Alban Elezi Cannaferina siguron podiumin e parë në Kupën e Botës

Alban Elezi Cannaferina ka arritur sonte një moment historik në karrierën e tij, duke siguruar podiumin e parë në Kupën e Botës në moshën vetëm 22 vjeç, transmeton albinfo.ch.

Skijatori francez përfundoi në vendin e tretë , duke ndarë momentin e madh me legjendat e skijimit @loicmeillard dhe @pinheiiiroo.

“Faleminderit të gjithëve për mbështetjen – familjes, bashkëlojtarëve, stafit dhe sponsorëve. Ëndrrat realizohen!” – shkruan Elezi në rrjetet sociale. /Albinfo.ch

 

https://www.facebook.com/share/p/1SCtJekWya/

Ja 5 veturat më të shitura në Kosovë gjatë vitit 2025

Tregu i veturave të reja në Kosovë gjatë vitit 2025 ka shënuar një rritje të dukshme, duke konfirmuar një trend të qartë: blerësit po zgjedhin modele me çmim të arsyeshëm, kosto të ulëta mirëmbajtjeje dhe prakticitet për përdorim të përditshëm, transmeton albinfo.ch.

Të dhënat zyrtare nga Qendra e Automjeteve të Kosovës tregojnë se SUV-të kompakte dhe hatchback-ët ekonomikë kanë pasur kërkesën më të madhe. Ja Top 5 veturat e reja më të shitura në Kosovë për vitin 2025:

1. Dacia Sandero Stepway – 413 vetura

Modeli më i shitur i vitit, i preferuar për çmimin konkurrues, pozicionin e ngritur të vozitjes dhe prakticitetin për kushtet rrugore në Kosovë.

2. Renault Captur – 323 vetura

SUV-i kompakt i Renault tërheq blerësit me dizajn modern, komoditet dhe balancim të mirë mes performancës dhe konsumit. Zgjedhja ideale për familjet urbane.

3. VW Golf – 208 vetura

Ikona e segmentit hatchback vazhdon të ruajë pozicionin e saj. Golf mbetet sinonim i cilësisë, teknologjisë dhe vozitjes së qëndrueshme, duke ruajtur besnikërinë e klientëve ndër vite.

4. Peugeot 308 – 201 vetura

Model me dizajn modern dhe teknologji të avancuar, i preferuar nga blerësit që kërkojnë stil dhe efikasitet në një veturë kompakte.

5. Skoda Octavia – 200 vetura

Octavia është zgjedhje e fortë për ata që kërkojnë hapësirë, rehati dhe raport të mirë çmim-cilësi, e përshtatshme për familje dhe biznese.

Rezultatet e vitit 2025 tregojnë qartë se tregu kosovar po anhohet drejt veturave ekonomike, funksionale dhe të besueshme, duke lënë pas automjetet luksoze me kosto të larta mirëmbajtjeje. Me këtë performancë, Auto Mita mbyll vitin 2025 si një nga shtyllat kryesore të tregut të veturave të reja në Kosovë, duke vendosur standarde të larta për vitet që vijnë. /Albinfo.ch

Essen: 13-vjeçari sulmon një të moshuar për vdekje

Një incident i rëndë dhune ka ndodhur në muajin tetor 2025 në një park lojërash në qytetin Essen, Gjermani, ku një 80-vjeçar është sulmuar fizikisht. Tre muaj më vonë, i moshuari ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të rënda në kokë, transmeton albinfo.ch.

Sipas autoriteteve, një 13-vjeçar është identifikuar si i dyshuari kryesor. Hetimet kanë treguar se viktima nuk është sulmuar nga një grup, por nga një person i vetëm, raporton Focus.de.

Nga goditja, pensionisti është rrëzuar në tokë dhe ka pësuar lëndime të rënda në kokë, të cilat më vonë rezultuan fatale. Viktima ka vdekur në moshën 81-vjeçare.

Policia e Nordrhein-Westfalen ka bërë të ditur se është në kontakt të ngushtë me familjen e të miturit si dhe me zyrën e rinisë (Jugendamt). Megjithatë, sipas ligjit gjerman, fëmijët nën moshën 14 vjeç nuk janë penalisht përgjegjës, ndaj ndaj 13-vjeçarit nuk mund të ngrihen akuza penale./Albinfo.ch

Hajdari dhe Avdullahu kontribuojnë në fitoren e Hoffenheimit ndaj Werder Bremenit

Mbrojtësi Albian Hajdari dhe mesfushori Leon Avdullahu luajtën deri në fund te Hoffenheimi, që arriti të mposhtë Werder Bremenin në ndeshjen e mbetur të xhiros së 16-të të Bundesligës, përcjell albinfo.ch.

