë do të provoja ta arrij këtë me forcat e mia, duke i bindur të tjerët me muzikën time.

Kur njeriu dëshiron të arrijë diçka, ai duhet të punojë fort. Për këtë arsye unë bashkë me dy kolegë nga shtëpia ku banoj do të udhëtoj për në Miami në festivalin në fjalë. Ne organizojmë gjithçka. Ne po kërkojmë vetë njerëz kujdestarë dhe sponsorë që t`ua paguajmë rrugën kujdestarëve tanë. Po ashtu po bisedojmë me kompani ajrore lidhur me karrocat tona speciale.

Më së shumti kam frikë për atë se si do të bëhet kur unë, pas tre ose 4 vitesh nuk do të mund të lëviz më asnjërin gisht. Por unë kam besim se teknika deri atëherë do të përparojë dhe do të më krijojë mundësi të reja.

Është bukur që prindërit e mi së shpejti do të shpërngulen nga Grencheni në Cyrih, që të jenë më afër meje, veç kësaj, ka mundësi që dy shokët e mi më të mirë të fillojnë studimet këtu. Kështu do të kemi mundësi të shihemi më shpesh. Do të ishte super. Sepse unë për ta jam thjesht njeri normal.  Gjë që unë pikërisht po e dëshiroj. Shumë njerëz që më shohin, në mënyrë automatike më konsiderojnë si të hendikepuar mentalisht  dhe kjo nganjëherë është e vështirë. Por unë kam mësuar tashmë që asgjë të mos më shqetësojë. Përveç, ndoshta, njerëzit e shëndoshë që nuk duan të punojnë edhe pse kanë mundësi ta bëjnë këtë. Shqetësim tjetër janë luftërat e shumta në botë. Unë, thjesht nuk arrij ta kuptoj përse njerëzit ia bëjnë këtë njëri-tjetrit. Kjo vërtet nuk ka kuptim.

Gjeniu i Repit Gem Belushi transformon vizionin e Hip Hopit Amerikan

Vizionari dhe gjeniu i muzikës Gem Belushi ka ndryshuar kulturën e hip hopit amerikan siç njihet sot. Repi i tij konsiderohet si fenomen i East Coast, me krijimin e lëvizjes së re “EU Movement”. Ky stil sjell një perspektivë të re europiane në hip hopin amerikan. Gem Belushi ka zbuluar talente të reja shqiptare dhe të huaja dhe influencuar në njohjen e muzikës underground në popullore (mainstream).

Si artist mendoj se na mungon hip hop i vërtetë sot. Histori të vërteta që njerëzit mund ta gjejnë veten është çka e bën hip hopin të jetojë më gjatë. Pavarësisht nga historia qëtregon, gjithmonë do ketë një person që e ka përjetuar historinë tënde. Varet nga aftësia e artistit si e prezanton këngën dhe si ia paraqet publikut,” tha reperi i talentuar Gem Belushi dhe themeluesi i Eagles Up Entertainment (EU).

Gem Belushi (Gem Belu) është një artist shqiptaro-amerikan me famë botërore. Ka mbi 10 vjet që merret me muzikë si dhe ka themeluar kompaninë e tij diskografike “Eagles Up Entertainme (EU)”. Gem Belushi ka lindur në Konetikët, Sh.B.A., dhe jeton në Stamford. Me talentin e tij ka zënë vendin dhe respektin e duhur si dominues i skenës muzikore të New Yorkut që nga fillimet e vitit 2000. Gem sjell muzikë të re, që gjithmonë çon përpara kultrën e hip hopit. Me lirika të sofistikuara dhe stil origjinal të paparë po ndryshon eksperiencën e hip hopit amerikan. Në veçanti ai sjell influencën europiane në kulturën e repit të New Yorkut. Me inteligjencën dhe kreativitetin e tij Gem Belushi po i mëson të tjerëve se si bëhet repi. Kompania “Eagles Up” ka krijuar një lëvizje të re që shfaq repin e ndërgjegjes. Ato që e dëgjojnë repin e EU ndjehen mirë dhe kuptojnë filozofinë e këngëve të Gem Belushit.

 

Fillimet në Muzikë

Gem Belushi e ka dashur muzikën që kur ka qenë i vogël. Në moshën 5 vjeçare Gem krijoi këngën e parë akapella, bashkë me vëllain, duke kënduar rap, “now here’s Georgie with his fat rap”.

