Vjedhja spektakolare në muzeun e Luvrit, dëmi vlerësohet në 88 milionë euro

Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, njoftoi të martën në mbrëmje se dëmi financiar i shkaktuar nga vjedhja spektakolare e bizhuterive në Muzeun e Luvrit, e ndodhur të dielën, është vlerësuar nga kujdestari i muzeut në 88 milionë euro.

“Sipas kujdestarit të Luvrit, dëmi përllogaritet në 88 milionë euro — një shumë jashtëzakonisht e madhe, por që nuk mund të krahasohet me dëmin historik,” deklaroi prokurorja për radion RTL, duke shtuar se autorët e krimit “nuk do të përfitonin” këtë shumë “nëse do të bënin gabimin fatal t’i shkrihnin bizhuteritë”, transmeton albinfo.ch.

“Shpresojmë që të mendojnë dy herë dhe të mos i shkatërrojnë këto bizhuteri pa arsye,” shtoi ajo.

Katër persona të identifikuar, njëqind hetues në terren

Prokurorja bëri të ditur se gjurmët e gishtave të gjetura në vendngjarje janë aktualisht nën analizë për të verifikuar nëse përputhen me ndonjë të dyshuar. Ajo konfirmoi se katër persona janë identifikuar si të pranishëm në skenën e krimit, por nuk përjashtoi mundësinë që përreth tyre të ketë pasur “një rrjet të tërë bashkëpunëtorësh që i ndihmuan të realizonin këtë vjedhje”.

Sa i përket mundësisë së ndonjë përfshirjeje të brendshme brenda muzeut më të vizituar në botë, Beccuau tha se “në këtë fazë nuk mund të japë as ‘po’ as ‘jo’”.

Ajo shtoi se platforma ajrore e përdorur gjatë grabitjes ishte marrë nga autorët përmes një “qiraje të rreme gjatë një zhvendosjeje të supozuar”.

Në hetime janë përfshirë rreth njëqind hetues në Paris, nën drejtimin e magjistratëve të Juridiksionit të Specializuar Ndërrajonal (JIRS) të prokurorisë së Parisit.

Një ngjarje që tronditi Francën dhe muzeun më të famshëm në botë

Ngjarja ka ngjallur debat të gjerë në Francë mbi sigurinë në muzetë kombëtarë, veçanërisht në Luvër, simbolin më të rëndësishëm kulturor të vendit.

Zërat që ngjiten më lart se majat – gratë shqiptare që frymëzojnë përmes sportit

Më 18 tetor 2025 në  hapësirat e restorantit Allresto në Bernë u zhvillua një mbrëmje speciale e  mbushur me energji, frymëzim dhe solidaritet- një podium që vuri në qendër zërat e tri grave shqiptare në sport.

Në mesin e rreth 100 pjesëmarrësve, shumica gra të pasionuara pas sportit, jetës aktive, shoqërore e kulturore, u krijua një atmosferë e ngrohtë dhe me dialog interaktiv.

 

Uta Ibrahimi (Foto: Rromir Imami)

Ngjarja u drejtua me profesionalizëm dhe ndjeshmëri nga Arbela Statovci  një bisedë të thellë mbi forcën, guximin dhe qëndrueshmërinë e gruas shqiptare në sport. Gjithashtu u bashkëmoderua  nga Dzevrije Zendeli .

Organizimi i kësaj mbrëmjeje u bë i mundur falë mbështetjes së Prima Pflege, Rio Express dhe Fianza, të cilat kontribuan me përgjegjësi shoqërore dhe besim në fuqinë e nismave që promovojnë barazinë, mirëqenien dhe frymën bashkëpunuese në komunitet.

Tri gra që përfaqësojnë dimensione të ndryshme të forcës dhe përkushtimit: Uta Ibrahimi – shqiptarja e parë që ka ngjitur majën e Everestit, personi i parë nga Ballkani që ka pushtuar 14 majat më të larta të botës dhe e 14-ta grua në Evropë që e ka arritur këtë sukses historik; Dr. Rita Parashumti – mjeke dhe trajnere që ndërthur me pasion shkencën, lëvizjen dhe ndërgjegjësimin; dhe Pashke Marku – sportistja e palodhur që mishëron forcën, disiplinën dhe shpirtin ekipor.

Pashke Marku (Foto: Rromir Imami)

Mbrëmja u shndërrua në një dialog të gjallë e të thellë mbi guximin, sfidat dhe qëndrueshmërinë e grave që po ndryshojnë realitetin e sportit shqiptar. Ajo tregoi se fuqizimi fillon nga rrëfimet e sinqerta – nga ato gra që ngjiten jo vetëm në majat e botës, por edhe në ato të vetvetes.

Arbela Statovci (Foto: Rromir Imami)

Në hapjen e ngjarjes, Arbela Statovci, përfaqësuese e swissalbs, solli një mesazh që përmbledh thelbin e mbrëmjes:

“Guxim, forcë dhe qëndrueshmëri mendore – pa kufij, vetëm synime. Gratë shqiptare në sport tregojnë se frymëzimi lind kur pasioni bashkohet me këmbënguljen dhe kufijtë shndërrohen në mundësi. Takime të tilla krijojnë besim, frymëzim dhe guxim – duke bashkuar njerëz përtej kufijve dhe prejardhjeve. Ato janë thelbësore për ta bërë të dukshme figurën e gruas, për të ndarë përvoja dhe për të ndërtuar hapësira ku rriten dialogu, vlerësimi dhe barazia.”

