Parlamenti kritikon ashpër kushtet e paraburgimit në Vaud

Një raport i ri i Komisionit për Vizitat në Burgje të Këshillit të Madh të kantonit Vaud nxjerr në pah probleme serioze dhe të përsëritura në kushtet e paraburgimit në burgjet e këtij kantoni. Gjetjet e komisionit vijnë pas vizitave në disa institucione korrektuese dhe vetëm pak ditë pas një kryengritjeje të dhunshme në një burg në kantonin Fribourg, çka ka rritur shqetësimet për gjendjen e sistemit penitenciar në Zvicrën Perëndimore, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportit vjetor, mbipopullimi mbetet një nga problemet kryesore. Veçanërisht alarmante është situata në burgun Bois-Mermet, ku kapaciteti është tejkaluar me 166 për qind, si dhe në burgun Croisée, me 143 për qind mbipopullim. Komisioni thekson se kjo gjendje ndikon negativisht si te të burgosurit ashtu edhe te personeli, duke rritur presionin, stresin dhe rreziqet në menaxhimin e përditshëm të burgjeve. Për këtë arsye, kërkohen zgjidhje sa më të shpejta nga autoritetet kompetente.

Raporti vë gjithashtu theks të veçantë te kujdesi mjekësor për personat me çrregullime psikike. Sipas komisionit, numri i rasteve të tilla është në rritje “në mënyrë shqetësuese” dhe përbën një “sfidë të madhe” për ofrimin e mbështetjes terapeutike të përshtatshme brenda sistemit të vuajtjes së dënimit. Mungesa e burimeve dhe e strukturave të specializuara e vështirëson edhe më tej trajtimin adekuat të këtyre personave.

Një tjetër problem serioz lidhet me qëndrimin e zgjatur të të ndaluarve në burgjet e policisë. Komisioni ka konstatuar raste ku persona janë mbajtur deri në 62 ditë, ndonëse ligji parashikon një kohë maksimale prej vetëm 48 orësh. Sipas raportit, kjo praktikë bie ndesh me funksionin ligjor të këtyre ambienteve, të cilat janë të destinuara vetëm për ndalim të përkohshëm.

Në përfundim, Komisioni për Vizitat në Burgje u bën thirrje autoriteteve që të ndërmarrin masa urgjente, në mënyrë që burgjet e policisë të rikthehen në qëllimin e tyre fillestar dhe të përmirësohen kushtet e paraburgimit, duke garantuar respektimin e standardeve ligjore dhe humane për trajtimin e personave të ndaluar.

Presidentja Osmani: Kosova është e bekuar me mbështetjen e Emirateve të Bashkuara Arabe

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se është pritur në takim nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, përcjell albinfo.ch.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani ka falënderuar presidentin e Emirateve për, siç tha ajo, lidershipin vizionar dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës ndër vite, duke theksuar se bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve ka hyrë në një fazë të re zhvillimi.

Ajo ka përmendur se partneriteti Kosovë–Emiratet është forcuar në disa fusha, duke veçuar liberalizimin e vizave dhe mbështetjen në sektorin e zhvillimit. Në këtë kuadër, Osmani ka shprehur mirënjohje për kontributin e Emirateve në sistemin shëndetësor në Kosovë, përfshirë edhe vazhdimin e projektit për ndërtimin e spitalit të ri të gjinekologjisë.

 

Presidentja ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar edhe për projekte të reja në fushën e shëndetësisë dhe sektorë të tjerë zhvillimorë, për të cilat, sipas saj, ka marrë mbështetje nga pala emirate.

Osmani ka theksuar gjithashtu se Kosova, sipas saj, vazhdon të ketë mbështetjen e Presidentit Mohamed bin Zayed dhe të popullit të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Banesat në Zvicër, qeveria synon rritjen e ndërtimit përmes fondeve publike

Qeveria zvicerane ka prezantuar masa të reja për të adresuar krizën në tregun e banesave, e cila po përkeqësohet në mbarë vendin. Të enjten, Zyra Federale për Banesa (BWO) bëri të ditur planin e saj për të zbutur mungesën në rritje të banesave, përcjell albinfo.ch.

Sipas BWO-së, qeveria synon të rrisë fondin rrotullues që përdoret për dhënien e kredive ndaj zhvilluesve publikë të banesave. Këto mjete financiare do të shërbejnë për ndërtimin, rinovimin dhe blerjen e pronave të reja banesore.

Falë këtij fondi rrotullues, çdo vit në treg shtohen rreth 1.400 njësi banimi të reja. Megjithatë, kjo shifër mbetet larg nevojave reale të vendit.

Sipas vlerësimeve të Zyrës Federale për Banesa, Zvicra ka nevojë për rreth 5.000 deri në 6.000 njësi banimi çdo vit për të përballuar kërkesën në rritje të popullsisë dhe presionin në tregun e pasurive të paluajtshme.

Autoritetet paralajmërojnë se, pa masa shtesë dhe investime afatgjata, mungesa e banesave mund të vazhdojë të thellohet, duke ndikuar drejtpërdrejt në çmimet e qirave dhe në aksesin e qytetarëve ndaj strehimit të përballueshëm.

A janë çmimet e larta dhe pagat e ulëta problemi më i madh për qytetarët shqiptarë?

Ekonomia vazhdon të jetë problemi kryesor që shqetëson qytetarët shqiptarë. Sipas një studimi global të publikuar nga Gallup dhe të prezantuar në World Governments Summit, 58 për qind e të rriturve në Shqipëri e identifikojnë situatën ekonomike si sfidën më të madhe me të cilën përballet vendi.

Të anketuarit përmendin kryesisht rritjen e çmimeve, pagat e ulëta dhe standardin e jetesës si shqetësimet më të mëdha. Studimi bazohet në përgjigjet e qytetarëve nga 107 vende të botës, të cilëve u është kërkuar të përshkruajnë me fjalët e tyre problemin kryesor kombëtar.

Në nivel global, mesatarisht 23 për qind e të rriturve e shohin ekonominë si çështjen më të rëndësishme. Sipas raportit, banorët e vendeve me të ardhura më të ulëta kanë më shumë gjasa ta konsiderojnë ekonominë si problemin kryesor, krahasuar me ata që jetojnë në vende me të ardhura më të larta.

Studimi evidenton se shqetësimet ekonomike dominojnë në shumë vende, pavarësisht dallimeve në zhvillim. Ndër shembujt e përmendur janë Malawi, ku problem mbetet pasiguria ushqimore, Venezuela që përballet me krizë ekonomike dhe politike, si dhe Bolivia, ku inflacioni ka rënduar ndjeshëm situatën ekonomike.