Kjo ndeshje ishte një nga dy ndeshjet e shtyra për shkak të motit të keq në Gjermani. Hoffenheimi shënoi një gol në pjesën e parë dhe një tjetër në pjesën e dytë, duke siguruar fitoren 2:0, edhe pse luajti me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të marrë nga Wouter Burger në minutën e 51-të.

Futbollisti tjetër i Kosovës, Fisnik Asllani, mbeti në stol gjatë këtij takimi. Me këtë fitore, Hoffenheimi forcohet në vendin e tretë të Bundesligës me 39 pikë./Albinfo.ch

Frangu vazhdon të forcohet edhe më tej ndaj euros

Franga zvicerane po vazhdon trendin e saj forcues, duke fituar terren ndaj euros, edhe pse kjo e fundit ka shënuar rritje kundrejt dollarit amerikan, përcjell albinfo.ch.

Aktualisht, një euro këmbehet me 0.9165 franga zvicerane, niveli më i ulët i regjistruar në dhjetë vitet e fundit.

Ky zhvillim nuk ka ardhur si surprizë për ekonomistët, të cilët kishin parashikuar se franga do të ruante trendin e saj rritës edhe gjatë vitit 2026, falë stabilitetit ekonomik dhe rolit të saj si monedhë e sigurt.

Në të njëjtën kohë, dollari amerikan ka shënuar rënie, duke bërë që franga zvicerane dhe euro të forcohen kundrejt tij. Në një moment, një dollar vlente rreth 0.77 franga ose 0.83 euro, niveli më i lartë për euron që nga qershori 2021. Sipas Cash.ch, duke cituar AWP, Banka Kombëtare Zvicerane mund të ndërhyjë në treg për të dobësuar frangun./Albinfo.ch

Mërgim Berisha drejt rikthimit në Austri, në negociata intensive me Sturm Graz

Sulmuesi Mërgim Berisha pritet të rikthehet në futbollin austriak, kësaj radhe te Sturm Graz, ekip me të cilin tashmë është në negociata intensive, transmeton albinfo.at.

Mediumet austriake raportojnë se Sturm Graz e sheh Berishën si përforcim të rëndësishëm për repartin ofensiv dhe është duke negociuar me Hoffenheimin për huazimin e tij deri në fund të sezonit.

Berisha nuk ka regjistruar asnjë paraqitje për Hoffenheimin këtë edicion. Pas rikthimit nga huazimi, 27-vjeçari ka qenë jashtë fushës, pjesërisht për shkak të lëndimeve.

Paraqitjen e fundit në një ndeshje zyrtare, Berisha e ka zhvilluar në muajin maj të vitit të kaluar me fanellën e Augsburgut, skuadër ku ishte i huazuar nga Hoffenheimi.

Sulmuesi ka kontratë me Hoffenheimin deri vitin e ardhshëm, ndërsa një huazim te Sturm Graz do të shënonte rikthimin e tij në një kampionat ku ka hedhur hapat e parë si futbollist profesionist.

Në total, Berisha ka zhvilluar 88 paraqitje në elitën e futbollit austriak, duke luajtur për skuadra si Salzburgu, Altach dhe LASK./Albinfo.at

Shkurtime të reja të vendeve të punës në Zvicër

Zvicra po përballet me një valë të re shkurtimeve të vendeve të punës, pasi disa kompani të mëdha kanë njoftuar masa të reja në kuadër të ristrukturimeve të tyre, transmeton albinfo.ch.

Grupi mediatik Tamedia ka bërë të ditur se, për shkak të riorganizimit të sektorëve të tij print dhe digjital, do të shkurtojë 25 deri në 30 vende pune me orar të plotë gjatë këtij viti.

Ndërkohë, edhe dega zvicerane e IKEA-s ka paralajmëruar se mund të eliminojë deri në 60 pozita administrative në selinë e saj qendrore në Spreitenbach, kantoni Aargau.

Sipas kompanisë, arsyeja e këtyre shkurtimeve lidhet me nevojën që “IKEA të ketë një organizatë më të thjeshtë, më efikase dhe më të fokusuar”.

Këto humbje të vendeve të punës i shtohen shkurtimeve të tjera që janë paralajmëruar më herët, duke shtuar shqetësimet për stabilitetin e tregut të punës në vend. /Albinfo.ch

Luksemburgu ofron mbi 1 milion euro për ide inovative në Kosovë

Bashkëpunimi për Zhvillim i Luksemburgut ka lansuar një thirrje të re për propozime, duke synuar ndërmarrjet inovative në Kosovë. Fondi Demonstrues LuxAid (LDF) ofron mbështetje financiare deri në 350,000 euro për projekte që zhvillojnë zgjidhje dixhitale dhe të gjelbra me ndikim shoqëror dhe ekonomik, transmeton albinfo.ch.