Alpinistja Uta Ibrahimi, një figurë që pasqyron guximin e skajshëm dhe vendosmërinë, ndau rrëfimin e saj të jashtëzakonshëm – nga rrënjët në Gjilan deri te majat e Himalajeve.

“Kur flasim për gratë e forta dhe për gratë në sport, ndihem e nderuar që jam pjesë e këtij aktiviteti. Vij nga Gjilani, një vend i vogël, por me njerëz të mëdhenj. Shpesh dëgjoja se Kosova nuk ka shumë mundësi, por ajo ka dëshmuar të kundërtën – në sport, në art dhe në kulturë. Sidomos vajzat kanë bërë shumë për promovimin e vendit tonë. Ndjehem e lumtur që pata mundësinë të ngjis 14 majat më të larta të botës, të mbaj flamurin e Kosovës dhe të Shqipërisë në secilën prej tyre. Ky ka qenë motivi im më i madh: të bëj diçka për vendin tim.”

Ajo kujtoi momentin e kthesës që e çoi drejt një rruge të re jetësore: “Në vitin 2015 vendosa ta lë punën dhe askush nuk mund ta kuptonte ëndrrën time. Në fillim doja vetëm të ngjisja majat e Kosovës, të Shqipërisë, të Evropës. Pastaj fillova trajnimin si udhërrëfyese malore, që sot është puna ime. Nuk ka qenë e lehtë të thyesh barrierat në një shoqëri ku ‘me marrë malin’ shihej si diçka e pazakontë për një grua. Por disiplina, qëndrueshmëria dhe dashuria për atë që bëj më çuan deri në Everest.”

Ambasadori i Kosovës, Mentor Latifi (Foto: Swissalbs)

Në fjalën e saj, Uta solli një mesazh të fuqishëm për sfidat dhe dimensionin njerëzor të suksesit:

“Ekspeditat mbi 8000 metra nuk janë garë , janë ultra maratona, janë një përballje me vetveten, një udhëtim i shpirtit. Kam parë njerëz që e humbin jetën atyre shtigjeve, por edhe lindjen e një force që s’e njeh frikën. Çdo hap, çdo rrezik, më ka mësuar mirënjohjen. Në fund, ajo që mbetet nuk është vetëm maja që pushton, por rruga që ndan me të tjerët. Ky është mesazhi im për vajzat e reja – që të besojnë se çdo ëndërr është e mundur, nëse e ndjek me zemër.”

Në panel u prezantua edhe rrëfimi i Pashke Markut, hendbolliste shqiptare e lindur në Cyrih, e cila është ndër emrat më të dalluar të sportit të femrave në Zvicër. Ajo ka luajtur për klubet Spono Eagles dhe HSC Kreuzlingen, duke shënuar mbi 735 gola në më shumë se 170 ndeshje në Superligën zvicerane.

“Kam lindur në Cyrih, por u shpërngulëm në Torgau. Motra ime filloi hendbollin, ndërsa unë isha më e tërhequr, më dhembte që lamë Cyrihun. Por pastaj gjithçka ndryshoi – unë vazhdova me hendbollin, motra e la. Trajneri im, që në fillim, më tha: ‘Ti do të arrish’. Dhe unë besova. Ai besim më ka shoqëruar gjithmonë.”

Rrugëtimi i Dr. Rita Parashumtit ndërthur mjekësinë, kujdesin dhe filozofinë e mirëqenies. Ajo u shpërngul nga Kroacia në Prishtinë në vitin 2009, ku fillimisht ëndërronte një jetë në art, por zgjodhi mjekësinë – një rrugë që e çoi drejt misionit të saj profesional.

Dr. Rita Parashumti (Foto: Rromir Imami)

“Kam ardhur në Prishtinë nga Kroacia në vitin 2009, isha vetëm 16 vjeç. Nuk ishte e lehtë të përshtatesha, sepse gjithmonë ëndërroja të jetoja në një vend tjetër, të studioja art, jo mjekësi. Por me këshillën e babait zgjodha mjekësinë – dhe ajo u bë rruga ime e jetës.”

Pasi u specializua në Gjermani, ajo ndërtoi konceptin e mjekësisë parandaluese përmes platformës Ritwells, ku filozofia e saj bazohet në balancimin e trupit dhe mendjes, në zhvillimin e vetëdijes dhe në forcimin e shëndetit përmes stilit të jetës.

“Ritwells nuk është vetëm një profesion – është mënyrë jetese. Kam kuptuar se mirëqenia nuk është luks, por domosdoshmëri për të jetuar në ekuilibër. Unë punoj me njerëz që duan ta ndryshojnë jetën e tyre, jo përmes dietave apo programeve të përkohshme, por përmes ndërgjegjësimit të thellë se si e trajtojmë trupin dhe mendjen tonë. Parandalimi është kujdes, dhe kujdesi është dashuri për veten. Çdo gjë që bëj e bëj me zemër, si në ditën e parë që zgjodha këtë rrugë.”

Në fjalën e tij, Shkëlqesia e Tij, Ambasadori Mentor Latifi, theksoi rëndësinë e shembujve që japin gratë shqiptare:

“Sonte shohim qartë se çfarë niveli kanë arritur gratë tona. Shpesh dëgjojmë lajme të këqija për to – jo për shkak të grave, por për shkak të neve burrave, që ndonjëherë nuk dimë si të sillemi me to. Kjo mbrëmje tregon se gratë tona nuk kanë nevojë për mbështetje, por për hapësira. Suksesi arrihet me disiplinë, me punë dhe me vlerat që i përfaqësojnë.”