Analiza sipas nivelit të të ardhurave tregon se në vendet me të ardhura të larta, rreth 21 për qind e qytetarëve përmendin ekonominë ose vështirësinë për të përballuar nevojat bazë. Kjo përqindje rritet në 31 për qind në vendet me të ardhura mesatare të larta, në 36 për qind në vendet me të ardhura mesatare të ulëta dhe në 38 për qind në vendet me të ardhura të ulëta, ku një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve përmendin drejtpërdrejt sigurimin e ushqimit dhe strehimit.

Në tërësi, Gallup identifikon 12 kategori kryesore shqetësimesh në nivel global. Vetëm 1 për qind e qytetarëve deklarojnë se vendi i tyre nuk përballet me probleme, ndërsa 4 për qind refuzojnë të përgjigjen ose nuk japin mendim.

Katër fusha dominojnë në rang botëror: ekonomia me 23 për qind të përgjigjeve, punësimi me 10 për qind, politika dhe qeverisja me 8 për qind dhe siguria publike me 7 për qind. Së bashku, këto çështje përbëjnë rreth gjysmën e shqetësimeve të shprehura nga qytetarët.

Në nivel më të ulët renditen problematikat që lidhen me ushqimin dhe strehimin, çështjet sociale, mjedisin dhe ndryshimet klimatike, si dhe shëndetësinë, secila me rreth 3 për qind të përgjigjeve. Arsimi përmendet nga 2 për qind e të anketuarve, ndërsa emigracioni dhe infrastruktura nga rreth 1 për qind.

Sa i përket rajoneve, ekonomia renditet si shqetësimi kryesor pothuajse kudo, me përjashtim të Amerikës së Veriut, ku qytetarët vendosin në krye çështjet politike. Në Azi-Paqësor dhe Europë, politika renditet zakonisht e dyta, ndërsa në Afrikën Sub-Sahariane, vendet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe në Lindjen e Mesme e Afrikën e Veriut, më të theksuara janë problemet që lidhen me punësimin. Në Amerikën Latine dhe Karaibe, shqetësimet për sigurinë dhe rendin publik renditen menjëherë pas ekonomisë.

Raporti nënvizon se perceptimi i qytetarëve për problemet kombëtare lidhet ngushtë me përvojën e tyre të përditshme, si mundësia për të përballuar jetesën, sigurimi i një pune të qëndrueshme, besimi tek institucionet dhe ndjenja e sigurisë personale, më shumë sesa me treguesit formalë makroekonomikë. /Albinfo.ch

Bregdeti verior i Shqipërisë në fokusin e Forbes si zonë e re investimesh luksoze

Bregdeti verior i Shqipërisë po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen ndërkombëtare si një zonë me potencial të madh zhvillimi turistik dhe investimesh në prona luksoze. Në një artikull të publikuar nga revista prestigjioze ekonomike Forbes, theksohet se arkitektura moderne, infrastruktura e re dhe mikpritja vendase po e shndërrojnë këtë zonë në një nga destinacionet më premtuese në Adriatik, përcjell albinfo.ch.

Sipas autores Zoë Dare Hall, Shqipëria mund të mos jetë ndër vendet e para që lidhen me Mesdheun, megjithatë ofron elementët kryesorë të turizmit bregdetar, duke përfshirë ujërat e kristalta, vijën e gjatë bregdetare dhe një atmosferë më të qetë krahasuar me destinacionet tradicionale turistike.

Artikulli thekson se, ndërsa Riviera jugore shqiptare tashmë është konsoliduar si destinacion turistik, pjesa veriore e bregdetit mbetet ende relativisht e pazbuluar, duke u konsideruar si një mundësi e re zhvillimi. Zona e Shëngjinit, e njohur për perëndimet e diellit dhe afërsinë me Tiranën, po shndërrohet gradualisht në një pikë të rëndësishme turistike dhe investimi.

Një nga projektet që po tërheq vëmendjen është “Dukagjini Resort”, një kompleks luksoz që po ndërtohet pranë Ranës së Hedhun, në një sipërfaqe prej rreth 11 hektarësh. Projekti është zhvillim i Grupit Dukagjini, ndërsa dizajni arkitektonik është realizuar nga arkitekti austriak Chris Precht, i njohur për projektet që kombinojnë arkitekturën moderne me materiale natyrore dhe ndikim minimal në mjedis.

Kompleksi përfshin 189 rezidenca në ndërtesa të ulëta të integruara në terren, si dhe një zonë tjetër rezidenciale me 187 njësi banimi. Projekti parashikon gjithashtu një hotel me pesë yje nën markën “Swissotel”, marina, spa, kazino dhe hapësira komerciale, duke synuar të tërheqë vizitorë dhe investitorë gjatë gjithë vitit.

Sipas përfaqësuesve të sektorit të pasurive të paluajtshme, interesimi për këtë projekt ka qenë i lartë, me rreth 60 për qind të njësive të shitura brenda muajve të parë të ndërtimit. Investitorët vijnë kryesisht nga rajoni, por edhe nga Europa dhe Shtetet e Bashkuara, veçanërisht për pronat me vlerë mbi një milion euro.

Forbes vlerëson se zhvillimet e reja infrastrukturore do të ndikojnë ndjeshëm në rritjen e atraktivitetit të zonës. Ndërtimi i rrugëve të reja pritet të shkurtojë kohën e udhëtimit mes Tiranës dhe Shëngjinit në rreth 45 minuta, ndërsa lidhjet rrugore me Malin e Zi pritet të rrisin qarkullimin turistik dhe investimet ndërkombëtare.

Artikulli e konsideron zhvillimin e bregdetit verior si fillimin e një kapitulli të ri për turizmin dhe tregun e pronave në Shqipëri. Sipas analizës, ndërthurja e natyrës, arkitekturës moderne dhe investimeve strategjike mund ta vendosë këtë rajon në hartën e destinacioneve elitare të Adriatikut në vitet e ardhshme./Albinfo.ch

Evropa rrit kërkesën për profesionistë shqiptarë, Gjermania mbetet destinacioni kryesor

Vendet e Bashkimit Evropian po shfaqin një kërkesë në rritje për profesionistët shqiptarë, duke lëshuar gjithnjë e më shumë Karta Blu – leje pune dhe qëndrimi të destinuara për qytetarët nga vendet jashtë BE-së me kualifikime të larta profesionale, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave të Eurostat, nga viti 2014 deri në vitin 2024 janë dhënë gjithsej 5,405 Karta Blu për shtetasit shqiptarë. Rritja më e ndjeshme është shënuar pas vitit 2019, periudhë që përkoi me një valë të re emigrimi, këtë herë kryesisht të profesionistëve të kualifikuar. Vetëm në vitin 2023 u dhanë 825 karta, ndërsa në vitin 2024 numri zbriti në 592, megjithatë mbetet dukshëm më i lartë krahasuar me vitet e mëparshme. Për krahasim, në vitin 2012 ishin lëshuar vetëm 15 Karta Blu, ndërsa rekordi historik u shënua në vitin 2021 me 882 të tilla.

