Shefi i Ushtrisë Zvicerane, së bashku me Ylfete Fanaj, vizituan trupat në Kosovë

Mësohet se më datë 18 dhe 19 dhjetor 2025, Shefi i Ushtrisë Zvicerane, Korpskomandant Thomas Suessli dhe këshilltarja qeveritare Ylfete Fanaj vizituan trupat zvicerane në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë, të cilat kontribuojnë në promovimin e paqes ushtarake, shkruan albinfo.ch.

Gjatë vizitës, Suessli zhvilloi biseda me ushtarët zviceranë në terren dhe mori informacion mbi kontributin e tyre në kuadër të Forcës së Kosovës (KFOR). Ai gjithashtu pati një takim dypalësh me komandantin e KFOR, Gjeneralmajor Özkan Ulutaş nga Forcat Turke. Angazhimi i ushtrisë zvicerane në KFOR u zgjat deri në fund të vitit 2026, ndërsa Qeveria zvicerane ka propozuar vazhdimin e tij deri në fund të vitit 2029.

Pas vizitës në Kosovë, Shefi i Ushtrisë udhëtoi drejt Bosnje e Hercegovinës për të vlerësuar situatën në rajon dhe takoi trupat zvicerane që marrin pjesë në misionin EUFOR Althea të Bashkimit Evropian.

Vlen të theksohet se ai u shoqërua nga Këshilltarja qeveritare Ylfete Fanaj dhe Sekretari i Përgjithshëm i Konferencës Qeveritare për Ushtri, Mbrojtje Civile dhe Zjarrfikës, Prof. Dr. Alexander Krethlow./Albinfo.ch

 

Kryetari shqiptar i Morbachut bëhet viral në Gjermani

Kryetari i komunës së Morbachut në landin Rheinland-Pfalz të Gjermanisë, Arianit Besiri, me prejardhje nga Mitrovica, është shndërruar së fundmi në një nga figurat më të komentuara në rrjetet sociale dhe media gjermane, falë mënyrës së veçantë të komunikimit dhe afrimit me qytetarët e komunës që ai drejton, transmeton albinfo.ch.

Besiri, i cili u zgjodh kryetar komune si kandidat i SPD-së me 60.2 për qind të votave, po vlerësohet gjerësisht për qasjen e tij të drejtpërdrejtë, të hapur dhe njerëzore ndaj banorëve. Ai shihet shpesh në terren, në biseda të drejtpërdrejta me qytetarët, pa formalizma të tepruara, gjë që ka ndikuar dukshëm në rritjen e besimit dhe simpatinë ndaj tij.

Në video dhe intervista të shpërndara në rrjete sociale, banorë të Morbachut kanë folur me fjalë shumë pozitive për kryetarin e tyre. Giovanni Tatoli, nxënës, ka theksuar se Besiri është shumë i afërt me të rinjtë dhe i qasshëm në çdo moment. Po ashtu, edhe Rokkea Alabudalla, nxënëse, ka vlerësuar komunikimin e hapur dhe mënyrën miqësore me të cilën kryetari i komunës i dëgjon qytetarët.

Vlerësime të ngjashme kanë dhënë edhe banore të tjera të komunës, si Sonja Kummerer, Manuela Fritsch dhe Marita Fritsch, të cilat e kanë përshkruar Besirin si një kryetar komune shumë të afërt me njerëzit, plot energji, shpeshherë edhe me humor, por mbi të gjitha si një drejtues që po bën një punë të mirë dhe të ndershme për komunitetin lokal.

Kjo qasje e tij ka bërë që Arianit Besiri të përmendet gjithnjë e më shumë si shembull pozitiv i integrimit dhe suksesit, jo vetëm për komunitetin shqiptar në Gjermani, por edhe më gjerë. Për shumë banorë të Morbachut, ai përfaqëson një model modern të udhëheqjes lokale, të bazuar në dialog, transparencë dhe afërsi me qytetarin./Albinfo.ch.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Video

IKD: 28 kandidatë për deputetë të përfshirë në raste penale

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka gjetur se 28 prej 1,179 kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 28 dhjetorit janë të përfshirë në raste penale. 

Në raportin e IKD-së për listat e kandidatëve, thuhet se 19 prej tyre kanë aktakuza aktive, derisa 12 të tjerë janë dënuar me vendim të formës së prerë në të kaluarën.  

E, numri më i lartë i kandidatëve të përfshirë në raste penale vjen nga Vetëvendosja. 

“Raporti thekson se sipas të dhënave të monitorimit të IKD, nga 1,179 kandidatët për deputetë, 28 prej tyre apo 2.37% janë persona të cilët janë përfshirë në raste penale. Prej tyre, janë gjithsej 19 kandidatë për deputetë të cilët kanë aktakuza aktive. Ndërkaq, ky raport ka identifikuar edhe gjithsej 12 kandidatë për deputetë të cilët në të kaluarën janë dënuar me vendim të formës së prerë. Derisa, nga këta 28 kandidatë, për 3 prej tyre është gjetur se përveç që janë të dënuar me vendim me vendim të formës së prerë kanë edhe aktakuza aktive. Derisa, në këtë raport potencialisht mund të ketë edhe raste të rehabilitimit ligjor por që subjektet politike nuk kanë ofruar informacion”, thuhet në komunikatën e IKD-së.

IKD-ja ka gjetur se 13 kandidatë të LVV-së kanë raste penale, gjashtë të AAK-së, tre të Nismës, dy të PDK-së, LDK me një, Lista Serbe me dy.

“IKD gjen se sipas subjekteve politike, numri më i lartë i kandidatëve që janë përfshirë në raste penale vjen nga LVV, që ka kandiduar gjithsej 13 persona, të cilët janë evidentuar se janë përfshirë në raste penale. Ky rangim pasohet nga AAK, e cila ka përfshirë në listën e saj gjithsej gjashtë (6) kandidatë të cilët janë përfshirë në raste penale, duke bërë që 5.45% e listës së saj të deputetëve të përbëhet nga persona të cilët janë përfshirë në raste penale. Më pas vjen Nisma Social Demokrate me tre (3) kandidatë (2.72%), PDK me dy (2) kandidatë (1.81%), Lista Serbe me dy (2) kandidatë (6.06%), KDTP me një (1) kandidat (6.25%) dhe LDK me një (1) kandidat (0.9%)”, thuhet në raport.

Sa i përket veprave penale në të cilat janë të përfshirë kandidatët, dominojnë veprat penale nga kapitulli i korrupsionit zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare dhe vepra penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Ambasada e Kosovës në Zvicër takim me mjekë të rinj kosovarë në Bernë

Ambasada e Republikës së Kosovës, nën përkujdesjen e veçantë të Ambasadorit Mentor Lafiti, organizoi një takim me mjekë të rinj nga Kosova, të angazhuar në klinikat spitalore të Bernës, në Zvicër.

Takimi u zhvillua, të enjten, në një atmosferë të ngrohtë dhe konstruktive, ku u diskutua për kushtet e punës, ambientin profesional dhe përvojën që mjekët dhe specializantët kosovarë kanë fituar gjatë angazhimit të tyre në sistemin shëndetësor zviceran. Pjesëmarrësit, me përvojë pune deri në tre vite në Zvicër, ndanë përvojat e tyre profesionale si dhe sfidat e integrimit në një sistem shëndetësor të avancuar.

