Ndryshime të mëdha për udhëtarët në Evropë

Të drejtat e pasagjerëve ajrorë në Evropë mund të ndryshojnë ndjeshëm, pasi negociatat mes Parlamentit Evropian dhe shteteve anëtare të Bashkimit Evropian po hyjnë në fazën përfundimtare.

Organizatat e mbrojtjes së konsumatorëve paralajmërojnë se propozimet aktuale mund të dobësojnë mbrojtjen që udhëtarët gëzojnë prej më shumë se dy dekadash, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Aktualisht, pasagjerët kanë të drejtë të marrin kompensim nga 250 deri në 600 euro nëse fluturimi i tyre vonohet më shumë se tre orë. Megjithatë, shumica e qeverive të BE-së po mbështesin një ndryshim që do ta rriste pragun në katër orë për fluturimet e shkurtra dhe deri në gjashtë orë për ato të gjata. Kjo do të thotë se shumë udhëtarë që sot do të kishin të drejtë kompensimi, në të ardhmen mund të mos përfitojnë asgjë.

Nga ana tjetër, Parlamenti Evropian po kundërshton këto ndryshime dhe po kërkon ruajtjen e pragut aktual prej tre orësh. Eurodeputetët po insistojnë gjithashtu që kompanitë ajrore të përfshijnë një bagazh dore deri në shtatë kilogramë në çmimin bazë të biletës dhe të mos tarifojnë familjet që dëshirojnë të ulen së bashku me fëmijët e tyre.

Negociatat kanë ngecur pikërisht te këto çështje dhe ekziston mundësia që palët të mos arrijnë marrëveshje para afatit të mesit të qershorit. Nëse kjo ndodh, rregullat aktuale të vitit 2004 mund të mbeten në fuqi edhe për disa vite të tjera.

Debati vjen në një kohë kur linjat ajrore evropiane përballen me miliarda euro detyrime të papaguara ndaj pasagjerëve për vonesa dhe anulime fluturimesh. Sipas vlerësimeve të fundit, kompanitë ajrore ende mund t’u detyrohen udhëtarëve rreth 3.2 miliardë euro kompensime të pashlyera.

Për miliona udhëtarë, përfshirë edhe shqiptarët që jetojnë dhe udhëtojnë shpesh nga Zvicra dhe vendet e BE-së, rezultati i këtyre negociatave mund të përcaktojë se sa të mbrojtur do të jenë në rast vonesash ose anulimesh të fluturimeve në të ardhmen.

Ndërron jetë Arsim Zekolli

Ka ndërruar jetë Arsim Zekolli, në moshën 60-vjeçare.

Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur vëllai i tij, dr.Shefqet Zekolli, përmes një njoftimi publik në rrjetet sociale, ku informon familjarët, miqtë dhe dashamirët për humbjen e të afërmit të tyre.

“Me dhimbje të thellë dhe me pikëllim të madh ju informojmë se sot, më 8 qershor 2026, në orët e hershme të mëngjesit, pa pritur ndërroi jetë vëllai ynë, Arsim Sulejman Zekolli (1966-2026)”, thuhet në njoftim.

Sipas familjes, ceremonia e varrimit do të mbahet sot në ora 18:00 në varrezat e fshatit Bllacë. E pamja do të organizohet po ashtu në fshatin Bllacë.

Arsim Zekolli ka qenë ambasador i Maqedonisë së Veriut në organizatën e OSBE-së në Vjenë, ndërkohë që njihet për analist i çështjeve politike si në Maqedoni, ashtu edhe më gjerë.

Tifozët zviceranë bëjnë planet për Botërorin

Ethet e Botërorit 2026 kanë përfshirë Zvicrën. Portali 20 Minuten ka nisur një thirrje për tifozët që planifikojnë të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara për të ndjekur ndeshjen e parë të kombëtares zvicerane në Kupën e Botës, duke treguar interesimin e madh që ekziston për turneun më të madh të futbollit në botë, shkruan 20min.ch, transmeton albinfo.ch.

Zvicra do ta nisë aventurën e saj në Botërorin 2026 më 13 qershor kundër Katarit në stadiumin e Santa Claras, në zonën e San Franciskos. Më pas, kombëtarja helvetike do të përballet me Bosnje-Hercegovinën në Los Anxhelos dhe me Kanadanë në Vankuver.

Për shumë tifozë zviceranë, ky Botëror paraqet një mundësi unike, pasi zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, duke kombinuar futbollin me një përvojë të veçantë udhëtimi. Megjithatë, kostot e larta të fluturimeve, akomodimit dhe biletave të ndeshjeve mbeten një sfidë për shumë mbështetës.

