Kosova

BE-në do ta lehtësonte shuarja e Ballkanit të Hapur

Mësohet se paralajmërimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për shkrirjen e ideve të nismës Ballkani i Hapur në Procesin e Berlinit do të mirëpritej nga shumë qarqe në Bashkimin Evropian, përcjell albinfo.ch.

Ka disa ditë që tashmë Rama është shprehur vetëm në media se Ballkani i Hapur “e ka përmbyllur misionin e tij” dhe se idetë e kësaj nisme do të barten në Procesin e Berlinit.

Në BE nuk ka pasur reagime zyrtare rreth këtij paralajmërimi, por, jozyrtarisht, disa diplomatë evropianë thonë për Radion Evropa e Lirë se “kjo do të mirëpritej” dhe se “do të ishte një lehtësim i madh për forcimin e Procesit të Berlinit dhe të proceseve të tjera”.

Nisma Ballkani i Hapur, e cila fillimisht është quajtur Mini Schengen, është ndërmarrë më 10 tetor 2019, në Novi Sad, dhe është nënshkruar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Nisma është kundërshtuar nga opozita në Shqipëri dhe është refuzuar nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina.

Në kuadër të saj janë arritur disa marrëveshje, si për bashkëpunim ekonomik dhe lëvizje të lirë.

Lidhur me paralajmërimin e Ramës për shuarjen e saj, Vuçiq ka thënë se “nuk mund ta besojë se ai [Rama] e ka thënë një gjë të tillë”. Në Maqedoninë e Veriut nuk ka pasur ndonjë reagim.

 

Cili ka qenë qëndrimi i BE-së?

BE-ja ka qenë vazhdimisht e paqartë rreth kësaj nisme.

Formalisht, nuk është shprehur kundër, sepse, në parim, mbështet çdo nismë që ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit rajonal.

Por, në anën tjetër, shumë qarqe në BE e kanë parë atë si dublifikim i proceseve ekzistuese, si: Tregu i Përbashkët Rajonal, Procesi i Berlinit, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Marrëveshja për Tregti të Lirë – CEFTA e të tjera.

Në pyetjen se a e mbështesin nismën Ballkani i Hapur, në BE gjithmonë janë përgjigjur duke thënë se “mbështesin çdo nismë për bashkëpunim rajonal, e cila është gjithëpërfshirëse” dhe në të cilën janë “të gjashtë partnerët nga rajoni i Ballkanit Perëndimor”.

Marrë parasysh se në nismën Ballkani i Hapur, edhe pas disa vitesh, kanë mbetur vetëm tri vende anëtare: Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, për të nuk mund të thuhet se është gjithëpërfshirëse.

Prandaj, shumë diplomatë në BE, jozyrtarisht, kanë shprehur qëndrimin se kjo nismë nuk e ka mbështetjen e plotë.

Në vend të kësaj, nga BE-ja është bërë thirrje që vendet e rajonit të fokusohen në Procesin e Berlinit, edhe pse as ai proces formalisht nuk është në kuadër të veprimit institucional të Bashkimit Evropian.

Nismën Ballkani i Hapur, ndërkohë, e kanë mbështetur vende si: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia dhe Hungaria, të cilat kanë dërguar edhe zyrtarë të tyre në takimet e saj.

Edhe komisionari i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, ka folur në disa takime të Ballkanit të Hapur.

Nga ana tjetër, Procesi i Berlinit ka fituar një mbështetje të plotë nga të gjashtë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, ashtu si edhe mbështetje ndërkombëtare.

 

Qëllim i kësaj nisme ndërqeveritare është t’i lidhë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimin Evropian dhe t’i ndihmojë ata të ndërtojnë marrëdhënie të ndërsjella mbi bazën e vlerave evropiane.

BE-ja ka qenë shumë aktive në mbështetjen e këtij procesi, duke u treguar e gatshme edhe për bashkëfinancimin e disa projekteve.

Procesi i Berlinit përfshin të gjashtë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke i cilësuar të gjitha si shtete, për dallim nga disa procese të tjera, ku BE-ja apo vendet e rajonit kanë rolin kryesor dhe ku – për shkak të Kosovës që nuk njihet nga Serbia dhe Bosnja – ato quhen “partnere” apo “gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor”.

Procesi i Berlinit është nismë gjermane, e mbështetur edhe nga shumë shtete të tjera të BE-së, si: Gjermania, Franca, Italia, Austria, Kroacia, Bullgaria, Sllovenia, Polonia dhe Greqia. Edhe pse nuk është më anëtare e BE-së, pjesë e procesit vazhdon të jetë edhe Britania e Madhe.

Të gjitha këto vende janë shprehur të gatshme të japin kontributin e tyre, për t’i ndihmuar shtetet e Ballkanit Perëndimor në përpjekjet e tyre për zhvillim dhe afrim me standardet e BE-së.