Lajme
Mes racionales dhe emocionales
Është koha të shtjellohen kaosi dhe anarkia në veri të Kosovës, të ndriçohet e jo të errësohet perspektiva politike e saj
Ngjarjet e fundit në veriun e Kosovës e kanë errësuar edhe më shumë jo vetëm perspektivën e një zgjidhjeje paqësore të çështjes së Mitrovicës, por edhe horizontin politik të qasjes racionale të faktorit ndërkombëtar të përfshirë në kontekst.
Shqetësim i të gjithëve këto ditë janë bërë kapacitetet shtetërore, qytetare, politike e intelektuale të vendit, të ndodhur kështu në një rrugë çorre, të pakrye dhe të paqartë, derisa ka mospërputhje të dukshme në mes të deklaratave politike dhe gjendjes konkrete në terren. Por, edhe më të çuditshme dalin deklaratat e zyrtarëve të KFOR-it për kinse jokushtëzim nga askush, e në të vërtetë ngjarjet në terren i demantojnë tmerrshëm. Kur strukturat ilegale serbe jo vetëm që i kushtëzojnë, por edhe luajnë me autoritetin e tyre në sy të botës, kjo është aq nënshtruese për KFOR-it, pakuptueshëm nënshtruese, sa prek thelbësisht kredibilitetin e NATO-s në përgjithësi dhe degradon deri në mospranim deklaratat e udhëheqësve politikë të institucioneve relevante ndërkombëtare rreth çështjes në fjalë.
Kjo s’do mend se të bën të dyshosh se tashmë diçka është zier në kizhinat politike ndërkombëtare për kufijtë e Kosovës, ose po testohet opinioni kosovar për diçka të tillë. Me një konstatim këndellës mund të gjykosh se pakoja e Ahtisarit është prekur, është kontestuar dhe po vihet në dyshim si e tërë jo nga kosovarët, por përveç serbëve, edhe nga ndërkombëtarët. Përballë vullnetit politik të tyre shteti i Kosovës po ballafaqohet me peshën e pamundësisë për të ndryshuar gjendjen, por populli i saj ka gatishmërinë të kundërshtojë këtë klimë dhe të kërkojë qartësi për rrugën dhe të ardhmen e tij politike. Më kot mundohesh të ruash joemotivitetin në gjykimet rreth realitetit politik e shoqëror, kur me zhvillimet e fundit, me qëndrimet e paqarta dhe të dyfishta vetëm sa po ushqehen forcat radikale brenda shoqërisë kosovare, të cilat nëse situata degradon me zgjidhje jashtë pakos së Ahtisarit, atëherë reagimet do të jenë të pakontrolluara. Kjo s’do mend se nuk është në të mirë të perspektives së shoqërisë kosovare, por as të asaj evropiane.
Se gjërat kanë rrëshqitur drejt koncesioneve të mëdha e të dhembshme s’do mend, dhe aktori kryesor i kësaj është presidenti serb, i ashtumenduar si properëndimor, Boris Tadiq, i cili në raport me ndërkombëtarët “ruan” një qëndrim të moderuar, e në raport me politikën e brendshme ndjek vijën nacionaliste. Nuk do të thotë se kjo nuk hetohet nga ndërkombëtarët, por lindin dyshime për njëmendësi dhe shantazh të strukturave të caktuara në nivele të ndryshme ndërkombëtare që nuk e përkrahin shtetin e Kosovës me politikën serbe.
Shihet qartë se me gjithë përparimet e bëra, Kosova ende nuk e ka arritur një qëndrueshmëri stabile dhe afatgjate dhe mbikëqyrja ndërkombëtare duhet të jetë edhe më e përqendruar e më e vëmendshme, sidomos e aleatëve të shtetformimit tonë, duke dhënë sinjale të qarta për të ardhmen tonë politike. Nuk mjafton të kërkohet konstruktivitet vetëm nga Kosova, derisa Serbisë i lejohet të luajë jashtë rregullave të politikës evropiane, duke vënë në dyshim proceset integruese.
* Pikëpamjet e shprehura në këtë kronikë shprehim mendimet e autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Kurti në Cyrih: Mërgata nuk është rezervë emocionale, por forcë zhvillimi dhe shtyllë e shtetit Kurti sonte në Cyrih: “Nga ndjenja kombëtare te vetëdija shtetërore – diaspora si partner i Kosovës”... -
Gjykata Federale mbështet dënimin e shtetasit kosovar për tentativë vrasjeje -
Elina Duni, Ambasadorja e Xhazit Modern: Fituesja e Swiss Jazz Award 2025 -
Dega e LDK-së në Austri kandidon Besart Berishën për deputet të Parlamentit të Kosovës -
Suzanna Shkreli kandidon për Sekretare Shteti në Michigan
Jeta në Zvicër
-
Lindjet në kantonin zviceran bien në nivelin më të ulët rekord Numri i foshnjave të lindura në kantonin Jura, në veriperëndim të Zvicrës, ka qenë në rënie... -
Ulen kostot e shtetësisë zvicerane në Bazel dhe Bernë -
Zvicra planifikon të zgjerojë radarët e zhurmës në rrugë -
Aeroporti i Cyrihut do të heqë kufizimet për lëngjet në vitin 2026 -
A keni nevojë për një certifikatë mjekësore në ditën tuaj të parë të pushimit në Zvicër?











