Shkurtohen pritjet nëpër pikat kufitare në dalje të Kosovës

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në Kosovë, në përditësimin e fundit, ka njoftuar se janë shkurtuar pritjet nëpër pikat kufitare në dalje të Kosovës.

Më e ngarkuara po vazhdon të jetë ajo në Merdarë, ku pritjet janë deri në 40 minuta, në krahasim me fundjavën, kur pritjet kanë shkuar deri në pesë orë, transmeton albinfo.ch.

Në hyrje të Kosovës, te Dheu i Bardhë, pritjet kanë shkuar deri në 40 minuta, ndërsa në dalje deri në 10 minuta.

Nëpër pikat e tjera nuk është raportuar për kolona apo pritje të gjata.

Cilat janë arsyet e rritjes së qirave në Zvicër?

Rritja e qirasë në Zvicër vazhdon të nxisë debatet politike, sidomos në Zvicrën frëngjishtfolëse. Të majtët dhe të djathtët bien dakord për ekzistencën e një problemi, por nuk pajtohen mbi shkaqet, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Sipas Martin Tschirren, drejtor i Zyrës Federale të Strehimit, pa një rënie të aktivitetit ekonomik, qiratë do të rriten me 3 deri në 5 për qind në vit gjatë viteve të ardhshme. Konfederata e lidh këtë rritje me një ngecje në numrin e njësive të banimit dhe mungesën e zonave të ndërtimit.

Përfaqësuesit e djathtë, si Olivier Feller, këshilltar kombëtar i PLR-së dhe drejtor i Dhomës së Pasurive të Paluajtshme të Vaudit, e konsiderojnë situatën “alarmante”. Ai thekson se rajonet më të dendura të populluara, si ato rreth Liqenit të Gjenevës, po përballen me mungesë të banesave me qira. “Ne duhet të rrisim prodhimin e banesave. Nuk është çështje çmimi, por e disponueshmërisë së banesave me qira”, tha Feller në La Matinale. Numri i lejeve të ndërtimit ka rënë me gati një të tretën në 10 vitet e fundit, ndërsa kundërshtimi ndaj projekteve të ndërtimit mbetet pengesa kryesore sipas Zyrës Federale të Strehimit.

Nga ana tjetër, të majtët, përfaqësuar nga Carlo Sommaruga, president i Shoqatës së Qiramarrësve Zviceranë (ASLOCA) dhe këshilltar socialist në Gjenevë, argumentojnë se problemi qëndron te fitimprurësia e sektorit të strehimit. “Sot, sektori i strehimit është transformuar në entitete investimi financiar që gjenerojnë kthime jashtëzakonisht të larta dhe përdoren për të pasuruar aksionarët në kurriz të qiramarrësve. Publiku përçmohet nga ata që zotërojnë pasuri të paluajtshme”, tha Sommaruga.

Për të kufizuar rritjet e qirasë, ASLOCA ka nisur një iniciativë në maj që synon kontrollin shtetëror të qirave, duke nxitur debate të mëtejshme mes palëve politike për mënyrën më të drejtë për të siguruar strehim të përballueshëm për qytetarët, transmeton albinfo.ch.

Furnizuesi gjerman i automjeteve drejt kolapsit, 600 vende pune në rrezik

Kriza në industrinë gjermane të automobilave po thellohet, duke prekur rëndë edhe grupin e furnizuesve ae në Gerstungen, Turingi. Pas një përpjekjeje të gjatë për shpëtim, fundi i prodhimit duket i pashmangshëm, ndërsa rreth 600 vende pune pritet të humbasin. Komiteti i kreditorëve pritet ta konfirmojë vendimin të hënën, shkruan Bild, transmeton albinfo.ch.

Kompania ae, e specializuar në prodhimin e pjesëve të aluminit të derdhura për karroceri, transmetime dhe motorë, paraqiti kërkesë për falimentim në shkurt 2024. Në atë kohë, grupi kishte rreth 1,000 punonjës, por shpresat për tërheqjen e investitorëve të rinj dështuan. Administratori i falimentimit, Romy Metzger, deklaroi për “Thüringer Allgemeine” se “aktualisht, gjërat duken më shumë si fundi sesa një fund i lumtur”.

Edhe pse kompania konsiderohej e pozicionuar mirë, asnjë ofertë e qëndrueshme nuk u paraqit. Konsulenti i menaxhimit Roland Berger raportoi se kishte kontaktuar 146 kompani në mbarë botën, por të gjitha kanë refuzuar. Klienti kryesor, ZF Friedrichshafen, nuk e pranoi as ofertën e një sipërmarrësi nga Aachen, duke e cilësuar si të papërfunduar.

Ndërkohë, një plan social është negociuar tashmë dhe është krijuar një kompani transferimi për të lehtësuar pasojat e mbylljes. Por, sipas kryetarit të bashkisë së Gerstungenit, Daniel Steffan (CDU), ndikimi mbi komunitetin do të jetë “serioz”.

Sipas deklaratës së komunës, arsyet kryesore të krizës janë kostot tepër të larta të energjisë, burokracia në rritje dhe gjendja e vështirë e industrisë së automobilave gjermane, transmeton albinfo.ch.

 

Austri: Kërkohen ligje më të rrepta për armët

Pas të shtënave në Graz, Të Gjelbrit në Austri po ushtrojnë presion që ligjet për armët, të shpallura nga qeveria, të shtrëngohen sa më shpejt. Ata paralajmërojnë se nga momenti i njoftimit është rritur ndjeshëm numri i shitjeve të armëve, me më shumë se 21 mijë armë që pritet të hyjnë në qarkullim përpara një votimi të mundshëm në tetor, shkruan ORF, transmeton albinfo.ch.

