Në Suedi mund të gjobitesh nëse e lë macen vetëm për shumë kohë

Në Suedi, pronarët e maceve mund të përballen me gjobë nëse e lënë macen vetëm për një kohë të gjatë pa e kontrolluar.

Kjo bazohet në ligjin për mbrojtjen e kafshëve, i cili kërkon që pronarët ta kontrollojnë macen të paktën dy herë në ditë për të siguruar mirëqenien e saj, raporton 20minuten.ch, transmeton albinfo.ch.

Ligji zbatohet për të gjitha macet – qoftë ato që jetojnë brenda shtëpisë, jashtë apo në ferma. Lënia e ushqimit dhe ujit për disa ditë nuk mjafton; pronari ose një person tjetër duhet ta kontrollojë fizikisht kafshën.

Nëse autoritetet zbulojnë se rregullat nuk respektohen, pronari mund të detyrohet të korrigjojë situatën dhe në disa raste të paguajë gjobë. Në raste më serioze të shkeljes së ligjit për mirëqenien e kafshëve mund të ketë edhe dënime më të rënda, madje edhe ndalim për të mbajtur kafshë.

Ky rregull është pjesë e politikës së Suedisë për standarde shumë të larta të mbrojtjes së kafshëve, duke theksuar se edhe macet – megjithëse konsiderohen kafshë të pavarura – kanë nevojë për kujdes dhe kontakt të rregullt me njerëzit.

Në praktikë, kjo do të thotë se nëse një pronar udhëton ose mungon për disa ditë, duhet të organizojë që dikush ta vizitojë dhe të kujdeset për macen çdo ditë.

Shqiptarët kanë probleme me pagesat e faturave mujore

Rreth 24.2% e familjeve në Shqipëri rezultojnë të kenë pagesa të prapambetura që lidhen më qiranë e shtëpisë, fatura shërbimesh (energji, ujë, ngrohje) apo blerje të pronave më këste, sipas të dhënave të Eurostat që i takojnë vitit 2023.

Kjo do të thotë se afërsisht një në katër familje ka vështirësi reale për të përmbushur në kohë detyrimet në lidhje me menaxhimin e banesës, raporton Monitor, transmeton albinfo.ch.

Ky nivel është dukshëm më i lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian, e cila në 2023 qëndron rreth 9–10%, dhe e pozicionon Shqipërinë ndër vendet me vështirësi të larta për të përballuar kostot e banimit, pas Greqisë, Maqedonisë së Veriut e Turqisë. Krahasuar me vendet e Eurozonës, ku përqindja e familjeve me vonesa në pagesa është rreth 9.5%, situata në Shqipëri është më shumë se dyfish më problematike.

Kjo përqindje e lartë e familjeve që nuk përballojnë faturat e shtëpisë tregon se një pjesë e konsiderueshme e tyre janë financiarisht të brishta, të ekspozuara ndaj goditjeve të vogla ekonomike, rritje çmimesh, humbje të ardhurash apo shpenzime të paparashikuara.

Në shumicën e vendeve të Evropës Perëndimore, si Gjermania, Franca, Holanda apo Austria vetëm 5–10% e familjeve kanë pagesa të prapambetura, çka e vendos Shqipërinë shumë larg standardit evropian të përballueshmërisë financiare.

Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, situata është përgjithësisht më problematike sesa në BE, por Shqipëria mbetet ndër vendet me nivelin më të lartë të vështirësive. Me 24.2%, Shqipëria ka një përqindje, më të lartë se Serbia (17.9%), dhe më afër vendeve me presion të fortë financiar si Turqia (26.3%).

Shqipëria pozicionohet mbi mesataren rajonale dhe shumë larg BE-së, duke reflektuar një kombinim faktorësh si të ardhurat e ulëta, kostot relativisht të larta të jetesës dhe mungesën e mekanizmave mbrojtës për familjet.

Të dhëna të tjera të detajuara nga Eurostat tregojnë se Shqipëria ka ende kostot më të ulëta në çmimet e qirave dhe faturave utilitare, por nga ana tjetër ka një përqindje të lartë të familjeve që nuk kanë mundësi të paguajnë në kohë këto fatura.

Situata në vitet në vijim mund të vijë në përkeqësim për shkak se çmimet e shtëpive në Shqipëri janë duke u rritur më shpejt se pagat. Sakaq kostot e jetesës po rriten në tërësi duke e bërë menaxhimin e faturave që kërkon shtëpia edhe më të vështirë.

S’ka punë, s’ka pagë: Zvicra nuk bën përjashtime për punonjësit e bllokuar jashtë vendit

Punonjësit në Zvicër që mbeten të bllokuar gjatë udhëtimeve dhe nuk arrijnë të kthehen në kohë në punë, zakonisht nuk kanë të drejtë për pagë për ditët e mungesës.

Sipas ekspertëve të së drejtës së punës, vlen parimi i qartë: “pa punë, nuk ka pagë”, raporton 20minuten, transmeton albinfo.ch.

Raste të tilla kanë ndodhur së fundmi edhe me disa zviceranë që mbetën të bllokuar jashtë vendit për shkak të krizave ndërkombëtare dhe anulimit të fluturimeve. Edhe pse ata nuk janë fajtorë për situatën, ligji zakonisht nuk i detyron punëdhënësit të paguajnë për ditët kur punonjësi nuk mund të paraqitet në vendin e punës.

