Gazeta zvicerane: Serbi-Shqipëri, ndeshja më e ndezur në botën e futbollit

Kur këtë të shtunë Serbia dhe Shqipëria do të përballen në ndeshjet kualifikuese për Botërorin, masat e sigurisë do të jenë maksimale. Qindra policë, përfshirë snajperë dhe ekspertë të dronëve, do të sigurojnë stadiumin e qytetit të vogël Leskovac, i cili mban vetëm 8 mijë spektatorë, përcjell albinfo.ch.

Tifozët shqiptarë nuk do të kenë sektor të veçantë, pasi biletat nuk janë hedhur në shitje të lirë, një masë parandaluese për të shmangur përsëritjen e incidentit famëkeq të vitit 2014.

Në atë ndeshje, një dron me flamurin e “Shqipërisë së Madhe” fluturoi mbi fushë, duke ndezur përleshje mes lojtarëve dhe tifozëve. Përplasjet vazhduan edhe jashtë stadiumit, në Kosovë, Serbi e diasporë, duke reflektuar tensionet e thella historike midis dy vendeve.

Në qendër të këtij konflikti mbetet Kosova, e pavarësuar në vitin 2008, por ende e mohuar nga Beogradi. Për shumë serbë, ajo mbetet zemra e identitetit kombëtar, ndërsa për shqiptarët është simboli i lirisë dhe i përbashkimit kombëtar.

Këto ndjenja pasqyrohen edhe në tribuna. Ultrasit serbë shpesh valëvisin flamurin e “Serbisë së Madhe” dhe simbolet mesjetare, ndërsa tifozët shqiptarë këndojnë për UÇK-në dhe bashkimin kombëtar. Episodet e tensionuara nuk kanë munguar: lojtari shqiptar Mirlind Daku u pezullua për dy ndeshje pas thirrjes “Fuck Serbia” në Euro 2024, ndërsa Federata Serbe u gjobit për djegien e një flamuri shqiptar.

Megjithatë, ndeshja e parë e këtij cikli eliminator mes dy vendeve në Tiranë përfundoi pa incidente — një zhvillim që UEFA e vlerësoi si sinjal pozitiv. Edhe pse pa tifozë të organizuar, atmosfera u mbajt e qetë, pavarësisht protestave të ultrasve shqiptarë që ndjenë se u përjashtuan nga stadiumi.

Në horizont qëndron një tjetër provë bashkëpunimi: Kampionati Europian U-21 i vitit 2027, që është planifikuar të zhvillohet bashkë nga Serbia dhe Shqipëria.

Turneu, me finalen në Tiranë dhe ndeshjen hapëse në Novi Sad, shihet si një përpjekje për afrimin e dy vendeve — por jo të gjithë e përkrahin. Grupet nacionaliste nga të dyja anët e kanë kundërshtuar ashpër, duke e quajtur “bashkëpunim me armiqtë”.

Në këtë sfond të ndjeshëm, dueli i kësaj fundjave në Leskovac nuk është vetëm një ndeshje futbolli, është një test i qetësisë, maturisë dhe marrëdhënieve shqiptaro-serbe, që prej dekadash luhaten midis rivalitetit historik dhe përpjekjeve për normalizim.

Humbin dy turistë zviceranë në Parkun Kombëtar të Shebenikut

Një çift turistësh nga Zvicra kanë humbur në Parkun Kombëtar të Shebenikut në Librazhd, në zonën e mbrojtur që shtrihet në juglindje të vendit, përcjell albinfo.ch.

Dyshohet se ata kanë humbur orientimin gjatë një ecjeje në natyrë.

Sipas informacioneve paraprake, njëri prej turistëve ka pësuar një dëmtim në këmbë dhe ka kërkuar ndihmë urgjente.

Vendndodhja e tyre e fundit është identifikuar në malin e Shebenikut, nga ana e Hotolishtit, një terren i vështirë dhe me akses të kufizuar.

Administrata e Zonave të Mbrojtura në Elbasan, nën drejtimin e drejtorit Fatmir Brazhda, ka ngritur një grup emergjence, i cili në bashkëpunim me forcat e policisë së komisariatit të Librazhdit po zhvillon një operacion kërkimi për të gjetur dhe shpëtuar turistët e huaj.

