Covey: Thaçi me komandantët e zonave kishte marrëdhënie të ndërlikuar

Duke folur për një takim në të cilin Bernard Kouchner kishte udhëtuar për në Kosovë në shtator të 1999-ës që t’i binde komandantët e zonave për përmbushjen e kushteve të demilitarizimit, James Peter Covey tregoi se Hashim Thaçi nuk foli fare dhe se marrëdhënia e tij me komandantët e zonave ishte e ndërlikuar, përcjell albinfo.ch.

“Kjo më kujtohet fare qartë se dukej sikur po konfirmonte fuqishëm atë që ne besonim që në fillim lidhur me zotin Thaçi kur jemi njohur me atë. Pra, që ai kishte një marrëdhënie të vështirë-ndërlikuar me komandantët e UÇK-së në terren dhe se ata kishin pak kohë ose më mirë thënë kishin shfaqur mungesë respekti ndaj tij. S’kishin respekt”, tha dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Përpara kësaj, dëshmitarit  iu prezantua një pikturë në një libër që pretendohet se është i shkruar nga gjenerali Mike Jackson. Në këtë pikturë shiheshin pjesëmarrësit e këtij takimi.

Fotografia e Vjosa Osmanit me presidentin argjentinas nxit debat në Argjentinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar presidentin e Argjentinës, Javier Milei, gjatë pritjes së organizuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, në kuadër të aktiviteteve përcjellëse të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, përcjell albinfo.ch.

“Në pritjen e presidentit Trump në New York, krah liderëve të tjerë botërorë – diskutime të rëndësishme në interes të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve tanë!”, shkroi Osmani në “Facebook” të shtunën në mbrëmje, pa dhënë detaje specifike.

Fotografia e Osmanit me Milein ka nxitur debat në Argjentinë, për shkak se ky vend refuzon ta njohë Kosovën. Qëndrimi i Buenos Aires ka qenë i qartë që nga viti 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë: autoritetet argjentinase e kanë kundërshtuar njohjen, duke e cilësuar një precedent të rrezikshëm për çështjen e Ishujve Falkland.

Recently Spotted Asteroid Set for Near Miss With Earth

“Përbuzje ndaj Ishujve Malvinas. Milei në OKB u fotografua – buzagaz – pranë përfaqësueses së Kosovës, duke refuzuar qëndrimin tonë historik mbi integritetin territorial”, shkroi ish-Ministri i Jashtëm, Santiago Cafiero, duke përmendur edhe misionin paqeruajtës të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ishujt Falkand.

Ish-sekretari i Ishujve Falkland, Guillermo Carmona, reagoi gjithashtu pas fotografisë të dy liderëve, duke kritikuar presidentin argjentinas: Argjentina pretendon sovranitet mbi ishujt, duke i konsideruar pjesë të territorit të saj historik, kurse Britania e Madhe administron ishujt dhe i konsideron pjesë të territorit të saj jashtëkontinental.

“Është jashtëzakonisht serioze që Milei është fotografuar – dhe ndoshta ka zhvilluar një takim – me dikë që pretendon të jetë president i një entiteti që Argjentina nuk e njeh si shtet, duke kundërshtuar qëndrimin tonë në lidhje me integritetin territorial”.

Në të kaluarën, emri i Kosovës është përdorur nga presidenti argjentinas vetëm në kontekste metaforike. Milei ka përdorur shprehjen “Esto es Kosovo/Kjo është Kosova” për të ilustruar një gjendje të çrregullt. Megjithatë, këto referenca kanë qenë jashtë kontekstit diplomatik dhe nuk përbëjnë qëndrim të artikuluar politik për Kosovën

Dita e fundit, sot përfundon masa e përkohshme e Kushtetueses për Kuvendin

Sot përfundon masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese me 5 shtator me të cilën ka pezulluar të gjitha veprimet dhe vendimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Kjo masë e pezullimit erdhi si pasojë e ankesës së Listës Serbe pasi Kuvendi i Kosovës dështoi të zgjedh një nënkryetar nga minoriteti serb.

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha e kishte ndërprerë seancën konstituive duke e cilësuar si të konstituuar institucionin legjislativ.

Kryeparlamentari Dimal Basha në seancën që ka nis zgjedhja e nënkryetarëve nga komuniteti serb, ka ndarë procesin e votimit për nënkryetarët nga radhët e komuniteteve.

Këtë procedurë Lista Serbe e pati quajtur si kundër ligjeve dhe rregullores së Kuvendit. Megjithatë, nëntë deputetët e kësaj partie nuk kanë marrë shumicën e votave në Kuvend për t’u zgjedhur nënkryetar.

Votat nuk i mori as deputeti tjetër serb, Nenad Rashiq, që nuk i takon këtij grupi.

Kurti takon kongresistin Torres në Washington

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit të tij në Uashington, ka zhvilluar një takim me kongresistin amerikan nga radhët e Partisë Demokratike, Ritchie Torres, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti e falënderoi Torresin për qëndrimet e tij të hapura dhe të qarta në mbështetje të Kosovës. Gjatë takimit, kryeministri e informoi kongresistin për progresin ekonomik dhe demokratik që vendi ka shënuar vitet e fundit, si dhe për zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe rajon.

Kryeministri theksoi gjithashtu aspiratën e palëkundur të Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO, duke e konsideruar këtë orientim si një objektiv strategjik të shtetit. Ai foli për planet e mëdha investive në vend, duke përfshirë projektin e hekurudhës Prishtinë–Durrës, zhvillimin e shpejtë të sektorit të teknologjisë, si dhe mundësitë për kompanitë amerikane që të bashkëpunojnë dhe të investojnë në Kosovë.

Ky takim vjen në kuadër të vizitës së Kryeministrit Kurti në Shtetet e Bashkuara, duke forcuar partneritetin ndërmjet Kosovës dhe komunitetit politik amerikan, si dhe promovimin e investimeve dhe bashkëpunimit ekonomik.

