Zvicra mbështet vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë përmes Demokracisë në Veprim

Zvicra ka shprehur mbështetjen e saj për misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve të organizuar nga Demokracia në Veprim, duke riafirmuar angazhimin për forcimin e proceseve demokratike në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Përmes një mesazhi publik, përfaqësuesit zviceranë vlerësuan rolin e shoqërisë civile në monitorimin e procesit zgjedhor dhe në promovimin e standardeve demokratike.

“Zvicra ka kënaqësinë të mbështesë misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve të Demokracisë në Veprim dhe përpjekjet e saj për të forcuar proceset demokratike”, thuhet në njoftim.

Sipas këtij vlerësimi, zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë thelbësore për ruajtjen e besimit të qytetarëve në institucione, rritjen e transparencës demokratike dhe sigurimin e pjesëmarrjes kuptimplotë të secilit qytetar në proceset vendimmarrëse.

Mbështetja e Zvicrës ndaj misioneve të vëzhgimit konsiderohet si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për promovimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe institucioneve të forta demokratike në Kosovë. /Albinfo.ch

Merz: Serbia duhet të zgjedhë mes Evropës, Rusisë dhe Kinës

Udhëheqësit evropianë kanë rikonfirmuar angazhimin e tyre për zgjerimin e Bashkimit Evropian gjatë samitit BE–Ballkani Perëndimor të mbajtur në Tivat, duke nënvizuar se procesi i anëtarësimit mbetet i hapur, por i kushtëzuar nga reformat dhe përafrimi me politikën e jashtme të BE-së, përcjell albinfo.ch.

Në këtë kontekst, është theksuar se progresi i Serbisë drejt anëtarësimit në BE varet nga përmbushja e këtyre kushteve, përfshirë harmonizimin e plotë me politikat e jashtme dhe të sigurisë së Unionit.

Udhëheqësit evropianë gjithashtu kanë theksuar Malin e Zi si një nga kandidatët më të avancuar, me synimin që vendi të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028.

Gjatë samitit, i cili përfundoi pa një deklaratë të përbashkët, është përsëritur thirrja ndaj Serbisë që të thellojë reformat dhe të përafrojë qëndrimet e saj me BE-në.

Kancelari gjerman Friedrich Merz u ka thënë gazetarëve në Tivat se Serbia duhet të përcaktojë qartë orientimin e saj strategjik.

“Nuk është e mundur të ndiqet një politikë luhatjeje midis Rusisë, Kinës dhe Evropës”, ka deklaruar ai, duke theksuar se vendi duhet të zgjedhë drejtimin e tij të ardhshëm./Albinfo.ch

Pothuajse gjysma e votuesve kanë votuar deri në mesditë në Konsullatën e Kosovës në Cyrih

Procesi i votimit në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih po vazhdon me një pjesëmarrje të konsiderueshme të qytetarëve të regjistruar për votim, shkruan albinfo.ch.

Sipas të dhënave të bëra publike, deri në orën 13:00 kanë votuar 1.007 qytetarë nga gjithsej 2.092 votues të regjistruar.

Kjo përfaqëson 48.14 për qind të numrit total të votuesve, që do të thotë se pothuajse gjysma e elektoratit të regjistruar në këtë qendër votimi ka shfrytëzuar tashmë të drejtën e votës.

Procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të rregullt, ndërsa qytetarët vazhdojnë të paraqiten për të votuar brenda orarit të paraparë. /Albinfo.ch

Renditja 2026: Këto janë 10 linjat ajrore më të dobëta në Evropë

Një studim i ri i publikuar në kuadër të “Flightright Index 2026” ka analizuar 20 nga kompanitë më të mëdha ajrore në Evropë, duke i vlerësuar ato në bazë të besueshmërisë së fluturimeve, sjelljes ndaj kompensimeve dhe kënaqësisë së klientëve, transmeton albinfo.ch.

Sipas renditjes, Aer Lingus është vlerësuar si kompania ajrore me performancën më të dobët në Evropë, e ndjekur nga Air Europa dhe Vueling.

Në listën e dhjetë kompanive me vlerësimin më të ulët përfshihen gjithashtu emra të njohur si KLM, Ryanair, Wizz Air, easyJet, Lufthansa, SAS dhe Pegasus.

Studimi është realizuar gjatë periudhës nëntor 2025 – maj 2026 dhe ka marrë në konsideratë tri kategori kryesore: besueshmërinë e fluturimeve, trajtimin e kërkesave për kompensim dhe vlerësimet e pasagjerëve.