Merita Pinta, përfaqësuese e Prima Pflege, theksoi në mënyrë të përmbledhur rolin e kompanisë në mbështetjen e iniciativave me ndikim shoqëror: “Është kënaqësi të mbështesim nisma që frymëzojnë dhe fuqizojnë gratë në çdo fushë. Këto janë vlera që ndajnë edhe vetë parimet e Prima Pflege – kujdes, besim dhe përgjegjësi.”

Edhe Shukrije Ramadani, përfaqësuese e Ambasadës së Kosovës në Bernë, u shpreh: “swissalbs Women po bën një punë të mrekullueshme në fuqizimin e grave shqiptare në diasporë dhe në krijimin e urave bashkëpunuese midis gjeneratave.”

Kjo mbrëmje në Bernë dëshmoi se kur gratë flasin, frymëzojnë; kur bashkohen, ndryshojnë realitete. Zërat e Utës, Ritës dhe Pashkës u bënë pasqyra e një brezi që sfidon kufijtë me guxim dhe përulësi, duke treguar se sporti është shumë më tepër se garë – është mënyrë për të ndërtuar shoqëri më të barabarta, më të vetëdijshme dhe më njerëzore.

Fuqizimi i grave shqiptare në sport nuk është vetëm çështje e barazisë gjinore, por një dëshmi e rrugëtimit kolektiv të një populli që kërkon të ngjitet më lart – me pasion, profesionalizëm dhe dashuri për jetën.

 

 

Qarkullimi i trenave në Vaud i ndërprerë për disa orë, trafiku rikthehet pjesërisht

Qarkullimi hekurudhor në kantonin Vaud u ndërpre të martën pas dëmtimit të linjës elektrike midis Bussigny dhe Cossonay-Penthalaz. Një tren mallrash me pantograf të vendosur gabimisht shkaktoi dëmtimin e linjës së kontaktit për disa kilometra, duke ndaluar qarkullimin në segmentin Lausanne–Yverdon-les-Bains.

Sipas CFF/SBB, incidenti solli anulimin e shumë linjave ndërqytetase dhe ndërkombëtare që nga mëngjesi, ndërsa riparimet zgjatën deri rreth orës 17:00, kur trafiku u rikthye pjesërisht me vonesa të mbetura.

Në pasditen e së martës, një tjetër incident u regjistrua në linjën Lausanne–Gjenevë, ku dëmtime në shina midis St-Prex dhe Morges shkaktuan vonesa dhe anulime shtesë, transmeton albinfo.ch.

CFF njoftoi se nga mëngjesi i së mërkurës pritet rikthimi i plotë i qarkullimit normal në të dy linjat.

Gjatë ditës, për udhëtarët u vendosën autobusë zëvendësues dhe rrugë alternative përmes Bernës dhe Fribourgut.

 

Britania dhe Franca: Kosova të njihet ndërkombëtarisht, të gjykohen kriminelët e Banjskës

Sot, me rastin e shqyrtimit të raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për Kosovën, Britania e Madhe u ka bërë thirrje shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta njohin, duke theksuar se njohja është thelbësore për stabilitetin afatgjatë në rajon dhe zhvillimin e plotë të vendit.

Përfaqësuesja britanike në Këshillin e Sigurimit të OKB-së deklaroi se Mbretëria e Bashkuar mbetet përkrahëse e palëkundur e zhvillimit demokratik të Kosovës dhe të rrugës së saj euroatlantike.

“Si një ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, u bëjmë thirrje shteteve anëtare që ende nuk e kanë bërë këtë, t’i bashkohen shumicës. Njohja është esenciale për stabilitet afatgjatë dhe për zhbllokimin e potencialit të plotë të Kosovës”, tha ajo.

Britania gjithashtu bëri thirrje që Serbia të dorëzojë Milan Radoiçiqin dhe kritikoi sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, shkruan telegrafi.com. Përfaqësuesja britanike inkurajoi progres të shpejtë drejt formimit të qeverisë dhe përgëzoi “mbajtjen e qetë dhe demokratike” të procesit zgjedhor lokal.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Francës në OKB, Jay Dharmadhikari, kërkoi që kryesit e sulmit terrorist në Banjskë të sillen para drejtësisë.

“Është e papranueshme që kryesit e sulmit në Banjskë të mbesin në liri më shumë se dy vjet pas këtyre ngjarjeve. Është kritike që të gjithë kryesit të mbahen përgjegjës dhe të sillen para drejtësisë,” tha Dharmadhikari.

Deklaratat e Britanisë dhe Francës vijnë gjatë shqyrtimit të raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për Kosovën, duke nënvizuar rëndësinë e stabilitetit, sundimit të ligjit dhe njohjes ndërkombëtare të vendit.

Gërvalla: Kosova po ndjek rrugën drejt integrimit euroatlantik, kurse Serbia drejt Rusisë

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, në hyrje të fjalimit të saj në Këshillin e Sigurimit ka thënë se do që ta bëjë të qartë se “Kosovë e Metohi” nuk ekziston, në përgjigje të parafolësit të saj serb, Marko Gjuriq.

Ajo ka theksuar se Kosova po ndjek rrugën drejt integrimit euroatlantik, por se Serbia ka drejtim tjetër drejt Rusisë.

“Paralajmërimi ynë është i qartë, mos prisni gjatë, mos rrezikoni edhe një luftë ballkanike, duke u përqendruar në pyetjet e gabuara, në vend se të merreni me rrezikun e vërtetë”.