Rezultatet e 12 tetorit, KQZ premton publikim të shpejtë

Nëse gjithçka shkon sipas planifikimeve të Komisionit Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale, do të të transmetohen brenda pak orëve, përcjell albinfo.ch.

KQZ-ja po synon që në ditën e zgjedhjeve lokale, më 12 tetor, të prezantojë dy lloje të rezultateve preliminare, ato për kryetar të komunave si dhe ato për kuvende komunale.

Në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 9 shkurt, KQZ-ja pati dështuar të transmetonte rezultatet preliminare të subjekteve politike për shkak të problemeve të paraqitura me platformën elektronike të rezultateve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se gjatë përgatitjeve të zgjedhjeve lokale janë trajtuar edhe sfidat me të cilat është ballafaquar ky institucion në zgjedhjet e fundit parlamentare.

“Në përgjigje ndaj sfidave të paraqitura në zgjedhjet e fundit, të cilat ndërlidhen me procesin e numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe evidentimit të tyre përmes softuerit, për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, KQZ ndërmarrë veprimet e nevojshme për zhvillimin e softuerit të ri për rezultate preliminare nga vendvotimet, rezultate nga Qendrat Komunale të Numërimit dhe nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve”, ka theksuar Elezi.

I pyetur se çfarë të dhënash do të publikojë KQZ-ja në ditën e zgjedhjeve, Elezi tha se përveç rezultateve preliminare, në orare të caktuara publiku do të njoftohet edhe për pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje.

“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i fletëvotimeve të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave dhe të subjekteve politike duhet të bëhet në vendvotim, pasi të përfundojë procesi i votimit. Prandaj, KQZ po bën përgatitjet që më 12 tetor të publikohen rezultatet preliminare të kandidatëve për Kryetarë të Komunave dhe të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale. Gjithashtu, gjatë zhvillimit të ditës së votimit, në orare të caktuara do të publikohen edhe të dhëna për pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje, për secilën komunë, të detajuar për çdo Qendër Votimi dhe Vendvotim”, ka deklaruar Elezi.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i votave të kandidatëve për anëtarë të Kuvendeve Komunale nuk bëhet në vendvotime, por në Qendrat Komunale të Numërimit. KQZ ka caktuar nga një qendër të tillë për çdo komunë dhe do të jenë të vendosura kryesisht në palestra sportive.

Kurti nga Nju Jorku: Kosova, aleate e palëkundur e SHBA-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Nju Jork mori pjesë në një diskutim të organizuar nga Hudson Institute, me temë “Partneriteti në rritje Kosovë – ShBA në mbrojtje dhe zhvillim”. Në fjalën e tij, Kurti theksoi se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara kanë kaluar nga një partneritet i pasluftës në një aleancë të plotë politike, ushtarake dhe zhvillimore.

Kosova sot nuk është thjesht një shtet pas-konfliktit nën mbrojtjen e NATO-s, por një aleat i besuar dhe një kontribues në siguri. Me SHBA-në ndajmë jo vetëm vlera, por edhe veprim konkret në fushën e mbrojtjes, diplomacisë dhe zhvillimit”, tha Kurti.

Mbrojtja dhe siguria

Kreu i qeverisë kujtoi rolin e vendimtar të NATO-s në vitin 1999, duke theksuar se çlirimi i Kosovës dhe rruga drejt pavarësisë u mundësuan falë ndërhyrjes së aleancës dhe mbështetjes së palëkundur të SHBA-së. Ai nënvizoi transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), e cila tashmë ka marrë pjesë në misione ndërkombëtare dhe ka rritur në mënyrë të konsiderueshme kapacitetet e saj.

Kurti përmendi katërfishimin e buxhetit të mbrojtjes, blerjen e sistemeve moderne si Javelin, UAV dhe ASV, si dhe diskutimet për helikopterët Black Hawk. Ai theksoi se Kosova tashmë është pjesë e marrëveshjeve të avancuara me SHBA për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe bashkëpunon ngushtë në mbështetje të Ukrainës, duke trajnuar personel, dhuruar pajisje dhe zbatuar sanksione ndaj Rusisë, Bjellorusisë, Iranit dhe Hezbollahut.

Zhvillimi ekonomik

Në aspektin ekonomik, Kurti theksoi rolin e madh të SHBA-së si partner strategjik. “Qeveria ime uli në 0% tarifat për të gjitha mallrat e prodhuara në ShBA, duke forcuar lidhjet tona tregtare dhe duke nxitur investimet amerikane”, deklaroi ai.

Ai përmendi gjithashtu grandin mbi 200 milionë dollarë të MCC Compact, fokusuar në ruajtjen e energjisë në bateri, si dhe projektet e General Electric për modernizimin e termocentralit Kosova B. Këto investime, sipas tij, janë njëherësh zhvillim ekonomik dhe siguri energjetike.

Konteksti rajonal

Kurti paralajmëroi për rrezikun që paraqet Rusia në rajon dhe rolin destabilizues të Serbisë. Ai kritikoi presidentin serb Aleksandar Vuçiq për refuzimin e sanksioneve ndaj Moskës dhe për ruajtjen e lidhjeve të ngushta me Kremlinin, duke e cilësuar këtë qasje si “lojë për kohë dhe shfrytëzim të përçarjeve në BE”.

Kosova është vijë e parë mbrojtëse kundër ndikimeve të rrezikshme. Institucionet tona janë të forta, transparente dhe të lidhura ngushtë me partnerët perëndimorë”, u shpreh ai.

Mesazhi përfundimtar

Në mbyllje të fjalës së tij, kryeministri Kurti nënvizoi se Kosova nuk kërkon të shihet vetëm si përfituese e mbështetjes së NATO-s dhe SHBA-së, por si një kontribuese e sigurisë, partnere në zhvillim dhe aleate e palëkundur.

