Kancelari gjerman: Plani i Trump shansi më i mirë për paqe në Gaza

Kancelari Friedrich Merz e përshkroi planin e paqes të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për Gazën si “shansin më të mirë për paqe” dhe shprehu mbështetjen e tij pas apelit të presidentit të SHBA-së drejtuar të dyja palëve, përcjell albinfo.ch.

“Lirimi i pengjeve dhe paqja në Gaza janë të mundura. Hamasi tani ka rënë dakord në parim me planin e paqes të Presidentit Trump.

Gjermania mbështet plotësisht apelin e Presidentit Donald Trump drejtuar të dyja palëve. Pengjet duhet të lirohen. Hamasi duhet të çarmatoset. Luftimet duhet të ndalen menjëherë. E gjithë kjo duhet të ndodhë shumë shpejt. Pas pothuajse dy vitesh, ky është shansi më i mirë për paqe. Gjermania do të vazhdojë të jetë e përfshirë”, tha Merz në një postim në platformën “X” pak kohë më parë.

Çift shqiptar arrestohet në Itali me 17 kilogramë kokainë

Një çift shqiptar është arrestuar nga policia italiane pasi u kap me mbi 17 kilogramë kokainë të pastër, me vlerë tregu mbi 2 milionë euro. Operacioni u zhvillua nga Policia e Barit dhe Prokuroria e Leçes më 1 tetor, si pjesë e një aksioni kundër grupeve kriminale në rajonin e Puljas, përcjell albinfo.ch.

Të arrestuarit, një 40-vjeçar dhe një 52-vjeçare nga Altamura, përdornin automjete të përshtatura posaçërisht për transport droge. Gjatë kontrollit të një makine pranë Leçes, policia gjeti fshehtësi mekanike nën sediljet e përparme, ku ishte fshehur lënda narkotike.

Hetimet, të cilat kishin nisur prej disa muajsh, zbuluan aktivitetin e tyre të rregullt në trafikun e kokainës. Autoritetet italiane po hetojnë tani lidhjet e mundshme të çiftit me rrjete më të gjera kriminale në rajon.

Von der Leyen: Gatishmëria e Hamasit është inkurajuese

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se “gatishmëria e treguar“ nga Hamasi për të liruar pengjet e mbetura në Gazë është “inkurajuese”, përcjell albinfo.ch.

Von der Leyen ka shtuar se Evropa do të mbështesë “të gjitha përpjekjet që synojnë përfundimin e vuajtjeve të civilëve, dhe të promovohet e vetmja zgjidhje e qëndrueshme për paqen, zgjidhja me dy shtete”.

“Ky moment duhet të shfrytëzohet. Një armëpushim i menjëhershëm në Gaza dhe lirimi i të gjitha pengjeve po arrihen “, ka shkruar ajo në X.

Hamas ka njoftuar zyrtarisht se është i gatshëm t’i lirojë të gjithë pengjet, të gjallë dhe të vdekur, sipas kornizës së detajuar në planin 20-pikësh të presidentit amerikan, Donald Trump, dhe të hyjë “menjëherë” në negociata për detajet e këtij propozimi.

Po ashtu, grupi ka shprehur pajtueshmëri që kontrolli mbi Rripin e Gazës t’i transferohet “një trupi palestinez, me mbështetje arabe dhe islame”.

Në një deklaratë, Hamasi ka thënë se disa nga elementet e planit të paqes të propozuar nga Trumpi janë të pranueshme, por të tjerat do të kërkojnë negociata të mëtejshme.

Operacion policor kundër mashtrimeve online: mbyllet Call Center-i, kapen mbi 100 mijë euro

Policia në Tiranë ka goditur një “Call Center”, i cili sipas organeve të rendit, shërbente për të mashtruar qytetarët evropianë, duke i bindur të investonin në bursa fiktive, përcjell albinfo.ch.

Mes tjerash, Policia ka bërë të ditur se nga kontrollet në këtë “Call Center”, u gjetën dhe u sekuestruan gjithsej 106710 euro, 700.000 lekë të rinj (afro 7000 euro), 51 njësi kompjuterike, 14 aparate celular, lista me emrat e klientëve dhe shumave të përfituara.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua administratori i subjektit, dhe u proceduan penalisht 38 persona të punësuar në “call center”.

Ndërsa në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestuan në flagrancë edhe dy të dyshuar të tjerë.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme hetimore për veprat penale “Mashtrim me pasoja të rënda”; “Punësim i paligjshëm”; “Fshehje të ardhurash”; “Mospagim i taksave dhe tatimeve” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Shqipëri: Samiti Brdo-Brijuni mbledh ballkanasit të hënën

Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen në Durrës të hënën për samitin e Iniciativës Brdo-Brijuni, me temë kryesore perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, me një fokus të veçantë në Planin e Rritjes për rajonin, përcjell albinfo.ch.

Procesi Brdo-Brijuni është një iniciativë e përbashkët slloveno-kroate e nisur në vitin 2013, dhe anëtarët e saj janë Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia.