Sipas njoftimit të LUXDEV, aplikimet për këtë thirrje janë të hapura deri më 6 shkurt 2026, ndërsa dhjetë projektet më të mira do të përfitojnë trajnime dhe mbështetje për prezantimin para komisionit të përzgjedhjes. Vendimi final pritet të shpallet në korrik 2026, me 3-4 projekte të përzgjedhura që do të financohen.

Fokus në inovacion dhe rritje të qëndrueshme

Fondi synon të përshpejtojë rritjen e zgjidhjeve inovative që adresojnë sfida të mëdha shoqërore, duke përfshirë:

Inovacion dixhital: AI, analiza e të dhënave, automatizimi, fintech, tregtia elektronike dhe siguria kibernetike.

Aftësi për punësim: Zgjidhje që lidhen me aftësitë dixhitale dhe të gjelbra për të rritur mundësitë e punësimit.

Teknologji shëndetësore: Zgjidhje e-health, me fokus te kujdesi kardiovaskular.

Energjia dhe mjedisi: Efikasitet energjetik, ekonomia rrethore, riciklimi i mbeturinave, agrobiznesi i qëndrueshëm dhe adaptimi ndaj klimës.

Kush mund të aplikojë?

Fondi është i hapur për kompani ose bashkëpunime të regjistruara në Kosovë para 1 nëntorit 2022, me të paktën 5 të punësuar dhe xhiro nën 50 milionë euro. Projektet duhet të kenë një produkt ose shërbim inovativ të testuar tashmë në treg me të ardhura të provuara për të paktën një vit dhe të jenë të afta të bashkëfinancojnë të paktën 50% të kostove të projektit.

Mbështetje dhe shkallëzim

Bashkëfinancimi varion nga 100,000 deri në 350,000 euro, me qëllim të shkallëzimit të zgjidhjeve inovative dhe zgjerimit të ndikimit të tyre në komunitetet lokale. /Albinfo.ch

Instituti i Vjenës: Anëtarësimi i pjesshëm në BE, skenari më realist për Shqipërinë

Mali i Zi dhe Shqipëria janë të parët në radhë për anëtarësim në Bashkimin Europian nga të gjitha vendet kandidate, por një integrim i plotë politik duket ende larg. Kjo është përfundimi i diskutimeve të fundit në një forum të organizuar nga Instituti Ndërkombëtar i Vjenës për Studime Ekonomike (wiiw), transmeton albinfo.ch.

Referuar ekspertëve të këtij forumi, megjithëse Shqipëria ka një pozicion të favorshëm për pranimin në BE, shqetësime të tilla si përqendrimi i pushtetit brenda vendit dhe ndikimet gjeopolitike në rajon, përfshirë ndikimin e presidentit serb Aleksandër Vuçiç mbi Malin e Zi, e bëjnë të mundshëm një skenar të anëtarësimit të pjesshëm brenda tre viteve të ardhshme.

Në këtë model, vendet kandidate do të integrohen ekonomikisht dhe rregullatorisht në BE, duke pasur akses në tregun e brendshëm, duke përfituar nga fondet strukturore, bujqësore dhe infrastrukturore, dhe duke zbatuar legjislacionin europian, por pa të drejta të plota politike: nuk do të kenë të drejtë vote në Këshillin e BE-së, komisioner europian ose përfaqësim të plotë në Parlamentin Europian.

Ky model synon të kapërcejë paradoksin aktual të zgjerimit, ku vendet kandidate detyrohen të zbatojnë një pjesë të madhe të rregullave të BE-së pa përfituar ekonomikisht nga ky proces.

Përfitimet për Shqipërinë:

• Kompanitë shqiptare do të kenë akses të plotë në tregun e përbashkët europian, pa tarifa dhe barriera jo-tarifore, duke integruar ekonominë shqiptare direkt në zinxhirët e prodhimit dhe shërbimeve të BE-së.

• Vendit do t’i shtohen fonde zhvillimi më të mëdha sesa ato që merr aktualisht përmes instrumenteve të para-anëtarësimit.

• Qytetarët shqiptarë do të kenë më shumë të drejta për të punuar, studiuar dhe qëndruar në vendet e BE-së, por me kufizime të caktuara, të ngjashme me modelet e Norvegjisë apo Zvicrës.