Ekspertët thonë se në këto raste punonjësit mund të kërkojnë të përdorin ditët e pushimit vjetor, ose të marrin ditë të papaguara. Në disa raste punëdhënësit mund të tregojnë mirëkuptim dhe të paguajnë gjithsesi për mungesën, por kjo mbetet një vendim vullnetar dhe jo detyrim ligjor.

Në praktikë, shumë kompani përpiqen të gjejnë zgjidhje fleksibile me punonjësit, por sipas ligjit të punës në Zvicër përgjegjësia për të qenë në kohë në punë zakonisht i takon vetë punonjësit.

Filmi ku luan aktorja nga Kosova, Luana Bajrami fiton çmim “Oscar”

Regjisorja dhe aktorja kosovare me famë botërore, Luana Bajrami, bashkë me ekipin e filmit të saj të ri “Two People Exchanging Saliva”, u ngjit në skenën prestigjioze të ceremonisë “Oscar”, për ta pranuar çmimin “Filmi më i mirë i shkurtër”.

Regjisorët e filmit, me ta pranuar trofeun nën emocione të mëdha, e përmendën dhe prejardhjen nga Kosova të njërës prej protagonisteve në film, Bajramit, duke shtuar se është një projekt i punuar nga një ekip i përbërë kryesisht nga gratë.

Në bashkëprodhimin midis Francës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me titull origjinal “Deux personnes échangeant de la salive”, Bajrami luan rolin e Malaises. Është rol qendror në filmin bardhezi, me skenar dhe regji të dyshes Alexandre Singh dhe Natalie Musteata. Sipas sinopsisit, imagjinon një Paris distopik ku shuplakat në fytyrë kanë zëvendësuar paranë dhe puthjet janë të ndaluara, madje të dënueshme me vdekje. Kur një grua e re, Malaise (Luana Bajrami), fillon punën në një butik magjepsës, ajo krijon shpejt një lidhje me një klient të pasur, Angine, duke ndezur zilinë e mbikëqyrëses së saj. Një komedi e errët mbi tërheqjen dhe rivalitetin, e zhvilluar në një sfond të çuditshëm dhune të stilizuar, filmi u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Telluride të SHBA-së dhe mori Çmimin e Madh të Jurisë në “AFI Fest”, i organizuar nga Instituti Amerikan i Filmit. Producente ekzekutive të projektit janë Julianne Moore dhe Isabelle Huppert.

Me çmimin “filmi më të mirë i shkurtër” është shpërblyer edhe filmi “The Singers”.

Nga Cyrihu në Turqi: Zgjedhja e politikanes 20-vjeçare me shami po bën bujë

Vera Çelik, 20 vjeçe, është zgjedhur në parlamentin komunal të qytetit të Cyrihut dhe konsiderohet gruaja e parë me shami në këtë institucion.

Zgjedhja e saj ka tërhequr vëmendje edhe jashtë Zvicrës, ndërsa mediat shtetërore turke e kanë paraqitur si një simbol të pjesëmarrjes dhe diversitetit të komunitetit turk në Zvicër, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportimit të medias zvicerane, ky reagim e ka vënë Çelikun në një pozitë të pakëndshme politike, pasi lavdërimi nga qarqe pranë qeverisë së Erdoganit ka shkaktuar debat edhe në Zvicër.

Vetë Çelik ka mohuar raportimet se është telefonuar nga ambasadorja turke apo nga konsulli i përgjithshëm, duke i cilësuar këto pretendime si të pasakta. Ajo ka theksuar se nuk ka lidhje me politikën turke dhe se zgjedhja e saj në Cyrih nuk duhet të përdoret për qëllime politike nga qeveri të tjera.

Artikulli përmend gjithashtu se gjatë fushatës ajo ka pasur kontakte me përfaqësues të komunitetit turk në Zvicër, përfshirë figura që konsiderohen pranë qeverisë turke. Çelik është mbrojtur duke thënë se është takuar me organizata të ndryshme për të inkurajuar pjesëmarrjen politike të qytetarëve me histori migrimi dhe se nuk njeh orientimet politike të secilit person që ka takuar.

Në planin politik lokal, Çelik thotë se dëshiron të angazhohet kundër diskriminimit, për barazi, për strehim të përballueshëm dhe për qytetarët me të ardhura të ulëta. Ajo kishte marrë vëmendje edhe më herët në nivel kombëtar, kur kishte mbështetur të drejtën që mësueset në Zvicër të lejohen të mbajnë shami.

Elon Musk: Tesla gati të fillojë prodhimin e çipave me AI

Elon Musk njoftoi se projekti Terafab i Tesla-s për prodhimin e çipave me inteligjencë artificiale do të nisë brenda një jave.

Vitın e kaluar, Musk kishte paralajmëruar se Tesla mund të jetë e detyruar të ndërtojë një “fabrikë gjigante” për këtë qëllim. Ai gjithashtu kishte përmendur mundësinë e bashkëpunimit me Intel, duke theksuar se, edhe pse ende nuk ka marrëveshje të firmosur, mund të jetë e vlefshme të diskutohen mundësitë me këtë kompani.

Ky hap tregon përpjekjet e vazhdueshme të Tesla-s për të integruar teknologji të avancuara të AI në prodhimin e saj të automjeteve elektrike.

Jeta e ndërlikuar e gjyqtarit francez Nicolas Guillou pas sanksioneve amerikane

Gjyqtari francez Nicolas Guillou, pjesë e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC), po përballet me një realitet të ri dhe të vështirë pas vendosjes së sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara. Sanksionet e kanë përjashtuar atë nga një pjesë e madhe e sistemit bankar dhe shërbimeve digjitale, duke nxjerrë në pah – sipas tij – varësinë e Evropës nga kompanitë teknologjike amerikane dhe rrezikun që kjo paraqet për sundimin e ligjit. Guillou ishte gjithashtu gjyqtar i procedurës paraprake në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë, transmeton albinfo.ch.

