Pas humbjes ndaj Shqipërisë, jep dorëheqje trajneri i Serbisë

Pas humbjes ndaj Shqipërisë në Leskovc, trajneri i Përfaqësueses së Serbisë, Dragan Stojković Piksi ka dhënë dorëheqjen.

Lajmin e ka konfirmuar vetë ai në një konferencë për shtyp, teksa tha se nuk do të jetë në stolin e kombëtares së tij, për duelet e ardhshme, transmeton albinfo.ch.

“Kisha në bisedë me presidentin dhe sekretarin e përgjithshëm. Kam paraqitur dorëheqjen. Nuk e prisja humbjen ndaj rivalit direkt. Marr përgjegjësinë dhe jam unë fajtori i vetëm. Më vjen keq që humbëm ndeshjen, por futbolli kështu është”, tha ai.

Policia e Kosovës po trajton tri raste për fotografim të votës, nuk ka të arrestuar

Policia e Kosovës ka njoftuar se tri raste për fotografim të votës janë duke u trajtuar nga Policia e Kosovës në Prishtinë, Podujevë dhe Drenas, transmeton albinfo.ch.

Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka njoftuar se nuk ka të arrestuar.

“Deri tani në rajonin e Prishtinës kemi pranuar tri informata (Një në Podujevë, një në Drenas dhe një në Prishtinë), ku dyshohet se janë fotografuar fletëvotimet. Informacionet po trajtohen në koordinim me prokurorinë”, ka shkruar ajo, transmeton albinfo.ch.

Shumica e zviceranëve janë pro uljes së tarifës në 200 franga për TV dhe radio

Një sondazh i publikuar sot në botimet e së dielës të Tamedia tregon se 53% e qytetarëve zviceranë do të mbështesnin iniciativën popullore federale të promovuar nga Partia Popullore Zvicerane (SVP) dhe Liberalët e Rinj (GLRS) për të ulur tarifën e licencës së radios dhe televizionit nga 335 në 200 franga në vit. Amendamenti kushtetues i propozuar pritet të hidhet në votim vitin e ardhshëm, transmeton albinfo.ch.

Nëse projektligji do të miratohej, buxheti i Korporatës Zvicerane të Transmetimeve (SRG) do të përgjysmohej, nga 1.3 miliardë franga në 630 milionë franga. Mbështetësit e nismës “200 franga janë të mjaftueshme!” (Iniciativa SRG) synojnë ta rifokusojnë SRG-në në detyrat e saj statutore dhe të përditësojnë modelin e saj të financimit, i cili është bërë i vjetëruar në epokën dixhitale. Këshilli Federal tashmë planifikon një ulje graduale të tarifës së licencës në 300 franga në vitin 2029: ky kundërpropozim indirekt do të lejonte një rënie më pak drastike të të ardhurave të SRG-së.

Sondazhi u krye në emër të botuesit Tamedia dhe faqes së internetit dhe gazetës së përditshme 20 Minuten nga instituti i sondazheve LeeWas, i cili intervistoi 14,775 persona në të gjithë Zvicrën midis 18 dhe 26 shtatorit. Marzhi i gabimit është 2 pikë përqindjeje. Kur u pyetën “Si do të votoni për iniciativën për të ulur tarifën e licencës së radios dhe televizionit nga 335 në 200 franga për familje?”, 53% e të anketuarve u përgjigjën “po” ose “ka shumë të ngjarë po”; 44% thanë se ishin kundër saj, ndërsa 3% ishin ende të pavendosur.