Ndërkohë, në renditjen e përgjithshme të kompanive më të mira, Austrian Airlines zuri vendin e parë. Sipas raportit, ajo u dallua për performancë të qëndrueshme në kategoritë kryesore të vlerësimit.

10 kompanitë ajrore me vlerësimin më të ulët në Evropë:

  1. Aer Lingus
  2. Air Europa
  3. Vueling
  4. KLM
  5. Ryanair
  6. Wizz Air
  7. easyJet
  8. Lufthansa
  9. SAS
  10. Pegasus

Raporti synon t’u ofrojë udhëtarëve një pasqyrë më të qartë për cilësinë e shërbimeve të linjave ajrore evropiane përpara planifikimit të udhëtimeve./Albinfo.ch

Xhemaili shënon dy gola në fitoren e Zvicrës ndaj Maltës

Përfaqësuesja e Zvicrës ka shënuar një fitore të thellë 6:1 ndaj Maltës në Lugano, duke siguruar vendin e parë në grup dhe ngjitjen në Ligën A në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2027 në Brazil, përcjell albinfo.ch.

Fitorja u zhvillua në ndeshjen kualifikuese dhe njëkohësisht në inaugurimin e stadiumit të ri “AIL Arena”, ku skuadra zvicerane dominoi plotësisht kundërshtarin dhe konfirmoi formën e mirë.

Trajneri Rafel Navarro u shpreh i kënaqur me performancën e ekipit, duke vlerësuar jo vetëm lojën, por edhe qasjen dhe energjinë në fushë.

“Jam shumë i lumtur. Sot e pamë ekipin ashtu siç duam ta shohim – jo vetëm në aspektin e lojës, por edhe në qëndrim dhe energji,” tha ai.

Megjithatë, vëmendje mori edhe sulmuesja Riola Xhemaili, e cila shënoi dy gola, por gjithashtu humbi një penallti dhe u përfshi në aksionin e golit të pësuar nga Zvicra. Ajo pranoi se gabimi i kishte lënë shije të hidhur.

“E kam humbur penalltinë dhe kjo më nervozon shumë, sepse nuk më ka ndodhur më parë,” tha Xhemaili, duke shtuar me humor se trajneri i kishte thënë të paraqitej në stërvitje shtesë.

Megjithatë, trajneri Navarro sqaroi më vonë se deklarata ishte bërë me shaka dhe jo si masë ndëshkuese.

“Kam bërë shaka me të. Ajo është lojtare shumë e mirë dhe këto gjëra i ndodhin çdo futbollisti. E kam për qëllim vetëm ta motivoj,” tha ai.

Navarro gjithashtu nuk e kritikoi Xhemailin për gabimin që çoi në golin e Maltës, duke theksuar se skuadra përdor shpesh pasime të rrezikshme për të thyer presingun kundërshtar.

Në ndeshje u dallua edhe talenti i Barcelonës, Sydney Schertenleib, e cila shënoi një gol të bukur dhe asistoi në një tjetër, por u detyrua të largohej në pjesën e parë pas një shqetësimi fizik.

Sipas trajnerit, dëmtimi nuk duket serioz, por lojtarja do t’i nënshtrohet kontrolleve mjekësore përpara ndeshjes së ardhshme kundër Irlandës së Veriut. Ai gjithashtu la të hapur mundësinë për ndryshime në formacion për sfidën e radhës./Albinfo.ch

Në Berlin po vazhdon votimi fizik në Ambasadën e Kosovës

Që nga mëngjesi ka nisur procesi i votimit fizik në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin, i cili është hapur në ora 07:00 dhe do të qëndrojë i hapur deri në ora 19:00, duke u mundësuar qytetarëve të regjistruar të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, transmeton albinfo.ch.

I pari që ka votuar në këtë qendër ishte ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, i cili njëkohësisht ka bërë thirrje që procesi zgjedhor të zhvillohet në një atmosferë të qetë, të rregullt dhe me respekt të ndërsjellë ndërmjet qytetarëve.

Procesi po zhvillohet në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin, Embassy of Kosovo in Germany, ku stafi diplomatik është kujdesur për organizimin dhe përmbushjen e të gjitha kushteve të nevojshme për një proces të rregullt votimi.

Qytetarët e regjistruar po vazhdojnë të paraqiten për të ushtruar të drejtën e tyre demokratike, ndërsa autoritetet diplomatike kanë bërë thirrje që procesi të zhvillohet pa pengesa dhe me disiplinë.

