Swiss pagëzon avionin e ri A350-900: “Lausanne” ngjitet mbi Alpet drejt Cyrihut

Avioni më i ri i flotës së Swiss, Airbus A350-900, ka bërë fluturimin e tij të parë nga fabrika e Airbus në Tuluzë drejt Cyrihut, duke shënuar një moment të rëndësishëm për transportuesin kombëtar zviceran, transmeton albinfo.ch.

Në udhëtimin e parë, A350-900 – që mban emrin “Lausanne” – zgjodhi një itinerar mbresëlënës mbi Alpet: fluturoi mbi Liqenin e Gjenevës, Luginën e Ronës, kaloi pranë majës madhështore të Matterhorn-it dhe përfundoi mbi Liqenin e Lucernës.

Në Aeroportin e Klotenit, avioni u prit me traditën e “dushit ujor”, ndërsa dhjetëra adhurues të aviacionit ndoqën uljen rreth orës 15:30.

Në një ceremoni gala, Swiss njoftoi se A350-900 do të shërbejë si gur themeli për zgjerimin e linjave ndërkontinentale. Deri në vitin 2031, kompania planifikon të shtojë edhe nëntë avionë të tillë në flotë.

Me kapacitet prej 242 ulësesh dhe një rreze fluturimi prej rreth 13,700 kilometrash, A350-900 do të debutojë në linjën e tij të parë të gjatë këtë dimër drejt Bostonit.

Donald Trump, në pritje të Nobelit për Paqe

Por ndërsa bota pret emrin e laureatit të radhës, një zë i njohur ka filluar të bëhet gjithnjë e më i zëshëm, ai i presidentit amerikan, Donald Trump, përcjell albinfo.ch.

Trump ka kohë që pretendon se e meriton këtë çmim prestigjioz, duke e quajtur veten një faktor kyç në nxitjen e paqes në Lindjen e Mesme. Që në mandatin e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, ai deklaronte se “shumë njerëz” mendonin se ishte i denjë për Nobelin.

Gjatë një takimi në muajin shkurt me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, Trump u shpreh i bindur për meritat e tij, por gjithashtu skeptik për një shpërblim nga komiteti Nobel: “Ata kurrë nuk do të më japin një Çmim Nobel për Paqen. E meritoj, por ata kurrë nuk do të ma japin.”

Kosova sonte synon fitore ndaj Sllovenisë

Kombëtarja e Kosovës do të luajë sonte një ndeshje tepër të rëndësishme kundër Sllovenisë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026. Takimi zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 20:45, përcjell albinfo.ch.

Pas dy ndeshjeve të para në Grupin B, Kosova renditet në vendin e dytë me 3 pikë, pas Zvicrës që kryeson me 6 pikë të plota. “Dardanët” kanë një fitore dhe një humbje (2:4 golavarazh), ndërsa Sllovenia ndodhet në vendin e katërt me vetëm një pikë të fituar pas dy takimeve të para.

Skuadra e trajnerit Franco Foda kërkon fitoren e dytë në grup për të qëndruar në garë për vendet e para që sigurojnë pjesëmarrjen në Botërorin 2026. Atmosfera në ekip është pozitive, ndërsa stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë i mbushur me tifozë për të përkrahur Kosovën drejt një rezultati të madh.

Në grupin B bëjnë pjesë gjithashtu Zvicra dhe Suedia, të cilat po ashtu garojnë për kualifikim në fazën finale të turneut më të madh të futbollit botëror.

Arben Fetai: Diaspora është kapital strategjik kombëtar

Në prag të zgjedhjeve lokale të tetorit në Maqedoninë e Veriut, Albinfo.ch, si medium i diasporës shqiptare në Zvicër dhe në Evropë, zhvilloi një bisedë me zëvendëskryeministrin Arben Fetai, i cili ushtron pozicionin e Zëvendëskryeministrit për Politikat dhe Qeverisjen e Mirë.
Me përvojë të formuar në perëndim dhe lidhje të forta me komunitetin e mërgatës, Fetai përfaqëson një brez të ri politikanësh që synon ta kthejë përvojën dhe dijen e diasporës në vlera konkrete për zhvillimin institucional të vendit.

Në vijim, sjellim thelbin e qëndrimeve të tij mbi zhvillimin lokal, transparencën dhe përfshirjen e diasporës në proceset politike dhe ekonomike të Maqedonisë së Veriut.

Zhvillimi lokal dhe prioritetet infrastrukturore

Sipas zëvendëskryeministrit Fetai, qeveria VLEN ka vendosur si prioritet mbylljen e problemeve të trashëguara infrastrukturore në vendbanimet shqiptare, të cilat për dekada janë lënë pas dore.
“Asnjë vendbanim shqiptar nuk duhet të përballet më me mungesë të ujit të pijshëm, kanalizimeve apo rrugëve të amortizuara,” thekson ai, duke shtuar se janë financuar qindra projekte në komunat me shumicë shqiptare me një vlerë të përgjithshme prej 80 milionë euro në vit.  Sipas Fetait, ky është një hap thelbësor drejt barazimit rajonal dhe përmirësimit të standardeve të jetesës në zonat shqiptare.

Qeverisja e mirë dhe transparenca

Në lidhje me standardet e qeverisjes, Fetai thekson se në 15 muajt e qeverisjes, VLEN nuk ka pasur asnjë rast të raportuar të korrupsionit.
“Ne jemi organizatë e njerëzve të përgjegjshëm dhe të pastër, të cilët besojnë në funksionimin e shtetit të së drejtës. Ligji duhet të vlejë për secilin, pavarësisht bindjeve politike apo përkatësisë partiake,” deklaron ai.
Ai shton se çdo kandidat i VLEN-it ka program të qartë për transparencë, përfshirje qytetare dhe menaxhim efikas të burimeve lokale, duke e konsideruar këtë “themelin e besimit publik”.