Ndërkohë që nuk del ndonjë ndarje gjinore, rezultatet e anketës zbulojnë një përçarje midis të djathtës dhe të majtës. Mbështetësit e SVP-së e mbështesin iniciativën e partisë së tyre me 86% opinione pozitive. Votuesit e PLR-së gjithashtu e mbështesin propozimin, me 63% që shprehin mbështetje. Në anën tjetër të spektrit politik, mbështetësit e PS-së e kundërshtojnë qartë atë (75%). Gjashtëdhjetë e pesë përqind e votuesve të Partisë së Gjelbër dhe 74% e mbështetësve të Liberalëve të Gjelbër gjithashtu e kundërshtojnë atë. Së fundmi, votuesit e Qendrës duken më të moderuar, me 56% që e kundërshtojnë atë.

Si zgjidhen kryetarët e komunave dhe anëtarët e këshillave komunalë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë kërkoi të sigurohet që në votimet e sotme të mos kishte paqartësi procedural.

Për këtë arsye, zëdhënësi i tij Valmir Elezi sqaroi se në Zgjedhjet e sotme Lokale, Kryetarët e Komunave dhe anëtarët e Kuvendeve Komunale do të vazhdojnë të zgjidhen sipas mënyrës së njëjtë, si në proceset e kaluara zgjedhore.

Në mënyrë që një kandidat të fitojë në raundin e parë, ai duhet të sigurojë që të fitojë 50%, +1 votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë, transmeton albinfo.ch.

Ndërkaq, në zgjedhjet për Kuvende Komunale, votuesit kanë të drejtë të votojnë vetëm për një kandidat për asamblist, apo anëtar këshilli. “Mënyra e votimit dhe zgjedhjes së Kryetarit të Komunës është e njëjtë, si në zgjedhjet e mëhershme.

Secili Kryetar i Komunës zgjidhet drejtpërdrejt nga votuesit e komunës, ku janë të regjistruar. Kandidati zgjidhet kryetar i komunës nëse fiton 50%, plus 1 votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë. E, nëse kjo nuk arrihet, atëherë pas katër javësh organizohet raundi i dytë mes dy kandidatëve, të cilët kanë fituar më së shumti vota të vlefshme. Kandidati, i cili fiton shumicën e votave në rrethin e dytë zgjidhet kryetar i komunës”, tha Elezi për Ekonomia Online.

Sipas tij, e pandryshuar ka mbetur edhe mënyra e votimit në zgjedhjet për këshillat komunalë, ku votuesi do të ketë të drejtë të votojë vetëm për një subjekt politik si dhe të përzgjedh një kandidat për asamblist nga lista e kandidatëve të atij subjekti politik.

“Edhe mënyra e votimit në zgjedhjet për Kuvendet Komunale ka mbetur e njëjtë, si në zgjedhjet e kaluara lokale. Pra, në anën e majtë të fletëvotimit votuesi voton vetëm një subjekt politik dhe në anën e djathtë të fletëvotimit, votuesi mund të votojë vetëm për një kandidat nga lista e kandidatëve të atij subjekti politik”, pohoi ai.

Numri i subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në këto zgjedhje është 93, prej të cilave: 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar dhe që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 5,624 kandidatë, prej të cilëve 205 kandidatë për zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe 5,419 kandidatë për Zgjedhjet për Kuvende Komunale.

Rritje e turizmit dhe fluturimeve në Shqipëri

Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet mes turistëve të huaj, veçanërisht pas përfundimit të pandemisë.

Turizmi është shndërruar në një nga sektorët me rritjen më të shpejtë në vend dhe po kthehet në një motor të rëndësishëm të ekonomisë kombëtare.

Një ndër arsyet kryesore të këtij zhvillimi lidhet me hyrjen në treg të linjave ajrore me kosto të ulët, një prirje që ka ndodhur edhe në pjesë të tjera të Evropës, duke sjellë një rritje të ndjeshme të numrit të fluturimeve drejt dhe nga Shqipëria, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave të Eurostat-it, gjatë muajit shtator 2025, Shqipëria ka shënuar një performancë të jashtëzakonshme. Krahasuar me të njëjtën periudhë përpara pandemisë, numri i fluturimeve komerciale është rritur me rreth 165.7%, duke e renditur vendin në krye të Evropës dhe të rajonit për ritmin e rritjes në këtë sektor.