Rritja e ndjeshme lidhet kryesisht me Gjermaninë, e cila vazhdon të jetë destinacioni dominues për profesionistët shqiptarë. Në vitin 2021, ky shtet lëshoi 823 Karta Blu, që përbënin rreth 93 për qind të totalit të dhënë nga vendet e BE-së për shtetasit shqiptarë. Në vitin 2023 Gjermania dha 716 leje (87% e totalit), ndërsa në vitin 2024 numri arriti në 513, po ashtu rreth 87 për qind e totalit. Përfituesit e kësaj leje në Gjermani duhet të kenë një pagë minimale rreth 43 mijë euro në vit, kriter që shërben si prag për aplikim.


Pas Gjermanisë, Italia dhe Austria renditen si vende të tjera që tërheqin profesionistë shqiptarë, ndonëse me numra shumë më të ulët. Italia lëshoi 23 Karta Blu në vitin 2022, 41 në vitin 2023 dhe 20 në vitin 2024. Austria, ndërkaq, regjistroi 11 leje në vitin 2022, 30 në vitin 2023 dhe 18 në vitin 2024. Një destinacion në rritje është edhe Polonia, e cila lëshoi 11 Karta Blu për shqiptarët në vitin 2023 dhe 13 në vitin 2024.

Gjermania është shndërruar në një magnet për profesionistët shqiptarë, veçanërisht në fushat e teknologjisë së informacionit dhe shëndetësisë. Kërkesa e lartë për fuqi punëtore të specializuar në ekonominë më të madhe evropiane, e nxitur edhe nga plakja e popullsisë dhe mungesa e stafit të kualifikuar, ka ndikuar ndjeshëm në këtë trend.

Ndërkohë, largimi i profesionistëve po reflektohet edhe në Shqipëri. Sipas raportit të fundit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), rreth 23 për qind e personave me arsim të lartë nga vendi kanë emigruar. Shqipëria vazhdon të shënojë nivele të larta të emigrimit të popullsisë së arsimuar gjatë viteve 2023-2024, ndërsa kthimi i tyre mbetet i ulët krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

Po ashtu, në Indeksin Global të Konkurrueshmërisë së Talenteve për vitin 2025, Shqipëria ka rënë me shtatë pozicione, duke u renditur në vendin e 63-të, çka tregon sfida në zhvillimin e aftësive profesionale, cilësinë e arsimit dhe ruajtjen e kapitalit njerëzor.

Në nivel të përgjithshëm evropian, Eurostat raporton se në vitin 2023 u lëshuan rreth 89 mijë Karta Blu. Gjermania dominoi me rreth 69 mijë leje, ose 78 për qind të totalit, e ndjekur nga Polonia me rreth 7 mijë dhe Franca me afro 4 mijë. Sa i përket përfituesve sipas shtetësisë, kryesojnë qytetarët e Indisë, të ndjekur nga Rusia, Turqia dhe Bjellorusia, duke reflektuar kërkesën e lartë të tregut evropian për profesionistë të kualifikuar në sektorë teknikë dhe shkencorë.

Karta Blu e BE-së është një leje qëndrimi dhe pune për qytetarët jashtë Bashkimit Evropian me kualifikime të larta profesionale. Ajo synon të tërheqë specialistë në sektorë ku ka mungesë të fuqisë punëtore dhe u ofron përfituesve mundësi për bashkim familjar, mobilitet brenda BE-së dhe qëndrim afatgjatë. Leja jepet mbi bazën e një kontrate pune dhe plotësimit të pragut minimal të pagës, i cili ndryshon sipas shtetit dhe profesionit. Për vitin 2025, në Gjermani paga minimale vjetore për Kartën Blu është 48,300 euro për profesionet e përgjithshme dhe rreth 43,760 euro për profesionet me mungesë të theksuar, si teknologjia e informacionit, inxhinieria dhe shëndetësia./Albinfo.ch

Kryeministri Kurti takoi ish-Presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti të enjten në takim ish-Presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.

Gjukanoviq i uroi Kryeministrit fitoren në zgjedhje, duke theksuar rëndësinë e proceseve demokratike dhe për mbështetjen e qytetarëve ndaj vizionit qeverisës, përcjell albinfo.ch.

Në njoftim thuhet se u diskutua për zhvillimet aktuale rajonale dhe globale, me fokus në situatën e sigurisë dhe dinamikat që ndikojnë në Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri theksoi angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për avancimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, për paqe të qëndrueshme dhe për forcimin e bashkëpunimit rajonal, në funksion të paqes dhe sigurisë dhe perspektivës evropiane të rajonit.

Tutje u tha se Qeveria e re do të vazhdojë ta ketë synim të palëkundur integrimin euro-atlantik dhe prioritet zhvillimin ekonomik, mirëqenien e qytetarëve dhe sigurinë e tyre, pa dallim.

Protestohet sot kundër propozimit për shtrenjtimin e rrymës

Organizata “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist”, në bashkëpunim me “Përpjekja”, kanë paralajmëruar mbajtjen e një proteste si reagim ndaj sinjaleve për shtrenjtim të energjisë elektrike.

Sipas njoftimit të tyre, tubimi protestues do të zhvillohet sot nga ora 13:00. Pika e grumbullimit është paraparë të jetë pranë objektit të KEDS-it, ndërsa marshimi do të vazhdojë deri te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

“Që nga viti 2022, faturat e rrymës shtrejtohen në baza vjetore. KEDS-i kërkon rritje të faturave, ndërsa ZRrE-ja, si të ishte argat i tyre, ia aprovon çdo kërkesë në kurriz të popullit. Sot qytetarët/et e Kosovës nuk paguajnë vetëm koston e rrymës: ne paguajmë për humbjet e KEDS-it, paguajmë për keqmenaxhimin e tyre, paguajmë për etjen e tyre të pafund e për çdo gabim që ata bëjnë, krejt kjo vetëm për t’i siguruar që xhepat e tyre të vazhdojnë të trashen në kurrizin tonë.Në shkëmbim ne prapë kalojmë ditë pa rrymë, me mosfurinizim të bollshëm, pa ngrohje në ditë dimri e me shtrenjtime të vazhdueshme të çdo aspekti të jetës sonë si pasojë e rritjes së çmimit të rrymës. Pas rritjes prej 16.1% që na u bë në mënyrë grabitqare nga ZRrE-ja vitin e kaluar, edhe sivjet po na paralajmërohet një vjedhje tjetër, tash diku 20%. Kjo hile e radhës prapë po i bashkon institucione publike e private që për ta pasuru KEDS-in po na e kthejnë kamxhikun neve, për të na rrjepë deri në cent të fundit”, shkruhet në njoftimin e tyre.

