Rinumërohen rreth 88% e vendvotimeve, procesi drejt fundit

Procesi i rinumërimit të votave të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit është duke iu afruar fundit. Nga përditësimi i të dhënave në uebfaqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rezulton se deri tash janë rinumëruar më shumë se rreth 88 për qind e vendvotimeve apo 2.244 nga 2557 sa janë në total, përcjell albinfo.ch.

Rinumërimi i plotë u ndërmor pasi në rinumërimin e pjesshëm u hasën shumë manipulime në garën e kandidatëve për deputetë. Në secilën parti ka kandidatë që ka rezultuar se në numërimin e parë kanë përfituar qindra vota shtesë ose kanë humbur qindra vota.

Kampione e këtij manipulimi ka dalë të jenë kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës, me dhjetëramijëra vota të manipuluara.

Manipulimet që u shpërfaqën edhe në uebfaqen e KQZ-së kanë bërë që Prokuroria të aktivizohet në disa rajone. Në Prizren janë paraburgosur 23 persona. Në Malishevë, 15 kryekomisionerë u ndaluan, ndërkaq hetime po zhvillohen edhe në komuna të tjera.

Pas publikimeve të rezultateve të rinumëruara, nuk ka kandidatë të partive shqiptare që e kanë humbur ulësen.

Ramë Dardania pjesë e ekspozitës ndërkombëtare në Carrousel du Louvre, Paris 2026

Artisti vizual Ramë Dardania do të përfaqësojë krijimtarinë e tij artistike në një nga ngjarjet më prestigjioze të artit bashkëkohor në Evropë, Carrousel du Louvre – Paris 2026. Pjesëmarrja e tij realizohet nën kurimin e Artistike – Swiss Art Association, një organizatë ndërkombëtare që promovon artin si gjuhë shpirtërore dhe universale, shkruan albinfo.ch.

Ekspozita do të mbahet në Paris nga 10 deri më 12 prill 2026, duke mbledhur artistë nga vende të ndryshme të botës, të cilët sjellin perspektiva, stile dhe emocione të ndryshme përmes artit vizual. Në këtë kontekst, prania e Ramë Dardanisë shënon një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e tij artistik ndërkombëtar.

I njohur për përdorimin e fuqishëm të ngjyrës dhe figurave ekspresive, Dardania sjell një art që komunikon drejtpërdrejt me shikuesin, duke reflektuar emocione njerëzore, identitet dhe liri krijuese. Veprat e tij dallohen për energjinë vizuale dhe sinqeritetin artistik, duke e vendosur atë në dialog me artin bashkëkohor evropian.

Pjesëmarrja në Carrousel du Louvre, një hapësirë e njohur për ekspozitat elitare dhe bashkëkohore, konfirmon vlerësimin ndërkombëtar për punën e tij dhe e pozicionon Ramë Dardaninë si një zë gjithnjë e më të pranishëm në skenën artistike evropiane./Albinfo.ch

Pianistja franko-shqiptare nderohet me dekoratën ‘Kalorëse e Republikës Franceze’

Pianistja dhe pedagogia franko-shqiptare Maniola Camuset-Trebicka është nderuar me dekoratën Kalorëse e Urdhrit të Meritës të Republikës Franceze, një nga vlerësimet shtetërore që Franca u akordon personaliteteve me kontribut të veçantë në fushën e kulturës, arsimit dhe shërbimit publik, transmeton albinfo.ch.

E formuar në muzikën klasike dhe aktive prej vitesh në Francë si interpretuese dhe pedagoge, Camuset-Trebicka ka ndërtuar një karrierë të qëndrueshme dhe të respektuar në skenën artistike franceze. Ajo është angazhuar si në veprimtarinë koncertale, ashtu edhe në edukimin muzikor, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në formimin e brezave të rinj.

Përveç këtij vlerësimi të lartë shtetëror, Maniola Camuset-Trebicka është shpërblyer edhe më herët me çmime profesionale për punën e saj pedagogjike dhe interpretative. Veprimtaria e saj artistike dhe akademike ka luajtur rol të rëndësishëm në forcimin e shkëmbimit kulturor mes Shqipërisë dhe Francës.

Dekorata e akorduar nga shteti francez i shtohet listës së vlerësimeve për artistët me aktivitet të spikatur në jetën kulturore të vendit dhe përfaqëson një njohje të veçantë për kontributin e saj afatgjatë në muzikë dhe arsim. /Albinfo.ch

Profestionet të cilat nuk rrezikohen nga Inteligjenca Artificiale

Ndërsa inteligjenca artificiale po përparon me hapa të mëdhenj, disa lloje pune mbeten të pazëvendësueshme për shkak të nevojës për ndjeshmëri, gjykim njerëzor dhe kreativitet, transmeton albinfo.ch.

James Reed nga Reed liston disa prej këtyre profesioneve që duket se do të qëndrojnë të siguruara për dekadat e ardhshme:

Kujdesi për të tjerët: Profesionistët që punojnë me të moshuar, persona me aftësi të kufizuara apo të cenueshëm ofrojnë mbështetje emocionale që asnjë algoritëm nuk mund ta imitojë.

Mësuesit dhe edukatorët: Nxënësit kanë nevojë për udhëheqje, motivim dhe interaksion njerëzor, gjë që AI nuk mund ta ofrojë plotësisht.

Këshilltarët e punësimit: Ndërsa AI mund të analizojë CV-të, zgjedhja e kandidatit të duhur kërkon intuitë dhe empati njerëzore.

Siguria kibernetike: Përballja me hakerët dhe kërcënimet që ndryshojnë çdo ditë kërkon mendim strategjik njerëzor.

Paramedikët: Përgjigjja ndaj emergjencave kërkon vendimmarrje të shpejtë dhe dhembshuri që makineritë nuk e zotërojnë.

Punët praktike: Elektricistët, hidraulikët dhe zdrukthëtarët përballen me probleme unike që nuk mund të zgjidhen nga një AI.

Topografët: Vlerësimi i pronave dhe ndihma në marrëveshje kërkon njohuri profesionale dhe gjykim të thellë.

Agjentët e pasurive të paluajtshme: Pavarësisht ndihmës teknologjike, kontaktet njerëzore mbeten thelbësore për blerjet dhe shitjet e pronave.

Punonjësit e hotelerisë: Shërbimi i personalizuar dhe përvoja e mysafirëve nuk mund të zëvendësohen nga robotët.

Sipërmarrësit: Kreativiteti, mësimi nga dështimet dhe vendimmarrja spontane mbeten njerëzore.

Kujdestarët e fëmijëve: Ndërveprimi i drejtpërdrejtë dhe loja spontane janë thelbësore për zhvillimin e fëmijëve.

Edhe pse AI mund të ndihmojë në shumë aspekte, këto profesione kërkojnë gjithmonë prezencën dhe gjykimin e një njeriu.

Cyrih: Debati mbi menutë vegane për nxënësit e shkollave

Parlamenti i qytetit të Cyrihut po shqyrton mundësinë e ofrimit të ushqimeve vegane për nxënësit e shkollave. Ideja ka shkaktuar reagime të ndryshme, ndërsa FDP dhe SVP shprehin skepticizëm.

Grupi i Partisë së Gjelbër dhe GLP kërkojnë që fëmijët që ndjekin dietë bimore të përfshihen në udhëzimet ushqimore të shkollave, ashtu si fëmijët me alergji ose diabet. Selina Walgis (Gjelbër) dhe Serap Kahriman (GLP) theksojnë se fëmijët vegan duhet të kenë mundësinë të marrin një vakt të ngrohtë dhe të plotë në shkollë, duke forcuar kështu pjesëmarrjen sociale dhe mirëkuptimin ndaj stileve të ndryshme të jetesës, transmeton albinfo.ch.

