Miliona euro nga BE-ja për Kosovën në fillim të vitit 2026

Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur t’i heqë të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës deri në fund të muajit të ardhshëm, duke ia mundësuar vendit të përfitojë miliona euro ndihmë financiare qysh në fillim të vitit 2026, njoftuan zyrtarë nga të dyja palët të mërkurën vonë, përcjell albinfo.ch.

Vendimi vjen pasi u bë kalimi i pushtetit lokal në mënyrë paqësore në veriun e banuar me shumicë serbe, pasi ishin pikërisht tensionet në këtë pjesë të Kosovës që shtynë bllokun të vendoste masa ndëshkuese ndaj saj verën e vitit 2023.

Ishte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ajo që njoftoi e para se BE-ja vendosi t’i heqë të gjitha masat deri në fund të janarit, gjatë samitit të bllokut me vendet e Ballkanit Perëndimor të mërkurën në Bruksel.

“Gjatë bisedimeve intensive me partnerët tanë u mor vendimi që të gjitha masat t’i hiqen Kosovës, ku një pjesë e madhe i hiqet sot, kurse pjesa tjetër në fund të janarit”, tha Osmani të mërkurën vonë në Facebook.

Osmani, e cila e përfaqësoi Kosovën në samit, shtoi se “rrjedhimisht, edhe fondet do të zhbllokohen, një pjesë shumë e madhe menjëherë e një pjesë tjetër në fund të janarit”.

Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shkroi më pas në X se BE-ja po i heq masat pasi kalimi i pushtetit lokal në veri pas zgjedhjeve të fundit lokale u zhvillua në mënyrë paqësore.

“Falë kësaj, kam kënaqësinë të njoftoj se po ecim përpara me heqjen e masave ndaj Kosovës”, shkroi ajo.

Ajo shtoi se blloku po planifikon 216 milionë euro ndihmë financiare për Kosovën dhe se synon që t’ia ndajë asaj 205 milionë euro qysh në fillim të vitit 2026.

BE-ja veçse i kishte hequr gjysmën e masave në fillim të kësaj jave, por nuk ishte e qartë se ato do të hiqeshin plotësisht pas një muaji, pasi thuhej se vende si Franca dhe Italia, të mbështetura nga Spanja, Hungaria dhe Sllovakia, nuk kishin vullnet për heqjen e të gjitha sanksioneve.

Zyrtarët në Kosovë kanë kërkuar me këmbëngulësi vazhdimisht nga BE-ja t’u japë fund masave ndëshkuese, të cilat i shkaktuan vendit dëme në vlera milionëshe.

Ata argumentonin se gjendja në veri ishte shtensionuar tashmë pas zvogëlimit të pranisë së Policisë në ndërtesat komunale, pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet e sivjetshme dhe kalimi i pushtetit tek serbët lokalë në mënyrë paqësore.

Këto masa ndëshkuese i kishin kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra për afat të pacaktuar. Për shkak të kalimit të afateve, 7.1 milionë euro janë humbur tërësisht, sipas një analize të Institutit për Studime të Avancuara – GAP.

Sektorët më të prekur përfshijnë mjedisin, me 350 milionë euro, energjinë me 114 milionë euro, digjitalizimin me rreth 57 milionë euro, dhe kulturën me 15 milionë euro.

Prej këtyre fondeve, rreth 218 milionë euro kanë qenë për projekte në kuadër të Instrumentit para-anëtarësimit (IPA II dhe IPA III), dhe rreth 395 milionë euro për projekte në kuadër të Kornizës për Investime të Bashkimit Evropian për rajonin e Ballkanit Perëndimor (WBIF)./rel

Si të shmangni lëndimet në sportet dimërore: 5 këshilla nga ortopedët

Ortopedët paralajmërojnë se gjuri është pjesa më e rrezikuar e trupit gjatë sporteve në mal, veçanërisht tek gratë, ndërsa shpatulla dëmtohet më shpesh tek burrat, sipas të dhënave të Shoqatës Italiane të Ortopedisë dhe Traumatologjisë (SIOT).

Shkalla e lëndimeve lidhet jo vetëm me natyrën e aktivitetit, por edhe me mënyrën se si secili gjini reagojnë ndaj rënieve dhe përplasjes me sipërfaqen, theksojnë ekspertët.

Për të reduktuar rrezikun gjatë sezonit dimëror, ortopedët kanë hartuar pesë rregulla kyçe:

Përgatituni fizikisht dhe dëgjoni trupin tuaj  kondicioni dhe fleksibiliteti ndihmojnë për të parandaluar dëmtime.

Vishni pajisje mbrojtëse të përshtatshme helmetat, mbrojtësit për gjurin dhe shpatullën janë të domosdoshëm.

Përdorni pajisje të mirëmbajtura skijet, snowboard-et dhe këpucët duhet të jenë në gjendje të mirë.

Ngrohuni përpara se të nisni aktivitetin muskujt dhe kyçet e ngrohur zvogëlojnë rrezikun e lëndimeve.

Jini të kujdesshëm dhe të vëmendshëm gjatë zbritjeve kontrolli dhe koordinimi janë thelbësore për sigurinë.

