Fjalimi i Trump në OKB pritet me padurim

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pritet të rikthehet sot në skenën më të madhe diplomatike globale, duke dominuar ditën e parë të Debatit të 80-të të Përgjithshëm të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, përcjell albinfo.ch.

Ky do të jetë fjalimi i parë personal i Trump përpara Asamblesë që nga viti 2019, dhe pritet me interes të madh nga vëzhguesit ndërkombëtarë. A do të paraqitet ai si një paqebërës ndërkombëtar apo do të ndjekë retorikën e tij të zakonshme konfrontuese? Përgjigjja mbetet e paqartë – shumica e analistëve hezitojnë të bëjnë parashikime.

Fjalimi i Trump do të transmetohet drejtpërdrejt në aplikacionin SRF News dhe në faqen srf.ch/news, dhe pritet të fillojë në orën 15:45 sipas kohës CEST.

Përveç Trump, në mesin e liderëve që do të flasin gjatë ditës janë edhe Presidenti brazilian Lula da Silva, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, dhe Presidenti francez Emmanuel Macron.

Ndër çështjet që pritet të preken në fjalimin e Trump janë qëndrimi ndaj Rusisë dhe Kinës, konfliktet në Ukrainë dhe Gaza, si dhe marrëdhënia e ardhshme e SHBA-së me Kombet e Bashkuara. Disa spekulojnë edhe për mundësinë që ai të njoftojë një tërheqje të re nga OKB-ja, ndonëse kjo mbetet e pasigurt.

Me gjithë spekulimet, një gjë është e qartë: rikthimi i Trump në qendër të diplomacisë globale ka ngritur pritshmëritë dhe tensionet në të njëjtën kohë.

Agjencia evropiane: Paracetamoli i sigurt për përdorim gjatë shtatzënisë

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) ka deklaruar të martën se nuk ka asnjë provë të re që do të kërkonte ndryshim të rekomandimeve për përdorimin e paracetamolit gjatë shtatzënisë. Sipas EMA-s, ky medikament mund të përdoret në mënyrë të kontrolluar dhe vetëm kur është e nevojshme, përcjell albinfo.ch.

Deklarata erdhi pas komenteve të presidentit amerikan Donald Trump, i cili të hënën lidhi marrjen e paracetamolit (i njohur si Tylenol në SHBA) gjatë shtatzënisë me zhvillimin e autizmit tek fëmijët — një pretendim që nuk mbështetet nga prova shkencore.

“Provat e deritashme nuk kanë gjetur asnjë lidhje mes përdorimit të paracetamolit gjatë shtatzënisë dhe autizmit”, u tha në reagimin zyrtar të EMA-s për agjencinë Reuters.

Agjencia sqaroi më tej se paracetamoli mund të përdoret gjatë shtatzënisë, por vetëm në raste të domosdoshme dhe në dozat më të ulëta të mundshme, duke theksuar rëndësinë e përdorimit të kujdesshëm të barnave gjatë kësaj periudhe të ndjeshme.

Vazhdon dëshminë diplomati britanik në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Mësohet se në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, edhe të martën po vazhdon dëshminë ish-këshilltari politik i Wesley Clark, John Stewart Duncan në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, përcjell albinfo.ch.

Pyetjet për këtë dëshmitar është duke i vazhduar prokurori Matt Halling, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori u fokusua tek linja e pyetjeve se deri në çfarë mase ishin përfshirë komandantët e zonave në negociatat e 17 qershorit 1999 për nënshkrimin e marrëveshjes së demilitarizimit.

Dëshmitari tha se nuk e bën dot komentimin e emrave të komandantëve që mund të kenë qenë të pranishëm në këtë takim, duke e ripërsëritur që nuk është i mirë me emrat.

Duncan tha se nëse përmenden emrat nga prokurori duke iu referuar ndonjë fotografie, mund edhe ta bëjë një gjë të tillë.

Dëshmitari u pyet për Bislim Zyrapin, me këtë rast ai sërish tha se pas 26 vitesh është e vështirë t’i kujtohen emrat.

Ndërkaq, kur u pyet për një fotografi ku shihej Xhavit Haliti, ai tha se ky nuk është personi që i ishte prezantuar me këtë emër në Tiranë. Pas kësaj, ai kërkoi që seanca të kalojë në private, për të shpjeguar diçka e cila nuk u kundërshtua nga trupi gjykues dhe palët tjera në procedurë.

Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit. Ndërsa, kur erdhi dëshmitari në sallë, u shfaqën probleme teknike në kompjuterin e gjyqtarit, Christoph Barthe.

Kosova lë pas Zvicrën e Norvegjinë, e treta për siguri globale

Sipas raportit më të ri ndërkombëtar Gallup Global Safety Report 2025, Kosova është ndër vendet më të sigurta në botë, duke u pozicionuar e treta globalisht dhe e para në Evropë për ndjenjën e sigurisë së qytetarëve dhe besimin ndaj institucioneve të zbatimit të ligjit, transmeton albinfo.ch.

Raporti tregon se Kosova ka arritur 94 pikë nga 100 në Indeksin e Ligjit dhe Rendit, duke u renditur pas Taxhikistanit (97 pikë) dhe Singaporit (95 pikë). Ky rezultat vendos Kosovën përpara shteteve të zhvilluara evropiane si Islanda, Norvegjia, Austria dhe Zvicra.

Policia e Kosovës vlerëson se këto rezultate reflektojnë përkushtimin e saj në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me komunitetin dhe partnerët strategjikë ndërkombëtarë. “Ky vlerësim është një dëshmi e qartë e punës dhe përkushtimit tonë në mbrojtjen e jetës dhe pronës, dhe në ofrimin e shërbimeve profesionale, efektive dhe llogaridhënëse për qytetarët,” thuhet në njoftimin e Policisë.

