Zvicra lanson fushatën e parë kundër dhunës në familje

Presidentja e Konfederatës Karin Keller-Sutter dhe Këshilltarja Federale Elisabeth Baume-Schneider, në kuadër të lansimit të fushatës së parë kombëtare, bëjnë thirrje që të mos tolerohet dhuna në familje, dhuna seksuale dhe dhuna me bazë gjinore.

 

Fushata për parandalimin e dhunës në familje, dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore është zhvilluar nga Zyra Federale për Barazinë e Grave dhe Burrave, në bashkëpunim me një aleancë të gjerë që përfshin nivelin federal, kantonal, komunal dhe organizatat e shoqërisë civile.

Fushata është planifikuar për disa vite dhe u drejtohet grupeve të ndryshme të synimit.

Dhuna në familje, dhuna seksuale dhe dhuna me bazë gjinore shkaktojnë çdo ditë vuajtje të mëdha në Zvicër, me pasoja të rënda për personat e prekur dhe shoqërinë në tërësi. Me këtë fushatë të parë kombëtare, Konfederata forcon masat parandaluese kundër këtyre formave ende shumë të përhapura të dhunës.

Në vitin 2024, policia regjistroi 21 127 vepra penale të lidhura me dhunën në familje – 6% më shumë se vitin paraprak, të cilat përbëjnë rreth 40% të të gjitha veprave penale të regjistruara nga policia. 70% e viktimave ishin gra.

Më shumë se gjysma e vrasjeve në Zvicër ndodhin në ambientin familjar. Sipas organizatave joqeveritare, numri i femicideve është rritur në vitin 2025.

Grupet e synimit janë të ndryshme, por mesazhi mbetet një: Barazia parandalon dhunën

Një nga objektivat kryesore të fushatës është ofrimi i ndihmës së qartë dhe të drejtpërdrejtë për personat e prekur. Fushata zhvillohet në tri faza:

Faza e parë u drejtohet kryesisht viktimave të dhunës,

Faza e dytë personave në rrethin e tyre,

Faza e tretë personave që ushtrojnë ose mund të ushtrojnë dhunë.

Personat e prekur mund të gjejnë informacione, këshilla dhe shërbime mbështetëse të përshtatura për situatat e tyre në faqen e internetit www.ohne-gewalt.ch. Pasi linja kombëtare e ndihmës për viktimat 142 të nisë funksionimin në maj 2026, fushata do ta promovojë këtë shërbim. Qendra telefonike do t’u mundësojë të gjithëve të marrin ndihmë të shpejtë, 24 orë në ditë.

Fushata do të jetë e pranishme në billboard-e në mbarë vendin dhe në rrjetet sociale. Ajo shfaqet në katër gjuhët zyrtare, si edhe në anglisht, spanjisht, portugalisht dhe shqip, si dhe në gjuhë të thjeshtuar.

Slogani i fushatës është: “Barazia parandalon dhunën.

Fushata synon të tregojë situata të përditshme ku shfaqen pabarazi pushteti dhe shenjat e hershme të dhunës. Pabarazitë strukturore e nxisin dhunën; p.sh., varësia financiare mund ta bëjë shumë të vështirë shkëputjen nga një marrëdhënie toksike. Kur palët e shohin njëra-tjetrën si të barabarta, rritet mundësia që konfliktet të zgjidhen në mënyrë paqësore. Barazia është faktor mbrojtës sepse promovon marrëdhëniet e shëndetshme, dialogun, pavarësinë dhe respektin e ndërsjellë.

Një fushatë e gjerë dhe strategjike

Parandalimi i dhunës në familje, dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore kërkon bashkëpunim të ngushtë mes Konfederatës, kantoneve, qyteteve, komunave dhe organizatave joqeveritare. Shumë institucione dhe organizata të shoqërisë civile kanë kontribuar në zhvillimin e fushatës.

Në konferencën për media morën pjesë, krahas Këshilltares Federale Elisabeth Baume-Schneider, edhe:

Mathias Reynard, President i Konferencës së Drejtorëve Kantonalë të Çështjeve Sociale (SODK),

Stephanie Eymann, anëtare e Konferencës së Drejtoreve Kantonalë të Drejtësisë dhe Policisë (KKJPD),

Anna-Béatrice Schmaltz, përfaqësuese e rrjetit të OJQ-ve të Konventës së Stambollit.

Fushata është pjesë e Strategjisë së Barazisë 2030 të Konfederatës. Ajo është zhvilluar në bazë të një mocioni parlamentar të paraqitur nga senatorja Marianne Maret dhe deputetet Jacqueline de Quattro dhe Tamara Funiciello. Fushata përmbush kërkesat e Konventës së Stambollit, e cila është në fuqi në Zvicër që nga viti 2018, dhe përbën një nga shtyllat e planit të saj të veprimit, i cili fokusohet në shkaqet e dhunës.

Fushata kombëtare plotëson masat e shumta parandaluese që tashmë zbatohen nga niveli federal, kantonal, komunal dhe nga shoqëria civile. Ajo do të shoqërohet me monitorim dhe vlerësim të rregullt, për të matur efektin e saj dhe për të bërë përmirësime të synuara.