Një frymë e re politike

Fetai vlerëson se këto zgjedhje shënojnë një frymë të re në skenën lokale shqiptare. “VLEN garon me kandidatë të rinj, profesionistë dhe të arsimuar në universitetet më të njohura perëndimore. Ata nuk kanë bagazh korrupsioni dhe përfaqësojnë një qasje të re ndaj politikës – të bazuar në punë, meritë dhe integritet,” thekson ai.
Ndër prioritetet themelore ai rendit infrastrukturën bazë, pastërtinë, rendin publik, kulturën dhe zhvillimin urban të qëndrueshëm, duke e parë komunën si hapësirë të parë të reformës dhe përgjegjësisë publike.

Diaspora si partner zhvillimi

Në thelb të vizionit të Fetait qëndron diaspora shqiptare, të cilën ai e cilëson si “kapital strategjik kombëtar”.
“Diaspora përbën një pasuri të shumëfishtë për vendin – ekonomike, intelektuale dhe morale. Ne e trajtojmë atë si partner të zhvillimit dhe jo si spektator të largët të politikave tona,” deklaron ai.
Sipas Fetait, qeveria po punon për krijimin e kushteve më të favorshme për investime, përkrahje procedurale dhe lehtësira për sipërmarrësit e mërgatës që duan të kontribuojnë në vendlindje.
Ai shton se kontaktet e tij të vazhdueshme me përfaqësues të diasporës në Evropë dhe më gjerë janë pjesë e një dialogu të hapur, që synon ta përfshijë mërgatën në hartimin e politikave të zhvillimit ekonomik dhe social.

E drejta e votës dhe përfshirja politike e mërgatës

Sipas ligjeve aktuale, e drejta e votës për zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut mund të ushtrohet vetëm brenda vendit. Megjithatë, Fetai vlerëson vetëdijen e lartë qytetare të mërgatës shqiptare.
“Ne presim mijëra bashkatdhetarë që do të kthehen për të votuar në vendlindje. Ata kanë familje, prona dhe plane konkrete për t’u rikthyer. Ky angazhim është dëshmi e lidhjes së fortë shpirtërore me vendin dhe ne e inkurajojmë fuqimisht,” shprehet ai.

Deklaratat e zëvendëskryeministrit Arben Fetai përbëjnë një vizion të qartë për ndërlidhjen midis institucioneve shtetërore dhe diasporës shqiptare si faktor strategjik në zhvillimin e vendit.
Në një kohë kur remitancat, ekspertiza dhe rrjetet profesionale të mërgatës kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë kombëtare, sfida qëndron në institucionalizimin e këtij bashkëpunimi dhe kthimin e tij në politika afatgjata.
Albinfo.ch mbetet e përkushtuar të ndjekë këtë dialog të rëndësishëm, duke nxitur përfshirjen reale të diasporës në proceset vendimmarrëse dhe forcimin e qeverisjes së mirë në Maqedoninë e Veriut.

Për Albinfo intervistën e realizoi: Luljeta Ademi

 

Rikthehet sot Kuvendi pas vendimit të Kushtetueses

Pas mbi një muaji pauzë, Kuvendi i Kosovës rikthehet sot në orën 10:00 me një seancë të re konstituive, në tentativë për të përfunduar procesin që ka ngecur që nga 15 prilli.

Njoftimi është bërë në faqen zyrtare të parlamentit,  ku në rend dite është një pikë, “zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radha e komunitetit serb”.

Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj të plotë, ka konstatuar se “Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, kishte përmbyllur seancën e kaluar më 30 gusht pa zgjedhjen e këtij nënkryetari, duke lënë procesin pezull për më shumë se një muaj.

Shqiptarja nga Kosova në mesin e 25 lidereve më me ndikim në SHBA

Nga Kosova në Amerikë: Suksesi i Besës në “The Mighty 25”.

Shqiptarja me origjinë nga Kosova, Besa Tafilaj Pinchotti, është përfshirë në listën prestigjioze amerikane “The Mighty 25”, që nderon liderët më me ndikim në komunitetin e familjeve ushtarake, përcjell albinfo.ch.

Si drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës Kombëtare të Familjeve Ushtarake (NMFA), ajo është vlerësuar për kontributin e jashtëzakonshëm në mbështetjen e bashkëshortëve dhe fëmijëve të ushtarakëve në SHBA.

Ky nderim e vendos Besën në mesin e figurave të njohura si Elizabeth Dole, George W. Bush dhe Princi Harry, duke e bërë njëherësh krenari për komunitetin shqiptar në Amerikë dhe Kosovë. /Albinfo.ch

Liriona Morina në mesin e dhjetë avokatëve të rinj më të mirë të Evropës

Avokatja nga Kosova, Liriona Morina, së bashku me ekipin e saj, është renditur në Top 10 më të mirët e “Young European Lawyers Contest 2025”, garë prestigjioze e organizuar nga Akademia Evropiane e Drejtësisë (ERA). Në renditjen përfundimtare, ekipi i saj u pozicionua në vendin e gjashtë, duke u bërë pjesë e elitës së re juridike në nivel evropian, përcjell albinfo.ch.

Ky rezultat përbën një arritje të rëndësishme për avokatët e rinj, të cilët përmes kësaj gare testuan njohuritë, aftësitë analitike dhe praktike në zbatimin e ligjit të Bashkimit Evropian.

Liriona Morina theksoi se ky sukses është një moment krenarie jo vetëm personale, por edhe profesionale, veçanërisht për faktin se ajo ishte përfaqësuesja e vetme nga Ballkani në këtë kompeticion ndërkombëtar.

“Pas një rrugëtimi të gjatë, ndihem krenare që, së bashku me ekipin tim, arritëm të renditemi në Top 6-të Avokatët e Rinj më të mirë në Evropë.

Mbi të gjitha, ndjej krenari të veçantë që, si përfaqësuesja e vetme nga Ballkani, pata nderin të përfaqësoj vendin tim, Kosovën”, ka deklaruar Morina.