Në një rajon ku ndikimi rus shfrytëzon përçarjet, Kosova qëndron fort me Shtetet e Bashkuara – në fjalë, në politika dhe në veprime”, tha ai, duke shtuar se partneriteti Kosovë–ShBA është i bazuar në parime, vlera dhe interesa të përbashkëta.

80 mijë franga gjobë dhe më pak tifozë: FIFA e ndëshkon Serbinë para sfidës me Shqipërinë

Bëhet e ditur se Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) e ka dënuar Federatën e Futbollit të Serbisë për incidentet e shumta në ndeshjen e kaluar të Serbisë me Anglinë. Për shkelje të numërta, Federata serbe duhet të paguajë plot 80 mijë franga zvicerane, përcjell albinfo.ch.

Ndërkohë ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë pritet të luhet në praninë e vetëm 6500 shikuesve.

Komisioni Disiplinor i FIFA-s ka dënuar Federatën e Futbollit të Serbisë me mbylljen e të paktën 20 për qind të stadiumit “Duboçica” në Leskovc. Tribunat pas portave pritet të jenë pa shikues, ndërsa mediumet serbe kanë raportuar se do të lejohen 6500 shikues në stadium.

Stadiumi në Leskovc ka kapacitet prej 8136 vendeve.

Ndeshja e kaluar e Serbisë me Anglinë ishte zhvilluar në Beograd në praninë e 40 mijë shikuesve.

Kishte shkelje të shumta, fyerje ndaj Kosovës e shqiptarëve, fishkëllima ndaj himnit anglez e po ashtu sulm fizik të grupeve krimininale, të afërta me Aleksandar Vuçiqin, ndaj shikuesve që bënin thirrje kundër pushtetit aktual në Serbi. Në humbjen 5:0 nga Anglia, ka pasur edhe fishkëllima e fyerje ndaj selektorit të Serbisë, Dragan Stojkoviq.

FIFA ka dënuar Serbinë për incidentet me rendin dhe sigurinë dhe për sjelljet e papranueshme dhe diskriminuese të një pjese të tifozëve në ndeshjen ndaj Anglisë.

“Pamundësi të sigurimit të rendit dhe disiplinës brenda dhe rreth stadiumit; përdorim i laserit dhe veprime të papranueshme, fjalë dhe mjete të papranueshme; pengim i himnit anglez; sjellje diskriminuese të tifozëve të caktuar”, janë shkeljet që i ka rreshtuar Disiplinori i FIFA-s.

“Pos gjobës financiare, Federata e Futbollit e Serbisë është urdhëruar që ndeshjen e ardhshme garuese të FIFA-s, atë ndaj Shqipërisë në Leskovc, ta luajë para një numri të kufizuar shikuesish. Me këtë rast do të mbyllet të paktën 20 për qind e kapacitetit të tribunave, pas portave”, ka shkruar Federata e Futbollit e Serbisë të martën.

Këto tribuna mund të mbushen me grupe të “interesit të veçantë” si familje, nxënës, organizata me fokus në luftën ndaj diskriminimit. Por kjo duhet të miratohet nga FIFA pas propozimit që do ta bëjë federata serbe.

Federata serbe ka lënë të kuptohet se nuk do të bëjë ankesë në vendim.

“Federata e Futbollit e Serbisë do të veprojë në përputhje me vendimin dhe do të marrë të gjitha masat që të parandalojë incidente të ngjashme në të ardhmen”, shkruan në njoftimin e federatës serbe.

Në të vërtetë kjo federatë dënohet thuajse rregullisht nga UEFA e FIFA. Shpesh dënimet i jepen për fyerjet e shkeljet që kanë të bëjnë me Kosovën e shqiptarët.

Për të zvogëluar gjasat për ndonjë incident të rëndë e po ashtu për të limituar fyerjet ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe pushtetit aktual në Serbi, u vendos që ndeshja e 11 tetorit me Shqipërinë të luhet në stadiumin e vogël në Leskovc, në vend të stadiumit të madh në Beograd.

Kontrollimi i shitjes së biletave vlerësohet se është shumë më i lehtë për stadiumin e vogël në Leskovc.

Ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë është vendimtare për vendin e dytë në grupin kualifikues për Kupën e Botës 2026. Vendi i parë thuajse është siguruar nga Anglia.

Një kapitull i ri, shqiptari Armir Gjeci në krye të Karabinierëve në Ivrea

Komuniteti shqiptaro-italian ka një arsye të re për krenari. Kapiten Armir Gjeci është emëruar komandant i Kompanisë së Karabinierëve në Ivrea, provincën e Torinos, duke u bërë kështu shqiptari i parë që merr një detyrë kaq të lartë në këtë strukturë të rëndësishme të sigurisë italiane, transmeton albinfo.ch.

I transferuar nga Njësia Investigative e Torinos, Gjeci merr drejtimin e forcave të rendit në rajonin e Canaveses, një zonë me rëndësi strategjike dhe me sfida komplekse në fushën e sigurisë publike. Ky emërim përbën një hap të madh në karrierën e tij, por njëkohësisht edhe një dëshmi e integrimit dhe kontributit të shqiptarëve në shoqërinë italiane.

Gjatë karrierës së tij, Kapiten Gjeci është dalluar për përkushtimin në luftën kundër trafikut të drogës, kriminalitetit dhe për angazhimin në programe parandalimi për të rinjtë në shkolla, ku ka trajtuar tema si bullizmi dhe rreziqet e substancave narkotike. Për të, uniforma nuk është vetëm simbol autoriteti, por edhe mbrojtje dhe mbështetje për komunitetin.

Ky moment historik shërben si shembull frymëzues për diasporën shqiptare, duke treguar se profesionalizmi, përkushtimi dhe integriteti shpërblehen me përgjegjësi të reja dhe besim të lartë në shërbim të shoqërisë./Albinfo.ch

Protestë kundër shitjes së Nestlé Waters

Rreth 100 persona u mblodhën të hënën në selinë e Nestlé Waters në Vevey për të protestuar kundër shitjes së propozuar të kompanisë te një partner. Demonstruesit, të ardhur nga Franca, Italia, Spanja, Polonia, Belgjika, Luksemburgu dhe Anglia, shprehën shqetësime për të ardhmen e vendeve të punës dhe fabrikave të Nestlé Waters.