Institucionet pjesëmarrëse në zhvillimin e fushatës

Shumë zyra federale (EBG, BAG, BASPO, BSV, EBGB, Armatës)

Konferenca e Drejtorëve Kantonalë të Çështjeve Sociale (SODK)

Konferenca e Drejtorëve Kantonalë të Drejtësisë dhe Policisë (KKJPD), përmes SKP

Konferenca Zvicerane kundër Dhunës në Familje (SKHG)

Konferenca Zvicerane e Zyrave për Barazi (SKG)

Konferenca Zvicerane e Ndihmës për Viktimat (SVK-OHG)

Shoqata Zvicerane e Qyteteve (SSV)

Rrjeti i OJQ-ve për zbatimin e Konventës së Stambollit (përfaqësuar nga OJQ Frieda)

Mbrojtja e Fëmijëve Zvicër

Organizata Ombrellë e Shtëpive të Grave të Zvicrës dhe Lihtenshtajnit (DAO)

Më shumë info:

 

Shtohet edhe një klasë e re e mësimit të gjuhës shqipe në Gjermani

Të enjten, më datë 13 nëntor 2025, në Pfaffenhofen u zhvillua ceremonia zyrtare e hapjes së klasës së re të mësimit plotësues në gjuhën shqipe nën organizimin e LAPSH-it. Kjo ngjarje përbën një moment të veçantë për komunitetin shqiptar të zonës dhe përpjekjet e tij për të ruajtur e promovuar gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar tek brezi i ri, transmeton albinfo.ch.

Klasën e re do ta udhëheqë mësuesja Albana Kasumi-Dashi, e cila u prit me entuziazëm nga prindërit dhe nxënësit. Gjatë ceremonisë u theksua rëndësia e madhe e përkrahjes së prindërve, të cilët me bashkëpunimin dhe përkushtimin e tyre bënë të mundur hapjen e kësaj klase që pritet të shërbejë si një vatër e re e gjuhës shqipe në Gjermani.

Në përfundim të takimit, nxënësit u pajisën me librat shkollorë, duke shënuar kështu fillimin zyrtar të një rrugëtimi të ri arsimor në gjuhën e nënës.

Mësimi zhvillohet çdo të enjte, në orën 13:30, nën kujdesin profesional të mësueses Albana Kasumi-Dashi.

Adresa e zhvillimit të mësimit:
Musikschule – Haus der Begegnung
Hauptplatz 47
85276 Pfaffenhofen a. d. Ilm

Kosovë: Qeveri e re apo zgjedhje?

Dita e sotme shënon afatin e fundit kushtetues për krijimin e Qeverisë së re të Kosovës, ndërsa skena politike është futur në një moment vendimtar që mund të përcaktojë rrjedhën e zhvillimeve të ardhshme në vend, transmeton albinfo.ch.

Rreth orës 14:00 pritet të nisë seanca e Kuvendit, e cila ka vetëm një pikë të rendit të ditës: votimin për formimin e Qeverisë me mandatar Glauk Konjufcën. Ky votim konsiderohet thelbësor, pasi nga epilogu i tij varet nëse vendi do të ketë ekzekutiv të ri apo do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Nga ana tjetër, partitë që deri tash kanë qenë në opozitë – PDK, LDK, AAK dhe Nisma – kanë paralajmëruar hapur se do të votojnë kundër formimit të Qeverisë. Një rezultat i tillë do të nënkuptonte automatikisht dështim të procesit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja.

Para kësaj seance, Kuvendi u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme, të thirrur me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje, me synimin për të formuar komisionet parlamentare që do t’i hapnin rrugë shqyrtimit të projektbuxhetit. Mirëpo, seanca nuk pati kuorum, duke bërë që të zhvillohen vetëm fjalime nga deputetët e VV-së dhe një fjalim i deputetit Përparim Gruda nga PDK.

Me tensionet politike në rritje dhe me afatin kushtetues në prag të skadimit, sytë janë drejtuar te seanca e pasdites. Vendimi që pritet të merret sot mund të përcaktojë drejtimin institucional të vendit për muajt e ardhshëm.

“Tri Net Film Fest” në udhë të mbarë të pjekurisë së vet artistike

“Tri Net Film Fest” hyn në edicionin e katërt në një moment kur dinamika kulturore e diasporës shqiptare në Zvicër po shfaq një pjekuri të re: një horizont ku kinematografia, identiteti dhe dialogu ndërkulturor takohen natyrshëm. Si një platformë që ndërton ura mes autorëve shqiptarë dhe atyre gjermanfolës, ky festival po konsolidohet si pikëtakim i rëndësishëm estetik e profesional, ku forma e shkurtër filmike merr jo vetëm vëmendje, por edhe një hapësirë të qëndrueshme reflektimi. Në këtë kontekst, biseda me Ben Apollonin, regjisor dhe selektor i programit ofron një perspektivë të qartë mbi prurjet e reja dhe rolin që Tri Net Film Fest po fiton brenda komunitetit të artit në diasporë.

albinfo.ch Tri Net Film Fest po hyn në edicionin e katërt, një etapë që zakonisht e konsolidon identitetin kuratorial të një festivali. Si do ta përkufizonit sot rolin, misionin dhe peshën e Tri Net në ekosistemin e filmit të shkurtër shqiptar dhe të diasporës?

Ben Apolloni: Tri Net Film Fest ka filluar me idenë që të jetë pikëtakim i kinematografisë shqiptare dhe asaj gjermanishtfolëse. Dhe për këtë edicion kemi punuar edhe me disa distributorë që na kanë dërguar filma në gjuhën gjermane dhe e kanë pasuruar programin dhe kanë bërë që qëllimi fillestar i festivalit të arrihet. Sigurisht që filmat shqiptarë nuk do të mungojnë kurrsesi dhe besoj që edicioni i katërt do të jetë goxha i pasur me prurje interesante.

albinfo.ch: Motoja “Shkurt në ekran, gjatë në kujtesë” sugjeron një marrëdhënie të ndërgjegjshme me formën e shkurtër. Në këndvështrimin tuaj të orientimit artistik (kuratorial), si prodhohet një përvojë filmike me rezonancë të zgjatur përmes një minutazhi të kufizuar?