Duke ndjekur këto udhëzime, sportistët mund të shijojnë sezonin dimëror duke minimizuar rrezikun e lëndimeve të zakonshme.

 

 

A është tërheqja e Europës nga makinat elektrike më shumë një vendim politik sesa pragmatik?

Bashkimi Europian po rishikon objektivin për ndalimin e plotë të shitjes së makinave të reja me motorë me djegie të brendshme deri në vitin 2035. Komisioni Europian ka propozuar që, në vend të një reduktimi 100% të emetimeve, prodhuesit e automjeteve të detyrohen të arrijnë një ulje prej 90% krahasuar me nivelet e vitit 2021.

Ky propozim vjen si përgjigje ndaj presionit të vazhdueshëm nga industria automobilistike dhe shënon një zbutje të një prej masave kyçe të “Marrëveshjes së Gjelbër Europiane”, e cila synon neutralitetin klimatik deri në vitin 2050. Vendimi ende duhet të miratohet nga Parlamenti Europian dhe shtetet anëtare.

Sipas ekonomistit Bernard Jullien, specialist i industrisë automobilistike, kjo lëvizje është më tepër e lidhur me zhvillimet politike sesa me nevojat reale të tregut. Ai paralajmëron se zbutja e objektivit mund të dobësojë tranzicionin drejt elektromobilitetit dhe të dekurajojë investimet në automjetet elektrike.

Ekspertët theksojnë se problemi kryesor i makinave elektrike mbetet çmimi i lartë, ndërsa kërkesa e konsumatorëve do të rritej ndjeshëm nëse automjetet elektrike do të bëheshin më të përballueshme. Ndërkohë, disa prodhues të mëdhenj si Ford dhe Porsche kanë rishikuar planet e tyre për elektrifikim të plotë.

Në të njëjtën kohë, Kina vazhdon të avancojë me shpejtësi në sektorin e automjeteve elektrike dhe të baterive. Sipas analistëve, lehtësimi i politikave europiane rrezikon ta lërë industrinë automobilistike të BE-së prapa konkurrencës kineze dhe mund të favorizojë indirekt importet nga tregu kinez.

 

Swisscom do të heqë plotësisht teknologjinë 3G deri në fund të vitit 2025

Siç ishte njoftuar më parë, operatori Swisscom do të ndërpresë përdorimin e teknologjisë 3G deri në fund të këtij viti. Kjo teknologji, e zhvilluar mbi 20 vjet më parë, është bërë krejtësisht e vjetëruar.

Rreth 180,000 klientë privatë dhe biznesesh ende përdorin 3G, e cila tashmë është zëvendësuar nga rrjetet 4G dhe 5G, të cilat lejojnë transmetimin e volumeve shumë më të mëdha të të dhënave, tha një zëdhënës i Swisscom për AWP të mërkurën.

Konkurrenti Sunrise kishte ndërprerë rrjetin e tij 3G që në fund të gushtit, ndërsa Salt konfirmoi se do të vazhdojë të ofrojë shërbimin 3G të paktën deri në fund të vitit 2026, sipas një zëdhënësi të operatorit të tretë më të madh në Zvicër.

 

Von der Leyen: Sinjale pozitive për Kosovën, në fillim të vitit të ardhshëm do të disbursohen 205 milionë euro

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka vlerësuar si lajm të mirë vendimin për heqjen graduale të disa masave të vendosura ndaj Kosovës.

Ajo ka bërë të ditur përmes një postimi në platformën X se procesi i transferimit të qeverisjes lokale në veri është zhvilluar në mënyrë paqësore, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në vendimin për të ecur përpara me lehtësimin e masave.

“Si rezultat i këtij zhvillimi, kemi vendosur të vazhdojmë me heqjen e masave ndaj Kosovës. Janë planifikuar 216 milionë euro ndihmë financiare, ndërsa 205 milionë euro pritet të lëshohen në fillim të vitit të ardhshëm”, ka deklaruar von der Leyen.

 

Osmani nga Brukseli: BE vendos heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur nga Brukseli se Bashkimi Evropian ka marrë vendim për heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës. Ajo njoftoi se vendimi është marrë në përfundim të samitit BE–Ballkani Perëndimor që u mbajt sonte në Bruksel.

Sipas Osmanit, një pjesë e madhe e masave do të hiqen menjëherë, ndërsa pjesa e mbetur pritet të hiqet në fund të muajit janar. Po ashtu, ajo theksoi se shumica e fondeve do të zhbllokohen menjëherë, ndërsa pjesa tjetër gjatë muajit janar.

Gjatë kumtimit të këtij lajmi, në një video u shfaq edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili e përgëzoi presidenten Osmani për këtë zhvillim pozitiv. Osmani më pas e falënderoi Ramën për kontributin e tij në këtë proces.

VIDEO:

https://www.facebook.com/share/v/1GWPT4j4ba/

 

 

Marketingu i influencerëve në Zvicër: Praktika jo të rregulluara dhe të dëmshme për të rinjtë, paralajmëron FRC

Influencerët po luajnë një rol gjithnjë e më të madh në marketing, por praktikat e tyre shpesh janë të dobët të rregulluara dhe të dëmshme për të rinjtë në Zvicër, paralajmëron Fondacioni Zviceran për Mbrojtjen e Konsumatorit (FRC).

