Lajme

Lopët në Zvicër mund të mbajnë qafore me GPS

Zvicra mund të lejojë gardhet virtuale për bagëtitë, lopët do të mbajnë qafore me GPS në vend të gardheve tradicionale

Pajisjet lëshojnë sinjale zanore dhe impulse shumë të lehta elektrike, ndërsa propozimi po fiton mbështetje politike dhe nga fermerët, përcjell albinfo.ch.

Lopët në Zvicër mund të pajisen së shpejti me qafore inteligjente me GPS që lëshojnë sinjale zanore dhe impulse të lehta elektrike, në kuadër të një propozimi për lejimin e të ashtuquajturve “gardhe virtuale”.

Nisma është paraqitur nga deputeti i Partisë Popullore Zvicerane (SVP), Ernst Wandfluh, i cili kërkon që Këshilli Federal të lejojë përdorimin e kësaj teknologjie në fermat zvicerane.

Sistemi funksionon përmes qaforeve me GPS që paralajmërojnë kafshën me një sinjal zanor kur ajo afrohet te kufiri i zonës së kullotës. Nëse lopa vazhdon përpara, pajisja lëshon një impuls shumë të lehtë elektrik për ta kthyer mbrapsht, duke zëvendësuar gardhet fizike.

Sipas Wandfluh, vendosja dhe mirëmbajtja e gardheve, veçanërisht në zonat malore, kërkon shumë kohë, punë dhe kosto, ndërsa gardhet virtuale do t’ua lehtësonin ndjeshëm punën fermerëve.

Propozimi po mbështetet jo vetëm nga e djathta, por edhe nga parti të tjera politike. Deputeti i Partisë së Gjelbër, Kilian Baumann, i cili është edhe fermer organik, deklaroi se nuk ka shqetësime sa i përket mirëqenies së kafshëve. /Albinfo.ch