Në reagimin e tyre thuhet gjithashtu se kërkesat e njëpasnjëshme të KEDS-it për shtrenjtim të tarifave janë miratuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), duke e zhvendosur barrën financiare te konsumatorët.

“KEDS-i vazhdon t’i mbledhë frytet e punës së punëtorëve/eve të KEK-ut që punojnë natë e ditë për ta prodhuar rrymën të cilën e blen shumë lirë e neve na e shet shumëfish. Përveç që vazhdon ta shfrytëzojë asetin publik dhe punën e dinjitetin e punëtorëve/eve të KEK-ut, KEDS-i, i ndihmuar vazhdimisht nga ZRrE-ja, po tenton të na varfërojë edhe më tej.

Ky paralajmërim që vjen në formë kërcënimi periodik është haptazi zhvatje ndaj nesh. Të revoltuar/a dhe të vendosur/a ta mbrojmë veten dhe mirëqenien tonë kundër privatit dhe argatëve të tij shtetërorë, ne organizohemi dhe kundërshtojmë deri në fitore. Andaj, ne thërasim për protestë për këtë të premte, në ora 13:00 përballë zyreve të KEDS, që një zë të thërrasim për ndalimin e kësaj hajnije shumë-vjeçare. Duke e njoftë se etja e KEDS ndaj parave të qytetarëve/eve nuk do të shuhet vetvetiu ne kërkojmë që: Të refuzohet, pa asnjë paqartësi, kërkesa e KEDS për rritje të çmimeve. Të fillojë procesi i rikthimit të KEDS në duar të publikut. (kërkesa të sindikatës) Ftojmë të gjithë qytetarët/et e Kosovës që të na bashkohen në protestë. Së bashku, ne mund ta ndalim hajninë e KEDS, dhe të rikthejmë atë në duar të popullit të Kosovës!”, thuhet në njoftim. /Albinfo.ch

Kosova dhe Franca synojnë rritjen e bashkëpunimit ekonomik përmes “French Business Day”

Në një sallë të mbushur me përfaqësues të bizneseve dhe institucioneve, sot u organizua edicioni i parë i forumit “French Business Day in Kosovo”, një ngjarje e nivelit të lartë e dedikuar forcimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Francës, përcjell albinfo.ch.

Në këtë event morën pjesë kompani të shumta franceze që kishin ardhur enkas për forum, kompani kosovare, si dhe përfaqësues të institucioneve të larta shtetërore dhe administratës publike. Organizimi i forumit u bë nga Këshilli i Investitorëve Evropianë, në bashkëpunim me Ambasadën e Francës në Kosovë.

Forumi u hap nga drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani, ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, si dhe anëtari i bordit të TEB BNP Paribas, Patrick Poupon.

Me këtë rast, ambasadori Olivier Guérot theksoi se Kosova po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për kompanitë franceze, duke vlerësuar potencialin ekonomik dhe mundësitë e reja për investime dhe bashkëpunim ndërmjet dy vendeve. /Albinfo.ch

Kurti fton investitorët francezë: Kosova e gatshme

Nxënësit e Shkollës Shqipe në Ostermundigen nisin përgatitjet për Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Nxënësit e Shkollës Shqipe në Ostermundigen të Bernit kanë nisur provat për programin festiv me rastin e 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës, shkruan albinfo.ch.

Krahas procesit të rregullt mësimor, fëmijët e mërgatës shqiptare po angazhohen në aktivitete kulturore dhe artistike për të shënuar këtë datë të rëndësishme për shtetin e Kosovës.

Nga kjo shkollë bëhet e ditur se përgatitjet për festën kanë filluar me entuziazëm të madh nga nxënësit, të cilët përmes këngëve, recitimeve dhe programeve festive synojnë të ruajnë dhe promovojnë gjuhën dhe kulturën shqiptare në diasporë.

Një moment i veçantë për nxënësit dhe stafin mësimor ishte edhe vizita e ish-nxënëses shembullore, Jela Berisha, e cila aktualisht vazhdon shkollimin e mesëm për edukatore në Bern. Vizita e saj u vlerësua si frymëzim për nxënësit aktualë dhe dëshmi e suksesit të të rinjve që kanë ndjekur mësimin në këtë shkollë.

Stafi i Shkollës Shqipe në Ostermundigen u ka uruar suksese të gjithë nxënësve dhe ish-nxënësve, duke theksuar rëndësinë e arsimit dhe ruajtjes së identitetit kombëtar në diasporë./Albinfo.ch

https://www.facebook.com/share/v/14SHGniB6qf/?mibextid=wwXIfr

Studentja shqiptare në Harvard, Julia Karabolli, kryen praktikë në Kuvendin e Shqipërisë

Julia Karabolli, studente e Departamentit të Qeverisjes në Universitetin prestigjioz të Harvardit, përfaqëson një brez të ri shqiptarësh që janë rritur larg atdheut, por që ruajnë lidhje të forta me origjinën dhe identitetin kombëtar, transmeton albinfo.ch.

E motivuar nga kjo ndjenjë përkatësie dhe nga interesi për jetën publike dhe institucionale, Karabolli vendosi që praktikën e saj universitare ta zhvillojë pranë Kuvendit të Shqipërisë.

Për të, kjo përvojë shkon përtej aspektit akademik, duke marrë një kuptim simbolik dhe profesional, pasi i mundëson njohjen nga afër të funksionimit të institucioneve shtetërore dhe realitetit politik në zemër të sistemit demokratik, në Parlamentin ku merren vendime të rëndësishme për vendin.

Përmes kësaj eksperience, Julia jo vetëm që përfiton në aspektin profesional, por sjell edhe perspektivën e një brezi të formuar në arenën ndërkombëtare.

Ajo përfaqëson shembullin e të rinjve të diasporës që nuk e shohin Shqipërinë vetëm si trashëgimi kulturore, por edhe si përgjegjësi dhe mundësi për të kontribuar me dije, ide dhe përvojë.