Duke marshuar me flamuj të disa sindikatave evropiane dhe pankartën “E ardhmja e punonjësve të Nestlé Waters nuk është për shitje”, ata paralajmëruan për rreziqet e mbylljeve dhe humbjes së të drejtave sociale, bazuar në përvoja të mëparshme të kompanisë.

Nestlé ka konfirmuar se do të diskutojë shqetësimet e punonjësve gjatë një takimi me Komitetin Evropian për Informim dhe Konsultim (CICEN) të martën dhe siguroi se po kërkon një partner për të garantuar suksesin afatgjatë të biznesit të ujit.

Nestlé Waters është përfshirë në polemika që nga viti 2024, për përdorimin e trajtimeve të ndaluara në disa site të shishimit të ujit mineral në Francë dhe Zvicër.

 

 

Novartis nis platformën e shitjes direkte në SHBA për të ulur çmimet e ilaçeve

Novartis po nis një kapitull të ri në shitjet në SHBA: Të hënën, kompania farmaceutike njoftoi se do të shesë drejtpërdrejt tek pacientët që paguajnë me para të gatshme ilaçin e saj për psoriasis, Cosentyx (secukinumab), përmes një platforme të drejtpërdrejtë për pacientët (DTP).

Kjo platformë pritet të nisë më 1 nëntor 2025 dhe do t’u ofrojë pacientëve që kanë marrë recetën për këtë ilaç mundësinë për ta blerë me një ulje prej 55% mbi çmimin listë.

Sipas komunikatës për shtyp, Cosentyx është produkti më i shitur i Novartis në SHBA. Ai është një biologjik i miratuar për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme inflamatore të shkaktuara nga sistemi imunitar.

“Në SHBA, kemi kuptuar prej kohësh se duhet mënyra të reja për të arritur pacientët më drejtpërdrejt, duke hequr pengesat në sistem,” tha Victor Bultó, President i Novartis në SHBA. Lançimi i kësaj platforme është hapi i parë, dhe Novartis synon të aplikojë këtë model edhe për ilaçe të tjera.

Përmes platformës DTP, Novartis do të ofrojë Cosentyx për pacientët në SHBA me një çmim që pasqyron kursimet mesatare të siguruesve dhe menaxherëve të përfitimeve farmaceutike, sipas komunikatës për shtyp.

Green Coast dhe Vlora Marina në vëmendjen e investitorëve ndërkombëtarë 

Green Coast mirëpriti një grup investitorësh dhe sipërmarrësish nga Holanda, në një aktivitet të veçantë që ndërthurte biznesin me sportin. Për tre ditë me radhë, të ftuarit u njohën nga afër me mundësitë që ofron Shqipëria në sektorin e real estate, përmes vizitave në projektet më të rëndësishme të bregdetit, Green Coast dhe Vlora Marina.

CEO e Balfin Real Estate, znj. Ledia Telhai dhe Drejtori i Shitjeve, z. Eltion Koçi, prezantuan vizionin dhe zhvillimet e projekteve, duke theksuar interesin gjithnjë e më të madh të investitorëve të huaj për tregun shqiptar. “Në sektorin e real estate, Shqipëria ofron mundësi që pak vende në rajon mund t’i garantojnë,” u shpreh znj. Telhai, duke theksuar se kërkesa e lartë për prona përgjatë bregdetit po reflektohet në rritjen e qëndrueshme të vlerës dhe në kthimin e tyre në një investim të sigurt e afatgjatë.

Duke ndalur tek rëndësia e këtij aktiviteti, z. Koçi, theksoi se ky event ishte një mundësi për të prezantuar nga afër potencialin e jashtëzakonshëm të këtyre projekteve, si dhe për të treguar se Shqipëria po fiton vendin e merituar në hartën e investimeve ndërkombëtare.”

Edhe vetë investitorët e huaj u shprehën të impresionuar nga përvoja e tyre në Shqipëri.

“Ka qenë një eksperiencë vërtet e jashtëzakonshme. Gjatë këtyre ditëve në Shqipëri patëm mundësinë të njiheshim me potencialin e madh që ofron vendi për investime dhe me bukurinë natyrore të rivierës. Patëm mundësinë të organizonim turneun tonë të padelit pikërisht këtu në Green Coast, ku gjetëm të gjitha facilitetet e nevojshme. Jam i bindur se Shqipëria po pozicionohet si një destinacion shumë tërheqës për investitorët,” u shpreh një prej tyre.

Programi i aktivitetit përfshiu një tur informues në Green Coast, ku të ftuarit vizituan “Galeria by TEG”, qendra e vetme tregtare në rivierën shqiptare, e pozicionuar brenda resortit, për të vijuar më pas në Lifestyle Center “La Vista”, si dhe shëtitoren buzë detit. Turit iu shtua edhe vizita në rezidencat tashmë të përfunduara dhe të banuara, ku investitorët patën mundësi të shihnin nga afër atmosferën e një destinacioni tashmë të konsoliduar, përpara se të njiheshin me ecurinë e fazave të reja të projektit dhe tipologjive që ofrohen.

Eksperienca u plotësua me një udhëtim në det përgjatë Rivierës Shqiptare, nga Green Coast drejt Vlora Marinës. Teksa shijuan panoramën e gjireve dhe plazheve përgjatë vijës bregdetare, pjesëmarrësit u ndalën për të parë në terren zhvillimin e punimeve në projektin Vlora Marina si dhe më pas në ambientet e zyrave, ku janë njohur me vizionin dhe konceptin e këtij projekti, që pritet të sjellë në Shqipëri marinën e parë të klasit botëror dhe një kompleks rezidencial me apartamente premium buzë detit.

Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm në prezantimin e Shqipërisë si një destinacion tërheqës për kapitalin ndërkombëtar, duke e pozicionuar rivierën tonë jo vetëm si një destinacion turistik, por edhe si një qendër të re mundësish për investime në Mesdhe.

 

 

Trump pas takimit me Netanyahun: Marrëveshja e paqes duket shumë afër

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se një marrëveshje paqeje për Lindjen e Mesme është “shumë pranë realizimit”, gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Trump theksoi se ka bashkëpunuar ngushtë me Netanyahun për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për rajonin, duke nxjerrë në pah rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza.

“Ky mund të jetë një nga momentet më të rëndësishme në historinë e qytetërimit,” tha ai, duke e quajtur ditën e sotme “historike për paqen”.

Presidenti amerikan shtoi se takimi i fundit me Netanyahun kishte për qëllim diskutimin mbi përfundimin e konfliktit në Gaza. Sipas Trump, është bërë një progres i madh drejt arritjes së paqes, dhe tani ekziston një plan formal i përbërë nga 21 parime kryesore.

“Po publikojmë zyrtarisht planin e paqes me 21 parime, i cili është pritur me shumë pozitivitet,” deklaroi Trump.

Kosova përgatitet për rregulla të reja BE: hyrje-dalje pa vula nga 12 tetori

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nga data 12 Tetor 2025 do të zbatohen rregulla të reja për hyrjen dhe daljen nga Bashkimi Evropian.

Nga kjo datë do të funksionojë Entry/Exit System (EES), një sistem digjital që regjistron automatikisht hyrjet dhe daljet nga territori i BE-së.

“Ky sistem vlen për të gjithë shtetasit që nuk janë pjesë e BE-së dhe udhëtojnë drejt Evropës. Nuk do të vendosen më vula në pasaportë; të gjitha të dhënat do të regjistrohen digjitalisht, duke përfshirë gjurmët e gishtërinjve dhe fotografitë,” njofton Policia e Kosovës.

Në faqen e Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar janë publikuar detaje të tjera mbi funksionimin e sistemit.

 

Çfarë ndodh nëse humbni telefonin me E-ID?

Me miratimin e identitetit elektronik (E-ID) në Zvicër, përdoruesit mund të kryejnë shumë veprime digjitale, si hapjen e llogarive bankare, regjistrimin për shërbime mobile dhe porositjen e dokumenteve zyrtare. Por çfarë ndodh në rast se humbisni telefonin?

Ekspertët sigurojnë se E-ID lidhet ngushtë me pajisjen tuaj personale. Në rast humbjeje ose zëvendësimi të telefonit, identiteti elektronik duhet të kërkohet përsëri, gjë që e bën shumë të vështirë keqpërdorimin e tij nga të tjerët. Përveç kësaj, përdoruesit mund të bllokojnë menjëherë E-ID-në në rast dyshimi për siguri.

Ky sistem siguron që të dhënat personale të mbeten të sigurta dhe se përdoruesit kanë kontroll të plotë mbi informacionin e tyre. Autoritetet theksojnë se E-ID është vullnetare dhe siguria e saj është e lidhur jo vetëm me teknologjinë, por edhe me kujdesin e përdoruesit.

Mashtrimet me gjobat e rreme për parkim po përhapen në Zvicrën frankofone

Policia e Gjenevës paralajmëron për një mashtrim të ri që përfshin mesazhe të rreme, të njohura si “SMS blasters”, sipas emrit të pajisjes mobile që përdoret. Kjo praktikë shfrytëzon një dobësi sigurie në rrjetet 4G dhe 5G për të dërguar mesazhe që duket se janë zyrtare, përfshirë edhe gjoba të rreme, në zona të ndryshme.

Imagjinoni automjete që lëvizin nëpër qytet për të kapur sa më shumë përdorues telefoni. Brenda tyre gjendet një pajisje – SMS blaster – e cila lidhet me rrjetin mobil në zonë dhe dërgon mesazhe tek të gjithë telefonat në rreth, pa pasur nevojë të dijë numrat e tyre. Mesazhi, që duket se vjen nga një shërbim zyrtar, informon viktimat e mundshme se një gjobë prej 40 frangash është në pritje, duke përfshirë një afat dhe një lidhje (link). Ky link i dërgon përdoruesit në një faqe që duket shumë si platforma reale e pagesës së gjobave, ku kërkohet të plotësohen të dhëna personale.

Nëse bie pre e këtij mashtrimi, nuk humbet vetëm 40 franga. Informacioni i dhënë në faqen e rreme (emri, adresa, data e lindjes, IBAN) përdoret për të marrë shuma më të mëdha nga viktimat. Mashtruesi i telefonon duke pretenduar se është punonjës i bankës dhe njofton për aktivitet të dyshimtë në llogarinë e tyre. Nëse viktimat skanojnë kodin QR të dërguar, është tepër vonë: mashtruesit kanë akses në llogarinë e tyre bankare online.

Aktualisht veçanërisht në Gjenevë

Pasi shumica e mashtruesve janë frankofonë, ky mashtrim është përqendruar kryesisht në Zvicrën frankofone. Sipas Aline Dard, zëdhënëse e policisë kantonale të Gjenevës, të paktën 150 persona në Gjenevë janë bërë viktima që nga prilli. Totali i shpenzuar: 1.6 milion franga. Gjatë verës së vitit 2025, tre persona të dyshuar për përfshirje në këtë lloj mashtrimi u arrestuan, njoftoi prokuroria publike e Gjenevës javën e kaluar.

“Derisa deri tani janë bërë tre arrestime, mbetemi vigjilentë sepse mashtruesit po zhvillojnë teknikat e tyre. Fenomeni po përhapet në Zvicrën frankofone, por shumica e rasteve ka ndodhur në Gjenevë,” shtoi Aline Dard.

“Policia nuk do të dërgonte asnjëherë një mesazh të tillë për të kërkuar pagesën e një gjobe,” theksoi zëdhënësja. Prandaj, këtyre mesazheve nuk duhet t’u përgjigjeni asnjëherë.