Siç raportohet nga agjencia sllovene STA, samiti në Durrës po organizohet nga presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, Natasha Pirc Musar dhe Zoran Millanoviq, dhe do të drejtohet nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

STA raporton se udhëheqësit e tjerë të rajonit kanë konfirmuar gjithashtu pjesëmarrjen e tyre në takimin në Shqipëri – Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ai malazez Jakov Millatoviq, anëtarët e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës Zhelka Cvijanoviq, Denis Beqiroviq dhe Zhelko Komshiq, Presidentja maqedonase Gordana Siljanovska-Davkova, dhe Presidenti serb Alleksandar Vuçiq, njoftoi zyra e presidentit slloven.

Iniciativa Brdo-Brijuni synon të inkurajojë bashkëpunimin e ndërsjellë dhe të lehtësojë përpjekjet e vendeve të rajonit në rrugën e tyre drejt BE-së. Takimi i këtij viti do të mbahet nën moton “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: së bashku drejt BE-së”. Përveç çështjes së perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, do të përqendrohet edhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, njoftuan organizatorët.

Në përputhje me njoftimet nga Lubjana, Sllovenia do të theksojë edhe një herë në samitin e Durrësit se zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor është mjeti më efektiv gjeopolitik për të siguruar stabilitet, paqe dhe siguri në rajon.

Pjesëmarrësit në samit do t’i kushtojnë gjithashtu vëmendje të veçantë zbatimit të planit të BE-së për rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor, i cili u mundëson vendeve të rajonit të integrohen gradualisht në BE dhe sjell përfitime konkrete për qytetarët e tyre. Për këtë qëllim, BE ka krijuar një instrument financiar për periudhën 2024-2027 me vlerë gjashtë miliardë euro.

Kosova pritet të marrë një total prej 880 milionë eurosh nga Plani i Rritjes deri në fund të vitit 2027, Maqedonia e Veriut mbi 750 milionë euro, Shqipëria mbi 920 milionë euro, Serbia mbi 1.5 miliard euro, Mali i Zi 380 milionë euro dhe Bosnja dhe Hercegovina rreth 900 milionë euro, pasi Komisioni uli fondet e tyre me dhjetë për qind për shkak të vonesave në plan.

Takimet në kuadër të Iniciativës Brdo-Brijuni janë mbajtur çdo vit që nga viti 2013. Vitin e kaluar, u mbajt në Mal të Zi, ku udhëheqësit theksuan rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal në një deklaratë të përbashkët dhe u zotuan për reforma të mëtejshme, forcimin e dialogut strategjik me BE-në dhe zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Emanuela Rusta vendos drejtësi në UEFA Women’s Europa Cup

Gjyqtarja shqiptare Emanuela Rusta do të mbajë bilbilin kryesor në ndeshjen mes Hacken dhe GKS Katowice, e vlefshme për turin e dytë kualifikues të UEFA Women’s Europa Cup. Takimi do të zhvillohet më 7 tetor, në orën 19:00.

Rusta do të udhëheqë një ekip plotësisht shqiptar arbitrash, duke përfaqësuar denjësisht vendin në arenën ndërkombëtare. Asistente të saj do të jenë Mirjeta Salla dhe Koleta Prenga, ndërsa rolin e gjyqtares së katërt do ta mbajë Kejsi Tafili.

Pjesëmarrja e arbitreve shqiptare në garat europiane po bëhet gjithnjë e më e shpeshtë, duke dëshmuar profesionalizëm, përgatitje të lartë dhe integritet në fushën e gjykimit. Emanuela Rusta, me eksperiencën dhe përkushtimin e saj, vazhdon të jetë një ndër emrat më të respektuar të arbitrimit shqiptar në futbollin e femrave.

Murati: PDK, LDK, AAK po bëhen gati të formojnë qeveri në koalicion me Listën Serbe

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka drejtuar akuza në drejtim të ish partive opozitare, PDK-së, LDK-së e AAK-së, për të cilat thotë se po bëhen gati për ta ndryshuar në tavolinë rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe të formojnë qeveri në koalicion me Listën Serbe, përcjell albinfo.ch.

Ai përmes një postimi në Facebook thotë se këto parti po ‘premtojnë se pas zgjedhjeve lokale do të bëhen të gjithë bashkë e ta përmbysin qeverinë’.

Murati, ndërkaq ka hedhur akuza edhe në drejtim të Gjykatës Kushtetuese, pasi sipas tij po ua bën “një argat”, sepse po e mban Kuvendin të bllokuar tash e 1 muaj.

Ai tutje shton, se në këto zgjedhje lokale do të përcaktohet edhe se çfarë Qeverie do të ketë Kosova, siç thotë “një Qeveri Kurti 3 që e forcon shtetin, apo një qeveri që e pret Listën Serbe në Kuvend për 6 orë derisa të kthehen nga Beogradi me instruksione se si ta sabotojnë shtetin e Kosovës”.

Shqiptaro-zviceranët dominojnë në mbrëmjen ekskluzive të SBN në Cyrih

Rreth 300 personalitete nga fusha e sportit dhe ekonomisë u mblodhën në Dolder Grand të Cyrihut në kuadër të darkës ekskluzive të Sport Business Network (SBN).