Ben Apolloni: Motoja “Shkurt në ekran, gjatë në kujtesë” sugjeron filmin e shkurtër, por nuk kufizohet vetëm në këtë. Ideja është që në programin e “Tri Net Film Fest” do të ketë filma që do t’i shohim për aq sa zgjasin por me idetë dhe formën e tyre të realizimit do të mbesin gjatë në kujtesën tonë.

albinfo.ch: Procesi i seleksionimit të filmave është thelbësor për identitetin e çdo festivali. Cili është kriteri juaj kryesues: fuqia narrative, koherenca estetike, autenticiteti autorial apo efektiviteti i gjuhës vizuale? Çfarë elementi e bën një vepër “të domosdoshme” për programimin zyrtar?

Ben Apolloni: Përzgjedhja e filmave, pra, krijimi i programit të një festivali është ndër proceset më të vështira sepse edhe është pjesa esenciale e një festivali. Mua, si selektor i filmave më ka ra kjo barrë, por si filmofil që jam, nuk kam përtuar të shoh secilin film me kujdes dhe jam munduar që në programin e festivalit të përfshijë filma me përmbajtje interesante e provokative, pa anashkaluar vlerat estetike dhe fuqinë narrative.

albinfo.ch: Gjatë viteve të fundit, një numër në rritje regjisorësh të rinj nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut po eksperimentojnë me forma të reja të tregimit filmik. Si e lexoni këtë rrymë të re krijuese dhe cilat prirje po shfaqen si më relevante në raport me publikun bashkëkohor?

Ben Apolloni: Krijimi i një filmi apo çfarëdo lloj vepre artistike kërkon guxim për të provuar forma shprehjesh. E, regjisorët shqiptarë, kudo që krijojnë ata, po duket që po i përcjellin zhvillimet kinematografike botërore dhe nuk po ngurrojnë që të eksperimentojnë me forma. Regjisorët shqiptarë sot mendoj që e kanë vetëm një problem: mungesën e buxhetit, mungesën e një industrie kinematografike shqiptare që do të mundësonte zhvillimin e tyre. E kam thënë me dhjetëra herë që vendi ynë është minierë temash, por për fat të keq mundësitë që këto tema të trajtohen në kinematografi janë të pakta.

albinfo.ch: Në shumë festivale ndërkombëtare, balanca midis garës dhe dialogut artistik është temë qendrore. Si pozicionohet Tri Net Film Fest në këtë dimension: a synon të ndërtojë një identitet garues, apo e sheh vlerën kryesore te dialogu estetik dhe shkëmbimi konceptual midis autorëve?

Ben Apolloni: E kemi diskutuar gjatë punën e çmimeve dhe në fund kemi arritur në përfundim që edhe “Tri Net Film” të ndajë çmime. Por sa më përket mua si regjisor, më e rëndësishme është që filmbërësit shqiptarë dhe ata gjermanishtfolës të krijojnë një “dialog estetik” siç e keni quajtur ju.

albinfo.ch: Organizimi i një festivali në diasporë e bën komunitetin një faktor struktural, jo vetëm emocional. Si ka evoluar ky komunitet rreth Tri Net Film Fest dhe si ka ndikuar në formësimin e profilit të festivalit gjatë këtyre katër edicioneve?

Ben Apolloni: Diaspora shqiptare është e mrekullueshme. E kam thënë edhe në edicionin e kaluar, para të pranishmëve në festival, se Kosova edhe lirinë e saj e ka arritur falë veprimtarisë së jashtëzakonshme të diasporës dhe për këtë duhet t’i jemi falënderues përjetësisht. Unë gëzohem shumë kur takoj komunitetin shqiptar në kinema. Shkuarja në kinema e në teatër është shenjë qytetërimi dhe zemra mal më bëhet kur shoh që kemi një diasporë të qytetëruar në zemër të qytetërimit evropian. Me padurim pres që t’i takoj edhe në edicionin e katërt dhe të dialogojmë për filmin e për kulturën në përgjithësi dhe për mundësitë e rritjes së Tri Net Film Fest.

albinfo.ch: Publiku është një aktor interpretues dhe bashkëkrijues i përvojës filmike. Çfarë pritshmëri keni ndaj audiencës së këtij edicioni dhe si mendoni se do t’i dekodojnë filmat publiku shqiptar dhe ai zviceran, duke marrë parasysh kontekstet e tyre kulturore?

Ben Apolloni: Nuk e di se si do t’i lexojnë filmat e këtij edicioni, por e di që do të kënaqem duke i dëgjuar opinionet e tyre. Këtë po e them nga përvoja e vitit të kaluar, ku publiku i ka lexuar e interpretuar filmat në mënyrë të shkëlqyer.

albinfo.ch: Për regjisorët e rinj që synojnë të prezantohen në edicionet e ardhshme: cilin aspekt të gjuhës filmike apo të qasjes autoriale do të inkurajonit të zhvillojnë, në mënyrë që vepra e tyre të komunikojë më fuqishëm me standardet e festivalit?

Ben Apolloni: Ne nuk kemi përcaktuar kritere speciale, pos që filmat duhet të jenë të metrazhit të shkurtër dhe në gjuhën shqipe ose gjermane. Për aspektet tjera, i kanë duart e lira.

albinfo.ch: Nëse do ta përmblidhnit këtë edicion në një ide themelore, cili do të ishte mesazhi ose gjurma kryesore që dëshironi të mbetet, si në përvojën e publikut, ashtu edhe në kontinuitetin estetik dhe institucional të Tri Net Film Fest?

Ben Apolloni: Ashtu siç është edhe motoja e festivalit, do të doja që filmat që do t’i shohin të mbesin gjatë në kujtesën e publikut dhe të flitet për ta dhe të shërbejnë për të inspiruar për të shkruar e krijuar filma të rinj.