Sanksionet pas urdhër-arrestit ndaj Netanyahut

Shtatë muaj më parë, Uashingtoni vendosi sanksione ndaj Nicolas Guillou dhe dhjetë gjyqtarëve të tjerë të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, pasi ata kishin lëshuar një urdhër-arresti ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

Së fundmi, presidenti francez Emmanuel Macron i ka dërguar një letër Donald Trumpit duke kërkuar heqjen e këtyre sanksioneve.

“Sulm ndaj drejtësisë ndërkombëtare”

Guillou thotë se për këtë kërkesë ka mësuar nga media dhe nuk është njoftuar zyrtarisht. Në emisionin “Tout un monde”, ai deklaroi se sanksionet nuk kanë të bëjnë vetëm me të personalisht.

“Sanksionet ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare janë një sulm ndaj individëve, por edhe një sulm ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe, më gjerë, ndaj sundimit të ligjit”, thekson ai.

Sipas tij, këto masa synojnë të vënë në pikëpyetje mekanizmat që janë ndërtuar gjatë dekadave për të garantuar barazi para ligjit dhe drejtësi për krimet më të rënda në botë.

Tre nivele sanksionesh

Masat amerikane janë të strukturuara në tre nivele kryesore:

gjyqtarëve u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara, një ndalim që vlen edhe për bashkëshortët dhe fëmijët e tyre;

nëse ata ndodhen në territorin amerikan, mund të përballen me urdhër deportimi;

të gjitha asetet e tyre në SHBA ngrijnë.

Përveç kësaj, kompanitë dhe individët nuk lejohen të ofrojnë shërbime për personat e sanksionuar. Ky rregull vlen edhe për filialet e kompanive amerikane në mbarë botën, përfshirë Evropën.

Goditje në bankë dhe në botën digjitale

Sipas Guillou, ndikimi më i madh ndihet në dy fusha: bankat dhe shërbimet digjitale.

“Vështirësia më e madhe në sektorin bankar lidhet me mjetet e pagesës. Kuptova se Evropa nuk ka më sovranitet mbi to, sepse varet pothuajse tërësisht nga kartat amerikane Visa, Mastercard dhe American Express. Edhe nëse banka nuk ta mbyll llogarinë, ti nuk ke më mënyrë pagese”, shpjegon ai.

Një situatë e ngjashme ndodh edhe me shërbimet online. “Kur je nën sanksione, shumica e abonimeve apo llogarive te kompanitë amerikane mbyllen. Kjo ndodh, për shembull, me Airbnb, PayPal apo Booking.”

Në raste të tjera, llogaritë mbeten aktive, por transaksionet bllokohen. Guillou tregon se kishte rezervuar një hotel në Francë përmes Expedia, por pas 12 orësh mori një email që rezervimi ishte anuluar.

“Është sikur të jemi kthyer në vitet ’90”, thotë ai.

Nevoja për autonomi evropiane

Gjyqtari thekson se kjo situatë zbulon dobësinë e Evropës përballë gjigantëve amerikanë të teknologjisë.

“Identiteti dhe arkivat tona digjitale nuk na përkasin më. Ato kontrollohen nga kompani në një kontinent tjetër, të cilat mund të të përjashtojnë nga bota digjitale me kërkesën e një shteti të huaj”, shprehet Guillou.

Ai paralajmëron gjithashtu rrezikun e vetë-censurës tek politikanët apo gjyqtarët evropianë, të cilët mund të hezitojnë të marrin vendime të caktuara nga frika e hakmarrjeve të ngjashme.

Megjithatë, Guillou thotë se nuk do të tërhiqet nga detyra e tij.

“Do të vazhdoj punën time. Jam gjyqtar në një gjykatë penale ndërkombëtare dhe kam bërë betimin për ta kryer këtë detyrë. Do të vazhdoj si deri tani.”

Sipas tij, për të mbrojtur shtetin e së drejtës, Evropa duhet të ndërtojë më shumë autonomi strategjike. Ai vëren se një frymë e tillë tashmë po rritet sidomos tek brezi i ri.

“Ka një shtysë shumë të fortë drejt sovranitetit evropian. Shumë njerëz e kuptojnë se nuk mund të vazhdojmë në këtë gjendje varësie”, përfundon gjyqtari i Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

Bora e freskët në Zvicër krijon kushte ideale për skijim

Stacionet e skive në Graubünden dhe Valais janë mbuluar nga mbi një metër borë e freskët gjatë fundjavës, duke krijuar kushte të shkëlqyera për pjesën e fundit të sezonit 2025/2026.

Matjet e borës në disa zona: Bosco Gurin 116 cm, Saas-Fee 88 cm, Zermatt 47 cm dhe San Bernardino 45 cm. Një pjesë e madhe e pistave mund të mbulohen edhe me dëborë artificiale, ndërsa parashikimet e motit parashikojnë ditë me diell në javët e ardhshme.

“Bora e freskët premton një fund sezoni shumë të mirë dhe krijon një atmosferë dimërore deri në pranverë,” thonë përfaqësuesit e Graubünden dhe Valais Tourism, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, stacionet paralajmërojnë për rrezikun e avalanxhës, i cili mbetet i lartë pas reshjeve të fundit. Vizitorët këshillohen të ndjekin buletinet e Institutit për Kërkimin e Borës dhe Avalanxhave (SLF).