“Nuk ka Kosovë dhe Metohi, ajo nuk ekziston. Kosova dhe Metohia është shprehje e qartë e ambicieve hegjemoniste të Serbisë ndaj Kosovës. Është gjuha e vjetër e Millosheviqit dhe atyre që e ndjekin. Kosova është demokraci e pastës perëndimore. Mbështetja për NAOT dhe SHBA është 99%. Ne jemi vendim më pro-NATO dhe pro-SHBA në botë. Ne jemi mbrojtur nga gjenocidi nga NATO dhe SHBA”, ka thënë ajo, transmeton albinfo.ch.

Ajo ka prezantuar fotografi të një murali në Serbi, që siç ka thënë ajo, paraqet kërcënimin serb ndaj Kosovës. Gërvalla ka theksuar se Kosova është për dialog dhe jo mashtrime të Aleksandër Vuçiqit. “Nuk po flasim për historinë por të tanishmen dhe në tanishmen Kosovë është një kërcenim për rajonin. E përcjellim propagandën e Vuçiqit dhe urrejtjes që shpërndahet, helmon popullatën serbe. Në Serbi mund të shihni grafitë murale të mëdha sot ku shkruhet ‘Kur ushtria të kthehet në Kosovë’. Nuk shkruhet ‘nëse’ por ‘kur’. Ata nuk e fshehin qëllimin e vet. Ne jemi në favor të dialogut.  Na duhet një dialog i vërtetë dhe jo një mashtrim nga Vuçiqi. Strategjia e të cilit ndaj BE-së është luftë deri te agresioni ushtarak”.

Gërvalla ka thënë se presidenti serb duhet të ndalet nga bashkësia ndërkombëtare, pasi “Serbia ka provuar më 2023 se është e gatshme për luftë”. Ajo tutje ka bërë thirrje për lirimin e ish-policit Arbnor Spahiu të arrestuar nga Serbia.

“Nëse nuk ka pasoja to do eskalojnë më tutje sepse nuk kanë kujt t’i frikësohen. Gjuriq e di mirë, ai nuk ka probleme me vrasës e dhunues. Ai mund të ketë zë të butë por ai u ul në kafe pas sulmit në Banjskë me Radoiçiqin. Gjuriqi ishte përfaqësues i Vuçiqit për vite të tëra për Kosovën. Ai ishte partner në krim e korrupsion”.

Gërvalla u shpreh se UNMIK-u duhet të mbyllet sepse nuk i shërben qëllimit. “UNMIK duhet të mbyllet. Është humbje e parave të OKB-së. Nuk i shërben qëllimit. Po të shkonte nesër, asgjë s’do të ndryshonte në Kosovë. Rezultati në rajon do të vendoste mes demokracisë perëndimore e autokracisë për ndikimin në këtë pjesë të Evropës”.

 

Rriten restorantet me yje Michelin në Zvicër

Nuk ka ndryshime në listën me tre yje, por ka pasur një rritje në numrin e restoranteve me dy yje, ku tre restorante zvicerane u përmirësuan, shkruan Swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Në një ceremoni në shkollën e menaxhimit të hoteleve në Lozanë, ata që ishin përgjegjës për udhëzuesin me ndikim të restoranteve mbajtën tre yjet e tyre për katër restorantet më të njohura në vend: Cheval Blanc i Peter Knogl në Bazel, Schloss Schauenstein i Andreas Caminada në Fürstenau në Graubünden, Memories i Sven Wassmer në Bad Ragaz në St Gallen dhe Hôtel de Ville në Crissier në Vaud me shefin e tij Franck Giovannini.

Udhëzuesi Michelin tani numëron 27 restorante në kategorinë me dy yje. Asnjë restorant nuk u ul në këtë kategori, por tre u promovuan: Igniv nga Andreas Caminada në Andermatt në kantonin e Uri, restoranti i Gilles Varone në Savièse në Valais dhe Ecco në Ascona në Ticino.

Shumica e politikanëve zviceranë janë të nënshtruar ndaj urrejtjes dhe kërcënimeve

Anëtarët e Partisë Popullore Zvicerane dhe të të Gjelbërve ishin më të prekurit, shkruan Swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Ky ishte rezultati i një ankete me rreth 3,500 anëtarë të parlamentit nga Universiteti i Cyrihut (UZH). Anketa u krye në emër të Departamentit Federal të Drejtësisë dhe Policisë (FDJP).

Mbi 98% e anëtarëve të të dy dhomave parlamentare deklaruan se kishin qenë viktimë e nënçmimit personal, gjuhës së urrejtjes, kërcënimeve, shpifjes, përndjekjes, vandalizmit ose dhunës.

Ndër parlamentarët kantonalë, shifra ishte tre të katërtat dhe në nivel komunal pak më pak se gjysma (45%).

Përveç anëtarëve të partive politike, gratë, njerëzit në të majtën politike dhe anëtarët e pakicave sociale u prekën gjithashtu më shpesh se mesatarja në nivel komunal.

Formimi i Qeverisë, Kurti paralajmëron për zgjedhje të reja

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka lënë të kuptohet se partia e tij Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit mund të dështojë në bërjen e Qeverisë së re të vendit, duke thënë se “siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”.

Duke folur në një takim me diasporën në Londër të martën, Kurti tha se “në këto ditët e mbetura, jemi duke komunikuar, jemi duke biseduar”, pa dhënë hollësi se me cilat parti apo deputetë, raporton Evropa e Lirë, transmeton albinfo.ch.

Kurti u nominua më 11 tetor nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për të tentuar ta formojë Qeverinë e re dhe, sipas ligjeve të Kosovës, ai ka 15 ditë afat për ta bërë këtë, që nënkupton se atij i ka mbetur kohë vetëm deri më 26 tetor.