Edicioni i katërt i “Tri Net Film Fest konfirmon” se një festival i lindur në diasporë mund të shndërrohet në traditë dhe në një hapësirë të qëndrueshme dialogu kulturor. Në kulturën shqiptare të Zvicrës, ai po forcon identitetin artistik të komunitetit, krijon ura të reja me publikun dhe nxit autorët të eksperimentojnë më thellë me gjuhën filmike dhe qasjet e tyre krijuese.

 Rezervoni biletat këtu:

Kurti: Nëse dështon sot seanca, humbim miliona që do t’i marrin shtete të tjera

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se po që se Kuvendi nuk i miraton sot propozimet e rendit të ditës për kreditë dhe marrëveshjet ndërkombëtare dhe vendi shkon në zgjedhje të reja, Kosova do të humbë miliona euro, përcjell albinfo.ch.

Ai tha se ka shumë shtete që presin të përfitojnë kredi si ato të cilat i ka miratuar qeveria e tij.

Ai ka thënë se komisionet e përhershme duhet të formohen pavarësisht a ka qeveri apo jo.

Po ashtu ai tha se “afatet po ecin” dhe se “koha nuk është burim i ripërtërishëm”.

“Koha kalon në të kaluarën në pakthim. Çdo vonesë e mëtejme e komplikon dhe rrezikon përfitimin dhe zbatimin e fondeve”, ka thënë ai teksa ka folur për Planin e Rritjes dhe Marrëveshjen për reforma me Bankën Botërore në vlerë prej 90 milionë euro, e që sipas Kurtit janë kredi me kamatë zero. “Nëse shkojmë në zgjedhje këto mjete pra 90 milionë euro për të cilat ne kemi punuar e angazhuar, do të humbin, sepse ka shumë shtete tjera presin me krahë të hapur financim të tillë”, ka thënë ai.

Fisnik Asllani: Arritëm sukses të madh, synimi është Botërori

Sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani, është shprehur shumë i kënaqur me barazimin 1:1 ndaj Zvicrës në “Fadil Vokrri”, rezultat që e konfirmoi Kosovën në vendin e dytë të grupit dhe në plejofin për Botërorin 2026, përcjell albinfo.ch. 

“Jam shumë i lumtur. I gjithë ekipi ka bërë një punë të shkëlqyer. Jemi shumë krenarë, sepse kemi arritur një sukses të rëndësishëm”, tha Asllani pas ndeshjes.

Ai shtoi se tani fokusi kalon te klubi:

“Do të kthehem dhe do të jap maksimumin. Dua të shënoj më shumë, të asistoj, dhe kur të vijë koha do të shohim edhe për një transferim”.

Asllani u shpreh optimist për atë që vjen:

“Në këto kualifikime jemi paraqitur shumë mirë. Mezi pres marsin dhe synimin tonë të madh,  sigurimin e Botërorit”.

Zhegrova: Besojmë se do t’ia arrijmë qëllimit për t’u kualifikuar në Botëror

Edon Zhegrova është shprehur optimist për mundësinë që Kosova të arrijë kualifikimin në Kampionatin Botëror, pasi përfaqësuesja ka siguruar tashmë një vend në plejof, përcjell albinfo.ch.

“Është kënaqësi që jemi kualifikuar në plejof. Ky është vetëm një hap, ndërsa hapi tjetër janë dy ndeshjet vendimtare që na presin. Me ekipin që kemi, besojmë se do t’ia dalim”, tha Zhegrova.

Ai theksoi ndjesinë e veçantë kur vesh fanellën e Kosovës. “Është nder i madh të luaj për vendin tim. E kam pasur gjithmonë përkrahjen e tifozëve”.

Zhegrova u ndal edhe te e ardhmja e tij në klub: “Është ëndërr të jesh pjesë e Juventusit, por më mbetet shumë punë. Për momentin ndihem shumë mirë fizikisht, jam 100 për qind. Edhe klubi e di. Më duhet vetëm të punoj edhe më shumë”.

Xhaka i përballon fishkëllimat: Këta njerëz janë shumë emocionalë

Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, Granit Xhaka pranoi se fishkëllimat e shikuesve në “Fadil Vokrri” e kishin befasuar dhe lënduar. Ai tha se ndjeu “dhembje” dhe se reagimi i publikut nuk ishte diçka që e kishte pritur. Në konferencën për shtyp, megjithatë, foli më pak emocional, përcjell albinfo.ch. 

Të martën mbrëma, Xhaka udhëhoqi Zvicrën si kapiten në barazimin 1:1 me Kosovën – një rezultat që i siguroi Zvicrës kualifikimin e gjashtë rresht në Kupën e Botës. Kosova ndërkohë e kishte siguruar plejofin. Por fokusin kryesor e morën fishkëllimat që u dëgjuan sa herë 33-vjeçari prekte topin.

Në pjesën e dytë, një pjesë e tifozëve thirrën “Xhaka, Xhaka”, por fishkëllimat dominuan derisa ai u zëvendësua.

“I njoh këta njerëz, janë shumë emocional”, u shpreh Xhaka. “Nuk është hera e parë që përballem me një situatë të tillë. Edhe kur isha te Arsenali, jam fishkëllyer nga 60 mijë njerëz dhe jam kthyer përsëri. Është në rregull për mua”.

Aktualisht te Sunderlandi, Xhaka po kalon një formë të shkëlqyer, ashtu si në të kaluarën me Bayer Leverkusenin dhe Arsenalin. Për shumë shqiptarë të Kosovës, ai mbetet hero, sidomos për paraqitjet ndaj Serbisë dhe lidhjen e fortë emocionale që ka treguar gjithnjë me Kosovën.