Sipas një hetimi të kryer nga FRC, rregulloret aktuale nuk janë të mjaftueshme për të kontrolluar përhapjen masive të përmbajtjeve që përcjellin mesazhe potencialisht të dëmshme. Studimi përqendrohet kryesisht tek dy sektorë me rrezik të lartë: moda e shpejtë dhe ushqimet dhe pijet jo të shëndetshme.

Rritja e marketingut të influencerëve

Marketingu i influencerëve konsiston në përdorimin e figurave publike në rrjetet sociale për të promovuar produkte ose shërbime tek ndjekësit e tyre. Ky lloj marketingu është bërë një nga mjetet më të fuqishme reklamuese në botë: vlera e tij është rritur nga 1.5 miliardë në 28 miliardë franga në dhjetë vitet e fundit, sipas platformës Statista.

FRC thekson se “vetëm disa sekonda në Instagram, TikTok, YouTube ose Snapchat mund të mjaftojnë për t’u ekspozuar ndaj një promovimi më shumë ose më pak të fshehur”. Hetimi përfshiu rreth 650 përmbajtje të ndryshme të publikuara në rrjetet sociale, transmeton albinfo.ch.

Në Zvicrën frankofone, FRC identifikoi përmbajtje që promovojnë në mënyrë të fshehtë blerjen masive të rrobave ose ushqimeve, shpesh pa përmendur qartë partneritetet e paguara. Video të tilla përfshijnë sfida, degustime dhe receta të shpejta, duke krijuar një perceptim të pafajshëm, por që bëjnë pjesë në një strategji marketingu shumë të fuqishme.

FRC thekson se ndjenja e afërsisë ose lidhjes “parashoqërore” e krijuar nga influencerët ul kriticizmin e përdoruesve dhe nxit mbinxënien, sidomos tek fëmijët dhe adoleshentët. Sektori i ushqimit është veçanërisht i prekshëm, në një kohë kur një e treta e fëmijëve në Evropë vuajnë nga mbipesha dhe lidhja midis konsumit të ushqimeve jo të shëndetshme dhe peshës trupore është e njohur.

Në sektorin e veshjeve, FRC evidenton problematikën e videove të njohura si “hauls” – ku tregohen hapjet e shumë produkteve të blera njëherësh – të cilat inkurajojnë rinovimin e vazhdueshëm dhe blerjet impulsive. Shembujt e hetimit përfshijnë edhe promovimin e mallrave false.

Mungesa e transparencës dhe përgjegjësisë

Hetimi tregon se shumica e marketingut të influencerëve ende shmang transparencën minimale të kërkuar nga ligji. Postimet e sponsorizuara shpesh maskohen si rekomandime personale, përmendjet e qarta të partneriteteve të paguara janë të rralla, dhe termat për të treguar reklamën janë të paqarta ose mungojnë.

FRC nënvizon se rregullat aktuale në Zvicër dhe Evropë nuk mbulojnë të gjithë aktorët. Mungesa e definicioneve ligjore të qarta, përgjegjësia jo e shpërndarë dhe vështirësia për të kontrolluar përmbajtjet e përkohshme e bëjnë zbatimin e ligjit të komplikuar.

Zgjedhjet komunale në Vernier konfirmohen nga Këshilli i Shtetit

Këshilli i Shtetit i Gjenevës ka validuar rezultatet e raundit të dytë të zgjedhjeve për Këshillin komunal të Vernierit, të mbajtura më 30 nëntor, pavarësisht parregullsive të konstatuara në një pjesë të votave me korrespondencë.

Sipas autoriteteve kantonale, gjatë verifikimeve janë analizuar 1’414 fletë votimi me lista të modifikuara. Ekspertiza grafologjike ka treguar se 189 fletë, përfshirë 12 të pavlefshme, janë plotësuar nga 79 duar të ndryshme. Në shumicën e rasteve, e njëjta dorë ka plotësuar dy fletë votimi, ndërsa asnjë person nuk ka plotësuar më shumë se gjashtë.

Këshilli i Shtetit vlerëson se këto parregullsi, ndonëse serioze pasi vota është personale, nuk kanë pasur ndikim në rezultatin përfundimtar, pasi ndarja e mandateve mbetet e pandryshuar edhe nëse përjashtohen fletët problematike.

Ekzekutivi kantonal ka theksuar se vendimi është marrë pas një peshimi interesash, duke marrë parasysh funksionimin normal të komunës, ndikimin real mbi rezultatet dhe parimin e proporcionalitetit.

Pas disa muajsh administrimi të përkohshëm, Këshilli komunal i Vernierit pritet të konstituohet në muajin shkurt. Vendimi i Këshillit të Shtetit mbetet i ankimueshëm në Dhomën Kushtetuese të Gjykatës së Drejtësisë, ndërsa hetimi penal për mashtrimet e raundit të parë vazhdon

OBSH ngre alarmin për përhapjen e një varianti të ri të gripit H3N2

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar për rritjen e shpejtë të një varianti të ri të virusit të gripit H3N2, i cili paraqet mutacione të rëndësishme gjenetike. Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, e bëri të ditur këtë shqetësim përmes platformës sociale X.