Operacioni është në zhvillim dhe situata mbetet delikate, për shkak të terrenit malor dhe motit që mund të përkeqësohet.

Shqipe Sylejmani sjell romanin e tretë: “Stolz und Widerstand” – Krenari dhe Rezistencë

Pas “Barrë dhe bekim” dhe “Dinjitet dhe falje”, autorja shqiptaro-zvicerane Shqipe Sylejmani u rikthye këtë javë para lexuesve me romanin e saj të ri, të tretin me radhë: “Stolz und Widerstand” (Krenari dhe Rezistencë). Promovimi i librit u mbajt të enjten në ambientet e Labor5 në Cyrih, ku dhjetëra dashamirës të letërsisë u mblodhën për të festuar me autoren lindjen e një vepre të re.

Në një atmosferë të ngrohtë dhe përplot emocione, Sylejmani solli rrëfime për gratë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, gra që përballen me fatkeqësi, barrë, padrejtësi e heshtje, por që bartin në vetvete forcë, krenari dhe rezistencë. Romani sjell në dritë historitë e atyre që shpesh kanë mbetur në hije, por që përmes penës së autores marrin zë dhe dinjitet.

Shqipja ndau me publikun fragmente prekëse nga libri, duke i ndërthurur me momente muzikore. Leutrim Aliji në piano dhe Arjeta Zuta me zërin e saj të ngrohtë i dhanë mbrëmjes një dimension artistik të veçantë  duke sjellë këngë nga atdheu dhe një ndjesi nostalgjie që mbushi sallën.

Dy vjet më parë, në të njëjtin ambient dhe me një publik po aq të përkushtuar, autorja kishte promovuar romanin “Dinjitet dhe falje”.

Atëbotë, personazhi kryesor, Shota, nisej në kërkim të rrënjëve shqiptare, duke përshkuar hapësira nga Italia e deri në SHBA. Me “Krenari dhe Rezistencë”, Sylejmani e zgjeron edhe më shumë universin e saj letrar – nga historia personale drejt një hymni për gruan shqiptare, për guximin dhe krenarinë e saj përballë kohëve të vështira.

E lindur në Prishtinë, Sylejmani erdhi në Zvicër si fëmijë katërvjeçare, pas përndjekjeve ndaj babait të saj, bashkëpunëtor i gazetës “Rilindja”. Gjatë studimeve për Gazetari dhe Komunikim në Cyrih, ajo punoi për disa revista të njohura në Zvicër dhe Nju Jork.

Pas suksesit të madh me “Barrë dhe bekim” dhe “Dinjitet dhe falje”, që u përkthyen edhe në gjuhën shqipe dhe angleze, romani i tretë “Krenari dhe Rezistencë” konfirmon pozitën e saj si një prej zërave më të rëndësishëm të letërsisë shqiptare në diasporë.

Lexoni po ashtu:

Shqipe Sylejmani prezanton librin e ri: një homazh për gratë dhe historinë tonë

Romani i dytë i Shqipe Sylejmanit, në kërkim të rrënjëve shqiptare

Albinfo.ch online&print, në një mbrëmje Gala zgjedh Personalitetet e Vitit 2022

Shtatë shtetas të Shqipërisë arrestohen në Kosovë, dyshohen për drogë”

Shtatë persona janë arrestuar mesditën e të shtunës pas një aksioni në fshatin Shtedim të Podujevës, përcjell albinfo.ch.

Policia ka siguruar informacione për një lokacion që dyshohej se ushtrohej veprimtari e paligjshme me substanca nartkotike.

Të arrestuarit janë shtetas të Shqipërisë.

“Në vendngjarje përveç një sasie të konsiderueshme të substancave narkotike, është gjetur edhe aparaturë e përshtatur për tharjen e bimëve narkotike. Në asistim të njësisë së hetimeve kanë marrë pjesë edhe njësitë intervenuese, ndërkohë që pas arrestimit të personave të dyshuar në vendngjarje janë ftuar edhe zyrtarët nga njësiti antidrogë, në koordinim me të cilët do të ndërmerren veprimet e mëtejme”, njoftoi Policia e Kosovës.