Raste të tilla dëshmojnë se ruajtja e rrënjëve ndihmon në ndërtimin e urave lidhëse mes diasporës dhe zhvillimit të së ardhmes së Shqipërisë./Albinfo.ch

Lea Ypi do të mbajë leksionin inaugural në Kolegjin e Francës

Lea Ypi, profesore shqiptare me famë ndërkombëtare dhe autore e librave dhe eseve të përkthyera në mbi 35 gjuhë, do të mbajë më 12 shkurt 2026 leksionin inaugurues për vitin akademik në Kolegjin e Francës, në katedrën vjetore “Shpikja e Evropës përmes gjuhëve dhe kulturave”.

Data dhe ora: E enjte, 12 shkurt 2026, 18:00–19:00

Vendi: Collège de France, Paris / Amphithéâtre Marguerite de Navarre, site Marcelin Berthelot

Hyrja: e lirë për publikun

Lea Ypi do të jetë e ftuar speciale në këtë institucion historik francez dhe do të prezantojë një seri leksionesh nga 12 shkurt deri më 6 maj 2026, mbi temën “Arsyeja kritike dhe trashëgimia e iluminizmit – si të rimendosh socializmin në shekullin e 21-të”. Ajo do të theksojë ripërpunimin e konceptit të socializmit moral, duke e lidhur atë me trashëgiminë kritike të filozofisë iluministe.

E lindur në Shqipëri, Lea Ypi është profesore e Teorisë Politike në London School of Economics and Political Science, anëtare e Akademisë Britanike dhe e Akademisë Evropiane. Libri i saj Free (botuar në Francë si Enfin libre) është një bestseller ndërkombëtar, ndërsa veprat e saj të fundit, përfshirë “Të poshtëruar” (2025), ofrojnë reflektime të thella mbi drejtësinë dhe integritetin moral.

Gjermania ka punëtorët më të moshuar në BE

Gjermania ka popullsinë më të moshuar të punësuar në Bashkimin Evropian. Në vitin 2024, nga rreth 40.9 milionë të punësuar, 9.8 milionë ishin midis 55 dhe 64 vjeç – rreth 24% e totalit, niveli më i lartë në BE. Për krahasim, mesatarja e BE-së për këtë grupmoshë është 20.1%.

Pas Gjermanisë, Italia regjistron një përqindje të lartë të punëtorëve të moshës 55-64 vjeç (23%), ndërsa Bullgaria ka 22.3%. Në anën tjetër, Malta ka numrin më të vogël të punëtorëve të moshuar në BE, me vetëm 10.8%, ndërsa Luksemburgu dhe Polonia kanë 12.8% dhe 15.2%.

Statisticienët shpjegojnë se kjo ndodh për shkak të plakjes së popullsisë dhe shtyrjes së daljes në pension. Në vitin 2024, mosha mesatare e daljes në pension ishte 64.7 vjeç, krahasuar me rreth 63 vjeç në vitin 2004. Rritja graduale e moshës ligjore të pensionit në 67 vjeç deri në vitin 2029 dhe heqja e disa opsioneve të pensioneve të hershme kanë kontribuar gjithashtu.

OECD paralajmëron se popullsia në moshë pune do të bjerë gjatë 40 viteve të ardhshme, duke krijuar presion mbi sistemin e pensioneve. Zgjatja e jetës së punës dhe reduktimi i pensioneve të hershme janë çelësi për të mbajtur financat e sistemit të qëndrueshme.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, njoftoi ndryshime të mëdha, duke bërë që pensionet të bazohen më shumë në sigurime private dhe investime kapitali.

Pagat rekord të CEO-së të Novartis ndezin debat në Zvicër

Pagat e larta të drejtuesve ekzekutivë vazhdojnë të jenë temë e nxehtë në Zvicër. CEO i Novartis, Vas Narasimhan, mori një kompensim prej 24.9 milionë frangash zvicerane, një shumë që shumë e konsiderojnë të ekzagjeruar. Thomas Minder, ish-anëtar i Këshillit të Shteteve dhe iniciator i “Iniciativës kundër fitimeve të tepruara”, e ka quajtur këtë pagesë “plotësisht të papranueshme” dhe thekson se vetëm aksionarët mund ta korrigjojnë këtë situatë.

Headhunter-i Guido Schilling shpjegon se niveli i pagës nuk është i jashtëzakonshëm në plan global, por në Zvicër ngre debate, sidomos ndërsa qytetarët përballen me rritjen e shpenzimeve të jetesës. Ndërkohë, politikanë si Hannes Germann theksojnë se kjo kompensim nuk ndihmon reputacionin e Zvicrës si qendër farmaceutike dhe tregon një qasje më egoiste të drejtuesit.

Çështja e pagave të CEO-ve lidhet gjithashtu me debatin për çmimet e larta të medikamenteve në vend, duke nxitur pyetje mbi drejtësinë dhe ndikimin e kompensimeve të larta në politikat shëndetësore.

Sezon i mirë dimëror për teleferikët zviceranë, pavarësisht borës së pakët

Teleferikët dhe linjat hekurudhore malore në Zvicër raportojnë një sezon dimëror relativisht të mirë, megjithëse ka dallime të dukshme mes rajoneve malore.

Valais është ndër rajonet që shënon rritjen më të madhe, me rreth 3% vizitorë më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Në të kundërt, në Vaud, Fribourg, Ticino, Zvicra Qendrore dhe Lindore, shitjet e biletave janë ulur, ndërsa në Graubünden dhe Bernese Oberland, numri i vizitorëve ka mbetur thuajse i njëjtë si vitin e kaluar.

Sezoni dimëror 2025/2026 nuk arrin të kapë nivelin e jashtëzakonshëm të sezonit të kaluar, por kur krahasohet me mesataren e pesë viteve të fundit, rezulton se vizitorët në të gjitha rajonet malore janë rritur. Asociacioni zviceran i teleferikëve përfundon se përmbledhtas sezoni ka qenë pozitiv.

Rajonet me lartësi më të madhe janë veçanërisht të favorshme. Sipas operatorëve të teleferikëve, kjo konfirmon trendin e pritur: moti i butë ka krijuar vështirësi kryesisht për stacionet më të ulëta të skive, ku mungojnë ndonjëherë vizitorët ditorë. Në destinacionet mbi 2,000 metra mbi nivelin e detit, rritja e vizitorëve ka qenë 3% krahasuar me vitin e kaluar, duke përfituar nga borë e hershme nga nëntori deri në fund të janarit.