Familja ime më ka përkrahur gjithmonë. Mbaj mend kur këndova para gjyshit tim (Filip Dedaj), nuk kishte ndjenjë më të mirë në botë. Familja e di se cili jam si artist dhe ato dëshirojnë që unë të bëj shfaqje,” tha Gem Belushi.

Nga mosha 11-15 Gem Belushi eksperimentoi me muzikën duke prodhuar beata dhe këngë për shokët e tij gjatë shkollës së mesme. Që në atë kohë ka inkurajuar dhe përkrahur artistë të ndryshëm duke i prodhuar albumet e tyre.

Në shkollë të mesme kam prodhuar beata për të tjerët. Në ato kohë isha një artist dhedija si të prodhoja një këngë duke prodhuar vetë intresumentalin e muzikës. Kush tjetër të këndojë rep në beatin sesa personi që e krijoi atë? Më pëlqeu kjo, kështu përveç beatave bëra dhe rep,” tregon artisti i famshëm Gem Belushi.

Talenti i Gem Belushit u zbulua nga publiku i gjërë me superhitin “No Sir No Sir” (fillimisht titulluar Jo Zotëri Jo Serb), lançuar në 2005. Kënga ishte kundërpërgjigje drejt një artisti serb që deklaronte se Kosova është Serbi dhe hapte propaganda serbe anti-shqiptare. Mbi 1000 fansa të apasionuar pas artistit u mblodhën në klubin Webster Hall në New York të ndjekin performancën live të këngës “No Sir No Sir” në dhjetor 2006.

Në vitin 2005 Gem Belushi themeloi kompanin e tij diskografike “Eagles Up Entertainment” (EU) në Stamford, Connecticut (www.eugang.com). Me lançimin e “Put Your Eagles Up” (Shqiponjat Lart) dhe “No Sir No Sir” kjo kompani muzikore ka dominuar në Amerikë dhe Europë. Gem Belushi ka bërë emër si reper i suksesshëm, producent kreativ, dhe artist vizionar duke krijuar stile të reja të hip hopit.

 

Sukseset e Karrierës: Repi i Gem Belushit dhe Hip Hop i East Coast

Në 2005 Gem Belushi lançoi albumin me titull “King and Ace” in 2005, shkruar dhe prodhuar nga Gem Belushi (Eagles Up) dhe Kash Dash, feat. Leo Luck. “King and Ace”është një platformë e zërit të kulturë hip hop duke reflektuar realitetin e shoqërisë në Amerikë gjatë këtyre viteve. Albumi prezantoi një stil, zë dhe vizion të ri si dhe një generatë të re të muzikës.

Kjo periudhë ishte bazë në krijimin e identitetit artistik të Gem Belushit. Muzika dhe Repi i Gem Belushit reflekton jetën e të rinjve dhe problemet e qytetit. Muzika e tij dallohet nga katër karakteristika: qualiteti i fortë, krijimtaria e veçantë, shumëllojshmëria dhe influenca pozitive. Nga mesi i viteve 2000-të muzika e Gem Belushit kaloi nga underground në mainstream. Albumi i tij lançuar në vitin 2007 (pa titull)  ishte një sukses i menjëhershëm. (www.facebook.com/GemBelushi)

 

Eagles Up Movement and European-American Hip Hop

Gjatë fundit të viteve 2000 repi i Gem Belushit njihet si një periudhë krijuese. Në 2008 Gem Belushi lançoi albumin e ri me titull “Suicide Kingz”. Albumi përfshin disa nga artistët më të shquar të hip hopi si Kash Dash, Leo Luck dhe Noizy. Albumi “Suicide Kings” u prodhua nga kompania muzikore e Gem Belushit, Eagles Up Entertainment me vizion të Leo-s. Videoklipi “Hard to Say Goodbye” u lançua në 2008, si pjesë e albumit “Suicide Kings”. Videklipi paraqet Gem Belushin dhe Leo Luck, drejtuar nga Gem Belushi me kolazh të klipeve të mëparshme.