Eventi, i konceptuar dhe organizuar nga Besfort Bilalli, ish-hendbollist profesionist dhe sot sipërmarrës, ka për qëllim të lidhë botën e sportit me atë të biznesit. Organizata e tij tashmë po bën një rrugëtim të suksesshëm trevjeçar, duke u shndërruar në një platformë të rëndësishme takimi për personalitetet e sportit dhe biznesit.

Mbrëmja solli edhe emra të mëdhenj të sportit zviceran, mes tyre ski-ylli Marco Odermatt, kampionët Corinne Suter, Wendy Holdener, Didier Cuche, Marc Girardelli e Urs Lehmann, të cilët u bënë qendra e vëmendjes së publikut dhe botës së biznesit.

Foto: Fiona Murtaj / SBN

Eventi këtë vit u shënua nga një pjesëmarrje e fuqishme e diasporës shqiptare në Zvicër.

Në mesin e të ftuarve spikasnin disa figura të njohura shqiptaro-zvicerane të biznesit,  si Gzim Hasani, CEO i smzh, i cili ishte në panelin e parë të kësaj ngjarje prestigjioze bashkë me CEO e Sunrise,  André Krause dhe Dr. Martin Jara, CEO i Helvetia Versicherung.

Foto: Fiona Murtaj / SBN

Po ashtu, në sallë u dalluan edhe personalitete të tjera shqiptare të suksesshme në biznes, sport dhe mjekësi, si Esat Lika, CEO i Lika Group; Islam Alija, deputet nacional shqiptaro-zviceran; Përparim Avdili, kryetar i FDP-së në Cyrih; ish-kapiteni i kombëtares shqiptare Lorik Cana; dhe kardiologu i njohur Florim Cuculi.

Foto: Fiona Murtaj / SBN

Në një intervistë të drejtpërdrejtë, ish-presidenti i FC Basel Bernhard Heusler sfidoi Marco Odermatt me pyetje nga sporti e deri te çështje si ndryshimet klimatike, luftërat dhe inteligjenca artificiale, duke dhuruar një bisedë interesante për të pranishmit.

Atmosferë festive, por edhe solidaritet!

Foto: Fiona Murtaj / SBN

Darkës i dha kuptim të veçantë edhe aspekti humanitar. Përmes një tombole dhe ankande u mblodhën 70 mijë franga për fondacionin Passion Schneesport, i cili mbështet financiarisht talentet e reja të skive në Zvicër.

Foto: Fiona Murtaj / SBN
Foto: Fiona Murtaj / SBN

 

22-vjeçari shqiptar arrestohet në Britani, kapet në shtëpi me fermë kanabisi

Një 22-vjeçar shqiptar, Indri Lumci, është arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar pasi u zbulua në një banesë të përshtatur për kultivim kanabisi në Loftos Avenue. Policia gjeti tre dhoma të kthyer në fermë kanabisi me pajisje ndriçimi dhe ventilimi, si dhe lëndë narkotike me vlerë rreth 4,000 paund, përcjell albinfo.ch.

Gjatë kontrollit u sekuestruan një thikë, një shkop gome dhe çelësi i një veture Honda, ndërsa në shtëpi ndodheshin tre qen të mëdhenj. Lumci tentoi të fshihej në papafingo, por u arrestua në vendngjarje.

Gjykata e dënoi me burg, ndërsa gjykatësi theksoi se “ai kishte zgjedhur vetë këtë rrugë dhe tani duhet të përballet me pasojat”.

Sipas ligjeve britanike, personat e huaj të dënuar me mbi 12 muaj burg deportohen automatikisht.

Maqedonia e Veriut drejt udhëtimit në SHBA pa viza, pjesë e Dialogut Strategjik

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut mund të udhëtojnë në të ardhmen në SHBA pa viza, vetëm me pasaportë, nëse realizohet një nga objektivat e Dialogut Strategjik mes dy vendeve. Ky proces është ende në fazë diskutimi dhe konsiderohet afatgjatë, përcjell albinfo.ch.

Heqja e vizave është një nga temat e rëndësishme të Dialogut Strategjik të nisur në qershor 2022, që synon thellimin e bashkëpunimit në fusha si mbrojtja, energjia, sundimi i ligjit, tregtia dhe kultura. Maqedonia e Veriut është vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që ka nisur një dialog të tillë me SHBA-në.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë e Maqedonisë së Veriut koordinon procesin dhe thekson se SHBA-ja e sheh vendin si një partnere të besueshme. Bashkëpunimi në mbrojtje përfshin modernizimin e poligonit ushtarak Krivollak dhe mbështetjen për objektivat e NATO-s.

Po ashtu, SHBA ka investuar mbi 500 milionë dollarë në luftën kundër korrupsionit në vend, përmes trajnimeve dhe forcimit të institucioneve.

Në fushën e energjisë, kulturës dhe tregtisë, po punohet për projekte që synojnë rritjen e qëndrueshmërisë dhe shkëmbimeve mes dy vendeve.

Maqedonia e Veriut dhe SHBA këtë vit shënojnë 30 vjet marrëdhënie diplomatike, ndërsa Dialogu Strategjik shihet si një njohje konkrete e partneritetit dhe rolit stabilizues të vendit në rajon.