Sipas tij, sezoni i gripit është aktualisht aktiv në hemisferën veriore dhe, ndonëse niveli global i rasteve mbetet brenda kufijve normalë, që prej muajit gusht është vërejtur një rritje e shpejtë e të ashtuquajturës “nënklasa K” e virusit influenza H3N2 në disa vende. Ghebreyesus theksoi se të dhënat aktuale nuk tregojnë shtim të ashpërsisë së sëmundjes, por konfirmojnë praninë e një mutacioni të rëndësishëm të virusit.

Kreu i OBSH-së nënvizoi se vaksinimi mbetet një masë thelbësore mbrojtëse, veçanërisht për grupet më të rrezikuara nga komplikacionet e gripit dhe për personat që kujdesen për ta.

Nga ana tjetër, profesori i asociuar dr. Muhammed Emin Demirkol, drejtor i përgjithshëm i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë së Turqisë, deklaroi se varianti H3N2 që po përhapet në Evropë nuk përbën rrezik të veçantë për Turqinë. Ai theksoi se mutacionet janë pjesë e natyrshme e evolucionit të virusit të gripit, i cili ndryshon vazhdimisht.

 

Guvernatori diskuton me përfaqësuesit e Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës për reformat në sektorin financiar

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e ambasadave të Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës, ku u diskutuan zhvillimet e fundit në sektorin financiar të Kosovës dhe aktivitetet reformuese në vijim, me theks të veçantë në sistemin e Kartonit të Gjelbër.

Në takim morën pjesë Clarissa Castek, Zëvendësshefe e Misionit në Ambasadën e Austrisë në Prishtinë, Christoph Fuchs, Zëvendësshef i Misionit në Ambasadën e Zvicrës në Kosovë, si dhe Christian Böttcher, Zëvendësshef i Misionit në Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë.

Guvernatori Ismaili i informoi përfaqësuesit diplomatikë për zhvillimet kryesore në sektorin financiar, përfshirë iniciativat reformuese dhe progresin në forcimin e kornizës ligjore dhe rregullative. Vëmendje e veçantë iu kushtua reformave të lidhura me procesin e integrimit evropian, në veçanti çështjeve që ndërlidhen me sistemin e Kartonit të Gjelbër, në kuadër të mandatit të BQK-së për rregullimin dhe mbikëqyrjen e Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe sektorit të sigurimeve.

Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e BQK-së për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës në forcimin e integritetit, stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së sistemit financiar të Kosovës.

BQK vlerëson lart bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë në avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, si dhe në mbështetjen e integrimit të Kosovës në mekanizmat përkatës evropianë.

Çmimet e ushqimeve në Evropë: vendet më të shtrenjta dhe më të lira për familjet

Shpenzimet për ushqim mbeten një nga kostot më të mëdha për familjet në Evropë. Mesatarisht, ato përbëjnë rreth 11.9% të konsumit të përgjithshëm në Bashkimin Evropian, por në disa vende, si Rumania, ky përqindje arrin deri në 20% të buxhetit familjar.

Sipas Eurostat-it, çmimet e ushqimeve ndryshojnë ndjeshëm nga një vend në tjetrin. Indeksi i çmimeve të ushqimeve e vendos shportën mesatare të BE-së në 100 €. Një vlerë mbi 100 tregon se vendi është më i shtrenjtë se mesatarja evropiane, ndërsa nën 100 tregon çmime më të ulëta.

Në vitin 2024, Maqedonia ishte një nga vendet më të lira për ushqime mes 36 vendeve të Evropës, me një shportë mesatare që kushtonte 73 euro, 27% më pak se mesatarja e BE-së. Megjithatë, pagat në vend janë gjithashtu ndër më të ulëtat në Evropë.

Në krye të listës me çmime më të larta është Zvicra, ku një shportë standarde kushton 161.1 euro, ose 61% më shumë se mesatarja e BE-së. Brendapër BE, vendet më të shtrenjta për ushqime janë Luksemburgu (125.7 euro), Danimarka, Irlanda, Franca dhe Austria, ndërsa vendet më të lira janë Rumania (74.6 euro), Bullgaria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia.

Evropa Juglindore dhe Ballkani Perëndimor mbeten rajonet me ushqim më të përballueshëm. Për shembull, Turqia (75.7 euro), Mali i Zi (82.6 euro) dhe Serbia (95.7 euro) kanë çmime nën mesataren e BE-së. Ndër vendet e mëdha të BE-së, Italia dhe Gjermania kanë çmime mbi mesatare, ndërsa Spanja është 5.4% më e lirë se mesatarja.

Ekspertët nënvizojnë se këto ndryshime lidhen me faktorë të tillë si kostoja e prodhimit, struktura ekonomike, pagat, taksat mbi ushqimin dhe zakonet e konsumatorëve. Ilaria Benedetti nga Universiteti i Tuscias thekson se ekonomitë më të vogla dhe më të hapura shpesh ndjejnë më shumë pasojat e rritjes së çmimeve të energjisë dhe inputeve bujqësore, duke bërë që ushqimi të përbëjë një pjesë më të madhe të buxhetit familjar.