Në fundin i viteve 2000-të, repi i Eagles Up (EU) pati ndikim të madh në kulturën e New Yorkut. Lëvizja Eagles Up solli një ndryshim kulturor me shpalljen e pavarësisë të Kosovës në 2008. Gjatë kësaj kohe shumë emigrantë shqiptarë emigruan në Amerikë, sidomos në New York. Gem Belushi prodhoi albumr të influencuara shumë nga rrënjët dhe prejardhja e tij shqiptare-europiane. Ka synin njohjen e emrit të Kosovës në diasporë dhe krenohet me prejardhjen e tij shqiptare.

Muzika ime në fund të viteve 2000, solli një zhanër krejt të ri. Belushi vjen në dritë me muzikë të re – Repi EU. Lëvizja Eagles Up (Shqiponjat Lart) paraqet stilin tim të ri. Është si një film që shfaq çfarë unë shikoj nga ambjenti im, atë që kam përjetuar vetë. Ashtu si tregimi i tre mbretërve, muzika ime ka një vizion, ka një histori, është nostalgjike. Muzika ime ta heq mendjen nga jeta e përditshme. Stili im është përshkrues si një tregim, ku rrëfej perspektivë time dhe tregoj historinë e jetës, me një stil dhe lloj që nuk e ka askush. Kur njerëzit dëgjojnë Belushin, ato mendojnë se jam dikush miks dhe jo shqiptaro-amerikan. Krenohem me prejardhjen time shqiptare,” tha vizionari Gem Belushi.

“I shkruaj vetë tekset e këngëve. Njerëzit e kuptojnë më mirë këngën kur dikush ka përjetuar ato për të cilat unë këndoj. Unë këndoj për shqiptarët, historinë e emigrantëve në Amerikë, etj. Kur njerëzit ndëgjojnë muzikën time ato kuptojnë një sens të një dekade tjetër të hip hpit me një flow ndryshe. Repi i Eagles Up (EU) ndryshon nga të tjerët sepse sjell perspektivën amerikane-europiane, që hip hopi nuk e ka parë kurrë më parv. Ky është vizioni im, për të influencuar hip hopin dhe kulturë e saj,” rrëfen Gem Belushi.

Në 2009 Gem Belushi lançoi albumin (mixtape) me titull  “Psycho Active” që përmban 27 këngë. Ky album ka stil freestyle, më këngë bonus dhe një nga prodhimet më të mirat të Gem Belushit. Videoklipi “Go Fish” feat. Leo Luck dhe Gem Belushi u prodhua nga Eagles Up Entertainment.

Në 2010 Gem Belushi filloi të shkruajë albumin tjetër “Fast Life” që më vonë e titulloi  “Money Out The Belu” (M.O.T.B.). Ky album i dedikohet mikut të tij të fëmijërisë, Kushtrim Elezaj, i cili ka ndërruar jetë. “Kushtrim Elezaj ishte një nga personat më të mëdhenj dhe ndikues në qytetin tim. Cilido person në qytetin tim që e njihte e quante shokun më të mirë. Prandaj e donin të gjithë. Leo, Kushtrimi dhe Kash ishte grupi më i fortë,” tregon Gem Belushi.

Në 2010 inçizova albumin “Fast Life” kushtuar Kushtrimit. Kam 3 vite që punoj dhe përmirësoj këtë album. Tani albumi mban titull tjetër “Money out the Belu”, një album komplet i ri me muzikë të re. Kam përzgjedhur çdo këngë me stile të ndryshme ku flas për jetën e përditshme. Albumi nuk është lançuar akoma për publikun. Do jetë gati këtë vit,” tha Gem Belushi.

 

Arritja në Majat e Suksesit dhe Famës

Influenca e hip hopit të Eagles Up (Shqiponjat Lart) vazhdon rrugën e suksesit. Në qershor 2012 Eagles Up u lidh me artistin e shquar Martin Berishaj (Marty Magz) (që ka fituar disa çmime). Marty Magz sjell influencat rajonale nga Detroit, Michigan dhe shton në shumëllojshmërinë e repit të EU-së.

Në fund të verës në 2012 Gem Belushi dhe Marty Magz lançuan videoklipin jo zyrtar “Not Adding Up”. Kjo këngë është pjesë e albumit të ri (mixtape) me titull “Go Fk Ya Self” që Eagles Up planifikon ta lëshojë falas për shkarkim në webfaqen.

www.DatPiff.com, dhuratë për fansat besnikë të grupit EU. Kënga është shkruar nga Gem Belushi dhe Marty Magz. Video jo zyrtare u lançua në gusht 2012, ndërsa video zyrtare pritet të filmohet me 9 Mars 2012 në New York. (www.youtube.com/watch?v=8M4shBx1JTU). Kënga “Not Adding Up” u bë një sensacion internacional, dhe ndryshoi hip hopin amerikan duke përfshirë dhe influencat rajonale amerikane dhe europiane. Lëvizja shqiptaro-amerikane ‘Eagles Up’ (Shqiponjat lart) filloi në Connecticut, u zhvillua dhe u rrit në New York, dhe në 2012 u bë ndërkombëtare.

