Osmani e uron kryeministren e re të Japonisë: Mezi pres të punojmë bashkë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka uruar kryeministren e re të Japonisë, Sanae Takaichi, e cila fitoi zgjedhjet e parlamentit të martën, duke marrë 237 vota, përballë kundërshtarit të saj, Yoshihiko Noda, përcjell albinfo.ch.

Përmes një postimi në “X”, e para e shtetit thotë se mezi prêt të punojë me Takaichin, e cila u bë kryeministrja e parë femër në Japoni,

“Urime të përzemërta për Sanae Takaichi, që u bë kryeministre e Japonisë. Kosova e vlerëson thellësisht miqësinë e saj të gjatë me Japoninë, një aleat i palëkundur i popullit tonë. Mezi presim të punojmë me kryeministren Takaichi për të forcuar dhe ndërtuar më tej bashkëpunimin tonë të shkëlqyer në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë”, ka shkruar Osmani.

Sanae Takaichi bëhet kryeministrja e parë grua në historinë e Japonisë

Një moment historik për Japoninë, Sanae Takaichi u zgjodh kryeministrja e parë grua e vendit, duke shënuar një kthesë të rëndësishme në politikën japoneze, tradicionalisht të dominuar nga burra. Zgjedhja e saj u bë nga parlamenti japonez, vetëm pak ditë para vizitës së presidentit amerikan Donald Trump, përcjell albinfo.ch.

Takaichi, e njohur për pikëpamjet konservatore, ka mbështetur rishikimin e kushtetutës pacifiste dhe vizitat e saj në faltoren Yasukuni kanë ngjallur debate. Ajo kundërshton martesat e të njëjtës gjini dhe preferon që çiftet të mbajnë mbiemra të njëjtë, duke e vendosur në krahun tradicionalist të politikës.

Analistët paralajmërojnë se qëndrimet e saj ndaj Kinës mund të ndikojnë marrëdhëniet rajonale, ndërsa ekonomistët brenda vendit shqetësohen për planet e saj për të rritur shpenzimet dhe ulur taksat, në një kohë kur Japonia përballet me inflacion dhe kosto të lartë jetese.

Takaichi mori drejtimin e Partisë Liberale Demokratike (LDP) në fillim të tetorit, duke thelluar drejtimin konservator të partisë. Pas votimit në të dy dhomat e parlamentit, ajo u konfirmua zyrtarisht si kryeministre dhe tashmë përballet me sfida të menjëhershme, si ulja e çmimeve të produkteve bazë, përfshirë orizin.

Portieri i Bundesligës, Diant Ramaj nuk do të luajë për Kosovën

Portieri i Bundesligës, Diant Ramaj, nuk do të bashkohet me përfaqësuesen e Kosovës në futboll, ka bërë të ditur menaxheri i tij, Jurgen Schwab, përcjell albinfo.ch.

Së fundi pati raportime se 24-vjeçari mund të paraqitej për “Dardanët” që nga nëntori, por Ramaj ka theksuar vazhdimisht dëshirën e tij për të luajtur për Gjermaninë. Ai aktualisht është pjesë e Borussia Dortmundit, ndërsa është i huazuar te Heidenheim.

“Raportimet janë përfundimisht false. Interesimi nga Kosova është i njohur dhe e gëzon Diantin, por ai e ka bërë të qartë: nuk do të luajë për Kosovën,” ka thënë Schwab për gazetën gjermane Bild.

Ramaj ka luajtur më parë për Gjermaninë në nivelet U18, U19 dhe U20. Ai u zhvillua në disa klube gjermane dhe shpërtheu pas kalimit te Ajax në vitin 2023. Në fillim të këtij viti u transferua te Dortmund, por u huazua fillimisht te Copenhagen dhe më pas te Heidenheim, ku po shfaq performanca të shkëlqyera me pritje vendimtare.

Për Kosovën, portieri i parë mbetet Arijanet Muriq, i cili po bën karrierë në Serie A, por do të mungojë për ndeshjen ndaj Sllovenisë më 15 nëntor, duke i hapur rrugë portierit Amir Shaipi. Portieri i tretë është Visar Bekaj, që luan në ligën e dytë turke.

Megjithatë, Ramaj nuk do të jetë opsion për Kosovën, pavarësisht interesimit të Federatës së Futbollit të Kosovës, dhe skuadra vazhdon të përgatitet për kualifikimet në Botëror. Një fitore kundër Sllovenisë do t’i siguronte Kosovës vendin në plejof, ndërsa tre ditë më pas ajo pret Zvicrën.