Analistët e Vjenës theksuan se Ballkani Perëndimor ka pritur gjatë për integrim dhe fitimet nga konvergjenca ekonomike të BE-së kanë qenë të kufizuara. Politikat fiskale strikte dhe mungesa e konkurrueshmërisë janë sfida të tjera që vendet e rajonit duhet të adresojnë. Megjithatë, perspektiva makroekonomike e rajonit mbetet pozitive, me investime të huaja që kanë qenë të qëndrueshme dhe potencial për zhvillim të mëtejshëm.

Sipas ekspertëve, anëtarësimi i pjesshëm mund të jetë një rrugë praktike për të lidhur Ballkanin Perëndimor fort me ekonominë europiane, duke ulur ndikimin e aktorëve të jashtëm, pa i detyruar vendet e BE-së të marrin vendime politike të ndjeshme për anëtarësimin e plotë. /Albinfo.ch

Bordi i Paqes mirëpret Shqipërinë si anëtare themeluese të organizatës ndërkombëtare

Bordi i Paqes ka bërë të ditur pranimin e Shqipërisë si anëtare themeluese të organizatës ndërkombëtare të Paqes dhe Stabilitetit, në nivel global, përcjell albinfo.ch.

Ky hap vlerësohet si një moment i rëndësishëm për rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe vjen si rezultat i angazhimit të saj të vazhdueshëm në mbrojtjen e vlerave demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut dhe ruajtjen e integritetit territorial. Përmes këtij angazhimi, Shqipëria kontribuon në forcimin e paqes dhe stabilitetit, si në rajon ashtu edhe më gjerë.

Pranimi i Shqipërisë është konfirmuar përmes një postimi zyrtar të Bordit të Paqes në platformën X, ku thuhet:

“Bordi i Paqes mirëpret Shqipërinë si një anëtare themeluese të organizatës sonë ndërkombëtare në rritje.”

Po udhëtonte drejt Francës, i riu shqiptar humb jetën në një aksident

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të martën në Rumani, ku ka humbur jetën një i ri shqiptar, me inicialet V. P., së bashku me gjashtë tifozë të klubit grek PAOK, shkruan albinfo.ch.

Sipas autoriteteve rumune, viktima shqiptare është identifikuar zyrtarisht nga policia e këtij shteti. Ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë udhëtimit të tifozëve drejt Francës.

Mësohet se V. P. jetonte prej shumë vitesh me familjen e tij në qytetin Alexandria të rajonit Imathia, në Greqi. Miqtë e tij kanë bërë të ditur se ai ishte një tifoz i zjarrtë i PAOK-ut dhe kishte ndjekur pothuajse çdo ndeshje të skuadrës së zemrës.

Edhe këtë herë, V. P. po udhëtonte për të qenë pranë ekipit të tij, por udhëtimi drejt Francës përfundoi tragjikisht./Albinfo.ch

Bordi i Paqes mirëpret Kosovën si anëtare themeluese

Bordi i Paqes, një iniciativë ndërkombëtare e nisur nga presidenti amerikan Donald Trump, ka mirëpritur zyrtarisht Republikën e Kosovës si anëtare themeluese të kësaj organizate, përcjell albinfo.ch.

Ky mirëseardhje është bërë publike përmes një postimi në platformën X, ku Bordi i Paqes ka konfirmuar anëtarësimin e Kosovës në strukturën e tij.

“Bordi i Paqes e mirëpret Kosovën si anëtare themeluese të organizatës sonë ndërkombëtare në rritje”, thuhet në njoftim.

Anëtarësimi i Kosovës u formalizua më 22 janar të këtij viti, kur presidentja Vjosa Osmani nënshkroi dokumentin përkatës, duke e bërë Kosovën pjesë të kësaj iniciative që synon promovimin e paqes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Presidentja Osmani ishte gjithashtu e vetmja lidere grua që nënshkroi këtë iniciativë, fakt që i jep një dimension të veçantë përfaqësimit të Kosovës në këtë organizatë globale./Albinfo.ch 

 

Rinumërimi drejt fundit zbulon manipulime masive të votave

Procesi i rinumërimit të votave të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit po i afrohet përfundimit, duke nxjerrë në pah një sërë parregullsish serioze. Sipas të dhënave të publikuara në uebfaqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri më tani janë rinumëruar mbi 80 për qind e vendvotimeve, përkatësisht 2061 nga gjithsej 2557, përcjell albinfo.ch.

Vendimi për rinumërim të plotë u mor pas rinumërimit të pjesshëm, gjatë të cilit u evidentuan manipulime të shumta në garën ndërmjet kandidatëve për deputetë. Në pothuajse të gjitha partitë politike janë identifikuar kandidatë që në numërimin fillestar kishin përfituar ose humbur qindra vota në mënyrë të pajustifikueshme.

Sipas rezultateve të deritanishme, kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) rezultojnë të jenë më të prekurit nga këto manipulime, me dhjetëra mijëra vota të kontestuara dhe të korrigjuara gjatë rinumërimit.