Edhe Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përgëzuar këtë arritje, duke theksuar se vendi renditet i treti në botë dhe i pari në Evropë për rend dhe ligj. Raporti gjithashtu e klasifikon Kosovën ndër dhjetëshen e parë të vendeve më të sigurta për të ecur natën. “Ky është një tregues i rëndësishëm që qytetarët tanë po gëzojnë një nga të drejtat më themelore, dhe reflekton forcën e institucioneve tona,” deklaroi Kurti.

Ky raport ndërkombëtar vjen si një konfirmim i punës së vazhdueshme të Policisë dhe institucioneve të sigurisë në vend, duke e vendosur Kosovën në hartën globale si një nga vendet më të sigurta për jetesë dhe qetësi publike. /Albinfo.ch

“Pikë Uji” i Robert Budinës në listën e New York Times

Filmi shqiptar “Pikë uji” nga regjisori Robert Budina është zgjedhur nga media prestigjoze The New York Times, si një nga pesë filmat që nuk duhet humbur në këtë muaj. Filmin shqiptar rekomandohet nga kritikja Devika Girish bashkë me katër filma të tjerë ndërkombëtarë, duke e vendosur Shqipërinë në hartën e kinematografisë botërore, përcjell albinfo.ch.

Kritikja e New York Times vlerëson veprën e regjisorit Robert Budina, duke thënë se “ai i mbështjell personazhet në një atmosferë të zymtë me ngjyra blu dhe gri dhe perspektiva të shtrembëruara, duke theksuar kalbëzimin e thellë që shtrihet nën sipërfaqen e jetëve të të pasurve dhe të fuqishmëve”.

Mes tjerash, New York Times shprehet se filmi paraqet anën e errët të pushtetit, ku bashkohet korrupsioni dhe degradimi moral i shoqërisë. Personazh kryesor në film është një grua me  pushtet, të cilës papritur “i shembet” bota.

New York Times për filmin “Pikë uji” nga Robert Budina shkruan:

Aida (Gresa Pallaska) dhe bashkëshorti i saj, Iliri (Arben Bajraktaraj), jetojnë në një ndërtesë të lartë që ngrihet mbi qytetin e Pogradecit në Shqipëri, me dritare të mëdha prej xhami që ofrojnë një pamje mahnitëse të liqenit të Ohrit. Të dy janë një çift i fuqishëm, që punojnë në bashkinë e qytetit në projekte fitimprurëse, megjithëse që në fillim kuptohet qartë se Aida është udhëheqësja, ndërsa Iliri thjesht përfiton nga ajo.

Mandej, jeta luksoze e Aidës me kokteje të shtrenjta dhe marrëveshje koorporatash, ndalet papritur. Djali i saj adoleshent, Marku (Iancu Paulo), akuzohet për përdhunimin e një shoqeje të klasës dhe arrestohet; edhe djali i kryetarit të bashkisë është i përfshirë në ngjarje. Reagimet e menjëhershme të Aidës zbulojnë mizogjininë e saj të brendësuar: mohimi, fajësimi i viktimës, premtime të dëshpëruara për të përdorur ndikimin dhe paratë për të nxjerrë Markun nga burgu.

Por sa më shumë që Aida heton, aq më e vështirë bëhet për të, që të ruajë iluzionet që ka për veten. Ajo duhet të përballet me faktin se, pavarësisht gjithë përpjekjeve të saj për sukses, ndoshta është martuar me njeriun e gabuar dhe ka rritur një djalë amoral. Regjisori Robert Budina i zhyt personazhet në një atmosferë të zymtë, me nuanca blu e gri dhe perspektiva të shtrembëruara, duke theksuar kalbëzimin e thellë që fshihet nën sipërfaqen e jetës të të pasurve dhe të fuqishmëve.

Filmi trajton tema universale por me një këndvështrim specifik shqiptar, duke eksploruar “sistemin toksik të dhunës mizogjine dhe lojës së pushtetit” në kontekstin e një shoqërie post-komuniste.

Robert Budina në një intërvistë dhënë më parë për portalb.mk tha se filmi ka lidhje me metaforën e gotës së Pitagorës.

“Titulli ka lidhje me metaforën e gotës së Pitagorës, ku nëse hedh edhe një pikë uji më shumë se niveli i lejuar ajo derdhet e gjitha, sipas një parimi fizik që ai e ndërtoj gotën. Metafora është që një pikë uji sjell ndryshme të mëdha rrënjësore, kështu personazhi kryesor Aida, e cila ka arritur gjithçka në jetë, sheh t’i “derdhet gota” kur djali i saj adoleshent akuzohet për përdhunimin e një shoqeje të klasës. Nga ana tjetër një thënie shqiptare thotë se me një pikë uji mund të laget një djalë, por nuk mjafton një det i tërë, kur bëhet fjalë për një vajzë, kur bëhet fjalë për moralin”, tha Budina.

Ai shtoi më tej se një histori shqiptare duhet t’i flasë edhe një publiku evropian.

“Filmat autor që ne realizojmë kanë një vështirësi të dyfishtë, duhet të jenë origjinalë në histori lokale dhe të transmetojnë mesazhe universale. Një histori shqiptare duhet t’i flasë edhe një publiku evropian. Duke qenë se ne e kemi shfaqur me sukses filmin para një publiku shqiptar dhe jemi përzgjedhur në shumë festivale ndërkombëtare të rëndësishëm mendoj se ia kemi arritur qëllimit”, tha Budina.

