Lajme
Përdhosja e varrezës hebraike, akt qyqar
E para që ka reaguar ndaj aktit vandal në varrezat e hebrenjve, ka qenë ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë
Përdhosja e varreve në varrezën e hebrenjve në lagjen “Velania” të Prishtinës, ku janë vënë mbishkrime dhe simbole naziste, ka nxitur reagime nga institucionet e Kosovës dhe nga ato ndërkombëtare.
Policia është njoftuar në lidhje me ngjarjen, por nuk ka identifikuar ende të dyshuarit.
E para që ka reaguar ndaj aktit vandal në varrezat e hebrenjve, ka qenë ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, duke e dënuar fuqishëm atë.
“Kjo vepër e urrejtjes përbën fyerje jo vetëm ndaj familjeve të të varrosurve aty dhe ndaj komunitetit hebraik në Kosovë e përtej, por po ashtu është fyerje ndaj shtetit dhe shoqërisë shumetnike kosovare. Kjo është një vepër e përbuzjes së normave më themelore të tolerancës, bashkëjetesës dhe respektit dhe nuk mund të tolerohet”, thuhet në komunikatën e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.
Me tone të ashpra kundër përdhosjes së varrezave hebraike ka reaguar edhe kongresisti amerikan, Eliot Engel, që është edhe bashkë-kryetar i Grupit të Kongresit për çështjet shqiptare. Në një deklaratë për media, kongresisti Engel i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i ndëshkojë autorët e aktit në formën më të rëndë që parashikon ligji.
Sulmin në fjalë, sekretari i Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Izrael, Lekë Rezniqi, e ka quajtur të papranueshëm.
Reagime rreth përdhosjes së varreve hebrenje kanë ardhur edhe nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.
“Dëmtimi i varrezave paraqet një akt në kundërshtim të plotë me traditat dhe vlerat e popullit të Kosovës, të mbështetura në tolerancë dhe respekt të plotë për të gjithë të vdekurit dhe të gjitha monumentet”, thuhet në reagimin e presidentes.
Në deklaratën e kryeministrit Thaçi thuhet se “ky sulm qyqar është një sulm kundër shtetit të Kosovës dhe, mbi të gjitha, është një sulm kundër vlerave të traditës së qytetarëve të Kosovës për tolerancë, bashkëjetesë dhe respekt, që i kemi kultivuar gjatë gjithë historisë sonë”, ka thënë Thaçi.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shumë shqiptarë në Kosovë e Shqipëri kanë strehuar dhe mbrojtur hebrenj. Në mesin e tyre është edhe familja Rezniqi në Kosovë, anëtarë të së cilës sot jetojnë në Prishtinë. Kjo familje njihet për rolin që ka luajtur lidhur me mbrojtjen e hebrenjve nga regjimi nazist dhe për këtë ka marrë mirënjohje edhe nga shteti izraelit.
E-Diaspora
-
Londër
Erza Doda zgjidhet anëtare e Këshillit Bashkiak në Redbridge, Londër Shqiptarja me origjinë nga Kosova fiton mandatin në zgjedhjet lokale në Britani si përfaqësuese e Partisë... -
Gjermani
Në Gjermani u mbajt ekspozita “Helmimet në Kosovë 1990–1992”, u rikujtuan krimet ndaj shqiptarëve -
Sabahet Meta: “Kino Kosova” është një hapësirë dialogu përmes filmit -
“Kino Kosova” hapi dyert me sallat plot dhe rrëfime që sollën Kosovën në ekran -
“Pse jemi të ndarë?” – Një thirrje e fuqishme për vetëdijesim
Jeta në Zvicër
-
Një familje serbe del para gjykatës në Thun, akuzohet për shfrytëzim dhe trafikim qeniesh njerëzore në Gstaad Një familje serbe del para gjykatës në Thun, e akuzuar për organizimin e një rrjeti shfrytëzimi... -
Pse zviceranët janë skeptikë për aftësinë mbrojtëse të vendit të tyre? -
A do të sjellë El Niño temperatura rekord në Zvicër? -
Kompania japoneze farmaceutike shkurton 280 vende pune në Cyrih -
Aksident në autostradën pranë Bernës, pesë persona të lënduar