Jeremias Mate Balog nga Universiteti Corvinus shton se familjet me të ardhura më të ulëta, sidomos në Evropën Lindore dhe Qendrore, përballen me një barrë disproporcionalisht më të madhe nga rritja e çmimeve, edhe kur çmimet absolute janë më të ulëta.

Në përgjithësi, Evropa Perëndimore dhe vendet nordike kanë ushqim më të shtrenjtë, ndërsa vendet e Evropës Juglindore dhe Ballkanit janë më të përballueshme, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetesën dhe buxhetin e familjeve.

 

Kosova modernizon kapacitetet ushtarake me artileri të re amerikane

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se Kosova ka nënshkruar një kontratë kornizë me kompaninë amerikane të industrisë së mbrojtjes, AM General, për pajisjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës me sisteme bashkëkohore të artilerisë mobile.

Marrëveshja parasheh blerjen e sistemeve HUMVEE Hawkeye 105 mm Mobile Howitzer, të cilat konsiderohen ndër platformat më të avancuara të artilerisë së lëvizshme. Kontrata përfshin gjithashtu automjete ndihmëse, pajisje rezervë, shërbime mirëmbajtjeje, si dhe trajnime profesionale për personelin që do t’i operojë dhe mirëmbajë këto sisteme.

Sipas Maqedoncit, ky investim shënon një etapë të re në zhvillimin e ushtrisë së Kosovës, duke rritur ndjeshëm fuqinë e zjarrit dhe aftësinë për goditje në distanca të gjata, transmeton albinfo.ch.

Ai theksoi se bashkëpunimi me një prodhues të njohur amerikan pasqyron orientimin strategjik të Kosovës drejt partnerëve perëndimorë dhe përkushtimin për forcimin e sigurisë kombëtare, duke kontribuar njëkohësisht në stabilitetin dhe sigurinë e rajonit.

 

Dyqanet në Gjenevë hapen këtë të diel

Pritej, dhe tani është zyrtare. Dyqanet në Gjenevë do të lejohen të hapen në mënyrë të jashtëzakonshme këtë të diel.

Dy sindikata ishin përpjekur ta bllokonin vendimin, por gjykata kantonale ka refuzuar ta pezullojë atë, transmeton albinfo.ch.

Kantoni thotë se punonjësit mund të zgjedhin nëse duan apo jo të punojnë atë ditë, dhe ata që duan do të kompensohen mirë, me pagë të dyfishtë ose pushim të dyfishtë.

Autoritetet thonë se ky veprim ndihmon në mbështetjen e bizneseve lokale gjatë një periudhe vendimtare blerjesh.

Gjykata do të vendosë për çështjen më të gjerë ligjore më vonë, ndërsa votuesit do të kenë fjalën e tyre për hapjet e të dielave në vitin 2026.

Parlamenti i Zvicrës miraton unanimisht marrëveshjen për tregti të lirë të Kosovës me EFTA

Dhoma e Përfaqësuesve e Parlamentit Federal të Zvicrës ka miratuar unanimisht Marrëveshjen për Tregti të Lirë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA). Vendimi u mor me 190 vota pro, pa asnjë votë kundër dhe pa abstenime.

Ky votim dëshmon mbështetje të gjerë dhe konsensus të plotë politik në Parlamentin Zviceran për thellimin e marrëdhënieve ekonomike me Kosovën. Deputetët nga të gjitha grupet parlamentare shprehën përkrahjen e tyre për këtë marrëveshje, e cila pritet të kontribuojë në rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet palëve, njofton ambasada e Kosovës në Bernë transmeton albinfo.ch.

Pas votimit, u realizua edhe një takim simbolik me Grupin Parlamentar të Miqësisë me Kosovën në Parlamentin e Zvicrës, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Miratimi i kësaj marrëveshjeje konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve ekonomike dhe miqësore ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, si dhe një mundësi e re për bizneset dhe investimet në të dy vendet.

Cilat ekonomi do të kenë rritje vitin e ardhshëm

Një vorbull forcash makroekonomike ka qenë në veprim gjatë vitit 2025, me trazira politike dhe ndryshime në politikën monetare që kanë mbajtur analistët në gatishmëri të vazhdueshme.

Pas bumit pas pandemisë në vitin 2021 dhe një ngadalësimi të mëvonshëm, ky vit është karakterizuar nga luftëra tregtare, kërcënime me tarifa dhe rënie të normave të interesit.

Forca si inteligjenca artificiale dhe përmirësimi i kushteve financiare pritet të nxisin rritjen globale në vitet e ardhshme, sipas OECD-së. Megjithatë, rreziqet për prodhimin mbeten, përfshirë dobësimin e tregjeve të punës. Vlerësimet e rritjes ndryshojnë ndjeshëm nga një vend në tjetrin, ndërsa rendi global po ndryshon, me ndryshime të lidhura veçanërisht me zhvillimet teknologjike dhe dominimin e burimeve, ndër faktorë të tjerë, shkruan Euronews, transmeton albinfo.ch.