Ndërkohë, rritja vjetore, pra krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, vlerësohet në rreth 3%.

Përgjatë nëntë muajve të vitit aktual numri i fluturimeve komerciale gjithsej vlerësohet në rreth 52,800. Vetëm në muajin Shtator u regjistruan rreth 7 mijë fluturime.

Referuar shifrave nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, nga janari në shtator 2025, Shqipëria ka mirëpritur 10,228,686 vizitorë, duke shënuar një rritje prej 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Ky trend pozitiv dëshmon për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të turizmit dhe për angazhimin e përbashkët në promovimin e Shqipërisë si një destinacion mikpritës dhe gjithnjë e më tërheqës.

Zgjedhjet Lokale 2025: Nuk raportohet për parregullsi

Procesi i votimit në zgjedhjet e sotme po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe të rregullt, pa ndonjë incident apo parregullsi që do të mund të cenonte integritetin e zgjedhjeve.

Kështu ka bërë të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), duke u mbështetur në informacionet e siguruara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, transmeton albinfo.ch.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka deklaruar se trupa zgjedhore në terren dhe institucionet përgjegjëse janë në komunikim të vazhdueshëm me KQZ-në, me qëllim të sigurimit të një procesi të mbarë dhe në përputhje me ligjin dhe rregulloret zgjedhore.

Kosova e Shqipëria në vend të dytë, si funksion faza e “Play-off”-it për Botëror

Për herë të parë në histori, Kupa e Botës 2026 do të zhvillohet me 48 skuadra.

16 ekipe kombëtare evropiane do të marrin pjesë në Botërorin që do të mbahet në Kanada, Meksikë dhe SHBA, teksa shanset e Shqipërisë, pas suksesin madhështor në Serbi, duken reale.

12-të vendet e para të grupeve do të kualifikohen direkt në Kupën e Botës 2026, ndërsa 4 vendet e mbetura do të përcaktohen nga faza play-off, transmeton albinfo.ch.

Si do të funksionojë faza play-off për Kupën e Botës 2026?

12 vendet e dyta nga grupet e kualifikueseve marrin pjesë në play-off, së bashku me 4 ekipe nga UEFA Nations League 2024/25 që në bazë të paraqitjeve në grup.

Pra, në total vendet e dyta dhe 4 ekipet nga Liga e Kombeve, do të formojnë 8 çifte, nga ku do të dalin edhe 4 skuadrat që shkojnë në Botëror, përveç 12 vendeve të para.

Pra, Shqipëria, në qoftë se e mbyll grupin në vendin e dytë, do të përballet me dy kundërshtarë që përcaktohen me short, në fazën “play-off”, për të siguruar një biletë drejt Botërorit.

Deri në orën 11:00 votuan 7.84 për qind e qytetarëve

Deri në orën 11:00 të drejtën e tyre për të votuar e kanë shfrytëzuar 7.84 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga 2 milionë e 25 mijë e 105 persona që janë në Listën e votuesve, deri në orën 11:00 kanë votuar 158 mijë 691 qytetarë, transmeton albinfo.ch.

Këto të dhëna janë nxjerrë nga procesimi i 94,00 për qind të vendvotimeve.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, në një konferencë për media, ka thënë se dalja deri në këtë kohë, ka qenë më e ulët sesa në zgjedhjet e kaluara lokale që janë mbajtur në vitin 2021.

Atëherë, sipas tij, deri në orën 11:00 patën votuar 8,2 për qind.

100 prokurorë dhe zyrtarë të drejtësisë përkujdesen për zgjedhjet

Për zgjedhjet lokale që po mbahen sot, Prokuroria e Shtetit tha se ka angazhuar rreth 100 prokurorë dhe zyrtarë prokurorialë për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

Në një njoftim nga Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës bëhet e ditur se prokurorët janë në zyrat e prokurorive ose stacionet policore, duke bashkëpunuar me Policinë e Kosovës për të parandaluar çdo parregullsi.

Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, mbikëqyr zbatimin e detyrave të prokurorëve dhe fton qytetarët, subjektet politike dhe institucionet të raportojnë çdo rast dyshimi për manipulim të votës, thuhet, mes tjerash, në njoftim.

Gazeta zvicerane: “Islami shqiptar po bëhet gjithnjë më konservator”

SonntagsZeitung” ka publikuar një artikull në të cilin problematizon trendin konservator që po marrin xhamitë e shqiptarëve në Zvicër, duke e vendosur këtë trend në kuadrin e konservatizimit të përgjithshëm të islamit ndër shqiptarët, shkruan albinfo.ch.

Duke u përqendruar në xhamitë shqiptare në Zvicër, gazeta konstaton se ato “po tregojnë një ndryshim konservator. Edhe vajzat e vogla po mbajnë shami ndërsa
imamët shqiptarë të Zvicrës po shfaqen me predikues që mbështesin pikëpamje mizogjine”.

“Islami shqiptar në Zvicër, i cili normalisht konsiderohet liberal, me sa duket po bëhet gjithnjë e më konservator. Në disa xhami, edhe vajzat e vogla tani mbajnë shami… Vëzhguesit e shohin këtë si një ndryshim drejt një kuptimi më të rreptë të Islamit, i cili mund të vërehet edhe në Ballkan.

Gazeta raporton se fotot nga xhamitë në Wil (SG), Winterthur (ZH), Dietikon (ZH) dhe Reinach (AG) tregojnë pothuajse ekskluzivisht gra dhe vajza të mbuluara. Xhamia në Wil, dikur e konsideruar si një “xhami model”, ka ndryshuar ndjeshëm, sipas gazetës.

Kjo xhami u bë e njohur në vitin 2009 sepse ndërtimi i saj kishte shkaktuar “iniciativën për ndalimin e minareve” të SVP-së. Ndërsa shumë gra kishin qenë pa mbulesë në inaugurimin e saj në vitin 2017, fotot e fundit tregojnë pothuajse ekskluzivisht vizitore të mbuluara, përfshirë këtu edhe vajzat e moshës së shkollës fillore.

Në vazhdum gazeta merret edhe me veprimet sipas saj kontroverse të disa imamëve dhe teologëve shqiptarë nga Zvicra, të cilët kanë marrë pjesë në aktivitete në të cilat kanë predikuar teologë nga Kosova, të akuzuar për mbështetje të terrorizmit islamik, shkruan albinfo.ch.

Organizata ombrellë e komuniteteve shqiptaro-islamike në Zvicër (DAIGS) ka lavdëruar punën e saj, por ka theksuar se ato mbeten të përkushtuara ndaj të drejtave të barabarta dhe sundimit të ligjit. Sipas shoqatës, fotot e vajzave të mbuluara janë pamje të çastit; Fëmijët nuk detyrohen të mbajnë shaminë.

Rreth dy të tretat e afërsisht 445,000 myslimanëve në Zvicër vijnë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kosova. Në këto vende, feja po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi. Në Kosovë, numri i xhamive është më shumë se dyfishuar që nga viti 1998, dhe një nga xhamitë më të mëdha në Evropë po ndërtohet aktualisht në Prishtinë me mbështetjen turke.

Sipas gazetës, aktivistët e të drejtave të njeriut kanë paralajmëruar për rritjen e islamizimit, përcjell albinfo.ch. Austria ka ndaluar shaminë për vajzat nën 14 vjeç, dhe Këshilli Federal Zviceran po shqyrton një ndalim të ngjashëm për vajzat nën 15 vjeç.

Historia e zgjedhjeve në Kosovë

Historia e zgjedhjeve në Kosovën e lirë fillon në vitin 2000, në kohën kur u organizuan zgjedhjet e para.