Gem Belushi dhe Marty Magz e lançuan superhitin “Not Adding Up” në radion famoze të legjendës së repit, Eminem, në radion Shade 45 Radio, me Dj Black dhe personalitetin Miss Mimi, ku të dy artistët folën për Kosovën. Më pas kënga dhe video doli kudo. Muzika e Eagles Up i përshtatet moshave të ndryshme dhe ndëgjohet nga dashamirës të zhanrave të shumta.

Bëj muzikë për dashurinë dhe pasionin që kam për të, jo për famën. Gjenerata e re na shikon si shembull. Nuk ka ndjenjë më të mirë se influenca pozitive për rininë dhe gjeneratën e ardhshme,” tha artisti i talentuar Gem Belushi.

 

 

Krenar Arifi në Montreux Jazz

Fanny Leeb, vajza e humoristit të njohur në Francë, Michel Leeb, pas daljes së albumit të saj të parë me titull “Travel”, u shfaq me kitaristin kosovar, Krenar Arifi, në Montreux Jazz.

Njëmbëdhjetë këngët e saj të kompozuara bashkë me Kenin (Krenar Arifi, kitarist), përmbajnë shpirtin dhe influencat e jazz-it, pop-it dhe soul-it.

Një sërë fotografish tregojnë për atmosferën e nxehtë që mbretëronte në brigjet e liqenit të Montreux.

Krenar Arifi1 Krenar Arifi2 Krenar Arifi3 Krenar Arifi4

Albulena dhe Gentiana bien, Violeta Kokollari vazhdon tutje

Të premten mbrëma është transmetuar nga pro7 episodi i radhës i spektaklit të madh garues të këngës “The Voice of Germany”. Nga tri pjesëmarrëset shqiptare që kishin arritur deri në këtë fazë, Albulena Krasniqi, Gentiana Mërturi dhe Violeta Kokollari, vetëm kjo e fundit është kualifikuar për më tutje.

Violeta 17 vjeçe me zë të fuqishëm ka qenë për një nuancë më e mirë se rivalja e saj nga grupi i përbashkët, Annika Kron. Këngëtarja shqiptare ka kënduar këngën e Tracey Chapman “Talking abort Revolution” dhe i ka fituar zemrën jurisë e publikut. “Anika na e ka sjellë zemrën e saj në tabaka por Violeta është një diamant i vërtetë”, ka thënë anëtari i jurisë, Max duke arsyetuar votimin e tij pro shqiptares së re. Kështu, Violeta e ka siguruar “biletën” edhe për garën e radhës.

Por, këtë fat nuk e kanë pasur Albulena Krasniqi dhe Gentiana Mërturi. Albulena, që në raundet e deritashme është konsideruar favorite, ndonëse ka shkëlqyer si në këndim edhe në interpretim me “Nobody`s perfekt” të Jessie J., nuk ka pasur shanse ndaj profesionistit 45 vjeçar David Whitney.

Edhe Gentiana ka pasur një rivale të fortë në garë, Emily Intsiful, një këngëtare të mrekullueshme zezake, e cila ka dalë superiore ndaj shqiptares së re.

Etniku, shqiptari që po dridh skenën gjermane e botërore të technos

Aty ku paraqitet Etniku, askush nuk mbetet indiferent. Ky i ri tashmë po trajtohet si ylli më i ri i skenës gjermane të muzikës techno. Por jo vetëm kaq, ai me muzikën e tij po vë në lëvizje masa të tëra njerëzish edhe në nivel botëror.  Emri i “DJ Etnik” është bërë shumë shpejtë i njohur jo vetëm në skenën gjermane por edhe në atë ndërkombëtare të muzikës techno.

