Kulturë

Anila Wilms

Shkrimtare
Çmimi “Adalbert von Camiso”, i fondacionit Robert Bosch, i cili jepet për veprën më të mirë letrare të shkruar në gjermanishte nga një i huaj, i është ndarë per vitin 2013 shkrimtares së re ukrainase Marjana Gaponenko për romanin “Wer ist Martha” (Kush është Marta).

Njëkohësisht me çmimin kryesor, janë ndarë edhe dy çmime stimuluese “Adalbert von Camisso”, të po këtij fondacioni, njërin prej të cilëve e ka fituar autorja shqiptare Anila Wilms për romanin e saj debutues në gjuhën gjermane “Das albanische Öl oder Mord auf der Strasse des Nordes” (Nafta shqiptare ose vrasja në rrugën e veriut). Fituesi tjetër i këtij çmimi është shpallur Mathias Nawrat me romanin “Wir zwei allein” (Ne të dy, vetëm).

Çmimi kryesor Adalbert von Camiso jepet me vlerën monetare prej 15.000 eurosh ndërsa dy çmimet stimuluese, peshojnë nga 7000 euro secili.

Ky çmim është i vetmi i këtij lloji në gjithë hapësirën gjermanishtfolëse. Ceremonia e dorëzimit të çmimit mbahet më 28 shkurt në rezidencën e kishës Allerheilgen të Munihut. Ndërsa më 1 mars, laureatët  e çmimit do të lexojnë nga veprat e tyre në Literaturhaus të Munihut.

Por, kush është fituesja shqiptare e sivjetme, Anila Wilms? Ajo ka lindur në vitin 1971 në Tiranë, ku ka studiuar për histori dhe filologji. Në vitin 1994 ka ardhur në Gjermani, ku, që nga fillimi jeton në Berlin. Anila Wilms, në romanin e saj me tematikë nga fillimi i viteve 20 të shekullit të kaluar, sipas jurisë “e rrëfen në manirin e një romani kriminalistik, një episod ekzotik-burlesk nga historia e shtetit të ri shqiptar.

Teksti i saj i populluar me njerëz nga populli i thjeshtë, nga diplomatët e rryer dhe nga krijesat më shumë se dubioze të politikaneve, mund të kuptohet po ashtu edhe sikur një pasqyrë bindëse për gjendjen e tashme të Shqipërisë”.

Gjatë vitit që lamë pas, romani i Anilës ka qenë disa herë në fokus të gazetave dhe revistave letrare në gjuhën gjermane, të cilat kanë parë në të vlera të veçanta letrare. Kjo më në fund u përligj edhe nga juria e çmimit “Camisso”.

Është interesante se edhe vitin e kaluar një autor shqiptar ka qenë fitues i çmimit stimulues Chamisso. Fjala është për shkrimtarin Ilir Ferra, dhe romanin e tij debutues në gjuhën gjermane “Rauchschatten” (Hijet e tymit). Ferra ka lindur në vitin 1974 në Durrës, që nga viti 1991 jeton në Vjenë, Austri, ku ka mbaruar studimet në shkencat e përkthimit (anglisht dhe italisht) dhe ku punon si shkrimtar dhe përkthyes. Edhe rrëfimi i romanit të tij zhvillohet në Shqipëri, gjegjësisht në qytetin port, Durrës.

Gjatë vitit të kaluar, në hapësirën gjermanishtfolëse, veç dy autorëve tashmë të shpërblyer, Ferra dhe Wilms, kanë parakaluar me sukses dhe janë vlerësuar lartë edhe dy të tjerë, gjegjësisht Lindita Arapi dhe Beqë Cufaj. Veprave të tyre “Schlüsselmädchen” (Vajzat me çelës në qafë)  (Lindita Arapi gjegjësisht “[email protected]” (Beqë Cufaj) u është bërë jehonë e konsiderueshme në mediet gjermane, austriake de zvicerane, gjegjësisht në faqet e kulturës të gazetave të këtushme. Kjo flet sigurisht për një prezantim nga një perspektivë tjetër, gjithsesi më pozitive dhe më të avancuar të të qenët shqiptar në këto hapësira.

Anëtarë të jurisë që ka ndarë çmimin “Camisso” janë: Gregor Dotzauer (kritik letrar), Zsuzsanna Gahse (shkrimtare, fituese e çmimit, Chamisso 2006), Michael Krüger (shkrimtar dhe botues), Prof. Dr. Klaus-Dieter Lehmann (Kryetar i Institutt Gëte), Denis Scheck (kritik letrar, Dorothea Westphal (kritike letare) dhe Feridun Zaimoglu (shkrimtar, fitues i çmimit Chamisso 2005).

Çmimi Chamisso jepet duke filluar nga viti 1985 për të stimuluar autorët që shuajnë gjermanisht ndërsa kanë gjuhë amtare tjetër.

Blerim Shabani

16.01.2013

 Biografi e shkurt

  • Emri MbiemriAnila Wilms
  • Prejardhja:Tiranë-Shqipëri
  • Vendi ku vepron: Berlin-Gjermani
  • Profesioni:Shkrimtare