“Gjithnjë e më shumë familje zgjedhin dietë bimore, prandaj shkollat duhet të ofrojnë mundësi për ta. Nuk duam ta bëjmë veganizmin të detyrueshëm,” tha Walgis. Ndërkohë, Jonas Keller (Partia Socialdemokrate) e quajti propozimin “jashtëzakonisht liberal,” duke shtuar se fëmijët duhet të kenë lirinë e zgjedhjes.

Nga ana tjetër, Stefan Urech (SVP) shprehu dyshimin e tij dhe kritikoi idenë si të panevojshme, ndërsa Yasmine Bourgeois (FDP) e konsideroi dietën vegane të paekuilibruar për fëmijët. Studiues si Karin Weyermann pohojnë se dietat vegane mund të jenë problematike për zhvillimin e fëmijëve, veçanërisht kur ata nuk marrin vendime të informuara.

Megjithatë, propozimi u miratua në parlament me 72 vota pro dhe 41 kundër. Këshilli i qytetit duhet gjithashtu të shqyrtojë një tjetër iniciativë për ushqime miqësore ndaj klimës në institucionet grupore, me qëllim uljen e emetimeve ushqimore deri në 40% deri në vitin 2040.

Katër shtetas zviceranë mbështetës të ISIS-it në kampe në Siri

Tre burra dhe një grua me një fëmijë nga Zvicra ndodhen aktualisht të burgosur në kampe në verilindje të Sirisë si mbështetës të ISIS-it.

Diplomatja zvicerane Monika Schmutz Kirgöz, e cila është përgjegjëse për çështjet e Sirisë, Gazës dhe Iranit në Departamentin Federal të Punëve të Jashtme, tha të mërkurën për Radio Zvicerane SRF se këta individë nuk mund të hyjnë në Zvicër pa u kontrolluar më parë, transmeton albinfo.ch.

Një nga burrat ka shprehur dëshirën për t’u kthyer në Zvicër, por autoritetet zvicerane kanë refuzuar kërkesën e tij për arsye sigurie.

Këshilli Federal dëshiron mbrojtje më të mirë për komunitetin LGBTQIA+

Komuniteti LGBTQIA+ duhet të mbrohet më mirë nga krimet e urrejtjes. Të mërkurën, Këshilli Federal lançoi Planin e Parë Kombëtar të Veprimit kundër krimeve të urrejtjes ndaj personave LGBTQIA+ për vitet 2026-2030, transmeton albinfo.ch.

Në një komunikatë për shtyp, qeveria thekson se dënimi penal i diskriminimit dhe nxiturjes së urrejtjes bazuar në orientimin seksual, deklarimi i thjeshtuar i ndryshimit të gjinisë dhe emrit të parë në regjistrin civil ose në martesë për të gjithë, përbëjnë hapa të rëndësishëm drejt barazisë për personat LGBTQIA+. Megjithatë, ata theksojnë se jeta e përditshme e këtyre individëve mbetet e shënuar nga diskriminimi dhe dhuna.

“Kur sulmon të drejtat e personave queer, sulmon të gjithë personat e margjinalizuar,” thekson Këshilli Federal.

Tre fusha veprimi

Plani i ri synon krijimin e një mjedisi më të sigurt dhe më të respektueshëm për këta individë, duke forcuar mbrojtjen kundër dhunës dhe qëndrimeve armiqësore, dhe duke përmirësuar sigurinë për shoqërinë në tërësi. Ai përmban 12 masa të ndryshme dhe strukturohet në tre fusha veprimi: mbështetje dhe mbrojtje, parandalim dhe monitorim.

Mes masave të propozuara janë organizimi i një dite trajnimi për mbështetjen e viktimave LGBTQIA+ të dhunës, si dhe përditësimi dhe rritja e dukshmërisë së dokumentacionit ekzistues mbi çështjet LGBTQIA+ në sport.

Vlerësimi në 2030

Mbrojtja dhe barazia për personat e prekur duhet të jenë të përhershme në praktikat institucionale dhe shoqërore. Kjo kërkon përmirësim të aksesit në strehimore emergjente dhe shërbime mbështetëse për viktimat e dhunës, masa për parandalimin e dhunës në sport dhe zbatimin kombëtar të një mjeti për raportimin e dhunës dhe krimeve të urrejtjes.

Një vlerësim i planit do të kryhet në vitin 2030, dhe atëherë do të konsiderohet edhe një mundësi për zgjatje të tij.

Gjeneva paralajmëron për rritjen e pasigurisë

Rritja e pasigurisë në Gjenevë po shqetëson edhe nivelet më të larta të ekonomisë. Sektori i fuqishëm i tregtisë së mallrave po hedh alarmin përmes një letre të fortë drejtuar autoriteteve kantonale.

Sipas asociacionit SUISSENÉGOCE, përkeqësimi i situatës së sigurisë rrezikon drejtpërdrejt tërheqësinë e qytetit. Asociacioni paralajmëron se kjo pasiguri mund të shtyjë larg bizneset dhe talentet.

Mesazhi i tyre është i qartë: siguria ishte justifikimi i fundit për të qëndruar në Gjenevë, pavarësisht taksave në rritje dhe konkurrencës ndërkombëtare të fortë. Sipas tregtarëve, kjo “kështjellë” po shembet.

Shifra që shqetësojnë sektorin e tregtisë

Letra, e cila është konsultuar nga RTS, u dërgua në mes të janarit këshilltares kantonale Carole-Anne Kast dhe komandantes së policisë Monica Bonfanti. Ajo bazohet në të dhëna që tregojnë një rritje prej 68% të grabitjeve dhe një katërfishim të sulmeve në shtëpi gjatë viteve të fundit, nga 4 raste në 2021 në 16 raste në 2025, duke synuar kryesisht punonjësit e tyre.

Sipas SUISSENÉGOCE, e cila mbështetet në statistikat kantonale të kriminalitetit të publikuara nga policia e Gjenevës, këto zhvillime bëjnë pjesë në një rritje të përgjithshme prej 8% të kriminalitetit në kanton, duke shtuar perceptimin e një rreziku që prek veçanërisht sektorin e tregtisë, transmeton albinfo.ch.

Asociacioni shton se rreziku i grabitjeve në kanton është tani ndër më të lartët në Zvicër, sipas statistikave policore të vitit 2024 nga Zyra Federale e Statistikave (FSO). Si pasojë, sipas pronarëve të bizneseve, rekrutuesit po hasin vështirësi në tërheqjen e menaxherëve dhe reputacioni ndërkombëtar i Gjenevës po dëmtohet.

Thirrje për masa të forta

Për të zbutur situatën, asociacioni kërkon masa të fuqishme: më shumë patrulla policore të dukshme, kamera survejimi dhe, mbi të gjitha, një forcim drastik të bashkëpunimit me Francën fqinj, e përshkruar si “bazë e krimit të organizuar”.

Kur u kontaktuan nga RTS, as komandantja e policisë Monica Bonfanti dhe as këshilltarja Carole-Anne Kast nuk pranuan të komentojnë.

Vonesa në pagesën e përfitimeve të papunësisë në Zvicër

Një problem teknologjik në Sekretariatin Shtetëror për Çështjet Ekonomike (SECO) po shkakton vonesa në pagesën e përfitimeve të papunësisë, duke krijuar shqetësim te të papunët që presin këto pagesa.