“Nuk është kollaj, se, s’di se si t’jua shpjegoj, ndoshta e keni dëgjuar edhe ju vetë, është intoksikuar atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e cinizëm shumë më shumë sesa ide, punë e pasion. Por, jemi ku jemi dhe do të përpiqemi ta bëjmë Qeverinë. Por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”, theksoi Kurti të martën.

Kurti udhëtoi për në Londër të hënën, ku do të marrë pjesë në Samitin e radhës të Procesit të Berlinit.

Partia e Kurtit gjendet nën trysni të madhe për ta fituar mbështetjen e nevojshme në Kuvend, pasi zgjedhjet e 9 shkurtit e lanë larg shumicës së nevojshme për të qeverisur e vetme.

Opsionet janë të kufizuara: Vetëvendosje ka përjashtuar bisedimet me Partinë Demokratike të Kosovës, e cila doli e dyta në zgjedhje, ndërsa ka lënë të hapur derën për një bashkëpunim të mundshëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Disa deputetë të partisë së konfirmuan të hënën për Radion Evropa e Lirë se “nuk janë në dijeni për ndonjë bisedë me parti të tjera parlamentare”, duke shtuar se “mbetet për t’u parë”.

Gjithashtu, zyrtarë të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se deri tani “nuk ka pasur as takime e as ftesa për të diskutuar një koalicion të mundshëm”.

“Vetëvendosje po vepron përmes individëve, jo me ne si subjekt politik”, tha njëri prej tyre.

Kurti tha të martën se “nuk po duket që opozita ka vullnet dhe as synim për qeveri të tyre”. Nëse Kurti dështon ta formojë Qeverinë e re deri të dielën e 26 tetorit, atëherë presidentja Osmani, brenda 10 ditësh, duhet t’i ftojë partitë në konsultim dhe, sipas diskrecionit të saj, t’ia japë mandatin një kandidati tjetër që dëshmon se ka shumicën parlamentare.

Osmani tha të hënën se ka ende kohë për të arritur këtë qëllim, duke kritikuar njëkohësisht Listën Serbe për, siç theksoi, krijimin e pengesave.

Lista Serbe, partia më e madhe e komunitetit serb në Kosovë, dorëzoi javën e kaluar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese kundër zgjedhjes së nënkryetarit serb të Kuvendit, Nenad Rashiq, duke pretenduar shkelje të Kushtetutës dhe të rregulloreve të brendshme.

Ankesa u paraqit më pak se një javë pas konstituimit të Kuvendit – një proces që zgjati pothuajse gjashtë muaj.

Ekspertët paralajmërojnë se, në varësi të vendimit të Kushtetueses, procesi mund të rifillojë nga zeroja dhe Kuvendi të mos konsiderohet i konstituuar.

Sulmohet autobusi me udhëtarë nga Shqipëria në autostradën gjermane

Një autobus është grabitur në autostradën A93 në qytetin Kelheim të Bavarisë, Gjermani, gjatë natës së të hënës. Tre autorë të panjohur më parë e detyruan shoferin të ndalonte, vodhën para dhe dokumente nga pasagjerët dhe më pas ikën drejt Mynihut, transmeton albinfo.ch. Policia po bën thirrje për informacion.

Sipas policisë, incidenti ndodhi rreth orës 3:30 të mëngjesit të së hënës. Autorët e panjohur i bënë shenjë shoferit të një autobusi në autostradën A93 të dilte dhe të ndalonte në kryqëzimin e Aiglsbach, shkruan br.de.

Të tre burrat hipën në autobus me pretekstin e një kontrollimi që do të bënin. Ata vodhën para dhe dokumente personale nga pasagjerët, pa kërcënuar fizikisht ose lënduar askënd.

Autorët ikën drejt Mynihut – Policia kërkon furgonin e bardhë VW

Pas grabitjes, tre autorët ikën me një furgon (kombi) të bardhë VW në autostradën drejt Mynihut. Mjeti thuhet se kishte një regjistrim gjerman me targë të pjesshme “WR”. Pavarësisht një kërkimi në shkallë të gjerë të nisur menjëherë, kërkimi deri më tani ka qenë i pasuksesshëm.

Besohet se autobusi i zënë në pritë ka qenë një automjet i huaj, me pasagjerë kryesisht nga Shqipëria, përcjell albinfo.ch.

Policia apelon për informacion nga dëshmitarët

Departamenti i Hetimeve Penale të Landshut ka marrë përsipër hetimin. Kushdo që ka parë njerëz ose automjete të dyshimta në A93 pranë Aiglsbach rreth orës 3:30 të mëngjesit të së hënës, kërkohet të paraqitet urgjentisht.

Carouge ndalon biçikletat elektrike dhe skuterët

Qyteti i Carouge ka ndaluar biçikletat, biçikletat elektrike dhe skuterët elektrikë në një pjesë të Old-Carouge.

Rregulli i ri, në fuqi që nga 13 tetori, zbatohet në zonat e këmbësorëve të Saint-Joseph dhe Place du Marché.

Prova njëvjeçare synon të përmirësojë sigurinë dhe bashkëjetesën në këto rrugë të ngarkuara pas raportimeve për sjellje të rrezikshme, transmeton albinfo.ch.

Për momentin, policia bashkiake po përqendrohet në parandalim, por nga 3 nëntori, shkelësit rrezikojnë gjoba prej 30 frangash – ose 100 për automjetet motorike.

Përfundon numërimi i votave nga diaspora

Të hënën rreth mesnatës është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës.