Dua Lipa shkarkon menaxherin pas thirrjes për bojkot ndaj grupit pro-palestinez

Mësohet se Dua Lipa ka ndarë rrugët me menaxherin e saj, David Levy, pas një debati mbi performancën e reperëve Kneecap në Glastonbury, përcjell albinfo.ch.

Levy kishte nënshkruar një letër që kërkonte nga themeluesi i festivalit, Michael Eavis, që të ndalonte pjesëmarrjen e grupit pro-palestinez nga Belfasti, duke i akuzuar për nxitje antisemitizmi dhe mbështetje të Hezbollah. Letra u publikua më pas, duke zbuluar fushatën e tij kundër reperëve.

Një burim tha për The Mail on Sunday se Dua ishte e vendosur që Levy të mos punonte më me të, pasi qëndrimet e tij nuk përputheshin me mbështetjen e saj të hapur për Palestinën, shkruan DailyMail.

Pavarësisht fushatës së menaxherit, Kneecap performoi në Glastonbury. Një nga anëtarët e grupit, Liam Og O hAnnaidh, i njohur si Mo Chara, ishte në lirim me kusht për akuza të lidhura me terrorizmin, por performanca e tyre nuk solli ndërhyrje nga policia.

Grupi është kritikuar gjithashtu për mbështetje ndaj Hezbollahu dhe Hamas gjatë një shfaqjeje në Coachella.

Dua, 30 vjeç, e lindur në Kosovë dhe e fejuar me aktorin Callum Turner, ka qenë gjithmonë një mbështetëse e kauzës palestineze, duke dënuar dhunën në Gaza dhe duke u bashkuar me artistë të tjerë në protesta.

Ajo gjithashtu ka dënuar Hamasin, duke shprehur keqardhje për çdo jetë izraelite të humbur.

Përveç Dua Lipës, grupi muzikor Massive Attack gjithashtu ndërpreu bashkëpunimin me Levy për shkak të qëndrimeve të tij, ndërsa Dua vazhdon të jetë përfaqësuar nga një agjent tjetër brenda kompanisë së saj, William Morris Endeavor.

Varroset sot aktori i njohur Enver Petrovci

Dje në moshën 71 vjeçare vdiq aktori i njohur, Enver Petrovci, përcjell albinfo.ch.

Ceremonia e varrimit të tij do të mbahet ditën e sotme me fillim nga ora 17:00 në varrezat e qytetit të Prishtinës.

Në njoftimin e Teatrit Kombëtar në Facebook, është bërë e ditur se homazhet për Petrovcin bëhen sot nga ora 13:30 – 15:30.

Kurse, mbledhja komemorative bëhet me fillim nga ora 15:30.

Osmani takohet me Ruge: Kosova e përkushtuar për anëtarësim në NATO

Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se gjatë qëndrimit në New York ka takuar ndihmëssekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Boris Ruge, përcjell albinfo.ch. 

Osmani ka theksuar se gjatë takimit ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO.

“Gjatë takimit, ritheksova mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në vendin tonë, si dhe përkushtimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ajo është duke qëndruar në New York ku nga 23 deri më 29 shtator do t’i zhvillojë punimet sesioni i 80-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. 

Osmani së fundi ka postuar për disa takime të zhvilluara me komunitetin shqiptar atje. Po ashtu në rrjetet sociale tregoi se ka takuar sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit.

Fëmijët nga Kosova mahnitin Vjenën me talentin e tyre muzikor

Bëhet e ditur se Orkestra e Fëmijëve dhe të Rinjve “Amadeus” nga Prishtina ka marrë një vlerësim të jashtëzakonshëm në Festivalin Botëror të Orkestrave 2025 në Vjenë, duke u nderuar me Çmimin e Argjendtë në paraqitjen e tyre të parë në një festival të këtij niveli prestigjioz, transmeton albinfo.ch.

Platforma mediale Albinfo.ch muaj më parë ka shkruar rreth këtij çmimi ku  “Amadeus”me anëtarë të moshës 10–17 vjeç performuan në disa prej skenave më të njohura të kryeqytetit austriak, përfshirë Wiener Konzerthaus, House of Strauss dhe KulturGarage, duke kulmuar me një paraqitje në Sallën e Artë së bashku me dhjetë orkestra të tjera ndërkombëtare.

Kurti: Orkestra “Amadeus” nga Prishtina fiton Çmimin e Argjendtë në Festivalin Botëror të Orkestrave në Vjenë

Performanca e tyre u veçua jo vetëm për ekzekutimin artistik, por edhe për kostumet tradicionale që përfaqësonin rajone të ndryshme të Kosovës, duke sjellë në skenë një tablo të gjallë të trashëgimisë kulturore shqiptare. Kulmi i koncertit ishte interpretimi i “Malesorja” nga Lorenc Antoni, që u prit me duartrokitje të gjata.

Nën drejtimin e dirigjentit Vehbi Shosholli dhe me përkushtimin e drejtoreshës Hana Petrovci, “Amadeus” solli në Vjenë një program të pasur me vepra të Haydn, Mozart, Shostakovich, Jenkins, Hopkins e Doga, duke dëshmuar se talenti i ri kosovar mund të konkurrojë denjësisht në skenat botërore. /Albinfo.ch

Talenti i ri nga Kosova që po hyn fuqishëm në botën e Inteligjencës Artificiale

Është vetëm 14 vjeç, Kaon Krasniqi po shihet si një prej zërave më premtues të brezit të ri shqiptar në fushën e Inteligjencës Artificiale. Me vizionin e tij inovativ, ai ka themeluar platformën MindLoop, një projekt që synon të transformojë mënyrën e të mësuarit përmes përdorimit të teknologjisë së avancuar, transmeton albinfo.ch.

