Kosova

Ambasada amerikane në Serbi kërkon që të sillen para drejtësisë autorët e vrasjes së vëllezërve Bytyqi

Ambasada amerikane në Serbi edhe një herë ka kërkuar që të sillen para drejtësisë autorët e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, Yllit, Mehmetit dhe Agronit.

SHBA-ja kujton se kanë kaluar 24 vjet prej vrasjes së shtetasve amerikanë dhe ende nuk janë gjetur përgjegjësit.

“Kanë kaluar 24 vjet që kur shtetasit amerikanë Ylli, Mehmet dhe Agron Bytytqi u ekzekutuan gjersa ishin në paraburgimin e policisë speciale serbe. Çdo vit që kalon pa u mbajtur askush përgjegjës për këtë krim brutal lufte, është një fyerje ndaj shtetit të së drejtës”, shkruan ambasada në Twitter.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që të hetohet plotësisht rasti dhe të dënohen edhe autorët e mbulimit të krimit.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bëjnë thirrje sërish Serbisë edhe një herë që të hetojë plotësisht këtë rast dhe të vërë para drejtësisë ata që kanë kryer dhe kanë mbuluar këto vrasje. Ne do të vazhdojmë këtë thirrje deri në vendosjen e drejtësisë”, njoftoi ambasada.