Me vetëm 21 vjetët e tij, Etniku ka lidhur një kontratë të vlefshme me platformën e madhe muzikore Warner Music, e cila dhe e ka zbuluar talentin e tij të rrallë. Pak ditë më parë është publikuar EP e parë e Etnikut “Neon Daze”.

Ajo që e dallon Etnikun në pamje janë mustaqet e tij karakteristike. Por, ai ka edhe shumëçka tjetër që e bën të dallueshëm në skenën e muzikës. “Etnik-u, i cili në fakt edhe realisht mban këtë emër, është i biri i një familjeje emigrantësh shqiptarë. Emri i tij vjen nga Shqipëria dhe kuptohet si `popull autokton`”, është përpjekur t`ua shpjegojë artisti i ri, Etnik Zarari kuptimin e emrit të tij paksa të çuditshëm, gazetarëve gjermanë. Ai është i lindur dhe është rritur në Gjermani, në Hamburg.

Kur ishte vetëm 18 vjeç ai në një mbrëmje muzikore është zbuluar nga platforma “Warner Music” dhe kështu ka filluar bashkëpunimi në mes tyre si dhe ngjitja meteorike e Etnikut shkallëve të suksesit. Lidhur me stilet e muzikës dhe me teknikat që përdor ai thotë: “Më pëlqen thjesht të eksperimentoj. Në këtë pikë për mua ka rënduesi që ajo që krijoj të jetë e identifikueshme, ashtu që të thonë: Kjo këngë është e Etnikut”.

Se ai e ka arritur këtë cak tregon fakti se Etniku tashmë ka grupe fansash jo vetëm në Gjermani dhe në Evropë ku  i janë rezervuar shumë termine për koncerte por edhe në SHBA dhe në Australi. Kështu, ai për vitin 2014 ka planifikuar turneun e radhës në Australi dhe të parin në SHBA.

Përkundër sukseseve evidente, i riu nga Hamburgu ka mbetur “me këmbë në tokë”. “Jam ende larg nga pozita e një artisti vërtet profesionist”, thotë ai. Po ashtu, nuk e pranon as epitetin “Wunderkind” me të cilin e identifikojnë. Ai i jep më shumë rëndësi përvojave të reja që fiton me punën e tij të përditshme.

Në punën që bën, Etniku i kushton rëndësi stilit të tij që është minimalist në mënyrë ekstreme dhe njëkohësisht perfeksionist. Kjo qasje pastaj pasqyrohet edhe në pamjen e tij. Me një paraqitje të vetëdijshme me pamje prej dandy, ai prezantohet si artist njëkohësisht serioz dhe individual. Në këtë kontekst hyjnë edhe mustaqet e tij karakteristike.

Etniku është ambicioz dhe e di mirë se çfarë dëshiron. Ai mendon se për karrierën e tij muzikore do të ishte mirë që të kalojë një kohë në Los Angeles, SHBA.

Verën që shkoi, ai ka mbaruar maturën. Etniku konsideron se një arsimim i përgjithshëm do t`i ndihmojë për të gjetur rrugët alternative të suksesit. “Biznesi me muzikën është diçka e bukur. Por unë mendoj se  dikur më vonë do të kem dëshirë të mbaroj edhe studimet”.

Bendi i rokerit shqiptar, më i miri për 2013!

Bendi i Altin Asllanit, „Pablo Infernal“, është finalist në „Rock Highway Contest“, një ngjarje muzikore rock që është organizuar në Zürich dhe ku konkurrojnë shumë bende të muzikës rok nga e tërë Zvicra.

Bendi i shqiptarit që është shpallur më i miri për 2013-ën do të përballet me një konkurrencë edhe më të fortë më 25 janar në „Top Finalen“ e këtij organizimi muzikor.

„Pablo Infernal“ do të performojë në garë me tri bendet më të mira rock në 10 vjetët e fundit në Zvicër.

Për 19-vjeçarin që është i vetmi shqiptar, suksesi në Rock Highway do të thotë shumë për grupin e tij «Pablo Infernal».

„Kjo domethënë para së gjithash se ne me këtë mund ta financojmë një pjesë të produksionit të albumit. Veç kësaj, kjo i ka hapur disa dyer sa u përket koncerteve. Fitorja është bërë e mundur vetëm nëpërmes punës sonë (ushtrimeve) dhe fansave tanë besnikë. Ne do ta publikojmë albumin gjatë këtij viti dhe do të realizojmë sa më shumë koncerte që të jetë e mundur, në mënyrë që të bëjmë një emër në skenën muzikore të Zvicës“, tha për albinfo.ch këngëtari dhe kitaristi shqiptar, Altin Asllani.