“Ne nuk duam liri për armët, por liri nga armët”, tha udhëheqësja e partisë, Leonore Gewessler, për agjencinë APA. Sipas saj, kush nuk ka nevojë për armë, nuk duhet ta marrë, ndërsa ata që kanë nevojë duhet të kontrollohen “rregullisht dhe me mençuri”.

Masat e kërkuara nga Të Gjelbrit përfshijnë:

ngritjen e moshës minimale për posedim armësh në 25 vjeç

rregulla të sakta për ruajtjen e sigurt të tyre

ndalim të përhershëm për individët e rrezikshëm

shkëmbim të detyrueshëm të informacionit mes autoriteteve

si dhe një program gjithëpërfshirës për kthimin e armëve të paligjshme

Ndërkohë, SPÖ ka kërkuar që kufizimet e reja të vlejnë edhe për blerjet e bëra muajt e fundit, ndërsa ÖVP është shprehur kundër një ndalimi me efekt prapaveprues.

Një datë për mbledhjen e Komitetit të Brendshëm, i cili u vendos të qëndrojë aktiv edhe gjatë pushimeve parlamentare, nuk është caktuar ende, transmeton albinfo.ch.

4 emra, një çmim: Kush do të jetë “Sipërmarrësi shqiptar i vitit 2025” në Zvicër?

Shoqata shqiptaro-zvicerane swissalbs ka bërë të ditur emrat e kandidatëve për çmimin prestigjioz “Sipërmarrësi shqiptar i vitit 2025”, i cili do të ndahet në kuadër të ” Award Gala Night “, më 20 shtator 2025, në Cyrih.

Ky aktivitet, që tashmë organizohet për të pestën herë me radhë, është shndërruar në një ndër ngjarjet më të rëndësishme të komunitetit shqiptar në Zvicër. Ashtu si vitet e kaluara, ceremonia do të zhvillohet në Kongresshaus Zürich, një prej sallave më të mëdha e më prestigjioze të këtij lloji në Zvicër.

Çmimi “Sipërmarrësi i vitit” i dedikohet sipërmarrësve shqiptarë të suksesshëm në Zvicër, të cilët me punën e tyre kanë dhënë shembull frymëzues, duke kombinuar profesionalizmin, inovacionin dhe angazhimin shoqëror.

Ndërkohë, swissalbs ka zbuluar edhe listën e kandidatëve që garojnë për titullin e këtij viti.

Platforma mediale albinfo.ch, si sponsor medial i këtij aktiviteti, do t’ua prezantojë lexuesve emrat e katër të nominuarve, bashkë me historitë e tyre frymëzuese në ditët në vijim.

Edmond Dani nga Proma Jobs

Proma Jobs, e udhëhequr nga Edmond Dani, është një kompani inovative në Zvicër që ofron zgjidhje digjitale në rekrutimin dhe trajnimin e personelit shëndetësor. Me vizion dhe teknologji moderne, ne kontribuojmë në cilësi më të lartë, atraktivitet dhe siguri për institucionet shëndetësore.

 

Besnike Gojani

Dispenzeri i dhëmbëbrushave “Gojabrush”, i zhvilluar nga Besnike Gojani, është një zgjidhje inovative, higjienike dhe ekonomike për shpërndarjen e dhëmbëbrushave njëpërdorimëshe në institucionet shëndetësore. Ai siguron pastërti maksimale dhe efikasitet në përdorim.

Akrivia – Rexhep Rexhepi

Nga Gjeneva në botë: orë të rralla, të punuara me dorë, që bashkojnë traditën e orologjisë gjenevane me një estetikë moderne. Një simbol i precizionit dhe elegancës në Haute Horlogerie.

Shqipe Susuri – Medico Lead

Medico Lead, e themeluar nga Shqipe Susuri, sjell zgjidhje moderne digjitale për të promovuar shëndetin mendor në vendin e punës. Synimi është parandalimi i stresit dhe burnout-it, jo vetëm përkohësisht, por me strategji afatgjata dhe të qëndrueshme.

Duke ndërtuar kultura pune më të shëndetshme dhe duke ofruar formate efikase e të përshtatshme, Medico Lead ndihmon kompanitë të krijojnë mjedise ku punonjësit ndihen më të motivuar, më produktivë dhe më të mbrojtur nga lodhja mendore.

Lexoni po ashtu:

Po afron gala e pestë e çmimeve swissalbs Award Gala Night 2025

Industria farmaceutike zvicerane i reziston presionit të Trump

Industria farmaceutike zvicerane duket e imunizuar ndaj presionit të fundit të administratës së Donald Trump. Presidenti amerikan u ka dhënë ultimatum 17 kompanive kryesore, përfshirë Novartis dhe Roche, duke kërkuar uljen e çmimeve të barnave në Shtetet e Bashkuara deri në fund të shtatorit dhe zhvendosjen e prodhimit në SHBA, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, ekspertët e sektorit thonë se këto kërkesa kanë një ndikim të kufizuar. Çmimet e barnave në SHBA janë katër herë më të larta se mesatarja e OECD-së dhe tregu amerikan funksionon kryesisht përmes ndërmjetësve, që blejnë ilaçe dhe i shesin më tej spitaleve, kompanive të sigurimeve dhe pacientëve. Kjo strukturë bën që administrata amerikane të ketë pak mundësi për të kontrolluar çmimet direkt.

Sipas Fabian Wenner, ekspert farmaceutik në Julius Baer, fabrika zvicerane tashmë kanë kapacitet të mjaftueshëm për të përmbushur kërkesën në SHBA. Vendet e prodhimit, të ndërtuara për t’u mbrojtur nga luhatjet e monedhës, mund të aktivizohen shpejt, duke zvogëluar efektin e tarifave doganore.

