Bota

Rekord i nxehtësisë edhe në dy shtete evropiane

Republika Çeke dhe Sllovakia kanë shënuar temperatura rekord të dielën dhe të hënën, ndërsa një valë e fortë të nxehti ka bërë që në disa zona temperaturat të kalojnë mbi 40 gradë Celsius, raportojnë mediet lokale.

Agjencia çeke e lajmeve CTK rishikoi rekordin e mëparshëm të temperaturës, duke bërë të ditur se niveli më i lartë i regjistruar në vend është tashmë 41,9 gradë Celsius, i matur në Doksany, në veriperëndim të Republikës Çeke.

Sipas CTK-së, nëntë nga dhjetë temperaturat më të larta, të regjistruara ndonjëherë në vend, janë shënuar gjatë fundjavës, shkruan ATSh, transmeton albinfo.ch.

Edhe në Sllovaki u vendos një rekord i ri kombëtar. Në fshatin Turna nad Bodvou, pranë qytetit të dytë më të madh, Kosice, temperatura arriti në 41 gradë Celsius, duke kaluar me 0,7 gradë Celsius, rekordin e mëparshëm të vendosur në korrik të vitit 2007.

Moti nisi të ndryshojë dje, ndërsa pas vapës ekstreme në të dy vendet, u regjistruan stuhi dhe reshje të dendura shiu.