Kosova

Vetëm LVV me koalicion, partitë tjera shqiptare garojnë të vetme

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit garojnë 23 subjekte politike, prej të cilave: 3 koalicione, 18 parti politike, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur

Në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, partitë politike kanë finalizuar paraqitjen e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke përcaktuar format e pjesëmarrjes – si subjekte të vetme apo në bashkime parazgjedhore.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar se numri i përgjithshëm i subjekteve politike që pritet të garojnë në zgjedhjet e fund dhjetorit është 24, raporton rtklive.com

“Është përmbyllur afati për subjektet politike për aplikim për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhje dhe deklarim të koalicioneve nga ana e partive politike. Gjatë kësaj periudhe 7-ditore (24 nëntor – 30 nëntor 2025) 23 subjekte politike, prej të cilave: 3 koalicione, 18 parti politike, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur – kanë plotësuar online formularin e certikimit për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Paralelisht me aplikimin për certifikim, është zhvilluar edhe afati për deklarim të partive politike për formim të koalicioneve”, njoftoi Elezi.

Lëvizja Vetëvendosje, ka vendosur të garojë në koalicion me parti të tjera në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Për dallim nga herët e tjera, kur në listën e LVV-së përfshiheshin kandidatët e partisë Guxo dhe të Alternativës, në këto zgjedhje është vendosur për “Koalicionin Lëvizja Vetëvendosje”. Përveç LVV-së, Guxos dhe Alternativës, përfshihet edhe Partia Shqiptare Demokristiane (PSHDK).

Për dallim nga Lëvizja Vetëvendosje, partitë e tjera parlamentare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë vendosur të hyjnë të vetme në garë. Gjithashtu, si e vetme garon edhe Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt, e cila në zgjedhjet e fundit ishte pjesë e koalicionit me AAK-në, por që u ndanë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Në këto zgjedhje janë paraqitur edhe dy koalicione të tjera, Koalicioni “PAI – PDAK – LPB”, i përbërë nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës (PDAK) dhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB), si dhe Koalicioni “Koalicija VAKAT”.

Ndërkaq, si parti të vetme në garë, përveç PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Nismës, garojnë edhe Jedinstvena Goranska Partija, Za Slobodu Pravdu i Opstanak, Kosova Demokratik Türk Partisi, Partia Liberale Egjiptiane, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, Socialdemokratska Unija – SDU, Srpska Lista, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Fjala, Nova Demokratska Stranka – NDS, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës (LPRK) dhe Kosovski Savez.

Ndërkaq, si nisma qytetare kanë aplikuar “Për socialdemokratët e ashkalinjve” dhe “Iniciativa Qytetare për Kosovë”. Kandidat i pavarur ka aplikuar Nexhmidin Sejdilar.

Deri më 7 dhjetor 2025, subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) që aplikojnë për certifikim duhet të dorëzojnë përmes platformës listën e tyre me emrat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në periudhën 24–30 nëntor kanë aplikuar gjithsej 24 subjekte politike.