Kosova
Ekspertë ndërkombëtarë: E vështirë të shpallen fajtorë ish-krerët e UÇK-së
Prokurorët e specializuar në Hagë do ta kenë të vështirë ta dëshmojnë se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë fajtorë për krimet e supozuara, thonë dy ekspertë të drejtësisë tranzicionale, Mathias Holvoet dhe Aidan Hehir.
Holvoet, ligjërues i së Drejtës Penale Ndërkombëtare në Universitetin e Amsterdamit në Holandë, thotë se atij i ka bërë përshtypje edhe se sa i fuqishëm është ekipi i mbrojtjes i të akuzuarve.
“Problemi është gjithmonë në gjetjen e lidhjes mes krimeve të kryera fizikisht në terren dhe njerëzve më të fuqishëm në organizatë, si [Hashim] Thaçi, [Kadri] Veseli, [Rexhep] Selimi dhe [Jakup] Krasniqi. Dhe, këtë do të duhet ta dëshmojë Prokuroria dhe do të jetë e vështirë. Për të qenë i sinqertë, instinkti më thotë se mund fare mirë të ketë shpallje pafajësie”, thotë Holvoet, duke shtuar se mund të ketë dallime mes katër të akuzuarve.
Si shembull që tregon se sa e vështirë është që një lidhje e tillë të dëshmohet, Holvoet u referohet aktgjykimeve të Tribunalit të Hagës në rastet ndaj ish-eprorëve të UÇK-së, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, të cilët u shpallën të pafajshëm lidhur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës, gjyqi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit nisi të hënën, më 3 prill, në Gjykatën Speciale në Hagë. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjatë deklaratave hyrëse, Prokuroria argumentoi se të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” që shënjestronte ata që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë” për të “fituar pushtet”.
Ndërsa, avokatët hodhën poshtë të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj klientëve të tyre, duke argumentuar se UÇK-ja nuk kishte një strukturë komande efikase.
Për Holvoet dhe Hehir – studiues i drejtësisë tranzicionale, intervenimit humanitar dhe shtetndërtimit në Kosovë nga Universiteti Westminster në Angli – ajo që bie më së shumti në sy është përdorimi i termit “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.
“Ideja që UÇK-ja të jetë një ndërmarrje kriminale… ky term është shumë nënçmues dhe mendoj se kjo do t’i alarmojë njerëzit [në Kosovë] dhe do ta prekë me të vërtetë atë nerv që njerëzit ndiejnë në lidhje me UÇK-në si heronj”, shton ai.
Gjatë deklaratave hyrëse, prokurori i Specializuar, Alex Whiting, tha se rasti ndaj ish-katër krerëve të UÇK-së ka të bëjë me vetë ata, e jo me gjithë UÇK-në, duke shtuar se “shumica e anëtarëve të UÇK-së nuk kishin të bënin fare me krimet për të cilat është ngritur aktakuza”.
Ndërsa, në ditën e fundit të deklaratave hyrëse, më 5 prill, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi tha se deklaratat e tij të asaj kohe – të cilat u përdorën nga prokurorët si dëshmi – ishin vetëm propagandë për ta krijuar “përshtypjen se UÇK ishte strukturë e organizuar”.
Megjithatë, Holvoet vë në dukje se në Tribunalin e Hagës ka pasur dënime edhe për përhapje të propagandës./Rel
E-Diaspora
-
Sabahet Meta: “Kino Kosova” është një hapësirë dialogu përmes filmit "Synimi ka qenë krijimi i një hapësire të qëndrueshme për promovimin e filmit kosovar dhe shqiptar,... -
“Kino Kosova” hapi dyert me sallat plot dhe rrëfime që sollën Kosovën në ekran -
“Pse jemi të ndarë?” – Një thirrje e fuqishme për vetëdijesim -
Premierë botërore për filmin “Dua” në Festivalin e Kanës, moment krenarie për kinemanë kosovare -
Dua Lipa publikon albumin dhe filmin koncertal “Live From Mexico”
Jeta në Zvicër
-
Kushte dimërore në Graubünden: Aksidente dhe bllokime trafiku Një motoçiklist u lëndua në një aksident në rrugën e mbuluar me borë të Qafës Bernina... -
Rrufeja godet aeroplanin Helvetic – Anulohet fluturimi -
Gjykata Federale: Lidhjet romantike midis gjyqtarëve, “të papërshtatshme” -
Ja sa para po shpenzohen në fushatat rreth nismës “Jo Zvicrës 10 milionëshe” -
Është rinovuar para afatit pista kryesore e Aeroportit të Bazelit