Ambasadori Lafiti vlerësoi kontributin dhe përkushtimin e mjekëve të rinj kosovarë, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes institucionale dhe ruajtjes së lidhjeve me profesionistët e rinj që veprojnë jashtë vendit.

VIDEO: VIDEO

Foto&Video: Genti Mersinaj

E vetme, me valixhen plot ëndrra, Fjolla ja doli

Fjolla është një vajzë e thjeshtë, e çiltër, pozitive dhe shumë e dashur. E lindur dhe rritur në Prishtinë, Fjolla Gashi që në moshë shumë të re u dallua për përkushtim ndaj dijes dhe shkollës. Rrugëtimi i saj nisi në shkollën fillore ku punon ende sot nëna e saj, mësuese prej më shumë se 25 vjetësh. “Pikërisht duke parë përkushtimin e saj, më lindi dashuria për shkollën dhe dëshira për të mësuar”, tregon Fjolla, e cila qysh në fëmijëri kishte shfaqur prirje të forta arsimim.

Pas përfundimit të shkollës së mesme në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë, ajo vazhdoi studimet “Bachelor” në drejtimin e Infermierisë në kolegjin “Heimerer”. Paralelisht ndoqi edhe një kurs intensiv të gjuhës gjermane në Institutin “Goethe”, duke përgatitur kështu terrenin për një hap të madh jetësor dhe akademik.

Në mesin e studimeve, Fjolla vendosi të sfidonte veten më tej duke aplikuar për studime në Universitetin e Bazelit në Zvicër, një prej institucioneve më prestigjioze në Evropë. Pasi arriti nivelin C1 të gjermanishtes, ajo u pranua në drejtimin “Ekonomi dhe Biznes”, duke u nisur nga Prishtina për në Bazel vetëm dy muaj pasi i mbushi 18 vjet.

“U nisa krejtësisht vetëm, me një valixhe dhe shumë ëndrra. Ishte një ndjenjë përzier midis frikës dhe entuziazmit, por e dija se ky ishte hapi që duhej ta bëja për të ndërtuar të ardhmen që dëshiroja,” kujton ajo me emocion.

Me vizë studentore dhe me vendosmërinë për të ndërtuar karrierën e saj akademike jashtë vendit, Fjolla filloi një kapitull të ri, ndërsa familja e saj mbeti në Kosovë.

 

 

Zvicra, pikënisja e një rrugëtimi të ri akademik

Rrugëtimi i Fjollës në Zvicër nuk ka qenë i lehtë. Ajo kujton me sinqeritet se fillimet ishin sfiduese, sidomos për shkak të dialektit zviceran, i cili i tingëllonte si një “gjuhë e re”.

“E kisha mësuar vetëm gjermanishten standarde në Kosovë, por dialekti zviceran më dukej krejt ndryshe. Duhej ta mësoja nga fillimi, dhe kjo e bënte më të vështirë si gjetjen e një pune, ashtu edhe krijimin e shoqërisë së re,” rrëfen ajo për revisten albinfo.ch.

Megjithatë, me vendosmëri dhe përpjekje të vazhdueshme, Fjolla arriti ta përvetësonte gjuhën e përditshme dhe të ndërtonte miqësi të reja. “Studentët zviceranë janë më të rezervuar në fillim, por me kohë kupton se janë shumë të qëndrueshëm në miqësi. Sot kam miq me të cilët takohemi çdo javë,” tregon ajo me buzëqeshje.

Mes tjerash, një tjetër sfidë e fillimit ishte edhe përshtatja me ushqimin dhe ritmin e jetës. Ajo pranon me nostalgji se në muajt e parë i mungonin gatimet e nënës, por me kohë mësoi t’i gatuante vetë recetat tradicionale kosovare. “Tani i përgatis vetë flijat, sarma, bakllavatë, etj, por më pëlqejnë edhe specialitetet zvicerane si fondue dhe spätzli, që tashmë janë bërë pjesë e përditshmërisë sime,” shton ajo.

Ajo shprehet se dhe rrugëtimi akademik kërkoi shumë përkushtim. Viti i parë në Universitetin e Bazelit për të ishte sfidues, sidomos për shkak të terminologjisë ekonomike.

Krahas studimeve, Fjolla punoi vazhdimisht në punë studentore, në furra, restorante dhe dyqane, për të mbuluar shpenzimet e jetesës. Pandemia e bëri procesin edhe më të vështirë, duke mbyllur auditorët dhe bibliotekat, por ajo e ktheu atë periudhë në një mundësi. “Ishte periudhë e vështirë, por më mësoi shumë për vetëdisiplinën dhe më ndihmoi të krijoj miqësi të forta dhe të qëndrueshme,” thotë ajo.

Një tjetër aspekt që e bën rrugëtimin e Fjolla Gashit veçanërisht të dallueshëm është fakti se brenda një periudhe gati shtatëvjeçare ajo ka arritur të diplomohet tri herë. Pas nisjes së studimeve në Kolegjin Heimerer në Prishtinë, ku përfundoi Bachelorin në Infermieri të Përgjithshme (2017–2022), Fjolla migroi në Zvicër në janar të vitit 2019, duke vazhduar paralelisht zhvillimin e saj akademik në dy universitete. Në Universitetin e Bazelit ajo përfundoi fillimisht Bachelorin në Ekonomi dhe Biznes (2019–2023), ndërsa së fundmi kurorëzoi këtë rrugëtim me diplomimin në nivel Master of Science në Ekonomi dhe Biznes (2023–2025). Të tri këto diploma janë përfunduar gjatë periudhës së qëndrimit të saj në Zvicër, duke dëshmuar përkushtimin, disiplinën dhe ambicien e saj të vazhdueshme akademike.

“Emocionet ishin të papërshkrueshme. Të kisha familjen pranë, prindërit, motrën dhe vëllezërit e mi në atë ditë, ishte një ndjenjë mirënjohjeje dhe krenarie që nuk harrohet,” rrëfen ajo me emocion.

 

 

Karriera profesionale e Fjollës në Zvicër

Që nga viti 2022, Fjolla Gashi ka nisur të ndërtojë karrierën e saj në sektorin financiar në Zvicër. Ajo punon në kompaninë BDO AG në Bazel, një nga firmat më të mëdha të shërbimeve financiare në vend, me rreth 1800 punonjës dhe 42 zyra në të gjithë Zvicrën.

“Fillimisht punoja me gjysmë orari gjatë përfundimit të “Bachelorit”, dhe më pas, gjatë studimeve të Masterit, kam punuar me orar të plotë. Që nga fundi i vitit 2023 jam ngritur në detyrë dhe tani jam menaxhere e klientave për shërbime të ndryshme si kontabilitet, personel, taksa dhe mbyllje të ndryshme financiare,” tregon ajo tutje për revisten Albinfo.ch.

Por kjo nuk është e tëra!

Fjolla ka edhe plane për të dhënë kontributin e saj në Kosovë, në vendlindjen e saj.                                    “Do të vazhdoj të punoj në Zvicër, pasi kam investuar shumë për të arritur këtu. Por në të ardhmen dua të angazhohem në projekte filantropike për Kosovën, për të ndihmuar njerëzit në nevojë, të moshuarit, gratë dhe fëmijët jetimë,” thotë ajo.