Por mbrëmja e së martës ishte e rëndë për të. Reagimet ndaj fishkëllimave shpërthyen menjëherë dhe shumica e tyre ishin negative. Edhe mediat zvicerane i kushtuan hapësirë të madhe situatës, duke e parë si të papritur dhe të panevojshme. Shkaku i reagimeve ishte një deklaratë e Xhakës për vendimin e Leon Avdullahut dhe Albian Hajdarit që të përfaqësojnë Kosovën.

Xhaka u shpreh i lumtur për kualifikimin me Zvicrën dhe faktin që do ta drejtojë ekipin në një tjetër turne të madh. Edhe Breel Embolo reagoi në mbrojtje të tij:

“Graniti është djalë i fortë, me shpatulla të gjera. Mund t’i përballojë këto gjëra”.

Megjithatë, Xhaka e konsideron Kosovën shtëpi të tij – dhe pikërisht kjo e bëri situatën më të dhimbshme.

“Jam i befasuar. Është gjëja e fundit që kam pritur, sidomos këtu, në shtëpi. Dhemb, të jem i sinqertë”, tha ai për SRF pas ndeshjes, duke shtuar se “çdo gjë është në rregull”, edhe pse realiteti dukej ndryshe.

Hajdari publikon fotografi me Xhakën dhe Avdullahun: Jemi një

Deklarata e Granit Xhakës për Albian Hajdarin dhe Leon Avdullahun shkaktoi momente të sikletshme në “Fadil Vokrri”, ku shikuesit fishkëlluan çdo prekje të topit nga kapiteni i Zvicrës, përcjell albinfo.ch. 

Pas ndeshjes së së martës mbrëma mes Kosovës dhe Zvicrës, Xhaka u pa duke biseduar me Hajdarin, ndërsa mbrojtësi kosovar,  i cili ishte lënë i lirë për këtë takim, publikoi një fotografi të përbashkët me Xhakën dhe Avdullahun.

Imazhi, i publikuar në “Instagram Story”, shoqërohej me mbishkrimin “ne jemi një”, të cilit Hajdari i shtoi edhe një zemër. Pak më vonë, fotografinë e shpërndau edhe Leon Avdullahu.

Të dy lojtarët e Kosovës, Hajdari dhe Avdullahu, u lanë jashtë listës së ndeshjes nga selektori Franco Foda për të shmangur rrezikun e kartonëve dhe do të jenë të gatshëm për gjysmëfinalen e plejofit në mars.

Barazimi në Prishtinë i hap rrugën Zvicrës drejt Botërorit

Zvicra e ka bërë realitet kualifikimin për Kupën e Botës 2026. Në një atmosferë festive në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndeshja ndaj Kosovës përfundoi 1-1, një rezultat i favorshëm për të dy ekipet, të cilat tashmë kishin arritur objektivat e tyre, transmeton albinfo.ch.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte e ngadaltë, me ekipin vendas të kujdesshëm në mbrojtje.

Ndërkohë në pjesën e dytë, Vargas shënoi për Zvicrën pas një gabimi në mbrojtje të Kosovës, duke vendosur avantazhin 1-0. Kosova reagoi, dhe futja e Zhegrovës rriti ritmin e ekipit vendas. Muslija barazoi në minutën e 74-të.

Në fund, barazimi 1-1 mjaftoi që Zvicra të vulosë kualifikimin për Botërorin, duke rikthyer skuadrën në turne pas suksesit të fundit në Europian dy vite më parë dhe duke lënë shpresë për një performancë të fortë verën e ardhshme.

Zvicra ka grumbulluar 14 pikë në Grupin B, duke siguruar kualifikimin e saj të sigurt për Kupën e Botës 2026. Ndërkohë, Kosova ka përfunduar e dyta, duke treguar një performancë të fortë dhe duke fituar të drejtën për të vazhduar në fazën e play-off-it, një arritje e rëndësishme për ekipin dhe tifozët e saj./Albinfo.ch

Kurti: Po luajmë futbollin më të bukur ndonjëherë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me ndeshjen mes Kombëtares së Kosovës dhe Zvicrës, që u mbyll me barazim.

Kurti e ka quajtur si arritje të jashtëzakonshme rezultatin e Kosovës, teksa ka thënë se po luajmë futbollin më të bukur ndonjëherë.

“Dolëm nga stadiumi me bindjen se do të duhej të kishim fituar. Rezultat pozitiv ndaj Zvicrës dhe arritje e jashtëzakonshme: kualifikimi për në fazën tjetër drejt Kupës së Botës 2026. Po luajmë futbollin më të bukur ndonjëherë, me disiplinë ndaj taktikave dhe planit të lojës, dhe pasion për stemën dhe vendin. Mezi i presim ndeshjet e radhës”, ka shkruar Kurti përmes një postimi në Facebook.

Kuvendi sot mban dy seanca, njëra për mandatarin Glauk Konjufca

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë sot dy seanca plenare ku një nga pikat kryesore të rendit të ditës të seancë së parë, do të jetë çështja e financimit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) dhe miratimi i buxhetit për komunën e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut. Ndërsa në seancën e dytë pritet të votohet qeveria Konjufca, përcjell albinfo.ch.

Kuvendi i Kosovës e ka thirrur për sot seancën për votimin e Qeverisë së re, në orën 14:00.

Në webfaqen e Kuvendit, thuhet se nga ora 11:00 do të mbahet seancë e jashtëzakonshme, që në rend të ditës është:

1. Formimi i komisioneve parlamentare,

2. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-002 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje,

3. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-003 për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e parë për „Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër“, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve si dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Grupit të Bankës Botërore),

4. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-004 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si Huadhënës, dhe Republikës së Kosovës si Huamarrës, dhe Bankës Qendrore të Kosovës si Agjent i Huamarrësit,

5. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-005 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Kompas“-Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës Për Forcimin E Sistemit Të Shëndetësisë,

6. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-006 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH) për Projektin “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”,

7.   Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 09/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026,

8.   Miratimi i buxhetit për komunat: Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok,

9.   Çështja e financimit të RTK-së.