Sezoni dimëror 2025/2026 tregon që pavarësisht sfidave të motit, turizmi malor zviceran mbetet i qëndrueshëm dhe në rritje në perspektivë afatgjatë.

Numbeo publikon renditjen e qyteteve më të shtrenjta në botë: Zvicra dominon listën

Baza globale e të dhënave “Numbeo” ka publikuar renditjen më të fundit të qyteteve më të shtrenjta në botë, e cila bazohet në të dhëna të mbledhura nga mbi 600 mijë përdorues në mbarë globin.

Sipas kësaj renditjeje, Zvicra dominon listën me plot gjashtë qytete në dhjetëshen më të shtrenjtë. Në krye qëndron Cyrihu, i ndjekur nga Gjeneva, Bazeli, Lozana, Lugano dhe Berna. Krahas tyre, tre qytete nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë gjithashtu pjesë e kësaj liste, ndërsa i vetmi qytet jashtë Zvicrës dhe SHBA-së është kryeqyteti i Islandës, Reykjaviku, transmeton albinfo.ch.

Numbeo sqaron se kjo renditje paraqet një pamje të përkohshme të kostos së jetesës dhe mund të ndryshojë me kalimin e kohës, në varësi të faktorëve ekonomikë dhe inflacionit.

Në përllogaritjen e renditjes janë marrë parasysh shpenzimet për ushqim, restorante, transport publik, karburant, energji elektrike, ngrohje, ujë dhe internet, si dhe fuqia blerëse e banorëve, e bazuar në pagën mesatare neto.

Pse Zvicra po blen më shumë naftë se kurrë nga Shtetet e Bashkuara

Rafinaria Varo Energy në Cressier prodhon benzinë, dizel, kerosen dhe naftë për ngrohje, duke përbërë pothuajse një të tretën e produkteve të naftës të shitura në Zvicër në vitin 2025.

Në tre vitet e fundit, Shtetet e Bashkuara janë bërë furnizuesi kryesor i naftës për Zvicrën, një situatë e pamundur vetëm një dekadë më parë, kur eksportet amerikane të naftës ishin të ndaluara.

Vitit të kaluar, Zvicra importoi 1.5 milion ton naftë bruto nga SHBA, që përfaqëson një rritje prej 8% krahasuar me vitin e mëparshëm dhe shënon një rekord të ri historik, sipas analizës së SRF mbi statistikat më të fundit doganore. Vlera e këtij importi arrin 691 milion franga zvicerane, transmeton albinfo.ch.

Nafta e importuar transformohet në benzinë, dizel dhe naftë për ngrohje në rafinerinë e vetme zvicerane, të vendosur në Cressier, kantoni Neuchâtel. Shumë makina zvicerane funksionojnë kështu me energji të prodhuar në SHBA.

Rafineria e Cressier-it, operuar nga VAROPreem që nga 9 gushti 2012, prodhon një të tretën e nevojave të Zvicrës për karburante. Pjesa tjetër importohet si produkt i gatshëm, kryesisht përmes detit përmes Rajn-it, trenit ose kamionëve nga vendet fqinje.

Historiku i ndalimit të eksportit

Për dekada, eksporti i naftës amerikane drejt Zvicrës ishte i ndaluar. Pas krizës së naftës në vitet 1970, SHBA vendosi një ligj që ndalonte eksportin e naftës, duke i dhënë përparësi tregut të brendshëm.

Falë metodave të reja të prodhimit, si thyerja hidraulike (fracking), prodhimi amerikan i naftës u rrit ndjeshëm dhe ndalimi i eksportit u hoq në vitin 2015. Në tre vitet e fundit, SHBA-ja ka 50% të tregut zviceran të naftës, duke u bërë furnizuesi kryesor.

Pas Shteteve të Bashkuara, furnizuesi i dytë më i madh i naftës për Zvicrën është Nigeria me 35% të tregut, e ndjekur nga Kazakistani me 5%.

Si vendoset për burimin e naftës

Rafineria e Cressier-it operohet nga VAROPreem, një kompani me bazë në kantonin e Zoug-ut, në pronësi të tregtarit ndërkombëtar të lëndëve të para Vitol dhe një kompanie financiare. Vendimet për burimin e naftës i marrin vetëm disa persona.

“Ne furnizohemi me naftë bruto nga vende të ndryshme. Vendimet bazohen në kriteret ekonomike dhe operative, të cilat mund të ndryshojnë”, deklaron VAROPreem për SRF. Një faktor i rëndësishëm është përzierja e naftës bruto, pasi jo të gjitha llojet e naftës janë të përshtatshme për prodhimin e benzinës, dizelit dhe naftës për ngrohje.

Nafta amerikane zakonisht ngarkohet në portin e Houston-it, Teksas, dhe transportohet në portin e Fos-sur-Mer pranë Marseille-s në Francë, nga ku dërgohet direkt në Zvicër përmes një tubacioni mbi 500 kilometra të gjatë që përfundon në rafinerinë e Cressier-it. Ky tubacion është kyç për furnizimin e Zvicrës; çdo ndërprerje mund të shkaktojë mungesa të karburantit.

Çfarë i duhet Cyrihut për të qenë një qytet gjithëpërfshirës?

Me qëllim të nxitjes së një debati të strukturuar mbi politikat publike, barazinë, qasshmërinë dhe përfshirjen sociale në qytetin e Cyrihut, të martën, më 3 shkurt, në hapësirën Amboss Rampe (Zollstrasse 80), u mbajt një diskutim paneli me temën “Çfarë i duhet Cyrihut për një shoqëri gjithëpërfshirëse?” (Was braucht es für ein inklusives Zürich?).

Diskutimi mblodhi përfaqësues të politikës dhe shoqërisë civile, duke krijuar një platformë reflektimi dhe dialogu mbi sfidat konkrete me të cilat përballen sot banorët e Cyrihut. Në panel morën pjesë Céline Widmer dhe Tobias Langenegger, kandidatë për Këshillin e Qytetit; Kevin Rauch, kandidat për Këshillin Komunal dhe kandidati i parë me aftësi të kufizuara kognitive në Zvicër; Islam Alijaj, deputet në Parlamentin Zviceran (Nationalrat); si dhe Valdete Hoti, kryetare e Shoqatës PARANDALO.

Diskutimi u moderua nga Kafi Freitag, e cila e orientoi bisedën drejt domosdoshmërisë së veprimeve konkrete dhe të matshme, përtej deklaratave simbolike, në funksion të gjithëpërfshirjes së të gjithë banorëve të qytetit.