Autoritetet rikujtojnë se të gjithë votuesit duhet të kenë me vete dokumentin identifikues dhe të paraqiten brenda orarit të caktuar.

“Vota jote ka rëndësi”, është mesazhi që po përcillet për qytetarët kosovarë në diasporë gjatë këtij procesi zgjedhor. /Albinfo.ch

Në Konsullatën e Kosovës në Cyrih votimi po rrjedh i qetë dhe i mirorganizuar

Në rrugën që të çon te objekti i Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih që nga orët e hershme të mëngjesit mbretëron një gjallëri impresionuese. Qytetarë të shumtë me shtetësi të Kosovës nga shumë kantone zvicerane e kanë bërë sot këtë objekt pikën që i bashkon për të ushtruar detyrimin e tyre qytetar ndaj vendit të prejradhjes: për të dhënë votën që pritet të përcaktojë rrjedhat politike të Kosovës në katër vitet e ardhshme.

Një rreshtim i rregullt, ku qindra votues presin me vetëdisiplinë dhe me njëfarë solemniteti të ligjshëm thirrjen sipas shkronjës së mbiemrit për të hyrë brenda ku i pret ekipi i KQZ-së për t`u mundësur votimin, raporton albinfo.ch nga vendi i ngjarjes.

Gjithçka po funksionon në mënyrë të përpiktë dhe të shpejtë. Kjo ishte edhe përshtypja e disa prej votuesve që pranuan të flasin për platformën tonë.

Kështu çifti Agim dhe Zelfije Sylejmani shprehen të entuziazmuar me shpejtësinë dhe rregullin që sipas tyre po mbretëron gjatë gjithë procedurës, që ng pritja e deri te votimi. Ata urojnë që kështu të vazhdojë procesi deri në fund dhe gjithsesi shprehin dëshirën që “të fitojë më i miri”.

Ngjashëm shprehet edhe Arta Kamberi, e cila posa ka përmbushur obligimin e sj qytetar. Ajo thotë se ndihet e lumtur që i gjithë orgnizimi po rrjedh në mënyrë të përpikët, pa asnjë çrregullim.

Ekipi nga KQZ, që udhëheq procesin e votimit në këtë konsullatë, duke ndjekur udhëzimet, mundi vetëm të na konfirmojë faktin se gjithçk po ecën mirë dhe të na e kujtojnë se me rreth 2200 votues të regjistruar, kjo qendër është ndër më të mëdhatë në disporë. Sipas tyre, deri në orën 9.00 kishin votuar 15 për qind e të regjistruarve për votim në këtë qendër.

 

Ansambli “Trojet” do të prezantojë kulturën shqiptare në festivalin multikulturor të Kreuzlingenit

Ansambli “Trojet” nga Zvicra do të jetë pjesë e festivalit tradicional “Chrüzlinger Fäscht 2026”, një nga ngjarjet më të mëdha shumëkulturore në rajonin e Kreuzlingenit, ku marrin pjesë përfaqësues të më shumë se 40 vendeve nga mbarë bota, transmeton albinfo.ch. 

Aktiviteti do të mbahet më 20 qershor 2026 në Boulevard Kreuzlingen, ndërsa Ansambli “Trojet” do të ngjitet në skenë në orën 15:00, duke sjellë para publikut këngë dhe valle tradicionale shqiptare.

Në program do të performojë edhe solistja e njohur Eliza Zeqiri, ndërsa grupi i mesëm i ansamblit do të prezantojë valle artistike të përzgjedhura nga drejtuesit artistikë.

Organizatorët theksojnë se pjesëmarrja në këtë festival është një mundësi e veçantë për të promovuar kulturën, traditat, muzikën dhe veshjet kombëtare shqiptare para mijëra vizitorëve vendas dhe ndërkombëtarë.

Një rol të rëndësishëm në organizimin e pjesëmarrjes shqiptare ka komuniteti shqiptar në Kreuzlingen, i udhëhequr nga veprimtari Avni Avdyli, i cili së bashku me familjen dhe bashkëpunëtorët e tij po kontribuon në prezantimin sa më dinjitoz të kulturës shqiptare.

Përveç programit artistik, gjatë festivalit do të vendosen edhe stenda shqiptare ku vizitorët do të kenë mundësi të njihen me traditat, turizmin dhe gastronominë shqiptare. Në ofertë do të jenë gatime tradicionale si flija, byreku dhe specialitete të tjera karakteristike të kuzhinës shqiptare.