Vendi: Salla e seancave

Presidentja Vjosa Osmani e ka mandatuar Glauk Konjufcën si mandatar për formimin e Qeverisë, pas dështimit të Albin Kurtit.

Osmani kishte deklaruar se Konjufca dhe VV kanë besim të plotë se mund t’i arrijnë 61 vota, sa janë të nevojshme për votimin e Qeverisë.

Afati 15 ditor që ka Konjufca për ta prezantuar përbërjen e kabinetit qeveritar, përfundon pikërisht nesër.

Deputetja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavaci në një deklaratë për RTV21 tha se Lëvizja Vetëvendosje ka ndërmarrë të gjithë hapat në mënyrë që vendi të mos shkojë në zgjedhje, por sipas saj është e qartë se nuk ka gatishmëri nga partitë tjra për marrëveshje.

Ajo shtoi se për seancën e nesërme kanë 57 vota të siguruara.

Telefonat inteligjentë në duart e fëmijëve: Vetëm nga klasa e 7-të e lart

Prindërit në Köniz, kantoni i Bernës, kërkojnë rregulla të qarta për përdorimin e telefonave inteligjentë në jetën private të fëmijëve. Ndërkohë që disa shkolla kanë ndaluar përdorimin e telefonave gjatë orëve mësimore, shumë prindër ndihen të “presionuar” nga fëmijët e tjerë që kanë telefon.

Një iniciativë prindërore propozon:

Asnjë telefon personal për fëmijët deri në klasën e 7-të (rreth 12-13 vjeç)

Asnjë llogari personale në rrjetet sociale deri në klasën e 9-të (rreth 14-15 vjeç)

Sondazhi mes prindërve tregon se 80% janë të gatshëm të respektojnë këto rregulla, ndërsa mbështetja për ndalimin e rrjeteve sociale është edhe më e lartë (90%). Iniciatorët po krijojnë një platformë online për t’i ndihmuar prindërit të gjejnë familje që ndjekin të njëjtat standarde, në mënyrë që fëmijët të mos ndihen të izoluar.

Qëllimi i iniciativës është që familjet të përballojnë së bashku “presionin e heshtur” social që vjen nga përdorimi i hershëm i teknologjisë.

 

 

Një në shtatë të rinj në Zvicër është i izoluar socialisht

Një studim i ri i porositur nga qeveria federale tregon se rreth 15% e të rinjve të moshës 19–21 vjeç në Zvicër kanë një rrjet social shumë të kufizuar dhe janë të izoluar socialisht. Studimi, pjesë e anketave për të rinjtë ch-x, intervistoi mbi 78,000 të rinj dhe shqyrtoi rëndësinë e rrjeteve personale për arsimimin dhe hyrjen në jetën profesionale.

Rezultatet tregojnë se familja mbetet rrjeti më i rëndësishëm për shumicën e të rinjve, ndërsa partnerët dhe miqtë kanë një rol më të kufizuar. Shumë të rinj nuk kanë më shumë se 7–9 persona të rëndësishëm në rrethin e tyre social, dhe kontaktet e ngushta shpesh mbeten brenda zonës gjeografike ku jetojnë.

Studimi gjithashtu thekson se statusi profesional dhe situata familjare ndikojnë në numrin dhe diversitetin e kontakteve sociale. Të rinjtë nga familjet me një prind ose me vështirësi financiare janë veçanërisht të disavantazhuar. Megjithatë, nuk ka zëvendësim të kontakteve reale nga kontaktet online, duke treguar një balancë midis marrëdhënieve online dhe atyre në jetën reale.

Ky studim ofron një pasqyrë të parë të rrjeteve personale të të rinjve zviceranë dhe synon të ndihmojë në zhvillimin e politikave të ardhshme për të rinjtë.

 

Tifozët kosovarë fishkëllojnë Xhakën, kapiteni i Zvicrës shpreh zhgënjimin e tij

Në ndeshjen mes Kosovës dhe Zvicrës tifozët e Kosovës kanë shkaktuar polemika duke fishkelluar kapitenin shqiptar të skuadrës helvetike, Granit Xhaka. Ky akt ka habitur jo pak lojtarin dhe tifozët e pranishëm.

Reagimi i Xhakës nuk ka munguar, ku ai ka shprehur zhgënjimin e tij: “Jam definitivisht i befasuar, është gjëja e fundit që kam pritur, posaçërisht këtu në shtëpi. Të them të drejtën, kjo më dhemb, por duhet ta pranoj dhe të përqendrohem te futbolli…”, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë, në rrjetet sociale ka shpërthyer një valë kritike ndaj tifozëve kosovarë, të cilët u konsideruan si të papërshtatshëm dhe turpshëm për veprimin e tyre ndaj Xhakës.

Megjithatë, nuk kanë munguar edhe ata që e arsyetojnë aktin e tifozëve, duke rikujtuar se ishte pikërisht Zvicra ajo që kishte hezituar në pranimin e Kosovës në UEFA, duke e parë këtë fishkellim si një formë të protestës simbolike.

 

 

 

Trupat e një nëne dhe vajze të zhdukura gjenden të ruajtura në frigoriferë në Austri

Trupat e një gruaje 34-vjeçare dhe vajzës së saj 10-vjeçare, të zhdukura për disa muaj, janë zbuluar brenda frigoriferëve në një apartament në pjesën perëndimore të Austrisë.