Kandidatët për Këshillin e Qytetit theksuan gatishmërinë për bashkëpunim ndërpartiak, duke vënë në pah se gjithëpërfshirja duhet të trajtohet si një e drejtë themelore qytetare. Sipas tyre, vetëm përmes dialogut të vazhdueshëm me shoqërinë civile dhe ndërtimit të politikave të përbashkëta mund të sigurohen pjesëmarrje e barabartë dhe akses real për të gjithë.

Një kontribut thelbësor në debat dha Islam Alijaj, deputeti i parë me prejardhje migrimi dhe me aftësi të kufizuara në Parlamentin Zviceran, si dhe bashkë-iniciator i iniciativës për Inkluzion. Ai theksoi se përfshirja nuk mund të mbetet një koncept abstrakt politik, por duhet të materializohet në politika konkrete që garantojnë pjesëmarrje reale dhe të barabartë.

Nga ana tjetër, Kevin Rauch vuri theksin te rëndësia e përdorimit të gjuhës së thjeshtë dhe të kuptueshme, veçanërisht në komunikimin administrativ dhe politik, duke nënvizuar se gjuha e ndërlikuar krijon barriera të panevojshme dhe përjashtuese për një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve.

Gjatë panelit u trajtuan gjithashtu mungesa e banesave të përballueshme dhe të qasshme, si dhe kufizimet në pjesëmarrjen politike, veçanërisht për personat pa të drejtë vote. Në sallë ishin të pranishëm qytetarë me dhe pa të drejtë vote, si dhe përfaqësues politikë nga parti të ndryshme.

Përvojat praktike të sjella nga puna e përditshme e qendrës PARANDALO i dhanë debatit një dimension të drejtpërdrejtë dhe realist. Shoqata, me seli në Cyrih, është politikisht neutrale dhe jofitimprurëse dhe angazhohet për mbështetjen e personave me histori migrimi, si dhe të personave me aftësi të kufizuara, veçanërisht atyre me prejardhje migrimi.

Sipas PARANDALO-s, përfshirja fillon me njohje dhe dukshmëri: me pranimin se këta persona janë pjesë aktive dhe të barabartë e shoqërisë, jo thjesht “grupe të synuara”, por bashkë-krijues të saj. Qasja në informacion, mbështetja e vazhdueshme dhe qasshmëria reale pa barriera mbeten elemente kyçe. Cyrihu ka nevojë për oferta të arritshme dhe shumëgjuhëshe, që u përgjigjen njerëzve aty ku ndodhen, fizikisht, gjuhësisht dhe shoqërisht.

Po aq thelbësore është vetëvendosja. Individët duhet të kenë mundësi reale për të vendosur mbi jetën, arsimin, punën dhe pjesëmarrjen e tyre shoqërore e politike. Një qasje interseksionale është e domosdoshme, pasi format e diskriminimit shpesh ndërthuren, siç janë prejardhja dhe aftësia e kufizuar. Strukturat politike dhe administrative duhet ta pasqyrojnë këtë realitet kompleks.

Të dhënat statistikore e konfirmojnë rëndësinë e temës: rreth 34 për qind e popullsisë së Cyrihut janë të huaj dhe rreth 9 për qind jetojnë me një formë aftësie të kufizuar. Kjo e bën përfshirjen një çështje qendrore shoqërore, jo një temë margjinale.

Një Cyrih vërtet gjithëpërfshirës kërkon ndryshime strukturore të qëndrueshme: ndarje të pushtetit, hapje të qasjeve, trajtim serioz të diskriminimeve dhe përfshirje aktive të vetë personave të prekur në proceset vendimmarrëse. Vetëm në këtë mënyrë, përfshirja mund të kalojë nga diskursi në praktikë.

Në përmbyllje, Valdete Hoti theksoi se baza e gjithëpërfshirjes së vërtetë qëndron në arsimin gjithëpërfshirës. Pa reforma të thella në sistemin arsimor selektiv, barazia e mundësive mbetet e paarritshme. Arsimi duhet të krijojë hapësirë për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë, pavarësisht prejardhjes, gjuhës apo aftësive, në mënyrë që përfshirja të mos mbetet vetëm parim normativ, por të shndërrohet në realitet të përditshëm.

 

 

Në cilat qytete është më lehtë të hapësh biznes

Një indeks i ri ka renditur qytetet më “miqësore për startup-et” në botë, me tre destinacione Europiane që hyjnë në dhjetëshen e parë.

Ai i vlerëson qytetet bazuar në “aktivitetin sipërmarrës, inovacionin, zhvillimin e talenteve dhe fleksibilitetin e biznesit”, shkruan shqip.al, transmeton albinfo.ch.

Një startup është pikërisht ashtu si përkthehet: një biznes që, siç e merrni me mend, është hapur së fundmi, dhe edhe pse mund të mendoni se nëse nuk jeni një sipërmarrës në fillimet tuaja, kjo renditje mund të mos jetë aq e rëndësishme për ju, në fakt nuk është kështu.

Sigurisht, një indeks që vlerëson “aktivitetin sipërmarrës, inovacionin, zhvillimin e talenteve dhe fleksibilitetin e biznesit” mund të tingëllojë si një grumbull zhargoni nga faza e intervistës në “The Apprentice”.

Por siç e shpreh Multipolitan, “startup-et riciklojnë pasurinë lokale, trajnojnë gjeneratën e ardhshme të profesionistëve dhe i sinjalizojnë botës se një qytet është i hapur ndaj mundësive.”

Pra, cili është qyteti më i mirë në botë për të hapur një biznes të ri?

Në një zhvillim jo edhe aq befasues, San Francisko ka marrë vendin e parë, falë thellësisë së pakrahasueshme të kapitalit sipërmarrës, dendësisë së startup-eve dhe një ekosistemi të pjekur inovacioni të mbështetur nga infrastrukturë e fortë dixhitale dhe e talenteve.

Por qyteti ka shumë më tepër për të ofruar se kaq. Me një jetë nate plot gjallëri, lagje alternative dhe hapësira mbresëlënëse arti, si edhe kodrat ikonike, tramvajet dhe urën Golden Gate, ky qytet ka shumë më tepër personalitet sesa vetëm biznes.

Në vendin e dytë renditet qyteti zviceran i Cyrihut, ndërsa Dubai mban vendin e tretë.

Dy qendra të tjera amerikane kanë hyrë në dhjetëshen e parë, së bashku me disa qytete të mëdha të Azisë Lindore dhe kryeqytete evropiane, ndaj vazhdoni leximin për të zbuluar cilat janë.