Ansambli “Trojet” ka ftuar bashkatdhetarët nga Kreuzlingeni, Konstanzi dhe mbarë rajoni që të marrin pjesë në këtë manifestim dhe të mbështesin promovimin e kulturës shqiptare në një nga festivalet më të njohura multikulturore në Zvicër./Albinfo.ch.

Nga SHBA-ja në fanellën e Kosovës: Historia inspiruese e Riga Kallabës

Historia e futbollistes së re, Riga Kallaba, ka tërhequr vëmendje për rrugëtimin e saj të veçantë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt ëndrrës për të veshur fanellën e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Sipas një rrëfimi të gazetares sportive Qeqa Krelani, Kallaba së bashku me familjen e saj ka ndjekur vazhdimisht ndeshjet e Kosovo women’s national football team, pavarësisht se jeton në SHBA dhe nuk kishte pasur më herët ftesë zyrtare nga ekipi kombëtar.

Familja e saj, sipas këtij rrëfimi, ka udhëtuar në mënyrë të vazhdueshme për të përkrahur ekipin kombëtar në ndeshje të ndryshme, duke përballuar shpenzime dhe distanca të mëdha vetëm për të qenë pranë skuadrës kuqezi.

Bëhet e ditur se babai i saj, Shpendi, i lindur në Çikago nga prindër shqiptarë, ka qenë gjithashtu pjesë e kësaj përkrahjeje të vazhdueshme familjare, duke e shndërruar mbështetjen për Kosovën në një traditë familjare.

Sot, kjo përkushtim shumëvjeçar ka marrë një dimension të ri, pasi Riga Kallaba ka marrë ftesën e saj të parë për t’iu bashkuar ekipit përfaqësues të Kosovës, duke e kthyer një histori të gjatë tifozërie dhe sakrifice në një arritje sportive personale.

Kjo ngjarje është përshkruar nga opinioni sportiv si një shembull i lidhjes së fortë mes diasporës dhe përfaqësueses së Kosovës, si dhe si një dëshmi e pasionit që tejkalon kufijtë gjeografikë./Albinfo.ch

Zvicra, gjiganti i fshehur i kafesë: Eksporton më shumë se çokollata dhe djathi së bashku

Kur përmendet Zvicra, shumica mendojnë për çokollatën, djathin apo orët luksoze. Megjithatë, një nga sukseset më të mëdha ekonomike të vendit lidhet me një produkt që nuk kultivohet fare në territorin e saj: kafenë, transmeton albinfo.ch.

Pavarësisht se klima zvicerane nuk lejon rritjen e kokrrave të kafesë, vendi është bërë eksportuesi i dytë më i madh i kafesë në botë për nga vlera. Madje, eksportet zvicerane të kafesë gjenerojnë më shumë të ardhura sesa eksportet e çokollatës dhe djathit të kombinuara.

Sekreti i këtij suksesi qëndron te përpunimi dhe vlera e shtuar. Kokrrat e kafesë importohen nga vende të ndryshme prodhuese në Amerikën Latine, Afrikë dhe Azi, ndërsa në Zvicër ato përpunohen, piqen dhe transformohen në produkte premium si kapsula kafeje, kafe e çastit dhe specialitete të tjera me vlerë të lartë tregtare.

Me kalimin e viteve, Zvicra është shndërruar në një qendër globale të tregtimit dhe inovacionit në industrinë e kafesë. Në vend është zhvilluar ajo që shpesh quhet “Coffee Valley”, një ekosistem që bashkon kompani ndërkombëtare të kafesë, tregtarë, ekspertë dhe qendra kërkimore të specializuara.

Një rol të rëndësishëm në këtë sukses luan edhe industria zvicerane e teknologjisë. Furnizuesit e komponentëve me precizion të lartë kanë bërë që Zvicra të jetë lider edhe në prodhimin e aparateve të kafesë. Sipas të dhënave të industrisë, rreth 70 për qind e aparateve plotësisht automatike të kafesë që prodhohen në botë përmbajnë teknologji ose komponentë të zhvilluar në Zvicër.

Ky kombinim i inovacionit, cilësisë dhe ekspertizës industriale e ka bërë Zvicrën një nga fuqitë më të mëdha globale në sektorin e kafesë, pavarësisht se asnjë kokërr kafeje nuk rritet në tokën e saj.