Parregullsitë e publikuara edhe në platformën zyrtare të KQZ-së kanë nxitur reagimin e organeve të drejtësisë. Prokuroria ka nisur hetime në disa rajone të vendit, ndërsa në Prizren janë paraburgosur 23 persona të dyshuar për përfshirje në manipulimin e procesit zgjedhor. Hetime janë duke u zhvilluar edhe në komuna të tjera.

Një operacion i gjerë hetimor është duke u zhvilluar në Gjakovë, ku mbi 50 komisionerë zgjedhorë janë shoqëruar deri më tani nën dyshimet për manipulim të procesit zgjedhor.

Manipulimet nuk lidhen vetëm me Gjakovën, por dyshimet serioze shtrihen edhe në komuna të tjera, përfshirë Malishevën, si dhe zona të tjera ku janë evidentuar mospërputhje të rezultateve të votimit.

Komisionerët e shoqëruar po intervistohen në lidhje me dyshime për: ndërhyrje në numërimin e votave, mospërputhje të rezultateve përfundimtare, keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë procesit zgjedhor. /Albinfo.ch 

Brilant Milazimi përfaqëson Kosovën në Bienalen e Venecias 2026

Pasi kanë mbetur më pak se katër muaj deri në edicionin e 61-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, përgatitjet për prezantimin e artit të Kosovës janë në fazën përfundimtare. Pavijoni i Kosovës do të shfaqë sivjet për herë të parë një pikturë, veprën monumentale 17-metërshe “Dhëmbë të fortë” të artistit Brilant Milazimi, e cila do të vendoset në kishën e stilit barok Chiesa di Santa Maria del Pianto, transmeton albinfo.ch.

Kjo kishë dhe ish-manastir tetëkëndor, e ndërtuar në vitin 1658 nga arkitekti Francesco Contin, ndodhet përballë lagunës veneciane dhe është një prej hapësirave të çmuara të arkitekturës veneciane. Me kalimin e shekujve, kompleksi ka shërbyer si shkollë, spital, kazermë dhe hapësirë magazinimi, ndërsa më pas u mbyll për publikun dhe mbeti e paprekur për dekada. Sot, ndërtesa është në pronësi të një kompanie private dhe përdoret për aktivitete të ndryshme ambulatore, ndërsa kisha mbetet në gjendje të braktisur. Sipas Galerisë Kombëtare të Kosovës, pjesëmarrja e këtij viti shënon një rihapje të rrallë të hapësirës së mbyllur, duke përjetësuar cikle përkushtimi, braktisjeje dhe pritjeje institucionale.

Ekspozita e Milazimit, e kuruar nga meksikani José Esparza Chong Cuy, do të jetë e hapur nga 9 maji deri më 22 nëntor. Piktura “Dhëmbë të fortë” prezanton një rend figurash të radhitura ngushtë, që përkujtojnë terrenin rural të Kosovës dhe procesione të gjata njerëzish, duke krijuar një atmosferë pezullimi kohor dhe tensioni emocional. Ngjyra e kuqe dominon në veprë, ndërsa nuancat e hapura dhe errëta formojnë dritëhije që i japin figurave një dimension poetik dhe ogurzi. Vepra pasqyron tendosjen fizike dhe psikologjike të pritjes së gjatë, duke reflektuar dekada pasigurie të formësuara nga tranzicioni politik dhe njohja e kontestuar e Kosovës.

Sipas Galerisë Kombëtare të Kosovës, ekspozita fton vizitorët të përjetojnë veprën nga afër, ndërsa figurat “rezistojnë, qëndrojnë në pritje, me dhëmbët e shtrënguar fort”, duke krijuar një dialog me situatën politike dhe shoqërore të vendit. “Ekspozita synon të ngjallë reagime të thella emocionale përmes atmosferës së zhytur dhe tensionit të qetë, duke reflektuar gjendje të paqarta politike dhe krizash globale”, theksohet në arsyetim.

Milazimi, artist i gjeneratës së re nga Gjilani, u zgjodh unanimisht nga juria ndërkombëtare e përbërë nga Inke Arns, Erëmirë Krasniqi, Christine Macel, Valentine Umansky dhe Rein Wolfs. Juria vlerësoi qartësinë e vizionit, gjuhën e fuqishme vizuale dhe angazhimin e tij me mediumin e pikturës, duke e caktuar atë për të hapur kapitullin e radhës të Pavijonit të Kosovës.