Parashikimet e OECD-së sugjerojnë se rritja reale e PBB-së në Eurozonë pritet të mbetet pas dy ekonomive më të mëdha në botë, SHBA-së dhe Kinës, në vitin 2025. Por çfarë pritet për vitet 2026 dhe 2027? Dhe si po ecin vendet individuale brenda eurozonës?

Rritja në vitin 2025: Finlanda mbetet pas

Deri në fund të vitit 2025, Irlanda pritet të regjistrojë rritjen më të fortë krahasuar me vendet e tjera të OECD-së, me 10.2%. Ky shpërthim është “i nxitur nga eksportet e përshpejtuara të produkteve farmaceutike përpara tarifave amerikane”, sipas raportit OECD Economic Outlook, të publikuar në dhjetor 2025.

Pas një serie kërcënimesh më herët këtë vit, Presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi tarifa deri në 100% për farmaceutikët e importuar duke filluar nga 1 tetori. Trump tha se do të ketë përjashtime për kompanitë që ndërtojnë objekte prodhimi në SHBA. Megjithatë, BE-ja ka pretenduar se eksportet e saj mbrohen nga një marrëveshje e mëparshme tregtare, e cila i vendos tarifat amerikane për mallrat e bllokut në 15%.

Irlanda qëndron si një rast i veçantë në renditjen e OECD-së, pasi vendet e tjera me rritjen më të shpejtë janë Turqia me 3.6% dhe Polonia me 3.3%.

Megjithatë, PBB-ja në Irlandë shpesh është një tregues i rremë për shkak të strukturës së ekonomisë. Për shkak të normave tradicionalisht të ulëta të taksave mbi korporatat, në Irlandë ndodhen shumë kompani shumëkombëshe që regjistrojnë fitimet në vend, duke shtrembëruar artificialisht PBB-në.

Në skajin tjetër të renditjes së OECD-së, Finlanda pritet të mos shënojë asnjë rritje në vitin 2025. Besimi i dobët i konsumatorëve dhe rënia e fortë e ndërtimit të banesave për të korrigjuar mbingopjen kanë rënduar ndjeshëm prodhimin, shpjegon OECD-ja.

Viti i ardhshëm: 1.2% rritje në Eurozonë

Rritja reale e PBB-së në Eurozonë pritet të zbutet lehtë nga 1.3% në vitin 2025 në 1.2% në vitin 2026, përpara se të rritet në 1.4% në vitin 2027.

Fërkimet e shtuara tregtare do të “kompensohen nga përmirësimi i kushteve financiare, investimet e vazhdueshme kapitale nga fondet e Mekanizmit të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë (RRF) dhe tregjet e punës elastike”, tha OECD-ja.

RRF është instrumenti kryesor për të ndihmuar ekonomitë e BE-së të dalin më të forta dhe më rezistente nga pandemia. Në kuadër të RRF-së, Komisioni Evropian merr hua në tregjet e kapitalit duke emetuar bono në emër të BE-së. Fondet e mbledhura më pas u vihen në dispozicion shteteve anëtare për të mbështetur reforma dhe investime të mëdha.

Tre ekonomi evropiane kryesojnë

Në vitin 2026, ndër 27 vende evropiane, rritja reale e PBB-së pritet të variojë nga 0.6% në Itali deri në 3.4% në Poloni dhe Turqi. Lituania pason me 3.1%. Këto tre vende janë të vetmet që parashikohen të tejkalojnë mesataren globale prej 2.9%.

Në fundin e poshtëm, Austria dhe Finlanda (të dyja 0.9%) ndjekin Italinë. Ato janë të vetmet vende me rritje nën 1%.

Spanja kryeson rritjen mes pesë ekonomive më të mëdha

OECD vlerëson se Spanja do të rritet me 2.2% në vitin 2026. Kjo është norma më e lartë ndër pesë ekonomitë më të mëdha të Evropës, shumë përpara vendit të dytë, Mbretërisë së Bashkuar, me 1.2%.

Në Spanjë, “krijimi i fortë i vendeve të punës dhe rritja reale e pagave do të vazhdojnë të mbështesin konsumin privat. Rritja e investimeve do të mbështetet nga zbatimi i vazhdueshëm i Planit të Rimëkëmbjes, Transformimit dhe Qëndrueshmërisë (RTRP) dhe kostot më të ulëta të financimit,” thuhet në raport.

Ekspozimi i drejtpërdrejtë i Spanjës ndaj tarifave amerikane është i kufizuar, pasi eksportet e mallrave drejt SHBA-së përbëjnë vetëm 1.1% të PBB-së së saj.

Në Mbretërinë e Bashkuar, ndërkohë, kufizimet e shpenzimeve qeveritare dhe pasiguria do të rëndojnë gjithashtu ritmin e zgjerimit. Tregu i punës po ftohet, me numrin e punonjësve në listë pagash që ka rënë me rreth 0.4% gjatë vitit deri në shtator dhe numrin e vendeve të lira të punës që ka rënë me gati 14% në të njëjtën periudhë.

Gjermania dhe Franca pritet të rriten me 1%, ndërsa Italia ka normën më të ulët me 0.6%. “Zgjerimi fiskal pritet të nxisë aktivitetin ekonomik në Gjermani, duke reflektuar shpenzime më të larta për mbrojtje dhe infrastrukturë, por konsolidimi i pritshëm në Francë dhe Itali do të frenojë rritjen,” gjeti raporti i OECD-së.