Mbetjet, që i përkasin një familjeje me origjinë siriane, u gjetën të premten të fshehura pas një muri gipsi në qytetin e Innsbruckut, sipas raportimeve të BBC-së.

Dy burra – një austriak 55-vjeçar dhe vëllai i tij 53-vjeçar – u arrestuan në qershor. Burri më i madh, i cili ishte i njohur me gruan siriane, pretendoi përpara policisë se kishte ndodhur një aksident, por mohoi çdo përfshirje në vrasje.

Hansjörg Mayr, zëdhënës i zyrës së prokurorit, deklaroi për mediat se të dy të dyshuarit po mbahen “me dyshime të forta për vrasje”. Emrat e të përfshirëve nuk janë publikuar për arsye ligjore.

Zhdukja e grave ishte raportuar fillimisht më 25 korrik 2024 nga kushërira e gruas, që jeton në Gjermani.

Kosova mban gjallë ëndrrën për Botëror pas barazimit 1:1 me Zvicrën

Kombëtarja e Kosovës ka përfunduar ndeshjen ndaj Zvicrës me rezultat 1:1, duke arritur një barazim të rëndësishëm në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe duke mbajtur gjallë shpresat për play-off-in e Kampionatit Botëror 2026.

Zvicra kaloi e para në avantazh në minutën e 47-të me golin e Ruben Vargas, i cili pas një pasimi të Djibril Sow kontrolloi topin dhe e shtyu me qetësi mes këmbëve të portierit Muric, duke shënuar golin e tij të 11-të për kombëtaren zvicerane, shkruan albinfo.ch.

Megjithatë, Kosova reagoi dhe në minutën e 74-të, Florent Muslija barazoi rezultatin, duke ndezur shpresat për një rezultat pozitiv dhe duke garantuar një përballje interesante në shortin e play-off-it që do të zhvillohet në mars të vitit të ardhshëm.

Ky barazim tregon një performancë të qëndrueshme nga ekipi kosovar dhe e lë Kombëtaren në një pozicion të mirë për të luftuar për një vend në Kampionatin Botëror.

 

 

Dimri rikthehet në Zvicër: Bora pritet edhe në fushat e ulëta

Pas disa ditësh të pazakonta e të ngrohta dimri rikthehet këtë javë në Zvicër. Sipas MeteoSwiss, nga mbrëmja e së mërkurës dhe gjatë natës, reshje bore priten të zbresin deri në fushat e ulëta, me shtresa bore deri në 5 centimetra në disa zona të Plateau-s, transmeton albinfo.ch.

Të enjten, në zonën e Liqenit të Gjenevës, kodrat mbi Lozanë dhe Lavaux, reshjet mund të intensifikohen përkohësisht për shkak të fenomenit të njohur si “efekti i liqenit”, ku ajri i ftohtë ndërvepron me ujërat ende të ngrohtë të liqenit.

Temperaturat mbeten të ulëta dhe era e fortë nga veriu do të përforcojë ndjesinë e ftohtit. Vitin e kaluar, reshjet e para të borës ranë më 21 nëntor, duke shkaktuar pengesa në trafikun rrugor dhe hekurudhor.

 

Florent Muslija barazon rezultatin për Kosovën ndaj Zvicrës

Në ndeshjen që po zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, Kosova ka arritur të barazojë rezultatin ndaj Zvicrës falë golit të Florent Muslijës në minutën e 74-t.

Ky gol ka ndezur shpresat për një rezultat pozitiv për ekipin kosovar në këtë përballje të pritshme nga tifozët vendas, shkruan albinfo.ch.

Ndërsa Zvicra kaloi e para në avantazh në minutën e 47-të të ndeshjes me golin që shënoi Ruben Vargas.

 

Shpenzimet për shëndetësinë në Zvicër pritet të arrijnë 110 miliardë franga në 2027

Sipas parashikimeve më të fundit të KOF, shpenzimet për shëndetësinë në Zvicër pritet të afrohen në 110 miliardë franga zvicerane në vitin 2027. Ky vit shënon një tejkalim të pragut prej 100 miliardë, me një rritje prej 3.7% krahasuar me 2024, transmeton albinfo.ch.

Një raport i publikuar të martën nga Instituti Zviceran i Ekonomisë (KOF) në ETH Zürich tregon se kostot e kujdesit shëndetësor do të vazhdojnë të rriten me një ritëm më të shpejtë se në të kaluarën. Sipas këtij raporti, këto shpenzime pritet të arrijnë 102 miliardë franga zvicerane deri në vitin 2025.

Rritja e shpenzimeve parashikohet të jetë 3.6% vitin e ardhshëm, duke u afruar në 106 miliardë franga. Për vitin 2027, shpenzimet pritet të arrijnë 109.6 miliardë franga (+3.5% në krahasim me vitin paraprak), sipas parashikimeve të KOF, të cilat janë komisionuar nga Comparis dhe publikohen çdo vjeshtë. Kujdesi afatgjatë për personat e moshuar mbetet drejtuesi kryesor i këtyre kostove.

KOF thekson se rritja e shpenzimeve për shëndetësinë nuk pritet të ngadalësohet, pasi konsumimi i shërbimeve shëndetësore po rritet. Për periudhën 2024-2027, rritja mesatare vjetore pritet të jetë 3.9%, krahasuar me 3.1% gjatë dhjetë viteve të fundit.

Rritja e pjesës së PBB-së

Nga një këndvështrim makroekonomik, sektori po fiton rëndësi gjithnjë e më të madhe: pjesa e tij në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) pritet të rritet nga 8.9% në 1997 në 12.2% deri në vitin 2027. Në renditjen e 38 vendeve të OECD për vitin 2024, Zvicra zë vendin e katërt, pas Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë dhe Austrisë, dhe përpara Francës.