MindLoop, si një nismë e ndërtuar mbi bazat e Inteligjencës Artificiale, është konceptuar për të ofruar përvoja të reja mësimore, të personalizuara dhe më efikase. Ky projekt i vendos themelet që Kosova të përfaqësohet edhe më fuqishëm në skenën ndërkombëtare të teknologjisë.

Kaoni tashmë ka marrë vëmendjen jo vetëm të komunitetit akademik dhe teknologjik, por edhe të institucioneve shtetërore. Para pak ditësh, ai është pritur nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në prag të pjesëmarrjes së tij në Berlin Process Youth Summit, i cili u zhvillua për herë të parë në Kosovë.

Historia e tij është një shembull frymëzues për të rinjtë shqiptarë, duke dëshmuar se talenti, pasioni dhe përkushtimi i hershëm mund të hapin dyer të mëdha në botën e teknologjisë globale./Albinfo.ch

https://www.facebook.com/share/v/16RwynZAR5/?mibextid=wwXIfr 

Gazeta suedeze: Kosova e vogël ka ëndrra të mëdha për turizëm

Gazeta prestigjioze suedeze Svenska Dagbladet i ka kushtuar një artikull të veçantë Kosovës, duke e paraqitur si një destinacion të ri e premtues për turistët ndërkombëtarë, transmeton albinfo.ch.

Sipas shkrimit, Kosova, ndonëse vend i vogël në zemër të Ballkanit, ka potencial të madh për të tërhequr vizitorë falë kombinimit unik të natyrës së paprekur, kulturës së pasur dhe mikpritjes që mbetet në kujtesën e çdo vizitori.

Natyrë madhështore – Male, lugina dhe parqe kombëtare që ofrojnë peizazhe mahnitëse për ecje, alpinistë dhe adhurues të aventurës.

Kuzhinë autentike – Tradita e gatimit vendas, e mbështetur në produkte të freskëta dhe shije të veçanta, është pjesë e përvojës që turistët nuk e harrojnë lehtë.

https://www.svd.se/a/MnO4xM/resa-i-kosovo-att-besoka-europas-yngsta-nation?fbclid=IwY2xjawM-lFpleHRuA2FlbQIxMQABHq9xGnlpvKLuYjr80BdI1ShvoNm62v3YqM0n0Pj7Mq5pL32esjeqhxk_8mVN_aem_lfSOFB2_y-T9tR7LDiVaDA

Arkitekturë dhe kulturë unike -Nga monumentet historike e deri te ndërtesat ikonike si Biblioteka Kombëtare e Prishtinës, Kosova ofron një mozaik të trashëgimisë kulturore dhe identitetit modern.

Mikpritje e ngrohtë – Një ndër vlerat më të mëdha të vendit është afërsia dhe bujaria e njerëzve, e cila lë gjurmë te çdo mysafir.

Artikulli vë në pah gjithashtu energjinë dhe kreativitetin e brezit të ri kosovar, i cili po ndërton imazhin e Kosovës si një destinacion turistik që ofron më shumë sesa thjesht vizita. Nga shëtitjet në qytetet historike, deri te festat dhe ngjarjet kulturore moderne, Kosova është e gatshme të tregojë historinë e saj dhe të mirëpresë mysafirët me zemër të hapur.

“Kosova është e vogël në hartë, por ëndrrat e saj për turizëm janë të mëdha”, përmbyll shkrimin gazeta suedeze./Albinfo.ch

21,6 milionë pasagjerë priten në Shqipëri deri në 2040

Aviacioni civil në Shqipëri po shënon një rritje të vazhdueshme dhe po kthehet në një portë kryesore hyrëse për vendin.

Sipas Autoritetit Ndërkombëtar të Aviacionit Civil (ICAO), numri i pasagjerëve që udhëtojnë me avion pritet të arrijë 21,6 milionë deri në vitin 2040, krahasuar me 784,6 mijë pasagjerë që pritet të fluturojnë përmes Aeroportit të Rinasit në vitin 2025, përcjell albinfo.ch.

Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi se aeroportet ndërkombëtare të Tiranës, Vlorës, Kukësit dhe së shpejti edhe ai i Gjirokastrës po vendosin Shqipërinë në një pozicion të ri strategjik në turizëm dhe lidhje ndërkombëtare.

“21,6 milionë pasagjerë është projeksioni i ICAO për vitin 2040. Aviacioni civil po rritet çdo vit, duke u bërë porta kryesore hyrëse për vendin. Aeroportet tona po arrijnë shifra rekord vizitorësh,” tha Balluku.

Në vitet e fundit, Shqipëria ka regjistruar një rritje të dukshme të pasagjerëve. Vetëm gjatë periudhës janar-gusht 2025, Aeroporti i Rinasit regjistroi mbi 7,8 milionë pasagjerë, një rritje prej 9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Numri i fluturimeve arriti 42 462, me një rritje prej 2%, duke lidhur Tiranën me 137 destinacione.

 

Franca njeh edhe zyrtarisht shtetin e Palestinës

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, njoftoi të hënën se Parisi ka vendosur të njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës. Ky vendim e rreshton Francën përkrah vendeve si Britania, Kanadaja, Australia dhe Portugalia, të cilat kanë ndërmarrë së fundmi të njëjtin hap.

Gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, Macron e përshkroi njohjen si një vendim të domosdoshëm për të avancuar drejt një paqeje të qëndrueshme në Lindjen e Mesme. Ai theksoi se zgjidhja me dy shtete është e vetmja alternativë realiste për t’i dhënë fund konfliktit mes Izraelit dhe Palestinës.

“Franca beson se ky është momenti për të vepruar. Njohja e Palestinës është një hap i drejtë, i ligjshëm dhe i nevojshëm,” u shpreh Macron, duke shtuar se detaje të tjera do të publikohen së shpejti.