Kuratori i ekspozitës, José Esparza Chong Cuy, është shkrimtar, redaktor dhe arkitekt nga Meksika, i cili ka bashkëpunuar me dhjetëra artistë në mbarë botën dhe është bashkëredaktor i librit të ardhshëm Empty Plinths: Monuments, Memorials, and Public Sculpture in Mexico, që do të botohet në vitin 2026 nga Harvard Design Press.

Kosova vijon kështu traditën e prezantimit të kulturës së saj të artit vizual në Bienalen e Venecias, duke përdorur hapësirën për dialog kulturor dhe politik, dhe duke shënuar këtë vit një kapitull të veçantë me pikturën monumentale të Brilant Milazimit. /Albinfo.ch

Shqiptarja nga diaspora drejt Olimpiadës Dimërore 2026 me flamurin kuqezi

Lisa Brunga, skiatorja shqiptare që jeton dhe stërvitet në Toronto të Kanadasë, është gjithnjë e më pranë realizimit të një ëndrre madhore, duke u bë pjesë e Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026, ku synon të përfaqësojë me krenari Shqipërinë, transmeton albinfo.ch.

Garat olimpike pritet të zhvillohen më 22 shkurt 2026, një moment historik jo vetëm për sportisten, por edhe për sportin shqiptar.

Me përkushtim, disiplinë dhe pasion të jashtëzakonshëm për skitë, Lisa Brunga ka ndërtuar një rrugëtim që reflekton talentin dhe vullnetin e fortë të sportistëve shqiptarë në arenën ndërkombëtare. Stërvitjet intensive dhe angazhimi i vazhdueshëm e kanë afruar gjithnjë e më shumë drejt objektivit për të ngritur flamurin kuqezi në një nga ngjarjet sportive më prestigjioze në botë.

Përtej rezultateve sportive, Brunga është shquar edhe për përkushtimin e saj ndaj zhvillimit të sportit në Shqipëri. Në dhjetor të vitit 2023, ajo organizoi në Toronto një Mbrëmje Bamirësie në mbështetje të Federatës Shqiptare të Skive, duke mbledhur anëtarë të komunitetit shqiptar dhe përfaqësues të biznesit. Kjo nismë u kurorëzua me dorëzimin e një çeku prej 15 mijë dollarësh, një kontribut i rëndësishëm për zhvillimin e sportit të skive dhe mbështetjen e sportistëve të rinj shqiptarë.

Lisa Brunga mbetet një shembull frymëzues i përkushtimit, solidaritetit dhe dashurisë për atdheun, duke dëshmuar se suksesi personal mund të shndërrohet edhe në mbështetje konkrete për komunitetin dhe sportin shqiptar./Albinfo.ch

Denik Prizreni përfaqëson Kosovën në Festivalin Ndërkulturor 2026 në Athinë

Në Athinë u mbajt Festivali Ndërkulturor 2026, një ngjarje e rëndësishme që organizohet nën patronazhin e UNESCO-s, me qëllim promovimin e kulturës dhe artit nga shtetet pjesëmarrëse, transmeton albinfo.ch.

Republika e Kosovës u përfaqësua me dinjitet në fushën e muzikës nga tenori Denik Prizreni, i cili performoi për dy ditë me radhë duke sjellë një përzierje të muzikës tradicionale shqiptare dhe veprave të njohura ndërkombëtare. Performancat e tij i dhanë festivalit një atmosferë emocionuese dhe prezantuan kulturën tonë në një skenë ndërkombëtare.

Nga repertori i tij, veprat e pavdekshme shqiptare si “E bukura more”, “Lule Lule” dhe “Kosova” ishin ndër interpretimet më të spikatura, të cilat jehuan fuqishëm në festival përmes zërit të Prizrenit, duke dëshmuar talentin e tij dhe pasurinë e muzikës shqiptare.

Ky pjesëmarrje thekson angazhimin e Kosovës për të promovuar identitetin kulturor dhe muzikor në skenën ndërkombëtare, duke kontribuar në dialogun ndërkulturor përmes artit./Albinfo.ch

Inxhinierja shqiptare në Amerikë arrin majat e industrisë kimike

Një histori force, këmbënguljeje dhe suksesi vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Teuta Elshani, shqiptare nga Kosova, ka arritur të ngjitet në një nga pozicionet më të larta profesionale në fushën e inxhinierisë kimike, në një prej kompanive më të mëdha ndërkombëtare, transmeton albinfo.ch.

Pas një rrugëtimi 26-vjeçar pune të palodhur, Teuta Elshani ka marrë pozitën e Udhëheqëses Teknike të Kërkimit dhe Zhvillimit (R&D Technical Leader)Kimberly-Clark Professional – Amerika e Veriut, duke ushtruar rolin e një inxhiniereje strategjike, nivel ky elitar në industrinë globale.