Nga një importues i thjeshtë i lëndës së parë, Zvicra ka arritur të ndërtojë një industri miliardëshe që furnizon tregjet në të gjithë botën dhe vazhdon të forcojë pozicionin e saj si një nga qendrat më të rëndësishme të kafesë në nivel global. /Albinfo.ch

Ambasada e Kosovës organizon panel me diasporën shqiptare në Berlin

Në kuadër të “Javës së Kulturës së Kosovës në Berlin”, Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani do të organizojë një mbrëmje të veçantë diskutimi dhe rrjetëzimi me pjesëtarë të mërgatës shqiptare të angazhuar në jetën politike, institucionale, shkencore dhe kulturore në Gjermani, transmeton albinfo.ch.

Aktiviteti do të mbahet më 12 qershor 2026 në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Berlin dhe do të përfshijë një panel diskutimi me temën: “Diaspora në politikën dhe shoqërinë gjermane – të bëhemi të dukshëm, të kontribuojmë dhe të marrim pjesë në vendimmarrje.”

Në panel do të marrin pjesë ambasadori i Kosovës në Gjermani, Dr. Faruk Ajeti, ish-anëtarja e Parlamentit të Berlinit, Aferdita Suka, deputeti i Parlamentit të Hamburgut, Nikola Tunici, ndërsa moderimin do ta bëjë Engjellushe Morina nga ECFR.

Sipas njoftimit të Ambasadës, mbrëmja synon të nxisë debat të hapur mbi rolin dhe potencialin e diasporës shqiptare në Gjermani, si dhe të krijojë mundësi për bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet profesionistëve dhe aktivistëve shqiptarë.

Pas panelit do të organizohet një pritje dhe sesion networking-u, me qëllim forcimin e kontakteve dhe shkëmbimin e ideve ndërmjet pjesëmarrësve.

Ambasada ka bërë të ditur se pjesëmarrja është e kufizuar dhe do të realizohet vetëm me ftesa të konfirmuara. Për informacione shtesë, të interesuarit mund të kontaktojnë Ambasadën e Kosovës në Berlin./Albinfo.ch

Mijëra qytetarë të Kosovës votojnë sot në ambasada dhe konsullata

Rreth 27 mijë shtetas të Kosovës, të regjistruar për votim fizik jashtë vendit, kanë mundësinë ta ushtrojnë sot të drejtën e votës në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës për zgjedhjet e 7 qershorit, transmeton albinfo.ch.

Procesi i votimit ka nisur nga ora 07:00 dhe do të vazhdojë deri në orën 19:00, varësisht nga zonat kohore dhe lokacionet ku ndodhen përfaqësitë diplomatike.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), votimi organizohet në 47 vendvotime të vendosura në 17 ambasada dhe 13 konsullata të Kosovës, të shpërndara në 18 shtete të ndryshme.

Për votim fizik në përfaqësitë diplomatike janë regjistruar gjithsej 27.724 qytetarë të Kosovës, duke shënuar një nga pjesëmarrjet më të mëdha të diasporës në proceset zgjedhore.

KQZ ka bërë të ditur se votuesit duhet të paraqiten me një dokument identifikimi të vlefshëm të Republikës së Kosovës, si letërnjoftim, pasaportë ose patentë shoferi.

Pjesëmarrja e diasporës konsiderohet me rëndësi të veçantë në këto zgjedhje, duke reflektuar lidhjen e vazhdueshme të bashkatdhetarëve me proceset demokratike dhe zhvillimet politike në Kosovë./Albinfo.ch

Në Bern u mbajt “Innovation & Leadership Conference 2026”, bashkon inovacionin, biznesin dhe lidershipin shqiptar në Zvicër

Sot, më 6 qershor 2026, në Bern të Zvicrës u zhvillua “Innovation & Leadership Conference 2026”, një platformë e rëndësishme që synon të lidhë inovacionin, biznesin dhe lidershipin shqiptar në Zvicër dhe më gjerë në Evropë, shkruan albinfo.ch.

Eventi u organizua nga IPAK (Instituti për Avansim Kombëtar) dhe Albanian Engineering of Switzerland AES dhe synon të krijojë një hapësirë strategjike për networking, bashkëpunim dhe zhvillim profesional mes profesionistëve shqiptarë në fusha të ndryshme.

Blerta Berisha Morina thekson se qëllimi kryesor i konferencës është ndërtimi i urave të bashkëpunimit mes inovacionit, shkencës, teknologjisë dhe biznesit, duke përfshirë si gjeneratën e re ashtu edhe liderët e industrisë.

Sipas saj, konferenca i dedikohet studentëve, profesionistëve, sipërmarrësve dhe institucioneve që synojnë zhvillim profesional dhe partneritete strategjike në tregun ndërkombëtar.