Sezoni ka nisur mirë, me një rritje të vizitorëve krahasuar me vitin e kaluar dhe parashikohet të vazhdojë me kushte optimale për skijim deri në pranverë.

Ku përfundojnë automjetet e përdorura nga Evropa?

Rreth gjysma e makinave të përdorura nga Evropa përfundojnë në Afrikë, kryesisht në Benin dhe Nigeri. Një portë kryesore hyrjeje është porti i Cotonou, ku mbi 20,000 automjete të përdorura presin për shitje.

Shumica e këtyre makinave janë të vjetra dhe nuk përmbushin më standardet evropiane. Për të shmangur taksat doganore, shumë automjete shënohen me destinacione fantazmë si “Transit Niamey”, edhe pse kufiri me Nigerin është i mbyllur. Në realitet, shumë makina përfundojnë në Nigeria, tregu më i madh i makinave të përdorura në Afrikë.

Makina zvicerane janë të kërkuara sepse zakonisht janë në gjendje të mirë dhe më të pastra se automjetet nga vende të tjera. Sistemet burokratike shpesh përdoren si maskim për një treg të errët që përfiton nga kufijtë e dobët dhe korrupsioni.

Vernissage i ekspozitës personale “Gruaja Matrioshkë” të R.C. Anaider

Më 23 prill 2026, në Galerinë Moshek në Clarens, do të mbahet vernissage i ekspozitës personale të artistes shqiptare  R.C. Anaider me titull “Gruaja Matrioshkë”, ku do të prezantohet koleksioni më i ri i pikturave, i frymëzuar nga romani me të njëjtin titull.

Ky cikël artistik sjell figurën femërore si një matrioshkë simbolike, të përbërë nga shtresa të shumta që hapen njëra pas tjetrës, duke reflektuar fazat e ndryshme të jetës së gruas. Përmes veprave, ekspozita eksploron kujtesën, dhimbjen, transformimin, ëndrrat dhe heshtjet që ndërtojnë identitetin femëror.

Vernissage (hapja e eskpozitës) do të shoqërohet me aperitiv si dhe takim me artisten.

Data: 23 prill 2026

Ora: 18:00

Vendi: Galeria Moshek, Rue du Lac 44, 1815 Clarens–Montreux, Zvicër

 

Rama: Bllokimi i përkohshëm i TikTok-ut ndihmoi në mbrojtjen e fëmijëve online

Kryeministri Edi Rama deklaroi se masa e përkohshme për të bllokuar platformën TikTok në Shqipëri ka sjellë rezultate konkrete në mbrojtjen e fëmijëve dhe në forcimin e sigurisë në përdorimin e rrjeteve sociale.

Gjatë podkastit të tij “Flasim”, Rama komentoi vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për TikTok-un, duke theksuar se çështja ishte në thelb e zgjidhur përmes dialogut me kompaninë.

Ai shpjegoi se pas bllokimit të platformës dhe pas kërkesës së shumicës së prindërve dhe mësuesve, u hap një dialog konstruktiv me TikTok, i cili nisi të aplikojë masa të reja për sigurinë e përdoruesve shqiptarë.
Megjithatë, Rama shtoi se Gjykata Kushtetuese argumentoi se qeveria nuk kishte provuar se bllokimi ishte i vetmi mjet efektiv. Kryeministri theksoi rëndësinë e komentit konstruktiv për të përmirësuar punën e institucioneve gjyqësore, duke shtuar se kritika e drejtë mund të rrisë cilësinë e drejtësisë.

Ai theksoi se bllokimi i përkohshëm solli implementimin e filtrave algoritmikë dhe masave që parandalojnë përmbajtjen e dhunshme ose të papërshtatshme për fëmijët, duke krijuar një bashkëpunim efektiv me platformën.

Rama gjithashtu nënvizoi se, edhe pse kompania është shumë e madhe në krahasim me shtetin shqiptar, dialogu solli rezultate konkrete për mbrojtjen e fëmijëve. Sipas tij, vendimi i Gjykatës nuk mori parasysh këtë fakt dhe rëndësinë e mbrojtjes së të miturve nga përmbajtje që mund të ndikojë negativisht në shëndetin dhe zhvillimin e tyre.

Në përfundim, Rama theksoi se qeveria ka arritur qëllimin e saj dhe rezultatet e pritshme nga bllokimi i TikTok-ut, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Lufta në Lindjen e Mesme përshkallëzohet: Trump refuzon marrëveshje me Iranin

Lufta në Lindjen e Mesme ka hyrë në javën e tretë, ndërsa përplasjet mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit po rrisin tensionet në të gjithë rajonin dhe po ndikojnë në ekonominë globale.

Presidenti amerikan Donald Trump ka përjashtuar mundësinë e një marrëveshjeje me Iranin në këtë fazë të konfliktit, duke deklaruar se kushtet aktuale nuk janë të pranueshme për Uashingtonin dhe se çdo marrëveshje duhet të përfshijë heqjen dorë të Teheranit nga ambiciet bërthamore.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë bombarduar ishullin iranian Kharg, një pikë strategjike për eksportet e naftës së Iranit në Gjirin Persik. Trump deklaroi se objektivat ushtarake janë shkatërruar, ndërsa Irani paralajmëroi se mund të godasë infrastrukturën energjetike të lidhur me SHBA në rajon.

Situata është përshkallëzuar edhe për shkak të tensioneve në ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë. Irani ka kufizuar lëvizjen në këtë zonë, ndërsa Trump u ka bërë thirrje vendeve të tjera të dërgojnë anije luftarake për të garantuar sigurinë e transportit detar.