Akademia Evropiane e Drejtësisë (ERA) është një nga institucionet më të njohura në fushën e trajnimeve juridike në Evropë, me seli në Trier të Gjermanisë, e cila ofron programe të specializuara për juristë, gjyqtarë dhe avokatë nga e gjithë bota.

Përmes këtij suksesi, Liriona Morina konfirmon edhe njëherë rritjen e prezencës profesionale të juristëve kosovarë në skenën evropiane, duke e vendosur emrin e saj në mesin e talenteve premtuese të drejtësisë bashkëkohore.

Gjermania shtrëngon politikën e migracionit dhe shtetësisë, çfarë parashihet?

Bundestagu ka vendosur të forcojë politikat e migracionit duke hequr “turbo-natyralizimin” dhe duke zbatuar Sistemin e Përbashkët të Azilit në BE.

Qeveria e re e Kancelarit Friedrich Merz ka deklaruar se një nga prioritetet kryesore është kufizimi i migracionit të parregullt. Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrint, po nxit zbatimin e ligjeve më të ashpra në nivel evropian, për të lehtësuar dëbimet e atyre që nuk kanë të drejtë për mbrojtje.

Jo vetëm emigrantët e rinj, por edhe të huajt që tashmë jetojnë në Gjermani do të përballen me shtrëngime të reja. Marrja e shtetësisë gjermane përmes procesit të përshpejtuar, e miratuar vitin e kaluar, është hequr. Ky ligj kishte lehtësuar marrjen e pasaportës për personat që kishin qëndruar pesë vjet në vend, në vend të tetë, si më parë, dhe kishte synuar të tërhiqte ekspertë të huaj dhe të lehtësonte integrimin e punëtorëve mysafir.

Ministri Dobrint thekson se pasaporta gjermane duhet të vijë në fund të procesit të integrimit dhe jo në fillim, duke argumentuar se marrja e shtetësisë brenda tre vitesh nuk do të jetë më e mundur pa plotësuar standarde të larta të integrimit, gjuhës dhe financimit të jetesës.

Opinioni publik është i ndarë: disa e konsiderojnë këtë hap të arsyeshëm, ndërsa studiuesit paralajmërojnë se mund të ndikojë negativisht tek emigrantët me kualifikim të lartë.

Reforma e azilit në BE
Gjermania po zbatohet reforma e Sistemit të Përbashkët Evropian të Azilit (CEAS), që synon standardizimin e procedurave në kufijtë e jashtëm të BE-së dhe mundësinë e kthimit të azilkërkuesve në vende të treta të sigurta. Shtetet anëtare kanë afat deri në qershor 2026 për zbatimin.

Në Gjermani, qeveria ka nisur miratimin e projektligjit për këtë reformë, ndërsa ministri Dobrint kërkon të forcojë më tej rregullat, duke diskutuar edhe për të ashtuquajturin “element lidhës” që përcakton vendin e kthimit për migrantët. CDU, CSU dhe SPD synojnë heqjen e kësaj kërkese, dhe edhe BE-ja po shqyrton ndryshime të ngjashme.

Komisioni Evropian ka propozuar që lidhja e azilkërkuesve me vendet e treta të mos jetë më e detyrueshme, duke lejuar që ata të shqyrtohen në vende të treta të sigurta me marrëveshje të garantuar për azil. Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së duhet të miratojnë akoma ndryshimet dhe Sistemin e ri të Përbashkët të Kthimit për të bërë deportimet më efikase.

Tre të rinj arrestohen në Belgjikë për plane sulmesh terroriste ndaj politikanëve

Autoritetet belge kanë arrestuar tre të rinj të dyshuar për planifikimin e sulmeve terroriste ndaj politikanëve, përfshirë kryeministrin Bart De Wever.

Prokurorja federale Ann Fransen bëri të ditur se të arrestuarit, të lindur në vitet 2001, 2002 dhe 2007, u ndaluan të enjten në mëngjes në Antwerp nën dyshimin për tentativë vrasjeje terroriste dhe pjesëmarrje në aktivitetet e një grupi terrorist. Dy prej të dyshuarve mbeten në paraburgim dhe do të paraqiten përpara gjyqtarit hetues, ndërsa i treti është liruar.

“Ekzistojnë shenja që tregojnë se sulmi ishte i frymëzuar nga ideologjia xhihadiste dhe synonte politikanët,” tha Fransen në një konferencë për shtyp.

Mes personave të synuar ishte edhe De Wever, ish-kryetar i bashkisë së Antwerpit. Gjatë bastisjeve në lagjen Deurne të Antwerpit, hetuesit gjetën një pajisje joaktive që ngjante me një bombë të improvizuar dhe një qese me topa çeliku.

Një printer 3D u sekuestrua nga një tjetër i dyshuar, i cili dyshohet se mund të ishte përdorur për të prodhuar komponentë bombash. Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu prova që lidhen me planet për të përdorur një dron për vendosjen e pajisjes. Në total, u kryen katër kontrolle shtëpish me ndihmën e ekipeve anti-bombave dhe policisë federale.

Fransen theksoi se ky rast reflekton rrezikun e vazhdueshëm të terrorizmit në Belgjikë. Sipas prokurorëve belgë, gjatë këtij viti janë hapur rreth 80 raste të reja terrorizmi, më shumë se numri total i rasteve në vitin 2024.

 

Parashikimi i OFS: Numri i nxënësve në shkollat fillore në Zvicër pritet të bjerë ndjeshëm deri në 2034

Një rënie e konsiderueshme e numrit të nxënësve në shkollat fillore pritet që të nisë që nga viti 2027, njofton Zyra Federale e Statistikave (FSO). Si pasojë, nevoja për mësues të rinj në këtë nivel pritet të ulet ndjeshëm.