 

 

“Kosovën e dua më shumë se çdo vend tjetër”

Lidhja me vendin e lindjes mbetet e fortë, dhe vizitat janë një pjesë e pandashme e jetës së saj.

“Gjithë familja ime jeton në Kosovë, dhe mundohem t’i vizitoj sa më shpesh të mundem. Gjatë studimeve kthehesha sa herë që kisha pushime, ndërsa tani është bërë më e lehtë falë liberalizimit të vizave, që u mundëson edhe familjarëve të më vizitojnë më shpesh në Zvicër. Tashmë po e shijojmë vërtet këtë mundësi të dyanshme për t’u parë më shpesh dhe për të kaluar kohë së bashku,” përfundon ajo mes emocioneve.

31-vjeçari shqiptar ekstradohet nga Gjermania në Kosovë

Policia e Kosovës, ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar me inicialet B.A., viti i lindjes 1994, nga Gjermania për në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Sipas policisë, i dyshuarit ishte arrestuar nga autoritetet gjermane pasi që i njëjti kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, për veprën penale “Vrasje në tentativë” dhe se i njëjti u ishte shmangur organeve të drejtësisë.

Bëhet e ditur se i dyshuari pas ekstradimit, u është dorëzuar njësiteve përkatëse të policisë në Mitrovicë për vazhdim të procedurave tjera ligjore.

Qytetet më të bukura të botës gjatë festave të fundvitit

Festat e fundvitit sjellin një atmosferë të veçantë, duke i shndërruar shumë qytete të botës në skena të vërteta përrallash, përcjell albinfo.ch.

Dritat shumëngjyrëshe, tregjet tradicionale të Krishtlindjes, koncertet festive dhe aktivitetet kulturore krijojnë një ndjesi të veçantë gëzimi për banorët dhe vizitorët. Disa qytete dallohen veçanërisht për mënyrën se si e përjetojnë këtë periudhë magjike.

Vjena, Austri

Kryeqyteti austriak njihet për tregjet e tij historike të Krishtlindjes, të cilat datojnë prej shekujsh. Sheshet dhe rrugët zbukurohen me drita elegante, ndërsa vizitorët shijojnë verë të zier, kakao të ngrohtë dhe ëmbëlsira tradicionale austriake.

Nju Jork, SHBA

Gjatë festave, Nju Jorku ofron një spektakël të vërtetë vizual. Pema ikonike e Krishtlindjes në Rockefeller Center dhe ndriçimi i Fifth Avenue janë ndër atraksionet kryesore, ndërsa vitrinat festive të dyqaneve shndërrohen në vepra arti.

Pragë, Çeki

Praga në dimër merr pamjen e një qyteti përrallor. Tregjet e Krishtlindjes në Sheshin e Vjetër, arkitektura historike dhe muzika tradicionale krijojnë një atmosferë të ngrohtë dhe romantike, duke e bërë qytetin një nga destinacionet më të dashura të fundvitit.

Kopenhagen, Danimarkë

Kopenhageni shquhet për festat e tij të qeta dhe mikpritëse. Tregjet festive dhe ndriçimi, veçanërisht në kopshtet Tivoli, e shndërrojnë qytetin në një hapësirë magjike për familjet dhe vizitorët e të gjitha moshave.

Berlini, Gjermani

Berlini ofron një kombinim unik mes traditës dhe modernitetit. Tregjet e Krishtlindjes në Gendarmenmarkt dhe Alexanderplatz shoqërohen me shfaqje muzikore, produkte artizanale dhe specialitete tipike gjermane.

Paris, Francë

Qyteti i dritave zbukurohet me ndriçime elegante në Champs-Élysées dhe sheshet kryesore, ndërsa tregjet festive i japin Parisit një ndjesi romantike dhe të ngrohtë gjatë periudhës së fundvitit.

Londër, Mbretëria e Bashkuar

Londra shndërrohet në një qendër të madhe festive, me drita spektakolare në Oxford Street, Regent Street dhe Covent Garden, si dhe me Hyde Park, i cili ofron atraksione të shumta për festat.

Strasbourg, Francë

I njohur si “Kryeqyteti i Krishtlindjes”, Strasburgu ka një nga tregjet më të vjetra të Krishtlindjes në Evropë. Qendra historike dhe dekorimet tradicionale krijojnë një atmosferë autentike festive.

Rovaniemi, Finlandë

I vendosur në Lapland, Rovaniemi konsiderohet shtëpia e Babagjyshit të Vitit të Ri. Bora, dritat veriore dhe aktivitetet dimërore e bëjnë këtë qytet një destinacion të veçantë për fundvit.

Tokio, Japoni

Tokio ofron një përvojë moderne të festave, me ndriçime futuriste dhe spektakle LED në zona të njohura si Shibuya dhe Roppongi, duke sjellë një dimension krejt ndryshe të atmosferës festive.

Këto qytete, secili në mënyrën e vet, e kthejnë periudhën e fundvitit në një përvojë të paharrueshme, ku dritat, traditat dhe gëzimi bashkohen për të krijuar magjinë e festave.

Pranvera Hyseni operon teleskopët e NASA-s në Mauna Kea

Shkencëtarja kosovare Pranvera Hyseni nga Vushtrria ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në karrierën e saj, duke operuar teleskopët më të avancuar të NASA-s në Samitin e Mauna Kea, një nga qendrat më prestigjioze të astronomisë në botë, përcjell albinfo.ch.

Përmes rrjeteve sociale, Hyseni ka ndarë emocionet e saj për këtë përvojë të jashtëzakonshme, duke theksuar se ndihet sikur po jeton një ëndërr profesionale. Përveç operimit të teleskopëve të NASA-s, ajo ka pasur mundësinë të testojë edhe teknologjinë më të re të kompanisë Celestron, lider global në prodhimin e pajisjeve astronomike.

“Kurrë nuk e kisha besuar se një ditë do të kisha mundësinë të operoja teleskopët më të avancuar të NASA-s në majë të Samitit të Mauna Keas, dhe njëkohësisht të testoja teknologjinë më të re të Celestronit. Ende më duket e pabesueshme që po e jetoj këtë moment. Thjesht… ëndërr,” ka shkruar ajo.

Videoja dhe postimi i saj kanë nxitur reagime të shumta pozitive në rrjetet sociale, duke reflektuar krenari dhe admirim për suksesin e saj. Arritja e Pranvera Hysenit është një dëshmi e fuqishme se shkencëtarët nga Kosova po japin kontribut të rëndësishëm në projekte globale të shkencës dhe eksplorimit të hapësirës.

Katër njohje brenda një viti për Kosovën

Bahamas është bërë shteti i katërt që e ka njohur Kosovën, pas Sirisë, Sudanit dhe Kenias. Me njohjen e fundit bëhen gjithsej 121 shtete që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, përcjell albinfo.ch.

Presidentja Vjosa Osmani të premten njoftoi se në kryeqytetin e Bahamas ka nënshkruar marrëveshjen dypalëshe për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike me ishullin që gjendet në Karaibe.

“Komonuelthi i Bahamas dhe Republika së Kosovës njoftojnë se Komonuelthi i Bahamas e ka njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran. Të dyja shtetet njoftojnë gjithashtu vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Komonuelthit të Bahamas dhe Republikës së Kosovës, me efekt nga data e nënshkrimit të Marrëveshjes së Përbashkët për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961”, thuhet në deklaratën e përbashkët të shteteve.