Këtë vit, eventi po mbledh pjesëmarrës të shumtë nga Zvicra dhe diaspora shqiptare në Evropë, ndërsa janë të konfirmuar tetë folës nga fusha të ndryshme si biznesi, ekonomia, teknologjia, shkenca dhe mjekësia.

Ndër emrat që po mbajnë fjalim janë: Fadil Çitaku, Kaltrina Paloja, Adhurim Haxhimusa, Afrim Morina dhe Sulejman Vejseli.

Vlen të theksohet se në këtë konferencë po diskutohen tema të rëndësishme si inovacioni në biznes dhe industri, transformimi digjital, inteligjenca artificiale, lidershipi modern, edukimi dhe bashkëpunimi mes akademisë dhe industrisë.

“Qëllimi ynë është të ndërtojmë një platformë të qëndrueshme ku inovacioni dhe lidershipi bashkohen për të krijuar mundësi të reja për komunitetin shqiptar në Zvicër dhe Evropë,” u theksua gjatë prezantimit të eventit.

Konferenca pritet të shërbejë si një pikë takimi e rëndësishme për ide, projekte dhe bashkëpunime të reja profesionale në nivel ndërkombëtar./Albinfo.ch

albinfo.ch
albinfo.ch

 

Mbi 11 për qind e diasporës voton brenda orëve të para

Procesi i votimit të diasporës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës ka nisur me një pjesëmarrje të konsiderueshme, ndërsa sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri në orën 09:00 të së shtunës kanë votuar 11.24 për qind e votuesve të regjistruar në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, transmeton albinfo.ch.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se deri në këtë orë të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 1,117 qytetarë nga gjithsej 27,724 votues të regjistruar për votim në ambasada dhe konsullata.

Procesi i votimit ka filluar në orën 06:00 sipas kohës lokale të Kosovës në ambasadën e Kosovës në Ankara dhe në konsullatën në Stamboll. Ndërkohë, nga ora 07:00, votimi është hapur edhe në 24 përfaqësi të tjera diplomatike në vende të ndryshme të Evropës.

Sipas KQZ-së, votimi po zhvillohet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës në Gjermani, Zvicër, Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Belgjikë, Norvegji, Austri, Suedi, Slloveni, Danimarkë, Itali, Turqi, Kroaci, Holandë, Republikën Çeke dhe Hungari.

Ndërkaq, procesi i votimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada do të nisë në orën 13:00 sipas kohës së Kosovës, përkatësisht në ambasadën në Washington, konsullatën në New York, ambasadën në Otavë dhe konsullatën në Toronto.

Në total, votimi i diasporës do të zhvillohet në 47 vendvotime të vendosura në 17 ambasada dhe 13 konsullata të Republikës së Kosovës në 18 shtete të ndryshme.

KQZ-ja ka rikujtuar se të drejtë vote në përfaqësitë diplomatike kanë vetëm qytetarët që janë regjistruar paraprakisht për këtë formë votimi gjatë periudhës së regjistrimit, e cila është zhvilluar nga 6 deri më 17 maj 2026. Lista e votuesve e dërguar në ambasada dhe konsullata përmban ekskluzivisht emrat e shtetasve që kanë zgjedhur votimin fizik në përfaqësitë diplomatike të Kosovës jashtë vendit.

Pjesëmarrja në orët e para të votimit shihet si një tregues i interesimit të diasporës për procesin zgjedhor, ndërsa institucionet përgjegjëse presin që numri i votuesve të rritet gjatë ditës në të gjitha qendrat e votimit jashtë Kosovës. /Albinfo.ch

Mbështetës të Albin Kurtit nga Zvicra mbërrijnë në Prishtinë për zgjedhjet e 7 qershorit

Një grup mërgimtarësh nga Zvicra kanë mbërritur të premten në Kosovë me një fluturim të organizuar, me qëllim pjesëmarrjen në zgjedhjet e 7 qershorit, transmeton albinfo.ch. 

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ardhja e tyre u shoqërua me brohoritje dhe pankarta në mbështetje të kryeministrit në detyrë dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Mbështetësit e ardhur nga diaspora thanë se udhëtimi i tyre është organizuar për të marrë pjesë në procesin zgjedhor dhe për të shprehur vullnetin e tyre përmes votës. Atmosfera në aeroport u karakterizua nga entuziazmi i mërgimtarëve, të cilët mbanin simbole kombëtare dhe mesazhe mbështetëse për liderin e Vetëvendosjes.