Investimet e mëdha të kompanive farmaceutike në SHBA, të njoftuara pranverën e kaluar, tregojnë se qëllimi i zhvendosjes së prodhimit mund të arrihet pa ndikuar ndjeshëm në çmimet për konsumatorët amerikanë. Nga ana tjetër, ekspertët parashikojnë se gjestet e vogla për të kënaqur administratën mund të përfshijnë ulje të çmimeve për pacientët pa sigurim, siç bëri Novo Nordisk javën e kaluar, duke shitur trajtimin e obezitetit me gjysmën e çmimit.

Por ndërhyrja e Trump mund të ketë efekte të padëshiruara jashtë SHBA-së. Kompanitë mund të rrisin çmimet në vendet ku barnat janë më të lira, siç bëri Eli Lilly në Mbretërinë e Bashkuar, ku trefishoi çmimin e një trajtimi të obezitetit. Kjo tregon sfidën e balancimit të presionit amerikan me tregjet ndërkombëtare.

Për Zvicrën, kërcënimi i administratës amerikane mund të ndikojë në prodhimin dhe eksportin e ilaçeve, dhe rrjedhimisht në të ardhurat tatimore dhe vendet e punës. Megjithatë, ekspertët nënvizojnë se sektori mbetet i fortë, me qendrat kërkimore në Bazel të sigurta dhe me ndikim global, transmeton albinfo.ch.

Elektricistët shqiptarë në Zvicër takohen për bashkëpunim dhe shkëmbim përvojash

Të premten e kaluar, një grup i madh elektricistësh shqiptarë që veprojnë në Zvicër janë mbledhur në një takim miqësor me grill në Dietikon, ku përveç atmosferës së ngrohtë, theksi u vu te shkëmbimi i përvojave dhe mundësitë për bashkëpunim ndërmjet kompanive shqiptare.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të disa firmave të njohura shqiptare në fushën e elektros, mes tyre:

Elektro Gonzen GmbH – Vullnet Veseli (Elektrokontrolle, Projektim, PVA, E-Mobility, Trajnime profesionale, etj.), HSN Elektro GmbH – Sulejman Shaini (Elektro Firma und GU), Granit Schaltanlagen GmbH – Granit Dautaj (Prodhim i kombinimeve të pajisjeve elektrike), Netzwerk Dua – Pajtim Gashi (Sisteme video-survejimi, alarminstallime), Elbau Partner GmbH – Agron Shala (Instalime PVA), DiGe Systems – Adilj Ramadani (Sisteme KNX – SmartHome), Elektro Kamberi GmbH – Landrit Kamberi (Shërbime elektro profesionale).

Përveç tyre, në takim morën pjesë edhe shumë elektrikistë të tjerë shqiptarë, të punësuar si në këto kompani, ashtu edhe në firma zvicerane.

Qëllimi i këtij grumbullimi ishte i qartë: të forcohet rrjeti i elektricistëve shqiptarë në Zvicër, të krijohet një grup i fuqishëm dhe i bashkuar, ku bashkëpunimi, ndihma reciproke dhe sukseset e përbashkëta të jenë në qendër.

Organizatori dhe iniciatori për bashkimin e elektrictëve, Vullnet Veseli (Elektro Gonzen GmbH):
“Qëllimi ynë është të ndërtojmë një rrjet të fortë elektricistësh shqiptarë në Zvicër, ku të ndihmojmë njëri-tjetrin me eksperiencë dhe ide, sepse vetëm së bashku mund të arrijmë suksese më të mëdha.”

Aktualisht, grupi i elektricistëve shqiptarë në Zvicër numëron 303 anëtarë, prej të cilëve 35 kompani shqiptare dhe dhjetëra profesionistë të angazhuar në kompani zvicerane.

Organizatori Vullnet Veseli  thekson se ky rrjetëzim m nuk ka për qëllim distancimin nga kolegët zviceranë, përkundrazi,  përvoja e fituar në Zvicër shihet si bazë për të ndihmuar edhe vendlindjen.

Në këtë drejtim, një ndër projektet afatgjata është edhe “Siguria Elektrike dhe Kontrolli Periodik në trojet shqiptare”, që synon sjelljen e standardeve zvicerane në Kosovë, Shqipëri dhe Luginë të Preshevë,  përmes trajnimeve, inspektimeve dhe përgatitjes së profesionistëve lokalë.

Përveç takimeve profesionale, elektricistët shqiptarë e kanë kthyer në traditë edhe aktivitete të tjera sociale e sportive, si: turne në gokart, pingpong dhe grumbullime me grill, të cilat shërbejnë për forcimin e lidhjeve të komunitetit.

Vizioni i tyre është i qartë: të krijojnë një komunitet të fortë shqiptarësh në Zvicër, të ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të sjellin përvoja e standarde të reja edhe në vendlindje.

Lexoni po ashtu:

Bëhen bashkë elektricistët shqiptarë të Zvicrës

 

Austri: Mungesë stafi para fillimit të shkollës

Sipas Departamentit të Arsimit në Tirol, pothuajse të gjitha pozicionet e mësuesve për vitin e ardhshëm shkollor janë plotësuar. Megjithatë, kërkohen ende staf për kujdesin pas shkollës dhe asistentë shkollorë. Institucioni Kinder Bildung Tirol (KIB) raporton se ka 20 pozicione të lira, ekuivalente me kohë të plotë, në arsimin e kohës së lirë dhe 15 në asistencën shkollore, shkruan ORF, transmeton albinfo.ch.

“Kujdesi për fëmijët është kryesisht i siguruar”, theksoi drejtoresha menaxhuese e KIB-it, Andrea Fauner, duke shtuar se fleksibiliteti i orarit lejon të mbulohen boshllëqet në rast emergjence. Aktualisht, KIB punëson rreth 750 persona, shumica me kohë të pjesshme.