E, kryeministri i Bahameve, Philip Davis, ka thënë se Kosova mund të mbështetet te Bahamet si partner të besueshëm dhe të qëndrueshëm.

Njohjet nga katër shtetet këtë vit erdhën pas një rënie të ritmit të njohjeve të Kosovës në vitet e fundit. Para tyre, shteti i fundit që e njohu ishte Izraeli në vitin 2021.

Njohjet e fundit, ashtu si edhe të tjerat, e kanë zemëruar Serbisë, e cila lufton vazhdimisht pavarësinë e Kosovës.

Pritje deri në 30 minuta në hyrje të pikës Dheu i Bardhë

Sipas të dhënave të përditësuara të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritjet janë deri në 5 minuta në të gjitha pikat kufitare, përpos te Dheu i Bardhë, ku për të hyrë nga Kosova pritjet shkojnë deri në 30 minuta, shkruan albinfo.ch.

Kolonat në këtë pikë janë deri në 70m.

Në pikat tjera nuk raportohen pritje.

Bernard Dika, shqiptari që fitoi mbi 14 mijë vota në Toskanë

Revista Albinfo.ch ju sjell edhe një tjetër profil suksesi në Itali. Bëhet fjalë për Bernard Dika, i cili së fundmi është ngjitur në majat e politikës lokale, me mbi 14 mijë vota në Toskanë.

Në fakt, në politikën italiane, e cila rrallë njeh histori integrimi të shpejtë e të fuqishme, rasti i Bernard Dikës është ndër më të veçantët.

Kjo sepse, Dika është vetëm 27 vjeç, me origjinë nga Elbasani, ku së fundmi është bërë një nga figurat më të votuara në zgjedhjet rajonale të Toskanës, duke marrë 14,282 vota dhe u rendit i dyti më i votuar për Partinë Demokratike italiane (PD).

Rruga e tij drejt suksesit ka qenë e mbushur me përkushtim, sfida dhe vendosmëri të admirueshme. Ai kujton me emocione vitet e para të emigracionit, kur në moshën 17-vjeçare priste në radhë për të rinovuar lejen e qëndrimit dhe shkonte në shkollë me gishtat ende të njollosur nga boja e policisë. “Këto ishin ditët që më mësuan çfarë do të thotë dinjitet, përulësi dhe besim në vlera”, shprehet ai me tonin e një politikani që nuk ka harruar rrënjët e veta.

Historia e familjes Dika është një tregim për sakrificën e brezit të parë të emigrantëve shqiptarë në Itali. Babai i tij, Ibrahimi, kishte mbërritur në vitin 1994 me një gomone nga Vlora, në një nga periudhat më të vështira të migrimit shqiptar.

Fillimisht ai zbriti pranë portit të Leçes dhe më vonë arriti të vendosej në Pistoia, qytetin ku Bernard u rrit, u arsimua dhe nisi të ndërtojë rrugën e tij politike.

Vlen të theksohet se që në moshën 14-vjeçare, Bernard u përfshi në jetën politike lokale, duke u bërë koordinatori më i ri i fushatës për Pier Luigi Bersani në përballjen me Matteo Renzin.

Pasioni për politikën, aftësia për të komunikuar dhe energjia e tij e pashtershme e bënë shpejt të spikasë mes bashkëmoshatarëve.

 

 

Karriera e tij njohu rritje të qëndrueshme: pas studimeve, ai u bë zëdhënës i guvernatorit të Toskanës, Eugenio Giani, duke fituar besimin e figurave kyçe të politikës italiane.

Që nga viti 2022, përveç se ka qenë Zëdhënës i Presidentit të Rajonit të Toskanës, ai ishte edhe përgjegjës për politikat rinore, inovacionin dhe Giovanisì-n, si dhe krijues i Festës së Gjeneratës së Ardhshme.

Me kalimin e kohës, Dika arriti të ndërtojë një profil të ri të politikanit të angazhuar, që flet për përfshirje, barazi dhe përgjegjësi sociale e vlera që ai i lidh gjithmonë me edukatën që mori nga familja e tij shqiptare.

“Sot nuk jam më fëmijë, por politikani i dytë më i votuar në rajon. Ia dedikoj gjithçka nënës sime, Florës”, shprehet Dika.

Pa dyshim se Bernardi është simbol i integrimit të brezit të ri shqiptar në Itali, një dëshmi se sakrifica, përkushtimi dhe puna e ndershme mund të çojnë në majat e suksesit, pavarësisht prejardhjes apo pengesave fillestare.

 

PRESIDENTE

Një drekë e përbashkët në shenjë respekti dhe mirënjohjeje

Takimi i fundvitit i mësuesve të shkollave shqipe në Zvicër, i mbajtur më 14 dhjetor 2025, në Restorant DorintBad Zurzach, u shoqërua me një drekë të përbashkët të organizuar nga sipërmarrësja e suksesshme në Zvicër, Znj. Merita Pinta. Ky organizim u bë në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për mësuesit e shkollave shqipe, të cilët kohëve të fundit janë jo vetëm vlerë e shtuar e LAPSH “Naim Frashëri”, por edhe një histori e vërtetë suksesi.

Për Znj. Merita Pinta, ky takim nuk ishte vetëm një përkrahje e zakonshme dhënë mësuesve por edhe një moment festiv, për të ardhmen e arsimit shqip në diasporë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, bashkëkryetari i LAPSH-it “Naim Frashëri”, z. Vaxhid Sejdiu, me fjalë të zgjedhura dhe mirënjohëse, falënderoi Znj. Merita Pinta për mbështetjen e vazhdueshme, për përkushtimin dhe për shembullin frymëzues që ajo jep si sipërmarrëse dhe si mbështetëse e arsimit shqip në Zvicër. Ai theksoi se përkrahja e njerëzve me vizion dhe zemër të hapur për gjuhën shqipe është një shtyllë e rëndësishme e suksesit të shkollave shqipe dhe e vetë LAPSH-it.

Fjalët përshëndetëse të z. Vaxhid Sejdiu dhe znj. Merita Pinta krijuan një atmosferë të ngrohtë, mikpritëse dhe bashkëpunuese, ku dominoi hareja, respekti dhe mirënjohja e ndërsjellë. Mësues nga disa kantone të Zvicrës u takuan në këtë fundvit me falënderime dhe përgëzime për njëri-tjetrin, me urime të përzemërta dhe me gatishmëri të plotë për të përkrahur edhe në të ardhmen stafin e shkollave shqipe dhe njëri-tjetrin, me qëllim që edhe viti i ardhshëm të jetë po aq i suksesshëm, në mos më shumë.

Në përmbyllje të takimit, znj. Merita Pinta, biznismene dhe drejtuese e Qendrës Prima Pflege në Bad Zurzach, kishte përgatitur për secilin mësues nga një dhuratë simbolike, duke i përgëzuar ata për punën e palodhshme dhe përkushtimin në shërbim të arsimit shqip. Ky gjest mirënjohjeje i dha takimit një dimension edhe më njerëzor dhe motivues.