Më 28 tetor të atij viti u mbajtën zgjedhjet për Kuvende Komunale, duke shënuar nisjen e një procesi të gjatë për ndërtimin e institucioneve të një vendi që po përgatitej dalëngadalë të bëhej shtet.

Misioni i OSBE-së në Kosovë e themeloi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në vitin 2000 dhe ky institucion u kryesua nga shefat e këtij misioni deri në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë dhe mori mbi vete përgjegjësinë për organizimin e zgjedhjeve, raporton RTK, transmeton albinfo.ch.

Proceset zgjedhore në Kosovë ndahen në dy etapa të rëndësishme historike: zgjedhjet para dhe pas pavarësisë së shpallur në vitin 2008.

Nga viti 2000 dhe deri më tani, në vendin tonë janë mbajtur me dhjetëra procese zgjedhore në nivel vendi apo të pjesshme. Ndërkohë që për Kuvendin e Kosovës janë organizuar 9 procese zgjedhore, për Kuvende Komunale janë organizuar 8 procese zgjedhore.

Zgjedhjet e drejtpërdrejta për Kryetar të Komunave filluan të mbahen nga viti 2007 dhe që nga ajo kohë janë organizuar 6 procese të tilla zgjedhore përgjatë viteve 2007, 2009, 2013, 2017, 2021 dhe 2025.

Të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve flasin se përgjatë 25 viteve, më shumë se 60 mijë persona kanë marrë pjesë në garat zgjedhore, si kandidatë për deputetë, kryetarë të komunave dhe asambleve komunale. Në këtë shifër përfshihen edhe personat që janë certifikuar më shumë se një herë.

E numri më i madh i kandidatëve të certifikuar u takojnë zgjedhjeve për Kuvende Komunale. Gjatë 25 viteve, në 6 procese, statistikat e Komisionit Qendror Zgjedhor flasin për certifikimin e mbi 1,200 kandidatëve.

Të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve , të kandidatëve të certifikuar ndër vite, tregojnë për dallimin e thellë në mes të dy gjinive. Përgjatë dy dekadave e gjysmë, nga numri i përgjithshëm i kandidatëve , për pjesëmarrje në proceset zgjedhore janë certifikuar mbi 19 mijë gra dhe mbi 41 mijë burra.

Për Zgjedhjet Lokale 2025, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 5,624 kandidatë, prej të cilëve 205 kandidatë për zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe 5,419 kandidatë për Zgjedhjet për Kuvende Komunale.

Nga 205 kandidatë të certifikuar për t`i udhëhequr komunat, 185 janë burra dhe 20 gra, ndërkaq, në zgjedhjet për asamblistë, të kuvendeve komunale, nga 5.419 të certifikuar 3,395 janë burra dhe 2,024 gra.

Voton Presidentja: Ditë e rëndësishme për vendin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, votoi pak pas orës 10:00 në Fakultetin Teknik në Prishtinë.

Pas hedhjes së votës, ajo e cilësoi këtë ditë si të rëndësishme për demokracinë e vendit, transmeton albinfo.ch.

“Sa më e madhe pjesëmarrja dhe sa më i rregullt procesi, aq më e fortë është demokracia jonë. Pres që ky të jetë një proces me rezultate në të mirë të qytetarëve tanë”, tha Osmani, duke i ftuar ata që të ushtrojnë të drejtën e tyre për votë.

Osmani, po ashtu, theksoi se institucionet e Kosovës do të bëjnë gjithçka për të garantuar të drejtën e votës për të gjithë qytetarët, duke përsëritur se Serbia ka tentuar vazhdimisht të ndërhyjë në proceset zgjedhore në Kosovë.