SECO siguron se po punohet intensivisht për të zgjidhur problemin dhe se pagesat po rriten gradualisht. Jérôme Cosandey, kreu i divizionit të punës, tha se sistemi po përmirësohet çdo ditë dhe synohet që shumica e pagesave të bëhen deri në fund të janarit, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, mijëra të papunë ende nuk kanë marrë përfitimet e tyre për muajin janar. Autoritetet kantonale, përfshirë Fribourg-un, kërkojnë masa të shpejta dhe konkrete për përmirësimin e sistemit IT.

Zvicra përcakton prioritetet e transportit deri në vitin 2045, fokus i veçantë në Zvicrën frëngjishtfolëse

Këshilli Federal i Zvicrës ka prezantuar të mërkurën linjat kryesore të zhvillimit të infrastrukturës së transportit deri në vitin 2045. Ministri i Transportit, Albert Rösti, bëri të ditur se projektet përfshijnë hekurudhat, autostradat dhe transportin urban, me theks të veçantë në Zvicrën frëngjishtfolëse, përfshirë rajonin e Liqenit të Gjenevës dhe Jurës.

“Zvicra duhet të ketë një nga sistemet më të mira të transportit në botë, në mos më të mirin,” deklaroi Rösti, duke theksuar se planifikimi i projekteve të tilla kërkon dekada dhe përbën një detyrim ndaj brezave të ardhshëm. Sipas tij, rrugët e mira të komunikimit janë faktor kyç për rritjen ekonomike, integrimin e popullsisë dhe zhvillimin e vendit.

Qeveria është mbështetur në një raport ekspertësh të ETH Cyrih, publikuar vjeshtën e kaluar, si dhe në vlerësime të brendshme. Një projektligj pritet të dërgohet për konsultim deri në fund të qershorit.

Investime miliardëshe në hekurudha

Zvicra frëngjishtfolëse pritet të përfitojë rreth 7 miliardë franga nga projektet hekurudhore. Rösti pranoi se infrastruktura ekzistuese në këtë rajon është e pamjaftueshme, por theksoi se zhvillimi duhet të jetë i balancuar në të gjithë vendin. Ai nënvizoi gjithashtu se projekte të tjera janë planifikuar edhe pas vitit 2045.

Në fazën e parë të zhvillimit, që parashikohet për vitin 2027, Këshilli Federal do të kërkojë rreth 20 miliardë franga. Ndër projektet kryesore janë përmirësimet në linjën hekurudhore Biel–Lozanë/Gjenevë, investime në rajonin e Renens, zgjerimi i stacionit Gjenevë Cornavin, si dhe zhvillime në linjat Neuchâtel–La Chaux-de-Fonds dhe trafikun rajonal Gjenevë–Lozanë.

Në Zvicrën gjermanishtfolëse parashikohet rritje e frekuencës së trenave në akse të rëndësishme si Bernë–Cyrih, Bernë–Lucernë dhe Bazel–Cyrih.

Financimi dhe votimi popullor

Nevojat financiare për projektet hekurudhore deri në vitin 2045 vlerësohen në rreth 24 miliardë franga, ndërsa aktualisht mungojnë rreth 10 miliardë. Për këtë arsye, Këshilli Federal propozon zgjatjen e përkohshme të shtesës prej një përmijë të TVSH-së pas vitit 2030, çka do të sillte rreth 8 miliardë franga shtesë deri në 2045. Për dy miliardët e mbetur po shqyrtohen skenarë të ndryshëm.

Meqë kjo masë kërkon ndryshim të Kushtetutës, qytetarët zviceranë do të thirren të votojnë.

Autostradat dhe projektet e braktisura

Parashikohen gjithashtu projekte të reja autostradash, të financuara nga Fondi për rrugët kombëtare dhe trafikun e aglomeracioneve (FORTA). Në fazën 2027 përfshihet zgjerimi në gjashtë korsi i segmentit Perly–Bernex në kantonin e Gjenevës, si dhe një zgjerim tjetër në Argovi, me kosto rreth 1.5 miliardë franga.

Ndërkohë, më shumë se 30 projekte të tjera, me vlerë rreth 18 miliardë franga, janë braktisur për shkak të raportit të ulët kosto–përfitim, përfshirë projektin Le Vengeron–Nyon, i refuzuar në votim në nëntor 2024.

Reagime politike dhe shoqërore

Planet e paraqitura kanë shkaktuar reagime të forta nga partitë dhe shoqatat e majta. Të Gjelbrit i cilësojnë projektet si “mohim të demokracisë” dhe paralajmërojnë kundërshtim, duke akuzuar ministrin Rösti se po rikthen projekte autostradash të refuzuara nga populli. Shoqata të tjera, si ATE dhe Actif-trafiC, flasin për pasoja të rënda për brezat e ardhshëm dhe shkelje të objektivave klimatike.

Nga ana tjetër, Këshilli Shtetëror i Neuchâtel-it ka shprehur kënaqësi për përfshirjen e linjës direkte Neuchâtel–La Chaux-de-Fonds në planin e vitit 2027, duke e konsideruar atë thelbësore për mobilitetin kantonal dhe zhvillimin e rajonit.

Papa apelon për kujdes nga lidhjet emocionale me chatbotë

Papa Leoni XIV ka paralajmëruar besimtarët, veçanërisht burrat, që të mos bien pre e marrëdhënieve virtuale me chatbotë të inteligjencës artificiale, duke theksuar se këto lidhje “tepër të përkëdhelura” mund të kenë pasoja serioze emocionale dhe shoqërore.

Në mesazhin e tij për Ditën Botërore të Komunikimeve Sociale, Papa theksoi se në botën digjitale po bëhet gjithnjë e më e vështirë të dallosh nëse po komunikon me njerëz realë apo me robotë.

Ai nënvizoi rëndësinë urgjente të “ruajtjes së zërave dhe fytyrave njerëzore”, duke paralajmëruar se pa marrëdhënie reale nuk mund të ketë miqësi apo lidhje të vërteta.

“Fytyrat dhe zërat janë të shenjtë,” tha Papa, duke shtuar se teknologjia digjitale rrezikon të ndryshojë themelet e qytetërimit njerëzor, transmeton Albinfo.ch.

Papa pranoi se chatbotët me AI mund të jenë argëtues, por i cilësoi ata si mashtrues, veçanërisht për personat më të pambrojtur. Sipas tij, fakti që këto sisteme janë gjithmonë të pranishme dhe emocionalisht “të dashura” mund të ndikojë thellë në gjendjen emocionale të individëve dhe të pushtojë sferën e intimitetit personal.

Kreu i Kishës Katolike paralajmëroi se zëvendësimi i marrëdhënieve njerëzore me inteligjencë artificiale mund të dëmtojë jo vetëm jetën personale, por edhe strukturën sociale, kulturore dhe politike të shoqërisë. Ai kritikoi gjithashtu algoritmet e rrjeteve sociale, duke theksuar se ato favorizojnë emocionet e shpejta, dobësojnë mendimin kritik dhe rrisin polarizimin shoqëror.

Megjithatë, Papa Leoni XIV theksoi se inovacioni digjital nuk duhet ndalur, por duhet drejtuar me kujdes dhe përgjegjësi, duke qenë të vetëdijshëm për natyrën e tij të dyfishtë.