Nga mesnata ndryshojnë rregullat e hyrje-daljeve në BE edhe për kosovarët

Nga mesnata e së shtunës, më saktësisht me nisjen e datës 12 tetor, do të nisë zbatimi gradual i rregullave të reja për hyrje dhe dalje në territorin e vendeve të Bashkimit Evropian për shtetasit e vendeve të treta të cilat gëzojnë mundësinë e lëvizjes pa viza. Vendet e BE-së në kufijtë e jashtëm të bllokut dhe të vendeve të tjera të zonës Schengen do të nisin gradualisht përdorimin e sistemit të ri të hyrjeve dhe daljeve (Entry-Exit System – EES). Këto rregulla do të zbatohen edhe ndaj shtetasve të Kosovës, të cilët mund të udhëtojnë në BE pa viza.

Këto rregulla, sipas sqarimeve nga BE-ja, nuk do ta kufizojnë liberalizimin e vizave, por vetëm do të ndihmojnë në kontrollin më të mirë të hyrje-daljeve dhe, si rrjedhojë, në rritjen e sigurisë për vendet e BE-së.

Nga e diela, 12 tetor, në vendkalimet kufitare do të nisë marrja e gjurmëve të katër gishtërinjve të dorës së djathtë dhe fotografimi digjital, ndërsa këto të dhëna do të regjistrohen në sistemin e ri të të dhënave. E tërë procedura do të bëhet vetëm herën e parë kur të hyjnë shtetasit e vendeve të treta në BE, ndërsa pastaj do të bëhet vetëm krahasimi i fotografisë në pasaportë me fotografinë në sistem.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian për çështje të brendshme, Markus Lamert, ka thënë se në gjashtë muajt e parë sistemi i ri do të përdoret vetëm në mënyrë të kufizuar, ndërsa pas një periudhe gjashtëmujore, më saktësisht më 10 prill të vitit 2026, do të hyjë në tërësi në fuqi.

“Gjashtë muaj është periudha e tranzicionit. Në fund të kësaj periudhe gjashtëmujore, sistemi i hyrje-daljeve do të vendoset plotësisht në të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe vulosja e pasaportave do të zëvendësohet me regjistrim elektronik në sistem”, ka thënë ky zëdhënës i Bashkimit Evropian.

Masat e reja pritet të rezultojnë në pritje më të gjata në vendkalimet kufitare për shkak të procedurave të reja, megjithë deklarimet nga zyrtarët e BE-së se nuk presin që kjo të ndikojë në mënyrë dramatike.

BE-ja beson se me masat e reja do të kontrollojë më mirë se kush hyn në territorin e saj dhe do ta ketë më të lehtë për të zbuluar dhe sanksionuar ata që nuk i respektojnë rregullat e liberalizimit të vizave, sidomos ato për kufizimin e qëndrimit në territorin e BE-së.

Liberalizimi i vizave mundëson vetëm udhëtime për vizita në BE, me qëndrim të kufizuar deri në 90 ditë, ndërsa gjatë një viti maksimum 180 ditë. Ata që do t’i shkelin këto rregulla, e të cilët do të zbulohen më lehtë me sistemin e ri, do të mund të kenë pasoja, përfshirë edhe ndalimin e hyrjes në territorin e Bashkimit Evropian. /Albimfo.ch 

Flamuri kuqezi në stadiumin ku do të luhet ndeshja Shqipëri-Serbi

Federata Serbe ka rikthyer flamurin shqiptar në stadiumin “Duboçiça” ku do të luhet takimi mes Serbisë dhe Shqipërisë, përcjell albinfo.ch.

Një ditë më parë, gjatë stërvitjes së Kombëtares shqiptare në këtë stadium, flamuri kuqezi nuk ishte vendosur.

Të pyetur nga Top Channel, Federata reagoi duke thënë se nuk vendosën flamurin në mënyrë që të shmangnin ndonjë incident të pakëndshëm dhe që do ta vendosnin ditën e ndeshjes.

Osmani mandaton Kurtin për formimin e Qeverisë së Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar sot Dekretin me të cilin mandaton Albin Kurti për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Ky vendim vjen pas propozimit zyrtar të partisë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvend nga zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti.

“Sipas Kushtetutës, mandatari për formimin e Qeverisë, z. Kurti, është i obliguar që jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë nga dita e dekretimit, t’i paraqesë Kuvendit të Republikës së Kosovës përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim.

Presidentja i ka uruar suksese z.Kurti, kryeministër në detyrë, me shpresën që Republika e Kosovës sa më parë të ketë Qeveri me mandat të plotë kushtetues.“, thuhet në njoftim.