Sot pritet stuhi në Zvicër: Paralajmërim për erëra deri në 90 km/h dhe reshje të dendura

Autoritetet meteorologjike zvicerane kanë paralajmëruar për një stuhi të fortë që pritet të godasë vendin të shtunën. Stuhia “Amy”, siç është emërtuar nga shërbimet meteorologjike, do të sjellë erëra të fuqishme që mund të arrijnë deri në 90 kilometra në orë, si dhe reshje të dendura shiu që mund të shkaktojnë përmbytje lokale dhe vështirësi në qarkullim, përcjell albinfo.ch.

Paralajmërim nga MeteoSwiss – Niveli 2 i Rrezikut

Sipas njoftimit të fundit nga MeteoSwiss, është lëshuar një paralajmërim i nivelit 2, që nënkupton kushte moti potencialisht të rrezikshme, veçanërisht për zonat më të ekspozuara ndaj erërave dhe me rrezik rrëshqitjeje të dheut apo përmbytjesh.

“Priten erëra të fuqishme në lartësitë e mëdha dhe në zonat e hapura, si dhe reshje intensive brenda një kohe të shkurtër,” thuhet në njoftimin zyrtar të MeteoSwiss.

Zonat më të Prekura

Stuhia pritet të godasë fillimisht pjesën perëndimore dhe qendrore të Zvicrës gjatë paradites së së shtunës, për t’u shpërndarë më tej drejt lindjes dhe zonave alpine. Qytete si Gjeneva, Lozana, Bernë dhe Cyrih mund të përjetojnë kushte të vështira moti për disa orë.

Këshilla për Popullatën

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme, veçanërisht në zonat malore dhe ato me pemë të mëdha apo struktura të paqëndrueshme. Po ashtu, rekomandohet sigurimi i objekteve të jashtme si mobiliet e kopshtit, tenda apo çadra, që mund të shkëputen nga era.

Pritet Stabilizim i Motit të Dielën

Sipas parashikimeve të MeteoSwiss, stuhia pritet të humbasë intensitetin deri në orët e vona të së shtunës, me përmirësim gradual të motit gjatë ditës së diel, kur temperaturat do të bien ndjeshëm për shkak të frontit të ftohtë që sjell me vete Amy.

Trump i kërkon Izraelit t’i ndalë bombardimet në Gazë

Presidenti amerikan Donald Trump ka mirëpritur përgjigjen e Hamasit ndaj planit të tij për paqe në Lindjen e Mesme dhe i ka kërkuar Izraelit të ndalojë menjëherë bombardimet në Gazë, për të mundësuar lirimin e pengjeve, përcjell albinfo.ch.

Sipas Trump, deklarata e Hamasit tregon gatishmëri për një “paqë të qëndrueshme”. Hamasi ka shprehur dakordësi me pjesën më të madhe të planit, duke përfshirë lirimin e pengjeve, por kërkon negociime për disa pika.

Izraeli ka shprehur gatishmëri për të zbatuar “fazën e parë” të planit, që përfshin këmbimin e pengjeve, por nuk ka komentuar publikisht kërkesën e Trumpit për ndaljen e sulmeve.

Plani i përpiluar nga ekipi i Trumpit përmban 20 pika, përfshirë: armëpushim të menjëhershëm, këmbimin e pengjeve, tërheqjen graduale të ushtrisë izraelite nga Gaza, çarmatosjen e Hamasit dhe krijimin e një qeverie teknokrate palestineze nën mbikëqyrje ndërkombëtare.

Plani ndalon Izraelin të aneksojë Gazën dhe përjashton Hamasin nga çdo rol në administrimin e saj. Parashikohet gjithashtu rindërtimi i Gazës pas dy vitesh lufte.

Mynih: 6,500 pasagjerë detyrohen të kalojnë natën në aeroport

Një situatë e pazakontë ka shkaktuar kaos në Aeroportin Ndërkombëtar të Mynihut për të dytën natë radhazi, pasi alarmet për praninë e dronëve kanë detyruar pezullimin e operacioneve ajrore dhe kanë bllokuar mijëra pasagjerë, shkruan albinfo.de.

6500 udhëtarë të bllokuar, dronët ndërpresin fluturimet

Të premten në mbrëmje, rreth orës 23:00, Policia Federale raportoi dy raste të shikimit të dronëve në zonat e pistave veriore dhe jugore të aeroportit. Oficerët konfirmuan se dronët u larguan para se të mund të identifikoheshin. Për shkak të këtyre incidenteve, fluturimet u pezulluan menjëherë, duke lënë rreth 6,500 pasagjerë të bllokuar, të cilët ishin të detyruar të kalonin natën në ambientet e aeroportit, shkruan albinfo.de,

Operacionet pezullohen për herë të dytë në dy ditë

Ky është incidenti i dytë i ngjashëm në më pak se 48 orë në aeroportin e dytë më të madh të Gjermanisë. Autoritetet konfirmuan se pas shikimit të dronëve, shumë fluturime u devijuan ose u anuluan. Sipas të dhënave zyrtare, 23 fluturime mbërritëse u devijuan dhe 12 fluturime të tjera u anuluan gjatë së premtes në mbrëmje.