Pesë ekonomitë kryesore në vitin 2027

Në vitin 2027, Spanja do të regjistrojë sërish rritjen më të lartë reale të PBB-së ndër pesë ekonomitë më të mëdha, megjithëse norma e saj do të zbutet në 1.8%. Ekonomia e Gjermanisë pritet të rritet nga 1% në 1.5%. Mbretëria e Bashkuar dhe Italia do të shënojnë vetëm një rritje prej 0.1 pikë krahasuar me vitin 2026, ndërsa Franca do të mbetet e pandryshuar në 1%.

OECD parashikon që Turqia do të ketë rritjen më të lartë në vitin 2027 ndër 27 vendet evropiane, me 4%. Sipas organizatës, tarifat më të larta do të dobësojnë eksportet, por ndikimi pritet të jetë relativisht i vogël dhe afatshkurtër. Kushtet e përmirësuara financiare do të mbështesin konsumin privat dhe investimet në vitet 2026 dhe 2027, duke rritur gjithashtu importet. Rënia e inflacionit pritet të vazhdojë.

Rimëkëmbje graduale në Finlandë

Pas një recesioni në vitin 2025, Finlanda do të shohë një përmirësim të dukshëm me rritje të PBB-së prej 0.9% në vitin 2026 dhe 1.7% në vitin 2027. “Normat më të ulëta të interesit, një treg strehimi në stabilizim, rritja e shpenzimeve për mbrojtje dhe rritja më e fortë e partnerëve tregtarë do të mbështesin rimëkëmbjen,” thuhet në raport. Megjithatë, tarifat amerikane, pasiguria globale dhe konsolidimi fiskal mbeten pengesa.

Nënshkruhet marrëveshja: Fluturime nga Kanada në Shqipëri

Kanadaja ka nënshkruar një marrëveshje për transportin ajror me Shqipërinë.

Njoftimi është bërë nga Ministri i Transportit dhe Kryetari i Qeverisë në Dhomën e Komunave të Kanadasë.

Vetëm pak ditë më parë qeveria shqiptare e ka miratuar në parim marrëveshjen. Sipas ministrisë së Transportit të Kanadasë, negocimi i marrëveshjeve të reja të transportit ajror me vende të ndryshme përmirëson më tej lidhjet ajrore të vendit me pjesën tjetër të botës, çka promovon diversifikimin tregtar, forcon zinxhirët e furnizimit, nxit turizmin dhe ndihmon në nxitjen e rritjes ekonomike, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Referuar marrëveshjes pritet që disa linja ajrore të operojnë fluturime të planifikuara midis Kanadasë dhe Shqipërisë.

Kështu, do të kryhen deri në 14 fluturime pasagjerësh në javë për çdo vend, si dhe deri në 10 fluturime me ngarkesa në javë. Kompanitë ajrore mund të fillojnë menjëherë të ofrojnë shërbime sipas kësaj marrëveshjeje.

Në një deklaratë për mediat, Steven MacKinnon, Ministër i Transportit dhe Kryetar i Qeverisë në Dhomën e Komunave, tha se kjo marrëveshje e re e transportit ajror me Republikën e Shqipërisë, një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë të Evropës, do të hapë mundësi të reja ekonomike për të dy vendet tona. Marrëveshja do të forcojë gjithashtu lidhjet tona midis njerëzve dhe ato globale të Kanadasë.

Ndërsa, ministri i Tregtisë Ndërkombëtare, Maninder Sidhu, u shpreh se marrëveshja shënon një moment të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe. Kjo marrëveshje do të përmirësojë lidhjen ajrore, do të krijojë mundësi të reja për turizëm dhe do të nxisë lidhje më të ngushta midis njerëzve, duke çuar më tej qëllimet e Kanadasë për diversifikimin tregtar. Për Kanadanë, kjo do t’i ndihmojë bizneset tona të hyjnë në një treg në rritje në Evropën Juglindore dhe do të mbështesë eksportuesit tanë ndërsa ata arrijnë klientë të rinj jashtë vendit. Ky partneritet pasqyron angazhimin tonë të vazhdueshëm për zgjerimin e tregtisë ndërkombëtare dhe ndërtimin e marrëdhënieve të forta dhe reciprokisht të dobishme në të gjithë botën.

Eksportet e mallrave kanadeze në Shqipëri arritën në 85 milionë dollarë në vitin 2024. Shqipëria është destinacioni kryesor i eksportit të mallrave të Kanadasë midis vendeve të Ballkanit jo-anëtare të BE-së. Kanadaja ka marrëveshje ose rregullime të transportit ajror që mbulojnë më shumë se 125 vende.

Kanadaja parashikon që kjo marrëveshje e transportit ajror do të lehtësojë fluturimin e parë të drejtpërdrejtë transatlantik të Shqipërisë.

Zvicër: Mungesa e borës përpara fluksit të festave

Këtë fundjavë që po vjen, vendpushimet e fundit të skive po kalojnë në modalitetin e dimrit dhe po përgatiten për një fluks festash.