Foda tregon se pse Zhegrova nuk luajti më shumë ndaj Sllovenisë

Kombëtarja e Kosovës ka luajtur baras pa gola (0-0) ndaj Sllovenisë, në ndeshjen e zhvilluar në shtëpi në kuadër të ciklit kualifikues për Kupën e Botës 2026, përcjell albinfo.ch.


Pas përfundimit të takimit, përzgjedhësi Franco Foda doli në konferencë për media, ku foli për lojën e skuadrës dhe situatën e futbollistit Edon Zhegrova.

Tekniku gjerman u shpreh i kënaqur me një pikë, duke vlerësuar edhe paraqitjen e kundërshtarit.

“Po, është e rëndësishme që morëm një pikë. Sllovenia po ashtu luajti një ndeshje të madhe, por treguam se mund të luajmë fuqishëm në këto ndeshje të mëdha”, tha Foda.

Edon Zhegrova nuk e nisi ndeshjen nga minuta e parë dhe u aktivizua vetëm në fund të takimit. Për këtë vendim, Foda tha se lojtari ka qenë i lodhur nga stërvitja e fundit dhe se po trajtohet me kujdes për shkak të një lëndimi të mëparshëm.

“Edoni është top lojtar, por nuk duhet të harrojmë që ai që nga janari nuk ka luajtur. Edoni ka qenë i lodhur nga stërvitja e fundit dhe duhet ta trajtojmë me kujdes”, përfundoi ai.

Tre të vdekur nga zjarri në një apartament në Milano, evakuohen 17 familje

Një zjarr në një ndërtesë katërkatëshe vrau tre persona mbrëmë në Cornaredo, pranë Milanos, përcjell albinfo.ch.

Të vrarët ishin një burrë dhe një grua, përkatësisht 88 dhe 82 vjeç, prindërit e moshuar të viktimës së tretë, djalit të tyre 55-vjeçar. 40 persona u evakuuan, tetë prej të cilëve u plagosen dhe u dërguan në spital.

Kjo u raportua nga Karabinierët e Komandës Provinciale të Milanos, të cilët po hetojnë incidentin.

Kompania e Zjarrfikësve Corsico (Milano) dhe njësia hetimore e Brigadës së Zjarrfikësve janë në vendngjarje për të përcaktuar shkakun e zjarrit. Apartamenti është i bllokuar.

Në total, sipas raporteve nga Karabinierët dhe Brigada e Zjarrfikësve, u evakuuan 17 familje. Nëntëmbëdhjetë persona iu nënshtruan ekzaminimeve mjekësore, ndërsa tetë u transportuan në spitale të ndryshme për vlerësime ose thithje tymi. Asnjë nuk raportohet të jetë në gjendje të rëndë.

Qeveria ndan mbi 300 mijë euro për tekste shkollore të nxënësve në Luginën e Preshevës

Qeveria në detyrë e Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike, në të cilën ka ndarë 304 mijë e 511 qind e 16 euro, për pajisjen me 35.448 tekste shkollore për 3.650 nxënës shqiptarë të shkollave në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe për avokimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Luginës së Preshevës në SHBA, BE dhe organizatat ndërkombëtare përkatëse.

Po ashtu, u miratua kërkesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje, sipas tabelave të bashkëngjitura në aneksin A (Kursimet) dhe në aneksin B (ndarjet).

Kabineti qeveritar në detyrë ka ndarë 50 mijë euro për familjen Bunjaku, të zyrtarit policor të rënë në krye të detyrës gjatë sulmit terrorist në Banjskë, Heroit Afrim Bunjaku, për ndërtimin e një hapësire pritjeje, e cila do të shërbejë për të gjithë qytetarët dhe në shenjë respekti dhe nderimi për jetën dhe veprën e tij.

Po ashtu, qeveria në detyrë ka ndarë 200 mijë euro për renovimin e objektit në Mitrovicën e Veriut, që do të shfrytëzohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, përkatësisht Administrata Tatimore e Kosovës.