Ky vendim vjen në një periudhë kur presioni ndërkombëtar për njohjen e shtetit palestinez po rritet, ndërkohë që dhuna në Rripin e Gazës dhe tensionet mes dy palëve janë intensifikuar.

Gjermania nuk e njeh ende Palestinën, ndryshe nga aleatët perëndimorë

Gjermania ka refuzuar të ndjekë shembullin e disa aleatëve perëndimorë në njohjen e shtetit palestinez, duke theksuar se nuk ka ardhur ende koha për një hap të tillë.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Sebastian Hille, deklaroi se “njohja e Palestinës është një nga hapat përfundimtarë në procesin drejt zgjidhjes me dy shtete”, por kjo duhet të ndodhë vetëm në fund të procesit politik.

Britania, Kanadaja, Australia dhe Portugalia dhe së fundi edhe Franca kanë shpallur njohjen zyrtare të Palestinës. Pritet që edhe Belgjika të bëjë të njëjtën gjë gjatë një konference në Nju Jork, në prag të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, përpara nisjes për në Nju Jork, theksoi se megjithëse Berlini nuk është gati të njohë Palestinën, procesi për zgjidhjen me dy shtete “duhet të nisë tani”. Ai shtoi se përparësitë e menjëhershme janë armëpushimi, ndihmat humanitare për Gazën dhe lirimi i pakushtëzuar i pengjeve.

Ky qëndrim tregon se Gjermania preferon një qasje graduale dhe diplomatike, duke u përqendruar në stabilitetin dhe zgjidhjet praktike para se të bëjë njohje formale.

 

Presidentja Osmani nderon kontributin e mërgatës shqiptare në Amerikë

Gjatë vizitës së saj në Shtetet e Bashkuara, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mirënjohje për bashkatdhetarët në Staten Island dhe për shoqatat “Ulqini”, “Dibra” dhe të gjitha organizatat e tjera për mikpritjen e jashtëzakonshme, përcjell albinfo.ch.

“Faleminderit të gjithë bashkatdhetarëve tanë në Staten Island dhe shoqatave ‘Ulqini’, ‘Dibra’ dhe të gjitha shoqatat e tjera për pritjen e mrekullueshme!”, ka shkruar ajo.

Presidentja Osmani ka theksuar gjithashtu se mërgata shqiptare në Amerikë ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e Kosovës.

“Historia e Kosovës është e mbushur me sakrifica dhe përpjekje të përbashkëta. Në këtë rrëfim, mërgata jonë në SHBA ka shkruar një kapitull të ndritshëm, duke qëndruar gjithmonë pranë popullit tonë dhe duke dëshmuar se largësia nuk e zbeh kurrë dashurinë për atdheun”, ka shkruar Presidentja në rrjetet sociale.

Parlamenti zviceran refuzon iniciativën për një tarifë televizive prej 200 franga

Këshilli i Shteteve i Zvicrës ka refuzuar iniciativën popullore “200 franga mjafton!”, e cila synonte uljen e tarifës vjetore për licencën e radios dhe televizionit nga 335 në 200 franga. Iniciativa, e mbështetur nga SVP, Bashkimi Zviceran i Artizanatit dhe të Rinjtë e PLR/FDP, gjithashtu kërkonte përjashtimin e të gjitha bizneseve nga kjo tarifë.

Vetëm SVP dhe presidenti i USAM, Fabio Regazzi, e mbrojtën projektligjin, pa e mbështetur formalish. Regazzi argumentoi se tarifa aktuale përbën një “dënim të dyfishtë” për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Një argument i ngjashëm u shpreh nga Esther Friedli (UDC/SG), e cila theksoi se tarifa prej 335 frangash është ndër më të lartat në Evropë.

Përfitimet e tarifës për publikun dhe minoritetet gjuhësore

Përfaqësues të tjerë, si Baptiste Hurni (PS/NE), argumentuan se tarifa e licencës është e lartë, por ofron “vlerë të jashtëzakonshme për paratë e shpenzuara”, duke garantuar 14 kanale radio, 9 kanale televizive, lajme të vazhdueshme në të gjitha gjuhët dhe prani në rrjetet sociale. Folës të ndryshëm nënvizuan rëndësinë e pranisë së SSR-së në të gjitha rajonet dhe gjuhët, si dhe rolin e saj në mbajtjen e kohezionit të vendit dhe identitetit të minoriteteve gjuhësore.

Rreziku për studiot rajonale dhe vende të punës

Për miratuesit e qendrës, si Marianne Maret (Qendër/VS), miratimi i iniciativës do të përgjysmonte të ardhurat nga tarifa për mediat publike, duke rrezikuar mijëra vende pune, si brenda SSR-së, ashtu edhe në sektorët e kulturës dhe sportit. Ajo paralajmëroi gjithashtu se 17 studio rajonale mund të mbylleshin, duke dobësuar infrastrukturën e decentralizuar të transmetimit.

Propozimi alternativ i Këshillit Federal

Këshilli i Shteteve preferoi të mbështesë propozimin alternativ të Këshillit Federal, sipas të cilit tarifa për familjet private do të rritet në 312 franga në vitin 2027 dhe më pas në 300 franga në 2029. Po ashtu, pragjet për përjashtimin e bizneseve do të rriten nga 500,000 në 1.2 milion franga, duke përjashtuar rreth 80% të bizneseve të subjektuara ndaj TVSH-së nga tarifa. Të ardhurat e pritshme për mediat publike do të jenë rreth 1.2 miliard franga në vitin 2029, 120 milion më pak se aktualisht.