Kombëtarja e drejtuar nga Murat Yakin udhëtoi drejt SHBA-së në fillim të qershorit dhe tashmë ka përfunduar fazën kryesore të përgatitjeve. Skuadra zvicerane synon të kalojë fazën e grupeve dhe të përsërisë paraqitjet e mira të viteve të fundit në turnetë e mëdhenj.

Botërori 2026 do të jetë edicioni më i madh në histori, me 48 përfaqësuese pjesëmarrëse dhe ndeshje të zhvilluara në tre shtete organizatore. Turneu hapet më 11 qershor, ndërsa Zvicra zbret në fushë dy ditë më vonë.

 

 

Çka mësuam nga zgjedhjet e fundit

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit në Kosovë kanë krijuar një paradoks të njohur: numrat sugjerojnë mundësi për formimin e institucioneve, por realiteti politik paralajmëron një tjetër ngërç të mundshëm.

Ndërsa në letër ekzistojnë kombinime të mjaftueshme për një shumicë qeverisëse, në praktikë, polarizimi i thellë ndërmjet partive e vë në pikëpyetje funksionalitetin e saj, thonë njohësit e rrethanave politike.

Sipas të dhënave preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë e para me 42.91% të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21.08%, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.60%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 7.17% dhe Lista Serbe me 6.17%.

Numrat janë, vullneti mungon

Donika Emini, nga Grupi Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë, vlerëson se këto rezultate, në rrethana normale politike, do të krijonin një bazë pothuajse ideale për qeverisje.

“Në një sistem ku kompromisi politik funksionon normalisht, kjo do të ishte një formulë ideale: një fitues i qartë, por jo dominues, që kërkon bashkëpunim më të gjerë politik. Megjithatë, Kosova nuk ndodhet në rrethana normale. Pas dy vjetësh krizë institucionale dhe polarizimi të thellë, këto rezultate rrezikojnë të prodhojnë sërish ngërç”, vlerëson Emini për Radion Evropa e Lirë.

Në të njëjtën linjë është edhe politologu Dritëro Arifi. Ai thekson se problemi nuk është aritmetik, por politik, transmeton albinfo.ch.

“Nuk është problemi se nuk ka numra. Problemi është vullneti politik. Nëse ka gatishmëri për të lëvizur përpara, zgjidhja mund të gjendet”, thotë ai.

Sipas tij, shumëçka do të varet nga qëndrimi i LVV-së nëse është e gatshme të hyjë në koalicione.

Pas shpalljes së rezultateve, lideri i kësaj partie, Albin Kurti, paralajmëroi se do të komunikojë me të gjitha subjektet politike, duke theksuar nevojën për bashkëpunim në funksion të “interesit publik dhe vullnetit të përgjithshëm”. “Pra, llogarisni te ne, jo vetëm në punën që bëjmë, por edhe në bashkëpunimin që do të bëjmë”, tha Kurti para mbështetësve të tij.

Nyja e presidentit dhe opsionet e vështira

Zgjedhjet e 7 qershorit erdhën si pasojë e mosmarrëveshjeve për zgjedhjen e presidentit, pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit.

Ato ishin të tretat brenda më pak se një viti e gjysmë – pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe një tjetër palë të parakohshme më 28 dhjetor.

Të parat dështuan të prodhojnë qeveri, ndërsa të dytat, ndonëse i dhanë Lëvizjes Vetëvendosje mbi 51% të votave – shumicën më të madhe në Kosovën e pavarur – nuk siguruan marrëveshje për presidentin, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Vetë Osmani, e cila ishte kandidate e LDK-së për këtë post në zgjedhjet e 7 qershorit, tha se LVV-ja nuk ka asnjë arsye për ta refuzuar emrin e saj për postin e presidentes. “Ka mijëra arsye për të thënë ‘po’, dhe të gjitha janë në interes të shtetit”, deklaroi ajo. Në këtë kontekst, çështja e presidentit mbetet një nga pengesat kryesore për çdo marrëveshje politike.

Sipas Eminit, nga perspektiva e stabilitetit institucional, koalicioni më i fortë do të ishte ai ndërmjet LVV-së dhe njërës prej dy partive kryesore opozitare – PDK-së ose LDK-së. “Në aspektin numerik, një koalicion me PDK-në do të ishte më i fuqishmi, por politikisht jashtëzakonisht i vështirë, për shkak të nivelit të lartë të polarizimit. Një opsion më natyral mbetet bashkëpunimi me LDK-në. Vetë Kurti, në të kaluarën, e ka lënë të hapur mundësinë e një partneriteti të tillë”, thotë Emini, por thekson se nyja kryesore e këtij bashkëpunimi mbetet zgjedhja e presidentit.

LDK-ja e sheh këtë post si të rezervuar për Osmanin, porse LVV-ja nuk ka dëshmuar gatishmëri për ta mbështetur atë, pasi ajo ka përfunduar mandatin e parë në prill.