27 mijë të rinj votojnë për herë të parë në Kosovë

Nga krahasimi i listës së votuesve për Zgjedhjet Lokale 2025 me Listën e votuesve të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës të mbajtura me 9 shkurt 2025, rezulton se lista e votuesve për këto zgjedhje përmban 37,499 votues më shumë.

Nga ky numër i përgjithshëm i votuesve të rinj, 10,700 votues konsiderohen të regjistruar për herë të parë në Registrin Qendror Civil midis dy palë zgjedhjesh, ose votues që kanë rikthyer shtetësinë e Kosovës dhe 26,799 votues janë të rinj që pas Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025, kanë arritur moshën 18 vjeç dhe do të votojnë për herë të parë në Zgjedhjet Lokale 2025.

Voton Kurti, fton qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, votoi rreth orës 9:00 në një qendër votimi në Prishtinë.

Pas hedhjes së votës, ai iu drejtua gazetarëve duke ftuar të gjithë qytetarët, pa dallim, që të përfshihen aktivisht në vendimet për komunat e tyre, transmeton albinfo.ch.

“Votojmë për të vendosur për katër vjetët e ardhshëm në komunat tona. Përveçse qytetarë të Republikës së Kosovës, jemi edhe banorë të komunës. Ftoj të gjithë qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën, të bëhen hisedarë në zgjidhjen e problemeve që kanë”, tha ai.

Kurti dha mesazhin e tij edhe në gjuhën serbe dhe atë angleze.

FFK dënon ashpër thirrjet ndaj Kosovës

Federata e Futbollit e Kosovës dënon ashpër thirrjet në kor kundër Kosovës dhe mesazhet provokuese të shfaqura në tribunat e stadiumit të Leskovcit me flamurin serb mbi hartën e Kosovës gjatë ndeshjes ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë.

Këto skena për fat të keq nuk janë të reja në stadiumet serbe, ku nxitja e urrejtjes dhe mesazhet fyese ndaj shteteve fqinje vazhdojnë të përsëriten pa ndëshkim të mjaftueshëm.

FFK vlerëson se veprime të tilla bien ndesh me frymën sportive, me parimet e respektit dhe me vlerat që UEFA dhe FIFA përfaqësojnë, transmeton albinfo.ch.

Në këtë drejtim, FFK do të paraqesë një notë proteste në UEFA, duke kërkuar që të ndërmerren masa të qarta dhe të rrepta ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë për këto akte të përsëritura, që dëmtojnë imazhin e futbollit dhe cenojnë parimet e UEFA-s dhe FIFA-s.

Njëkohësisht, Federata e Futbollit e Kosovës uron Kombëtaren e Shqipërisë për fitoren e merituar 1:0 ndaj Serbisë, një fitore që pasqyron karakterin, përkushtimin dhe forcën e futbollit shqiptar.

Federata e Futbollit e Kosovës do të vazhdojë të mbrojë me dinjitet vlerat e sportit, të respektit dhe të barazisë mes popujve, duke kërkuar që çdo fushë futbolli në Evropë të jetë vend i lojës dhe jo i urrejtjes.

Votimi në Kosovë po zhvillohet pa probleme

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se në orët e hershme të mëngjesit është shpërndarë materiali në të gjitha qendrat e votimit.

Ai ka thënë se procesi i votimit për zgjedhjet lokale ka nisur me kohë në të gjitha qendrat, përjashtimisht në ndonjërën që ka pasur sipas tij ndonjë vonesë të vogël.

Sipas tij, sot procesi i votimit zhvillohet në 948 qendra.

Elezi ka thënë se përveç organizimit të votimit në vendet e rregulla, është organizuar edhe votimi përmes ekipeve mobile.

“KQZ-ja ka certifikuar 93 subjekte politike, 32 parti, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se sot “pas numërimit të fletëvotimeve, pas përfundimit të procesit të votimit do të arrijnë të prezantojnë rezultatet preliminare”.

“Është punuar shumë që të mos kemi vonesa”, ka thënë ai.