Fluturimet rifillojnë me vonesë, pasiguri për pamjet e reja

Trafiku ajror rifilloi të shtunën në mëngjes në orën 07:00, dy orë më vonë se zakonisht. Megjithatë, vonesat dhe anulimet kishin lënë pasoja te pasagjerët, ndërkohë që informacioni për një pamje të re të një droni në orët e para të mëngjesit të së shtunës mbeti i pakonfirmuar nga autoritetet. Policia Federale vijon hetimet për të zbuluar se kush qëndron pas këtyre incidenteve.

Strehim i përkohshëm për pasagjerët

Operatori i aeroportit raportoi se për shkak të situatës së papritur u morën masa për strehimin e pasagjerëve të bllokuar, përfshirë vendosjen e shtretërve kamping në ambientet e brendshme të terminaleve.

Rreziku nga dronët, një kërcënim në rritje për sigurinë ajrore

Ky incident thekson edhe një herë rrezikun që paraqesin dronët për sigurinë ajrore. Ndërhyrjet e tyre në hapësirën ajrore përreth aeroporteve janë gjithnjë e më të shpeshta dhe përbëjnë sfidë serioze për autoritetet, duke kërkuar masa më të forta ligjore dhe teknologjike për monitorim dhe neutralizim të tyre. /Albinfo.de

Shkollat Shqipe në Londër nisin vitin e ri shkollor

Ky vit i ri shkollor pritet të sjellë më shumë mundësi për fëmijët e diasporës shqiptare në Londër, duke i lidhur ata më ngushtë me gjuhën amtare, kulturën dhe traditat kombëtare, përcjell albinfo.ch.

Më 4 tetor 2025, Shkolla Shqipe “Westminster” do të hapë dyert për nxënësit nga ora 11:00 deri në 13:00 në zonën Westminster–Kilburn. Po atë ditë, do të nisë mësimi edhe në një shkollë të re shqipe në Chiswick, ku orët do të zhvillohen nga ora 15:00 deri në 17:00.

Njoftimin e ka bërë të ditur mësuesja Anila Kadija nga Shkolla Shqipe “Westminster”, e cila theksoi gjithashtu arritjet e veçanta të vitit të kaluar, ku nxënësit u dalluan në aktivitete kulturore, artistike dhe gjuhësore.

Agjencia Kombëtare e Diasporës ka uruar të gjitha shkollat shqipe në Londër dhe më gjerë për një vit të mbarë shkollor, duke shprehur mbështetjen për mësuesit, nxënësit dhe prindërit që kontribuojnë në ruajtjen e gjuhës shqipe dhe identitetit kulturor në diasporë./Albinfo.ch

Rita Ora shkëlqen në Javën e Modës

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, tërhoqi të gjitha vëmendjet në Paris, gjatë një mbrëmjeje në restorantin Le Costes, pjesë e Javës së Modës. Ajo u shfaq me një fustan të bardhë midi me dekolte dhe prerje transparente, të kombinuar me taka të larta dhe një pallto të zezë, përcjell albinfo.ch.

Kjo paraqitje glamuroze vjen pas përfundimit të suksesshëm të një beteje ligjore me fqinjët e saj në Londër, të cilët kundërshtonin ndërtimin e një palestre moderne në kopshtin e vilës së saj luksoze prej 7.5 milionë funtesh. Vendimi gjyqësor i dha Ritës mundësinë të vazhdojë planet pa pengesa, ndërsa eleganca e saj në Paris tregon kombinimin e suksesit profesional me stilin dhe guximin personal.

Zviceranët sjellin standarde të reja për sigurinë e ndërtesave pas tërmeteve në Shqipëri

Pas një tërmeti, një nga detyrat më urgjente është vlerësimi i dëmeve në ndërtesa dhe garantimi i sigurisë për banorët. Për këtë arsye, një projekt i përbashkët zviceran me Institutin e Ndërtimit dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile ka nisur kursin e parë të trajnimit për ekspertët vendas, transmeton albinfo.ch.

Në këtë trajnim u prezantuan procedura moderne dhe standarde të reja që do të ndihmojnë në një vlerësim më të shpejtë dhe më të saktë të gjendjes së ndërtesave pas fatkeqësive natyrore.

Kapacitetet që do të forcohen përmes këtij projekti përfshijnë:

50 ekspertë të fushës,

200 inxhinierë civilë,

12 prefektura në gjithë vendin.

Ky program synon rritjen e aftësive profesionale dhe krijimin e një rrjeti të qëndrueshëm të specialistëve që do të jenë të gatshëm të veprojnë në rast emergjencash.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe partnerët zviceranë e kanë cilësuar këtë hap si një investim jetik për sigurinë publike dhe parandalimin e humbjeve njerëzore në të ardhmen./Albinfo.ch

Komenti i një tifozi bëhet viral: Xhaka është legjenda e Sunderlandit

Sunderland ka nisur sezonin më mbresëlënës të dekadës, duke u ngjitur në krye të tabelës pas disa ndeshjeve të para, dhe emri që përmendet më së shumti është ai i Granit Xhakës, transmeton albinfo.ch.

Mesfushori 32-vjeçar, i transferuar këtë verë nga Bayer Leverkusen për 17.3 milionë euro, ka sjellë menjëherë stabilitet, lidership dhe një nivel të ri loje te “Black Cats”. Pas paraqitjeve të tij të para, tifozët janë të bindur se prania e Xhakës është arsyeja kryesore pse skuadra po renditet ndër ekipet më të forta të kampionatit.