Pas kujdesit afatgjatë, trajtimet ambulatore janë faktorët kryesorë të rritjes së kostove, ndërsa kujdesi spitalor po zvogëlohet. Kështu, shpenzimet po rriten nga zyrat mjekësore dhe qendrat ambulatore, spitalet dhe shtëpitë e pleqve.

Tregtia me pakicë, kryesisht farmacitë, kontribuon vetëm në mënyrë të kufizuar në rritjen e kostove. Ndërkohë, pjesa e qeverisë ka pësuar ulje pas një rritjeje të lidhur me pandeminë COVID-19. Në aspektin e financimit, sigurimi shëndetësor i detyrueshëm (AOS) vazhdon të mbajë barrën kryesore të rritjes së kostove, duke rezultuar në rritje të primeve.

Shpenzimet për person

Sipas një deklarate të Comparis, në vitin 2027, shpenzimet për shëndetësinë do të kalojnë 12,000 franga për person në vit. Sipas ekspertit të sigurimeve shëndetësore të Comparis, Félix Schneuwly, këto shpenzime janë “të menaxhueshme” për sa kohë që rritja ekonomike vazhdon dhe pjesa e tyre në PBB mbetet midis 11 dhe 12%.

Ai thekson se zhvillimi më i shpejtë i kujdesit ambulatore krahasuar me trajtimet spitalore është një shenjë pozitive. Sidoqoftë, sfidë mbetet kujdesi afatgjatë për të moshuarit, pasi numri i personave të moshuar që marrin kujdes dhe mbështetje në shtëpi po rritet shpejt.

Schneuwly kërkon rregulla më të qarta për kujdesin e paguar nga anëtarët e familjes, duke theksuar se organizatat e kujdesit në shtëpi, fondet e sigurimeve shëndetësore dhe autoritetet interpretojnë udhëzimet për mbulimin në mënyra të ndryshme. Për më tepër, mungesa e një regjistrimi të veçantë bën që të dhëna të sakta mbi shkallën dhe kostot e kujdesit familjar të mos jenë të disponueshme.

 

 

Trenat e natës gjatë fundjavave në Zvicër, drejt aeroporteve dhe për aktivitete argëtuese

Hekurudhat Federale Zvicerane (SBB) do të ofrojnë trena nate drejt aeroporteve të Zürich dhe Gjenevës kur ndryshimi i orarit hyjë në fuqi më 14 dhjetor 2025. Në pjesën frankofone të Zvicrës, nisjet janë planifikuar nga qytetet Sion, Biel/Bienne dhe Fribourg. Viti 2026 do të shërbejë si vit prove.

SBB njoftoi të martën se ky hap është një përgjigje ndaj kërkesave të udhëtarëve për transport argëtues dhe për nisje të hershme nga aeroportet. Shërbimi u testua gjatë disa fundjavave në pranverë dhe vjeshtë, dhe rezultoi i dobishëm për udhëtarët që udhëtojnë për argëtim ose për fluturime të hershme. Për këtë arsye, provat do të zgjasin deri në vitin 2026, trandmeton albinfo.ch.

Trena nate do të fillojnë të funksionojnë në natën e së shtunës më 13 dhjetor drejt së dielës më 14 dhjetor. Një tren do të niset nga Biel/Bienne (BE) në orën 2:21 për në Gjenevë, përmes Renens. Mbërritja në Aeroportin e Gjenevës është planifikuar për në 4:23 të mëngjesit. Trena shtesë do të nisen nga Sion në orën 2:20 dhe nga Fribourg në orën 2:26, të dy përmes Lausanne.

Këta trena të hershëm të mëngjesit do t’u mundësojnë udhëtarëve nga këto qytete të arrijnë lehtësisht fluturimet e para (midis orës 6:00 dhe 8:00) nga Aeroporti i Gjenevës. Në vitin 2026, shërbimi do të zgjasë përgjithësisht gjatë çdo fundjave, nga e premtja në të shtunë dhe nga e shtuna në të dielë. Gjatë periudhës së pushimeve, trenat do të nisen nga Aeroporti i Gjenevës në orën 23:30 drejt Fribourg dhe në mesnatë drejt Biel dhe Sion.

Në pjesën gjermanofone, shërbimet e natës gjithashtu do të ofrohen gjatë fundjavave. Një tren do të niset nga Winterthur (ZH) në orën 1:40 për në Zürich, duke mbërritur në Bern në 3:04. Një tren nate do të niset nga Bern në orën 3:00 dhe do të mbërrijë në Winterthur në 4:32. Lidhjet me trenat rajonalë (S-Bahn) janë të disponueshme në Bern, Olten dhe Zürich.

A duhet të bëhet ky shërbim i përhershëm?

Përmes këtij testi, SBB do të vlerësojë kërkesën për shërbime nate, linjat ku duhet të operojnë dhe raportin kosto/përfitim. Vendimi për vazhdimin e rrjetit kombëtar të trenave nate do të merret gjatë vitit të ardhshëm. Po ashtu, SBB ka plane për një shërbim 24-orësh gjatë fundjavave midis Zürich dhe Gjenevës, Olten dhe Basel, Bern dhe Thun, Lausanne dhe Sion, si dhe Zürich dhe Chur.

 

Zvicra shënon gol ndaj Kosovës

Në minutën e 47-të të ndeshjes mes Zvicrës e Kosovës, Ruben Vargas kaloi Zvicrën në avantazh me një gol.

Ai mori një pasim të saktë nga Djibril Sow, kontrolloi topin dhe e shtyu me qetësi mes këmbëve të portierit Muric, transmeton albinfo.ch.

Kjo është goli i 11-të i Vargasit për kombëtaren zvicerane.