Nga ana tjetër, edhe stafi i Shkollës Shqipe – LAPSH “Naim Frashëri” kishte përgatitur një dhuratë simbolike për Znj. Merita Pinta, në shenjë falënderimi për organizimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që ajo, ndër vite, i ka dhënë shkollës shqipe.

Nuk kishte gjë më të bukur sesa të shihje mbi 30 mësuese dhe mësues të lumtur, të gëzuar dhe të motivuar për punë, të bashkuar në angazhim dhe përkushtim në shërbim të gjuhës shqipe dhe të fëmijëve shqiptarë. Ky takim ishte dëshmi e qartë se kur ka bashkim, respekt dhe vizion të përbashkët, suksesi nuk mungon. 🇦🇱✨

Sektori për informim

 

Novartis dhe Roche ulin çmimet e barnave të tyre në SHBA

Muajt ​​e pasigurisë rreth çmimeve të ardhshme të barnave në SHBA për dy kompanitë farmaceutike Roche dhe Novartis kanë marrë fund. Dy kompanitë zvicerane riafirmuan qëllimet e tyre të mëparshme për të bërë investime shumëmiliardëshe në SHBA për prodhimin e barnave, transmeton albinfo.ch.

Roche, ose më saktë dega e saj Genentech, për shembull, planifikon të investojë 50 miliardë dollarë amerikanë, ndërsa Novartis ka konfirmuar investimet e saj të njoftuara më parë prej mbi 23 miliardë dollarësh amerikanë, shkruan srf.ch.

Kompanitë farmaceutike zvicerane Novartis dhe Roche po ulin çmimet e barnave të tyre në SHBA.

Ato kanë nënshkruar marrëveshje me Shtëpinë e Bardhë për këtë qëllim. Marrëveshjet janë pjesë e një njoftimi më të gjerë. Sipas Presidentit të SHBA-së Donald Trump, 14 nga 17 kompanitë më të mëdha farmaceutike në botë kanë arritur një marrëveshje me administratën e tij, përcjell albinfo.ch. Ato po angazhohen të ulin çmimet e barnave.

Në të ardhmen, çmimet në SHBA do të jenë në përputhje me ato në Evropë. Në këmbim, kompanitë do të marrin një përjashtim tre-vjeçar nga tarifat nga SHBA-ja.

Deri më tani, kompanitë farmaceutike në SHBA mund të vendosnin çdo çmim që dëshironin për ilaçet e tyre. Trump tani po prezanton një sistem të ri. Qëllimi është që në të ardhmen, çmimet më të ulëta në vendet e tjera të bëhen çmimi maksimal për SHBA-në.

Megjithatë, kjo është larg arritjes, pasi nuk vlen për të gjitha ilaçet e disponueshme në SHBA.

Trump i vlerësoi kompanitë që ishin të parat që morën pjesë në sistem. Roche u përfaqësua nga kreu i Genentech, degës amerikane të kompanisë.

Shërbimi i Ri Ushtarak në Gjermani

Ligji i ri për shërbimin ushtarak do të hyjë në fuqi në Gjermani më 1 janar.

Pas Bundestagut, dhoma e dytë e parlamentit, Bundesrat, e ka miratuar gjithashtu Ligjin e ri për shërbimin ushtarak, transmeton albinfo.ch.

Duke filluar nga dita e parë e vitit të ardhshëm, të gjithë të rinjtë dhe të rejat e lindur/a në vitin 2008 ose më vonë do të marrin një pyetësor, të cilin burrat duhet ta plotësojnë dhe gratë mund ta plotësojnë nëse dëshirojnë, shkran srf.ch duke ju referuar mediave gjermane.

Për burrat e lindur në vitin 2008 ose më vonë, rekrutimi do të bëhet përsëri i detyrueshëm. Vetë shërbimi ushtarak megjithatë do të mbetet vullnetar.

Qëllimi i ligjit është të rrisë madhësinë e Forcave të Armatosura Gjermane (Bundeswehr) nga forca e tyre aktuale prej afërsisht 184,000 ushtarësh në midis 255,000 dhe 270,000 deri në vitin 2035.

Zvicër: Kontrolle të shtuara kufitare në kufirin jugor

Kufiri jugor i Zvicrës do të monitorohet më nga afër për të luftuar migracionin e paligjshëm. Këshilli Federal e ka vendosur këtë, duke zbatuar kështu një mandat të dhënë nga Parlamenti, transmeton albinfo.ch.

Më shumë staf nga Zyra Federale për Doganat dhe Sigurinë Kufitare do të vendoset për kontrollin kufitar të jugut.

Këshilli Federal ka njoftuar sot se 300 punonjësve shtesë do t’u jepen të drejtat e nevojshme të aksesit në sistemet e kërkimit dhe informacionit, raporton srf.ch.

Për të qenë në gjendje të deportojë vazhdimisht individë pa të drejtë qëndrimi, qeveria federale synon të bashkëpunojë më ngushtë me kantonet dhe forcat policore si dhe të zgjerojë shkëmbimin e informacionit me vendet fqinje.

13 vjet burg për shtetasin kosovar: Ka vrarë partneren e tij shtatzënë

Një burrë 48-vjeçar nga Oberhauseni është dënuar me 13 vjet burg të mërkurën për vrasje nga pakujdesia. I pandehuri dyshohet se e ka rrahur dhe e ngufatur partneren e tij shtatzënë për vdekje më 11 prill të këtij viti, transmeton albinfo.ch. Trupi i nënës së tre fëmijëve u gjet në vaskën e apartamentit të tyre të përbashkët në Oberhausen.

Sipas vendimit të Gjykatës së Landit të Duisburgut, marrëdhënia e çiftit karakterizohej nga disa grindje të dhunshme dhe shpërthime xhelozie, shkruan wdr.de. Megjithatë, gjyqtarët nuk ishin në gjendje të përcaktonin një motiv konkret për vrasjen e gruas 32-vjeçare.

I pandehuri kosovar i mohoi akuzat në gjykatë. Ai pretendoi se kishte qenë në apartament ditën e krimit, por tha se e kishte puthur gruan 32-vjeçare për lamtumirë dhe ishte larguar. Megjithatë, gjyqtarët nuk e pranuan këtë version të ngjarjes.

Viktima, nënë e tre fëmijëve ishte kthyer tek i pandehuri nga një strehë për gra, pak para sulmit fatal, përcjell albinfo.ch. Përveç vrasjes pa dashje, vendimi përfshin edhe akuza për abort.

Vendimi nuk është ende ligjërisht i detyrueshëm.

Miratohet buxheti i Zvicrës: 90.4 miliardë CHF për vitin 2026

Pas disa javësh debati, Parlamenti i Zvicrës më në fund ka miratuar buxhetin për vitin e ardhshëm. Të dy dhomat e Parlmentit miratuan propozimet e komitetit të pajtimit, të cilat trajtuan dallimet e mbetura, transmeton albinfo.ch.

Projektbuxheti për vitin 2026 tani parashikon të ardhura totale prej afërsisht 90.4 miliardë frangash zvicerane. Shpenzimet totale parashikohen të jenë rreth 91.1 miliardë franga zvicerane, shkruan srf.ch.

Buxheti përfshin, ndër të tjera, një milion franga zvicerane shtesë për luftën kundër dhunës ndaj grave. Më pak para janë ndarë për bashkëpunimin për zhvillim, për shembull (DEZA). Për më tepër, nuk është pranur një subvencion për një tren nate për në Malmö, Suedi.