Ky nuk është paralajmërimi i parë nga Vatikani për rreziqet e inteligjencës artificiale. Në vitin 2024, Papa Françesku kishte deklaruar se teknologjitë simuluese bëhen “të rrezikshme kur shtrembërojnë marrëdhëniet tona me realitetin dhe me njëri-tjetrin”, duke kërkuar më shumë rregullim të AI për të shmangur pasojat e dëmshme dhe diskriminuese./Albinfo.ch/

Këshilli Federal synon rritjen e TVSH-së për financimin e ushtrisë dhe sigurisë

Këshilli Federal i Zvicrës ka njoftuar të mërkurën se planifikon të rrisë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) me 0.8 pikë përqindjeje për një periudhë dhjetëvjeçare, me qëllim financimin e ushtrisë dhe forcave të sigurisë. Kjo masë pritet të sjellë rreth 31 miliardë franga zvicerane shtesë. Propozimi zyrtar do të prezantohet në muajin mars.

Ministri i Mbrojtjes, Martin Pfister, paralajmëroi se Zvicra nuk është e përgatitur mjaftueshëm për t’u përballur me një konflikt ndërkombëtar. “Në rast të një konflikti ndërkombëtar, Zvicra mund të bëhet objektiv dhe aktualisht nuk është gati”, deklaroi ai para mediave.

Sipas shefit të ushtrisë, Benedikt Roos, vetëm rreth një e treta e ushtrisë është aktualisht e pajisur në mënyrë adekuate për mbrojtjen e vendit.

Nevojiten fonde shtesë

Qeveria federale thekson se rritja e shpenzimeve të mbrojtjes në 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2032 nuk mjafton për të mbuluar të gjitha nevojat e sigurisë. Për këtë arsye, kërkohen të ardhura të reja, pa cenuar buxhetin federal.

Sipas llogaritjeve, rreth 2.2 miliardë franga do të nevojiten në vitin 2028, ndërsa nga 3 deri në 3.6 miliardë franga në vit për periudhën 2029–2038.

Opsionet e tjera përjashtohen

Këshilli Federal ka përjashtuar alternativa të tjera si rritja e kontributeve mbi pagat, taksa të reja, shkurtimi i madhësisë së ushtrisë, lehtësimi i frenës së borxhit apo shkurtime të mëtejshme buxhetore.

“Jemi të vetëdijshëm për ndikimin e kësaj rritjeje tek popullsia, por siguria është kusht i domosdoshëm për lirinë, prosperitetin dhe demokracinë”, u shpreh Pfister. “Pyetja nuk është nga çfarë duhet të mbrohemi, por çfarë duam të mbrojmë.”

Fokus në armatim

Të ardhurat e reja do të derdhen në një fond të posaçëm për armatim, i cili do të financohet gjithashtu nga buxheti i rregullt i mbrojtjes. Ky fond do të përdoret për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit dhe do të ketë të drejtë të marrë hua, me kusht që të gjitha borxhet të shlyhen deri në vitin 2038.

Prioritet do t’u jepet investimeve në armatim, veçanërisht për të mbuluar boshllëqet urgjente në rast të konflikteve hibride ose sulmeve nga distanca – të konsideruara si kërcënimet më të mundshme aktualisht.

Rritje e çmimeve dhe vonesa

Sipas autoriteteve, çmimet e armatimit janë rritur ndjeshëm, deri në 40%, për shkak të inflacionit dhe rritjes së kërkesës globale. Kreu i armatimeve, Urs Loher, paralajmëroi se ka pritje shumëvjeçare dhe se Zvicra nuk është prioritet për prodhuesit ndërkombëtarë.

Kostot shtesë kanë ndikuar edhe në projektin e avionëve luftarakë F-35, çmimi i të cilëve pritet të jetë më i lartë se parashikimet fillestare. Për këtë arsye, Këshilli Federal ka hequr dorë nga blerja e të 36 avionëve të planifikuar fillimisht. Vendimi përfundimtar do të merret në muajt në vijim.

Fjala e fundit i takon popullit

Ministria e Mbrojtjes (DDPS) do të paraqesë projektin për konsultim publik deri në fund të marsit, ndërsa Parlamenti pritet ta shqyrtojë në vjeshtë. Meqë rritja e TVSH-së kërkon ndryshim kushtetues, çështja do t’i nënshtrohet referendumit popullor, me shumë gjasë në verën e vitit 2027. Nëse miratohet, rritja e TVSH-së do të hyjë në fuqi në vitin 2028.

Reagimet politike janë të përziera: partitë e majta, UDC dhe PLR janë kundër, ndërsa Partia e Qendrës e mbështet propozimin. PVL mbetet ende e pavendosur. Megjithatë, ministri Pfister shprehet i bindur se qytetarët zviceranë do ta mbështesin planin.

Nëse miratohet, kjo do të ishte rritja më e madhe e TVSH-së që nga viti 1999.

Ministret e jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës në shënimin përkujtimor të 90-vjetorit të lindjes së Ismail Kadaresë

Me rastin e 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të shquar Ismail Kadare, ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka ndarë një mesazh përkujtimor ku vlerëson veprën monumentale dhe kontributin e jashtëzakonshëm të kolosit të letrave shqipe.

Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Spiropali shprehet se, së bashku me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në detyrë të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, si dhe miq nga Tirana dhe Prishtina, kanë kujtuar me respekt të thellë dhe dashuri të posaçme figurën dhe trashëgiminë letrare të Ismail Kadaresë.

Sipas saj, vepra e Kadaresë ka dhënë një kontribut kolosal në forcimin e vetëdijes kombëtare dhe mbetet një shtyllë themelore e kulturës shqiptare, duke e bërë emrin e Shqipërisë të njohur në mbarë botën.

90-vjetori i lindjes së Ismail Kadaresë po shënohet me aktivitete përkujtimore në Shqipëri dhe Kosovë, si dëshmi e respektit mbarëkombëtar për një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë dhe identitetit shqiptar

Vazhdon rritja e çmimit të arit

Çmimet e arit kanë vijuar të rriten pasi kaluan më herët këtë javë pragun simbolik prej 5,000 dollarësh, ndërsa investitorët po kanalizojnë gjithnjë e më shumë kapitalin drejt aseteve të sigurta.

Duke u rritur rreth 4% gjatë ditës, metali u vlerësua mbi 5,300 dollarë të mërkurën në mëngjes në Evropë. Në të njëjtën kohë, argjendi u rrit mbi 6%, në 113 dollarë për ons, raporton Euronews, shkruan Monitor.

Ndryshe nga asetet si aksionet apo obligacionet, metalet e çmuara nuk ofrojnë pagesa interesi apo dividentë, çka do të thotë se tërheqja e tyre qëndron në aftësinë për të ruajtur vlerën me kalimin e kohës, duke vepruar si mbrojtje ndaj inflacionit dhe rënieve ekonomike.

Që nga fillimi i vitit, ari është rritur mbi 20%, ndërsa investitorët janë gjithnjë e më të shqetësuar nga tensionet gjeopolitike. Më herët këtë javë, Buletini i Shkencëtarëve Atomikë njoftoi se i ashtuquajturi “Ora e Fundit të Botës” (Doomsday Clock) ishte afruar më shumë se kurrë drejt mesnatës, që do të thotë se ekspertët besojnë se jemi në pikën më të afërt me “shkatërrimin” që nga krijimi i orës. Ndërsa konfliktet vazhdojnë në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë, të shoqëruara me rritje tensionesh në SHBA dhe militarizimin e tregtisë globale, investitorët janë të etur të tërheqin paratë e tyre nga asetet me risk, transmeton albinfo.ch.