Ky pozicion përfaqëson kulmin e një karriere të ndërtuar me përkushtim, dije dhe vizion afatgjatë, ku Elshani kontribuon në zhvillimin e produkteve dhe inovacioneve që ndikojnë drejtpërdrejt në tregun ndërkombëtar.

Por pas këtij suksesi profesional fshihet një histori personale e dhimbshme dhe thellësisht njerëzore. Në një postim të saj, Elshani rrëfen se jeta e saj ndryshoi rrënjësisht më 17 prill 1999, kur lufta në Kosovë ia mori familjen dhe e la të vetme në moshën vetëm 23-vjeçare. Nga ajo ditë, ajo u përball me sfida të jashtëzakonshme, por vendosi të mos dorëzohej.

E vetme, larg atdheut dhe e ngarkuar me dhimbje të madhe personale, Teuta Elshani e shndërroi humbjen në forcë dhe dijen në mjet për të ndërtuar një të ardhme të re. Me punë të palodhur dhe përkushtim profesional, ajo arriti të ndërtojë një karrierë të jashtëzakonshme në një nga kompanitë më prestigjioze amerikane.

Sot, historia e saj është dëshmi e fuqishme se edhe nga rrethanat më të vështira mund të lindin histori suksesi, dhe se gratë shqiptare nga Kosova janë të afta të arrijnë majat e industrisë globale. Teuta Elshani mbetet një shembull frymëzimi për brezat e rinj, se ëndrrat mund të realizohen edhe kur rruga drejt tyre është e mbushur me sakrifica./Albinfo.ch

A është sauna e mirë për shëndetin tuaj?

Saunat po përjetojnë një rritje të madhe në Zvicrën frëngjishtfolëse, ku po hapen shumë objekte të reja. Përveç aspektit social dhe relaksues që ofrojnë, cilat janë efektet reale të saunës mbi shëndetin tonë?

Frekuentueshmëria e tyre po rritet – mund t’i gjesh në një jurta apo madje mbi një anije. Edhe pse nuk ka statistika zyrtare, Federata Zvicerane e Saunave raporton një rritje masive të numrit të këtyre banjove të nxehta në Zvicër. A është ndjenja e mirëqenies që ato ofrojnë arsyeja e popullaritetit të tyre?

Mathieu Saubade, mjek sportiv në CHUV dhe UniSanté, shpjegon se si sauna ndikon mbi trupin: “Rritet diametri i enëve të gjakut dhe qarkullimi i gjakut. Kjo është një reagim kundër stresit nga nxehtësia. Trupi përpiqet të mbajë temperaturën e tij.” Djersitja gjithashtu ndihmon në eliminimin e nxehtësisë nga trupi, transmeton albinfo.ch.

“Çfarë ka më rëndësi në sauna është të ndjesh trupin dhe të respektohesh këtë ndjesi.”

Sipas Mathieu Saubade, sauna sjell disa përfitime shëndetësore: “Më së shumti ka një efekt relaksues. Një studim finlandez i vitit 2015 tregoi gjithashtu një ulje të mortalitetit tek përdoruesit e rregullt të saunës. Sa më e shpeshtë përdorimi, aq më të mëdha duket të jenë përfitimet.”

Kujdes dhe kundërindikacione

Pavarësisht përfitimeve, përdorimi i saunës nuk është pa rreziqe. Personat me probleme kardiovaskulare, epilepsi apo sëmundje të tjera duhet të konsultohen me një mjek para përdorimit të saunës. Dehidratimi është gjithashtu një rrezik që duhet marrë parasysh.

Gjermania paralajmëron për “akull të zi” në rrugë

Shërbimi meteorologjik i Gjermanisë ka lëshuar një paralajmërim për rrezikun nga “akulli i zi” në rrugë, duke përfshirë zonat nga Hamburgu deri në Bavarinë qendrore, si dhe të gjithë shtetin e North Rhine-Westphalia.

Autoritetet po rekomandojnë që qytetarët të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të qëndrojnë brenda shtëpisë sa më shumë që të jetë e mundur, sipas raportimeve të medias gjermane Bild.

Gjatë natës së fundit, Gjermania ka regjistruar një numër të konsiderueshëm aksidentesh rrugore për shkak të rrugëve të akulluara. Në shtetin e Baden-Württemberg, autoritetet njoftuan disa aksidente të shkaktuara nga akulli.

Në disa zona të Bavarisë, shumë rrugë do të mbeten të mbyllura edhe sot, për shkak të rrezikut nga rrëzimi i pemëve ose thyerja e degëve

Pula, mishi më i preferuar i zviceranëve

Ndërsa konsumi i mishit të derrit bie dhe ai i mishit të viçit mbetet i qëndrueshëm, pula po njoh rritje të jashtëzakonshme në Zvicër. Në vitin 2024, çdo banor konsumoi mesatarisht 15.9 kg pulë, një rritje prej 73% krahasuar me vitin 2000.