Ndërkohë, Drejtoria e Arsimit konfirmoi se në shkollat e mesme dhe të larta ka pasur më shumë aplikime sesa vende të lira. Zëdhënësi Bernhard Deflorian e lidhi këtë me kërkesën e fortë për mësimdhënie.

Në sektorin e kopshteve, situata ndryshon sipas komunave. Në Innsbruck, ku vitet e fundit ka pasur mungesa të theksuara, zëvendëskryetarja e bashkisë, Elisabeth Mayr (SPÖ), tha se “gjërat po përmirësohen”. Për vitin e ardhshëm parashikohet hapja e më shumë grupeve dhe zgjatje të orareve, transmeton albinfo.ch.

Qiramarrësit kundër pronarëve, diskutime mbi heqjen e vlerës së qirasë së imputuar

Shoqata e qiramarrësve dhe ajo e pronarëve të shtëpive janë rikthyer ballë për ballë në një tjetër betejë politike, këtë herë mbi heqjen e vlerës së qirasë së imputuar. Me slogane të kundërta, dy kampet përfaqësojnë interesa që po bëhen gjithnjë e më të ndara në një treg banimi ku çmimet dhe mungesa e hapësirës po e nxisin tensionin publik, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.

Sipas shkencëtarit politik Lukas Golder nga GFS Bern, ky është një konflikt që po ashpërsohet vit pas viti: “Strehimi është bërë më i shtrenjtë dhe më i rrallë. Të gjithë preken, ndaj edhe debati është bërë më emocional. Frontet po ngurtësohen.”

Gregor Rutz, Këshilltar Kombëtar i SVP-së dhe President i Shoqatës së Pronarëve të Shtëpive, e mbron heqjen e qirasë së imputuar si një masë që favorizon qytetarët e thjeshtë, jo spekulantët. “Bëhet fjalë për njerëz që kanë kursyer gjithë jetën për të pasur një banesë të tyren. Nuk po flasim për pronarë me dhjetëra apartamente,” tha ai.

Nga ana tjetër, Michael Töngi i Partisë së Gjelbër dhe Zëvendëspresident i Shoqatës së Qiramarrësve, e sheh propozimin si të padrejtë. Ai paralajmëron se heqja e kësaj norme tatimore do të shkaktonte mungesa prej gati 2 miliardë frangash në arkat publike: “Ne nuk duam që qiramarrësit të përfundojnë duke paguar më shumë taksa ose që shërbimet publike të shkurtohen për të lehtësuar barrën mbi pronarët.”

Golder thekson se propozimi është teknikisht i ndërlikuar, por që shoqata e qiramarrësve mund ta kthejë në një debat më të gjerë për pabarazitë: “Në kuptimin: Ne duam të forcojmë komunitetin e qiramarrësve dhe të mos u japim të pasurve edhe më shumë para.”

Historikisht, pronarët kanë pasur avantazh në këto referendume, edhe sepse shumë qiramarrës ëndërronin një ditë të bëheshin pronarë shtëpish. Por sot, me rritjen e çmimeve të pasurive të paluajtshme, kjo ëndërr është bërë shumë më e largët. Ky realitet, sipas ekspertëve, mund të forcojë edhe më shumë ndarjen mes dy kampeve dhe ta bëjë votimin e ardhshëm më të paparashikueshëm, transmeton albinfo.ch.

Kosovë: Policia kap 18 migrantë të paligjshëm në autobus në Jarinjë

Policia e Kosovës ka ndaluar një autobus të linjës Mitrovicë-Beograd në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, ku gjatë kontrollit janë zbuluar 18 migrantë të paligjshëm, raporton albinfo.ch.

Sipas njoftimit zyrtar, migrantët, që nuk kishin të drejtë hyrjeje apo kalimi në territorin e Kosovës, gjendeshin në katin e dytë të autobusit. Hetimet paraprake dhe intervistat me personat përgjegjës kanë treguar për një përpjekje të qëllimshme për kontrabandim të migrantëve.

Pronari i kompanisë së autobusëve, G.A., dhe shoferi, B.D., kanë mohuar përgjegjësinë, por provat dhe verifikimet e Policisë kanë treguar përfshirjen e tyre direkte në organizimin e transportit ilegal. Të dy janë dërguar në mbajtje.

Nga identifikimi i migrantëve, rezulton se pesë prej tyre janë shtetas palestinezë që kishin hyrë në Kosovë më 23 gusht përmes Aeroportit të Prishtinës me pasaporta jordaneze; gjashtë shtetas të Bangladeshit posedonin viza pune, por ishin subjekt i vendimeve për largim nga Kosova; dhe shtatë shtetas egjiptian hynë në Kosovë përmes Shqipërisë, duke synuar të kalonin në Serbi dhe më tej drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Të gjithë migrantët janë intervistuar në prezencën e avokatëve mbrojtës dhe janë trajtuar sipas procedurave ligjore nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj e Policisë së Kosovës, raporton albinfo.ch.

Edhe katër ditë deri në përfundimin e afatit për regjistrimin e diasporës si votues

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë u ka bërë thirrje diasporës të regjistrohen si votues për të shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

“Diasporë, mos e humb të drejtën tënde”, shkruan KQZ.

Afati i regjistrimit përfundon për katër ditë, pra më 29 gusht. Të gjithë shtetasit e Kosovës me të drejtë vote që jetojnë në perëndim, regjistrimin mund ta bëjnë online në këtë link: https://diaspora.kqz-ks.org ose edhe me postë, në kutinë postare të KQZ-së.

Nga data 23 korrik dhe deri të premten, më 22 gusht 2025, përmes platformës elektronike KQZ ka pranuar 16,902 aplikime për regjistrim për votim me postë, prej të cilave janë aprovuar 13,360, ndërkaq janë refuzuar 3,542.

“Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk kanë paraqitur njërin nga dokumentet që dëshmon adresën e tij jashtë Kosovës (dokument identifikues në të cilin është e shënuar adresa e banimit, vërtetim i adresës nga autoriteti lokal, kontratë të qirasë, faturë shërbimesh, dokument i lëshuar nga banka apo kompania e sigurimit, dokument që dëshmon adresën e personit tek i cili qëndrojnë përkohësisht, dëshmi tjetër banimi për rastet specifike (rezervim hoteli, konvikti, etj.)”, ka njoftuar KQZ.

Vetëm shtetasit e Kosovës që do të regjistrohen gjatë kësaj periudhe, do të mund të votojnë përmes postës në periudhën e cila do të fillojë më 17 shtator dhe do të përmbyllet më 11 tetor 2025.

590 milionë orë vullnetarizëm në Zvicër, 86% e popullsisë kontribuon

Zvicra vazhdon të qëndrojë mes kampionëve të vullnetarizmit në Evropë. Sipas Monitorit të ri të Vullnetarëve, të publikuar nga Shoqata Zvicerane për Përfitime Publike (SGG), qytetarët kontribuan vitin e kaluar rreth 590 milionë orë punë vullnetare,  që nga angazhimi në klube sportive e këshilla prindërish, deri te kujdesi për fqinjët, dhurimi i gjakut ose ndihma financiare, shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.

Studimi tregon se 86 përqind e popullsisë ka ofruar një formë kontributi vullnetar, me 376 milionë orë punë informale që tejkalojnë dukshëm 213 milionë orë vullnetarizëm formal. Megjithatë, krahasuar me matjen e kaluar, të dy format kanë pësuar një rënie të lehtë, duke u rikthyer në nivelet e vitit 2014.

Grupi më aktiv janë personat midis 65 dhe 74 vjeç, ku 49 përqind angazhohen rregullisht. Ata kryejnë edhe pjesën më të madhe të punës informale, kryesisht kujdes për nipërit dhe mbesat. Pas moshës 75 vjeç, përfshirja bie ndjeshëm.

Dallimet nuk lidhen aq shumë me moshën, gjininë apo vendbanimin, sa me statusin kombëtar dhe nivelin arsimor.

48% e qytetarëve zviceranë angazhohen, krahasuar me vetëm 21% të të huajve, personat me shtetësi të dyfishtë janë në mes (38%), vetëm 17% e atyre me arsim bazë ofrojnë ndihmë, ndërsa shifra ngjitet në 48% te personat me diplomë universitare.

Këto dallime, sipas autorëve të raportit, tregojnë se burimet materiale, aftësitë gjuhësore dhe rrjetet sociale e bëjnë shpesh vullnetarizmin “një privilegj”, transmeton albinfo.ch.

Gratë dominojnë në punën informale (56% kundrejt 46% të burrave), ndërsa burrat janë më të pranishëm në klube dhe parti politike (43% kundrejt 40%). Puna e kujdesit jashtë shtëpisë mbetet e pabarabartë: dyfish më shumë gra mbajnë barrën e kujdesit për fëmijë ose të moshuar.

Banorët e Zvicrës gjermanishtfolëse janë më aktivë në klube sesa ata të rajoneve frankofone dhe të Ticinos. Po ashtu, zonat rurale shënojnë një përfshirje më të lartë (47%) krahasuar me zonat urbane (38%), për shkak të densitetit më të madh të shoqatave dhe lidhjeve komunitare.

Shumica e vullnetarëve veprojnë për motive të shumta: dëshira për të ndihmuar (72%) është më e fortë në punën informale, ndërsa kënaqësia nga aktiviteti (61%) dominohet në klube. Përfitimet personale nuk mungojnë  nga fitimi i aftësive të reja deri te avancimi në karrierë. Kjo shpjegon edhe nivelin e lartë të kënaqësisë, mbi 93%.

Në rastet kur dikush largohet nga një organizatë, arsyet kryesore janë angazhimet e karrierës (41%) ose të familjes (29%), transmeton albinfo.ch.

Nga vera te vjeshta, moti ndryshon gjatë javës në Zvicër

Ndërsa e hëna pritet të jetë e ngrohtë dhe me diell, fundi i javës sjell ndryshime të dukshme në mot, paralajmëron MeteoSwiss, transmeton albinfo.ch.

Të hënën, temperaturat në ultësira mund të arrijnë deri në 25 gradë Celsius, me Bazelin që pritet të shënojë shifra mbi 30 gradë. Dielli do të vazhdojë edhe të martën, por nga e mërkura moti do të përkeqësohet. Reshjet dhe stuhitë e para mund të fillojnë që në natën e së mërkurës, me periudha të dendura shiu gjatë pasdites dhe mbrëmjes. Temperaturat do të jenë rreth 26 gradë Celsius, por reshjet pritet të jenë të pakëndshme, sidomos pas orës 21:00.

Nga e enjtja, priten reshje të vazhdueshme në të gjithë vendin, veçanërisht në Alpet qendrore dhe lindore, me temperatura maksimale që bien në rreth 21 gradë Celsius. Fundjava do të jetë e ndryshueshme, me alternime dielli dhe shi.

Sipas MeteoSwiss, ndryshimi i motit lidhet me një sistem me presion të ulët nga ish-uragani Erin mbi Gadishullin Iberik, që do të sjellë ajër të ngrohtë, të lagësht dhe të paqëndrueshëm nga Mesdheu drejt Alpeve, transmeton albinfo.ch.