Zbulohen mbetje eshtërore në Hajvali, dyshohet se i përkasin tre të zhdukurve nga lufta

Raportohet se në varrezat e fshatit Hajvali, janë gjetur mbetje eshtërore të njeriut, që dyshohet të jenë të paktën të tre personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit, gërmimet janë bërë nga njësitet policore të Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, në koordinim me IML-në dhe Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, të cilët kanë realizuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Më 20.10.2025 njësitet policore të Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, në koordinim me IML-në dhe Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, kanë realizuar urdhëresën e  Gj. Th. Prishtinë për gërmim në varrezat e fshatit Hajvali, me ç’rast kanë gjetur mbetje eshtërore të njeriut, që dyshohet të jenë të paktën tre personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë 1998-1999. Mbetjet eshtërore janë tërhequr nga IML-ja për ekzaminime mjeko-ligjore. Punimet pritet të vazhdojnë edhe ditëve në vijim. Rasti në proces hetimi”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

Skitarja Colturi është gati të bëjë histori me Shqipërinë

Skitarja e re Lara Colturi, 18 vjeç, e lindur në Itali, por që përfaqëson tani Shqipërinë, mund të bëhet protagoniste e një momenti historik: medalja e parë për vendin nga Lojërat Olimpike Dimërore, transmeton albinfo.ch.

Colturi ka një karrierë të shkëlqyer në skijimin alpin, me dy vende të dyta dhe një vend të tretë gjatë sezonit të kaluar, duke treguar talent të jashtëzakonshëm dhe qëndrueshmëri në gara. Përveç aftësive teknike, ajo është e mbështetur fuqishëm nga nëna dhe trajnerja e saj, Daniela Ceccarelli, kampione olimpike në Super-G në vitin 2002, dhe tani nga trajneri i ri Alessandro Schiasselloni.

Përfaqësimi i Shqipërisë është një gjë shumë pozitive. Federata nuk ka traditë në skijim, por më mbështet jashtëzakonisht. Do të isha shumë e kënaqur nëse mund të frymëzoja skiatorë dhe tifozë të rinj shqiptarë”, tha Colturi.

Përgatitjet e saj gjatë verës dhe bashkëpunimi me një ekip prej shtatë trajnerësh, përfshirë konsultime me yllin e skijimit Lara Gut-Behrami, e kanë bërë Colturin të gatshme për sfidat e sezonit të ardhshëm, duke përfshirë garën hapëse në Solden të Austrisë.

Përveç skijimit, Lara Colturi ka përvojë edhe në patinazh artistik, një talent që, sipas saj, e ndihmon në stabilitet dhe rehati në shtigjet e akullta.

Nëse ia del, Colturi mund të shënojë një kapitull të ri në historinë sportive të Shqipërisë, duke i dhënë vendit një yll të ri olimpik dhe duke frymëzuar gjeneratat e reja të sportistëve shqiptarë. /Blick

Këshilli i Sigurimit diskuton sot për Kosovën, Gërvalla udhëton në Nju-Jork

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, udhëtoi drejt Nju Jorkut për të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), e cila mbahet më 21 tetor 2025, në orën 10:00 sipas kohës lokale (16:00 ora e Kosovës), përcjell albinfo.ch.

Gjatë seancës do të shqyrtohet raporti periodik i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, mbi zhvillimet në Kosovë dhe veprimtarinë e Misionit të Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK).

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ministrja Gërvalla-Schwarz do të prezantojë punën e institucioneve të Republikës së Kosovës, duke theksuar rezultatet e arritura, sfidat dhe prioritetet në proceset e reformave gjithëpërfshirëse. Fokus i veçantë do të jetë te sundimi i ligjit, performanca ekonomike dhe fuqizimi institucional.

Në këtë seancë, zëvendës-përfaqësuesi special i OKB-së, Milbert Dongjoon Shin, do të informojë Këshillin mbi raportin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm, të shpërndarë më 10 tetor, i cili mbulon zhvillimet në Kosovë nga 16 marsi deri më 15 shtator 2025.

Berlin: Presidentja e Kosovës do të mbajë fjalim mbi demokracinë në Universitetin Humboldt

Më 23 tetor 2025, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të mbajë një fjalim në Universitetin Humboldt në Berlin, në kuadër të serisë prestigjioze “Humboldt-Rede zu Europa”. Tema e fjalimit është: “Defending Democracy in the 21st Century: Lessons from Europe’s Youngest Republic” (“Mbrojtja e Demokracisë në Shekullin e 21-të: Mësime nga Republika më e Re e Evropës”), shkruan albinfo.ch.

Ambasada e Kosovës në Gjermani ka bërë të ditur se ngjarja do të zhvillohet në Fakultetin Juridik të Universitetit Humboldt, me fillim në ora 15:30. Presidentja Osmani pritet të ndajë përvojat e Kosovës si një republikë e re evropiane dhe sfidat e saj në ruajtjen dhe avancimin e demokracisë.

Ambasada fton të gjithë të interesuarit të marrin pjesë në këtë aktivitet akademik dhe diplomatik, i cili ofron një platformë të rëndësishme për dialog dhe shkëmbim ideje mbi temat e demokracisë dhe qeverisjes në Evropë.