Ka filluar shpërndarja e materialit zgjedhor për zgjedhjet e 12 tetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar shpërndarjen e materialit zgjedhor për procesin e votimit që do të mbahet më 12 tetor. Në mesin e këtyre materialeve përfshihen edhe fletëvotimet që do të përdoren nga qytetarët në të gjitha komunat e vendit, përcjell albinfo.ch.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se materialet zgjedhore po vendosen në Qendrat Komunale të Numërimit, prej nga të dielën në mëngjes do të shpërndahen në Qendrat e Votimit.

“Sipas planifikimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po shpërndan materialin zgjedhor, ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet, të cilat do të përdoren në procesin e votimit, më 12 tetor. Këto materiale zgjedhore vendosen në Qendrat Komunale të Numërimit, të në çdo komunë të vendit dhe nga aty, të dielën në mëngjes do të shpërndahen në Qendra të Votimit”, tha ai.

Ai bëri të ditur gjithashtu se për raundin e parë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave dhe për Kuvendet Komunale janë shtypur mbi 3.6 milionë fletëvotime, nga 1.8 milionë për secilin lloj të zgjedhjeve.

“Në bazë të vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për raundin e parë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave dhe për Kuvendet Komunale janë shtypur mbi 3.6 milionë fletëvotime, nga 1.8 milionë për secilin lloj të zgjedhjeve”, tha Elezi.

KQZ-ja ka apeluar tek qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe të kontribuojnë në një proces të rregullt, të lirë dhe demokratik.

Shqipëria sonte përballë Serbisë, synon fitoren

Kombëtarja Shqiptare sot do të përballet kundër Serbisë në Leskovac, në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës 2026, përcjell albinfo.ch.

Sfida e cila zhvillohet sot me fillim nga ora 20:45, për nga pesha në renditje konsiderohet si një “finale” për vendin e dytë, pozicion që siguron një biletë për në fazën play-off të Botërorit.

Shqipëria ndodhet aktualisht në vend të dytë me tetë pikë, një më shumë se Serbia, e cila ka edhe një ndeshje më tepër për të luajtur.

Kjo përballje është klasifikuar me rrezikshmëri të lartë nga FIFA, e cila ka dërguar dy oficerë sigurie në Serbi. Federata Serbe nuk ka nxjerrë asnjë biletë në shitje, ndërsa të gjithë 6 mijë e 500 tifozët që do jenë në stadium janë me ftesa të përzgjedhura, përfshirë të rinj nga akademitë e futbollit.

KQZ gati për zgjedhjet e nesërme: Kamera sigurie në çdo vendvotim

Për të dytën herë brenda një viti, qytetarët e Kosovës me të drejtë vote do t’i drejtohen sërish kutive të votimit. Kësaj radhe, 2 milionë e 25 mijë e 105 votues, do të votojnë për të zgjedhur kryetarët në 38 komuna të vendit dhe anëtarët e 38 kuvendeve komunale, përcjell albinfo.ch.

Kur kanë mbetur më pak se 24 orë nga hapja e vendvotimeve, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka treguar se aktivitetet e orëve të fundit që janë duke u realizuar dhe masat që janë ndërmarrë në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor.

“Gjatë kësaj periudhe përgatitore katër-mujore, KQZ ka përgatitur procesin zgjedhor sipas përgjegjësive që dalin nga Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, Ligji për Zgjedhjet Lokale. Në fazën e fundit përgatitore do të bëhet shpërndarja e materialit zgjedhor, përfshirë fletëvotimet, të cilat fillimisht do të dërgohen në Qendrat Komunale të Numërimit, që janë të vendosura në çdo komunë dhe nga aty, të dielën në mëngjes, ky material do të shpërndahet në Qendra të Votimit”, tha Elezi.

Përveç KQZ-së, në ditën e zgjedhjeve dhe për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pritet të angazhohen edhe institucionet e ndryshme, siç janë Policia e Kosovës, Prokuroria e Shtetit, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Komisioni i Pavarur i Mediave.

Elezi ka përmendur se një nga masat e drejtpërdrejta që është ndërmarrë nga KQZ për ruajtje të integritetit zgjedhor, është vendosja e kamerave regjistruese në çdo vendvotim.

“Si masë e drejtpërdrejtë e cila është ndërmarrë nga KQZ, është vendosja e kamerave regjistruese në çdo vendvotim, në 38 Qendrat Komunale të Numërimit dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Vendosja e kamerave regjistruese bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit zgjedhor të procesit të votimit dhe numërimit të fletëvotimeve”, tha Elezi.