Sipas FSO-së, kjo tendencë lidhet me rënien e lindjeve në Zvicër që nga viti 2022. Numri i nxënësve të shkollave fillore pritet të ndalojë së rrituri shpejt dhe më pas të bie ndjeshëm, me një ulje prej 7% midis viteve 2025 dhe 2034, transmeton albinfo.ch.

Kjo ulje pritet të prekë të gjithë kantonet. Sa i përket mësuesve, numri i tyre pritet të ulet me rreth 4,500 gjatë dhjetë viteve të ardhshme, një rënie prej 6%, sipas OFS-së.

Gati pa mungesë mësuesish

Nevoja vjetore për rekrutimin e mësuesve të rinj gjithashtu pritet të ndikojë. Nga 6,000 mësues të rinj të punësuar në vitet 2022 dhe 2023, kërkesa pritet të ulet në rreth 5,000 këtë vit, dhe më pas gradualisht të bie në rreth 3,000 deri në vitin 2034. Kjo përfaqëson një rënie prej 40% midis viteve 2025 dhe 2034.

Deri në vitin 2032, oferta e mësuesve të sapo kualifikuar mund të përmbushë pothuajse të gjithë nevojën në shkollat fillore në të gjithë Zvicrën. Vetëm rajoni i Zvicrës Veriperëndimore mund të ketë një numër të pamjaftueshëm të të diplomuarve të rinj deri në vitin 2034, me një ofertë 10% më të ulët se nevoja.

Të interpretohet me kujdes

Sipas OFS-së, është e vështirë të parashikohet saktësisht numri i mësuesve të rinj që do t’u nevojiten shkollave. Shumë faktorë duhet të merren parasysh, përfshirë largimin e mësuesve nga shërbimi, punën me kohë të pjesshme ose pushimet e karrierës për arsye të prindërimit ose rikthimit në punë.

Rezultatet e modelit duhet të interpretohen me kujdes dhe të merren si tendenca, shkruan FSO. Masat strukturore, reformat ose ndryshimet në sjelljen e palëve të ndryshme mund të kenë ndikim. Po ashtu, evolucioni i lindjeve mbetet i pasigurt.

 

20 kombëtaret që kanë siguruar kualifikimin për Botërorin 2026

Me kualifikimin e Algjerisë, numri i ekipeve që kanë siguruar pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2026 është rritur në 20. Në këtë edicion, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë, do të marrin pjesë gjithsej 48 ekipe, që lë 28 vende të lira për tu plotësuar.

Nga Evropa, pjesëmarrja e kombëtareve është 16. Më poshtë është lista e ekipeve që deri tani kanë siguruar kualifikimin, sipas kontinenteve:

Vendet nikoqire:

Kanadaja

Meksika

Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Azia:

Australia

Koreja e Jugut

Japonia

Jordania

Irani

Uzbekistani

Afrika:

Algjeria

Egjipti

Maroku

Tunizia

Amerika e Jugut:

Argjentina

Brazili

Kolumbia

Ekuadori

Paraguai

Uruguai

Oqeania:

Zelanda e Re

Kjo listë përfshin ekipet që kanë arritur të sigurojnë pjesëmarrjen e tyre në Botërorin e ardhshëm.

Serbia ndërmerr masa për ndeshjen me Shqipërinë

Federata Serbe e Futbollit (FSS) ka shpërndarë një njoftim për shtyp ku informon për masat e marra lidhur me ndeshjen Serbi-Shqipëri, që do të zhvillohet më 11 tetor në Leskovac.

“Biletat për këtë takim janë të personalizuara dhe nuk do të lejohet hyrja në stadium nëse emri në biletë nuk përputhet me dokumentin personal. FSS paralajmëron se në disa qytete të jugut të Serbisë ka pasur tentime për të blerë bileta në mënyrë të paligjshme, dhe çdo blerje e tillë do të jetë e pavlefshme, pasi nuk do të lejohet hyrja në stadium”, thekson federata.

Për shkak të masave të rrepta të sigurisë, të gjithë çakmakët, monedhat metalike dhe objektet e forta do të konfiskohen gjatë kontrollit në dy pika hyrjeje. FSS i bën thirrje tifozëve që të vijnë me kohë, në mënyrë që të marrin pjesë në ndeshje pa vonesa dhe në përputhje me rregullat. Siguria e lojtarëve, zyrtarëve, tifozëve dhe të gjithë pjesëmarrësve është prioritet absolut i Federatës dhe autoriteteve shtetërore.

Federata shton se nuk do të lejojë asnjë situatë që mund të rrezikojë zhvillimin normal të ndeshjes ose të shkaktojë dëme për ekipin kombëtar, federatën ose vendin.

“Të gjitha autoritetet e rendit do të veprojnë në mënyrë profesionale, të vendosur dhe pa vonesë ndaj çdo përpjekjeje për të shkaktuar incidente ose për të prishur rendin dhe qetësinë,” përfundon FSS.

Shurupi i kollës shkakton vdekjen e 17 fëmijëve, arrestohet pronari i kompanisë

Policia në Indi ka arrestuar pronarin e kompanisë Sresan Pharma, e cila prodhonte shurupin e kollës përgjegjës për vdekjen e 17 fëmijëve.

Lajmi është konfirmuar nga një zyrtar i lartë policor për agjencinë Reuters.

S. Ranganathan, pronari i kompanisë me bazë në Tamil Nadu, u arrestua të mërkurën në Chennai dhe pritet të paraqitet para gjykatës.

Të gjithë fëmijët e prekur ishin nën pesë vjeç. Ata vdiqën muajin e kaluar pas konsumimit të shurupit “Coldrif”, i cili përmbante një sasi jashtëzakonisht të lartë të dietilen glikolit, një substancë toksike e përdorur kryesisht në industri si antifriz dhe tretës. Testet laboratorike treguan se përqendrimi i kësaj substance ishte pothuajse 500 herë mbi nivelin e lejuar.