Për më shumë informacione mbi pjesëmarrjen dhe regjistrimin, mund të vizitoni linkun zyrtar të ngjarjes.

https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=pfbid02YULHxdeVxuM9aZet7UE3sDZ6UqfBvenpiRu59TjN8WBA8Dayxood6DQ9Mgbsa5o2l&id=100071188504734

Sllovenët presin përkrahje të madhe për Kosovën në Lubjanë

Federata e Futbollit e Sllovenisë ka njoftuar se të gjitha biletat janë shitur për ndeshjen Slloveni – Kosovë, e cila do të zhvillohet më 15 nëntor në “Arena Stozhice” të Lubjanës. Ky është para-fundi i ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës 2026, përcjell albinfo.ch.

Sipas mediumit slloven delo.si, interes i madh ka ardhur nga emigrantët kosovarë në Slloveni, të cilët kanë blerë pjesën më të madhe të biletave. Simbolet e Kosovës do të lejohen vetëm në tribunën e tifozëve kosovarë, ndërsa në pjesën tjetër të stadiumit ato janë të ndaluara. Megjithatë, pritet një atmosferë e zjarrtë, që mund të ndikojë edhe në performancën e futbollistëve sllovenë.

Për Kosovën, një pikë në Lubjanë është e nevojshme për të siguruar vendin e dytë në grup, ndërsa ndeshja ka rëndësi të veçantë edhe për Slloveninë.

Mirësjellja zvicerane në tren: A është ky vend i lirë?

Në Zvicër, edhe një gjest i vogël mund të tregojë shumë për kulturën dhe rregullin që e karakterizon këtë vend. Një nga shembujt më interesantë është zakoni që udhëtarët të pyesin: A është ky vend i lirë?përpara se të ulen në tren, përcjell albinfo.ch.

Ky veprim, ndonëse nuk është rregull i shkruar, konsiderohet shenjë respekti dhe mirësjelljeje ndaj tjerëve. Zakonisht praktikohet më shumë në trenat e distancave të gjata, ku njerëzit udhëtojnë më gjatë dhe dëshirojnë të ruajnë një atmosferë të qetë e të respektueshme.

Megjithatë, në trenat e ngarkuar të orëve të pikut, shumë udhëtarë thjesht ulen pa pyetur, duke e bërë këtë zakon më fleksibël në varësi të situatës.

Në një shoqëri ku rendi dhe respekti janë pjesë e përditshmërisë, kjo pyetje e thjeshtë mbetet një simbol i kulturës së mirësjelljes zvicerane një mënyrë e vogël për të treguar kujdes ndaj të tjerëve dhe për të ruajtur harmoninë në hapësirat publike. /Albinfo.ch

Suedia promovon turizmin shqiptar në tregun nordik

Në Suedi është themeluar Zyra e Turizmit “Albanska Rivieran”, një iniciativë e gazetares Jetmira Muçaj, që synon të promovojë Shqipërinë si destinacion tërheqës në tregun suedez dhe atë nordik, përcjell albinfo.ch.

Gjatë një takimi me Muçaj, i Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Shqipërisë në Stokholm, z. Eno Çollaku, vuri në dukje rritjen e ndjeshme të numrit të vizitorëve nga Suedia drejt Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me këtë zyrë për të forcuar prezencën e vendit në hartën turistike të rajonit nordik.

Iniciativa pritet të shërbejë si një pikë kyçe për rritjen e interesit ndaj rivierës shqiptare, duke kombinuar promovimin kulturor, natyror dhe kulinar të vendit në tregjet skandinave.

https://www.facebook.com/share/p/1BpwUN7jPy/?mibextid=wwXIfr

 

Bie çmimi global i naftës

Çmimet e naftës në tregjet botërore kanë shënuar rënie të ndjeshme, duke rënë nën nivelin prej 61 dollarësh për fuçi.

Në tregun e Londrës, pas mesditës, një fuçi naftë kushtonte 60.57 dollarë 72 cent më pak krahasuar me fundin e javës së kaluar. Edhe në tregun amerikan çmimi ka rënë, duke arritur në 56.88 dollarë për fuçi, me një ulje prej 66 centësh.

Ekspertët e tregut thonë se kjo rënie lidhet me rritjen e furnizimit dhe dobësimin e kërkesës. Sipas një raporti të javës së kaluar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, rezervat globale të naftës kanë arritur në nivelin më të lartë në katër vitet e fundit 7.9 milionë fuçi në gusht. Agjencia parashikon që teprica e furnizimit të rritet ndjeshëm gjatë vitit të ardhshëm.

Përveç kësaj, investitorët janë të shqetësuar për pasojat që mund të ketë bllokada e qeverisë amerikane për shkak të mosmarrëveshjeve rreth buxhetit.

 

Punët që s’ekzistonin një dekadë më parë

Teknologjia nuk është më vetëm një mjet ndihmës. Ajo është shndërruar në një hapësirë të re pune, ku profesionet lindin, transformohen dhe përshtaten me shpejtësi të madhe.

Në të kaluarën, një kontabilist kishte nevojë vetëm për një makinë llogaritëse dhe një bllok shënimesh. Sot, kompanitë kërkojnë analistë të të dhënave që kuptojnë “gjuhën” e numrave. Dhe ky është vetëm një shembull ndër shumë të tjerë.