Dean Hudson, tifoz i vjetër i Sunderlandit, e shprehu hapur këtë ndjenjë:

“Jam 35-vjeçar. E shikoj Sunderlandin qysh nga mosha 8-vjeçare. Mendoj se Granit Xhaka është lojtari më i mirë që ka luajtur ndonjëherë për këtë klub.”

Ky koment që fillimisht dukej i ekzagjeruar, tani është bërë fraza simbolike për tifozët. Për shumë prej tyre, Xhaka nuk është vetëm një transferim i madh, por njeriu që po e ringjall historinë e klubit.

Pas një sezoni historik me Bayer Leverkusenin, ku ndihmoi klubin gjerman të fitojë titullin e parë të Bundesligës, Xhaka duket se e ka sjellë të njëjtin shpirt fitues edhe në Stadium of Light.

Nëse Sunderland arrin të mbajë këtë formë, atëherë Xhaka jo vetëm që do të kujtohet si njëri ndër lojtarët më të mirë që ka veshur fanellën e kuqe e të bardhë, por edhe si simboli i kthimit të klubit në majat e futbollit. /Albinfo.ch.

Iniciativa për një Cyrih pa makina

Një komitet i shoqërisë civile ka dorëzuar 4,500 nënshkrime në Cyrih të premten për iniciativën e tranzicionit të transportit. Kjo iniciativë kërkon që qyteti të bëhet kryesisht pa makina, transmeton albinfo.ch.

Vetëm udhëtimet e pashmangshme, si ato të shërbimeve të emergjencës, bizneseve, transportit publik dhe personave me aftësi të kufizuara në lëvizje dhe punëtorëve me turne, duhet të mbeten të lejuara, skruan srf.ch.

Iniciativa është formuluar si një sugjerim i përgjithshëm, duke u dhënë këshillave të qytetit dhe bashkisë më shumë liri veprimi në zbatimin e saj.

Socialistët e Rinj (Juso) kanë dështuar tashmë me iniciativën “Cüri pa makina” në vitin 2020, e cila ishte shpallur e pavlefshme nga Gjykata e Lartë Federale.

Xhaka në kërkim të rekordit

Mesfushori shqiptar Granit Xhaka mund të bëhet lojtari i parë që nga Chris Waddle në vitin 1997 që asiston në katër ndeshje radhazi për Sunderland.

Xhaka e ka rizbuluar formën e tij më të mirë që nga kthimi në Angli, ish-lojtari i Arsenalit është vendosur menjëherë si kapiten dhe tashmë është në mesin e futbollistëve të nominuar për çmimin e më të mirit të muajit.

Mesfushori shqiptar do të jetë titullar i padiskutueshëm në ndeshjen ndaj Manchester United, përballje kjo që zhvillohet nesër, me fillim nga ora 16:00, transmeton albinfo.ch.

Ai kaloi këtë verë nga Leverkusen në Sunderland, duke u emëruar menjëherë kapiten.

“Macet e Zeza” janë rikthyer në Premierligë, por kanë treguar formë të mirë, duke u gjendur në vendin e pestë me 11 pikë pas pesë javësh.

A duhet të mësoj gjermanishten zvicerane në vend të gjermanishtes standarde për të vërtetuar se jam i integruar?

Njohja e një gjuhe “vendase” (fjala kyçe “vendase” këtu) është një kërkesë për leje qëndrimi dhe, akoma më shumë, për natyralizim në Zvicër. Pra, çfarë gjuhe duhet të zotërojë një i huaj nëse jeton në pjesën gjermanishtfolëse të Zvicrës?

Kjo është një dilemë me të cilën përballen shumë të huaj jo-gjermanishtfolës kur vijnë në Zvicër: a duhet të përpiqen të mësojnë gjermanishten standarde (Hochdeutsch) – e cila nuk është në të vërtetë një gjuhë lokale, apo të përpiqen të mësojnë gjermanishten zvicerane (Schwiizerdütsch)?

Të paktën zyrtarisht, gjermanishtja standarde është e listuar si gjuha kryesore kombëtare e Zvicrës dhe të gjitha komunikimet e shkruara nga qeveria dhe entitetet e tjera publike janë vetëm në atë gjuhë (ndoshta sepse nuk ka një version të shkruar të pranuar zyrtarisht të gjermanishtes zvicerane – megjithëse përdoret zakonisht në mediat sociale dhe në kapacitete të tjera jozyrtare).

Gjermanishtja zvicerane flitet nga rreth dy të tretat e njerëzve në Zvicër. E referuar nga folësit e saj si ‘Dialekt’ ose ‘Mundart’ (gjuhë e folur) ose vetëm ‘Dütsch’ (si në ‘Deutsch’ ose Gjermanisht), gjermanishtja zvicerane është në fakt një gamë dialektesh të ndryshme.

Pra, çfarë duhet të mendoni për të?

Për të gjitha qëllimet dhe synimet ligjore, të kesh nivelin e kërkuar të aftësisë në gjermanishten standarde është e mjaftueshme për të marrë (ose përmirësuar) lejen tuaj të punës dhe për t’ju bërë të kualifikuar për natyralizim (me kusht që të përmbushni edhe të gjitha kriteret e tjera të kërkuara).

