Kosova

Oda Amerikane: Gazi amerikan është çështje e sigurisë dhe zhvillimit të Kosovës

Në një tryezë diskutimi u theksua se LNG-ja nuk duhet parë vetëm si projekt energjetik, por si mundësi për diversifikim, industrializim dhe forcim të partneritetit me SHBA-në.

Qasja e Kosovës në gazin e lëngëzuar amerikan (LNG) u vlerësua si një çështje strategjike që lidhet me sigurinë kombëtare, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përcjell albinfo.ch.

Në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me temën “Nga Debati për Politika te Hapat Praktikë: Qasja në LNG, Gatishmëria e Bizneseve dhe Siguria Energjetike e Kosovës”, pjesëmarrësit theksuan se gazi natyror nuk duhet të shihet si zëvendësim i burimeve të tjera të energjisë, por si një mundësi shtesë për diversifikimin e furnizimit dhe zhvillimin industrial të vendit.

Drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, kritikoi institucionet për mungesë gatishmërie për debat dhe kujtoi se edhe në vitin 2021 Qeveria kishte refuzuar zhvillimin e infrastrukturës së gazit të lëngshëm.

Nga ana tjetër, ekspertët Pleurat Hundozi, Learta Hollaj dhe Dardan Sejdiu theksuan se investimi në gazin natyror do të rriste sigurinë energjetike, do të mbështeste zhvillimin ekonomik dhe do të forconte partneritetin strategjik të Kosovës me SHBA-në. Ata vlerësuan se gazi duhet të shihet si një urë drejt industrializimit dhe jo si zëvendësim i burimeve ekzistuese të energjisë. /Albinfo.ch