Gjatë pesë viteve të fundit janë shfaqur profesione që dikur dukeshin të pamundura:

inxhinierë të inteligjencës artificiale,

dizajnerë të realitetit virtual,

ekspertë të programimit etik,

trajnerë të sistemeve robotike.

Madje edhe roli i “shkrimtarit të shpejtë” personi që i jep udhëzime inteligjencës artificiale është kthyer në një profesion të paguar dhe të kërkuar.

“Rreth teknologjisë është ndërtuar një ekonomi e re. Sot ka njerëz që punojnë vetëm për të mësuar algoritmet si të kuptojnë më mirë gjuhën njerëzore,” shpjegon Igor S. Jovanov, konsulent IT me përvojë ndërkombëtare. “Para dhjetë vitesh studentët qeshnin kur u thosha se makinat do të bënin pjesë nga puna jonë. Sot ata garojnë për të qenë ata që i mësojnë këto makina.”

Edhe profesioni i dizajnit është përmbysur. “Nuk mjafton më të krijosh një buton të bukur,” thotë Tijana Kostova, dizajnere UX/UI. “Duhet të kuptosh mënyrën si mendon përdoruesi, çfarë tërheq vëmendjen e tij dhe çfarë e shtyn të ndërveprojë. Teknologjia të detyron të jesh psikolog, dizajner dhe tregtar njëkohësisht.”

Një aspekt interesant është se shumë nga këto profesione nuk kërkojnë arsim tradicional.

Tregtarë dixhitalë, krijues përmbajtjeje, menaxherë të rrjeteve sociale apo prodhues podkastesh – janë karriera që dikur s’kishin vend në librat shkollorë. Tani, një i ri me një laptop dhe internet mund të ndërtojë të ardhura që dikur kërkonin diplomë universitare.

“Kjo është epoka kur kreativiteti dhe përshtatja vlejnë më shumë se çdo gjë tjetër. Nëse teknologjia të merr një mundësi, ajo të ofron një tjetër në këmbim,” shton Jovanov.

Ndërkohë, edhe profesionet tradicionale po ndryshojnë:

mësuesit po bëhen edukatorë online,

gazetarët po shndërrohen në krijues multimediash,

fotografët po operojnë drone,

artizanët shesin përmes platformave dixhitale,

edhe hidraulikët caktojnë takime përmes aplikacioneve.

Disa mendojnë se teknologjia “vjedh” vendet e punës, por në të vërtetë ajo i riformëson ato. Sekretarja klasike lë vend për një koordinatore komunikimesh dixhitale, ndërsa bankieri në sportel zëvendësohet nga një analist aplikacionesh financiare.

E ardhmja nuk do t’i takojë makinës por njeriut që di si të flasë me të. Dhe ky është paradoksi i bukur i kohëve moderne: sa më shumë zhvillohet teknologjia, aq më e madhe bëhet vlera e njeriut.

 

Tornado e fuqishme godet veriun e Parisit: një person humb jetën dhe disa të tjerë plagosen rëndë

Në rajonin Val d’Oise, në veri të Parisit, një tornado e rrallë por shumë e fuqishme goditi zonën pasditen e sotme, duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve.

Sipas deklaratave të ministrit francez të Brendshëm, Laurent Nunez, tornadoja shkaktoi dëme të konsiderueshme dhe vendosi autoritetet në gatishmëri të lartë. Të paktën katër persona raportohet se janë plagosur rëndë. Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë tre vinça ndërtimi të rrëzuar nga erërat e forta, si dhe shkatërrimin e çative, dritareve dhe objekteve të tjera në komunat Ermont, Eaubonne dhe Franconville.

Meteorologët raportojnë se tornadoja u shfaq në mbrëmje dhe shoqërohej me përmbytje të shpejta dhe erëra shumë të forta. Ende nuk ka një vlerësim zyrtar për shkallën e tornados, por dëmet konsiderohen të mëdha dhe të përhapura

Video:

https://twitter.com/i/status/1980324742339924458

Punëtorët e ndërtimit në Ticino në grevë për kushte më të mira pune

Punëtorët e ndërtimit në kantonin Ticino dolën sot në protestë dhe filluan një grevë për të kërkuar kushte më të mira pune. Sipas sindikatave Unia dhe Syna, kjo është dita e parë e një serie protestash që do të zhvillohen në gjithë vendin.

Në qendër të konfliktit qëndrojnë negociatat e dështuara mes sindikatave dhe Shoqatës së Ndërtuesve për arritjen e një marrëveshjeje të re kombëtare kornizë në sektorin e ndërtimit.

Rreth 1,400 punëtorë u mblodhën në Bellinzona për të protestuar kundër kushteve aktuale të punës dhe për të kërkuar një kontratë kolektive më të favorshme për punonjësit. Kjo shënon fillimin e një fushate të gjerë protestash kundër qëndrimit të ngurtë të Shoqatës së Ndërtuesve për rinovimin e marrëveshjes kombëtare.

“Ne kërkojmë kushte të denja pune, siguri për shëndetin dhe jetën tonë, si dhe ndryshim të orarit të punës,” deklaruan punëtorët e ndërtimit të mbledhur para qendrës së ekspozitave në Bellinzona.