Këto fletëvotime i takojnë procesit të votimit jashtë Kosovës, i realizuar përmes postës nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025, të cilat janë tërhequr nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë, transmeton albinfo.ch.

Pas përfundimit të numërimit të votave nga jashtë vendit, në QNR ka nisur rinumërimi i pesë vendvotimeve, sipas urdhrit të PZAP.

Vendvotimet të cilat do të rinumërohen i takojnë komunave të ndryshme, si: Mitrovicë e Jugut, Kamenicë  dhe Podujevë.

Në vazhdim të aktiviteteve të planifikuara, gjatë ditës së sotme në QNR do të fillohet me numërimin e fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht dhe atyre nga votimi i personave me nevoja të veçanta. Votimi me kusht është realizuar në 54 vendvotime speciale në 38 komuna, ndërsa votimi i personave me nevoja të veçanta është zhvilluar jashtë vendvotimeve, përmes ekipeve mobile gjatë ditës së zgjedhjeve.

 

Berna këshillon një dietë të re të ekuilibruar

Të hash një dietë të ekuilibruar sapo është bërë më e thjeshtë, të paktën sipas Bernës.

Zyra Federale e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë ka zbuluar një version të përditësuar të pjatës së ekuilibruar, të krijuar në bashkëpunim me Shoqatën Zvicerane për Ushqyerjen dhe Shëndetin, transmeton albinfo.ch.

Udhëzuesi sugjeron mbushjen e dy të pestave të pjatës suaj me fruta dhe perime, dy të pestat me drithëra ose patate dhe një të pestën me proteina si mishi, peshku, vezët ose tofu.

Zyrtarët thonë se sa më shumëngjyrësh dhe sezonalë të jenë përbërësit, aq më i shëndetshëm dhe më i qëndrueshëm është vakti.

Një fushatë online do të zgjasë tre javë për të promovuar modelin e ri.

Zvicër: Paralajmërim kundër gjuetisë për ‘kërpudha magjike’

Mbledhja e kërpudhave po bëhet gjithnjë e më popullore në Zvicër – veçanërisht në mesin e të rinjve.

Por ekspertët po paralajmërojnë për një trend në rritje: kërkimin e të ashtuquajturave “kërpudha magjike”.

Këto lloje halucinogjene, të cilat ndryshojnë perceptimin dhe humorin, po konsumohen nga më shumë njerëz çdo vit, transmeton albinfo.ch.

Një studim i kohëve të fundit tregon se 30 përqind e atyre që kërkojnë këshilla për varësinë në vitin 2024 i kishin përdorur ato, nga 9 përqind katër vjet më parë.

Inspektorët e kërpudhave thonë se po përballen me sfida të reja në identifikimin ose trajtimin e gjetjeve të tilla, me disa që i konfiskojnë ato dhe të tjerë që refuzojnë të ndërhyjnë.

Ekspertët bëjnë thirrje për kujdes – ngatërrimi i specieve toksike mund të jetë vdekjeprurës.

Qeveria amerikane pothuajse dyfishon çmimin e heqjes së vizave ESTA

Në fillim të tetorit, qeveria amerikane rriti çmimin e ESTA-s, dokumentit të udhëtimit të kërkuar për jo-qytetarët që vizitojnë Shtetet e Bashkuara për një vizitë të shkurtër (nën 90 ditë) nga vendet e ‘heqjes së vizave’, që përfshijnë vendet e BE-së/Shengenit, Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera të heqjes së vizave si Japonia.

Çmimi i ESTA-s u rrit nga 21 dollarë në 40 dollarë, si pjesë e ‘One Bill Bill Act’, i cili u miratua më 4 korrik 2025, transmeton albinfo.ch.

Kush ka nevojë për një ESTA?

Evropianët që dëshirojnë të vizitojnë SHBA-në për pushime mund të hyjnë në vend pa vizë, por ata duhet të plotësojnë ESTA-n (Sistemi elektronik për autorizimin e udhëtimit).

Si i tillë, nëse jeni një shtetas amerikan që udhëton me partnerin ose mikun tuaj të BE-së (i cili nuk ka një vizë ose kartë jeshile ekzistuese), atëherë ata do të duhet të blejnë një ESTA para udhëtimit.

Ata nuk do të lejohen të hipin në fluturimin për në SHBA pa e plotësuar këtë dokument. Mund ta gjeni lidhjen zyrtare qeveritare për të kërkuar një të tillë këtu.

Vetë aplikimi zgjat pak më shumë se 20 minuta për t’u plotësuar, por mund të mos merrni përgjigje për disa ditë. Mundohuni ta plotësoni sa më shpejt të jetë e mundur para udhëtimit.

ESTA mbetet e vlefshme për dy vjet, por nëse pasaporta juaj skadon para se të mbarojnë dy vitet, atëherë do t’ju duhet të kërkoni një të re që të shkojë me pasaportën tuaj të re.

Po qytetarët amerikanë?

Si qytetar amerikan, nuk keni nevojë për ESTA, por nëse keni shtetësi të dyfishtë, duhet të mbani mend të hyni në vend me pasaportën tuaj amerikane.

Ora dimërore rikthehet më 26 tetor në gjithë Evropën

Si çdo vit, ndryshimi nga ora verore në atë dimërore do të bëhet të dielën e fundit të tetorit. Duke nisur nga data 26 tetor, në të gjithë Evropën do të nisë të funksionojë ora dimërore.

Konkretisht, në orën 04:00 të mëngjesit të së dielës, akrepat do të kthehen një orë pas, pra në orën 03:00.