Pas këtij incidenti, përdorimi i shurupit “Coldrif” është ndaluar në disa zona të Indisë. Ligji indian kërkon që çdo kompani farmaceutike të kontrollojë jo vetëm lëndët e para, por edhe secilën seri të produktit të përfunduar. Megjithatë, tragjedia zbuloi mangësi serioze në zbatimin e këtyre rregullave.

Pas incidenteve të ngjashme në vitin 2023, kur shurupet indiane lidhen me vdekjen e më shumë se 10 fëmijëve në Gambia, Uzbekistan dhe Kamerun, qeveria indiane vendosi kontrolle shtesë mbi eksportet e shurupit të kollës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) reagoi duke theksuar se ky rast tregon një boshllëk të madh në mbikëqyrjen e barnave brenda dhe jashtë Indisë. OBSH paralajmëroi gjithashtu se disa eksportime mund të jenë kryer në mënyrë jozyrtare dhe pa kontroll adekuat.

Stërvitja e fundit e kuqezinjve para udhëtimit në Serbi

Kombëtarja shqiptare zhvilloi sot seancën e fundit stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit” nën drejtimin e trajnerit Silvinjo.

Stërvitja u fokusua te përgatitja atletike, loja me top dhe provimi i skemave të ndryshme, duke përfshirë edhe goditjet në portë, njofton FSHF, transmeton albinfo.ch.

Skuadra do të udhëtojë nesër drejt Nishit, ku në orën 16:30 do të zhvillohet konferenca zyrtare para ndeshjes me trajnerin dhe një lojtar, në stadiumin “Gradski stadion Dubočica”, në Leskovac.

Pas konferencës, ekipi do të zhvillojë stërvitjen e fundit në orën 17:30 për të mbyllur përgatitjet për sfidën ndaj Serbisë.

Zvicra frankofone përfiton nga projektet madhore të transportit deri në vitin 2045

Zvicra frankofone do të përfitojë rreth një të katërtën e buxhetit kombëtar të investimeve në transport për periudhën 2025–2045, sipas raportit Swiss Confederation “Transporti 2045”.

Në qendër të projekteve prioritare është zgjerimi i linjës hekurudhore Geneva–Lausanne, ndërtimi i stacionit nëntokësor në Cornavin railway station, si dhe modernizimi i seksionit Denges–Morges. Qëllimi është rritja e kapacitetit dhe lehtësimi i bllokimeve në zonën e Liqenit të Gjenevës.

Në infrastrukturën rrugore, prioritet mbetet bypass-i i autostradës në segmentin Coppet–Nyon për të ulur trafikun në hyrje të Gjenevës. Projekt tjetër i rëndësishëm është edhe anashkalimi lindor i La Chaux-de-Fonds.

Pjesë e planit janë edhe zgjerimi i transportit urban me tramvaj në Gjenevë dhe metro të lehtë në Lozanë, si dhe përfundimi i tunelit bazë të Lötschberg Base Tunnel, një nyje strategjike në aksin veri–jug.

Në total, rajoni frankofon do të përfitojë 12 projekte kryesore: 7 hekurudhore dhe 5 rrugore, prej të cilave shumica do të realizohen deri në vitin 2045.

Ndërkohë, në pjesën gjermanishtfolëse prioritet do të kenë zgjerimi i linjës Zürich–Winterthur, nyja e Lucerne, rrjeti i Basel dhe përforcimi i korridorit të Gotthard Base Tunnel në Ticino.

Presidentja Osmani: Serbia po përpiqet të ndikojë në zgjedhjet e Kosovës përmes blerjes së votave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Serbia po ndërhyn në zgjedhjet lokale në Kosovë në një mënyrë të hapur dhe të dukshme. Në një intervistë për A2 CNN, Osmani theksoi se përpjekjet e Beogradit për të blerë vota shkelin parimin e fqinjësisë së mirë dhe të drejtën ndërkombëtare.

Në zgjedhjet që do të mbahen të dielën, Lista Serbe, e mbështetur nga autoritetet serbe, është rikthyer në garë. Përveç mbështetjes publike nga zyrtarë serbë, qytetarëve serbë u janë premtuar vende pune dhe pensione nëse votojnë për këtë parti.

Osmani vuri në dukje se ndërhyrjet e Serbisë në zgjedhjet e Kosovës nuk janë të reja. Ato përfshijnë përdorimin e metodave të presionit, kërcënimeve dhe shantazhit ndaj komunitetit serb në vend. Sipas saj, blerja e votave dhe premtimet që nuk mund të përmbushen nga Serbia përbëjnë një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe të proceseve demokratike në Kosovë.

Presidentja gjithashtu nënvizoi se Serbia ndjehet e fortë sepse nuk ka pësuar ndonjë pasojë për ndërhyrjet e saj të mëparshme, duke vazhduar praktikat e paligjshme në vend. Osmani theksoi përpjekjet e institucioneve të sigurisë në Kosovë për të mbrojtur qytetarët serbë nga kërcënimet dhe manipulimet e Beogradit, duke garantuar sigurinë e tyre dhe të drejtën për votë të lirë.

Megjithatë, ajo shtoi se presioni ndërkombëtar ndaj Serbisë është i domosdoshëm për të parandaluar ndërhyrje të mëtejshme në zgjedhjet e Kosovës.

Alarmi për ndikimin e Serbisë në zgjedhjet lokale ishte theksuar edhe nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili kërkoi sanksione ndaj Beogradit.

Dardanët duan fitore ndaj Serbisë

Kosova do të përballet nesër me Slloveninë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror, në Stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Para ndeshjes, në konferencën për media kanë folur përzgjedhësi Franco Foda dhe portieri Aro Muric, të cilët shfaqën besim të madh para sfidës. Portieri Muric u shpreh optimist për rezultat pozitiv, duke theksuar progresin që ka bërë Kosova vitet e fundit.