Çfarë mesazhi dhanë rezultatet e zgjedhjeve?

Arifi, po ashtu, e sheh me skepticizëm një koalicion LVV-PDK, por nuk e përjashton mundësinë e një marrëveshjeje më të gjerë ndërmjet partive shqiptare, ku do të përfshiheshin kryeministri, kryeparlamentari dhe presidenti.

“Logjikisht do të shkohet drejt asaj se kush do ta ketë kryeministrin. Ndërsa, çështja e presidentit do të shfrytëzohet si justifikim, për të arrritur realisht te posti i kryeministrit. Si do të bëhet kjo? Do të jetë shumë e vështirë”, thotë ai.

Mes kompromisit dhe krizës së re

Në këtë situatë, sipas analistëve, Kosova ndodhet përballë dy skenarëve: një marrëveshje politike që siguron stabilitet institucional, ose një cikël i ri bllokadash që mund të çojë në zgjedhje të reja.

Emini e konsideron kompromisin si rrugën më racionale, pasi ai do të garantonte jo vetëm formimin e qeverisë, por edhe zgjedhjen e presidentit dhe stabilitetin afatgjatë.

Megjithatë, paralajmëron se praktikat e deritanishme politike lënë hapësirë për një tjetër krizë. “Nëse mbizotëron logjika e bllokadës, nuk mund të përjashtohet një cikël i ri zgjedhjesh. Edhe pse i kushtueshëm politikisht dhe financiarisht, ky mbetet një skenar real”, thotë ajo.

Edhe sipas Arifit, një zgjidhje e qëndrueshme kërkon një marrëveshje gjithëpërfshirëse. “… përndryshe, vendi rrezikon të mbetet pa institucione dhe të hyjë në një periudhë të gjatë paqartësie”, thekson ai.

Pasojat përtej politikës së brendshme

Dështimi për të arritur një marrëveshje nuk do të prodhonte vetëm krizë të brendshme, por edhe pasoja në planin ndërkombëtar.

Sipas Eminit, një situatë e tillë do ta dëmtonte pozitën strategjike të Kosovës dhe marrëdhëniet me partnerët kryesorë.

“Kosova rrezikon të perceptohet si çështje dytësore në rajon, përveç rasteve kur lidhet me kriza sigurie. Njëkohësisht, do të dërgonte sinjal negativ për kapacitetin e brendshëm shtetëror dhe do të dëmtonte proceset integruese me BE-në”, vlerëson ajo.

Arifi shton se mungesa e institucioneve funksionale do të sillte stagnim në politikën e jashtme. “As SHBA-ja dhe as BE-ja nuk bashkëpunojnë me një vend pa stabilitet institucional. Aktualisht, për fat të keq, jemi në vendnumërim dhe kjo është humbje për shtetin dhe jo për ndonjë individ të caktuar politik”, përfundon ai.

Sot fillon numërimi për votat e deputetëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se numërimi i votave në Qendrat Komunale të Numërimit, do të fillojë më 8 qershor, ku në disa komuna do të fillojë në ora 16:00 pasdite, ndërsa në komunat më të vogla në ora 9:00 të mëngjesit.

Aty pritet të rikonfirmohen votat për subjektet politike, si dhe votat për deputetë, proces ky i cili pritet të zgjasë disa ditë, transmeton albinfo.ch.

Kryetari i KQZ-së Kreshnik Radoniqi bëri të ditur se rezultati përfundimtar do të jepet pasi të numërohet votat e diasporës, me postë, me votim në përfaqësi diplomatike, votat me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

Radoniqi ka bërë të ditur se pas pranimit të materialit do të verifikohen të gjitha kutitë e votimit.

VV shpall fitoren, Kurti adresohet nga sheshi i Prishtinës

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, iu adresua qytetarëve nga sheshi qendror i Prishtinës pas numërimit të më shumë se 95% të votave. Gjatë fjalës së tij, Kurti theksoi se institucionet ekzekutive do të vazhdojnë punën menjëherë të hënën në mëngjes.

​”Pavarësisht që sonte po festojmë, nesër në ora 8 në mëngjes krejt qeveria është në punë. Secili ministër e zëvendësministër, të gjitha ekipet tona, unë si kryeministër dhe zyra e presidentes, në ora 8 të mëngjesit janë në punë”, deklaroi Kurti.

​Ai shtoi se Kosova i ka institucionet funksionale si Qeveria dhe Presidenca, ndërsa theksoi nevojën e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Kurti u shpreh se pret që edhe blloku opozitar të marrë pjesë në proceset parlamentare sa më shpejt.