Si funksionon pajisja SMS blaster

“SMS blasters janë pajisje të vendosura në automjete. Ato kanë një sistem që mund të ndërpresë sinjalin 3G ose 4G. Telefonat brenda një rrezeje prej rreth 500 metrash do të kërkojnë një antenë të disponueshme. Antena që do të përdoret është 2G, që ka dobësi sigurie. Në këtë mënyrë, mesazhet SMS mund të dërgohen në telefonat në afërsi,” shpjegon Aline Dard.

Të gjithë telefonat janë të prekur, dhe parandalimi i kalimit të telefonit nga 4G ose 5G në 2G është shumë i vështirë, edhe pse ka disa metoda teknike.

 

Katër vite pas refuzimit të iniciativave: Si qëndron Zvicra me përdorimin e pesticideve?

Katër vite pas refuzimit të dy iniciativave “anti-pesticide” në Zvicër, janë ndërmarrë hapa konkretë për të reduktuar përdorimin e tyre në bujqësi – por debati mbetet i hapur.

Fermerët kanë filluar të kultivojnë fruta rezistente ndaj sëmundjeve, si pemishtet me mollë që kërkojnë 60% më pak fungicide. Gjithashtu, një makineri e re me kamera lejon shpërndarjen e herbicideve vetëm aty ku ka barëra të këqija, duke ulur përdorimin me 95%. Shteti mbështet financiarisht këto investime dhe qindra fermerë tashmë i kanë përqafuar.

Në kantonin Fribourg janë ndërtuar 69 stacione larjeje për të parandaluar derdhjen e pesticideve në mjedis, sërish me mbështetje shtetërore.

Megjithatë, kritikat ndaj Parlamentit janë të forta: sipas Pro Natura, shumë premtime të bëra gjatë fushatës janë zbehur, si p.sh. shkurtimi i zonave të biodiversitetit që ndihmojnë insektet e dobishme.

Ekspertët theksojnë se është ende herët për të nxjerrë përfundime përfundimtare. Suksesi i këtyre masave do të varet edhe nga pranimi i tregjeve të mëdha për produktet bujqësore të reja.

 

Kjo pajisje elektrike në shtëpinë tuaj konsumon më shumë energji se 65 frigoriferë

Shumë pak njerëz e kuptojnë se furra elektrike është një nga konsumatoret më të mëdha të energjisë elektrike në një shtëpi, ndonëse shpesh nënvlerësohet krahasuar me pajisje të tjera si frigoriferi apo tharëset e rrobave.

Sipas të dhënave, fuqia e furrës elektrike varion nga 2,000 deri në 5,000 vat, që do të thotë se ajo mund të shpenzojë nga 40 deri në 90 kilovat-orë në muaj, në varësi të përdorimit. Kur përdoret në temperaturë të lartë, konsumi i saj i menjëhershëm mund të jetë i barabartë me ndezjen e 65 frigoriferëve njëkohësisht.

Një studim ka zbuluar se një familje mesatare përdor deri në 224 kWh në vit vetëm për furrën, një shifër më e lartë se shumë pajisje të tjera që punojnë vazhdimisht në shtëpi. Shtesa në konsum vjen edhe nga pajisjet me ekrane dixhitale dhe orë, të cilat konsumojnë energji edhe kur janë në modalitetin e gatishmërisë. Ky modalitet mund të përbëjë 5 deri në 26% të përdorimit total të energjisë së familjes.

Për të ulur faturën e energjisë elektrike gjatë përdorimit të furrës, mund të ndiqni këto këshilla:

Përdorni një ngrohje për të gatuar disa vakte njëkohësisht.

Fikeni furrën disa minuta para përfundimit të gatimit, sepse ajo ruan nxehtësinë.

Mos hapni derën shpesh, pasi çdo hapje ul ndjeshëm temperaturën dhe rrit konsumin.

Nëse modeli i furrës konsumon energji edhe në gjendje fikur, shkëputeni nga priza.

 

Finlanda redukton ndihmat e papunësisë për imigrantët

Finlanda ka njoftuar planet për të ulur ndihmat e papunësisë për imigrantët që nuk flasin gjuhën finlandeze ose suedeze në një nivel të pranueshëm, raportoi sot gazeta “Helsingin Sanomat”.
Sipas ndryshimeve të propozuara, ndihmat mujore për imigrantët që nuk zotërojnë njohuritë e nevojshme gjuhësore do të ulen deri në rreth 50 euro. Megjithatë, mbështetja mund të rritet përsëri në nivelin aktual nëse këta individë tregojnë aftësi të mjaftueshme në gjuhën lokale ose kryejnë punë të mjaftueshme.
Ende nuk është e qartë nëse ky ndryshim do të aplikohet vetëm për imigrantët e rinj apo edhe për ata që tashmë jetojnë në Finlandë.
Ministrja e Financave, Riikka Purra, shpjegoi se “mbështetja për integrimin do të zëvendësojë ndihmën aktuale të tregut të punës për disa grupe imigrantësh, duke ulur kështu ndihmën në nivelin bazë të të ardhurave.”

Danimarka ndalon fluturimet e dronëve para samitit të BE-së

Përpara samitit të Bashkimit Evropian që do të mbahet këtë javë, Danimarka ka vendosur të mbyllë hapësirën e saj ajrore për dronët civilë, njoftuan zyrtarët sot, pas disa incidenteve të shfaqjeve të dronëve në afërsi të aeroporteve gjatë natës.

Forcat e armatosura daneze raportuan prezencën e disa dronëve pranë bazave ushtarake, duke rritur shqetësimet për sigurinë.

Ministria e Transportit njoftoi se nga sot deri të premten ndalohet çdo fluturim civil me dronë në të gjithë territorin e Danimarkës, ndërkohë që në Kopenhagen priten takime të rëndësishme të liderëve të BE-së.

Ministri Thomas Danielsen theksoi se kjo masë merret për të garantuar sigurinë dhe për të parandaluar çdo rrezik apo shqetësim gjatë pritjes së liderëve evropianë.