Pjesëmarrja e diasporës në zgjedhje po konsiderohet një faktor i rëndësishëm edhe në këtë proces elektoral, ndërsa shumë qytetarë që jetojnë jashtë vendit kanë zgjedhur të udhëtojnë drejt Kosovës për të votuar personalisht.

Zgjedhjet e 7 qershorit po përcillen me interesim të madh si brenda vendit ashtu edhe në diasporë, ku mijëra qytetarë janë regjistruar për të votuar përmes postës ose në përfaqësitë diplomatike të Kosovës./Albinfo.ch 

Diaspora në Suedi nis procesin e votimit, qytetarët ushtrojnë të drejtën e votës

Qendra e votimit në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Stokholm është hapur në orën 07:00, duke u mundësuar qytetarëve të regjistruar të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, transmeton albinfo.ch.

Procesi i votimit do të vazhdojë deri në orën 19:00, ndërsa votuesit mund të identifikohen me letërnjoftim, pasaportë ose patentë shoferi të Republikës së Kosovës.

Autoritetet kanë ftuar të gjithë qytetarët e regjistruar që të marrin pjesë në procesin zgjedhor, duke theksuar se çdo votë ka rëndësi për të ardhmen e vendit./Albinfo.ch

Bashkatdhetarët në Stuttgart po ushtrojnë të drejtën e votës

Procesi i votimit për zgjedhjet e 7 qershorit ka nisur sot në të gjitha misionet diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës, transmeton albinfo.ch.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se të gjitha pikat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe procesi po zhvillohet sipas planifikimeve.

Në një fotografi të realizuar në orën 07:47 në Stuttgart të Gjermanisë, shihet interesimi i bashkatdhetarëve për të marrë pjesë në procesin zgjedhor.

MPJD u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të regjistruar që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës dhe të kontribuojnë në procesin demokratik të vendit. /Albinfo.ch

Interesim i madh për votimin në Ambasadën e Kosovës në Vjenë

Procesi i votimit për zgjedhjet e 7 qershorit ka nisur në orën 07:00 në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Vjenë dhe, sipas informacioneve të para, gjithçka po zhvillohet normalisht dhe pa probleme, transmeton albinfo.at.

Për dallim nga proceset e kaluara zgjedhore, këtë herë është vërejtur një interesim dukshëm më i madh i qytetarëve për të votuar fizikisht në ambasadë.

Sipas të dhënave të siguruara nga albinfo.at, për zgjedhjet e 7 qershorit janë regjistruar gjithsej 1.125 votues për të votuar fizikisht në Ambasadën e Kosovës në Vjenë. Ndërkohë, 3.308 shtetas të Kosovës që jetojnë në Austri janë regjistruar për votim përmes postës.

Krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit 2025, numri i qytetarëve të regjistruar për votim në ambasadë është pothuajse dyfishuar, duke dëshmuar rritjen e interesimit të diasporës për të marrë pjesë në procesin zgjedhor.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, votimi fizik në Austri organizohet vetëm në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Vjenë, në adresën Prinz-Eugen-Straße 8-10, A-1040 Vjenë. Qytetarët mund të votojnë duke paraqitur një dokument identifikimi të Republikës së Kosovës, si letërnjoftim, pasaportë ose patentë shoferi.

Në nivel global, KQZ-ja ka bërë të ditur se janë regjistruar 109.696 qytetarë të Kosovës që jetojnë jashtë vendit. Prej tyre, 81.901 janë regjistruar për votim me postë, 2.855 për dërgimin e pakos së fletëvotimit në kutinë postare të KQZ-së, ndërsa 24.940 për votim fizik në përfaqësitë diplomatike.

Kujtojmë se në zgjedhjet parlamentare të 8 shkurtit 2025, për herë të parë diaspora pati mundësinë të votonte fizikisht në ambasada dhe konsullata. Në Austri, atëherë ishin regjistruar 941 votues, ndërsa votuan 732 prej tyre.

Ndërsa në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025, nga 532 qytetarë të regjistruar në Vjenë, votuan 431. Pjesëmarrja më e ulët u lidh me periudhën e fundvitit, kur shumë bashkatdhetarë udhëtojnë drejt Kosovës për festat e fundvitit.

Ka nisur votimi në Konsullatën e Kosovës në Cyrih

Procesi i votimit për zgjedhjet e 7 qershorit ka nisur edhe në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih, ku qytetarët e regjistruar po ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese, transmeton albinfo.ch. 

Votimi ka filluar në orën 07:00 dhe do të vazhdojë deri në orën 19:00.