​Në përfundim të fjalës së tij, lideri i LVV-së shprehu gatishmërinë për dialog me partitë e tjera politike në vend: “Do të komunikojmë, do t’i takojmë dhe do të bashkëpunojmë me të gjitha subjektet politike të Kosovës, sepse ne, para së gjithash, kemi interesin publik.”

Procesehen mbi 99% të votave, Vetëvendosje mbetet e para por shënon rënie, LDK me rritjen më të madhe

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka procesuar pothuajse të gjitha vendvotimet në mbarë vendin, duke ofruar një pasqyrë të qartë të fituesve dhe lëvizjeve të forcave politike krahasuar me procesin paraprak të fundvitit të kaluar.

​Deri në orët e para të ditës së sotme, janë procesuar 2,483 nga 2,498 vendvotime (99.40%), ku janë numëruar 721,439 vota nga totali prej 1,959,962 votuesve të regjistruar, që përkon me një pjesëmarrje prej 36.81%.

​Lëvizja VETËVENDOSJE! udhëheq bindshëm dhe mbetet partia më e madhe në vend me 42.92% të votave (297,296 vota). Megjithatë, kjo shifër shënon një rënie të ndjeshme prej 6.42% krahasuar me rezultatet preliminare të 28 dhjetorit 2025, ku kishte siguruar 49.34%.

​Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka çimentuar pozicionin e saj si forca e dytë politike me 21.06% (145,856 vota), duke treguar një stabilitet pothuajse të plotë në krahasim me 20.98% sa kishte në dhjetor.

​Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është befasia pozitive e këtyre rezultateve, duke shënuar rritjen më të madhe. LDK ka kërcyer në 17.61% (121,976 vota), nga 13.57% sa kishte në procesin paraprak.

​Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) po ashtu ka shënuar progres të lehtë, duke u renditur e katërta me 7.18% (49,705 vota), në krahasim me 5.66% të fundvitit të kaluar.

​Kur kanë mbetur edhe vetëm 15 vendvotime pa u numëruar, rezultati i votave të rregullta konsiderohet i përmbyllur. Pritet që ditëve në vijim të nisë numërimi i votave me kusht dhe atyre nga diaspora, të cilat do të vulosin ndarjen përfundimtare të ulëseve në Kuvendin e Kosovës.

Vrasje e rëndë në Gjakovë: 18-vjeçari mbetet i vdekur, dy të arrestuar

Në mbrëmjen e sotme në Gjakovë është raportuar një ngjarje e rëndë, ku një person rreth 18-vjeç ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga mjete të forta dhe një mjet i mprehtë.

Sipas informacioneve të bëra publike nga klankosova dy persona të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe më pas janë arrestuar nga policia si të dyshuar lidhur me rastin.

Burime të medias bëjnë të ditur se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një përleshjeje që ka nisur mes disa të rinjve.

Policia e Kosovës ka ndërhyrë në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar të dyshuarit, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.

Autoritetet pritet të japin më shumë detaje në vijim lidhur me motivet dhe rrethanat e sakta të këtij rasti tragjik.

Çitaku: PDK po e rikonfirmon pozicionin përfaqësues, kërkon ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës Partia Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku Vlora Çitaku, ka deklaruar se PDK po e rikonfirmon pozicionin e saj përfaqësues në skenën politike, pavarësisht, siç tha ajo, një gare zgjedhore të pabarabartë.

Në një konferencë për media, Çitaku kritikoi qeverisjen aktuale, duke thënë se ajo ka prodhuar kriza të njëpasnjëshme dhe ka ndikuar në rritjen e pakënaqësisë qytetare. Sipas saj, mospjesëmarrja e rreth 200 mijë votuesve në procesin zgjedhor përbën “mesazh politik” që duhet të merret seriozisht.

Ajo akuzoi qeverinë për, siç u shpreh, keqqeverisje dhe për ndikim në procesin zgjedhor, duke përmendur pretendime për presione, shfrytëzim të resurseve shtetërore dhe premtime të shumta elektorale.

“Gara ishte e pabarabartë… PDK-ja po e rikonfirmon pozicionin e saj përfaqësues, me përqindje dhe numër të deputetëve”, tha Çitaku.

Ajo shtoi se PDK pret përfundimin e plotë të numërimit të votave përpara se të dalë me qëndrime përfundimtare, duke kërkuar që procesi të jetë transparent dhe çdo votë të trajtohet me kujdes.

Çitaku gjithashtu falënderoi institucionet dhe akterët që, sipas saj, kontribuan në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, komisionerët, vëzhguesit, mediat dhe Policinë e Kosovës Policia e Kosovës.

“Është thelbësore që çdo votë të numërohet me kujdes, të ruhet integriteti dhe të respektohet vullneti i qytetarëve”, përfundoi ajo.