I pyetur se çfarë ka ndërmarrë KQZ që të mos përsëriten problemet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit me transmetimin e rezultateve, në KQZ bën të ditur se është zhvilluar një softuer i ri për rezultate preliminare nga vendvotimet, rezultate nga Qendrat Komunale të Numërimit dhe nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve.

“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i fletëvotimeve të zgjedhjeve për kryetarë të komunave dhe të subjekteve politike duhet të bëhet në vendvotim, pasi të përfundojë procesi i votimit. Prandaj, KQZ ka bërë përgatitjet që më 12 tetor të publikohen rezultatet preliminare të kandidatëve për kryetarë të komunave dhe të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale. Gjithashtu, gjatë zhvillimit të ditës së votimit, në orare të caktuara do të publikohen edhe të dhëna për pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje, për secilën komunë, të detajuar për çdo Qendër Votimi dhe Vendvotim”, tha Elezi.

Numri i subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në këto zgjedhje është 93, prej të cilave: 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar dhe që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 5,624 kandidatë, prej të cilëve 205 kandidatë për zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe 5,419 kandidatë për zgjedhjet për Kuvende Komunale.

Nga numri i përgjithshëm, vetëm për zgjedhjet për kryetarë të komunave janë certifikuar 205 kandidatë, prej të cilëve 185 burra dhe 20 gra. Ndërkaq, në zgjedhjet për Kuvende Komunale janë certifikuar 5,419 kandidatë, prej të cilëve 3,395 burra dhe 2,024 gra.

Procesi i votimit do të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2,571 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 54 vendvotime, për të mundësuar votimin me kusht.

Sipas Listës së Votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote për të votuar nesër në Republikën e Kosovës është 2,025,105, të cilët janë të shpërndarë në 38 komuna.

Procesi zgjedhor zhvillohet për të zgjedhur 38 kryetarët e Komunave dhe 942 anëtarët e Kuvendeve Komunale.

Xhaka: Kjo është arsyeja pse mora përgjegjësinë e penalltisë

Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, shënoi nga pika e bardhë dhe udhëhoqi ekipin drejt fitores 2:0 ndaj Suedisë në Solna, transmeton albinfo.ch.

Pas ndeshjes, Xhaka shpjegoi vendimin e tij për të marrë përgjegjësinë e penalltisë:

“Me një paraqitje si kjo në udhëtim ndaj Suedisë, mund t’ia hiqni kapelën ekipit. Zakonisht preferoj që sulmuesi të gjuajë penalltinë për të rritur vetëbesimin, por Breel Embolo më tha të gjuaj. E kam shfrytëzuar përvojën time si përparësi.”

Ai shtoi: “Kemi fituar tri pikë shumë të merituara. Shpresonim për një fillim të kualifikimeve si ky dhe kemi vazhduar me ecurinë e mirë të viteve të fundit.”/Albinfo.ch

Adele shfaqet në koncertin e Dua Lipës në SHBA dhe i bashkohet këngëve të saj

Në një nga koncertet e turit “Radical Optimism” që këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipapo mban në Shtetet e Bashkuara, është vërejtur një mysafire shumë e veçantë, Adele, përcjell albinfo.ch.

Pamjet e publikuara nga fansat tregojnë këngëtaren britanike duke kënduar dhe kërcyer plot pasion me hitet e Duas, duke dëshmuar admirimin e saj për artisten shqiptare.

Ky moment ka emocionuar publikun dhe ndjekësit në rrjete sociale, sidomos pasi Dua Lipa ka treguar disa herë se Adele është një nga frymëzimet e saj më të mëdha në muzikë.

Të dyja artistet, të njohura për zërin unik dhe stilin e fuqishëm, ndajnë një respekt të ndërsjellë që vazhdon të frymëzojë skenën muzikore britanike dhe atë botërore.

video

https://x.com/dualipabrasil/status/1976154972195783085?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1976154972195783085%7Ctwgr%5Ec383f17564878d2f95d0e07617bf80d674d70824%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.kultplus.com%2Fshowbiz%2Fadele-kendon-me-pasion-kenget-e-dua-lipes-ne-koncertin-e-saj-ne-shba%2F&ct=rw-fb

Rron Zeka shpallet studenti më i mirë i shkëmbimit në Universitetin Augustana

Një nga shembujt më frymëzues të programit UGRAD 2025 është ai i Rron Zekës, student i Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës, i cili gjatë qëndrimit të tij në Augustana University, South Dakota, u shpall “Studenti më i mirë i shkëmbimit” dhe u përfshi në Listën e Dekanit për rezultate të shkëlqyera akademike, transmston albinfo.ch.