Ndërsa dollari zakonisht konsiderohet një investim i sigurt, politikat e paqëndrueshme të administratës Trump kanë nxitur një rënie rreth 10% të monedhës gjatë vitit të fundit.

“Jo, mendoj se është shumë mirë,” u tha Trump gazetarëve në Iowa të martën, kur u pyet nëse ishte i shqetësuar për rënien e monedhës. “Shikoni biznesin që po bëjmë. Dollari po ecën shumë mirë.”

Çfarë do të thotë një dollar më i dobët

Statusi i dollarit si monedhë rezervë globale do të thotë se ai mbahet në sasi të mëdha nga bankat qendrore në mbarë botën dhe dominon transaksionet ndërkombëtare. Nga njëra anë, kjo ul koston e huamarrjes për qeverinë e SHBA-së. Nga ana tjetër, një dollar i fortë do të thotë se produktet amerikane bëhen relativisht më të shtrenjta për klientët e huaj, ndërsa produktet nga jashtë bëhen relativisht më të lira për blerësit në SHBA. Si rezultat, disa nga rrethi i Trump kanë shprehur frustrim për efektin që një dollar i fortë ka mbi konkurrueshmërinë e eksporteve amerikane.

“Në të kaluarën e largët, zakonisht administratat republikane ishin ato që preferonin një dollar më të dobët. Mungesa e shqetësimit të Presidentit Trump për dobësimin e dollarit, në komentet e fundit, do ta ushqejë këtë teori,” tha analisti i ING, Chris Turner. “Me shumë gjasë, tani do të ketë sërish pyetje për Scott Bessent lidhur me politikën e dollarit të Thesarit të SHBA-së,” shtoi ai.

Kur bëhet fjalë për arin, një dollar më i dobët e bën gjithashtu metalin relativisht më të lirë për blerësit e huaj, çka do të thotë se rënia e fundit e monedhës mund të jetë një nga faktorët që po nxit kërkesën për shufra ari.

Vendimi i ardhshëm i Fed

Vendimi i ardhshëm për normat e interesit nga Rezerva Federale po ndikon gjithashtu lëvizjet e tregjeve.

Pas tre uljeve radhazi me nga një çerek pikë vitin e kaluar, komiteti i bankës qendrore pritet të mbajë normën e tij bazë të pandryshuar në intervalin 3.5%–3.75%.

Një vendim i tillë ka të ngjarë të mos i pëlqejë Presidentit Trump, i cili prej kohësh ankohet se komiteti ka qenë shumë i ngadaltë në uljen e normave. Vendimmarrësit në Fed theksojnë se mandati i tyre është të garantojnë stabilitetin e ekonomisë së SHBA-së, çka do të thotë se kërkohet kujdes për të frenuar rreziqet inflacioniste. Nëse presionet e çmimeve injorohen, kjo mund të dobësojë dollarin dhe stabilitetin fiskal të SHBA-së, duke bërë që qeveria të përballet me kosto më të larta huamarrjeje.

Kërcënimet ndaj pavarësisë së bankës qendrore peshojnë rëndë mbi takimin e kësaj jave, pasi Departamenti i Drejtësisë thirri Fed-in me urdhër gjykate më herët këtë muaj. Veprimi ligjor lidhet me një hetim penal mbi dëshminë që kryetari Jerome Powell dha për një rinovim ndërtese me vlerë 2.5 miliardë dollarë. Është hera e parë që një kryetar në detyrë i Fed hetohet, dhe Powell e ka kritikuar publikisht hetimin si një përpjekje për të ndikuar politikën monetare.

Mandati i Powell si kryetar pritet të përfundojë në maj, me Presidentin Trump që pritet të nominojë një pasardhës në ditët në vijim. Edhe pse Powell pritet të largohet nga posti kryesor, mbetet e paqartë nëse ai do të marrë vendimin e pazakontë për të qëndruar si guvernator.

Së bashku me taktikat jo konvencionale të tarifave të SHBA-së, kërcënimet ndaj pavarësisë së Fed kanë nxitur një sërë rritjesh të forta të yield-eve të bonove të thesarit që nga ardhja e Trump në pushtet. Krahas rënies së dollarit, rritja e yield-eve të obligacioneve ka shtuar frikën për një tregti “shit Amerikën”, me disa analistë që sugjerojnë se investitorët po humbasin besimin te bonot, duke ulur çmimet dhe rritur yield-et, ndërsa investitorët presin prime më të larta.

Rritjet e fundit të yield-eve janë lidhur gjithashtu me perspektivën makroekonomike në Japoni, me disa investitorë që po zhvendosin kapitalin nga asetet amerikane drejt borxhit japonez me yield më të lartë.

Ndërsa modelet ekonomike kohët e fundit kanë devijuar nga norma, prirja standarde është që, kur normat e interesit bien, çmimet e obligacioneve rriten dhe yield-et bien.

Lëvizjet e tregjeve të aksioneve

Duke iu kthyer aksioneve, tregjet financiare në Europë u hapën më poshtë të mërkurën në mëngjes. DAX ra me 0.25%, CAC 40 zbriti 1.08%, IBEX 35 ra 0.74%, FTSE MIB u ul 0.48%, ndërsa FTSE 100 ra 0.28%. Indeksi më i gjerë STOXX Europe 600 ishte poshtë me 0.42%.

Përpara hapjes së tregut në SHBA, kontratat e së ardhmes të Nasdaq u rritën 0.73%, futures të S&P 500 u rritën 0.29%, ndërsa futures të Dow Jones ranë me më pak se 0.1%. “Disa investitorë kanë vënë në dukje prova se fondet kombëtare të pensioneve po mbrojnë ekspozimin e tyre ndaj dollarit, ndërsa ruajnë investimet në letrat me vlerë amerikane që qëndrojnë në themel,” tha Richard Hunter, drejtues i tregjeve në Interactive Investor.

“Kjo shpjegon pjesërisht pse tregjet kanë vijuar të ecin mirë pavarësisht dobësimit të monedhës dhe, në fakt, S&P 500 arriti edhe një tjetër rekord të ri mbylljeje dje.”

Kush përfiton nga rritja e pagës minimale në Kosovë

Mbi 85 milionë euro do të jetë kostoja shtesë për bizneset pas rritjes graduale të pagës minimale gjatë vitit 2026, sipas analizës së Institutit GAP të quajtur “Kush ndikohet nga rritja e pagës minimale në vitin 2026”.

Sipas këtij Instituti, kjo rritje përfaqëson rreth 2% të faturës totale të pagave në ekonomi, transmeton albinfo.ch.

“Nga kjo rritje pritet të përfitojnë drejtpërdrejt mbi 130 mijë punëtorë me orar të plotë, që përbëjnë rreth 36% të të gjithë të punësuarve me orar të plotë në Kosovë. Përveç tyre, të prekur nga kjo masë do të jenë edhe punëtorët me orar të pjesshëm”, njofton GAP.

Më tej ata theksojnë se  sektorët më të ndikuar nga kjo rritje përfshijnë industrinë e ushqimit dhe pijeve, tregtinë me pakicë, etj., ku përqendrimi i punëtorëve me paga më të ulëta është më i lartë.

“Mosha mesatare e punëtorëve që përfitojnë nga rritja e pagës minimale është 37 vjeç, që tregon se përfituesit kryesorë janë punëtorët e moshës së mesme, të cilët, pavarësisht përvojës në tregun e punës, ende marrin paga në nivelin minimal. Nga aspekti gjinor, burrat përbëjnë shumicën e përfituesve, me 59% në fazën e parë dhe 56% në fazën e dytë të rritjes, ndërsa gratë përfaqësojnë përkatësisht 41% dhe 44% të përfituesve”, vazhdon Instituti.