Mosmarrëveshje për orët e punës

Pala sindikale kërkon uljen e orarit ditor në 8 orë. Ndërkohë, Shoqata e Ndërtuesve kërkon të ruajë orarin aktual prej 40.5 orësh në javë dhe të fusë fleksibilitet në oraret e punës, për t’u përshtatur me kushtet e motit në kantieret e ndërtimit.

Fleksibilitet pa pagesë shtesë

Në rast ndërprerjesh për shkak të motit, punëtorët pritet të jenë në dispozicion edhe të shtunave pa pagesë shtesë. Sindikatat e kundërshtojnë fuqishëm këtë kërkesë.

Po ashtu, ato kërkojnë që koha e udhëtimit nga kompania në kantier të paguhet, si dhe të kompensohet pushimi i mëngjesit. Shoqata e Ndërtuesve i ka refuzuar këto kërkesa.

Negociatat e fundit më 28 tetor

Raundi i pestë dhe i fundit i negociatave pritet të zhvillohet më 28 tetor. Marrëveshja aktuale kornizë për sektorin e ndërtimit është në fuqi që nga 1 janari 2023 dhe skadon në fund të këtij viti. Kjo marrëveshje përcakton pagat dhe kushtet e punës për rreth 80,000 punëtorë ndërtimi në Zvicër.

 

Si një ndërprerje e Amazon paralizoi një pjesë të internetit global

Një ndërprerje e madhe në shërbimet kompjuterike të Amazon Web Services (AWS) të hënën shkaktoi probleme për miliona përdorues në mbarë botën, duke nxjerrë në pah varësinë e madhe që shumë kompani kanë nga gjigantët amerikanë të teknologjisë.

Qindra faqe interneti dhe aplikacione të njohura — përfshirë platforma si Airbnb, Reddit, si dhe lojërat online Fortnite, Roblox dhe Brawl Stars — mbetën për disa orë të paarritshme në zona të ndryshme të botës. Ndërprerja filloi në SHBA dhe preku shumë vende në Evropë dhe më gjerë.

Në Zvicër, shërbime të caktuara të UBS, Swisscom dhe Sunrise u ndikuan gjithashtu, duke shkaktuar ndërprerje në shërbimet digjitale që përdoren çdo ditë nga miliona njerëz.

Në Mbretërinë e Bashkuar, një zëdhënës i Lloyds Bank deklaroi se disa prej shërbimeve të tyre u prekën “nga problemet e lidhura me Amazon Web Services”.

Edhe Coinbase një nga bursat më të mëdha të kriptomonedhave — raportoi vështirësi si pasojë e ndërprerjes. Kompania bëri të ditur në platformën X se kishte “shenja të hershme të rikuperimit”. Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i startup-it të inteligjencës artificiale Perplexity, Aravind Srinivas, tha: “Shërbimi aktualisht nuk është i disponueshëm për shkak të një ndërprerjeje të AWS. Po punojmë për ta zgjidhur.”

Rikthimi në normalitet

Rreth mesditës, situata nisi të stabilizohej. AWS njoftoi në faqen e saj të mirëmbajtjes se “shumica e shërbimeve po funksionojnë normalisht”.

Problemi kishte të bënte me sistemin DNS (Domain Name System), i cili tashmë është “plotësisht i zgjidhur”, por priten vonesa derisa incidenti të zgjidhet përfundimisht.

Më herët gjatë ditës, AWS kishte raportuar “norma të larta gabimesh për kërkesat drejtuar” bazës së të dhënave DynamoDB, që përdoret gjerësisht nga aplikacione dhe lojëra në internet.

AWS, që është një degë e Amazon, ofron shërbime të kompjuterizimit në distancë (cloud) për kompani të ndryshme, përfshirë ruajtjen e të dhënave, bazat e të dhënave dhe inteligjencën artificiale. Sipas të dhënave zyrtare, problemi kishte origjinën në një zonë kritike të infrastrukturës në rajonin “US-EAST-1” në Virxhinia, SHBA.

Ekspertiza dhe rreziqet

Në një intervistë për emisionin “Forum”, bashkëthemeluesi i Zendata, Steven Meyer, shpjegoi se interneti ishte ndërtuar fillimisht në mënyrë të decentralizuar, por kostot e larta çuan në krijimin e qendrave të të dhënave dhe, më vonë, të shërbimeve cloud që janë të centralizuara.

“Amazon ka shumë qendra të të dhënave dhe shumë shërbime cloud që supozohet të zbusin raste të tilla. Por replikimi i të dhënave në rajone të ndryshme është i shtrenjtë dhe i ndërlikuar, ndaj shumica e kompanive i vendosin të dhënat në një zonë të vetme,” shpjegoi ai.

I pyetur nëse përdorimi i qendrave lokale të të dhënave mund të shmangë efektin “zinxhir”, ai shtoi se kjo është e mundur, por nuk e eliminon plotësisht rrezikun. “Ndërprerjet ndodhin kudo, edhe në Zvicër. Zgjedhja e një opsioni lokal thjesht e shmang varësinë nga një ofrues i jashtëm në SHBA, por nuk garanton që problemet nuk do të ndodhin,” përfundoi Meyer.