Në të njëjtën kohë, Izraeli ka bërë të ditur se nuk planifikon negociata të drejtpërdrejta me Libanin për përfundimin e konfliktit. Qeveria izraelite ka miratuar gjithashtu një paketë prej 827 milionë dollarësh për blerje urgjente ushtarake.

Sipas autoriteteve libaneze, nga sulmet izraelite në Liban që nga fillimi i marsit janë vrarë rreth 850 persona, përfshirë mbi 100 fëmijë, ndërsa mijëra të tjerë janë plagosur dhe qindra mijëra janë zhvendosur.

Sulme dhe incidente të armatosura janë raportuar edhe në Irak, ku një bazë ushtarake në aeroportin e Bagdadit është goditur me dronë dhe raketa.

Përshkallëzimi i konfliktit ka rritur shqetësimet ndërkombëtare për një luftë më të gjerë në rajon, ndërsa organizata dhe liderë botërorë kanë bërë thirrje për de-eskalim dhe rikthim të dialogut diplomatik.

Lozana humb nga Young Boys dhe i duhet një “mrekulli” për të hyrë në top-6

Lozana pësoi një tjetër humbje të rëndë në Superligën zvicerane, duke u mposhtur 0-2 në shtëpi nga Young Boys, çka e vështirëson shumë objektivin për të hyrë në gjashtëshen e parë të kampionatit.

Skuadra nga Lozana tani ndodhet 9 pikë larg vendit të gjashtë, ndërsa kanë mbetur vetëm tre ndeshje deri në ndarjen e kampionatit në fazën finale. Për më tepër, diferenca e golave nuk është në favor të saj: -4 për Lozanën, ndërsa +9 për Sionin dhe +5 për Young Boys, gjë që e bën edhe më të vështirë rikuperimin.

Sanches ndëshkon ish-skuadrën

Ish-lojtari i Lozanës, Alvyn Sanches, ishte protagonisti i ndeshjes duke shënuar dy gola për Young Boys. Goli i parë erdhi në minutën e 43-të, pas një asistimi të Joel Monteiro.

Në pjesën e dytë situata u përkeqësua për vendasit, pasi Karim Sow u përjashtua me karton të kuq në minutën e 49-të për një ndërhyrje ndaj Sanches në qendër të fushës.

Vetëm gjashtë minuta më vonë, Sanches realizoi edhe golin e dytë, duke shuar pothuajse çdo shpresë për rikthim të Lozanës.

Në minutën e 70-të, zëvendësuesi Sékou Fofana pati një mundësi të mirë për të rikthyer ekipin në lojë, por goditja e tij u ndal nga shtylla e portës.

Situata në renditje

Me këtë fitore, Young Boys siguroi fitoren e tretë në katër ndeshjet e fundit dhe mbetet në garë për vendet e para, duke qenë në kuotë të barabartë pikësh me Sionin (45 pikë).

Nga ana tjetër, Lozana renditet në vendin e tetë me 36 pikë, dhe pas eliminimit nga garat evropiane dhe diferencës së krijuar në renditje, skuadra ka gjithnjë e më pak objektiva për pjesën e mbetur të sezonit.

Ish presidenti Pendarovski, në mbrojtje të shqipes në Maqedoninë e Veriut

Në një intervistë, Pendarovski tha se shqipja është gjuhë zyrtare për shkak të mbi 20% të popullsisë shqiptare dhe përdorimi i saj rregullohet nga ligji për gjuhët, i ndryshuar disa herë për të përmirësuar të drejtat e komunitetit.

Megjithatë, ai paralajmëroi se një qytetar ka paraqitur një mocion në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e ligjit, çka mund të shkaktojë një problem të madh nëse ky ligj asgjësohet.

“Është zyrtare për shkak të 20% të njerëzve që jetojnë në këtë vend. Ndërkohë, ne kemi pranuar dy gjuhë juridike. Është ligji kryesor në anglisht, por është ligji në shqip, në esencë. Ligji i parë mendoj se është në vitin 2008. Dhe i fundit ishte në vitin 2007 e diçka. Pra, ne kemi ndryshuar këtë ligj disa herë duke përmirësuar të drejtat e shqiptarëve.

Çfarë ndodhi ndërkohë? Dikush, supozohet një qytetar i thjeshtë, i panjohur për publikun ka paraqitur një mocion para Gjykatës Kushtetuese duke thënë se ligji për gjuhë, për gjuhën shqipe nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe ka kërkuar asgjësimin e këtij ligji… Gjykata Kushtetuese tashmë ka planifikuar një seancë për këtë çështje dhe do të jetë problem i madh nëse ata do të asgjësojnë këtë ligjin për gjuhët që kinse nuk është në përputhje me Kushtetutën”, deklaroi ai, transmeton Top Channel.

Pendarovski theksoi se problemi kryesor mbetet zbatimi praktik i ligjit, sidomos në institucione dhe në sistemin gjyqësor.

“Shqiptarët mund ta përdorin këtë gjuhë, por në shumë raste nuk e shohim zbatimin e plotë në institucione dhe gjykata. Është e rëndësishme që të pyetet nëse këto të drejta po zbatohen në jetën e përditshme. Njëri nivel është i vendosur në ligj, por nuk e shohim në përdorim me njerëzit dhe sipas mendimit tim nëse ligji është aty vetëm për disa parti politike shqiptare për të thënë në kohën tonë ne kemi miratuar ligjin me standardin më të mirë të mundshëm për përdorimin e gjuhës shqipe kjo është propagandë politike, krejtësisht ndryshe në këndvështrimin tim duhet të jetë me interes për të gjithë, për çdo shqiptarë që jeton këtu duhet të pyet a po zbatohen në praktikë këto të drejta në jetën e përditshme.