Abdixhiku: LDK shënoi rritjen më të madhe, rezultat i frymës së re politike

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas përfundimit të procesit të votimit, ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen në zgjedhje, duke e vlerësuar ditën e zgjedhjeve si dëshmi të pjekurisë demokratike në vend.

Ai tha se qytetarët e Kosovës votuan në mënyrë të qetë, të rregullt dhe demokratike, duke e cilësuar këtë si një shembull pozitiv për rajonin. Sipas tij, pjesëmarrja dhe sjellja e votuesve e kanë kthyer ditën e zgjedhjeve në një “festë të demokracisë”.

Abdixhiku shprehu gjithashtu mirënjohje për institucionet që organizuan dhe menaxhuan procesin zgjedhor, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, komisionerët dhe vëzhguesit, duke theksuar rëndësinë e funksionimit të rregullt të sistemit zgjedhor.

Duke iu drejtuar mbështetësve të LDK-së, ai tha se rezultati i partisë është produkt i besimit qytetar dhe punës së strukturave partiake. Sipas tij, ky rezultat lidhet me një “frymë të re politike” që është ndërtuar gjatë kësaj periudhe.

Ai pretendoi se LDK ka shënuar rritjen më të madhe ndër subjektet politike në këto zgjedhje, duke përmendur rritje nga rreth 13% në 18% dhe 20 mandate të fituara. Sipas tij, kjo përfaqëson një rritje të konsiderueshme të mbështetjes qytetare për programin e partisë.

Në fund, Abdixhiku tha se ky rezultat nuk është vetëm shifër, por sinjal i mbështetjes për vizionin politik të LDK-së, duke shtuar se partia del e konsoliduar dhe me perspektivë të mirë për të ardhmen.

Kosova mposht Andorrën 3-0 në “Fadil Vokrri”

Kombëtarja e Kosovës ka shënuar fitore të pastër 3-0 ndaj Andorrës në një ndeshje miqësore të zhvilluar në Prishtinë.

“Dardanët” e zhbllokuan rezultatin në minutën e 41-të me golin e Fisnik Asllanit, duke e mbyllur pjesën e parë në epërsi 1-0.

Në pjesën e dytë, Kosova e dyfishoi avantazhin në minutën e 52-të me penalltinë e shndërruar në gol nga Albion Rrahmani, ndërsa në minutën e 78-të Valmir Matoshi vulosi fitoren 3-0 me gol në debutim.

Me këtë fitore, Kosova lë një paraqitje pozitive para ndeshjeve të ardhshme miqësore.

Cyrihu përballë krizës së banesave: tre referendume për të ardhmen e strehimit

Në kantonin e Cyrihut, mungesa e banesave nuk është më vetëm një problem i tregut të pasurive të paluajtshme: ajo është shndërruar edhe në çështje votimi. Më 14 qershor, qytetarët do të thirren të vendosin për tre iniciativa që lidhen me strehimin, në një klimë presioni të fortë mbi qiratë dhe ofertë të pamjaftueshme banesash.

Me një normë vakancash prej më pak se 0.5%, kantoni më i populluar i Zvicrës po përballet me një mungesë të vazhdueshme banesash. Qiratë po rriten, ndërsa mundësitë për të gjetur banesë në qytet po pakësohen.

Në rrugët e Cyrihut, pasojat e kësaj situate janë bërë të prekshme: dëbime nga banesat, rinovime të diskutueshme dhe shndërrime ndërtesash që po rrisin shqetësimet në disa lagje.

Në Cyrih-Seebach, për shembull, tetë familje u detyruan të largohen në vitin 2022 për shkak të rinovimeve të paralajmëruara. Katër vite më vonë, punimet ende nuk janë kryer, ndërsa banesat janë dhënë me qira në platforma afatshkurtra si Airbnb. Një ish-qiramarrës paguante 1,490 franga në muaj; sot, e njëjta banesë mund të sjellë deri në 450 franga në natë.

Gjatë një proteste të fundit mes lagjeve Kreis 3 dhe 4, mbi 2,500 persona marshuan me sloganin “Kundër një qyteti të të pasurve”, duke denoncuar një qytet që po bëhet i papërballueshëm për shumë banorë.

Tre iniciativa për të njëjtën krizë

Në këtë kontekst, votuesit do të vendosin për tre iniciativa me qasje të ndryshme ndaj krizës së strehimit.

E para synon forcimin e banesave me interes publik, duke mbështetur kooperativat dhe rritur pjesën e banesave jofitimprurëse, e cila aktualisht përbën rreth një të katërtën e stokut kantonal.

E dyta, e mbështetur nga organizatat e qiramarrësve, kërkon mbrojtje më të fortë të banorëve gjatë rinovimeve apo prishjeve të ndërtesave, të cilat shpesh shoqërohen me rritje të mëdha të qirave ose zhvendosje të përhershme.