Ky ndryshim ndodh dy herë në vit: në javën e fundit të tetorit, kur ora kthehet pas, dhe në të dielën e fundit të marsit, kur ora shkon përpara. Qëllimi i kësaj lëvizjeje është kursimi i energjisë elektrike dhe shfrytëzimi më efikas i dritës së diellit gjatë ditës.

Telefonat inteligjentë e përditësojnë automatikisht ndryshimin e orës, por kujdes duhet treguar me orët mekanike për të shmangur konfuzionin në rutinën e përditshme.

Ndryshimi i orës zbatohet në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, si pjesë e politikës së përbashkët për kursimin e energjisë. Megjithëse shfuqizimi i këtij sistemi është diskutuar prej vitesh, ende nuk është marrë një vendim përfundimtar

Eksportet zvicerane në SHBA rriten papritur me 43 përqind

Pas disa muajsh të dobët, eksportet zvicerane shënuan një rimëkëmbje të papritur në shtator, me një rritje prej 43 përqind krahasuar me muajin e kaluar, sipas Zyrës Federale për Doganat dhe Sigurinë Kufitare (BAZG), përcjell albinfo.ch.

Kjo rritje lidhet kryesisht me shtimin e eksporteve drejt Shteteve të Bashkuara, që përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të kësaj ngritjeje.

Megjithatë, pavarësisht këtij zhvillimi pozitiv mujor, tremujori i tretë mbyllet me një rënie prej mbi 8%, duke reflektuar ende pasiguri në tregjet ndërkombëtare.

Për më shumë detaje – https://www.blick.ch/wirtschaft/nach-trumps-zollschock-schweizer-exporte-in-die-usa-steigen-ploetzlich-um-43-prozent-id21343272.html

Front i ftohtë sjell reshje dhe rënie të borës në Zvicër

Në mbrëmjen e sotme priten fronte të reja shiu, përcjell albinfo.ch.

Vija e borës parashikohet të zbres në zonat malore. Në Alpe, mbulesa e reve do të zhduket herë pas here, duke lejuar periudha me diell, veçanërisht në Graubündenin verior dhe qendror.

Ndërkohë, në pjesën veriore të vendit, moti do të jetë më i vranët, me reshje të mundshme, sidomos në orët e para të mëngjesit. Pasditja do të shoqërohet me shtim të reve dhe reshje më të përhapura nga perëndimi.

Gjatë javës, lokalisht janë të mundshme edhe erëra me forcë uragani.

 

 

Mira Murati shpallet “Qytetare Nderi” e Vlorës

Bashkia e Vlorës nderon inxhinieren dhe sipërmarrësen shqiptare me famë botërore për kontributin e saj në fushën e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, përcjell albinfo.ch.

Në një ceremoni solemne të zhvilluar në Teatrin “Petro Marko”, Bashkia e Vlorës nderoi me titullin “Qytetar Nderi” inxhinieren dhe sipërmarrësen e njohur Mira Murati, një nga figurat më të spikatura shqiptare në fushën e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.

Murati, e cila ka qenë drejtuese e kompanisë prestigjioze “OpenAI” dhe aktualisht është themeluese e “Thinking Machines Lab”, u vlerësua për arritjet e saj në inovacion, lidership dhe promovimin e vlerave shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Për shkak të angazhimeve jashtë vendit, Murati nuk ishte e pranishme në ceremoni, ndërsa titullin e pranoi në emër të saj nëna e saj, e cila përcolli emocionet dhe falënderimet e familjes për këtë nderim.

“Faleminderit Vlorës, qytetit ku Mira lindi dhe u rrit. Edhe pse jeton jashtë, ajo ndjek me shumë interes zhvillimet në Shqipëri dhe në qytetin e saj të dashur. Si familje, jemi mirënjohës për këtë vlerësim dhe ju urojmë suksese në punën tuaj për të mirën e Vlorës,” u shpreh ajo.

Krahas Muratit, me titullin “Qytetar Nderi” u nderua edhe tenori i njohur Josif Gjipali, për kontributin e tij të çmuar në artin dhe kulturën shqiptare.

Ceremonia u ndoq nga drejtues vendorë, personalitete të qytetit dhe qytetarë vlonjatë, të cilët duartrokitën figurat që kanë lartësuar emrin e Vlorës në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.

Një iniciativë nga Bazeli kërkon ndalimin e tramvajit në qendër të qytetit

Tramvajet qarkullojnë shpesh midis Marktplatz dhe Barfüsserplatz në lagjen e Qytetit të Vjetër të Bazelit, por një iniciativë e re po përpiqet ta ndryshojë këtë, përcjell albinfo.ch.

Mbështetësit e saj thonë se qendra historike nuk duhet të “pritet më nga tramvajet”, duke kërkuar të eliminojnë këtë opsion të transportit publik dhe ta shndërrojnë zonën në një zonë tërësisht për këmbësorë.

Po mblidhen nënshkrime për ta sjellë këtë çështje në kutinë e votimit.

Blerjet përtej kufirit, jo aq përfituese sa mendojnë zviceranët

 

Shumë njerëz nga Zvicra kalojnë kufirin për në vendet fqinje për të blerë produkte më të lira, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, sipas një studimi të kohëve të fundit nga Universiteti i St. Gallen, ata mbivlerësojnë shumë avantazhet e çmimeve jashtë vendit.

Pjesëmarrësit në studim vlerësojnë se mallrat në Zvicër janë rreth 66 përqind më të shtrenjta se në vendet fqinje, ndërsa në fakt ndryshimi aktual i çmimeve në pesë kategoritë e produkteve të studiuara është mesatarisht 40 përqind.