E vetmja gjë që mungon? Bora. Në vende si Gstaad, Zermatt dhe Arosa, mezi ka pluhur në çati dhe livadhe.

Poshtë në ultësira, është e gjelbër dhe kafe, dhe ka të ngjarë të mbetet kështu, transmeton albinfo.ch.

Eksperti i MeteoSwiss, Yves Karrer, i tha gazetës Blick se mundësia e borës në ultësira gjatë Krishtlindjeve është vetëm dhjetë përqind, me një Krishtlindje të bardhë edhe më pak të mundshme.

Disa nga pistat më të larta në shumë vendpushime po mbahen të hapura nga makinat e borës – por pistat shumë të larta janë shumë shkëmbore, makinat nuk mund të bëjnë mjaftueshëm për të mbuluar tokën.

Parashikuesit e motit thonë se do të ketë pak më shumë borë në male – por një rënie e ndjeshme para Krishtlindjeve është e pamundur.

Kurti: Urat mbi Ibër janë të Mitrovicës dhe të mitrovicasve

Kryeministri në detyrë i Kosovës, gjatë përurimit të hapjes së Urës së Ibrit në Mitrovicë, tha se në çdo takim me ndërkombëtarët e përsërit qëndrimin e tij se ura duhet të jetë e hapur.

“Në çdo takim e përsërisim qëndrimin tonë se ura duhet të jetë e hapur. Kemi 77 ura mbi lumin Ibër, disa prej tyre në Mal të Zi dhe Serbi. Në urën kryesore ka persona që nuk duhet të jenë pjesëtarë të KFOR-it dhe kjo bëhet me dialog dhe bisedë të hapur. Dëshirojmë të kemi shkëmbim tregtar dhe lëvizje të lirë. Urat mbi Ibër janë të Mitrovicës dhe të mitrovicasve”, tha Kurti, transmeton albinfo.ch.

 

Miratohet unanimisht Marrëveshja për Tregti të Lirë të Kosovës me EFTA

Me 190 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Dhoma e Përfaqësuesve e Parlamentit të Zvicrës miratoi Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Republikës së Kosovës me EFTA.

Mirënjohje për të gjithë deputetët dhe të gjitha grupet parlamentare që votuan pro këtij vendimi të rëndësishëm, duke dëshmuar mbështetje të gjerë dhe unanime për Kosovën, transmeton albinfo.ch.

Një hap i madh përpara në forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.

Gjenevë: Shumë fëmijë po blejnë alkool

Në Gjenevë, autoritetet po e mbajnë nën vëzhgim shitjen e alkoolit tek të miturit.

Këtë vit, Shërbimi i Çështjeve të Konsumatorit kreu blerje testuese në të gjithë kantonin për të kontrolluar nëse dyqanet respektojnë ndalimin e shitjes së pijeve alkoolike për personat nën 18 vjeç – ose birrës dhe verës për personat nën 16 vjeç.

Rezultati: në 14 përqind të rasteve, alkooli u shit ilegalisht. Kjo konsiderohet shumë e lartë, transmeton albinfo.ch.

Inspektorët testuan gati 200 blerje, kryesisht pije alkoolike si vodka dhe Martini, si në lagjet e qytetit ashtu edhe në zonat periferike.

Zyrtarët e shëndetësisë thonë se shifrat tregojnë se inspektimet mbeten shumë të nevojshme.

Zvicër: Peticion për ndalimin e klasit të parë në trena

Krahu rinor i Shoqatës së Transportit dhe Mjedisit po bën thirrje për heqjen e klasit të parë në trena, duke e përshkruar atë si një luks të panevojshëm.

Një peticion me më shumë se 6,500 nënshkrime argumenton se heqja e klasit të parë do të lehtësonte mbipopullimin dhe do të përmirësonte rehatinë për të gjithë pasagjerët, veçanërisht në orët e pikut, transmeton albinfo.ch.

Hekurudhat Federale Zvicerane e hedhin poshtë idenë, duke thënë se klasi i parë përmbush kërkesat e klientëve.

Një anketë e kohëve të fundit tregon se 60 përqind e të rinjve mbështesin heqjen e saj.

Shkatërrohet rrjeti kriminal francez/zviceran

Një rrjet i madh kriminal ndërkufitar që synonte Zvicrën është shkatërruar pas një hetimi të përbashkët nga autoritetet franceze dhe zvicerane.

Sipas policisë dhe prokurorëve në kantonin Neuchâtel, grupi – me seli në Pays de Gex në Francën fqinje – ishte përgjegjës për vjedhjen e motoçikletave me fuqi të lartë dhe makinave luksoze, si dhe për kryerjen e vjedhjeve me thyerje dhe përpjekjeve për hyrje me forcë në dyqanet e armëve në disa kantone.

Krimet u koordinuan nga Franca, me vjedhje të kryera në Zvicër, transmeton albinfo.ch.

Policia ka shkatërruar një organizatë të rëndësishme, e cila drejtohej nga shefat që ishin tashmë në burg.

Në total, 56 raste ishin të lidhura me rrjetin, duke përfshirë një duzinë sulmesh ndaj tregtarëve të armëve në gjashtë kantone.

Të ndaluarit po sillen para një gjyqtari hetues francez në Bourg-en-Bresse.