E treta, e përkrahur nga sektorët e pasurive të paluajtshme dhe pronarët, fokusohet më shumë te tregu, duke lehtësuar ndërtimin e banesave dhe duke favorizuar qasjen në pronësi.

Debat mbi aftësinë për të ndërtuar

Në thelb të debatit qëndron pyetja se si të rritet në mënyrë të qëndrueshme oferta e banesave. Në kanton, ndërtimi neto i banesave ka rënë rreth 7% që nga fillimi i viteve 2000, duke e thelluar presionin mbi tregun.

Për përfaqësuesit e qiramarrësve, prioritet është kontrolli më i fortë i transformimeve të stokut të banesave. “Në vitet e ardhshme, midis 20,000 dhe 30,000 banesa mund të rinovohen në aglomeracion. Pa mbrojtje, shumë banorë rrezikojnë të zhvendosen”, paralajmëron Walter Angst, nga Shoqata e Qiramarrësve të Cyrihut.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e pronarëve theksojnë nevojën për ndërtim më të madh. “Duhet më shumë banesa dhe më shumë densifikim”, thotë Albert Leiser, drejtor i Shoqatës së Pronarëve të qytetit dhe kantonit të Cyrihut.

Krizë me shkaqe afatgjata strukturore

Sipas specialistëve të planifikimit urban, kriza aktuale nuk lidhet vetëm me kërkesën. Ajo është rezultat i një çekuilibri afatgjatë mes rritjes ekonomike dhe ndërtimit të banesave.

Studiuesja e planifikimit hapësinor në ETH Cyrih, Sibylle Wälty, thekson se shumë vende pune janë krijuar, por jo mjaftueshëm banesa. Ajo shton se ndërtimi duhet të rritet, duke marrë parasysh njëkohësisht edhe aspektet sociale dhe mjedisore. Sipas saj, rregullat e planifikimit urban dhe mënyra e zbatimit të tyre kufizojnë ndjeshëm mundësitë për densifikim; në Cyrih, rritjet e fundit të rëndësishme të të drejtave të ndërtimit datojnë nga vitet 1990.

Haxhiu: Faza e numërimit të votave kërkon përgjegjësi dhe profesionalizëm

Pas mbylljes së qendrave të votimit, ka nisur faza vendimtare e procesit zgjedhor – numërimi i votave.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka theksuar rëndësinë e këtij procesi, duke nënvizuar se çdo votë përfaqëson vullnetin e qytetarëve dhe duhet të trajtohet me përgjegjësi të lartë.

Ajo u ka bërë thirrje të gjithë personave përgjegjës që të angazhohen me përkushtim, vigjilencë dhe profesionalizëm në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të vullnetit të popullit.

Në fund, Haxhiu ka uruar suksese për të gjithë të përfshirët në proces, duke shprehur shpresën që rezultati përfundimtar të pasqyrojë besnikërisht vullnetin e qytetarëve

Kosovë: Numërohen 94.16% e votave, rezultatet vazhdojnë të përditësohen

Procesi i numërimit të votave në Kosovë po vazhdon drejt përfundimit, ku deri tani janë procesuar 2,352 nga 2,498 vendvotime (94.16%), duke përfshirë 682,925 nga 1,959,962 vota gjithsej (34.84%).

Sipas të dhënave më të fundit të përditësuara në orën 21:34, gara zgjedhore vazhdon të kryesohet nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka siguruar 285,038 vota (43.47%) në këtë fazë të numërimit, duke ruajtur epërsinë ndaj rivalëve kryesorë.

Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 140,323 vota (21.40%), duke mbetur ndjeshëm pas kryesueses, por duke mbajtur një pozicion të fortë në garën politike.

Në vendin e tretë është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila ka marrë 117,265 vota (17.88%), ndërsa në vendin e katërt renditet Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 47,171 vota (7.19%).

Procesi i numërimit po vijon, ndërsa pritet që rezultatet përfundimtare të konfirmojnë ose ndryshojnë trendet aktuale, sidomos në komunat ku numërimi ende nuk ka përfunduar plotësisht.

Autoritetet zgjedhore pritet të dalin me përditësime të reja gjatë orëve në vijim, ndërsa vëmendja mbetet te diferencat mes partive kryesore dhe ndikimi i votave të mbetura për t’u procesuar.

Alarm në botën e futbollit: Christian Eriksen pëson sërish kolaps në fushë 

Gjatë ndeshjes miqësore mes Danimarkës dhe Ukrainës, mesfushori danez Christian Eriksen ka humbur ndjenjat duke shkaktuar panik të madh.