Takimi i BE-së në Kopenhagen do të fokusohet në çështje të mbrojtjes së infrastrukturës kritike dhe përgatitjes së mëtejshme për situata emergjente në nivel evropian.

Danimarka, e cila ka marrë kryesimin e Këshillit të BE-së këtë verë, është në gatishmëri të shtuar pas disa incidenteve të fundit me dronë. Aeroporti kryesor u detyrua të mbyllej për disa orë, ndërsa aeroporte më të vogla u prekën në ditët pasuese. Një dron u pa gjithashtu mbi bazën më të madhe ushtarake në vend.

Qeveria e ka cilësuar këtë si një “sulm hibrid” dhe po heton mundësinë e një aktori profesional që synon të krijojë tensione në një anëtar të NATO-s.

Rusia ka mohuar përfshirjen në këto ngjarje përmes deklaratës së ambasadës së saj në Danimarkë.

 

Ngjarje tragjike në Gjermani: Burri vret gruan, dy fëmijët dhe më pas veten në Oltenburg

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të hënën në qytetin Oltenburg të Gjermanisë, ku katër persona kanë humbur jetën pas një sulmi me armë zjarri.

Sipas të dhënave të para nga hetimet, një burrë vrau bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, përpara se të kryente vetëvrasje.

Policia gjermane ka rrethuar lagjen Osternburg, ku ndodhi krimi, dhe ka bllokuar qarkullimin në zonë për arsye sigurie. Viktimat janë gjetur të pajetë brenda një shtëpie, ndërsa hetuesit ndodhen ende në fazën fillestare të zbardhjes së rastit.

Deri më tani nuk janë publikuar identitetet e viktimave, as motivi që çoi në këtë tragjedi.

 

Pse kaq pak të huaj votojnë në Zvicër edhe pse munden?

Të huajt në një numër të vogël komunash dhe kantonesh zvicerane mund të votojnë në disa zgjedhje, por shumë prej tyre nuk e bëjnë. Ne shqyrtojmë arsyet pas kësaj dhe se si kantoni i Fribourg dëshiron ta ndryshojë këtë.

Zvicra është shtëpia e rreth 2.4 milionë të huajve – rreth 27 përqind e popullsisë së përgjithshme.

Ndërsa njerëzit pa shtetësi zvicerane nuk mund të votojnë në nivel federal, një numër i të huajve mund të votojnë në nivel kantonal dhe komunal, përcjell albinfo.ch.

E gjitha varet nga vendi ku jetojnë. Kantonet dhe komunat mund të vendosin nëse – dhe në çfarë kushtesh – banorët jo-zviceranë kanë të drejta politike në këto nivele.

Për momentin, një numër i vogël kantonesh dhe komunash – kryesisht në pjesën frëngjishtfolëse të vendit – kanë të drejta të zgjeruara votimi.

Për shembull, kantonet e Neuchâtel, Jura, Fribourg dhe Vaud lejojnë jo-qytetarët të votojnë, të zgjedhin zyrtarë dhe të kandidojnë në zgjedhje në nivel komunal.

Neuchâtel dhe Jura u japin gjithashtu banorëve ndërkombëtarë të drejtën e votës në nivel kantonal, ndërsa Gjeneva, e cila ka popullsinë më të madhe të huaj në Zvicër (45 përqind), u jep të huajve të drejtën e votës në nivel komunal, por ata nuk mund të kandidojnë për poste.

Kushtet ndryshojnë nga një kanton në tjetrin, por në shumicën e rasteve kërkohet një kohëzgjatje e caktuar qëndrimi dhe/ose një leje qëndrimi.

Në Zvicrën gjermanishtfolëse, vetëm disa komuna në Appenzell dhe Graubünden lejojnë të huajt të votojnë në disa raste.

Çfarë po ndodh në Fribourg?

Kantoni dygjuhësh i Fribourg ka rreth 40,000 të huaj që jetojnë atje – por shumë pak prej tyre zgjedhin të votojnë.

Me komunat që mbajnë zgjedhjet e tyre në mars 2026, kantoni dëshiron të ndryshojë rrjedhën dhe të motivojë banorët e huaj, të cilët kanë një leje C dhe kanë qenë banorë të kantonit për të paktën pesë vjet, të shkojnë në kutitë e votimit.

Autoritetet lokale kanë nisur një fushatë shumëgjuhëshe të quajtur “Vota juaj ka rëndësi”. Përfshin postera, video shpjeguese dhe dëshmi, të gjitha me shpresën për t’u kujtuar banorëve të huaj se ata kanë të drejtë të votojnë (dhe të kandidojnë në zgjedhje) në nivel bashkie.

Qëllimi është që më shumë njerëz të votojnë. “Po shohim një rënie të interesit për pjesëmarrjen politike – dhe kjo nuk kufizohet aspak vetëm në komunitetin e emigrantëve”, tha Guiseppina Greco, Delegate e Integrimit për Kantonin e Fribourg-ut.

Patrice Borcard, presidente e Komisionit Kantonal për Integrimin e Migrantëve dhe Parandalimin e Racizmit (CMR), tha se fushata ishte e rëndësishme sepse shtetasit e huaj mund të mos jenë as të vetëdijshëm se mund të votojnë.

“Kjo e drejtë, e cila është e sanksionuar në Nenin 48 të Kushtetutës së Fribourg-ut, vlen për pothuajse 40,000 njerëz dhe meriton të njihet më mirë dhe të jetë më e dukshme”, tha Borcard. “Është çështje kohezioni social”, shkruan thelocal.

“Demokracia lokale lulëzon në diversitetin e zërave që e përbëjnë atë”, shtoi Këshilltari Shtetëror Romain Collaud.

“Votimi do të thotë të ushtrosh një të drejtë, por edhe të kontribuosh në mënyrë aktive në jetën e komunitetit tënd dhe të marrësh pjesë në vendime që formësojnë jetën tonë të përditshme.”