“Jam shumë i lumtur me performancën time. Pres një fitore nesër. Do të bëjmë gjithçka për të marrë tri pikët. Gjatë këtyre viteve jemi zhvilluar shumë, kemi futbollistë në ligat më të mira dhe nesër kemi rastin ideal ta tregojmë këtë progres”, theksoi Muric, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë, trajneri Franco Foda qysh në start e konfirmoi se Lumbard Dellova nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen për shkak të një lëndimi.

“Dellova fatkeqësisht është i lënduar dhe nuk do të luajë nesër ndaj Sllovenisë. Atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe të gjithë lojtarët e tjerë janë në dispozicion”.

Foda foli edhe për deklaratën e trajnerit të Sllovenisë, Matjaž Kek, i cili kishte thënë se humbja ndaj Kosovës “nuk do të ishte fundi i botës”.

“E kemi një grup mjaft të balancuar dhe një nga më të fortët. Po luajmë në shtëpi dhe skuadra ka vetëbesim pas fitores ndaj Suedisë. Trajneri Kek, bota rrotullohet, jeta vazhdon. Ne do të punojmë dhe do të vazhdojmë. Në ditën e fundit do të dihet kush do ta fitojë grupin e kush do të përfundojë i dyti”.

Kosova synon fitore të madhe në shtëpi për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim historik në Kupën e Botës 2026.

Itali: Zbardhen detaje tronditëse të nënës 25 vjeçare që vrau dy foshnjat e saj dhe i fshehu trupat në dollap

Një krim i rëndë ka tronditur Italinë jugore. Një grua 25-vjeçare është arrestuar në zonën e Reggio Calabria-s, pasi akuzohet se ka mbytur dy fëmijët e saj binjakë menjëherë pas lindjes. Ngjarja ka ndodhur në korrik të vitit 2024, ndërsa hetimet janë përmbyllur vetëm sot.

Sipas hetimeve të prokurorisë, gruaja fillimisht ka mbytur foshnjat dhe më pas ka fshehur trupat e tyre në dollapin e dhomës së saj, të mbështjellë me një batanije. Krimi makabër u zbulua nga nëna e saj, e cila kishte ndier një erë të fortë që vinte nga dhoma.

Hetuesit dyshojnë se në ngjarje është përfshirë edhe i fejuari i saj, që është babai i binjakëve. Kjo pistë është forcuar nga komunikimet telefonike mes çiftit, ku flitej për mënyrën se si do të fshiheshin fëmijët. Për pasojë, edhe ai është vënë nën akuzë për bashkëpunim në vrasje.

Gjatë hetimeve ka dalë në dritë edhe një element tjetër tronditës: dyshohet se çifti ka vrarë edhe një foshnjë të tretë në vitin 2022 dhe e ka varrosur në një tokë që i përkiste familjes së vajzës. Policia dhe karabinierët po zhvillojnë kërkime për gjetjen e trupit.

E reja ishte paraqitur në spital me hemorragji të rëndë pak para se nëna e saj të gjente trupat e binjakëve në shtëpi. Gjatë gjithë kësaj kohe, ajo kishte mohuar të ishte shtatzënë apo të kishte lindur.

Hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e këtij rasti të rëndë, i cili ka shkaktuar tronditje të thellë në opinionin publik italian.

 

A ka shanse Donald Trump të fitojë Çmimin Nobel për Paqe?

Ish-presidenti amerikan Donald Trump është zyrtarisht në listën e 338 kandidatëve për Çmimi Nobel për Paqe 2025, i cili do të ndahet të premten në Oslo. Emri i tij është propozuar nga disa figura ndërkombëtare, përfshirë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, pas njoftimit për një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbim pengjesh mes Israel Defense Forces dhe Hamas.

Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se shanset e Trump për të fituar janë të ulëta. Sipas Halvard Leira nga Norwegian Institute of International Affairs, fushata e tij e hapur për të ndikuar në vendimin e Komitetit Nobel mund të rezultojë kundërproduktive, pasi ky institucion është shumë i ndjeshëm ndaj presioneve politike.

Karim Haggag nga Stockholm International Peace Research Institute thekson se diplomacia e Trump ka qenë kryesisht “transaksionale” dhe nuk ka adresuar rrënjët e konflikteve — një element kyç për marrjen e çmimit. Për më tepër, ngjarjet pas 31 janarit 2025 nuk merren në konsideratë për këtë vit.

Ekspertët nuk e përjashtojnë mundësinë që në të ardhmen Trump të bëhet kandidat serioz nëse luan një rol të rëndësishëm në zgjidhjen e konflikteve si ai në Ukraine apo Gaza. Por për momentin, fitorja e tij mbetet pak e mundshme.

 

Austri: Ligj i ri për të kufizuar rritjen e qirasë dhe për të zgjatur afatet e qirasë në vitin 2026

Paketa e qeverisë federale për qiranë dhe strehimin është aktualisht në shqyrtim. Idealisht, ajo do t’i paraqitet seancës plenare të Këshillit Kombëtar deri në fund të vitit, megjithëse ndoshta jo deri në janar, tha zëdhënësi i financave të ÖVP, Andreas Ottenschläger. “Qëllimi është ende ky vit, por nuk do të nxitohemi”, u tha ai gazetarëve të hënën në mbrëmje. Rregulloret e reja pritet të hyjnë në fuqi në fillim të vitit 2026.

Ottenschläger tha se “negociata shumë sfiduese” i paraprinë marrëveshjes. Elementet kryesore të paketës përfshijnë mbrojtjen e vlerës për kontratat e qirasë dhe një kufizim në rritjen e qirasë për tregun e lirë. Akti i planifikuar i Mbrojtjes së Vlerës së Qirasë prezanton një kornizë ligjore për mbrojtjen e vlerës në qiratë rezidenciale për herë të parë. Kjo i referohet marrëdhënies midis një shërbimi – siç është ofrimi i një apartamenti – dhe pagesës përkatëse të qirasë. “Kjo do të rivendosë sigurinë ligjore”, thanë Ottenschläger dhe zëdhënësi i strehimit të ÖVP, Norbert Sieber, shkruan theinternational, transmeton albinfo.at.