Terrassa ndalon përkohësisht adoptimin e maceve të zeza për të shmangur keqpërdorimet gjatë Halloween-it

Autoritetet në qytetin Terrassa, në verilindje të Katalonjës, kanë pezulluar përkohësisht adoptimin e maceve të zeza nga strehët e kafshëve, si masë parandaluese ndaj keqpërdorimeve të mundshme gjatë festimeve të Halloween-it. Sipas raportimit të BBC, ndalimi është në fuqi nga 6 tetori deri më 10 nëntor.

Ky vendim është ndërmarrë për të parandaluar përdorimin e maceve të zeza në rituale të dyshimta ose si pjesë e dekorimeve të frikshme, një praktikë që shoqatat për mbrojtjen e kafshëve e kanë dënuar vazhdimisht. Sipas autoriteteve lokale, çdo kërkesë për birësim ose kujdestari të maceve të zeza gjatë kësaj periudhe do të refuzohet.

Zëvendëskryetari i bashkisë, Noel Duque, deklaroi për “RTVE” se është vërejtur një rritje e ndjeshme e interesit për adoptimin e maceve të zeza gjatë periudhës së festave të Halloween-it. Ai theksoi se ndonëse nuk ka pasur raste konkrete të keqtrajtimit, vendimi është një masë parandaluese për të shmangur adoptimet impulsive dhe potencialisht të rrezikshme.

“Duam të parandalojmë adoptime të bëra vetëm për modë apo për qëllime të errëta. Ka raste kur macet përdoren në rituale të dëmshme dhe ne nuk mund të rrezikojmë mirëqenien e tyre,” u shpreh Duque.

Macet e zeza janë të lidhura me bestytni të ndryshme në kulturën perëndimore, ku shpesh konsiderohen simbol i fatit të keq. Ndryshe ndodh në vende si Japonia dhe Egjipti, ku ato përfaqësojnë fat të mirë dhe pasuri.

Aktualisht, në qytetin Terrassa jetojnë mbi 9,800 mace, ndërsa në qendrën e adoptimit ndodhen rreth 100 kafshë, prej të cilave 12 janë mace të zeza.

Vendimi i bashkisë është cilësuar si masa e jashtëzakonshme dhe e përkohshme, por autoritetet nuk e përjashtojnë mundësinë e përsëritjes së saj në vitet e ardhshme. Në raste të veçanta, kërkesat për adoptim gjatë periudhës së ndalimit do të shqyrtohen rast pas rasti.

Procesi i zakonshëm i adoptimeve pritet të rifillojë menjëherë pas përfundimit të Halloween-it.

 

VLEN merr kryesimin në zgjedhjet lokale, në balotazh disa komuna kyçe shqiptare

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale të 19 tetorit. Koalicioni VLEN ka siguruar fitoren në shumicën e komunave me shumicë shqiptare, duke marrë drejtimin në 9 prej tyre. Pesë komuna janë fituar që në raundin e parë: Çair, Saraj, Haraçinë, Zhelinë dhe Tearcë, ndërsa katër të tjera do të vendosen në balotazh.

 

 

Çair: Izet Mexhiti – 51,8% (15.733 vota)

Saraj: Muhamet Elmazi – 50,2% (9.664 vota)

Haraçinë: Daut Beqiri – 51,2% (2.662 vota)

Zhelinë: Blerim Sejdiu – 54,2% (5.661 vota)

Tearcë: Daut Memishi – 54,6% (5.247 vota)

Ndërkohë, Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) ka siguruar fitore në raundin e parë në komunat Likovë, Pllasnicë dhe Çashkë. Kjo parti ka marrë shumicën e votave edhe në Gostivar dhe Vrapçisht, por për shkak të mospërmbushjes së pragut, zgjedhjet atje mund të përsëriten.

Çashkë: Suat Shaqiri (AKI) – 50,7% (2.322 vota)

Likovë: Erkan Arifi (AKI) – 61,7% (6.662 vota)

Pllasnicë: Alija Jaoski (AKI) – 64,4% (1.356 vota)

Vrapçishtë: Isen Shabani (AKI) – 88,1% (6.050 vota)

Gostivar: Valbon Limani (AKI) – 61,3% (16.949 vota)

Në disa komuna të tjera pritet një garë e fortë në raundin e dytë më 2 nëntor. Në Tetovë, kandidati i VLEN-it Bilall Kasami udhëheq me 3.756 vota përpara rivalit të tij nga AKI, Bajram Rexhepi. Gara është e ngushtë edhe në Bogovinë, me vetëm 88 vota diferencë mes Feti Abazit (VLEN) dhe Beshnik Emshiut (AKI). Në Dibër, Fisnik Mela kryeson ndaj kandidatit të pavarur Ramadan Imeri, ndërsa në Dollnen epërsia e Blerim Islamit ndaj Sashko Veljanovskit është vetëm 22 vota.