Në qershor, Këshilli Kombëtar kishte refuzuar gjithashtu iniciativën me 116 vota kundër dhe 74 për. Pas debateve të gjata, komitetet parlamentare vendosën të mos propozojnë një kundër-propozim parlamentar.

Kisha Katolike në Cyrih ofron orë konsultimi për parandalimin e abuzimit seksual

Kisha Katolike në Kantonin e Cyrihut ka nisur orë konsultimi falas dhe anonime për punonjësit e saj, të fokusuar në shëndetin mendor dhe seksual, si masë parandaluese ndaj abuzimit seksual, transmeton albinfo.ch.

Ipeshkvi i Churit, Joseph Maria Bonnemain, e mbështet plotësisht këtë iniciativë, duke e quajtur një hap pionier dhe një përparim në parandalimin e abuzimeve. Ai shpreson që edhe dioqezat e tjera të ndjekin shembullin e Cyrihut.

Ky projekt pilot nisi në shtator 2025, me mbështetjen e Spitalit Universitar Psikiatrik të Cyrihut (PUK), dhe kushton rreth 88,000 franga zvicerane në vit. Orët e konsultimit zhvillohen në ambulancën e Cyrihut-Oerlikon dhe janë të hapura për të gjithë punonjësit e rritur të kishës në kanton.

Projektit i është dhënë një periudhë prove prej tre vitesh, me një raport për Këshillin Sinodal në verën e vitit 2028, që do të shërbejë për të vendosur nëse shërbimi do të vazhdojë, përshtatet apo mbyllet.

Psikoterapeutët që ofrojnë këto konsultime janë të detyruar të ruajnë konfidencialitetin, por kanë të drejtë të raportojnë në prokurori në rast se zbulohet një rrezik. Që tani, disa punonjës kanë përfituar nga ky shërbim.

 

Appenzell Ausserrhoden thotë “Po” për referendumin kantonal mbi taksimin individual

Këshilli Kantonal i Appenzell Ausserrhoden miratoi të hënën një referendumin kundër futjes së taksimit individual, me 35 vota për dhe 26 kundër. Me këtë “po”, shteti bëhet një nga shtatë kantonet që mbështesin zyrtarisht propozimin. Nëse një kanton tjetër miraton, çështja do t’i paraqitet popullit pa nevojën për peticion.

Reforma federale e miratuar në qershor parashikon që çiftet e martuara të tatohen si çiftet beqarë dhe të dorëzojnë dy deklarata të veçanta tatimore. Landammann-i dhe Drejtori i Financave Hansueli Reutegger argumentoi se taksimi individual do të penalizonte modelin tradicional të familjes dhe do të shtonte mbi 13,000 dosje të reja për administratën, duke e bërë përpjekjen “jo proporcionale”.

Ndërkohë, kundërshtarët e referendumin e cilësuan sistemin aktual si të vjetëruar dhe theksuan se ndryshimi i nevojshëm nuk duhet të bllokohet për shkak të kostove.

Shtatë kantone tashmë kanë nisur referendumin, përfshirë të dy kantonet e Appenzell, St. Gallen, Thurgau, Schwyz, Valais dhe Obwalden. Një kanton i vetëm mungon për ta çuar çështjen te votimi popullor.

Trazira në Milano: Protesta për Gazën shpërthen në dhunë, 60 policë të plagosur

Protesta për Gazën në Milano u shndërrua në kaos ditën e sotme, veçanërisht pranë Stacionit Qendror. Një grup i rinjsh të veshur me të zeza u përpoq të hynin me forcë në metro, duke shkatërruar hyrjen dhe plagosur dhjetëra persona. Përplasjet shkaktuan devijime të trenave për më shumë se një orë.

Rreth 60 oficerë policie u plagosën, 23 prej të cilëve u trajtuan në spital, ndërsa disa protestues u ndaluan. Grupi i dhunshëm përdori shishe, kanaçe dhe një fikës zjarri si barrikada dhe sulmoi policinë me bomba tymi.

Kryebashkiaku i Milanos, Giuseppe Sala, dënoi dhunën dhe theksoi se vandalizmi nuk ndihmon kauzën palestineze. Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi e përshkroi ngjarjen si një sulm të qëllimshëm ndaj policisë, transmeton albinfo.ch.

Mijëra njerëz morën pjesë në marshim, duke filluar nga Piazza Cairoli dhe duke u drejtuar drejt Stacionit Qendror. Disa protestues digjnë flamuj të SHBA-së, Izraelit, NATO-s dhe BE-së. Greva, e thirrur nga Sindikata e Punëtorëve Bazë (USB), shkaktoi mbylljen e linjës 4 të metrosë dhe vonesa të konsiderueshme të trenave deri në 150 minuta.

Protesta dhe greva kundër ofensivës izraelite u mbajtën edhe në qytete të tjera italiane, duke bllokuar rrugët, portet dhe transportin publik. Ministri i Transportit Matteo Salvini minimizoi ndikimin, ndërsa qeveria e kryeministres Giorgia Meloni mbetet në anën e Izraelit, pa plane për të njohur një shtet palestinez.

 

Kompanitë farmaceutike zvicerane përballë kërcënimeve nga SHBA: kërkojnë rritje çmimesh të barnave

Industria farmaceutike zvicerane po kundërshton masat e fundit të Parlamentit që synojnë uljen e kostove të shëndetësisë, duke përdorur madje edhe kërcënimet e ish-presidentit amerikan Donald Trump si argument. Në qendër të debatit është vendimi për të futur nga viti 2027 zbritjet në çmim për barnat me volum të lartë, një masë që pritet të kursejë rreth 350 milionë franga në vit për siguruesit shëndetësorë, transmeton albinfo.ch.