Kosovë: Federata e Xhudos e para në listë, Kuka ankohet për mungesë përkrahjeje për klubet

Federata e Xhudos e Kosovës ka zënë vendin e parë në listën e federatave sportive të kategorizuara në vend, ndërsa në krye të listës së sportistëve e trajnerëve të kategorizuar gjenden pikërisht xhudistët. Por trajneri i mirënjohur, Driton Kuka, ka ngritur shqetësimin se klubet e xhudos në shumicën e komunave nuk po marrin përkrahjen e merituar, raporton albinfo.ch.

Në një postim në rrjetet sociale, Kuka ka kujtuar sukseset e mëdha që ka sjellë xhudoja për Kosovën, por ka theksuar se pavarësisht medaljeve olimpike, botërore e evropiane, klubet shpesh ndihen të diskriminuara.

“Pesë rrathët i plotësoi xhudoja! Për besë krejt pesë copa! E klubet e xhudos në shumicën e komunave diskriminohen keq! Ngriheni zërin tash para zgjedhjeve komunale!”, ka shkruar Kuka, duke shtuar se shumë prej klubeve nuk kanë përfituar nga thirrjet për aplikime në nivel qendror.

Ai ka kërkuar që buxheti dhe grantet të ndahen në mënyrë të drejtë nga ekspertët në komuna, në mënyrë që zhvillimi i sportit të mos mbetet vetëm te sukseset individuale të pak xhudistëve.

Kosova deri më tani ka pesë medalje olimpike në xhudo,  tri prej tyre të arta  ndërsa lista e medaljeve botërore dhe evropiane është e gjatë.

Driton Kuka, i njohur si trajneri më i suksesshëm shqiptar dhe një ndër më të mirët në botë në këtë sport, edhe në të kaluarën ka kritikuar mungesën e përkrahjes institucionale, duke kërkuar më shumë përgjegjësi nga federatat dhe shteti.

Sipas tij, megjithëse xhudoja është shndërruar në sportin më të suksesshëm në Kosovë, klubet në terren nuk po trajtohen me standarde të barabarta, duke e bërë të domosdoshme që zëri i tyre të dëgjohet më fort, raporton albinfo.ch.

 

Rihapet linja hekurudhore Bernë – Freiburg pas shtatë javësh ndërprerje

Pas shtatë javësh ndërprerje të plotë, linja hekurudhore e SBB-së midis Freiburgut dhe Bernës është rihapur të hënën në mëngjes. Që nga ora 04:00, trenat kanë nisur përsëri qarkullimin sipas orarit të rregullt, duke rikthyer normalitetin për mijëra udhëtarë të përditshëm, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.

Ky itinerar, që është pjesë e boshtit kryesor lindje-perëndim midis Gjenevës dhe St. Gallenit, iu nënshtrua punimeve të mëdha infrastrukturore. Gjatë periudhës së mbylljes, mbi 200 punëtorë ishin të angazhuar në projekte të ndryshme, me një investim prej gjithsej 90 milionë frangash zvicerane.

Punimet kryesore përfshinë rindërtimin e plotë të stacionit Schmitten FR, rinovimin e ndërruesve në anën lindore të stacionit të Freiburgut, mirëmbajtjen e binarëve në zonën e Düdingen si dhe rinovimin e binarëve dhe linjave ajrore midis Bernës dhe Flamatt, njoftoi SBB.

Gjatë kësaj periudhe, udhëtarët u desh të përdornin autobusë zëvendësues ose rrugë devijuese, gjë që shpesh shkaktoi kohë më të gjata udhëtimi. Megjithatë, SBB thekson se mbylljet totale janë shpesh zgjidhja më e mirë, pasi mundësojnë përqendrimin e punës brenda disa javësh, duke reduktuar shqetësimet afatgjata.

Sipas kompanisë hekurudhore, nëse punimet do të ishin kryer pa një mbyllje të plotë të linjës, ato do të kishin zgjatur deri në tre vjet, transmeton albinfo.ch.

Pritje deri në një orë në Merdarë për të dalë nga Kosova

Diaspora ka përfunduar tashmë pushimet verore në Kosovë dhe ka nisur të kthehet drejt vendeve perëndimore ku jeton e punon, raporton albinfo.ch.

Bazuar në të dhënat e Qendrës për Menaxhimin Kufitar, pritjet shkojnë deri në një orë në pikat kufitare për të dalë nga Kosova.

Sipas përditësimit të fundit, pika kufitare më e ngarkuar mbetet ajo në Merdarë, ku pritjet variojnë nga 40 minuta deri në një orë.

Te Dheu i Bardhë pritjet janë deri në 40 minuta, ndërsa në pikat e tjera kufitare situata paraqitet më e qetë dhe pritjet nuk kalojnë pesë minutat, raporton albinfo.ch.

Një natë e trazuar në Prélaz të Lozanës

Lozanë, lagjja Prélaz – ora 22:00

Nga Zamira Bytyqi, për Albinfo

Nata ka mbështjellë Prélaz-in me errësirë, por në rrugë digjen zjarre dhe emocione.

Njerëzit nuk kërkojnë përleshje kërkojnë të dëgjohen.

Pas vdekjes tragjike të një djali 17-vjeçar në një ndjekje me policinë, i cili humbi kontrollin mbi një skuter dhe u përplas për vdekje, tensioni u shndërrua në reagim.

Pamjet nga mbrëmja e sotme janë tërheqëse dhe drithëruese:

-Kontejnerë të djegur mbi asfalt.

-Një autobus i transportit publik i shkatërruar.

-Flakë dhe tym në rrugë, dhe prani e shtuar policore.

Kjo nuk është një protestë politike. Është një shpërthim emocional. Një përgjigje ndaj dhimbjes. Një thirrje: Na shihni, na dëgjoni.

Policia ka nisur hetimet për vdekjen. Deri tani, nuk ka njoftime për të lënduar, por përbashkët ndjehet tensioni.