Do të kuptoheni nga kolegët tuaj, fqinjët dhe të tjerët në komunitetin tuaj (megjithëse mund të mos jeni në gjendje t’i kuptoni, pasi duhet pak kohë që veshi juaj të mësohet me çdo dialekt zviceran-gjerman që flitet në zonën tuaj.)

Nuk ka nevojë të shqetësoheni, nuk do të jeni vetëm: afërsisht 330,000 qytetarë gjermanë jetojnë përgjithmonë në Zvicër – kryesisht në zonat zvicerano-gjermane.

Pra, nga pikëpamja zyrtare, gjermanishtja standarde është në rregull, megjithëse gjithmonë do të konsideroheni të huaj, transmeton albinfo.ch.

Pra, a ia vlen të mësosh gjermanishten zvicerane për t’u përshtatur?

Edhe pse vetëm njohja e gjermanishtes standarde është e nevojshme për të marrë shtetësinë, zviceranët vlerësojnë çdo përpjekje që të huajt bëjnë për t’u përshtatur.

Pra, edhe nëse përpjekjet tuaja për të zotëruar gjuhën gjermane të rajonit tuaj nuk janë perfekte, ato nuk do të kalojnë pa u vënë re dhe madje mund të rrisin shanset tuaja me komitetin tuaj lokal të natyralizimit nëse aplikoni ndonjëherë për shtetësi zvicerane.

Megjithatë, për arsye praktike, është më mirë që së pari të zotëroni nivelin e kërkuar të gjermanishtes standarde – qoftë edhe vetëm për të qenë në gjendje të lexoni lajmet (dhe të qëndroni të informuar për atë që po ndodh në Zvicër dhe në komunitetin tuaj), dhe për të kuptuar letrat dhe komunikimet e tjera me shkrim që merrni, shkruan thelocal.

Për një të huaj që nuk flet gjermanisht, është padyshim e vështirë të mësojë të dyja, por në fund mund të ia vlejë.

E vlefshme për integrimin

Disa këshilla të mira për këtë çështje vijnë nga mediat sociale, përkatësisht nga Reddit Zvicër.

Ja çfarë thanë dy përdorues:

“Ka shumë më tepër burime për gjermanishten standarde dhe kuptohet nga shumë më tepër njerëz, për të mos përmendur që është e standardizuar. Gjermanishtja zvicerane ndryshon shumë, madje edhe nga qyteti në qytet, dhe nuk ka drejtshkrime standarde. Schweizerdeutsch ka të paktën gjashtë drejtshkrime të ndryshme, varësisht nga dialekti që flisni”, tha një përdorues.

“Po e them këtë si një amerikan që mësoi gjermanisht dhe tani po punoj për të mësuar gjermanishten zvicerane. Ndoshta nuk do të jem kurrë në gjendje ta flas plotësisht gjermanishten zvicerane vetë, por jam përmirësuar shumë në kuptimin e saj dhe kam përvetësuar disa fraza në të folurin tim.”

Dhe një tjetër tha: “Sapo të mësoni gjermanishten standarde në nivelin B2 ose C1, atëherë të gjithë do t’ju thonë se nuk ka kuptim të mësoni gjermanishten zvicerane. Nga pikëpamja e integrimit, nuk jam dakord. Është padyshim një avantazh të jesh në gjendje të bisedosh në mundart [dialekt], por duhet mjaft kohë dhe këmbëngulje.”

Çfarë duhet të dinë qiramarrësit në Zvicër për ligjin e ri të qirasë?

Nga 1 tetori 2025, qiradhënësit në disa kantone zvicerane do të duhet të japin informacion të ri kur japin me qira një apartament. Çfarë është ky informacion dhe si u sjell dobi qiramarrësve?

Në rast të mungesës së banesave, disa kantone mund të kërkojnë, që nga kjo ditë e tutje, përdorimin e formularit zyrtar për njoftimin e qirasë fillestare kur lidhin një kontratë të re qiraje banimi.

Kjo do të sigurojë që qiramarrësit të informohen për qiranë e mëparshme dhe të drejtën e tyre për të kundërshtuar të vetën.

Përdorimi i formularit zyrtar – i cili duhet të përmbajë normën e interesit referues më të fundit të vlefshme ose normën e inflacionit më të fundit të vlefshme – synon gjithashtu të inkurajojë qiradhënësit të ushtrojnë vetëpërmbajtje kur rrisin qiranë ose kur ndryshojnë një qiramarrës.

Megjithatë, ky detyrim i ri zbatohet vetëm në kantonet që tashmë kanë deklarim të detyrueshëm – domethënë, përveç qirasë së re, qiradhënësi duhet të zbulojë edhe shumën e qirasë së vjetër në një formular zyrtar.