Kritikë nga Novartis

Kreu i Novartis deklaroi fundjavën e kaluar për NZZ se çmimet e barnave në Zvicër janë “shumë të ulëta” dhe se duhet të rriten për të përmbushur pritshmëritë amerikane. Sipas tij, ulja e mëtejshme e çmimeve në këtë moment do të ishte jo vetëm e papërshtatshme, por edhe provokuese për Uashingtonin.

Takim me Këshillin Federal

Në këtë kontekst, përfaqësues të industrisë farmaceutike do të takohen sot pasdite me Këshillin Federal dhe përfaqësues të kantoneve. Një pjesë e sektorit pritet të kërkojë shtyrjen e hyrjes në fuqi të skemës së zbritjes.

Një zë ndryshe nga Sandoz

I ftuar në emisionin La Matinale të RTS, Gilbert Ghostine, president i bordit të drejtorëve të Sandoz – lider botëror i barnave gjenerike – zgjodhi një ton më të qetë.

“Sektori ndahet në dy pjesë: inovatorët dhe prodhuesit e gjenerikëve e biosimilarëve. Për gjenerikët, çmimet në Evropë janë pothuajse të krahasueshme me ato në SHBA. Nëse vendosen taksa doganore, kompanitë thjesht do të rrisin çmimet, prandaj SHBA i ka përjashtuar nga këto tarifa”, shpjegoi ai.

Ghostine e sheh situatën jo si kërcënim, por si mundësi që administrata amerikane të reformojë sistemin e saj shëndetësor. Ai theksoi se Zvicra duhet të mbështesë Këshillin Federal, diplomacinë në Uashington dhe dhomën e tregtisë zvicerano-amerikane.

Roli i gjenerikëve në Zvicër

Sandoz, me 10 miliardë franga të ardhura dhe 20 mijë të punësuar në mbi 100 vende, e konsideron Evropën si bazën e saj kryesore. Ghostine theksoi se për gjenerikët është më e vështirë të zhvendosin prodhimin në SHBA për shkak të kostove të larta, por kjo mund të ndodhë vetëm nëse ka reforma që nxisin investime.

Ai kërkoi gjithashtu rritjen e përdorimit të gjenerikëve në Zvicër: “Sot, depërtimi i gjenerikëve dhe biosimilarëve është vetëm 42%, krahasuar me mesataren 70% në Evropë. Rritja e kësaj përqindjeje do të sillte kursime shtesë prej rreth 170 milionë frangash për shëndetësinë publike.”

Qëndrimi i autoriteteve

Nga ana tjetër, Këshilli Federal nuk pritet të pranojë pezullimin e masave për uljen e kostove, veçanërisht në një kohë kur qytetarët paguajnë gjithnjë e më shumë për primet e sigurimit shëndetësor. Ministrja e Shëndetësisë, Elisabeth Baume-Schneider, do të njoftojë nesër rritjen e re të primeve për vitin 2026.

Buxheti pothuajse u harxhua: Qeveria austriake shpenzoi 16 miliardë euro në shtatë muaj

Koalicioni trepartiak i ÖVP, SPÖ dhe Neos ka vendosur objektiva ambicioze për vitin 2025 – duke përfshirë kursimet. Por sipas raportit aktual të zbatimit të buxhetit, ky objektiv delikat mund të jetë në rrezik: Deri në fund të korrikut, qeveria federale kishte grumbulluar tashmë një deficit prej 16 miliardë eurosh – nga 18 miliardë të planifikuar për të gjithë vitin.

Shifrat aktuale mund të gjenden në raportin e zbatimit të buxhetit. Kjo tregon se Ministria e Financave ende lejohet të shpenzojë dy miliardë euro më shumë sesa mori nga gushti deri në dhjetor. Për ta vënë këtë në perspektivë: Nga janari deri në fund të korrikut, qeveria federale mori 53.8 miliardë euro dhe shpenzoi 69.8 miliardë euro.

Pagesa të larta pensionesh

Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se gjysma e parë e vitit është tradicionalisht më e fortë për sa i përket shpenzimeve sesa e dyta, sepse shumë pagesa transferimi dhe programe investimi shpërndahen në fillim të vitit.

Arsyet për rritjen e shpenzimeve në shtatë muajt e parë janë komplekse. Pjesë më të mëdha përfshinin pensionet, të cilat rezultuan në pagesa paraprake prej 1.4 miliardë eurosh. Më shumë para duhej t’u paguheshin gjithashtu të papunëve (400 milionë euro).

Ministria e Financave e sheh zbatimin si thelbësor

Ministria e Financave nuk është e alarmuar nga raporti i fundit nga Shërbimi i Buxhetit, tha një zëdhënëse për gazetën “Heute”. Në fund të fundit, masa të shumta për uljen e kostove hynë në fuqi vetëm në korrik dhe për këtë arsye nuk janë marrë ende në konsideratë.

Nuk mund të thuhet ende nëse objektivi prej 18 miliardë eurosh do të arrihet përfundimisht. Megjithatë, do të jetë brenda buxhetit. Faktori kyç tani është zbatimi i kursimeve, tha qeveria, transmeton albinfo.ch.

Ministria e Financave pret që një total prej 6.3 miliardë eurosh të mblidhen përmes taksave të reja dhe masave shtrënguese. Shërbimi i buxhetit gjithashtu tregon të ardhura të planifikuara prej 2.1 miliardë eurosh nga Instrumenti i Rimëkëmbjes dhe Rezistencës i BE-së, të cilat ende nuk janë marrë.

Brukseli mund të ndërhyjë në planifikimin e buxhetit

Edhe nëse Ministria e Financave nuk po e jep alarmin ende, Austria ka shumë gjëra në lojë. Nëse kuadri i rënë dakord prej 18 miliardë eurosh nuk përmbushet, Austria përballet me probleme me BE-në. Brukseli mund të përfshihet më shumë në planifikimin dhe zbatimin e buxhetit.