Ky djalë nuk ishte thjesht një lajm. Ishte një jetë që u ndal papritur. Dhe lagjja, përmes heshtjes së saj që digjet, kërkon reflektim.

Jo për t’u përplasur me dikë, por për t’u kuptuar. Rrugët kërkojnë qetësi, por edhe përgjigje.

Në vend të heshtjes, sonte ka një thirrje: Dëgjoni rininë tuaj

Spanja përjetoi valën më të nxehtë të gushtit që nga fillimi i matjeve

Vala e të nxehtit që goditi Spanjën për 16 ditë gjatë gushtit është cilësuar si më e rënda që nga fillimi i regjistrimeve meteorologjike në vend, njoftoi të dielën Agjencia Kombëtare Meteorologjike (Aemet), shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave paraprake, temperaturat ishin mesatarisht 4.6 gradë Celsius më të larta se ato të një vale tipike të nxehti, duke e tejkaluar edhe rekordin e vendosur në korrik 2022. Midis datave 8 dhe 17 gusht, Spanja regjistroi periudhën më të nxehtë që prej vitit 1950.

Të dhënat historike tregojnë se që nga viti 1975 janë regjistruar 77 valë të nxehti në vend, gjashtë prej të cilave me anomali prej mbi 4 gradë Celsius. Pesë nga këto valë kanë ndodhur që prej vitit 2019, një tregues i përkeqësimit të efekteve të ndryshimeve klimatike.

Sipas Institutit Shëndetësor Carlos III, 1,149 vdekje i atribuohen kësaj vale të nxehti. Megjithëse sistemi MoMo nuk përcakton lidhje shkakësore absolute mes kushteve të motit dhe vdekjeve, ai jep vlerësimin më të besueshëm për ndikimin e temperaturave ekstreme.

Përveç rritjes së vdekshmërisë, vala e të nxehtit ka nxitur edhe zjarre masive pyjore në Spanjë dhe Portugali, ku tetë persona kanë humbur jetën dhe mbi 400 mijë hektarë janë shkatërruar nga flakët, transmeton albinfo.ch.

Rritet kërkesa për mësimin e gjermanishtes në botë, pse?

Një studim i fundit i publikuar nga Ministria e Jashtme Gjermane nxjerr në pah një trend të qartë: mësimdhënia e gjermanishtes është një profesion me të ardhme dhe gjermanishtja po kërkohet gjithnjë e më shumë në shkolla, universitete dhe institute gjuhësore në mbarë botën. Studimi, i cili publikohet një herë në pesë vjet dhe u prezantua në Konferencën Ndërkombëtare të Mësuesve të Gjermanishtes (IDT) në Lübeck, analizon trendet globale të mësimit të gjuhës gjermane dhe sfidat që lidhen me të, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportit, motivet kryesore për të mësuar gjermanisht nuk janë më thjesht për letërsi apo kulturë. Gjermanishtja mësohet kryesisht për të përgatitur studentët dhe profesionistët për studime, trajnime dhe mundësi punësimi në Gjermani. Kjo ka çuar në rritje të interesit veçanërisht në vende si Indi, Kenia, Egjipti, Kameruni dhe Maroku. Në Indi, për shembull, marrëveshjet e mobilitetit me Gjermaninë që nga viti 2022 kanë nxitur kërkesën për kurse gjermanishtje, duke përfshirë edhe specializime profesionale në infermieri dhe fusha të tjera.

Megjithatë, sfida kryesore mbetet mungesa e mësuesve të kualifikuar. Në shumë vende, si në Nigeri, Japonia dhe Kore, përgatitja e mësuesve të gjermanishtes është e kufizuar, ndërsa në disa rajone të Amerikës Latine programet janë ndërprerë për shkak të prioriteteve për gjuhët e tjera, kryesisht anglishten. Trajnimi i mësuesve kërkon jo vetëm njohuri gjuhësore, por edhe metodologji bashkëkohore, didaktikë, aftësi ndërkulturore dhe njohuri për tregun e punës gjerman. Për këtë qëllim ofrohen njëqind bursa për kurse dhe specializime në Gjermani, në mënyrë që mësimdhënësit të kenë mundësi të përcjellin një imazh real dhe aktual të Gjermanisë, transmeton albinfo.ch.

Studimi nënvizon gjithashtu rëndësinë e aftësive ndërkulturore dhe sensibilitetit ndaj vlerave dhe praktikave të ndryshme. Programet si “Fit për tregun gjerman të punës”, “Urë profesionale” dhe “Paraintegrimi dhe menaxhimi i tranzicionit” synojnë përveç gjuhës, edhe përgatitjen për jetën në Gjermani, duke përfshirë njohuritë mbi shumëllojshmërinë, përfshirjen sociale, temat LGBTQ+ dhe çështjet gjinore.

Një aspekt i rëndësishëm i studimit është përdorimi i metodave bashkëkohore dhe teknologjisë, përfshirë inteligjencën artificiale, për të lehtësuar mësimdhënien dhe për të përgatitur nxënësit për jetën akademike dhe profesionale në Gjermani. Drejtoresha e Institutit Goethe në Berlin, Manuela Beck, thekson se kurset online po shtohen, por nuk mund të zëvendësojnë mësimin në klasë, veçanërisht kur bëhet fjalë për zhvillimin e aftësive praktike dhe ndërpersonale.

Përfundimisht, studimi konkludon se gjermanishtja mbetet një gjuhë me perspektiva të larta profesionale dhe edukative, me një rol të rëndësishëm në hapësirën ndërkombëtare, transmeton albinfo.ch.