Kjo është tashmë e detyrueshme në Basel-City, Fribourg, Gjenevë, Lucernë, Zug dhe Cyrih, si dhe në disa bashki/rrethe të Neuchâtel dhe Vaud. Sipas Shoqatës së Qiramarrësve Zviceranë, “Këshilli Federal shpreson që kjo do të rrisë transparencën, ndërsa shoqatat e qiramarrësve e shohin atë si një hap të rëndësishëm në luftën kundër qirave të tepërta. Për qiradhënësit, ndryshimi do të thotë se ata do të duhet të plotësojnë dokumentet e tyre më me kujdes, sepse gabimet mund të çojnë shpejt në procedura ligjore.

Sfondi pas ligjit të ri

Një studim i kryer në vitin 2024 nga kompania e pasurive të paluajtshme Wüest Partner, zbuloi se pas një zhvendosjeje në një apartament të ri, madje edhe në një më të vogël, një pjesë e madhe e qiramarrësve paguajnë qira më të larta se banorët e mëparshëm.

Një arsye është mungesa e vazhdueshme – dhe, në disa raste, përkeqësimi – e strehimit.

Një tjetër është se kur një qiramarrës i vjetër largohet dhe mbërrin një i ri, qiradhënësit kanë të drejtë të rrisin qiranë deri në 10 përqind.

Kjo është e ligjshme dhe, për fat të keq, shumë qiramarrës duhet ta durojnë këtë rritje. Megjithatë, lind një problem kur pronari i pronës e rrit qiranë me më shumë se 10 përqind, transmeton albinfo.ch.

Kjo konsiderohet një praktikë abuzive, të cilën ligji i ri synon ta korrigjojë.

Çfarë ndodh tani?

Nga sot, 1 tetor 2025, vetëm formularët e rinj, “më transparentë” duhet të përdoren në kantonet që i nënshtrohen këtij rregulli, shkruan thelocal. Nëse një qiramarrës i ri vëren se formulari nuk përmban normën e interesit referues më të fundit të vlefshme ose normën e inflacionit më të fundit të vlefshme, qiraja e rënë dakord është e pavlefshme.

Po sikur të jetoni në një kanton që nuk e ka këtë rregull të detyrueshëm zbulimi?

Nëse dyshoni se qiraja juaj tejkalon pragun prej 10 përqind të lejuar për rritje, mund ta kundërshtoni atë.

Megjithatë, së pari duhet të zbuloni se sa saktësisht u është ngarkuar banorëve të mëparshëm të banesës suaj. Për fat të mirë, ky informacion është i njohur publikisht.

Keni të drejtë të pyesni qiradhënësin tuaj se cila ishte qiraja e mëparshme për apartamentin, dhe qiradhënësi duhet t’ju tregojë.

“Return to Kosovo”, dokumentar që risjell plagët e luftës në një mbrëmje të veçantë në Cyrih

Në një atmosferë të ngarkuar emocionale, Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih organizoi shfaqjen e dokumentarit “Return to Kosovo”, i gazetarit britanik Julius Strauss.

“Në përvojën time 15-vjeçare në institucionet e Republikës së Kosovës, kam udhëhequr shumë procese e projekte, por shfaqja e filmit dokumentar Return to Kosovo mbetet një ndër aktivitetet më të veçanta në detyrën time diplomatike”, u shpreh Konsulli i Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, duke hapur mbrëmjen.

Dokumentari sjell rrëfimin e dhimbshëm të familjes Deliu nga Abri e Epërme. Besnik Deliu, që si fëmijë pesëvjeçar mbijetoi masakrën ku humbën jetën 23 anëtarë të familjes së tij, është në qendër të filmit. Strauss, i cili e kishte takuar Besnikun menjëherë pas tragjedisë, rikthehet pas dy dekadash për ta gjetur atë tashmë si burrë, bashkëshort, baba dhe pjesëtar i Ushtrisë së Kosovës. Ky ribashkim përbën boshtin emocional të filmit.

Dokumentari sjell edhe histori të tjera të prekshme nga lufta e Kosovës, mes tyre edhe rrëfimin e një vajze dhjetëvjeçare, e cila çdo ditë ndalonte fshehurazi pranë varrit të nënës së saj të vrarë mizorisht, duke marrë një gur që e mbante nën jastëk si kujtim. Ky detaj i dhimbshëm ilustron plagët e thella që lufta u ka lënë fëmijëve.

Prania diplomatike dhe mbështetja e mërgatës

Në këtë mbrëmje ishin të pranishëm përfaqësues të shumë shteteve mike – Shqipërisë, Turqisë, Kroacisë, Portugalisë, Italisë, Japonisë, Belgjikës, Republikës Çeke, Estonisë, Sllovakisë, Gambias, Bahamas, Maltës, Monakos dhe Seychelles.

Po ashtu morën pjesë deputetë kantonalë dhe komunalë si Drin Alaj, Daniel Wäfler dhe Dafi Muharemi, si dhe personalitete nga fusha e shëndetësisë, mes tyre Labinot Demaj, Sekretar i Përgjithshëm i Departamentit të Shëndetësisë në Kantonin e Cyrihut.

Konsulli Berisha falënderoi gjithashtu komunitetin shqiptar në Zvicër, shoqatat kulturore e sportive, misionet fetare, ansamblet, bizneset dhe mjekët, për pjesëmarrjen e tyre, duke theksuar unitetin e mërgatës.

Mbrëmjen e pasuroi interpretimi muzikor i pianistes Flutura Bytyqi!