Nga sot fillojnë rregullat e reja të hyrjeve/daljeve në BE

Nga sot ka nisur zbatimi gradual i rregullave të reja për hyrje dhe dalje në territorin e vendeve të Bashkimit Evropian për shtetasit e vendeve të treta të cilat gëzojnë mundësinë e lëvizjes pa viza.

Vendet e BE-së në kufijtë e jashtëm të bllokut dhe të vendeve të tjera të zonës Schengen do të nisin gradualisht përdorimin e sistemit të ri të hyrjeve dhe daljeve (Entry-Exit System – EES). Këto rregulla do të zbatohen edhe ndaj shtetasve të Kosovës, të cilët mund të udhëtojnë në BE pa viza.

Këto rregulla, sipas sqarimeve nga BE-ja, nuk do ta kufizojnë liberalizimin e vizave, por vetëm do të ndihmojnë në kontrollin më të mirë të hyrje-daljeve dhe, si rrjedhojë, në rritjen e sigurisë për vendet e BE-së.

Nga sot në vendkalimet kufitare do të nisë marrja e gjurmëve të katër gishtërinjve të dorës së djathtë dhe fotografimi digjital, ndërsa këto të dhëna do të regjistrohen në sistemin e ri të të dhënave. E tërë procedura do të bëhet vetëm herën e parë kur të hyjnë shtetasit e vendeve të treta në BE, ndërsa pastaj do të bëhet vetëm krahasimi i fotografisë në pasaportë me fotografinë në sistem.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian për çështje të brendshme, Markus Lamert, ka thënë se në gjashtë muajt e parë sistemi i ri do të përdoret vetëm në mënyrë të kufizuar, ndërsa pas një periudhe gjashtëmujore, më saktësisht më 10 prill të vitit 2026, do të hyjë në tërësi në fuqi.

Liberalizimi i vizave mundëson vetëm udhëtime për vizita në BE, me qëndrim të kufizuar deri në 90 ditë, ndërsa gjatë një viti maksimum 180 ditë. Ata që do t’i shkelin këto rregulla, e të cilët do të zbulohen më lehtë me sistemin e ri, do të mund të kenë pasoja, përfshirë edhe ndalimin e hyrjes në territorin e Bashkimit Evropian.

Kosova voton

Zgjedhjet lokale mbahen në të gjitha komunat e Kosovës, përfshirë edhe ato me shumicë serbe në veri të vendit.

Për më shumë se dy vjet, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë.

Kjo pasoi dorëheqjet e përfaqësuesve të Listës Serbe në nëntor të vitit 2022, në shenjë proteste ndaj vendimit të autoriteteve të Kosovës për t’i hequr nga qarkullimi targat serbe të automjeteve, transmeton albinfo.ch.

Në prill të vitit 2023, serbët e veriut – duke ndjekur udhëzimet e Listës Serbe – i bojkotuan zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale.

Bojkotim kishte edhe një vit më vonë, në prill të vitit 2024, gjatë votimit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë.

Gjenden turistët e humbur nga Zvicra në Shqipëri

Dy turistë nga Zvicra, gjatë eksplorimit të malit të Shebenikut, kishin humbur rrugën sot dhe kanë kërkuar ndihmë nga autoritetet lokale.

Policia e Komisariatit të Librazhdit është mobilizuar menjëherë për të lokalizuar dhe asistuar çiftin e huaj.

Pasi u realizua një kërkim i detajuar në terren, pas disa orësh, turistët janë lokalizuar dhe u gjetën në gjendje të mirë shëndetësore.

Turistët falënderuan punonjësit e Policisë për gatishmërinë dhe ndihmën e dhënë, si dhe punonjësit e zonave të mbrojtura.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan mbetet e angazhuar maksimalisht për të garantuar sigurinë e turistëve dhe vizitorëve të huaj në Shqipëri.