Rritja e popullaritetit të pulës reflektohet edhe në fast food, ku ajo përbën një të tretën e burgerëve të shitur në McDonald’s, dhe praninë e fortë të markave si KFC dhe Popeyes. Kompani zvicerane si Crrsp po shfrytëzojnë këtë trend, duke shërbyer kryesisht pula në restorantet e tyre dhe duke regjistruar rritje të konsiderueshme të të ardhurave, transmeton albinfo.ch.

Edhe kuzhina e lartë po i kushton më shumë vëmendje pulës. Në restorantin Le Chasseur në Fribourg, kuzhinieri Pierre-Pascal Clément përdor pjesë të ndryshme të pulës, duke e bërë atë një produkt gastronomik tërheqës dhe më të qëndrueshëm.

Rritja e konsumit të pulës ofron mundësi për fermerët zviceranë, të cilët mund të përfitojnë ekonomikisht duke rritur pulë në mënyrë të qëndrueshme. Megjithatë, një e treta e pulës së konsumuar në Zvicër vijon të vijë nga importi, kryesisht nga Brazili.

Kosovë: I mituri nga Gadimja e Lipjanit humb jetën, dërgohet në QKUK pa shenja jete

Vogëlushi Z.Z. nga Gadimja e Lipjanit, i cili ishte raportuar i humbur nga familja, ka ndërruar jetë.

Ai u gjet pas disa orësh dhe u dërgua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), por nuk arriti të mbijetojë.

Lajmin e konfirmoi mjekja kujdestare Dafina Basholli:

“Pacienti u pranua pa shenja jete. Përkundër përpjekjeve reanimuese, nuk arriti të mbijetojë.”

Swisscom rrit çmimet e abonimeve private nga prilli

Pas operatorëve Sunrise dhe Salt, gjigandi i telekomunikacionit Swisscom njoftoi të martën se do të rrisë çmimet e disa abonimeve për klientët rezidencialë duke nisur nga 1 prilli. Çmimi mujor i abonimeve për internet dhe telefoninë mobile do të rritet me 1.90 franga zvicerane, ndërsa për televizionin dhe telefoninë fikse me 90 centime.

Ky ndryshim vlen si për klientët e rinj, ashtu edhe për ata ekzistues, njoftoi Swisscom në një komunikatë për shtyp. Janë të përjashtuara ofertat e shërbimit universal, abonimet prepaid, si dhe abonimet mobile vetëm për të dhëna dhe për fëmijë.

Klientët e prekur do të njoftohen në ditët e ardhshme me email ose përmes një shënimi në faturë. Nëse nuk bien dakord me rritjen e çmimeve, ata do të kenë mundësinë të ndërpresin kontratën para kohe.

Arsyeja e rritjes së çmimeve

Swisscom shpjegon se kjo rritje çmimesh është një përgjigje ndaj ndryshimeve strukturore në tregun e telekomunikacionit. “Ndërkohë që klientët kanë parë një rritje të fuqisë së abonimeve të tyre në vitet e fundit (ndonjëherë deri në 20 herë), çmimet kanë vazhduar të bien, ndryshe nga të gjitha sektorët e tjerë. Kjo ka shkaktuar një ulje të të ardhurave totale, si dhe të ardhurave për klient.”

“Kjo ulje e të ardhurave në tregun e telekomunikacionit nuk mund të kompensohet më vetëm me ulje kostosh dhe përmirësim të efikasitetit,” thekson kompania. Prandaj, Swisscom e konsideron këtë rritje çmimesh “të nevojshme për të ruajtur nivelin më të lartë të cilësisë së shërbimit.”

Investime të vazhdueshme

Swisscom nënvizon se “vazhdimisht po investon në zgjerimin, modernizimin dhe mirëmbajtjen e rrjeteve mobile dhe optike.” Deri në vitin 2025, kompania ka alokuar rreth 1.7 miliardë franga zvicerane për rrjetet dhe infrastrukturën e teknologjisë së informacionit në Zvicër.

Rezultatet financiare të grupit për vitin 2025 pritet të publikohen më 12 shkurt. Për nëntëmujorin e parë të vitit të kaluar, fitimi neto ishte 998 milionë franga, duke shënuar një rënie prej 23% krahasuar me një vit më parë. Swisscom shpenzoi një shumë të konsiderueshme në tremujorin e tretë për të vazhduar integrimin e operatorit Vodafone Italia, i cili u ble në fund të vitit 2024.