Tetovë: Bilall Kasami (VLEN) + 3.756 vota

Bogovinë: Feti Abazi (VLEN) / Beshnik Emshiu (AKI) – diferencë 88 vota

Dibër: Fisnik Mela (VLEN) përpara me 1.279 vota

Dollnen: Blerim Islami (VLEN) kryeson me 22 vota

Në Strugë, kandidati i pavarur Mendi Qyra është në epërsi me 215 vota, ndërsa në Studeniçan, Azem Sadiku kryeson me 559 vota ndaj Ejup Abazit (AKI). Të dy këto komuna do të përballen gjithashtu në balotazh.

 

Inteligjenca Artificiale krijon viruse të reja për të luftuar bakteret rezistente ndaj antibiotikëve

Një ekip shkencëtarësh nga Universiteti i Stanfordit në Shtetet e Bashkuara ka zhvilluar për herë të parë viruse të dizajnuara nga inteligjenca artificiale (IA), që synojnë të eliminojnë bakteret e rrezikshme rezistente ndaj antibiotikëve, njofton portali salute.eu.

Këto viruse të reja përfaqësojnë një qasje revolucionare në luftën kundër mikrobeve vdekjeprurëse që nuk reagojnë më ndaj mjekimeve tradicionale. Në veçanti, ato janë krijuar për të sulmuar lloje të baktereve si Escherichia coli, të cilat janë bërë gjithnjë e më të vështira për t’u trajtuar me antibiotikë ekzistues.

“Është hera e parë që inteligjenca artificiale ka qenë në gjendje të krijojë sekuenca gjenetike të plota në nivel të gjenomit,” u shpreh Brian Hie, biolog kompjuterik dhe udhëheqës i studimit.

Kjo arritje është një hap domethënës në përdorimin e IA në biologji dhe mjekësi, edhe pse studiuesit theksojnë se jemi ende larg nga ndërtimi i organizmave të gjallë tërësisht të projektuar nga makina.

“Ky është vetëm fillimi i një epoke të re. Ende nuk kemi arritur të ndërtojmë një organizëm të plotë, por ky është një hap vendimtar drejt atij qëllimi,” tha bashkëautori i studimit, Samuel King.

Zbulimi shihet si një armë potencialisht shumë e fuqishme në luftën globale kundër rezistencës ndaj antibiotikëve – një nga kërcënimet më të mëdha për shëndetin publik në dekadat e ardhshme.

 

OKdiario: Shqipëria, destinacioni më i përballueshëm turistik në Evropë për vitin 2025

Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje ndërkombëtare si një nga destinacionet më tërheqëse dhe ekonomike për turistët evropianë këtë vit. Revista spanjolle OKdiario, në një artikull të autores Janire Manzanas, e përshkruan vendin tonë si “një nga sekretet më të ruajtura të Evropës”.

Me një natyrë të mrekullueshme, histori të pasur dhe kulturë unike, Shqipëria ofron përvojë të plotë për pushuesit — dhe me çmime shumë të ulëta. Një birrë kushton rreth 1 euro, ndërsa një vakt i plotë në restorant mund të shijohet për vetëm 12 euro.

Çmime të përballueshme dhe eksperienca autentike

Në krahasim me vendet e tjera evropiane, Shqipëria ofron një raport të shkëlqyer cilësi-çmim. Dhomat në shtëpi tradicionale kushtojnë 10–20 euro nata, ndërsa hotelet fillojnë nga 25 euro nata. Një pjatë kryesore në restorant kushton mesatarisht 5–10 euro, dhe një birrë në bar vetëm 1–2 euro.

Tirana, si kryeqytet, ka çmime disi më të larta, por zonat si Riviera Shqiptare ofrojnë jo vetëm çmime më të ulëta, por edhe peizazhe mahnitëse bregdetare.

Çfarë mund të vizitoni në Shqipëri?

Tirana është një qytet që flet me historinë e tij. Vizitorët mund të eksplorojnë muze si “Shtëpia me Gjethe”, “Bunk’Art 2” dhe Muzeun Historik Kombëtar, për të kuptuar të kaluarën komuniste të vendit.

Berati, qyteti i njohur për arkitekturën e tij të bardhë dhe për historinë mbi 2000-vjeçare, është shpallur nga UNESCO si pjesë e Trashëgimisë Botërore. Është një muze i hapur që ruan identitetin kulturor ndër shekuj.

Gjirokastra, e njohur si “qyteti i gurtë”, përfaqëson një tjetër perlë shqiptare me trashëgimi osmane dhe rrugë kalldrëmi karakteristike. Ajo gjithashtu është pjesë e listës së UNESCO-s.

Kruja, qyteti historik i Skënderbeut, ofron pamje të mrekullueshme dhe objekte të vizitueshme si Kështjella e Krujës, Muzeu i Skënderbeut dhe Teqeja e Dollmës.

Destinacionet natyrore

Burimet termale të Bënjës, të vendosura në Parkun Kombëtar të Bredhit të Hotovës, janë një përvojë relaksuese mes natyrës së paprekur. Pranë ndodhet edhe Ura Osmane e Kadiut, që kalon mbi lumin Langaricë me ujëra të kristalta.