Buxheti i Zvicrës për vitin 2025 (buxheti federal) parashikonte shpenzime prej afërsisht 86.5 miliardë CHF dhe të ardhura prej rreth 85.7 miliardë CHF, duke rezultuar në një deficit prej 0.8 miliardë CHF, por duke mbetur brenda kufijve të frenimit të borxhit, përcjell albinfo.ch. Shpenzimet parashikohet të rriten në 90.4 miliardë CHF në vitin 2026.

Shifra e saktë luhatet çdo vit; në vitin 2025, Parlamenti rriti shpenzimet për forcat e armatosura dhe uli ndihmën për zhvillim. Karakteristikat e Veçanta të buxhetit të vitit që po shkon: Shpenzime të jashtëzakonshme për azilkërkuesit nga Ukraina (700 milionë) dhe një rritje e konsiderueshme e shpenzimeve ushtarake.

Rruga e Musa Kamenicës nga refugjati te kryeparlamentari i Lozanës

Musa Kamenica është prej kohësh një emër i njohur në komunitetin shqiptar të Lozanës, Vaudit dhe gjithë Zvicrës. Në vitin 1995, si 18 vjeçar së bashku me familjen ka migruar nga Kosova, gjegjësisht nga Ferizaj në Zvicër, në qytetin e Lozanës. Ka diplomuar dhe magjistruar në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Lozanës. Ka magjistruar po ashtu edhe në Institutin për studime europiane në Universitetin e Gjenevës.

Angazhimi i tij shoqëror ka filluar që në vitin 2008 ndërsa në vitin 2016 është zgjedhur për herë të parë asamblist në asamblenë (parlamentin) e qytetit të Lozanës. Këtë vit ai ka arritur të zgjidhet kryetar i kësaj asambleje ose Këshilli Bashkiak, që është posti më i lartë në pushtetin legjislativ të qytetit.

Albinfo.ch, duke vlerësuar këtë arritje të tij, ka shpallur Musa Kamenicën Personalitet të Vitit 2025 në fushën e politikës, në diasporën tonë në Zvicër. Me këtë rast kemi zhvilluar një intervistë me të.

Albinfo.ch: Jeni shqiptari i parë i zgjedhur në postin e kryetarit të Kuvendit të Lozanës, qytetit të katërt më të madh të Zvicrës. A na e përshkruani, me pak fjalë rrugën që keni ndjekur deri këtu?

Musa Kamenica: Rruga ime politike në Lozanë ka filluar në vitin 2016, kur u zgjodha për herë të parë këshilltar komunal. Gjatë mandatit tim të parë pesëvjeçar kam qenë anëtar i disa komisioneve të rëndësishme të Asamblesë Komunale, gjë që më ka dhënë përvojë të gjerë në çështjet lokale. Në zgjedhjet e vitit 2021 u rizgjodha për një mandat të dytë, dhe që nga viti 2022 jam pjesë e Byrosë së Këshillit Komunal, fillimisht si nënkryetar i dytë, më pas nënkryetar i parë. Në qershor të vitit 2025 kam pasur nderin të zgjidhem Kryetar i Këshillit Bashkiak të qytetit të Lozanës. Ky udhëtim ka qenë rezultat i angazhimit të vazhdueshëm.

Albinfo.ch: Lozana njihet si një qytet me frymë liberale dhe integruese ndaj të huajve. Megjithatë, a keni pasur, si person me prejardhje të huaj, sfida dhe pengesa për të arritur në postin që keni tani?

Musa Kamenica: Është e vërtetë që rruga ime deri këtu nuk ka qenë aspak e lehtë. Më është dashur shumë punë, përkushtim dhe sakrificë për të arritur nivelin e bashkëpunëtorëve të mi, si në parti ashtu edhe në asamble. Nuk është e njëjtë të mbërrish në Zvicër në moshën 18-vjeçare, pa një rrjet të gjerë shoqëror, pa e njohur mjaftueshëm kontekstin lokal politik e shoqëror, ndërkohë që kolegët e mi kanë lindur dhe janë rritur këtu, duke pasur familje të integruara prej kohësh në sistemin institucional dhe politik të qytetit. Për këtë arsye, rruga për të arritur në pozitën që mbaj sot ka kërkuar dyfish më shumë përpjekje, këmbëngulje dhe vullnet.

Albinfo.ch: Si kryeparlamentar ju keni për detyrë të koordinoni palët kundërshtare, partitë mes vete për të gjetur një kompromis të pranueshëm për të gjithë. A ja dilni që gjithmonë ta arrini këtë?

Musa Kamenica: Detyra ime si kryetar është të krijoj ura komunikimi mes partive dhe të ndihmoj në gjetjen e kompromiseve të pranueshme për të gjithë. Megjithatë, krahasuar me vitet e kaluara, këtë vit situata është më e veçantë. Më 8 mars 2026 mbahen zgjedhjet komunale, dhe partitë politike në asamble kanë filluar tashmë të ndjekin agjendat dhe strategjitë e tyre zgjedhore. Kjo e bën jetën politike më të tensionuar dhe arritjen e konsensusit më sfiduese. Pavarësisht kësaj, unë përpiqem çdo herë të krijoj një klimë dialogu dhe respekti që na lejon të gjejmë zgjidhje të përbashkëta, edhe kur kjo nuk është e lehtë.

Albinfo.ch: Në parlamentin që drejtoni ju, ka edhe deputetë (asamblistë) të tjerë me prejardhje shqiptare?

Musa Kamenica: Po, në parlamentin që drejtoj unë është edhe një përfaqësuese tjetër me prejardhje shqiptare. Ajo quhet Klesta Krasniqi dhe është anëtare e Partisë Liberal-Radikale

Albinfo.ch: Në rrafshin e qytetit ku jetoni, sa i përket pushtetit legjislativ, keni arritur kulmin. A keni ambicie për më tutje, fjala vjen, që të angazhoheni edhe në ekzekutiv të kantonit apo të qytetit? Ose, pse jo, të kandidoni edhe për parlamentin federal?

Musa Kamenica: Që nga hyrja ime në politikë, qëllimi im parësor ka qenë dhe mbetet  të jap kontributin tim në të mirë të qytetarëve të Lozanës. Angazhimi im aktiv brenda Partisë Socialiste të Lozanës, puna në komisione kyçe të Këshillit Komunal dhe afrimi me qytetarët kanë bërë që të fitoj përvojën dhe besimin e nevojshëm për të marrë përgjegjësi politike më të mëdha, përfshirë mandatin aktual si Kryetar i Këshillit Bashkiak. Sa u përket ambicieve të mëvonshme, jam i hapur ndaj mundësive që mund të shfaqen, por prioriteti im aktual është të kryej me përkushtim përgjegjësinë që kam sot. Çdo vendim tjetër do të vijë natyrshëm, nëse do ta shoh se mund të kontribuoj edhe më shumë në nivel kantonal apo federal.

Albinfo.ch: Ju keni mbaruar shkencat politike, diçka që lidhet edhe me punën që bëni prej kohësh si parlamentar dhe së fundi, edhe si kryeparlamentar. Cilat janë pozitat që keni mbajtur (ose vazhdoni t`i mbani) në profesionin tuaj parësor, pra si i diplomuar në shkencat politike?