Stafi mjekësor ndërhyri menjëherë dhe ndeshja u ndërpre. Për fat të mirë, lojtari u përmend dhe u transportua i vetëdijshëm për në spital. Kjo ngjarje riktheu makthin e Euro 2020, ku Eriksen pësoi një arrest kardiak në fushë.

DnV publikon rezultatet preliminare: VV 42.7%, PDK 21.5%, LDK 17.7%, AAK 7.1%

Sipas organizatës Demokracia në Veprim (DnV), janë publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve në Kosovë, të cilat tregojnë këtë renditje të partive politike:

Lëvizja Vetëvendosje (VV) – 42.7%

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – 21.5%

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – 17.7%

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – 7.1%

Sipas DnV-së, këto janë rezultate preliminare dhe pritet që ato të ndryshojnë pas përfundimit të numërimit të plotë dhe verifikimit zyrtar të votave.

Policia: Zgjedhjet në Kosovë kaluan të qeta dhe pa incidente serioze

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se procesi i votimit në kuadër të “Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës” ka kaluar në mënyrë të qetë, pa incidente serioze dhe me nivel të lartë sigurie në të gjithë vendin.

Sipas komunikatës zyrtare, aktivitetet policore janë realizuar në përputhje me planin operativ dhe masat e parapara për garantimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor. Policia thekson se angazhimi i zyrtarëve dhe bashkëpunimi ndërinstitucional kanë mundësuar zhvillimin e zgjedhjeve në ambient stabil dhe të sigurt.

Për sigurimin e rendit gjatë ditës së zgjedhjeve, Policia e Kosovës ka angazhuar rreth 6,300 zyrtarë policorë, 720 automjete dhe rreth 320 patrulla reaguese, duke përfshirë njësi të rendit publik, hetues, zyrtarë të inteligjencës, kufirit, trafikut dhe njësitë speciale.

Në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, gjatë procesit zgjedhor janë iniciuar 17 raste penale që lidhen me zgjedhjet, për veprat penale si cenimi i fshehtësisë së votimit, asgjësimi i dokumenteve zgjedhore, keqpërdorimi i të drejtës së votimit dhe ryshfeti në lidhje me votimin. Si rezultat, 5 persona të dyshuar janë ndaluar.

Policia ka bërë të ditur gjithashtu se ka trajtuar 53 informata të ndryshme, të cilat pas verifikimit nuk kanë rezultuar me elemente për procedim të mëtejmë penal.

Në komunikatë theksohet se procesi zgjedhor është karakterizuar nga qetësia, rendi dhe stabiliteti, ndërsa Policia e Kosovës ka vlerësuar se të gjitha detyrat janë përmbushur me profesionalizëm dhe paanshmëri.

Në fund, Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe për sjelljen e tyre gjatë procesit zgjedhor, duke theksuar se kjo ka kontribuar në zhvillimin e një procesi demokratik të qetë dhe të rregullt.

Hamza: Kosova zhvilloi proces dinjitoz, të respektohet plotësisht vullneti i qytetarëve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka vlerësuar se Kosova ka zhvilluar një proces zgjedhor të qetë, të rregullt dhe dinjitoz, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe respektimit të plotë të vullnetit të qytetarëve.

Në reagimin e tij pas mbylljes së votimeve të së dielës, Hamza falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen dhe sjelljen e tyre, duke thënë se ata dëshmuan kulturë demokratike dhe përgjegjësi qytetare gjatë gjithë procesit zgjedhor.

Ai gjithashtu vlerësoi institucionet përgjegjëse, komisionerët, vëzhguesit, mediat dhe forcat e rendit për angazhimin e tyre në organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Sipas Hamzës, prioritet në këtë fazë mbetet numërimi i saktë dhe transparent i çdo vote, duke theksuar se demokracia nuk përfundon me votim, por me respektimin e tij.

Në fund, ai u bëri thirrje të gjitha palëve që të kontribuojnë në ruajtjen e stabilitetit institucional dhe në respektimin e vullnetit qytetar.

Kurti pas mbylljes së votimeve: Vullneti i qytetarëve është në kutitë e votimit

Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar pas përfundimit të procesit të votimit në vend, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe respektimit të vullnetit të qytetarëve.

Në një deklaratë publike, Kurti tha se vullneti i qytetarëve i shprehur në zgjedhje “është brenda kutive të votimit” dhe se mbrojtja e tij është thelbësore për legjitimitetin dhe kredibilitetin e procesit zgjedhor, transmeton albinfo.ch.

Ai u është drejtuar komisionerëve dhe vëzhguesve zgjedhorë, duke theksuar përgjegjësinë e tyre në fazën e numërimit të votave.

“Sytë, veshët dhe vëmendja jonë janë te ju komisionerë dhe vëzhgues. Mbi ju peshon një përgjegjësi e lartë institucionale dhe fisnike,” u shpreh Kurti.