Mund t’ju them që nuk zbatohen. Dhe nëse pavarësisht kësaj ende nuk zbatohen plotësisht atëherë ka disa njerëz që do të dëshironin të kundërshtonin edhe atë që u vu në ligj”, deklaroi ai.

Një grua vdes pas aksidentit në autostradën A2, Basel-Landschaft

Një grua vdiq në një aksident trafiku në autostradën A2 pranë qytetit Muttenz herët në mëngjes të dielën.

Disa automjete u përfshinë në përplasje, siç konfirmoi policia e Basel-Landschaft-it për agjencinë e lajmeve Keystone-SDA.

Sipas një zëdhënësi, aksidenti ndodhi pak para orës 4 të mëngjesit në autostradën A2 në Muttenz, duke shkuar drejt Bernës/Luzernit, transmeton lbinfo.ch. Gjetjet fillestare tregojnë se disa automjete u përfshinë në përplasje. Një grua e re vdiq në vendngjarje. E ndjera nuk ishte identifikuar ende deri të dielën në mëngjes.

Shkaku i aksidentit është aktualisht i paqartë, sipas policisë. Policia deklaroi se po hetojnë të gjitha shkaqet e mundshme.

Autostrada A2 nga Bazeli drejt Bernës/Luzernit ishte e mbyllur deri në hyrjen e Pratteln-it, sipas Alertswiss.

(Foto Ilustrim)

Një varkë fundoset në Seychelles – dy zviceranë në mesin e të zhdukurve

Një varkë safari zhytjeje u fundos në rrethana të panjohura në ishullin e largët Marie Louise në Seychelles. Dhjetë persona mbijetuan, një person nga Zvicra është në spital – dy shtetas të tjerë zviceranë janë të zhdukur, transmeton albinfo.ch

Sipas mediave lokale dhe disa faqeve të internetit të zhytjes, alarmi u dha pak pas orës 5:30 të mëngjesit të së premtes: Varka hasi vështirësi pranë ishullit Marie Louise në Seychelles dhe u fundos pak kohë më vonë.

Midis të mbijetuarve me sa duket është një person nga Zvicra. Ata u dërguan në ishullin kryesor Mahé dhe u shtruan në spital, shkruan blick.ch. Gjendja e tyre konsiderohet e qëndrueshme. Sipas gazetës “Seychelles Nation”, nëntë persona të tjerë u shpëtuan më herët. Ata u dërguan në një ishull tjetër me një varkë të vogël.

Shefi i policisë Godfra Hermitte deklaroi në një konferencë për shtyp se një hetim për shkakun e aksidentit është duke u zhvilluar. Ai shtoi se kapiteni i anijes është tani në paraburgim policor.

Dy shtetas zviceranë të zhdukur
Disa persona konsiderohen ende të zhdukur. Numri i saktë është aktualisht i paqartë sepse ende nuk dihet se sa persona ishin në bord. Raportet tregojnë se dy shtetas të tjerë zviceranë dhe një anëtar i ekuipazhit janë midis të zhdukurve.

Operacionet e shpëtimit janë të ndërlikuara. Ishulli Marie Louise ndodhet më shumë se 250 kilometra në jugperëndim të Mahé, një grup ishujsh të largët në Ishujt e Jashtëm të Seychelles. Rajoni konsiderohet një pikë e nxehtë për zhytësit për shkak të shkëmbinjve të tij të paprekur koralorë dhe jetës së pasur detare.

Rasti i vajzës me aftësi të kufizuara: OKB vendos kundër Gjykatës Federale

OKB-ja ka rrëzuar një vendim të Gjykatës Supreme Federale Zvicerane. Rasti ka të bëjë me një nxënëse me aftësi të kufizuara të rënda nga kantoni i Aargaut dhe çështjen nëse dhjetëvjeçares duhet t’i lejohet të ndjekë një shkollë të rregullt, siç raportoi gazeta “SonntagsZeitung”, transmeton albinfo.ch.

Gjykata Supreme Federale kishte vendosur që vajza duhet të ndjekë një shkollë për nxënësit me nevoja të veçanta.

Me mbështetjen e organizatës së personve me aftësi të kufizuar Inclusion Handicap, prindërit paraqitën një ankesë në Komitetin e OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve. OKB-ja tani i ka urdhëruar Zvicrës të ndalojë zbatimin e vendimit të Gjykatës Supreme Federale.

Autoritetet e Aargaut dhe Departamenti Federal i Drejtësisë dhe Policisë (FDJP) nuk pajtohen rreth faktit nëse ky urdhër është detyrues. Kantoni e konsideron vendimin jo detyrues, ndërsa qeveria federale nuk është dakord.

Sipas gazetës, FDJP nuk pranoi të komentojë mbi rastin. Kantoni i Aargaut planifikon ta transferojë vajzën në një shkollë për fëmijë me nevoja të veçanta për vitin e ri akademik.

Për AHV dhe ushtrinë: Dy të tretat e zviceranëve mbështesin taksën e pasurisë

Dy të tretat e të anketuarve në një anketë të Tamedia kanë shprehur mbështetjen e tyre për një taksë pasurie mbi të pasurit. Ky propozim është pritur mirë në të gjithë spektrin politik, raportuan “SonntagsZeitung” dhe “Le Matin Dimanche”.