Musa Kamenica: Përveç angazhimit tim politik, i cili lidhet drejtpërdrejt me studimet e mia në shkencat politike, kam qenë dhe vazhdoj të jem i përfshirë në projekte që lidhen me politikat publike në fushën e shëndetësisë, administratës, integrimit dhe arsimit. Këto projekte më kanë mundësuar të zbatoj në praktikë njohuritë akademike dhe të kontribuoj në zhvillimin e politikave që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve tonë.

Albinfo.ch: Keni një “sfond migracioni”; gjegjësisht keni ardhur rreth 30 vite më parë nga Kosova dhe keni bërë kërkesë azili në Zvicër. Ju, siç e thoni në një intervistë, “keni kaluar të gjitha fazat e integrimit” këtu. A ka qenë e vështirë, keni hasur në probleme me paragjykimet ose seterotipat për të huajt?

Musa Kamenica: Patjetër që procesi i integrimit në Zvicër nuk ka qenë i lehtë. Fillimisht, si refugjat nga Kosova, u përballa me vështirësi që lidhen me statusin e azilit. Më pas erdhi sfida e të mësuarit të gjuhës, krijimi i një rrjeti të gjerë shoqëror, si dhe kryerja e studimeve në një sistem arsimor ku kushtet e mia  nuk ishin të njëjta me ato të studentëve që kishin ndjekur gjithë shkollimin në Zvicër. Edhe gjetja e një pune të përshtatshme ishte një sfidë më vete. Duhet theksuar se gjatë viteve ’90 dhe 2000, komuniteti shqiptar në Zvicër përballej me paragjykime dhe stereotipa të forta, gjë që e bënte integrimin edhe më të vështirë. Pra, ka pasur shumë barriera që duhej kapërcyer. Megjithatë, jam i bindur se me punë të përkushtuar, me këmbëngulje dhe me ndjenjë përgjegjësie, çdo objektiv mund të arrihet dhe rruga ime deri këtu është dëshmia më e mirë e kësaj.

Albinfo.ch: Fakti që ju keni arritur të bëheni kryetar parlamenti të qytetit flet për Zvicrën dhe Lozanën si një ambient favorizues për një të huaj që të përparojë në politikën e këtushme dhe përgjithësisht në shoqëri?

Musa Kamenica: Po, është e vërtetë që Lozana është një qytet që njihet për diversitetin e saj mirëpo sikur se e ceka më lartë vetëm puna e palodhshme dhe përgjegjësia e lartë të bënë që ti të kesh respektin e duhur këtu në shoqëri.

Albinfo.ch: Si e shihni shkallën e integrimit të të huajve dhe në veçanti atë të shqiptarëve në qytetin dhe kantonin tuaj?

Musa Kamenica: Qyteti i Lozanës njihet në Zvicër për politikën e vet aktive dhe shumë të zhvilluar të integrimit, ndaj komunitetet e huaja kanë mundësi reale të integrohen shpejt dhe me sukses në shoqëri. Sa i përket komunitetit tonë shqiptar, mund të them se integrimi ka qenë i jashtëzakonshëm. Brenda vetëm 30 viteve, komuniteti shqiptar është shndërruar në një aktor të rëndësishëm në jetën ekonomike, administrative, shëndetësore, sportive, kulturore dhe politike të këtij qyteti dhe në Zvicër në përgjithësi. Ky progres i madh ishte i paimagjinueshëm para tre dekadash dhe dëshmon për punën, përkushtimin dhe energjinë pozitive që komuniteti ynë ka sjellë në shoqërinë zvicerane.

Progres i paimagjinueshëm më parë, i komunitetit shqiptar

Brenda vetëm 30 viteve, komuniteti shqiptar është shndërruar në një aktor të rëndësishëm në jetën ekonomike, administrative, shëndetësore, sportive, kulturore dhe politike të këtij qyteti dhe në Zvicër në përgjithësi. Ky progres i madh ishte i paimagjinueshëm para tre dekadash dhe dëshmon për punën, përkushtimin dhe energjinë pozitive që komuniteti ynë ka sjellë në shoqërinë zvicerane.

 Foto: Genti Mersinaj

 

Bashkimi Evropian miraton huanë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, pa asetet ruse

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë arritur marrëveshje për t’i dhënë Ukrainës një hua prej 90 miliardë eurosh, ndonëse me kundërshtimin e Belgjikës nuk arritën të bien dakord për përdorimin e aseteve të ngrira ruse.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se beson se do të ishte “e dobishme” për Evropën të riangazhohej me presidentin rus, Vladimir Putin, shkruajnë mediat e huaja, transmeton albinfo.ch.

Në anën tjetër, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka njoftuar se delegacionet ukrainase dhe amerikane do të takohen për bisedime të reja të premten dhe të shtunën në SHBA.

Kurti mirëpret heqjen e masave të BE-së dhe akuzon opozitën për koston politike dhe financiare

Kryeministri në detyrë tha se stabiliteti në veriun e Kosovës është rezultat i sundimit të ligjit nga institucionet shtetërore, ndërsa opozitën e fajësoi për bllokimin e marrëveshjeve që, sipas tij, i kanë kushtuar Kosovës miliona euro, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka mirëpritur të premten vendimin e Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Masat ishin vendosur nga Bashkimi Evropian në vitin 2023, pas tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Gjatë një mbledhjeje të Qeverisë, Kurti deklaroi se institucionet e Kosovës “nuk ishin shkaktare të përshkallëzimit të situatës” në veri, duke theksuar se ulja e tensioneve dhe funksionimi normal i institucioneve atje janë rezultat i veprimeve të shtetit.

Sipas tij, masat ndëshkuese, të cilat pritet të hiqen plotësisht në fund të janarit dhe t’i mundësojnë Kosovës përfitimin e miliona eurove ndihmë financiare, u shoqëruan me dy sulme serioze. Ai përmendi sulmin e shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit dhe atë të nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit, duke përsëritur se për të dy rastet ekzistojnë prova për përfshirjen e shtetit të Serbisë.

Në retrospektivë, çdo kompromis ndaj sundimit të ligjit do të ishte fatal për Kosovën. Situata e qetë, lëvizja e lirë dhe funksionimi i institucioneve të shtetit në veriun e Kosovës janë pikërisht sepse ka triumfuar sundimi i ligjit dhe rendi publik”, tha Kurti. Ai shtoi se, pavarësisht masave ndëshkuese, Qeveria nuk ka qenë “asnjëherë e hidhëruar” me Bashkimin Evropian dhe ka mbetur e përkushtuar ndaj integrimit evropian dhe përmbushjes së kritereve për anëtarësim.

Duke folur për pasojat financiare të masave, Kurti kritikoi partitë që në mandatin e kaluar ishin në opozitë, për faktin se nuk votuan në nëntor Planin e Rritjes dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore, para shpërndarjes së Kuvendit. “Republika e Kosovës, masat më të mëdha financiare, nuk i ka vuajtur nga Bashkimi Evropian, por nga opozita parlamentare”, deklaroi ai.