Pse nuk duhet ta sillni makinën tuaj amerikane në Zvicër?

Kur zhvendoseni veten, familjen dhe sendet tuaja nga Shtetet e Bashkuara në Zvicër, mund të tundoheni të merrni me vete edhe automjetin tuaj. Por ka arsye të mira për ta lënë atë pas.

Ndoshta arsyeja më e rëndësishme, të paktën sipas Zyrës Federale për Doganat dhe Sigurinë Kufitare (BAZG), është kostoja e kësaj sipërmarrjeje.

Nuk është vetëm çmimi i transportimit të makinës suaj me anije (e vetmja mënyrë për të kaluar pellgun e madh), dhe më pas me transport tokësor në Zvicër, pasi të mbërrijë në tokën evropiane – gjë që do t’ju kushtojë mijëra dollarë – shihni më poshtë.

Dhe ky është vetëm fillimi i asaj që ju pret juve dhe makinës suaj në Zvicër.

Kosto dhe procedura të tjera

Sapo automjeti të jetë në Zvicër, do të duhet të paguani edhe detyrime importi, shuma e të cilave varet nga artikulli, si dhe nga vendi i origjinës së tij.

Ndërsa Zvicra ka shumë marrëveshje tregtare pa taksa me vende të ndryshme, mallrat nga SHBA-ja mund të mos përfitojnë nga këto.

Pastaj është taksa e automjetit – 4 përqind e vlerës së automjetit – si dhe Taksa e Vlerës së Shtuar (8.1 përqind) mbi vlerën e tij.

Nëse kjo nuk ju pengon të importoni makinën tuaj në Zvicër, merrni parasysh se, sapo të mbërrijë këtu dhe para se të mund të ngaset ligjërisht në rrugët zvicerane, do të ketë nevojë për modifikime teknike të kushtueshme për të përmbushur standardet zvicerane të sigurisë, me kosto që varen nga modeli dhe kantoni ku regjistrohet dhe sigurohet.

Dhe nuk është vetëm çështje e ndërrimit të miljeve në kilometra në shpejtësimatës: automjetet amerikane shpesh nuk i plotësojnë standardet teknike zvicerane për dritat e përparme, fshirëset e xhamit dhe veçoritë e tjera të sigurisë, që do të thotë se mund të kërkohen modifikime potencialisht të vështira dhe të kushtueshme, shkruan thelocal.

E gjithë kjo do të thotë se do të jetë më mirë ta shisni makinën tuaj para se të zhvendoseni në Zvicër dhe të blini një tjetër këtu, përcjell albinfo.ch.

“Një makth i vërtetë”

Rrjetet sociale janë plot me postime nga njerëz që sollën makinat e tyre nga Shtetet e Bashkuara.

Shumica dërrmuese thonë se ishte një gabim i madh – jo vetëm nga perspektiva e kostos, por edhe për shkak të proceseve administrative dhe të tjera të përfshira.

Një komentuese me emrin Julie pagoi 3,000 dollarë për të dërguar makinën e saj nga Bregu Perëndimor, plus disa qindra të tjera në tarifa doganore.

“Por problemi më i madh është rregullimi i të gjitha dokumenteve, dhe nuk mund ta sigurosh nëse nuk është e regjistruar, dhe nuk mund ta regjistrosh derisa të kesh leje qëndrimi,” tha ajo në një grup në Facebook për banorët ndërkombëtarë në Zvicër.

Një komentuese tjetër që kishte importuar makinën e tyre tha: “Rripat e sigurimit, dritat dhe pjesët e tjera [nga makinat amerikane] duhet të ndërrohen. E bëra këtë proces kur solla makinën time nga SHBA-ja dhe ishte një makth i vërtetë – nuk ia vlente vërtet.”

Sa i përket Matty-t, ai këshilloi: “Mos e sill makinën tënde. Kushton mbi 3,000 dollarë për t’u dërguar. A e do vërtet stresin?”

Tani, mund të jesh duke menduar se duhet ta sjellësh automjetin me vete gjithsesi dhe ta shesësh me fitim.

Megjithatë, kjo nuk ka gjasa të ndodhë – dhe ja pse

Sipas një analize të kryer nga platforma e konsumatorëve Comparis, makinat amerikane nuk janë ndër më të njohurat në Zvicër.

Ky nder u takon markave gjermane, të cilat zënë pesë vendet e para, me Mercedes-Benz në vendin e parë, BMW në të dytin, Volkswagen (3), Audi (4) dhe Porsche (5); markat japoneze si Toyota janë gjithashtu të njohura në mesin e shoferëve zviceranë.

I vetmi automjet i prodhuar në SHBA që është popullor në Zvicër është Tesla Model Y, i cili kishte qenë makina më e shitur në vend në vitin 2023 dhe 2024.

Por edhe nëse e sillni Teslën tuaj në Zvicër dhe doni ta shisni këtu, mos prisni të merrni franga të larta për këtë – ose për ndonjë makinë tjetër të prodhuar në SHBA, për këtë çështje.

Kjo sepse disa prova tregojnë se amerikanët po i shesin makinat e tyre jo-evropiane për 20 përqind nën çmimin e tregut për makina të krahasueshme në Zvicër.

Të gjitha këto janë arsye mjaft bindëse për ta lënë makinën tuaj kur të zhvendoseni në Zvicër.

Por nëse ende dëshironi ta merrni makinën me vete, për arsye që dihen vetëm për ju, ndiqni rregullat dhe rregulloret e importit, siç përcaktohen nga BAZG, këtu.