Dhjetë qytetet më të mira për startup-e në vitin 2026:

San Francisko, SHBA

Cyrih, Zvicër

Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe

Singapor

Nju Jork, SHBA

Los Anxhelos, SHBA

Seul, Koreja e Jugut

Londër, Mbretëria e Bashkuar

Hong Kong

Paris, Francë

Zvicër: Kafshimi i qenit i kushton pronarit mijëra franga

Një sulm ndaj qenit Shepherd Gjerman i ka kushtuar pronarit multimilioner CHF 330,000 franga.

Një gjykatë e Cyrihut i dënoi ata për dëmtim trupor nga pakujdesia dhe shkelje të ligjeve për qentë, pasi një shofer shpërndarjeje u kafshua.

Burri më vonë zhvilloi një frikë të fortë nga qentë dhe nuk ishte në gjendje të punonte për 18 muaj, transmeton albinfo.ch.

Gjyqtarët vunë re se qeni kishte kafshuar disa njerëz më parë, duke e bërë incidentin të parashikueshëm dhe të parandalueshëm.

Gjoba është aq e lartë sa bazohet në pasurinë e pronarëve.

60 Biçikleta të vjedhura, akuzohen disa shtetas të Maqedonisë dhe të Kosovës

Pas një serie vjedhjesh biçikletash në Murten në qershor 2025, Policia Kantonale e Fribourgut identifikoi pesë individë të dyshuar për përfshirje në një rrjet kriminal. Dy prej tyre u arrestuan, trnsmeton albinfo.ch. Hetimi çoi në sekuestrimin e afërsisht 60 biçikletave me origjinë të dyshimtë me një vlerë të vlerësuar prej mbi 250,000 frangash zvicerane.

Pesë të dyshuarit do të raportohen tek autoritetet përkatëse.

Në qershor të vitit 2025, ndërsa qyteti i Murten po përballej me një rritje të vjedhjeve të biçikletave, zyrtarët e Policisë Kantonale kapën në vepër një person që po vidhte dy biçikleta në parkingun e pishinës. Biçikletat u ngarkuan në një furgon, i cili më pas i transportoi ato në një depo në Villars-sur-Glâne.

Policët ndaluan dy burra në vendngjarje: shoferin, një shtetas 37-vjeçar i Maqedonisë së Veriut, dhe qiramarrësin e njësisë së magazinimit, një shtetas 44-vjeçar i Kosovës, të dy banorë të kantonit. Një kontroll i furgonit dhe njësisë së magazinimit çoi në sekuestrimin e më shumë se gjashtëdhjetë biçikletave të llojeve të ndryshme (biçikleta elektrike, biçikleta rrugore dhe biçikleta malore).

Hetimi i policisë kantonale zbuloi se afërsisht pesëmbëdhjetë biçikleta ishin vjedhur në kantonin e Fribourg-ut, ndërsa të tjerat ishin vjedhur në kantonet e Bernës, Neuchâtel-it, Solothurn-it dhe Lucern-it, përcjell albinfo.ch. Vlera totale e mallrave të vjedhura vlerësohet në mbi 250,000 franga zvicerane.

Hetimi zbuloi se ky material i vjedhur furnizonte një rrjet kriminal të specializuar në vjedhjen e biçikletave dhe transportimin e tyre në Ballkan për rishitje. Transporti u organizua përmes kompanisë së njërit prej të dyshuarve të arrestuar.

Aktualisht, është e pamundur të thuhet me siguri se sa dërgesa me mallra të vjedhura janë dërguar tashmë në Ballkan.

Përveç dy burrave të ndaluar, policia identifikoi tre persona të tjerë, të moshës 21, 24 dhe 26 vjeç, nga Maqedonia e Veriut, pa adresë të njohur, të cilët dyshohet se janë përfshirë në rrjetin kriminal.

Pesë individët do të raportohen në zyrën e prokurorit publik për vjedhje të organizuar dhe komerciale, si dhe për pranim komercial të mallrave të vjedhura.

Danone tërheq nga tregu disa seri qumështi për foshnje edhe në Zvicër

Rastet e tërheqjes së produkteve ushqimore për foshnje për shkak të dyshimit për praninë e toksinave janë në rritje. Kompania franceze Danone, konkurrente e Nestlé, ka njoftuar se po tërheq nga shitja edhe në Zvicër disa seri qumështi për foshnje.

Sipas një komunikate të publikuar të enjten, disa produkte të markës Aptamil dyshohen se mund të përmbajnë cereulide, një toksinë bakteriale. Ditët e fundit, Danone ka tërhequr produkte të qumështit për foshnje edhe në disa vende të tjera, duke theksuar deri më tani se produktet e shitura në Zvicër nuk ishin të prekura. Megjithatë, masa e re – që prek gjithashtu Gjermaninë dhe Austrinë – vjen si pasojë e udhëzimeve të reja të Bashkimit Evropian, thuhet në deklaratë.

Të hënën, Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore (EFSA) propozoi një vlerë kufitare për cereulide dhe përcaktoi një dozë ditore të tolerueshme për foshnjat. Në Francë, kjo vlerë kufitare kishte qenë më parë më e lartë.
“Shëndeti dhe siguria e foshnjave, si dhe respektimi i rregulloreve lokale, janë gjithmonë prioriteti kryesor i Danone,” shkruan kompania, duke përshëndetur qartësinë e sjellë nga udhëzimet e reja.

Tërheqje në mbi 60 vende

Që nga fundi i vitit 2025, disa prodhues të ushqimeve për foshnje – përfshirë Nestlé, Danone, Lactalis dhe kompaninë zvicerane Hochdorf – kanë ndërmarrë tërheqje masive të produkteve për shkak të rrezikut të ndotjes me cereulide, transmeton albinfo.ch.

Në Zvicër, qumështi Bimbosan, i prodhuar nga Hochdorf, si dhe qumështi Babybio nga kompania franceze Vitagermine, “janë aktualisht të kontaminuar me këtë toksinë dhe nuk duhet të përdoren”, njofton Zyra Federale për Sigurinë Ushqimore dhe Çështjet Veterinare (FSVO) në faqen e saj zyrtare.

FSVO thekson gjithashtu se “nuk përjashtohet plotësisht mundësia që edhe produkte të tjera të jenë të prekura”.
Farmacitë në Zvicrën frëngjishtfolëse raportojnë një fluks të madh kërkesash nga prindërit lidhur me tërheqjen e qumështit pluhur për foshnje, përfshirë produktet e markës Guigoz, që i përkasin grupit Nestlé.