Sport

Alban Rexha

Hokeist

Në mesin e një morie boksierësh e futbollistësh shqiptarë,  të suksesshëm e më pak të suksesshëm, në Zvicër është vetëm një lojtar  “për hasret” që kultivon sportin shumë të popullarizuar këtu, hokejin mbi akull.

Alban Rexha quhet 19 vjeçari nga Langnau i kantonit të Bernës, i cili luan për SCL Tiger të po këtij qyteti, skuadër që bën gara në ligën e parë të Zvicrës (NLA). Vitin e kaluar,  kur Albani qe angazhuar si 18 vjeçar në ekipin e parë të SCL Tiger, ka qenë shqiptari i parë që ka luajtur ndonjëherë në ndonjë ligë evropiane të hokejit .

Në botë, para tij, ka qenë vetëm i famshmi Tahir Tie Domi, i cili njihet për lojën e tij “të fortë” në ligën e hokejit kanadez.

Ekspertët e hokejit e quajnë Albanin “margaritar”, nga i cili pret shumë  jo vetëm SCL Tiger por i gjithë sporti i hokejit mbi akull i Zvicrës.

Më 2 tetor fillon sezoni i këtij sporti, që në sallat e Zvicrës mbledh shikues pothuaj sa futbolli. E pikërisht më 2 tetor të vitit të kaluar Rexha pati luajtur ndeshjen e parë me ekipin e tij, me ç`rast kishte shënuar edhe golin e parë.

Siç e patën regjistruar edhe mediet zvicerane atëbotë, ishte ky “goli i parë i shënuar nga një shqiptar-kosovar në hokejin zviceran” e më gjerë.

Albani është lindur dhe rritur në Langnau. Këtu ai nga fëmijëria e hershme ka ndjekur me pasion ndeshjet e hokejit. Kështu, angazhimi dhe ngritja e tij në fushën e akullt ka ardhur krejt natyrshëm.  Ai ka luajtur tashmë me të gjitha grupmoshat hokej mbi akull dhe ka kaluar nëpër të gjitha sprovat që duhet të kalojë një lojtar i ri i këtij sporti interesant.

Tash është koha që ai shpalosë gjithë talentin dhe fuqinë e tij. Ai gëzon edhe simpatinë dhe përkrahjen e publikut të Langnaut dhe të Zvicrës. Tash e tutje, edhe të atij shqiptar.

 Biografi e shkurt

  • Emri MbiemriAlban Rexha
  • Prejardhja:Langnau-Zvicër
  • Vendi ku vepron:Langnau-Bernë-Zvicër
  • Profesioni:Hokeist