Bazeli do votojë për marrëdhënie më të ngushta me Evropën

Më 28 shtator, kantoni i Bazel-Stadt do të vendosë për iniciativën “Zämme in Europa”, e cila kërkon që në kushtetutën kantonale të përfshihet angazhimi për marrëdhënie “të mira dhe të qëndrueshme” me Bashkimin Evropian dhe vendet fqinje, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.

Iniciativa ka mbështetje të gjerë politike: nga SP te GLP e LDP, shumica e partive janë për, ndërsa vetëm SVP e kundërshton. Parlamenti kantonal e miratoi propozimin me 79 vota për dhe 13 kundër, duke i hapur rrugën referendumit. Qeveria e Bazelit gjithashtu e përkrah nismën.

Përkrahësit theksojnë se Bazeli është i lidhur ngushtë me Evropën: rreth një e treta e punonjësve vijnë nga jashtë, ndërsa çdo ditë 34 mijë persona kalojnë kufirin për të punuar në kanton. “Bazeli është në zemër të Evropës; ne kemi nevojë për Evropën dhe Evropa ka nevojë për ne”, tha Këshilltarja Kombëtare e SP-së, Sarah Wyss, duke theksuar se ndryshimi kushtetues do të shërbente si udhërrëfyes për qeverinë kantonale në çështjet federale dhe ndërkantonale.

Nga ana tjetër, SVP e konsideron nismën të panevojshme dhe të tepruar. “Bashkëpunimi me vendet fqinje është tashmë i rregulluar mirë; një nen shtesë kushtetues nuk sjell asgjë tjetër veç shpenzimeve,” u shpreh Këshilltari i Madh i SVP-së, Pascal Messerli. Ai shtoi se politika e jashtme është kompetencë e qeverisë federale dhe jo e kantoneve.

Iniciatorët, megjithatë, insistojnë se votimi është një mundësi për të riafirmuar rëndësinë e Evropës për rajonin dhe për të forcuar mbështetjen ndaj traktateve dypalëshe. Një iniciativë e ngjashme pritet të hidhet në votim edhe në kantonin fqinj Basel-Landschaft, megjithëse ende nuk është caktuar data, transmeton albinfo.ch.

Kosova përballet me dëme të konsiderueshme nga zjarret

Kosova muajt e fundit është përballur me një valë zjarresh që ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa komuna. Komuna e Mitrovicës raporton se vetëm në këtë rajon, dëmi nga flakët vlerësohet rreth 110 mijë euro, pa përfshirë sipërfaqet malore, shkruan KOHA, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave zyrtare, zjarret kanë shkatërruar ose dëmtuar 7 shtëpi, 1 stallë, 3 objekte përcjellëse dhe kanë prekur kafshë të ndryshme. Gjithashtu, sipërfaqe të mëdha bujqësore dhe malore, rreth 900 hektarë, janë dëmtuar nga flakët. Dy fshatra në komunën e Mitrovicës kanë pësuar dëme të mëdha materiale.

Komuna e Podujevës raporton se nga 1 qershori deri më 20 gusht janë regjistruar 327 vatra zjarri. Nga këto, 3 shtëpi, 2 objekte ndihmëse, 2 stalla, 1 objekt biznesi dhe një trafo elektrike janë dëmtuar, ndërsa sipërfaqe të mëdha pyjore dhe bujqësore, përkatësisht 154.5 hektarë pyje dhe 17.1 hektarë tokë me pemë dhe grurë, janë prekur nga flakët. Komuna thotë se ende nuk ka fond për kompensimin e dëmeve dhe se nuk ka pranuar kërkesa nga qytetarët për raportim të tyre.

Agjencia e Menaxhimit Emergjent njofton se situata me zjarret është aktualisht e qetë, megjithëse gjatë mesit të gushtit rajonet më të prekura kanë qenë fshatrat Kqiq i Vogël, Zasellë, Meshinë, Tugjevc, Dumnicë, Merdar dhe Orllan, transmeton albinfo.ch.

Debat për tatimin e bakshisheve në Zvicër

Bakshishet në restorantet zvicerane janë në qendër të një debati të ri. Avokati i punës Thomas Geiser ka deklaruar se ato duhet të trajtohen ligjërisht si paga dhe rrjedhimisht të tatohen. Sipas tij, ligji parasheh që vetëm bakshishet e papërfillshme mund të kalojnë direkt te punonjësit, ndërsa çdo shumë tjetër duhet të llogaritet dhe të përfshihet në kontributet e sigurimeve shoqërore, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.

Qeveria federale vlerëson se në Zvicër çdo vit jepen deri në një miliard franga bakshishe, por shuma e saktë mbetet e paqartë. Meqë pagesat me kartë janë gjithnjë e më të zakonshme, këto të ardhura po bëhen të dukshme dhe, sipas Geiser, nuk mund të trajtohen më si “para të zeza”. Ai thekson se tatimi i tyre do të rriste pensionet e punonjësve të shërbimit dhe do t’i siguronte më mirë në rast papunësie.

Megjithatë, propozimi ka shkaktuar reagime të forta në industrinë e restoranteve. Përfaqësues të Gastro Baselland dhe pronarë restorantesh theksojnë se sektori ka çështje më urgjente sesa ndryshimi i praktikave për bakshishet. Punonjës të shërbimit gjithashtu shprehen kundër, duke theksuar se nuk duan të paguajnë taksa për bakshishet që marrin nga klientët.

Nga ana tjetër, disa sipërmarrës, si Manuel Wiesner, kanë përqafuar modelin e ri duke i përfshirë bakshishet në paga dhe duke paguar tatimet përkatëse. Sipas tij, kjo është mënyra më transparente dhe e drejtë për punonjësit, të cilët në disa raste fitojnë deri në 60 për qind të të ardhurave të tyre përmes bakshisheve, transmeton albinfo.ch.