Ka plagosur rëndë të njohurin me pistoletë në Zug – Gjykohet kosovari

Një shtetas kosovar, tani 31 vjeç, akuzohet se kishte qëlluar një të njohur të tij në qytetin e Zugut në vitin 2024, me sa duket në hakmarrje për një shuplakë që i kishte dhënë ai më parë. Të mërkurën, ai u paraqit para Gjykatës Penale të Zugut me akuzat për tentativë vrasjeje, transmeton albinfo.ch.

Prokuroria gjithashtu akuzon të pandehurin për rrezikim të jetës dhe vepra të tjera penale. Aktakuza kërkon një dënim me 16 vjet burg, një gjobë dhe dëbim nga Zvicra për 15 vjet.

Në fillim të procesit, të mërkurën në mëngjes, i pandehuri njoftoi se nuk do të bënte asnjë deklaratë në gjykatë. Prandaj, kryetari i trupit gjykues nuk e mori në pyetje gjatë seancës fillestare dëgjimore, shkruan sda.ch.

Të shtënat ishin shkrepur një natë marsi në vitin 2024. Pas një grindjeje në Landsgemeindeplatz (shesh qyteti), i pandehuri dyshohet se kishte shkuar në shtëpi dhe qe kthyer me një pistoletë në duar. I plagosuri kishte arritur të ikte. Pastaj atij i ishte dashur t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Avokati i të akuzuarit për tentativë vrasjeje argumentoi në Gjykatën Penale të Zugut se aktakuza përmbante mospërputhje dhe kontradikta, përcjell albinfo.ch. Gjatë procesit të mbajtur të mërkurën pasdite, ai kërkoi lirimin e klientit të tij.

Avokati mbrojtës argumentoi në deklaratën e tij prej afërsisht dy orësh se nuk ishte vërtetuar që klienti i tij ishte në vendin e ngjarjes në kohën e të shtënave. Prova të tilla si të dhënat e vendndodhjes së telefonit celular nuk e mbështetën këtë përfundim. Vetëm deklaratat nga procedurat paraprake tregonin praninë e klientit të tij në vendin e krimit.

Megjithatë, avokati ka vënë në dyshim besueshmërinë e këtyre deklaratave, duke i quajtur ato të paqarta dhe jokonsistente. Avokati gjithashtu la të kuptohej se dëshmitarët ishin ndikuar përmes kontaktit me një palë të tretë.

Në fjalën e tij përfundimtare, ai theksoi “errësirën dhe konfuzionin” që rrethonte natën e incidentit, kur katër persona, nën ndikimin e alkoolit dhe drogës, ishin mbledhur në Landsgemeindeplatz të Zugut.

Prokuroria akuzon klientin e avokatit se qëlloi të njohurin e tij të paktën dy herë, duke rrezikuar kështu jetën e dy personave të tjerë të pranishëm.

Avokati e përsëriti vazhdimisht këtë “të paktën” nga aktakuza. Mbetet e paqartë se sa të shtëna u qëlluan ndaj viktimës. Natën e incidentit, i plagosuri iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale urgjente, gjatë së cilës u zbuluan lëndime nga dy plumba në trupin e tij, transmeton albinfo.ch. Nuk ka prova objektive për të shtëna të tjera.

Për më tepër, është e pashpjegueshme pse gjurmët e ADN-së u gjetën në gëzhojat e fishekëve të harxhuar, por jo në fishekët e mbetur në karikatorin e armës.

Mbetjet e të shtënave me armë, të cilat zakonisht gjenden tek personi që qëllon pasi qëllon një armë, nuk u gjetën tek i akuzuari mëngjesin pas natës së krimit.

Shkurt: I akuzuari i mohon “me forcë” akuzat, sipas avokatit të tij.

Më parë, prokurori kishte paraqitur një pamje krejtësisht të ndryshme. Bazuar në dëshminë e një shoferi Uber i cili e kishte çuar të akuzuarin në shtëpinë e tij dhe e kishte kthyer në vendin e ngjarjes natën e incidentit, prokurori e përshkroi atë si një “vrasje për nder”.

Viktima e kishte qëlluar të akuzuarin me shuplakë. Duke ndjerë nderin e tij të lënduar, i akuzuari shkoi në shtëpi, mori një pistoletë dhe qëlloi mbi të njohurin e tij. Sipas prokurorisë, të dhënat e vendndodhjes vërtetuan qartë praninë e të akuzuarit.

Prokurori kërkon një dënim me 16 vjet burg, një gjobë dhe një dënim për tentativë vrasjeje dhe vepra të tjera penale.

Për më tepër, shtetasi kosovar përballet me dëbim për një periudhë prej 15 vitesh. Avokati i tij i tha gjykatës se Kosova është një “vend i huaj” për klientin e tij, i cili është banor i Zvicrës. Dëbimi do ta shkëpuste atë nga mjedisi i tij mbështetës në Zvicër.

Deri në gjykimin e plotfuqishëm, vlen prezumimi i pafajësisë.

Hetimi ndërkombëtar për shpëlarje të parave përfshin edhe Kosovën

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar për një operacion policor në kuadër të një hetimi të përbashkët me EUROPOL-in dhe Prokurorinë Distriktuale të Republikës së Katanisë kundër krimit financiar dhe piraterisë audovizive që ka çuar në shpëlarje të parave.

Ky hetim që u zhvillua në disa shtete të botës, përfshiu edhe Kosovën ku është arrestuar një shtetas i Kosovës me inicialet P.B., transmeton albinfo.ch.

“Urdhër kontrolli në Kosovë është realizuar si një hap i rëndësishëm procedural, në kuadër të një operacioni të gjerë ndërkombëtar kundër krimit financiar dhe piraterisë audiovizive, që kanë çuar në shpëlarjen e parave dhe përfitimeve financiare të kundërligjshme, në disa shtete të ndryshme të botës, përfshirë edhe në Kosovë. Gjatë hetimeve të zhvilluara ka rezultuar se në mesin e të dyshuarëve të këtij grupi kriminal është edhe një shtetas i Kosovës, me inicalet P.B”, thuhet në raportin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Bastisje me urdhër të PSRK-së u kryen në dy lokacione në Prishtinë dhe në fshatin Zaplluxhë të Komunës së Dragashit nën dyshimin për kryerjen e veprave penale: “Cenim i të drejtave të autorit”, nga neni 290 i KPRK-së; “Shpëlarja e parave”, nga neni 302 i KPRK-së;

Ky operacion u zhvillua njëkohësisht edhe në Mbretërinë e Bashkuar, në Spanjë, Itali dhe Rumani.

“Operacioni, i zhvilluar njëkohësisht edhe në Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë, Itali, dhe Rumani, ka mundësuar eliminimin e një infrastrukture informatike, e cila shërbente në mënyrë të paligjshme për miliona përdorues, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, përmes një sistemi të sofistikuar informatik – IPTV. Ndërsa, në hetim kanë bashkëpunuar edhe Kandaja, India, Koreja e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara. Gjatë bastisjes është gjetur dhe sekuestruar një kompjuter dhe katër hard disqe. Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, ritheksojnë përkushtimin në luftën kundër krimit financiar dhe atij ekonomonik”, thuhet tutje në njoftim.

Ky operacion policor u zhvillua më 22 janar të këtij viti.