Duke ardhur nga një sfond i së drejtës civile, Rroni përqafoi me pasion traditën e së drejtës së zakonshme anglo-amerikane, duke zgjeruar mënyrën e të menduarit juridik dhe duke zhvilluar aftësi të avancuara në arsyetim krahasues, analizë ligjore dhe interpretim të jurisprudencës.

Rrugëtimi i tij në SHBA shënoi një kthesë të rëndësishme në zhvillimin personal dhe profesional. “Këto mirënjohje i atribuohen fuqishëm rrugëtimit tim akademik në Shtetet e Bashkuara, ku ato përvoja luajtën një pjesë të madhe në formësimin e rrugës sime,” ndan Rroni me mirënjohje.

Pas kthimit në Kosovë, suksesi i tij u kurorëzua me nderimin më të lartë të Universitetit të Prishtinës – Çmimin “Hasan Prishtina”, duke u shpallur Student i Dalluar i Universitetit dhe Studenti më i mirë i Fakultetit Juridik.

Por përtej akademisë, Rroni thekson se udhëtimi i tij ka qenë po aq njerëzor sa edhe profesional:

Njerëzit do t’ju mbështesin kur të shohin përpjekjen tuaj.

Gjatë semestrit në SHBA, ai u angazhua në aktivitete të ndryshme të kampusit, vizita në Ambasadën Amerikane dhe bashkëpunime me profesorë e liderë universitarë, me të cilët vazhdon të mbajë marrëdhënie mentorimi dhe bashkëpunimi.

Përvoja ndërkulturore e ka pajisur atë me kompetenca të reja – komunikim ndërkulturor, durim, përshtatshmëri dhe kërkim të avancuar ligjor – duke e përgatitur të kontribuojë me siguri dhe vizion në çdo ambient, nga Prishtina në Kaliforni.

Sot, Rron Zeka rikthehet në Kosovë me një horizont më të gjerë dhe një mision të qartë: të përdorë njohuritë e fituara për të ndikuar në zhvillimin e sistemit juridik dhe në forcimin e drejtësisë shoqërore. /Albinfo.ch

Blerta Krenzi, shqiptarja që udhëheq me zemër Suedinë lokale, mes frymëzimit, sportit dhe komunitetit

Në qytetin suedez të Avestës, emri i Blerta Krenzit po shndërrohet në simbol të lidershipit modern dhe frymëzues. Me origjinë nga Kosova, ajo sot mban detyrën e kryetares së komunës së Avestës (kommunalråd), duke dëshmuar se përkushtimi dhe dashuria për njerëzit mund të ndërtojnë ura të forta mes kulturave, transmeton albinfo.ch.

Së fundmi, Blerta mori pjesë në një ngjarje të veçantë kushtuar kampionit botëror dhe olimpik në kërcimin me shkop, Armand Duplantis, pas rekordit të tij të ri botëror prej 6.30 metrash.

Në këtë ceremoni simbolike, e zhvilluar pranë “dalahästen” kalit gjigant prej druri që përfaqëson identitetin kulturor të Avestës — u vendos edhe një shufër për nder të arritjes së Duplantis. Tradicionalisht, komuna e ngrinte shiritin menjëherë pas çdo rekordi të sportistit, por këtë herë Blerta dhe ekipi i saj vendosën të ndalen për një arsye të bukur.

“Kësaj radhe duam që vetë Armand Duplantis të jetë pjesë e festës, bashkë me qytetarët e Avestës. Do të ishte magjike”, u shpreh Blerta Krenzi për Sveriges Radio.

Kjo qasje njerëzore e saj tregon se për Blertën, lidershipi nuk ka të bëjë vetëm me rregulla e tradita, por me krijimin e momenteve që bashkojnë njerëzit dhe frymëzojnë brezat e rinj.

Në rolin e saj si kryetare komune, ajo njihet për energjinë pozitive, përfshirjen qytetare dhe përkushtimin ndaj zhvillimit të qëndrueshëm të Avestës.