Pjesëmarrja e ulët në votime për të huajt

Tabloja është e ngjashme në pjesë të tjera të Zvicrës.

Edhe pse shtetasve të huaj u lejohet të marrin pjesë në politikë, shumë prej tyre ngurrojnë ta bëjnë këtë. Një studim nga Universiteti i Neuchâtel tregoi se pjesëmarrja në votime midis popullsisë së huaj është dukshëm më e ulët se midis qytetarëve zviceranë.

Për shembull, në La Punt Chamues-ch, një komunë e vogël në Rajonin Maloja në kantonin zviceran të Grisons, të huajt kanë të drejtë të votojnë dhe të kandidojnë në zgjedhje, megjithatë vetëm disa përfitojnë nga kjo. Nga afërsisht 40 votues të kualifikuar, vetëm katër deri në gjashtë marrin pjesë në zgjedhjet komunale, sipas Urs Niederegger, sekretarit komunal, i cili foli me transmetuesin zviceran SRF. Deri më tani, askush që mban një leje C nuk është kandiduar për zgjedhjet në parlamentin komunal.

Në mënyrë të ngjashme, pjesëmarrja mbetet e ulët në rajone të tjera: në kantonin e Neuchâtel, vetëm 18 përqind e të huajve angazhohen në procesin politik. Në Gjenevë, shifra rritet pak në 23 përqind, megjithëse pjesëmarrja në votime midis komuniteteve spanjolle dhe portugeze është veçanërisht e ulët, përkatësisht 17 dhe 13 përqind, sipas raportimit të gazetës NZZ.

Pse pjesëmarrja është kaq e ulët?

Ka shumë arsye pas pjesëmarrjes së ulët.

Daniel Kübler, profesor i shkencave politike në Universitetin e Cyrihut, tha së fundmi se pjesëmarrja e ulët është e zakonshme kur të drejtat politike zgjerohen rishtazi. Grupet që historikisht janë përjashtuar nga votimi – siç janë gratë – kanë nevojë për kohë për të zhvilluar një ndjenjë identifikimi me ato të drejta, tha ai.

Kübler e përshkroi atë si “një efekt shumë afatgjatë që ka të bëjë me socializimin politik”.

Ndërkohë, disa komunitete ose individë të huaj mund të kenë më shumë interes në politikën e vendit të tyre të origjinës, veçanërisht nëse planifikojnë të kthehen në të ardhmen.

Pastaj është fakti që rregullat janë të ndërlikuara. Duke pasur parasysh se kërkesat ndryshojnë në të gjitha kantonet dhe komunat zvicerane, ka të ngjarë të ketë konfuzion se kush është në të vërtetë i kualifikuar për të votuar.

Banorët e huaj gjithashtu nuk mund të votojnë në nivel federal, që do të thotë se ata nuk kanë të drejtë të flasin për shumë çështje që janë të rëndësishme për jetën e tyre.

Një faktor tjetër është rritja e retorikës anti-imigracion në Zvicër, e cila mund t’i dekurajojë banorët e huaj që të ndihen të pranuar dhe të angazhohen në jetën qytetare.

Çokollata me qumësht, një simbol i vërtetë i Zvicrës, feston 150-vjetorin e saj

Çokollata me qumësht feston 150-vjetorin e saj këtë vit. E shpikur nga një zviceran frëngjishtfolës, ajo është bërë një simbol i vërtetë i Zvicrës dhe mbetet çokollata më e popullarizuar në botë sot.
Në vitin 1875, çokollatisti me bazë në Vaud, Daniel Peter, po kërkonte një produkt që të binte në sy. Më pas, atij i lindi ideja e shtimit të qumështit të kondensuar në çokollatën e tij. Ditë pas dite, ai e përsoste recetën e tij në një fletore të vogël, e cila tani ruhet në arkivat e Nestlé.

“Në faqen e parë, ai thotë ‘testet e mia filluan në tetor 1875’,” rrëfen Lisane Lavanchy, arkiviste dhe historiane në Nestlé, në lajmet e orës 7:30 të mbrëmjes në RTS. “Dhe gjatë ditëve në vijim, ai eksperimentoi me durim me lloje të ndryshme qumështi, metoda tharjeje dhe përmasa për të siguruar ruajtjen maksimale.”

Qumështi nga kullotat zvicerane ndihmon në shitjen e kësaj çokollate të re si një produkt i shëndetshëm dhe ushqyes, i aftë të rikthejë forcën edhe tek më të dobëtit. “Ai e rekomandon atë për turistët, për shëtitje në male ose për mëngjes, sepse është një mëngjes i plotë”, shpjegon Lisane Lavanchy, transmeton albinfo.ch.

Kjo strategji funksionoi. Në fillim të shekullit të 20-të, çokollata ishte bërë eksporti i dytë më i madh ushqimor i Zvicrës. Reklamimi ndihmoi në promovimin e imazhit të vendit si një kartolinë me fotografi.

Një popullaritet që zgjat

Fillimisht konkurrentët, Peter, Nestlé dhe Cailler përfundimisht bashkuan forcat. Me kalimin e viteve, emri i Peter u zhduk, por jo receta e tij, e cila përdoret ende sot në fabrikën Broc (FR). “Çokollata me qumësht është çokollata më e popullarizuar në botë”, gëzohet Fleur Helmig, drejtoreshë e Maison Cailler.

Në dyqanin e çokollatave të Tristan Carbonatto, “Chez Tristan”, në Perroy (VD), çokollata me qumësht është gjithashtu më e popullarizuara. Për çokollatën artizanale, çokollata me qumësht është thjesht më e mira dhe dallohet për karakteristikat e saj specifike. “Ka një strukturë krejtësisht të ndryshme nga çokollatat e tjera, ka një shkëlqim, mund të luash me të”, përshkruan ai.

Sot, çokollata mbetet përgjigjja e tretë që japin turistët kur pyeten se çfarë e përfaqëson më mirë Zvicrën.