Dhe çmimet në disa shitës me pakicë – si Lidl dhe Aldi – janë ose identike ose ndonjëherë edhe më të lira në Zvicër sesa jashtë vendit, zbuloi studimi.

Nicolas Sarkozy fillon vuajtjen e dënimit në burgun “La Santé” në Paris

Sot, në orën 10:00 të paradites, ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, ka hyrë zyrtarisht në qelinë e tij në burgun parisian “La Santé”, një institucion i sigurisë së lartë që ndodhet në rrugën me të njëjtin emër, 42 rue de la Santé, përcjell albinfo.ch.

Rreth orës 9:40, Sarkozy është paraqitur në portën e burgut në prani të bashkëshortes së tij, ndërsa zërat e të burgosurve nga dritaret jehonin me thirrje ironike: «Oh bienvenue Sarkozy !» (“Mirë se erdhe, Sarkozy!”).

Ish-presidenti ka mbërritur me dy libra në duar – “Le Comte de Monte-Cristo” dhe “Pardonnez-leur, ils ne savent pas ce qu’ils font” – një zgjedhje që shumë e kanë interpretuar si simbolikë për një njeri që përballet me padrejtësinë dhe kërkon falje për ata që gjykojnë pa prova.

Sarkozy do të qëndrojë në një qeli prej 9 metra kub, me kushte të rrepta sigurie. Ai ka të drejtë të dalë në oborr dy herë në ditë, nga një orë, por gjithmonë i vetëm, për shkak të funksionit të tij të mëparshëm që mund ta ekspozojë ndaj rreziqeve të hakmarrjes. Gjithashtu, i lejohet tre takime familjare në javë dhe mund të blejë një radio me fondet që do të ruhen nga drejtoria e burgut. Në dhomë do të ketë një shtrat dhe një furnelë për gatim.

Megjithëse ka apeluar vendimin, gjykata ka vendosur që dënimi të ekzekutohet menjëherë, duke argumentuar se “rrethanat e veçanta dhe rreziku për shmangie nga drejtësia” kërkonin izolim të menjëhershëm.

Sarkozy u dënua një muaj më parë në të ashtuquajturin “proces libian”, ku prokuroria dyshon se fushata e tij elektorale e vitit 2007 është financuar nga fonde të origjinës libiane. Megjithatë, gjatë procesit nuk u provua kurrë përdorimi i këtyre fondeve dhe emri i tij nuk del në asnjë dokument zyrtar të hetimit. Dy nga ndihmësit e tij janë ata që kanë pasur kontakte të dyshimta me një të afërt të ish-udhëheqësit libian Muammar Gaddafi, çka e përfshiu automatikisht edhe Sarkozy-n në hetim, si “pjesë e një grupi të organizuar”.

Në Francë, vendimi ka shkaktuar debat të gjerë publik dhe politik. Mbështetësit e tij flasin për një proces të motivuar politikisht, ndërsa kritikët e shohin si shenjë të pjekurisë së drejtësisë franceze, që nuk bën përjashtime as për ish-krerët e shtetit.

 

Presidentja Osmani: Darka e Lamës, festë e falënderimit dhe mirënjohjes

Ngjarja tradicionale e falënderimit për tokën dhe punën bashkon diplomatë, përfaqësues institucionalë dhe personalitete të jetës shoqërore, përcjell albinfo.ch.

Nën organizimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, mbrëmë u mbajt Darka tradicionale e Lamës, një ngjarje që shënon falënderimin për punën, tokën dhe begatinë që ajo sjell. Në këtë mbrëmje morën pjesë ambasadorë të vendeve mike, përfaqësues të institucioneve shtetërore, personalitete nga jeta shoqërore e vendit, si dhe përfaqësues të komunitetit të fermerëve dhe prodhuesve vendorë.

Në fjalën e saj, Presidentja Osmani theksoi se “toka është rrënja që mban çdo komb të bashkuar”, duke kujtuar se kjo festë është nismë e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, i cili e kishte kthyer Darkën e Lamës në simbol të urtësisë, punës dhe dashurisë ndaj vendit. Ajo nënvizoi se kjo traditë është shenjë mirënjohjeje për ata që punojnë tokën dhe që përmes mundit të tyre e ushqejnë kombin.

Presidentja vuri në pah edhe sukseset e prodhimeve vendore që tashmë njihen edhe jashtë kufijve të Kosovës – nga ajvari i grave të Krushës e deri te verërat e Rahovecit dhe Suharekës, duke theksuar se këto janë jo vetëm produkte ekonomike, por tregime të përkushtimit, pasionit dhe shpirtit punëtor të njerëzve tanë.

Në përmbyllje, Osmani theksoi se Darka e Lamës është më shumë se një festë e bereqetit – është një moment reflektimi dhe falënderimi për punën, bashkimin dhe shpirtin e mirënjohjes që e karakterizon popullin e Kosovës.

“Është festë e mirënjohjes ndaj punëtorit, ndaj fermerit, ndaj natyrës që na fal dhe ndaj Zotit që na jep bekim. Fuqia e një kombi nuk matet vetëm me numrat në ekonomi, por me lidhjen shpirtërore që ai ka me tokën dhe traditën”, tha Presidentja Osmani.

Në këtë ngjarje simbolike u shpreh mirënjohje edhe për aleatët ndërkombëtarë, institucionet e sigurisë, punonjësit shëndetësorë e arsimorë, si dhe për organizatat që mbrojnë të drejtat e njeriut, duke e kthyer Darkën e Lamës në festë të bashkimit, punës dhe respektit ndaj tokës.