Blerta Krenzi është një shembull i gjallë i fuqisë së integrimit dhe suksesit ndërkombëtar të shqiptarëve. Nga rrënjët e saj në Kosovë deri te drejtimi i një komune suedeze, rrugëtimi i saj është dëshmi e guximit, vizionit dhe dashurisë për njerëzit. /Albinfo.ch

Zvicra fiton në Suedi, shënon Xhaka

Zvicra po vazhdon me rezultate pozitive në kualifikimet për Kampionatin Botëror 2026.

Ekipi i Zvicrës fitoi ndaj Suedisë në udhëtim 0:2, shkruan albinfo.ch.

Golin e parë e shënoi Granit Xhaka nga penalltia në minutën e 64-t, kurse fitoren e vulosu Manzambi në minutën e 94-t.

Zvicra ka nëntë pikë pas tri ndeshjeve, kurse Suedia vetëm një. Kosova numëron katër pikë, kurse Sllovenia dy.

 

 

Gjeneva është më pak tërheqëse për bizneset

Gjeneva po bëhet më pak popullore për bizneset.

Një anketë nga Fondacioni për Atraktivitetin e Gjenevës anketoi 88 kompani – që përbëjnë 30,000 vende pune në kanton – dhe gjashtë nga dhjetë thonë se nuk është një vendndodhje aq e mirë sa ishte në vitin 2022.

Një e treta e kompanive thonë se po mendojnë të largohen, transmeton albinfo.ch.

Transporti kryeson listën e ankesave, me bllokime trafiku, kantiere ndërtimi pafund dhe koordinim të dobët që frustrojnë gati 80% të të anketuarve.

Tatimet janë shqetësimi i dytë kryesor, veçanërisht taksa e lartë e Gjenevës mbi asetet e biznesit.

Ministrja e Financave, Nathalie Fontanet vëren se disa ulje taksash hynë në fuqi këtë vit dhe thotë se po zhvillohen bisedime për të rishikuar reformat e refuzuara.

Por me konkurrencën e ashpër nga Cyrihu, Zug dhe Vaud – dhe çështje të vazhdueshme si strehimi, burokracia dhe shqetësimet në rritje për sigurinë – tërheqja dikur e fortë e Gjenevës duket se është nën presion.

Plani i transportit zemëron Gjenevën

Plani shumëpritur kombëtar për transportin po zemëron shumë politikanë në Gjenevë, pasi ata thonë se favorizon rajonet gjermanishtfolëse dhe Zvicra perëndimore po lihet mënjanë.

Raporti Weidmann – i kryesuar nga Andreas Meyer Weidmann, ish-drejtor ekzekutiv i Hekurudhave Federale Zvicerane – është një analizë transporti e urdhëruar nga Këshilli Federal. Ai merr një këndvështrim dekadash mbi të ardhmen e transportit në vend.

Zgjerimi i stacionit Cornavin është i siguruar, si dhe linjat e reja të tramvajit. Por idetë e një projekti metroje dhe një kalimi të ri liqenor janë të vdekura, transmeton albinfo.ch.

Pierre Maudet, ministri i lëvizshmërisë i Gjenevës, thotë se raporti “keqkupton nevojat e rajonit ndërkufitar” dhe minimizon rrugët kryesore si Gjenevë-Lozanë dhe Gjenevë-Lyon, duke paralajmëruar për “një vizion të pjesshëm të lëvizshmërisë së Zvicrës Perëndimore”.

Gjyqtarët federalë miratojnë hapjen e dyqaneve të dielave për Krishtlindje

Gjykata Federale ka marrë anën e qeverisë së Gjenevës në një mosmarrëveshje mbi blerjet e të dielave para Krishtlindjeve.

Sindikatat SIT dhe UNIA kishin kundërshtuar vendimin e vitit 2024 për të lejuar dyqanet të hapen më 22 dhjetor, duke e quajtur atë të paligjshëm.

Por gjykata më e lartë e Zvicrës e vendosi hapjen të ligjshme dhe konfirmoi autoritetin e kantonit për të vendosur, transmeton albinfo.ch.

Departamenti Kantonal i Ekonomisë thotë se hapja e të dielës do t’u lejojë dyqaneve të konkurrojnë kundër blerësve ndërkufitarë dhe online.