Manipulimet me vota në Kosovë, ndalohen edhe 15 persona në Malishevë

Ndaj 15 kryesuesve zgjedhorë në Komunën e Malishevës është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh, pas aksionit të sotëm në këtë komunë lidhur me dyshimet për manipulime të votave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi, tha se gjatë aksionit të sotëm cak ishin 18 kryesues dhe 50 komisionerë.

Ata dyshohen për veprën penale “falsifikim i rezultatit të votimeve”.

Gashi tha se sot u intervistuan 15 kryesues, që u dërguan në ndalim dhe 43 komisionerë. Për komisionerët tha se do të vendoset nëse do të ndërmerret ndonjë masë sigurie, pasi ata janë intervistuar pas kryesuesve.

Ndërkaq, tre kryesuesit dhe shtatë komisionerët e tjerë, të cilët sot nuk u morën në pyetje, nga Policia e Kosovës thanë se do të merren më vonë, pasi mund të jenë jashtë vendit.

“Në Malishevë janë 75 vendvotime. 9.057 vota janë të shuar, 7.996 të hequra. Pra, gjithsej në total kemi 17.053 vota”, tha Gashi.

Ai shtoi se edhe në Komunë e Gjakovës, ku është vërejtur mospërputhje e votave, janë në kontakt me policinë, e cila po grumbullon prova.

Prokuroria e Gjakovës tha se ka pranuar si prova edhe video-incizimet nga Qendrat e Numërimit, dhe ato do të analizohen më vonë.

Rinumërimi në Malishevë – komunë në pjesën qendrore të vendit – ka përfunduar tashmë dhe ai tregon një dallim në votat për kandidatët për deputetë. Të paktën tre kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës u janë hequr nga mbi 700 votat secilit në këtë komunë.

Edhe kandidatëve nga partitë e tjera si ajo në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, Nisma, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, u janë hequr vota pas rinumërimit në këtë komunë, por në numër diçka më të vogël.

Operacioni në Malishevë është i dyti i këtij lloji si pjesë e një hetimi të gjerë për manipulim të votave në zgjedhjet e fundit të parakohshme të Kosovës.

Një operacion i ngjashëm u krye javën e kaluar në Prizren, ku u arrestuan 109 të dyshuar, prej të cilave 23 u dërguan në paraburgim nën dyshimin se kishin manipuluar vota të kandidatëve për deputetë.

Dyshimet për manipulim të votave të zgjedhjeve të dhjetorit kanë hedhur dyshime serioze mbi procesin zgjedhor, dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u detyrua ta bëjë rinumërimin e plotë të votave, pasi kishte gjetur mospërputhje të mëdha në votat për kandidatët për deputetë.

Komisioni bëri të ditur të martën se pret ta përfundojë rinumërimin në fundjavë, pasi tashmë janë rinumëruar mbi 80 për qind e votave.

Por, derisa rinumërimi ka vazhduar drejt përfundimit, edhe hetimet e autoriteteve për zbatim të ligjit po zgjerohen.

Përveç Prizrenit dhe Malishevës ku tashmë janë zhvilluar operacione, autoritetet janë duke kryer hetime edhe në Ferizaj e Drenas.

Në Kosovë manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burgim.

Megjithatë, së voni organizata joqeveritare, ÇOHU, e publikoi një hulumtim që tregoi se mbi 90 për qind e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba.

Sanija Ameti dënohet me gjobë pasi qëlloi me armë imazhin e krishterë

Në shttor të vitit 2024, Sanija Ameti kishte drejtuar pistoletën e saj ajrore në një imazh të Jezusit dhe Marisë dhe kishte shpërndarë pastaj në instagram fotot e realizuar të të shtënave. Ajo kishte shkrur mbi këtë postim: “Fikeni”. Postimi është fshirë më vonë por, si pasojë e tij ajo ka humbur punën dhe anëtarësimin në parti. Tani ajo përballet me një gjobë.

Veprimin e politikanes së paditur nga Prokuroria e Cyrihut, Gjykata e Qarkut të Cyrihut e ka cilësuar si shkelje e lirisë së besimit.

Sipas paragrafit përkatës, kushdo që “fyen ose tall me qëllim të keq besimet e të tjerëve në çështjet e fesë, veçanërisht besimin në Zot”, është i detyruar të ndiqet penalisht. Ameti u urdhërua të paguante 500 franga zvicerane. Një gjobë tjetër prej 3,000 frangash zvicerane e kërkuar nga prokuroria, u pezullua. Ajo mund të apelojë vendimin.

Incidenti kishte shkaktuar zemërim, kur kishte ndodhur, në shtator të vitit 2024. Siç raportohet nga SRF, Ameti dhe familja e saj ishin përkohësisht nën mbrojtjen e policisë. Politikania pati fshirë postimin në Instagram pas disa orësh dhe u pati kërkuar falje përfaqësuesve të kishës. Ajo humbi punën dhe parandaloi përjashtimin nga Partia Liberale e Gjelbër (GLP) duke dhënë vetë dorëheqjen.

Sipas SRF, ajo nuk do të kandidojë në zgjedhjet për parlamentin e qytetit të Cyrihut.

Avokati i saj kishte kërkuar lirim nga akuzat. Sipas tij, Ameti vuante nga trauma që nuk e kishte trajtuar për 30 vjet. Si fëmijë, ajo dhe familja e saj kishin ikur nga ish-Jugosllavia (Bosnjë e Hercegovina), ku vëllai i saj i madh ishte qëlluar për vdekje.

Vetë politikania nuk ka folur në gjykatë. Para procesit, ajo kishte thënë se kishte grisur pa kujdes një faqe nga një katalog dhe e kishte përdorur si shënjestër. Një gjyqtar argumentoi se edhepse Ameti kishte lënduar ndjenjat e të krishterëve, ajo nuk e kishte bërë këtë qëllimisht.

Zyra e prokurorit publik, megjithatë, e përshkroi veprimin si një provokim të qëllimshëm.

Frangu zviceran forcohet kundrejt dollarit, por Banka Kombëtare Zvicerane nuk ka gjasa të ndërhyjë

Frangu zviceran vazhdon të forcohet kundrejt dollarit, me një nivel të ri rekord të raportuar të martën. Por Banka Kombëtare Zvicerane (SNB) nuk ka gjasa të ndërhyjë, sipas një eksperti financiar.

Të martën pasdite, një dollar amerikan ra në 0.7701 CHF, niveli më i ulët ndonjëherë, duke përjashtuar turbulencën e çmimeve që lidhet me heqjen e kursit minimal të këmbimit me euron në janar 2015. Monedha zvicerane u forcua gjithashtu kundrejt euros, e cila arriti në nivelin më të ulët prej 0.9189 CHF, niveli më i ulët që nga nëntori i kaluar, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, SNB nuk ka bërë asnjë kundërveprim në treg, tha një analist i Valiant. Kjo është në përputhje me shenjat se banka qendrore është e shqetësuar jo aq shumë nga niveli absolut i kurseve të këmbimit, por më tepër nga luhatjet e forta.

“Megjithatë, presioni aktual po vjen më shumë nga dollari, ku paqëndrueshmëria është më e lartë”, tha analisti. Një lehtësim i tensionit në këtë front do të çonte gjithashtu në një relaksim në lidhje me euron.

Këtë javë, fokusi i tregjeve është te Rezerva Federale e SHBA-së, e cila fillon takimin e saj dy-ditor të politikës monetare të martën.

Vëzhguesit nuk presin një ulje të normës së interesit. Megjithatë, takimi mund të japë një shtysë të re, pasi mund të shfaqen shenjat e para ose edhe një njoftim mbi emërimin e ardhshëm të Kryetarit të bankës qendrore.