Dy vendime të Gjykatës Supreme (OGH) në vitin 2023 kishin shkaktuar konfuzion duke vendosur kërkesa të rrepta për klauzolat e rregullimit të vlerës në kontratat e qirasë. Mosrespektimi i këtyre standardeve do të kishte pavlefshëm të drejtën për rregullime të vlerës. Në raste ekstreme, të gjitha rritjet e kaluara të qirasë mund të ishin shpallur të pavlefshme, duke u lejuar qiramarrësve të kërkonin deri në 30 vjet rregullime, duke ngrirë qiratë në vlerën e tyre nominale origjinale.

Sipas Ottenschläger dhe Sieber, Akti i ri i Mbrojtjes së Vlerës tani do të “riparojë” pasojat negative të këtyre vendimeve. Ligji do të ofrojë siguri ligjore dhe “një ekuilibër të drejtë midis qiramarrësve dhe pronarëve”. Baza ligjore është një vendim i 11 korrikut 2025 nga Gjykata Kushtetuese (VfGH), i cili konfirmoi se mbrojtja e vlerës nuk është jokushtetuese dhe i shërben interesave legjitime të pronarëve të pronave. Duke pasur parasysh mungesën e një jurisprudence të qartë mbi rregullimet e paguara tepër, partitë qeverisëse ranë dakord për një statut pesëvjeçar të parashkrimit për kërkesat për rimbursim.

Ligjvënësit e ÖVP paralajmëruan se pasiguria në treg është tashmë e lartë. “Eliminimi i të drejtës për mbrojtje të vlerës do të kishte pasoja të rënda ekonomike” për pronarët, investitorët, fondet e pensioneve, sektorin financiar dhe ndërtimin e banesave me qira. Kjo gjithashtu do të ndikonte në përshtatjet e nevojshme që lidhen me arritjen e objektivave klimatike.

Shkëputje e pjesshme nga inflacioni i planifikuar

Ottenschläger theksoi se ishte thelbësore që rregullat e reja të mos ndërhynin në çmimet e qirasë. Ai gjithashtu përshëndeti moderimin e planifikuar të rritjes së qirasë përmes një shkëputjeje të pjesshme nga inflacioni. Sipas planit, qiratë do të rriten – ose do të bien – më 1 prill sipas normës së inflacionit të vitit të kaluar, por vetëm deri në 3 përqind. Për inflacionin mbi atë prag, do të aplikohet vetëm gjysma e tepricës. Për shembull, nëse inflacioni ishte 4 përqind, qiratë do të rriteshin me 3.5 përqind; nëse inflacioni arrinte 5 përqind, rritja do të kufizohej në 4 përqind.

Deri më tani, ky rregull vlen vetëm për qiratë e tregut të lirë. Në qiratë e rregulluara dhe “të përshtatshme”, rritjet do të kufizohen në 1 përqind për vitin 2026 dhe 2 përqind për vitin 2027. Termi “qira e përshtatshme” sipas Aktit të Mbrojtjes së Vlerës mbulon qiratë komerciale, ndërtesat e reja të ndërtuara pas 8 majit 1945, pronat e listuara me investim të pronarit, apartamentet mbi 130 metra katrorë dhe qiratë me afat të pacaktuar me marrëveshje me shkrim pas një viti.

Rritja e Afatit Minimal për Kontratat e Caktuara

Drafti gjithashtu propozon afate minimale më të gjata për qiratë me afat të caktuar. Në vend të tre viteve aktuale, kohëzgjatja minimale do të zgjatet në pesë vjet. Periudhat më të gjata të qirasë janë gjithashtu në interes të pronarëve, tha Sieber: “Çdo pronar është i lumtur të ketë qiramarrës të mirë.”

Kosovë: Miliona për studentët, derisa pacientët presin në spitale pa pajisje dhe staf

Në spitalin rajonal të Ferizajt, shtretërit janë plot dhe pacientët presin radhën për një ekzaminim që shpesh nuk mund të bëhet aty.

Rreth 35 kilometra larg, në Prishtinë, Qeveria në detyrë ndan 26 milionë euro ndihmë studentëve – vetëm pesë ditë para zgjedhjeve lokale.

Për disa, kjo ndihmë mund të jetë e mirëpritur; për kritikët është dëshmi se shteti shpërndan para aty ku ka më shumë vota, e jo aty ku nevojat janë më urgjente.

“Vërtet nuk është e kuptueshme që një qeveri, në prag të zgjedhjeve, të shpërndajë mjete pa bërë një analizë apo llogaritje të saktë të ndikimit të tyre”, thotë për Radion Evropa e Lirë Blendi Hasaj, drejtor ekzekutiv i Institutit për Hulumtime të Avancuara GAP në Prishtinë.

Spitali i Përgjithshëm në Ferizaj është njëri prej shtatë spitaleve rajonale të Kosovës, të cilat funksionojnë nën ombrellën e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).

Në nëntor të vitit të kaluar, ekipi i REL-it vizitoi këtë spital dhe pa një realitet të zymtë: rrëmujë, papastërti, pajisje të prishura dhe mure të mbuluara nga lagështia.

Izolimi i mureve ose zëvendësimi i orendive, si lavamanët pa rubinete, kërkon disa mijëra euro.

Megjithatë, gjendja vazhdon të jetë thuajse e pandryshuar edhe pas një viti.

Drejtori Fikret Arifi thotë se situatën e përkeqëson edhe mungesa e hapësirave në disa reparte.

“Në repartin e internës i kemi 15 shtretër dhe janë plot, nuk mund të pranojmë raste të reja”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Me mungesë të kapaciteteve të ngjashme thotë se përballet edhe reparti i pediatrisë, ndërsa spitali nuk ka fare hematologë dhe numri i radiologëve është i kufizuar.