Nga Konsullata e Kosovës në Cyrih është bërë thirrje që të gjithë qytetarët e regjistruar me sukses të marrin pjesë në këtë proces të rëndësishëm demokratik.

Përfaqësuesit e konsullatës kanë falënderuar bashkatdhetarët për angazhimin, pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin e tyre në procesin zgjedhor./Albinfo.ch 

Punimi i Eros Halilit pranohet në Kongresin Evropian të Fizikës Mjekësore në Spanjë

Fizikani i ri nga Gjilani, Eros Halili, ka arritur një sukses të rëndësishëm ndërkombëtar në fushën e shkencës, pasi punimi i tij kërkimor është pranuar për prezantim në European Congress of Medical Physics 2026, i cili do të mbahet në Valencia, transmeton albinfo.ch.

Ky zhvillim konsiderohet historik, pasi për herë të parë Kosova do të ketë një pjesëmarrës dhe prezantues zyrtar në këtë kongres prestigjioz evropian të fizikës mjekësore.

Punimi i tij shkencor mban titullin “Monte Carlo-based validation of electron beam dosimetry for clinical QA using FLUKA” dhe do të prezantohet para ekspertëve dhe studiuesve nga vende të ndryshme të botës.

Kongresi ECMP njihet si një nga platformat më të rëndësishme evropiane në fushën e fizikës mjekësore, duke mbledhur profesionistë, studiues dhe ekspertë të teknologjive të avancuara mjekësore.

Për Eros Halilin, ky pranim përfaqëson një vlerësim të lartë të angazhimit dhe punës së tij kërkimore ndër vite, si dhe një mundësi të rëndësishme për shkëmbim përvojash me ekspertë ndërkombëtarë të fushës.

Me këtë rast, ai ka shprehur mirënjohje të veçantë për mentorin e tij, Gazmend Nafezi, për mbështetjen dhe udhëzimin profesional gjatë gjithë procesit të hulumtimit shkencor. /Albinfo.ch

SGB shpall referendumin kundër ligjit të ri mbi pagën minimale

Federata Zvicerane e Sindikatave (SGB) po kundërshton një ndryshim të planifikuar të pagave minimale. Ajo ka vendosur të iniciojë një referendum kundër projektligjit përkatës, njoftoi federata, transmeton albinfo.ch.

Më herët këtë javë, Parlamenti vendosi që marrëveshjet kolektive të negociatave duhet të jenë në gjendje të mbivendosin pagat minimale kantonale në të ardhmen.

Sipas SGB-së, kjo do të mundësonte paga më të ulëta në raste individuale sesa ato të përcaktuara nga kantonet, shkruan srf.ch.

Federata e sindikatave gjithashtu kritikon faktin se është politikisht problematike që marrëveshjet private të kenë përparësi ndaj votave popullore.

BE-ja kërkon më shumë para nga Zvicra për të mbrojtur kufijtë e jashtëm

Zvicra do të paguajë më shumë se sa ishte planifikuar më parë për të luftuar migracionin e parregullt dhe krimin ndërkufitar në kufijtë e jashtëm të Zonës Shengen. Këshilli Federal po i paraqet një propozim Parlamentit për transferimin e 23 milionë frangave zvicerane shtesë në Bruksel.

Në një deklaratë të lëshuar të premten, Këshilli Federal e justifikon kërkesën e tij për më shumë fonde duke përmendur rritjen nga BE-ja prej një miliard frangash në fonde për këto detyra, transmeton albinfo.ch. Si pasojë, kontributi i Zvicrës në të ashtuquajturin fond BMVI do të rritet gjithashtu.

Sipas komunikatës, ky fond është një instrument solidariteti i projektuar për të mbështetur, në veçanti, ato vende të vendosura në kufijtë e jashtëm të BE-së që kanë kosto të konsiderueshme për mbrojtjen dhe menaxhimin e tyre. Zvicra ka kontribuar në fond që nga gushti i vitit 2024.

Këshilli Federal raporton se 160 milionë nga 300 milionë franga të planifikuara fillimisht janë transferuar tashmë. Parlamenti pritet të miratojë një ndarje shtesë, ose më saktë, të rrisë buxhetin e vitit 2027.

Zvicra jo vetëm që do të paguajë më shumë para në fond. Sipas Këshillit Federal, rritja do t’i sigurojë asaj deri në 20 milionë franga shtesë nga fondi. Këto fonde mund të përdoren, ndër të tjera, për zbatimin e Paktit të BE-së për Migracionin dhe Azilin.