Kosova

Çka parasheh deklarata që iu ofrua Kosovës e Serbisë në Ohër?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq janë duke vazhduar takimin në Ohër me qëllim dakordimin për planin e zbatimit të një marrëveshjeje normalizimi.

Palëve nga bashkësia ndërkombëtare u është prezantuar një deklaratë për të cilën palët duhet të pajtohen. Ne deklaratë thuhet se janë dy kryediplomatë të aftë nga vendet anëtare jo-njohëse të BE-së, Spanja dhe Sllovakia, të cilët menaxhojnë procesin e normalizimit për të garantuar drejtësi, shkruan Top Channel, përcjellë albinfo.ch.

“Teksti përfundimtar i Marrëveshjes është produkt i një analize gjithëpërfshirëse dhe të plotë të të gjitha përvojave të tanishme dhe të kaluara. Është një produkt unik politik, një kompromis i vërtetë i brendshëm i Bashkimit Europian, i pranueshëm për të njohur dhe mosnjohur shtetet anëtare”, thuhet në këtë deklaratë, raporton TCH, përcjellë albinfo.ch.

Pika kryesore të marrëveshjes janë edhe respektimi i vijave të kuqe të të dyja vendeve.  “Për të përshtatur vijën e kuqe të Serbisë për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, Kosova bën një hap prapa në këmbënguljen e saj për një normalizim të përqendruar vetëm në njohjen reciproke. Në vend që të luftojë me Serbinë, Kosova zotohet të punojë me Serbinë për zgjidhjen e nevojave praktike të të gjithë njerëzve dhe komuniteteve”, thuhet në deklaratë, shkruan TCH, përcjellë albinfo.ch.

Pikë tjetër është edhe zotimi i Serbisë dhe Kosovës për zgjidhjen paqësore të të gjitha marrëveshjeve. “Serbia angazhohet të përmbahet nga çdo veprim që perceptohet si armiqësi diplomatike ndaj Kosovës. Kosova angazhohet për një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb të Kosovës në përputhje me vlerat e BE-së dhe praktikat më të mira ekzistuese”, specifikohet tutje në dokumentin e siguruar nga Top Channel, përcjellë albinfo.ch.

Marrëveshja Themelore nuk do të rregullojë vetëm marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës. Krahas kritereve të Kopenhagës, Marrëveshja Themelore do të menaxhojë edhe procesin e integrimit të Serbisë dhe Kosovës në Bashkimin Europian. “Për të shmangur gabimet e saj në të kaluarën, Bashkimi Europian dhe pjesa tjetër e komunitetit perëndimor do të mbështesin në mënyrë aktive të dyja palët financiarisht, ekonomikisht dhe politikisht në çdo hap të rrugës. Përmes Procesit të Berlinit dhe Komunitetit Politik Evropian, BE-ja dhe pjesa tjetër e komunitetit perëndimor do të ofrojnë një kornizë të besueshme të integrimit në BE për Serbinë, Kosovën dhe pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor”, vazhdon tutje deklarata e ndërkombëtarëve, përcjellë albinfo.ch.

Çka përfitojnë palët nëse nënshkruajnë deklaratën?

Sipas deklaratës për Serbinë do të thotë partneritet i fortë me komunitetin perëndimor e për Kosovën, fillimin e shkëputjes së saj nga menaxhimi i krizës. “Ky partneritet do ta transformojë Serbinë në një forcë shtytëse ekonomike dhe politike rajonale. Gjithashtu do ta afrojë Serbinë me komunitetin serb të Kosovës. Pranimi i Kosovës do të shënojë fillimin e shkëputjes së Kosovës nga menaxhimi i krizës, një mundësi e mirëfilltë për t’u fokusuar në zhvillimin substancial socio-ekonomik. Kosova më në fund mund të rritet vetë”, raporton TCH, përcjellë albinfo.ch.

Tutje thuhet se palët duhet të pranojnë marrëveshjen dhe të harmonizojnë qëndrimet e tyre me 27 vendet e Bashkimit Europian.

Çka nëse palët palët refuzojnë të nënshkruajnë?

Refuzimi i marrëveshjes sjellë pasoja për Kosovën dhe Serbinë, pjesë është pezullimi i të gjitha proceseve të integrimit. “Dështimi i Serbisë për të harmonizuar pozicionin e saj me BE do të krijojë një mundësi që Kosova të rritet pa pasur nevojë të punojë me Beogradin. Serbia nuk ka veto ne BE dhe NATO. Nëse e refuzon marrëveshjen, Serbia do të humbasë edhe pesë vendet qe nuk e njohin Kosovën. Pavarësisht nga rezultati, Bashkimi Europian dhe NATO përfundimisht do të flasin me një zë të vetëm për Kosovën. Kosova duhet të përmbushë plotësisht pritjet e komunitetit perëndimor, veçanërisht duke respektuar marrëveshjet e kaluara. Refuzimi i Kosovës për ta bërë këtë mund të ketë pasoja të rënda për të ardhmen e Kosovës”, thuhet në deklaratën e siguruar nga TCH, përcjellë albinfo.ch.