Apolonia, qyteti antik pranë Fierit, përmban rrënoja të lashta si Tempulli i Artemidës dhe Manastiri i Shën Mërisë, i cili shërben si muze.

Riviera Shqiptare thesari bregdetar i Ballkanit

Riviera e gjatë mbi 100 km është një atraksion më vete. Me plazhe të pastra, ujëra të kaltër dhe qetësi natyrore, ajo konkurron lehtësisht me destinacionet e njohura të Mesdheut.

Shqipëria, sipas OKdiario, është zgjedhja ideale për ata që kërkojnë një pushim ekonomik pa kompromentuar cilësinë, kulturën apo natyrën.

 

BE-ja miraton ndalimin e importeve të gazit rus deri në vitin 2028

Ministrat e Energjisë të Bashkimit Evropian kanë miratuar sot një propozim që synon ndalimin e plotë të importeve të gazit nga Rusia, si pjesë e përpjekjeve për të reduktuar varësinë energjetike dhe për të kufizuar të ardhurat e Moskës nga eksportet e energjisë.

“Një Evropë e pavarur në energji është një Evropë më e sigurt,” deklaroi ministri danez i Energjisë, Lars Aagaard, që drejtoi takimin e ministrave.

Sipas planit të ri, importet e gazit natyror përmes tubacioneve dhe të gazit të lëngshëm (LNG) nga Rusia do të ndalohen përfundimisht jo më vonë se në vitin 2028. Paralelisht, po diskutohen edhe masa për ndalimin më të hershëm të LNG-së ruse si pjesë e paketës së ardhshme të sanksioneve të BE-së.

Aagaard theksoi se vendimi ka marrë mbështetje të gjerë nga ministrat dhe se përpara miratimit përfundimtar të ligjit, do të vijojnë negociatat me Parlamentin Evropian i cili tashmë e ka votuar propozimin.

Vitin e kaluar, Rusia mbeti një nga furnizuesit kryesorë të gazit për BE-në, duke përfaqësuar rreth 20% të importeve, kryesisht përmes LNG-së. Vetëm në gjysmën e parë të 2025-ës, blloku importoi gaz të lëngshëm rus me vlerë mbi 4.5 miliardë euro.

Megjithatë, çdo paketë e re sanksionesh kërkon unanimitetin e të 27 vendeve anëtare, gjë që ndonjëherë vonon procesin. Sanksionet ndaj Rusisë janë të përkohshme dhe do të rishikohen në përfundim të luftës në Ukrainë.

Synimi afatgjatë është ndalimi i përhershëm i importeve të karburanteve nga Rusia – si përmes gazsjellësve, ashtu edhe përmes LNG-së – duke forcuar qëndrueshmërinë energjetike të BE-së.

 

Rindërtimi i Gazës mund të kushtojë deri në 50 miliardë dollarë, sipas të dërguarit amerikan

Rindërtimi i Rripit të Gazës pas shkatërrimeve të fundit mund të kapë shifrën e 50 miliardë dollarëve, sipas një deklarate të Steve Witkoff, i dërguari i posaçëm i SHBA-së dhe një nga ndërmjetësit kyç në bisedimet për armëpushimin.

“Parashikimet flasin për një kosto që shkon deri në 50 miliardë dollarë. Shifra mund të jetë pak më e ulët ose pak më e lartë, por nuk mendoj se është e papërballueshme për rajonin,” deklaroi Witkoff.

Ai dhe Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit Donald Trump, pritet të vizitojnë Izraelin gjatë ditës së sotme për të vazhduar diskutimet lidhur me situatën në terren.

 

Manaj ‘çmend’ serbët: Trajneri serb më përgëzoi për golin në Leskovc

Ray Manaj, hero i fitores së Shqipërisë në Leskovc, zbuloi se trajneri i tij serb, Milosh Milojeviç, e ka përgëzuar për golin e shënuar kundër Serbisë. Në ndeshjen e zhvilluar më 11 tetor, Shqipëria triumfoi 1-0 kundër përfaqësueses serbe, me golin vendimtar të Manajt. Festimi i tij me duar në formë shqiponje ndezi reagime të forta tek serbët, por për ne kjo nuk ka rëndësi.

Pas rikthimit në futbollin klubor, Manaj tregoi se Milojeviç, trajneri i tij në Sharjah, e ka lavdëruar për paraqitjen dhe golin e shënuar në kombëtare.

“Marrëdhënia ime me trajnerin Milojeviç është shumë e mirë. E respektoj shumë atë. Ai më përgëzoi kur u riktheva në klub pas angazhimit me Kombëtaren. Kjo është pjesë e futbollit, ne të gjithë punojmë për suksesin e Sharjah”, tha Manaj për “Al Etihad”, përcjell tch.

Gjithashtu, Manaj ka shënuar në ndeshjen e tij të parë pas rikthimit në klub, ku Sharjah fitoi 2-0 ndaj Al Dhafra.