Në fund të reagimit të tij, ai i ka falënderuar të gjithë të angazhuarit në procesin zgjedhor dhe u ka uruar punë të mbarë në numërimin e çdo vote.

Procesi i numërimit të votave pritet të përcaktojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve dhe përbërjen e institucioneve të ardhshme në vend.

KQZ nis publikimin e rezultateve të para preliminare

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet e para preliminare nga zgjedhjet e mbajtura sot në Kosovë, ku deri në përditësimin e orës 19:49 janë procesuar një pjesë e vogël e votave në nivel vendi.

Sipas të dhënave zyrtare, deri tani janë përpunuar 28,015 vota nga gjithsej 1,959,962, që përbën rreth 1.43% të totalit të votave. Ndërkohë, në nivel vendvotimesh janë procesuar 173 nga 2,498 qendra votimi, ose rreth 6.93% e tyre.

Rezultatet preliminare sipas partive kryesore

Në këtë fazë të hershme të numërimit, kryeson:

Lëvizja Vetëvendosje – 9,693 vota (49.34%)

Partia Demokratike e Kosovës – 5,845 vota (20.98%)

Lidhja Demokratike e Kosovës – 4,352 vota (13.57%)

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – 2,697 vota (5.66%)

Këto rezultate janë të natyrës preliminare dhe pritet të ndryshojnë gjatë procesit të numërimit, pasi përfshijnë vetëm një pjesë shumë të vogël të vendvotimeve në nivel vendi.

KQZ ka bërë të ditur se përditësimet do të vazhdojnë në kohë reale deri në përfundimin e procesit të numërimit dhe verifikimit të plotë të rezultateve zgjedhore.

Exit Poll i Albanian Post: LVV 43%, PDK 22%, LDK 18%, AAK 7%

Sipas të dhënave të para të Exit Poll-it të realizuar nga Albanian Post, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka siguruar udhëheqjen e garës, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë shënuar rritje të ndjeshme në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

​Ky proces zgjedhor erdhi pasi subjektet politike dështuan të arrijnë një dakordim për çështjen e presidentit, duke i çuar qytetarët drejt kutive të votimit për herë të tretë.

​Rezultatet e Exit Poll-it (Pa votat e diasporës)

​Projeksionet e para të bazuara në anketimin e votuesve menjëherë pas daljes nga qendrat e votimit tregojnë këtë rreshtim të forcave politike:

​Lëvizja Vetëvendosje (LVV): 43%

​Partia Demokratike e Kosovës (PDK): 22%

​Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK): 18%

​Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK): 7%

​Partitë e minoriteteve dhe të tjerat: rreth 10%

​Ndikimi i projektuar i votave të diasporës

​Sipas analizës së Albanian Post, votat e mërgatës pritet të zhvendosin pjesërisht përqindjet finale, ku përfituesi kryesor parashihet të jetë sërish partia në pushtet:

​LVV pritet të shënojë një rritje prej +1.5 deri në +2.2 pikë përqindjeje (pp).

​LDK mund të pësojë një lëvizje të lehtë prej 0.3 deri në 0.5 pp.

​PDK dhe AAK nuk pritet të kenë ndryshime të ndjeshme nga votat e jashtme.

​Pas llogaritjes së të gjitha trendeve, në legjislaturën e 11-të forcave politike u projektohet ky porcion i ulëseve/votave: LVV 49–51%, PDK 24–25%, LDK 19–20%, dhe AAK 7–8%.

Publikohen rezultatet e para të Exit Poll-it: VV kryeson me 42.3%

Menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve janë publikuar rezultatet e para të Exit Poll-it të realizuar nga kompania PIPOS dhe të transmetuar në Klan Kosova, të cilat e rendisin Lëvizjen Vetëvendosje si forcën e parë politike në vend me 42.3 për qind të votave.

Sipas të dhënave të Exit Poll-it, Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 21.6 për qind, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës e treta me 17.3 për qind.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 6.8 për qind të votave, ndërsa subjektet e tjera politike së bashku janë vlerësuar me 0.9 për qind.

Rezultatet e publikuara nga Klan Kosova, të bazuara në Exit Poll-in e realizuar nga PIPOS, ofrojnë pasqyrën e parë të orientimit të votuesve pas përfundimit të procesit të votimit. Megjithatë, këto rezultate nuk janë zyrtare dhe mund të dallojnë nga rezultati përfundimtar që do të publikohet pas numërimit të votave nga institucionet përgjegjëse.

Rezultatet e Exit Poll-it të PIPOS, të publikuara në Klan Kosova:

VV – 42.3%

PDK – 21.6%

LDK – 17.3%

AAK – 6.8%

Të tjera – 0.9%