Edhe midis mbështetësve të SVP (Partisë Popullore Zvicerane) dhe FDP (Partisë Liberale), mbi 50 për qind favorizuan futjen e një takse të tillë në nivel federal, transmeton albinfo.ch.

Sipas gazetave, propozimi i Ministrit të Mbrojtjes Martin Pfister për të rritur taksën e vlerës së shtuar me 0.8 pikë përqindjeje në dobi të ushtrisë u prit me pak miratim.

Për më tepër, 43 për qind e të anketuarve hodhën poshtë të gjitha propozimet që aktualisht po debatohen në parlament në lidhje me financimin e AHV, siç raportohet nga gazetat Tamedia.

MPB nis aplikimet për lejeqëndrimin dhe regjistrimin e qytetarëve të huaj

Nga data 16 mars do të fillojë procesi i aplikimeve për lejeqëndrim dhe lajmërimin e adresës për qytetarët, pas përfundimit të periudhës informuese, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.

Ky veprim vjen pas deklarimeve të Kryeministrit Albin Kurti dhe përfaqësuesit special të BE-së, Peter Sorensen, më 14 mars.

Në një komunikatë për media, MPB njofton se gjatë një periudhe tre mujore do të mundësohet regjistrimi i fakteve të lindjes, martesës dhe vdekjes që janë regjistruar deri më 15 mars 2026 në institucionet jolegale serbe, me qëllim integrimin e tyre në Regjistrin Civil të Kosovës.

Ministria do të njohë përkohësisht kartat e identitetit të lëshuara nga strukturat jolegale serbe, vetëm për qëllime identifikimi dhe në përputhje me ligjin në fuqi. MPB, në bashkëpunim me Agjencinë e Regjistrimit Civil dhe Policinë e Kosovës, do të ofrojë të gjitha udhëzimet e nevojshme për qytetarët e prekur nga këto vendime.

Po ashtu, Ministria thekson se aplikimi individual për lejeqëndrim të përkohshëm do të bëhet pas pranimit të listave të punëtorëve nga sektori i shëndetësisë dhe arsimit në komunat përkatëse. MPB nënvizon se të gjitha veprimet institucionale synojnë të garantojnë zbatim të rregullt dhe të koordinuar të ligjeve, me qasje në shërbime dhe siguri juridike për qytetarët, në përputhje me standardet evropiane.

Ministria kujton se çdo shtetas i huaj ka obligim ligjor të deklarojë adresën brenda tre ditëve nga hyrja në Kosovë, duke përdorur aplikacionin e Policisë së Kosovës për Android, iOS, ueb, ose duke shkuar në stacionin më të afërt policor. MPB premton publikim të udhëzimeve shtesë dhe informacion përmes Zyrës për Informim.

Në Bernë u mbajt manifestimi “Kurora e Lirisë” në përkujtim të Familjes Jashari

Në një pasdite të mbushur me emocion, kujtesë dhe nderim, Berna u bë vendtakimi i qindra bashkatdhetarëve që u mblodhën për të kujtuar sakrificën e Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar.

Manifestimi përkujtimor dhe artistik “Kurora e Lirisë” solli së bashku përfaqësues institucionalë, diplomatë, personalitete të jetës kulturore dhe mërgatën shqiptare në Zvicër, duke e shndërruar këtë ngjarje në një moment reflektimi mbi historinë, lirinë dhe përgjegjësinë për ta ruajtur kujtesën kolektive.

Në mesin e të pranishmëve ishin ministrat e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla dhe Andin Ukshin Hoti, si dhe përfaqësuesi i familjes, Lulzim Adem Jashari.

Kryetrja e Parlamentit të Kantonit dhe Republikës së Gjenevës, Anna Roch ka nderuar po ashtu tubimin, me pjesëmarrjen e sj.

Në këtë ngjarje morën pjesë gjithashtu zëvendësambasadorja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bernë, Shukrije Ramadani, ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut Rexhep Demiri, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Zvicër, Ermal Dredha si dhe sekretari i parë i ambasadës Valon Gashi.

Para fillimit të programit artistik, të pranishmit patën mundësinë të vizitonin ekspozitën fotografike “Prekazi – dashuri, dhimbje dhe krenari kombëtare”, të realizuar nga fotografi artistik nga Skenderaj, Sefer Aliqkaj.

Ekspozita përfaqëson një punë shumëvjeçare dhe përmes objektivit të autorit sjell pamje, figura dhe hapësira që mbartin kujtesën kolektive të historisë së rezistencës dhe simbolikës së Prekazit.

Programi i mbrëmjes u moderua nga Vjosa Beqiri (RTK) dhe Dan Morina (Studio Aktrimi).

Manifestimin e hapi organizatorja e ngjarjes Mirishahe Limani Hiler, e cila falënderoi të gjithë të pranishmit dhe mysafirët e ardhur nga Kosova, duke rikujtuar sakrificën sublime të Familjes Jashari dhe domethënien e saj historike për lirinë e Kosovës. Në nder të dëshmorëve u mbajt një minutë heshtje.

Më pas u interpretua Himni Kombëtar Shqiptar nga solisti dhe kori, ndërsa atmosfera përkujtimore u thellua me interpretimin epik me lahutë të këngës “Në Prekaz ka ra stuhia”, nga Ibrahim Xhaferaj.

Në vazhdim, akademiku Agim Vinca foli për peshën historike të sakrificës së Familjes Jashari dhe për domethënien që lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka në kujtesën kolektive të shqiptarëve. Ai e përmbylli fjalën e tij me poezinë “Homazh për Prekazin”.