Mandati i Kryetarit aktual Jerome Powell, i cili është nën presion të madh nga Presidenti Donald Trump, do të përfundojë në maj.

Popullsia në plakje godet kërkesën për prona në disa pjesë të Zvicrës

Tregu i pronave në Zvicër pritet të ndiejë ndikimin e ndryshimeve demografike gjithnjë e më ashpër gjatë viteve të ardhshme. Një popullsi në plakje dhe kërkesa në rritje për shtëpi më të vogla ka të ngjarë të ushtrojnë presion mbi disa rajone.

Analistët e pronave të MoneyPark kanë arritur në këtë përfundim: trendet demografike po krijojnë sfida të thella strukturore për tregun e banesave në disa kantone zvicerane. Sipas raportit të publikuar të mërkurën, ndikimi është veçanërisht i mprehtë në dhjetë nga kantonet më të prekura të vendit, shkruan Swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Presionet demografike

Këto përfshijnë kantonin Ticino, Bernën, Neuchâtelin, Jurën, Appenzell Outer Rhodes, Nidwalden, Obwalden, Graubünden, Glarus dhe Schaffhausen. Së bashku, ato përbëjnë afërsisht 23% të vëllimit të përgjithshëm të kredive hipotekare të Zvicrës.

Në të njëjtën kohë, këto kantone po përjetojnë ndryshimet më të mprehta demografike dhe, sipas studimit, tashmë po shohin që kërkesa për strehim të ngecë ose edhe të fillojë të bjerë.

Në zemër të çështjes është profili i moshës së këtyre rajoneve. Pothuajse e gjithë rritja e popullsisë në këto kantone vjen nga njerëz mbi moshën 65 vjeç.

“Ky grupmoshë lëviz rrallë dhe krijon shumë pak kërkesë për banesa të reja”, thotë drejtori ekzekutiv i MoneyPark, Lukas Vogt. Në të njëjtën kohë, numri i njerëzve në moshë pune po bie.

Si rezultat, grupi i blerësve dhe qiramarrësve potencialë po zvogëlohet, gjë që po ul numrin e transaksioneve dhe po ngadalëson rritjen e çmimeve. Në disa kantone, duke përfshirë Ticino, Graubünden dhe Jura, kjo prirje është tashmë e qartë. Kërkesa për shtëpi është e dobët, pronat po zgjasin më shumë për t’u shitur dhe uljet e çmimeve po bëhen më të zakonshme.

Si do të ndikonte tek ju ligji i planifikuar i Zvicrës për taksat individuale?

Për çfarë bëhet fjalë në këtë votim?

Nëse miratohet në kutinë e votimit, futja e taksimit individual do të jetë një nga reformat më të rëndësishme tatimore të Zvicrës në dekadat e fundit.

Ky veprim do të sjellë mbylljen – në një mënyrë ose në një tjetër – të një çështjeje që ka qenë në pezull legjislativ për vite me radhë, përpara se të merrte dritën jeshile nga Parlamenti në vitin 2024, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Bashkëshortët gjithmonë janë tatuar bashkërisht, kryesisht sepse në të kaluarën shumë gra nuk punonin.

Deri më sot, çiftet e martuara ende tatohen së bashku, dhe kjo përfshin çiftet e të njëjtit seks që jetojnë në një partneritet të regjistruar.

Kjo do të thotë që nëse të dy partnerët janë të punësuar, ata shpesh duhet të paguajnë taksa më të larta sesa çiftet e pamartuara që deklarojnë taksat e tyre veçmas. Të ardhurat e tyre shtohen (dhe tatohen) së bashku pavarësisht se kush ka fituar sa.

Kjo është mirë për qeverinë, sepse më shumë para po rrjedhin në arkën publike, por jo aq mirë për njerëzit e martuar që kanë barrë të lartë tatimore.

Miratimi i sistemit të ri më 8 mars do ta ndryshonte këtë – por si?

Me pak fjalë, sipas këtij ligji të ri, çiftet e martuara do të tatohen gjithashtu individualisht.

Çdo person do të paguajë taksë mbi të ardhurat dhe pasuritë e veta, dhe e njëjta normë tatimore do të zbatohet për të gjithë, pavarësisht nga statusi i tyre civil.

Po në lidhje me pronën në pronësi të përbashkët?

Në të ardhmen, asetet do të tatohen sipas pronësisë.

Për pasuritë e paluajtshme, ajo që ka rëndësi është ajo që regjistrohet në regjistrin e tokës. Nëse një shtëpi është në pronësi të barabartë nga të dy bashkëshortët, secili do të duhet të deklarojë pjesën e tij në deklaratën e tij tatimore. Nëse, sipas regjistrit të tokës, shtëpia është në pronësi vetëm të njërit bashkëshort, ai ose ajo do të duhet ta deklarojë atë individualisht.

I njëjti parim do të zbatohet për asetet e tjera, siç janë llogaritë bankare dhe portofolet e investimeve: pronësia do të përcaktojë detyrimin tatimor – në të njëjtën mënyrë siç zbatohet tashmë për çiftet e pamartuara.

Çfarë ndikimi do të ketë taksimi individual?

Disa përfitime shtetërore varen nga martesa si një njësi ekonomike, domethënë nga të ardhurat familjare, të përcaktuara aktualisht nga një deklaratë e përbashkët tatimore.

Këto përfshijnë, për shembull, uljet e primeve të sigurimit shëndetësor, grantet studentore dhe subvencionet për kujdesin ndaj fëmijëve. Këto fusha bien nën juridiksionin e kantoneve ose bashkive, të cilat kanë liri të konsiderueshme veprimi në përshtatjen e tyre.

Kantonet do të duhet të rishikojnë ligjet e tyre dhe t’i përshtatin ato nëse është e nevojshme.

Ligji federal u lejon atyre të zgjedhin nëse do të marrin apo jo parasysh të ardhurat e partnerit. Disa kantone tashmë i marrin në konsideratë të ardhurat familjare për çiftet e pamartuara kur vlerësojnë të drejtën për ulje të primeve të sigurimit shëndetësor.

Kush do të paguajë më pak taksa?

Lajmi i mirë është se me reformën, taksa federale direkte do të ulet në përgjithësi.

Përfituesit kryesorë do të jenë çiftet e martuara me dy të ardhura, përfshirë shumë pensionistë.

Nëse, për shembull, burri fiton 70 përqind të të ardhurave familjare dhe gruaja 30 përqind (ose anasjelltas), çifti do të përfitojë nga reforma, pavarësisht nga numri i fëmijëve që kanë.

Shumica e beqarëve do të paguajnë gjithashtu më pak taksa, veçanërisht ata me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Dhe kush do të paguajë më shumë taksa?

Megjithatë, jo të gjithë do të përfitojnë nga sistemi i ri: afërsisht 14 përqind e taksapaguesve do të paguajnë më shumë taksa.

Këto janë familjet që aktualisht përfitojnë nga një “bonus martese” – kur detyrimi total tatimor i një çifti të martuar bie për shkak të deklarimit të kombinuar, shpesh duke përfituar bashkëshortët me të ardhura shumë të ndryshme, pasi të ardhurat më të larta tatohen me një normë më të ulët të përbashkët.

Çiftet e martuara me një të ardhur të vetme ose një të ardhur shumë të ulët të dytë, me ose pa fëmijë, preken veçanërisht.

Dhe për shkak të rregullimit të kategorive tatimore, beqarët me të ardhura të larta do të shohin gjithashtu rritje të taksave të tyre.