St. Gallen: Kosovari 13 vjeçar godet me thikë sirianin 15 vjeçar

Një 13-vjeçar kosovar ka goditur me thikë një 15-vjeçar sirian në pjesën e sipërme të krahut në St. Gallen të premten në mbrëmje. Autori u arrestua dhe viktima u dërgua në spital.

Pak para orës 21:30, Qendra e Thirrjeve dhe Operacioneve Emergjente në St. Gallen mori një raport se po ndodhte një grindje midis dy adoleshentëve në McDonald’s pranë stacionit të trenit, transmeton albinfo.ch.

Patrullat nga Policia Kantonale e St. Gallen dhe Policia e Qytetit të St. Gallenit u nisën menjëherë dhe hasën një sirian dhe një kosovar, përkatësisht 15 dhe 13 vjeç, shkruan tagblatt.ch.

15-vjeçari pësoi lëndime të lehta në pjesën e sipërme të krahut dhe u dërgua në spital. 13-vjeçari u arrestua. Arma e dyshuar e vrasjes u konfiskua.

Sipas gjetjeve fillestare, dy adoleshentët u takuan me njëri-tjetrin para McDonald’s-it, me ç`rast 13-vjeçari e sulmoi fizikisht 15-vjeçarin, duke e plagosur atë në pjesën e sipërme të krahut me thikë.

Policia e Kantonit të St. Gallenit, nën drejtimin e Prokurorisë Publike të Kantonit të St. Gallen, po heton rrethanat e sakta.

Belgjika synon të vendosë të burgosurit e saj në Kosovë

Për shkak se burgjet belge janë të mbipopulluara, Belgjika do të marrë një burg me qira ose do ta ndërtojë atë në Kosovë. Të dënuarit pa status të ligjshëm qëndrimi mund të vuajnë dënimet atje, transmeton albinfo.ch.

Dy ministra kanë qenë tashmë në Kosovë për diskutime mbi këtë çështje. Një marrëveshje e ngjashme tashmë ekzistuese midis Kosovës dhe Danimarkës mund të shërbejë si model, shkruan deutschlandfunk.de

Siç raporton agjencia e lajmeve Belga, qeveria e Kosovës, në këmbim, dëshiron mbështetje nga Belgjika në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.

Kosova aktualisht është një kandidate potenciale për anëtarësim.

Në burgjet belge ka mungesë prej rreth 2,000 vendesh burgu. Në vitin 2014, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dënoi Belgjikën për kushte degraduese të burgjeve. Që nga vera, aktvendimet gjyqësore janë kërkuar të japin arsye të hollësishme pse një dënim me burg është vërtet i nevojshëm.

Përshkallëzon demonstrata për Palestinën në Bernë

Mijëra njerëz janë mbledhur në sheshin e stacionit të trenit në Bernë për një demonstratë të paautorizuar për Palestinën, transmeton albinfo.ch.

Agjencia e lajmeve Keystone-SDA vlerëson se në protestë kanë marrë pjesë 2,000 persona. Policia ishte e pranishme në numër të madh. Gjithashtu janë dislokuar edhe polici nga kantone të tjera.

Një grup i maskuar ka udhëhequr tubimin. Pjesëmarrësit kanë ndezur fishekzjarrë dhe mjete tjera piroteknike, disa prej të cilëve kishin i kanë drejtuar në drejtim të policisë, shkruan srf.ch.

Kjo çoi gjithashtu në trazira dhe dëmtime të pronës.

Ka pasur ndërhyrje të policisë me gaz lotsjellës dhe një topa uji.

Trafiku përreth stacionit të trenit është kufizuar për disa orë. sipas policisë.

Grupet pro-palestineze nga e gjithë Zvicra kishin bërë thirrje për demonstratën. Nuk ishte paraqitur leje për demonstratën. Qyteti i Bernës kishte këshilluar kundër pjesëmarrjes në demonstratë.