Me një fjalë përshëndetëse u drejtua edhe ministri Andin Ukshin Hoti, i cili theksoi se kujtesa për sakrificën e Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të Kosovës mbetet një nga shtyllat mbi të cilat është ndërtuar liria dhe shtetësia e Kosovës.

Në emër të Familjes Jashari, të pranishmit i përshëndeti Lulzim Adem Jashari, i cili theksoi se rrugëtimi historik i kombit shqiptar ka qenë një përpjekje e vazhdueshme për ekzistencë dhe për të qenë zot në atdheun e vet, duke nënvizuar se në themelin e çdo përparimi qëndron sakrifica.

Fjalim rasti mbajti edhe Ana Roch, kryetare e Kuvendit të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës, e cila theksoi se Familja Jashari është shndërruar në një simbol të qëndresës dhe të drejtës për liri.

Në përmbyllje të pjesës së fjalimeve, kryetarja e SH.K.SH. “Bashkimi” – Bern, Alida Ramaj, përshëndeti në emër të shoqatave shqiptare që veprojnë në të gjithë Zvicrën familjet e dëshmorëve, përfaqësuesit institucionalë dhe të gjithë pjesëmarrësit.

Pas pjesës së fjalimeve vijoi programi artistik, ku ansamble, koret e grave dhe shoqata kulturore-artistike shqiptare nga Zvicra interpretuan këngë dhe valle me motive patriotike dhe kombëtare.

Në fund të mbrëmjes u prezantua edhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” nga Kosova, i cili solli në skenë një program të pasur artistik, duke e përmbyllur manifestimin me ritmet dhe ngjyrat e traditës shqiptare.

Mbrëmja përfundoi si një homazh i përbashkët ndaj historisë dhe sakrificës, duke dëshmuar se kujtesa për Prekazin dhe Familjen Jashari mbetet e gjallë edhe larg atdheut. Në zemër të Evropës, mërgata shqiptare në Zvicër rikonfirmoi edhe një herë se kujtimi i atyre që ranë për liri nuk është vetëm histori, por një  besë e dhënë që vazhdon të jetojë në ndërgjegjen kombëtare.

(Fotot: Genti Mersinaj)

Në programin artistik kanë marrrë pjesë:

LAHUTARI (Ibrahim Gjaferaj); SHKA “ALBAKULT”; AV “VATRA”, Bülach; Vogëlushja Lura Krasniçi; SHKA “DARDANIA”, Winterthur; Aurelia dhë Kleofina Balaj; SHKA “ILIRËT”, Lozanë;  Kori “LYRA”, Cyrih; SHKSH “BASHKIMI”, Bernë; Ansambli “TROJET”, Winterthur; Kori “LULE KUQET”, Bernë;  Adora Hiler, VALLËZIM BASHKËKOHOR nga “Dora d’Istria”, Gjenevë dhe Tara Avdullahu nga “Bashkimi” Bernë; Ansambli “ARBËRESHA”, Sirnach;  SHKA “TEUTA”, Lozanë; Shoqata e mërgimtarëve shqiptarë “ATDHEU”, Bad Ragaz; Ansambli “SHQIPONJA”, Lucern; SHKSH ATDHEU (Thun); GRUPI “ARTBAND”.

Programin e ka përmbyllur Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve, “Shota” ng Prishtina.

Crans-Montana: Padi penale kundër djalit të adoptuar të Morettit

Është ngritur një padi penale kundër djalit të adoptuar të pronarit të barit “Le Constellation” në Crans-Montana, Valis. Padia ka të bëjë me faktin se një derë shërbimi në pjesën e pasme të barit ishte e mbyllur natën e zjarrit, raporton gazeta SonntagsZeitung.

Babai i një viktime të zjarrit dhe përfaqësues të viktimave të tjera kanë paraqitur gjithashtu ankesa të ngjashme, trnsmeton albinfo.ch. Këto ankesa përmendin një roje sigurie. Sipas rojes, djali i adoptuar, e dashura e tij dhe gruaja e pronarit të barit vendosën të mbyllnin të gjitha daljet nga bari – përveç hyrjes në verandë – për të parandaluar që dikush të hynte pa paguar.

Deklaratat e rojes së sigurisë bien ndesh me ato të djalit të përmendur dhe pronarit të barit, sipas “SonntagsZeitung”.

E dashura e tij ka vdekur në zjarr, sipas raportimeve të medias.

Shteti po ndërton zyra të reja – por punonjësit duan të punojnë nga shtëpia

Sipas “NZZ am Sonntag”, Zyra Federale e Auditimit Zviceran (SFAO) ka kritikuar zhvillimin e pakoordinuar të rregullimeve rreth punës nga shtëpia për punonjësit federalë brenda administratës federale.

“Nevoja aktuale për hapësirë ​​zyrash duhet të rishikohet rregullisht”, tha për gazetën zëvendësdrejtoresha e SFAO-s, Brigitte Christ, ttransmeton albinfo.ch. Shpenzimet vjetore operative për punonjës me kohë të plotë arrijnë në disa mijëra franga zvicerane, raportoi gazeta, duke cituar një dokument nga Zyra Federale për Ndërtesa dhe Logjistikë (BBL).

Investimet në ndërtim për vend pune mesatarisht janë rreth 128,000 franga zvicerane. Të dhënat mbi zënien e zyrave janë të pakta, raporton gazeta.

BBL informoi gazetën se konsumi i hapësirës për pozicion me kohë të plotë do të reduktohet me 17 për qind deri në vitin 2036.