Partitë opozitare kishin refuzuar të merrnin pjesë në seancën e thirrur nga partia e Kurtit, duke argumentuar se Qeveria në detyrë po i përdorte këto çështje si “instrument të lojërave të saj politike”. Mungesa e konsensusit për krijimin e institucioneve të reja të Kosovës pas zgjedhjeve të shkurtit çoi në shpalljen e zgjedhjeve të reja, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor.

Përveç masave ndëshkuese të BE-së, Qeveria e udhëhequr nga Kurti është përballur edhe me kritika nga Shtetet e Bashkuara për shkak të disa vendimeve në veriun e vendit, përfshirë mbylljen e institucioneve serbe dhe ndërmarrjeve publike që funksiononin në sistemin serb, si dhe ndalimin e përdorimit të dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Serbia ka financuar struktura paralele në veri dhe ka mbështetur serbët atje përmes pensioneve dhe shtesave të tjera në dinarë. Institucionet e Kosovës i kanë konsideruar këto veprime si pjesë të shtrirjes së sovranitetit shtetëror në këtë pjesë të vendit, ndërsa SHBA-ja dhe BE-ja i kanë cilësuar disa prej tyre si të pakoordinuara.

Vendimi i Gjykatës Federale: Të zhvendosesh jashtë shtetit me një fëmijë nuk është rrëmbim

Nëse prindërit ndahen, ata zakonisht kanë kujdestari të përbashkët. Ata vendosin së bashku se ku jetojnë fëmijët, cilën shkollë ndjekin ose nëse do të shpërngulen jashtë vendit. Edhe nëse fëmijët jetojnë kryesisht me prindin që ka kujdestarinë.

Po sikur një nënë ose baba të sjellë një fëmijë jashtë vendit kundër vullnetit të prindit tjetër? Në gjuhën e folur, shpesh flitet për “rrëmbim ndërkombëtar të fëmijës”. Megjithatë, ky përcaktim nuk zbatohet për të drejtën penale, të paktën jo nëse prindi që shpërngulet ka kujdestarinë. Gjykata Federale e sqaron këtë në një vendim.

Pika fillestare është rasti i një nëne nga kantoni i Bernës. Ajo u zhvendos me tre fëmijët e saj në Tunizi kundër vullnetit të babait të saj. Prandaj, Gjykata e Lartë e Bernës e dënoi atë me tre vjet e nëntë muaj burg për rrëmbim dhe rrëmbim të të miturve. Por tani Gjykata Federale thotë: Ky nuk ishte rrëmbim.

Përcaktimi i vendbanimit të lejuar nga kujdesi

Nuk mund të ishte rrëmbim sepse fëmijët ishin nën kujdesin e nënës. Për shkak të kujdestarisë së përbashkët, do të ishte e nevojshme pëlqimi i babait. Fakti që ai nuk pranoi, megjithatë, nuk e bën shpërnguljen një rrëmbim për sa kohë që fëmijët janë mirë.

Avokati dhe lektor në Universitetin e Bernës, Christian von Wartburg, e shpjegon si më poshtë: “Prindërit janë të autorizuar vetëm të përcaktojnë se ku jetojnë fëmijët, ku flenë, cilën shkollë ndjekin.” Prandaj, nuk është rrëmbim, por vetëm një e ashtuquajtur tërheqje e të miturve, një vepër penale më pak serioze.

Gjobë në vend të burgut?

“Nuk është e pandëshkueshme të privosh fëmijët nga një baba”, thotë von Wartburg, shkruan SRF. Sipas ligjit, tërheqja e të miturve nuk rrezikon deri në pesë vjet burg si në rastin e rrëmbimit, por një maksimum prej tre vjetësh burg ose në shumicën e rasteve një gjobë, përcjell albinfo.ch.

Sipas von Wartburg, kjo është e saktë, sepse mund të imagjinohet se do të ishte shumë problematike nëse nënat do të duhej të shkonin në burg për një periudhë më të gjatë kohore. Mendoj se vendimi është i saktë në rezultat.” Edhe nëse dënimi i saktë për nënën nuk dihet ende.

Kritika nga perspektiva e prindërve të prekur

Vendimi ngjall ndjenja të përziera tek Oliver Hunziker. Ai është president i Shoqatës për përgjegjësinë prindërore. Ai është i përkushtuar për të siguruar që të dy prindërit, me apo pa kujdes, të mund të mbajnë kontakt me fëmijët e tyre.

“Sigurisht, kjo është shumë e saktë ligjërisht. Nga një këndvështrim thjesht teknik, nuk është rrëmbim, por mbajtje e të miturve. Megjithatë, emocionalisht, situata për babanë në këtë rast është e ndryshme: “Atij ndoshta nuk i intereson nëse ishte rrëmbim apo diçka tjetër. Ai do të donte të kishte kontakt përsëri me fëmijët.”

Dhe kjo e kishte zgjidhur me sukses nënën. “Ky është një nga problemet. Nëse mund ta bësh këtë pa pasur frikë nga pasojat e rëndësishme, atëherë do të bëhet.” Një gjobë është më pak penguese sesa të shkosh në burg.

Gjykata e Lartë e Bernës ende nuk ka vendosur se sa i lartë duhet të jetë dënimi për nënën në rastin specifik. Por një gjë është e qartë: pothuajse katër vjet burg si më parë nuk do të ketë.

Posta do të vazhdojë t’u shërbejë edhe zonave më të izoluara

Posta do të duhet të vazhdojë të shpërndajë korrespondencën në çdo shtëpi të banuar gjatë gjithë vitit, madje edhe në zonat e largëta. Kjo u vendos të premten nga Këshilli Federal, i cili braktisi “konceptin e vendbanimit” të parashikuar në projekt në konsultim.

Propozimi fillestar ishte të kufizohej shpërndarja në zonat me të paktën pesë shtëpi të përhershme për hektar, një masë që do të kishte lejuar kursime deri në 45 milionë franga në vit nga viti 2026. Megjithatë, ideja kishte ngjallur kritika të forta, veçanërisht në rajonet periferike.

Letra digjitale në shërbimin universal

Në të njëjtën kohë, Ekzekutivi ka vendosur që shërbimi universal do të zgjerohet me letrën digjitale. Posta do të duhet të ofrojë një sistem shpërndarjeje “hibrid”, i cili u lejon klientëve të dërgojnë dhe të marrin postë elektronike, raporton RSI. Përdorimi do të jetë opsional: ata që preferojnë postën në letër do të vazhdojnë ta marrin atë, me konvertimin e dërgesave digjitale në format fizik, transmeton albinfo.ch.

Projekti në konsultim parashikoi gjithashtu përfshirjen e shërbimeve të pagesave digjitale. Zgjerimi në këtë fushë ka mbledhur konsensus të gjerë, por Këshilli Federal për momentin abstenon nga ky ndryshim. Çështja do të trajtohet përsëri në rishikimin e ardhshëm të ligjit.

Amendamenti në urdhëresën postare do të hyjë në fuqi më 1 prill 2026. Në të njëjtën kohë, ekzekutivi udhëzoi Departamentin Federal të Mjedisit, Transportit, Energjisë dhe Komunikacionit (DATEC) që deri në fund të vitit 2026 të hartojë një draft të rishikimit të pjesshëm të ligjit, i cili merr në konsideratë digjitalizimin: vëllimi i letrave dhe numri i pagesave në postë në fakt janë duke u ulur vazhdimisht.