Për herë të parë këngëtari i rok grupit është paraqitur para publikut si solist më 2008, kur ishte vetëm 13 vjeç.

Nga dëshira për të kultivuar këtë zhanër të muzikës, ai krijon një vit më vonë grupin e tij „Underclassed“, i cili edhe më vonë ka marë emrin „Pablo Infernal“.

Me bendin „Underclassed“ janë prezentuar për herë të parë më 2010 në Open Air Greifensee, një festival roku që ishte organizuar në Greifensee, ku edhe jeton Altini me familje.

Të gjitha këngët i kanë shkruar vetë. Albumi i bendit shqiptaro-zviceran „Pablo Infernal“ pritet të dalë në shkurt të këtij viti.

Altini është gjimnazist në drejtimin muzikor. Shqiptari me origjinë nga Presheva është dhënë shumë pas muzikës. Ai përveç rockut, e do edhe muzikën klasike. Altini luan për mrekulli edhe në piano. Pas maturës që e mbaron sivjet, Altin Asllanin e presin studimet sërish në muzikë.

Altin Asllani

Elhaida Dani, me album të ri

Këngëtarja me origjinë nga Shkodra për adhuruesit ka sjellë këngën “Baciami e Basta”, e shkruar posaçërisht për të nga Francesco Silvestre, i grupit „Moda“.

Me këtë këngëtar dhe autor Elhaida u ngjit në skenën e emisionit “The Voice of Italy”, me një duet të magjishëm.

Pas sukseseve në Shqipëri, ku ajo ka marrë çmimin Artistja e re më e mirë në edicionin e 9-të të “Top Fest”, dhënë nga fondacioni mediatik “Dritan Hoxha” dhe e çmimit të madh po në këtë edicion, karriera e Elhaidës mori hov në Itali pas fitores së saj në spektaklin e talenteve ‘The Voice Of Italy’.

 

Reperi shqiptar që këndon për integrimin dhe lirinë e mendimit

Në Austri ku jeton prej vitesh, reperi shqiptar Liridon Mulaj njihet me emrin artistik “Lyrix Banditi”. Artisti tashmë 30 vjeçar, i lindur në Mitrovicë, ka ardhur me prindërit e tij në Austri në vitin 1995, si refugjat.
“Ne jemi integruar por megjithatë kemi mbetur imigrantë. Në sytë e disa njerëzve si i huaj nuk do të pranohesh kurrë”, thuhet në vargjet e artistit të repit, të këngës së publikuar rishtas “Wieder Auf”. Kënga së bashku me klipin bën fjalë për integrimin, ashtu siç e ka përjetuar vetë në Austri i riu me prejardhje të huaj, Liridoni.
“Sot jam unë këtu, shumë vite kanë kaluar. E zotëroj gjermanishten aq mirë sa mund të vallëzoj me fjalë. Kjo na ka shpëtuar jetën dhe për këtë dua ta falënderoj”, thuhet më tutje në këngën me ton optimist. “Megjithatë unë e di se prej nga vi, mendoj shpesh për të afërmit. Ata kanë përjetuar shumë dhe gjithnjë kanë qëndruar vertikalisht. Kur e sheh dhembjen me sytë tu, mëson ta duash më shumë këtë jetë”.
Më 12 shtator del albumi i ri i “Banditit” me tituillin “Meinungsfreiheit” (Liria e mendimit).
Liridoni më parë ka qenë pjesë e grupit hip-hop “Gravity Killaz” ndëresa prej dy vitesh si reper punon i vetëm, shkruan meinbezirk.at. Në këngët e tij kryesisht në gjuhën gjermane ai trajton tema mbi tretjen e resurseve, lirinë e mendimit, mbingarkesën me informacione ose lakminë njerëzore.

Edlira Dedja

Pianiste dhe profesoreshë e pianos

Master në psikologji e pedagogji

Presidente e shoqatës “Opera pa kufij

Anëtare e Kiwanis (Zvicër)

Bashkëpunëtore active e ASED-it zviceran (Action de Soutien à l’Enfance Démunie)

ProInfirmis-it dhe Zyrës së të deleguarit për të huaj, që prej vitit 1997.