“Si pasojë e mungesës së këtyre shërbimeve, pacientët duhet të referohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës [QKUK] në Prishtinë”, thotë Arifi.

Në këtë qendër referohen edhe pacientë që adresë do të duhej të kishin Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës.

Ky spital nuk ka rezonancë magnetike, thotë drejtori i tij, Gëzim Berisha, për Radion Evropa e Lirë.

Pajisja me një të tillë “do ta shkarkonte shumë edhe Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”, thotë ai.

Rezonanca magnetike shërben për të parë strukturat e brendshme të trupit në detaje.

Çmimet e saj në ueb-faqe të ndryshme në internet variojnë – nga disa qindra mijëra euro deri në mbi një milion.

Berisha thotë se spitali në Mitrovicë përballet edhe me mungesë stafi.

“Për shembull, kur një pacient përfshihet në një aksident rrugor dhe ka nevojë për konsultën e një kirurgu torakal, ne duhet ta referojmë në Prishtinë, sepse nuk kemi mjek torakal”, thotë ai.

Problemet me mungesë stafi, barnash apo aparaturash nuk janë të kufizuara vetëm në këto dy spitale – ato prekin të gjitha institucionet shëndetësore në Kosovë.

Vitin e kaluar, mbi 100 mjekë e braktisën vendin, duke u ankuar për kushtet e punës dhe pagat e ulëta.

Në 2023-ën, ky numër arriti në 167, ndërsa në periudhën 2018-2022, sipas Odës së Mjekëve të Kosovës, u larguan mbi 650 mjekë.

Për pasojë, pritjet për shërbime të caktuara në QKUK zgjasin me muaj apo edhe vite.

Zyra e Auditorit Kombëtar raportoi vitin e kaluar se pritja mesatare e pacientëve në këtë institucion arrinte në gati tre vjet.

Pavarësisht ndërrimit të qeverive dhe premtimeve për reforma, qoftë nga SHSKUK-ja apo Ministria e Shëndetësisë, problemet e tilla e kanë përcjellë sektorin e shëndetësisë që nga paslufta, më 1999.

Investimet nuk kanë munguar – për shembull, vitin e kaluar, janë përuruar renovimet e Klinikës së Kardiologjisë në QKUK, por në shumë hapësira ato nuk janë të dukshme.

Për kimioterapinë që përdorin pacientët e sëmurë me kancer, ata duhet të drejtohen vetëm në QKUK – në asnjë spital tjetër të Kosovës ajo nuk ofrohet.

Dhe, në QKUK, ka pasur raste kur mbingarkesa i ka detyruar ata të marrin kimioterapi në salla të improvizuara.

Hasaj thotë se ndarja e miliona eurove nga Qeveria nuk duhet të ketë vetëm efekt afatshkurtër, por të sjellë ndryshim të qëndrueshëm, pavarësisht sektorit se ku shfrytëzohen.

“Për shembull, të mbulohet shpenzimi për pushimin e lehonisë, jo nga sektori privat apo nga punëdhënësit, por të bëhet përgjegjësi e Qeverisë. Sepse, sipas meje, kjo do të kishte efekt të dukshëm, do të ndikonte në ndryshimin e qasjes dhe strukturës së punësimit”, thotë Hasaj.

Sipas vendimit të Qeverisë në detyrë, të datës 7 tetor, 20 milionë euro janë ndarë për mbështetjen e studentëve bazuar në distancën që e kanë nga vendi i banimit tek ai ku studiojnë.

E, 6 milionë euro të tjera janë ndarë për një shtesë prej 100 eurosh për të gjithë studentët, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik.

Partitë ish-opozitare e cilësuan këtë vendim si “blerje votash” në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, por jo edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

“Ata [studentët] dhe familjet e tyre do ta kenë më lehtë përballimin e kostove”, tha ai./REL

Aleanca zvicerane e partive paraqet referendum kundër taksimit individual

Një aleancë jopartiake paraqiti 65,672 nënshkrime të enjten në favor të një referendumi kundër futjes së taksimit individual. Sipas aleancës, reforma e miratuar nga parlamenti zviceran ndoshta do t’u vihet votuesve në mars të vitit 2026.

Nënshkrimet u paraqitën nga anëtarë të disa partive: Qendra, Partia Popullore Zvicerane e krahut të djathtë, Partia Popullore Ungjillore dhe Unioni Demokratik Federal ultrakonservator i krishterë, si dhe Shoqata e Fermerëve Zviceranë dhe një grup interesi për familjet e mëdha, IG Familie 3plus.

Sipas kësaj aleance, taksimi individual nuk do ta shfuqizonte dënimin për martesë, as nuk do të ishte i drejtë ose nuk do të çonte në barazi më të madhe, shkruan swissinfo. Përkundrazi, argumentoi aleanca, kjo do të vendoste një barrë më të rëndë mbi familjet, beqarët dhe klasën e mesme, ndërsa familjet me të ardhura të larta dhe të dyfishta do të përfitonin, transmeton albinfo.ch.

Në veçanti, çiftet e martuara me vetëm një të ardhur ose me të ardhura shumë të ndryshme do të duhet të paguajnë taksa dukshëm më të larta në të ardhmen sesa çiftet me të ardhura të ngjashme. Taksimi individual e ndërlikon sistemin tatimor dhe shpërfill përfitimet e rëndësishme familjare, veçanërisht nëse njëri prind punon pa pagesë, deklaroi aleanca.

Taksimi individual është gjithashtu një përbindësh i madh burokratik, sipas grupit. Në të ardhmen, çiftet e martuara do të duhet të plotësojnë dy deklarata tatimore, që do të thotë rreth 1.7 milion deklarata shtesë tatimore në vit, pretendoi ajo. Këto do të shkaktonin një barrë të madhe administrative, kosto të larta dhe do të detyronin një ndarje vjetore të aseteve midis çiftit, përfundoi aleanca.